Olivier Roy
Në fillim të tetorit, para vrasjeve terroriste të një mësuesi shkolle jashtë Parisit dhe tre personave në një kishë në qytetin jugor të Nicës, presidenti francez Emmanuel Macron nisi një goditje të “separatizmit” islamik në Francë. Ai njoftoi planet për kontrolle të rrepta në shoqatat fetare dhe kulturore dhe ndalimin e shkollimit në shtëpi përveç për arsye shëndetësore.
Në fillim të Dhjetorit, qeveria franceze do të paraqesë një projektligj të skicuar për të “përforcuar laicitetin”, versionin dallues të laicizmit të Francës dhe “konsolidimin e parimeve republikane”, në fillim të dhjetorit. Propozimet bazohen në dy supozime.
Së pari, se terrorizmi xhihadist ushqehet nga përhapja e Islamizmit ose “Selefizmit” në periferitë e varfra të Francës. Së dyti, se mënyra për ta luftuar atë është promovimi, apo edhe imponimi i “vlerave të republikës”.
Supozimi i parë është veçanërisht i rëndësishëm sepse justifikon shënjestrimin vetëm të “separatizmit” islamik, dhe jo të komuniteteve të tjera fetare ose lëvizjeve separatiste sekulare, siç është nacionalizmi Korsikan. Kjo mund të çojë në vendime që variojnë nga parandalimi i shteteve myslimane nga dërgimi i hoxhallarëve në Francë, deri në ndalimin e mjekëve nga dhënia e certifikatave të virgjërisë. Mund të kërkojë gjithashtu që shërbimet publike të raportojnë “shenjat e hershme të radikalizimit” – zakonisht jo më shumë se një shfaqje përkushtimi siç është lutja (namazi) në publik. Si dhe zgjerimin e aftësisë së shtetit për të ndaluar organizata që konsiderohen të dëmshme për republikën. Makron ka kërkuar një zgjerim të programeve ekzistuese kundër radikalizimit.
Propozimet ngrenë dy pyetje kryesore. Cila është lidhja midis islamizmit dhe dhunës terroriste? Dhe cilat janë “vlerat republikane” që qeveria dëshiron të mbrojë dhe forcojë?
Studimi im i atyre që ishin përgjegjës për sulmet e mëparshme terroriste në tokën Franceze tregon, në kundërshtim me pikëpamjen mbizotëruese, se terroristët nuk ishin radikalizuar nga ndonjë “inkubacion Selefi” në xhamitë dhe shkollat fetare të periferive të privuara të Francës. Përkundrazi, shumica u radikalizuan midis grupeve të vogla të miqve dhe të afërmve, shpesh në një mjedis të karakterizuar nga krim i vogël dhe delikuencë. Ata përdorën internetin për të gjetur tekste dhe frymëzim, dhe iu referuan pak ose aspak parimeve të ligjit të Sheriatit. Ata vinin nga kufijtë e jetës muslimane në Francë, jo nga qendra.
A munden që masat e propozuara tani të kishin parandaluar ndonjë nga sulmet terroriste të kryera në Francë që nga bombardimi i Metrosë së Parisit në 1995? Përgjigja, më duket, është jo.
Supozimi i dytë pas projektligjit – që rikonfirmimi i “vlerave të republikës” është thelbësor për të luftuar Islamizmin – ngre dy pyetje të tjera. Cilat janë këto vlera specifike? Dhe çfarë do të thotë t’i imponosh ato një shoqërie që supozohet se përkrah lirinë e mendimit dhe besimit?
Është e vërtetë që ka pasur një rritje në Francë gjatë dy dekadave të fundit të asaj që unë e quaj “neo-fondamentalizëm”. Me këtë dua të them transformimin e formave tradicionale të Islamit në një sistem të normave të qarta që kanë ndikim në jetën shoqërore, duke përfshirë mbajtjen e hixhabit, thirrjet për ngrënien e ushqimit hallall dhe refuzimin e dhwnies dorwn grave.
Neo-fondamentalizmi ka zënë rrënjë në disa nga zonat më të pa privilegjuara të Francës, edhe pse frakturat sociale të vendit janë thelluar. Kjo gjithashtu u ka dhënë shkas lëvizjeve jo-fetare të protestës, të tilla si gilets jaunes (jelekët e verdhë). Por cila është alternativa që “vlerat republikane” kanë për qëllim të mishërojnë?
Këto vlera nuk ishin të koduara në ligjin e vitit 1905 që përcaktoi ndarjen e kishës nga shteti. Vlerat e republikës në atë kohë ishin vlera të krishtera konservatore të sekularizuara – gratë nuk kishin të drejtë vote dhe homoseksualiteti kriminalizohej.
Vlerat republikane të cilave u referohet Presidenti Makron janë qartë vlerat liberale të viteve 1960: barazia gjinore, liria seksuale, arsimimi etj. Por si ndryshojnë këto nga vlerat e vendeve të tjera evropiane?
Ajo çka është në mënyrë specifike franceze në lidhje me vlerat që presidenti ka zgjedhur për të mbrojtur është laiciteti, ose sekularizmi. Projektligji do të ketë efektin e zvogëlimit të shfaqjes së besimit fetar, dhe jo vetëm të Islamit, në jetën publike, shpesh në kurriz të vlerave shumë liberale – lirisë së fesë, mendimit dhe fjalës – që synon të mbrojë.
Për të parë këto pyetje, siç bëjnë disa kritikë, përmes lenteve të racizmit do të thotë të mos ia kesh qëlluar. Shumë myslimanë laikë janë mbështetës të zëshëm të luftës për vlerat republikane. Në të kundërt, shumë katolikë konservatorë ndihen gjithnjë e më të shqetësuar me interpretimet e tanishme të laicitetit. Dhe megjithëse disa janë armiqësorë ndaj Islamit, ata e hedhin poshtë idenë e asaj që Makron e quan “e drejta e blasfemisë”. Çështja e vërtetë këtu, pra, është çka mbetet nga liria e fesë në republikën tonë të sekularizuar?
Përktheu: Rezart Beka