Ibn Kajim el-Xheuzije
Burimi: Ibn Qayyim al-Jawziyya, Ranks of Divine Seekers, trans. Ovamir Anjum (Leiden: Brill, 2020), 292-310
Mbi stacionet e “Vetëm Ty të adhurojmë” në të cilin zemra zhvendoset nga stacioni në stacion në shtegtimin e saj drejt Zotit të Lartësuar.
Populli [d.m.th. sufitë] kanë thënë shumëçka për të përshkruar stacionet dhe numrin e tyre; disa thonë se numri i tyre është një mijë, të tjerë njëqind, dhe të tjera akoma më pak a më shumë se aq. Çdonjëri i ka përshkruar ato në përputhje me shtegtimin dhe përvojën e vet. Prej atyre stacioneve, unë do të përmend shkurtimisht dhe përmbledhtazi, në dashtë Zoti, atë çka është e dobishme.
- Stacioni i zgjimit
Stacioni i parë i të qenit shërbëtor [i Zotit] është zgjimi. Ai është të trazuarit e zemrës drejt një paniku të llahtarshëm (awsome) dhe të beftë nga përgjumja e shkujdesjes. Pasha Zotin, sa i dobishëm ky panik është, sa i paçmuar dhe jetik, sa shumë i nevojshëm për shtegtimin që pritet të bëhet. Cilido që e ndjen atë, pasha Zotin, ai ndjen puhizën e lumturisë, pa të cilën ai qëndron në ngulfatjen e shkujdesjes. Kur vihet në alarm, ai merr vendim që të shtegtojë për në stacionet e para, duke u nisur nga trualli i tij ku ai dikur ishte i zënë rob, pa qenë ai aspak i vetëdijshëm për këtë.
Rend o rend drejt Kopshteve të Adnit,
Qëllimi yt i parë, ku do të prehesh,
Dikur nga armiku qemë skllavëruar
Sot në shtëpi kthehemi për të kremtuar
Ai tani bën gati furnizimet për rrugë dhe niset për në stacionin vendosmërisë (azm), që është dhënia solemne e besës për të ndërmarrë shtegtimin, duke u ndarë nga gjithçka që e pengon dhe që e bllokon atë, duke marrë gjithçka që ndihmon dhe që e afron atë [shtegtimin]. Vendosmëria e tij është e mirë vetëm nëse është e tillë vigjilenca dhe zgjimi i tij fillestar, dhe përgatitja e tij është e mirë vetëm nëse është i mirë edhe vendosmëria e tij.
Kur ai zgjohet, zgjimi i tij e shtyn atë drejt të menduarit (fikreh), që është emri për të fokusuarit e zemrës mbi synimin e kërkuar prej saj, për të cilin ajo tanimë është e përgatitur, por e përgatitur vetëm në një mënyrë të përgjithshme, pa i njohur ende hollësitë e synimit, dhe as rrugën që shpie drejt tij.
- Stacioni i Përshquajtjes (besira)
Kur të menduarit e tij është i shëndetshëm, kjo e çon atë në përshquajtësi, e cila është drita në zemër nëpërmjet së cilës ai sheh premtimin dhe paralajmërimin, Kopshtin dhe Zjarrin (d.m.th. xhenetin dhe xhehenemin), dhe ajo çka Zoti ka premtuar me të parën sosh [Kopshtin] për evlijatë e Tij dhe me të dytën [Zjarrin] për armiqtë e tij. Ai i sheh njerëzit teksa ngrihen nga varret e tyre, duke rendur drejt thirrjes së të vërtetës. Ëngjëjt e qiejve kanë zbritur dhe i kanë rrethuar ata, dhe Zoti ka ardhur, dhe Kursij-i i Tij është vënë aty për Gjykimin e Mbramë, dhe toka është ndriçuar nga drita e Tij. Libri [i veprave] është hapur, profetët dhe dëshmorët janë prurë përpara, Peshorja është vënë, pergamenat janë hapur, palët janë mbledhur, çdokush mban barrën e tij. Një shikim i shpejtë i Hauzit dhe i kupave; të eturit janë të shumtë, por ata të cilëve u bëhet ftesë për aty janë të paktë. Ura e Sirasë është shtrirë dhe njerëzit bëjnë që t’i afrohen asaj. Dritërat hyjnore për ta kaluar atë janë shpërndarë për të mposhtur errësirën e saj, zjarri që përpin veten në tërbim poshtë saj, dhe ata që bien në të janë shumë më tepër në numër se sa ata që shpëtohen.
Çel një sy në zemrën e shtegtarit shpirtëror (salik) nëpërmjet të cilit ai i sheh të gjitha këto, dhe një tablo e ngulitur në zemrën e tij i tregon atij amshimin dhe përjetësinë, si dhe këtë botë dhe përkoshmërinë e saj.
Përshquajtja është drita që Zoti hedh në zemër nëpërmjet së cilës shihet realiteti i asaj çka Pejgamberët kanë sjellë. Njeriu e sheh këtë a thua se ai po e vështron me vetë sytë e tij, duke kuptuar kësodore dobinë e mësimeve pejgamberike dhe dëmin që ka kundërvënia ndaj tyre. Ky është kuptimi i thënies së njërit prej njohësve: “Përshquajtja është të kuptosh dobinë dhe dëmin e një gjëje.”[1] Një tjetër prej tyre ka thënë: “Shquarësia është ajo çka e heq prej teje pështjellimin, ose nëpërmjet besimit ose nëpërmjet vështrimit të drejtpërdrejtë.”[2]
Përshquajtësia ka tri rrafshe; kushdo që i plotëson ato, e ka arritur atë plotësisht. Përshquajtësia në emrat dhe atributet hyjnore, në urdhërim [për të mirë] dhe në ndalim [nga e keqja], dhe në premtimin dhe në tërheqjen e vërejtjes. Përshquajtësia në emrat dhe cilësitë hyjnore don të thotë se besimi yt nuk kaplohet nga asnjë dyshim që bie ndesh me përshkrimin që Zoti bën për Veten e Tij dhe me përshkrimin që Pejgamberi ka bërë për Atë. Tamam tamam, dyshimi që bie ndesh me të, për ty bëhet dyshim i ekzistencës së Zotit, pasi të dy këto janë njëlloj të rremë për njerëzit e përshquajtjes.
Thelbi i kësaj është se zemra jote e sheh Zotin Fuqiplotë dhe Madhështor që qëndron mbi Fronin e Tij, teksa lëshon, nëpërmjet ligjërimit të Tij, urdhër dhe ndalesë, dhe duke vëzhguar lëvizjet e botës së epërme dhe të poshtme, individët dhe qeniet, duke dëgjuar zërat e tyre, duke vrojtuar gjendjet e tyre të brendshme dhe të fshehtat e tyre. Punët e mbretërive janë nën vrojtimin e Tij, teksa zbresin nga Ai dhe ngjiten tek Ai, zotërimet e Tij qëndrojnë përpara Tij duke çuar në vend urdhërat e tij në të gjitha mbretëritë. I karakterizuar nga tiparet e përsosmërisë dhe të lavdisë, transhendent mbi çdo të metë, mangësi, dhe ngjashmëri, Ai është siç e përshkruan Ai Veten e Tij në Librin e Tij, sipër asaj çka krijimi i Tij i mvesh Atij. I Gjallë, Ai nuk vdes; Gjithëvëzhgues, Atë nuk e kap gjumi; i Gjithëditur, nga i cili as grimca më e vogël në qiej dhe në tokë nuk fshihet; Shikuesi [i gjithçkaje], Ai sheh ecjen e një milingone të zezë, në një shkëmb të palëvizshëm në një natë të sterrtë; Gjithëdëgjues, Ai dëgjon të gjithë zërat, pavarësisht nga dallimet gjuhësore dhe larmitë e nevojave. Fjalët e Tij kanë arritur përsosmërinë në të vërtetën dhe në drejtësi, cilësitë e Tij janë tejet madhështore për të hequr një analogji me cilësitë e krijimit të Tij qoftë në ngjashmëri apo parabolë; qenia e Tij, në mënyrë të ngjashme, është tejet sipërore për t’u krahasuar në esencë me qenie të tjera. Aktet e tij kanë rrethuar të gjithë krijimin me drejtësi, urtësi, bamirësi, dhe hijeshi. Atij i përket krijimi dhe urdhëri, Atij i përket e gjithë begatia dhe hijeshia, Atij i përket mbretëria dhe lavdia, Atij i përket lëvdimi dhe madhështia. Ai është i Pari, nuk ka asgjë tjetër përpara Tij; Ai është i Mbrami, nuk ka asgjë tjetër mbas Tij; Ai është Mbizotëruesi, nuk ka asgjë mbi Atë; Ai është i Fshehuri, nuk ka asgjë tjetër përveç Tij. Emrat e Tij janë emra të lëvdimit, eulogjisë, lëvdimit, dhe madhështisë, gjë që është arsyeja përse [ato përshkruhen] si të bukur. Cilësitë e tij janë të gjitha cilësi të përsosmërisë, përshkrimi i Tij është i gjithi përshkrim lavdie, aktet e Tij janë të gjitha akte urtësie, mëshire, dobie, dhe drejtësie. Gjithçka në krijimin e Tij tregon për Të, duke udhëzuar për tek Ai cilindo që ua vë veshin atyre me përshquajtësi. Ai nuk i krijoi qiejt dhe tokën pa qëllim, dhe as nuk e braktisi njeriun që të endet kotnasikoti dhe pa synim. Më saktë, Ai krijoi krijimin për të ngulitur unicitetin e Tij dhe adhurimin e Tij, dhe pësosi begatinë e Tij mbi ata kështu që ata mund të arrijnë më tepër nga begatia dhe bujaria e Tij duke e falënderuar Atë për këtë. E bëri Veten e Tij të njohur për robërit e Tij në gjithëfarë mënyrash. Ai ua kushtoi atyre shenjat, diversifikoi argumentet, duke i thërritur ata në dashurinë e Tij nga të gjitha dyert, duke shtrirë ndërmjet Tij dhe tyre litarin më të sigurtë, duke plotësuar kësodore për të gjitha ata bekimet, duke ngulitur tek ata, me anë të kësaj, provat më vendimtare. Ai i ka mbushur ata me bekimet e Tij, duke ia bërë Vetes detyrim mëshirën, duke e filluar Librin e Tij që Ai ka shkruar me [premtimin] se mëshira e Tij ia kalon mërisë së Tij.
Njerëzit ndryshojnë në përshquajtësinë e tyre sipas diferencës në dije dhe në kuptimin e mësimeve pejgamberike dhe në njohjen e falsitetit të dyshimeve që i kundërvihen realitetit të tyre.
Ju do të kuptoni se njerëzit më të dobët në përshquajtësi janë njerëzit e diskursit skolastik që është i rremë dhe meriton të fajësohet, të cilët të Parët i kanë censuruar, për shkak të injorancës së tyre rreth teksteve të shenjta dhe kuptimeve të tyre, dhe ngurtësisë së dyshimeve të rreme në zemrat e tyre. Në qoftë se ju merrni në shqyrtim gjendjen e njerëzve të thjeshtë të cilët, siç pretendojnë ata, nuk janë as besimtarë, ju do të shihni se ata janë më të mirë në përshquajtje, më të fortë në fe, më të mëdhenj në të dorëzuarit ndaj shpalljes, dhe të nënshtruar ndaj të vërtetës.[3]
Niveli i dytë i përshquajtësisë në urdhër dhe ndalesë, që do të thotë të dëlirësuarit [e vetëdijes] prej kundërvënies ndaj tyre nëpërmjet hilesë së interpretimit,[4] ndjekjes së verbër, apo dëshirës, aq sa nuk ngel asnjë dyshim në zemër që i kundërvihet dijes përfundimtare të urdhërit të Zotit dhe të ndalesës së Tij, dhe as ndonjë dëshirë që pengon nga të hedhurit në veprim, nga praktimi i saj, dhe nga jetësimi i saj. Nuk ka ndjekje të verbër [të njerëzve të tjerë] që ta shmangë atë nga parashtrimi i përpjekjeve të tij më të mira në marrjen e urdhëresave nga kamarja e teksteve [të shkrimeve të shenjta]. Kjo është ajo se si ju i njihni zotëruesit e përshquajtjes dhe të dijes nga ata që nuk i zotërojnë asnjërën prej këtyre.
Niveli i tretë i përshquajtjes në premtim dhe në paralajmërim është që të dëshmohet se Zoti i Lartësuar vëzhgon çdo frymë, duke parë atë çka fryma ka fituar prej të mirës dhe prej të keqes, në të shkuarën dhe në të ardhmen, në strehën e veprimit dhe në strehën e shpërblimit. Ky është një konkluzion i hyjnishmërisësë Tij, të qenit të Tij Zot, urtësisë e drejtësisë së Tij, dyshimi i të cilave do të ishte si dyshim ndaj hyjnishmërisë dhe ndaj të qenit të Tij Zot, dhe për më tepër, dyshim ndaj ekzistencës së Tij, pasi është e pamundur që kjo të jetë ndryshe. Sepse nuk është me vend që Atij t’i mvishet lënia e krijimit pa qëllim, kotsëkoti, dhe kuturu; Zoti shumë lart nga një mendim i tillë.
Që është edhe arsyeja se përse dëshmimi i intelektit për shpërblimin dhe ndëshkimin [në amshim] është si dëshmimi i intelektit për unicitetin hyjnor. Opinioni i saktë [mbi këtë debat në gjirin e dijetarëve] është se jeta e amshuar është e dallueshme nga arsyeja, por specifikat e saj mund të njihen vetëm nëpërmjet shpalljes. Kjo është arsyeja përse Zoti i Plotfuqishëm dhe i Lartësuar e ka bërë refuzimin e jetës së amshuar të barazvlershëm me mosbesimin tek Ai Fuqiploti, sepse ky është refuzim i fuqisë së Tij apo i hyjnishmërisë së Tij, dhe të dyja janë të barazvlershme me mosbesim tek Ai. I Lartësuari ka thënë:
E nëse ti çuditesh, atëherë edhe më e çuditshme është thënia e tyre: “A do të kemi krijim të ri pasi të jemi bërë dhé?” Këta janë ata që e mohuan Zotin e tyre, ata do të ndëshkohen me vargonj në qafë. Ata janë dishepujt e zjarrit ku do të rrojnë përjetësisht. [13:5]
Ka dy opinione në lidhje me këtë ajet. Sipas njërit, ajeti do të thotë se nëse ti çuditesh nga dyshimi i tyre, atëherë “A do të kemi krijim të ri pasi të jemi bërë dhé?”, është vërtet i çuditshëm, sepse si mund ta mohojnë ata këtë, kur ata janë krijuar nga dheu ndërkohë që nuk ishin asgjë. Sipas opinionit tjetër, në qoftë se ju çuditeni nga fakti se ata i mveshin ortakë Zotit dhe refuzojnë t’i nënshtrohen unicitetit hyjnor dhe adhurimit monoteist, atëherë refuzimi që ata i bëjnë ringjalljes dhe thënia e tyre se : “A do të kemi krijim të ri pasi të jemi bërë dhé?”, është akoma edhe më e çuditshme.
Sido që të jetë, refuzimi që qenia njerëzore i bën ringjalljes është një gjë e çuditshme, dhe ajo nuk është tjetër vetëm se refuzim i Zotit dhe mosbesim ndaj Tij dhe refuzim i hyjnishmërisë, fuqisë, urtësisë, drejtësisë, dhe autoritetit të Tij.
Autori i el-Menazil ka një interpretim të ndryshëm për përshquajtjen. Ai ka thënë:
Përshquajtja është ajo që e heq prej teje pështjellimin. Ajo ka tri nivele. Së pari, që ti e di se teksti [i shkrimit të shenjtë] që vë në dijeni për Sheriatin vjen nga një Qenie që nuk i druhet pasojave të tij. Ti, për rrjedhojë, e njeh të drejtën e [Sheriatit] për tu mbështetur pa ndërdyshje, dhe ndjen zemërim për shkeljen e tij, dhe e mbron atë me xhelozi.
Kuptimi i fjalëve të tij është se ajo çka ka mësuar Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ka ardhur në realitet nga e Vërteta, dhe ndjekësi i saj nuk i frikësohet asnjë të lige, por është i sigurtë, sepse ajo është e vërteta dhe ndjekësi i të vërtetës nuk ka frikë. Është e drejta e atij teksti mbi ty që ti ta përmbushësh atë për të cilën je urdhëruar, pa pasur asnjë dyshim dhe jo me bindjen se ai është thjesht një bast më i sigurtë. Më saktë, nuk është përmbushur detyra jote dhe as nuk është e kryer puna jote derisa t’i ta vësh në veprim atë me një siguri që nuk pranon asnjë fije dyshimi. Ti gjithashtu ndjen zemërim karshi atij që i kundërvihet ligjit, dhe e mbron me xhelozi të drejtën [e ligjit] kundër humbjes apo lënies pas dore.
Xhelozia, sipas pikëpamjes së Shehut të Islamit [el-Herauit], është pjesë e përsosmërisë së përshquajtjes. Sepse ndjesia e xhelozisë dhe e zemërimit kur dëshmohet lënie pas dore e diçkaje është në përpjestim të drejtë me vetëdijen e brendshme që ky njeri ka për të vërtetën e saj dhe për drejtësinë e saj, dhe me dashurinë e nderin që ky njeri ndjen për të. Ky është argument për dashurinë, nderin, dhe përnderimin që një njeri ka karshi të Vërtetës. Ky është thelbi i përshquajtjes, sepse pikërisht sikurse dyshimi që trazon përsosmërinë e bindjes verbon syrin e përshquajtjes, në mënyrë të ngjashme mungesa e zemërimit dhe e xhelozisë për të drejtat e saj, kur ato shkelen dhe sanksionet e saj kur ndaj tyre shfaqen kundërshti, verbon syrin e përshquajtjes.
Ai ka thënë:
Niveli i dytë është dëshmia në udhëzimin apo kequdhëzimin nga drejtësia e të Vërtetës [pra, Zotit] – dhe në larminë e llojeve të tij, [ti sheh] gjykimin e dashamirësisë, dhe në këtë tërheqje ti sheh litarin e lidhjes.
Nëpërmjet të dëshmuarit të drejtësisë në udhëzimin e Tij të cilitdo që Ai udhëzon dhe në kequdhëzimin e Tij të cilitdo që Ai kequdhëzon, El-Heraui, Zoti pastë rahmet për të, nënkupton dy gjëra. Së pari, agjensinë e Tij ekskluzive në krijim, udhëzim, dhe kequdhëzim. Së dyti, përdorimi nga ana e Tij e asaj agjensia është e shoqëruar nga urtësia dhe drejtësia, jo arbitrarisht apo kuturu. Urtësia e tij e bën detyrim udhëzimin e cilitdo që Ai e di se është i përshtatshëm për udhëzim, pranim, dhe mirënjohje, dhe se do të lulëzojë, dhe kequdhëzimin e cilitdo që Ai e di se nuk meriton udhëzim, dhe as nuk do ta pranojë atë as nuk do të jetë mirënjohës për të, as nuk të jetë e frytshme ajo për të. Sepse Zoti është më së miri i vetëdijshëm se ku ta shpjerë kumtin e Tij si në zanafillë [në zgjedhjen e pejgamberëve] ashtu dhe nëpërmjet trashëgimisë [në të zgjedhurit e ndjekësve të pjegamberit të Tij]. I Lartësuari ka thënë:
Dhe kështu Ne i i kemi sprovuar disa prej tyre me disa të tjerë ashtu që jobesimtarët të thonë: “A janë këta që Allahu i favorizoi në gjirin tonë?” A nuk është Allahu më i dituri për ata që janë mirënjohës?! [6:53]
Të tillët janë ata që çmojnë vlerën e udhëzimit të Tij dhe janë mirënjohës për të. E duan Atë dhe i thurin lavde Atij që i bëri popull të Tijin, sepse Ai, Fuqiploti, nuk shmanget kurrë nga nevoja e drejtësisë dhe bamirësisë në të udhëzuarit e cilitdo që Ai udhëzon dhe në të kequdhëzuarit e cilitdo që Ai kequdhëzon. Ai kurrë nuk kthen kënd nga dera e Tij dhe as nuk zmbraps nga shoqëria e Tij ndokënd që meriton të afrohet dhe të marrë udhëzim e bujari. Ai zmbraps vetëm ata që meritojnë të refuzohen dhe të kthehen mbrapsht. Urtësia dhe lëvdueshmëria e tij refuzojnë afrimin dhe nderimin e një personi të tillë dhe që ta bëjnë atë prej njerëzve të Tij, prej elitës së Tij të zgjedhur, dhe aleatëve të Tij.
Sërish mund të thuhet: “Përse i ka krijuar Ai njerëzit e tillë?”
Kjo është pyetja e një injoranti, e një gabimtari që e tejkalon masën në injorancë dhe në gabim! Krijimi i të kundërtave dhe plotësueseve është përsosmëria e të qenit të Tij Zot, njëlloj si dita dhe nata, i ftohti dhe i nxehti, dhembja dhe kënaqësia, e keqja dhe e mira, dhe bekimet qiellore dhe zjarri.
Fjalët e Tij, “në larminë e llojeve të saj ju shihni një gjykim të dashamirësië”, me diversitet të llojeve nënkuptojnë dallime në tip, masë, dhe cilësi, nga llojet ndryshme të opinioneve dhe aftësive dhe shkencave, dhe të ngjashmeve. Ai i ka ndarë [njerëzit] sipas dashamirësisë dhe dobisë së Tij, duke i dhënë çdonjërit atë çka është më e mira për të, çka është më doboprurësja për të, [dhe kjo] prej dashamirësisë dhe bamirësisë.
Fjalët e Tij, “në këtë ju shihni tërheqje litarin e lidhjes”, nënkuptojnë se ti e shikon se Ai të mundëson t’i bindesh asaj [me të cilën] Ai dëshiron të të afrojë pranë Tij. Ai përdor “tërheqjen” si një metaforë për këtë mundësim të veçantë dhe dhënie të veçantë të suksesit, dhe me “lidhje” Ai ka dashur të thotë afrimin pranë, dhe me “litar” mjetet që të çojnë tek Ai. Në këtë mënyrë, ai aludon për atë se ti gjen udhëzim nëpërmjet faktit që Ai të krijon mundësi, dhe nëpërmjet të afruarit pranë Tij, duke të të bërë që kapesh fort pas litarit të Tij – që është zotimi dhe premtimi i Tij për robërit e Tij. Të dëshmuarit e kësaj të bën ty më të fortë në dashuri dhe mirënjohje dhe të nxit ty që të bësh më të mirën në adhurim. Kjo është e gjitha pjesë e përshquajtjes; ai të cilit i mungon përshquajtja, i mungon e gjitha kjo.
Ai tha:
Niveli i tretë është përshquajtja që çel vetëdijen e brendshme, vendos aluzionin, dhe i jep hov kthjelltësisë.
Ai me këtë don të thotë aftësinë përshquajtëse që përbën shpalosjen dhe përvojën [shpirtërore], nëpërmjet së cilës gufojnë burimet e vetëdijes së brendshme[5] në zemër. Ai nuk tha, “dija guxon” për shkak se vetëdija e brendshme është më specifike se sa ajo në pikëpamjen e Njerëzve [të Sufizmit].[6] Ajo është për dijen çka fryma është për trupin; është fryma e dijes dhe thelbi i saj.
Ai ka thënë të vërtetën, Zoti pastë mëshirë për të, sepse nëpërmjet kësaj përshquajtjeje në zemër hapen burime të vetëdijes që nuk vijnë në jetë nëpërmjet përgatitjes apo studimit. Më saktë, ajo është kuptimi që Zoti i jep robit të Tij në Librin dhe fenë e Tij në përputhje me aftësinë e tij përshquajtëse.
Në fjalët “dhe vendos aluzionin”, me “aluzion” ai nënkupton atë çka Njerëzit u referohen si gjendje, stacione, dhe shije që dikush që nuk është i njohur me udhën i mohon, por njerëzit e përshquajtjes i afirmojnë. Shumë prej këtyre çështjeve i rikthehen aspirantit, sepse në qoftë se ai ka aftësinë përshquajtëse, ajo i afirmon këto gjëra për të, atij ia bën këto gjëra realitet, dhe e bën atë të vetëdijshëm për hollësitë e tyre. Në qoftë se ai është i mangët në përshquajtje, apo është injorant, ai nuk i njeh hollësitë e asaj çka ai po mohon dhe nuk është i udhëzuar në afirmimin e saj.
Fjalët e tij, “i jep hov kthjelltësisë”, nënkuptojnë se përshquajtja bën që në zemër të rritet kthjelltësia e vërtetë[7], që është një dritë që Zoti e hedh në zemër nëpërmjet së cilës një njeri ndan të mirën nga e keqja dhe të vërtetën nga e gënjeshtërta. I Lartësuari ka thënë: “Me të vërtetë, në të ka shenja për atë që përshquan (muteuesimin)” [15:75]. Muxhahidi ka thënë: “[përshquajtuja nënkupton] të kthjelltën (mutefarisin)”. Në Sahihun e Tirmidhiut, në hadithin e Ebu Said el-Hudriut, Zoti qoftë i kënaqur prej tij, me autoritetin e Pejgamberit, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, është shënuar se ai ka thënë: “Bëni kujdes nga kthjelltësia e një besimtari, sepse ai sheh me dritën e Zotit Fuqiplotë!” Më pas, ai recitoi: “Me të vërtetë, në atë ka shenja për ata që përshquajnë”.[8] [Në ajetin e sipërpërmendur] el-teuessum është e formës tefe’’ul nga fjala el-sima, që do të thotë një shenjë. Një person i kthjellët është quajtur muteuassim për shkak se nga ajo çka ai dëshmon ai nxjerr informacione në lidhje me atë çka është e padukshme, kësisoj ai shkon nga shikimi drejt të besuarit. Kjo është arsyeja përse Zoti i Lartësuar ka veçuar njerëz të tillë siç janë ata që nxjerrin dobi nga shenjat, sepse, bazuar mbi atë që shohin, ata përcaktojnë prova për realitetin e asaj çka pejgamberët kanë ligjëruar nga urdhëri dhe ndalimi, shpërblimi dhe ndëshkimi. Zoti ia dha këtë aftësi Ademit, paqja qoftë mbi të, dhe ia mësoi atë kur Ai ia mësoi atij emrat e gjithçkaje, dhe fëmijët dhe pasuesit e tij e trashëguan këtë prej tij. Çdo zemër [pra, mendje] është e aftë për këtë, dhe [kjo aftësi e përshquajtjes] ekziston në [zemër] dhe nëpërmjet saj përcaktohet argumenti [i Zotit mbi njerëzit], zënë vend mësimet, dhe arrihet argumentimi i saktë. Sepse Zoti ka dërguar pejgamberët e Tij me qortime dhe me tërheqje vërejtjeje në mënyrë që të përsoset ky kapacitet me dritën e shpalljes dhe fesë, duke shtuar kësodore dritën e kthjelltësisë dhe të kapacitetit. Kësisoj, ajo bëhet dritë mbi dritën; përshquajtja forcohet, drita dyfishohet, dhe ajo vijon të rritet derisa mund të shihet në fytyrën dhe trupin e një njeriu, dhe në të folurën dhe veprimet e tij.
Cilido që nuk e pranon udhëzimin e Zotit dhe ngre krye ndaj tij [me padurim], zemra e tij hyn në një zarf dhe një mbulesë dhe bëhet e errët dhe e verbër ndaj përshquajtjes, dhe realitetet e besimit mbahen të fshehura prej tij. Ai e sheh të vërtetën si gënjeshtër dhe gënjeshtrën si të vërtetë, udhëzimin si kequdhëzim dhe kequdhëzimin si udhëzim. I Lartësuari ka thënë: “jo, por ajo që ata kanë fituar është ndryshk (ran) mbi zemrat e tyre” [83:14]. Këtu, el-rejn apo el-ran [emri foljor i foljes rana] nënkupton një vel të dendur që e parandalon zemrën që të shohë të vërtetën dhe t’i nënshtrohet asaj.
Forca e kthjelltësisë së dikujt varet nga forca e përshquajtjes. [Kthjelltësia] është e dy llojeve: kthjelltësia e fisme dhe e drejtë, që është e pranishme vetëm te njerëzit e besimit; dhe kthjelltësia e ulët dhe e keqe, që është e përbashkët mes besimtarit dhe jobesimtarit. Kjo e dyta është kthjelltësia e atyre që e stërvitin veten me anë të urisë, qëndrimit natën, dhe izolimit, duke e hequr kështu vëmendjen nga të gjitha llojet e angazhimeve. Njerëz të tillë përftojnë një kthjelltësi që shpalos imazhe dhe informacione në lidhje me disa prej gjërave të fshehta të një natyre të ulët, shpalosja apo zbulimi i të cilave nuk përbën ndonjë përsosje të frymës, as dëlirësi të besimit, as njohje të brendshme. Kthjelltësia e tyre nuk shkon përtej këtyre gjërave të ulëta, për shkak se ata janë të mbuluar me vel nga i Vërteti Fuqiplotë dhe i Lartësuar, kështu që kthjelltësia e tyre nuk ngrihet për të diferencuar midis evlijave dhe armiqve të tij, dhe [midis] udhës së atyre të parëve dhe udhës së atyre të dytëve.
Sa i përket kthjelltësisë së të vërtetëve, atyre që e njohin Zotin e Lartësuar dhe urdhërin e Tij, kur shqetësimi i tyre fundor bëhet i bashkëngjitur me dashurinë për Zotin e Lartësuar, dijen e Tij, adhurimin e Tij, dhe të thirrurit të krijimit tek Ai mbi bazën e përshquajtjes, kthjelltësia e tyre bëhet e bashkangjitur me Zotin dhe me dritën e shpalljes bashkë me dritën e besimit. Ajo bën dallim ndërmjet asaj çka Zoti e do dhe e urren tek njerëzt, thëniet, dhe veprimet. Ajo bën dallim ndërmjet të kalbëzuarës dhe të shëndoshës, të vërtetës dhe gënjeshtrës, atij të vërtetit dhe gënjeshtarit, dhe dallon masën e të qenit të përgatitur të aspirantëve për te Zoti i Lartësuar, dhe kësisoj e trajton çdo person sipas kapacitetit të tij në dije, vendosmëri, dhe praktikë.
Kthjelltësia e njerëzve të tillë i bën ata që të angazhohen për shpalosjen e udhës pejgamberike dhe për t’ua mësuar atë të tjerëve dhe për ta dëlirësuar atë nga të gjitha udhët e tjera, dhe për shpalosjen e mangësive të egos, ligështive të praktikave shpirtërore që e pengojnë aspirantin nga udha e pejgamberëve. Ky është lloji më fisnik dhe më dobiprurës i përshquajtjes dhe kthjelltësisë në këtë jetë dhe në tjetrën.
3 Stacioni i qëllimit
Kur njeriu zgjohet dhe përfton përshquajtjen, ai lëviz drejt qëllimit dhe vullnetit të sinqertë, duke kuptuar qëllimin e tij për të ndërmarrë shtegtimin e fluturimit drejt Zotit, duke ditur me siguri se ky shtegtim detyrimisht duhet bërë. Ai bën gati të gjitha sendet dhe furnizimet që i nevojiten për shtegtim, duke u shkëputur nga të gjitha atashimet e tjera që e pengojnë atë nga nisja.
Autori i el-Menazil e ka ndarë qëllimin në tre nivele, duke thënë:
Niveli i parë është qëllimi që e motivon njeriun të ndërmarrë disiplinën, heq ngurrimin, dhe e fton njeriun që të ndahet nga zotërimet e tij.
Ai përmend tri gjëra këtu: qëllimi e motivon njeriun që të niset në udhë pa ngurrim dhe pa ndërprerje, i panjollosur nga qëllime të tjera si syfaqësia apo fama apo dëshira për lavdërim apo pushtet apo nder në sytë e të tjerëve.
Ai tha,
Niveli i dytë i qëllimit që ndal befas gjithçka që mund ta pengojë atë, i bën qëndresë çdo pengese, dhe kapërcen çdo vështirësi.
Ai don të thotë që [forca e qëllimit e kërkimtarit në këtë nivel] tejkalon çdo vështirësi apo pengesë, dhe çdo goditje [që merr] e bën të përballueshme.
Ai tha:
Niveli i tretë është qëllimi që i dorëzohet disiplinës së dijes [së ligjit], dhe merr vendim që t’i përgjigjet thirrjes së urtësisë së gjykimit [fetar] dhe të kapërcejë oqeanin e asgjësimit.
Ai don të thotë se [ky nivel i qëllimit] i qëndron besnik dijes [ezoterike] në mënyrë që të disiplinohet dhe të reformohet prej saj. Me “t’i përgjigjet thirrësit për në urdhërin fetar normativ” ai nënkupton se sa herë që i atij i drejtohet një kërkesë – sepse çdo gjykim në çdo çështje ditunore kërkon që të besohet dhe të veprohet në përputhje me të – ai përnjëmend ka për qëllim t’i përgjigjet asaj. Me “urtësinë e gjykimit”, ai don të thotë të fshehtat dhe urtësinë që çoi në dekretimin e gjykimit. Kjo nënkupton që asaj t’i përgjigjet në një nivel më të lartë se sa thjesht bindja; gjegjësisht, me dashuri dhe përnderim, dhe me dije të brendshme dhe lëvdim. Sepse vetë urdhëri lyp bindje, dhe urtësia dhe qëllimet që ai përmban pajisin me dije të brendshme dhe dashuri.
Fjalët e tij “vendimi … për të kapërcyer oqeanin e asgjësimit” u referohen qëllimit përfundimtar të Njerëzve [të Sufizmit]. Megjithatë, sipas një pjese prej tyre, kjo është një domosdoshmëri për udhën dhe jo qëllimi i saj fundor , ndërkohë që për të tjerë ai [vendimi] është njëra pengesë nga pengesat e udhës, jo fundi i saj. As nuk është ai i nevojshëm për çdo aspirant. Ata të cilët kanë forcë dhe vendosmëri nuk e ndeshin atë, sepse gjendja e rrojtjes (beka’) është më e përsosur se sa ai. Kjo është arsyeja përse rrojtja (beka’) ishte gjendja e Pejgamberit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, në Udhëtimin e Natës, madje edhe teksa ai pa atë çka pa. Megjithatë, gjendja e Musait ishte asgjësimit, që është edhe arsyeja përse ai humbi ndjenjat kur pa që Zoti ia zbuloi Veten e Tij në mal.[9] Gruaja e ministrit ishte më e përsosur se sa gratë e tjera në dashurinë e saj për Jusufin, e megjithatë ajo që u ndodhi atyre [kur ato prenë duart] nuk i ndodhi asaj, sepse ato ishin të asgjësuara, por ajo nuk e humbi veten.[10] Këtë pikë do ta qëmtojmë tani paksa më hollësisht, në dashtë Zoti.
4 Stacioni i vendosmërisë
Kur qëllimi konsolidohet, ai shndërrohet në vendosmëri të palëkundur që ka si domosdoshmëri fillimin e shtegëtimit shoqëruar nga mbështetja mbi Zotin, i Cili ka thënë: “Kur të keni marrë vendim, jepjani besën Zotit” [3:159]. Vendosmëria do të thotë qëllim i palëkundur i shoqëruar me veprim. Kjo është arsyeja përse është thënë se është fillimi i lëvizjes për të kërkuar ajo që synohet. Megjithatë, ç’është e vërteta, fillimi i lëvizjes vjen nga vendosmëria, por nuk është [pjesë e saj]. Mirëpo, duke qenë se [fillimi i lëvizjes] pasohet menjëherë nga [vendosmëria], ai ndonjëherë shkrihet me të. Thelbi i tij është përqendrimi i të gjitha dhuntive të vullnetit mbi veprimin. Vendosmëia është dy llojesh. Së pari, vendosmëria e aspirantit për të nisur udhën, dhe kjo është pjesë e stadeve fillestare. Së dyti, vendosmëria gjatë shtegtimit, që është më specifik se sa kjo dhe është pjesë e gjendjeve, që ne kemi për t’i përmendur kur t’u vijë radha, në dashtë Zoti.
Në këtë stacion, duhet bërë dallimi mes asaj që është në favor dhe asaj që llogaritet se është kundër, kështu që kërkimtari të mund të marrë me vete të parën dhe të korrigjojë të dytën. Ky është [stacioni i] marrjes së vetes në llogari, që vjen në radhë përpara [stacionit të] pendesës, sepse kur ai e kupton se çfarë është në favor të tij dhe çfarë është kundër tij, ai niset në detyrën e të ndrequrit të asaj çka është kundër tij dhe e shkarkon barrën e saj nga vetja, që është pendesa.
Autori i el-Menazil e ka vënë pendesën përpara marrjes së vetes në llogari, për arsye se ai e ka parë pendesën si stacionin e parë të aspirantit mbasi ky zgjohet, dhe se pendesa nuk është e plotë pa marrje të vetes në llogari; në këtë mënyrë, marrja e vetes në llogari është plotësimi i stacionit të pendesës. Qëllimi i marrjes së vetes në llogari është, pra, që të vazhdohet të mbrohet pendesa në mënyrë që njeriu të mos e humbasë atë. Ajo është si të përmbuhurit e premtimit që përmban pendesa.
Përktheu: Arjol Guni
Referenca
[1] Shiko el-Bagavi, Tefsir el-Bagavi 2:263.
[2] Shiko el-Tilismani, Sherh el-Menazil 2:343.
[3] Për një trajtesë të doktrinës së mosbesimit të njerëzve të thjeshtë dhe reagimit kundër saj në shkr imet e Gazaliut dhe teologëve të tjerë, shiko Anjum “Cultural Memory of the Pious Ancestors in al-Ghazali,” Numen 58 (2011), 351 e më tutje.
[4] Shiko fjalorthin, “teʾuīl.”
[5] Termi ma’rifet mund të përkthehet me të drejtë në përdorimin që i ka bërë el-Haraui si “gnozë”, por nuk është kështu në përdorimin e Ibn Kajjimit, që është arsyeja përse unë kam zgjedhur që ta përkthejë si “vetëdije e brendshme”. Ky term është çelësi i pohimeve mistike të el-Harauit; për më tepër, shiko “Parathënien e Përkthyesit” [nga libri ku është marrë fragmenti, sh.p.].
[6] Shiko Fjalorthin, “Njerëzit apo el-kaum”.
[7] Për firase, pëkthyer këtu si kthjelltësi, shiko T. Fahd, “firāsa,” në EI2, 2:916, i cili e përkufizon atë si “parashikimi i kushteve morale dhe sjelljes psikologjike nga tregues të jashtëm gjendje fizike”; ky përkufizim, megjithatë, bashkon në një firase me kijafe (fizionominë). Përkufizimi që Ibn Kajjimi jep për këtë term si një lloj i aftësisë përshquajtëse shpirtërore jo detyrimisht i lidhur me tiparet fizike është në linjë me mënyrën se si e përdorin atë el-Haraui dhe tradita profetike.
[8] Përgjithësisht, ky hadith cilësohet si i dobët. Shiko Medarixh (S), 437 shënimi 1.
[9] Kjo është në referencë të K. 7:143.
[10] Kjo është në referencë të K. 12:31.
Tags: besira, Ibn Kajim el-Xheuzijeh, spiritualitet, stacioni i qellimit, stacioni i vendosmerise, stacioni i zgjimit Last modified: 07/05/2021