Eduard W. Said
“Hipoteza ime është se burimi kryesor i konfliktit në këtë botë të re nuk do të jetë kryesisht ideologjik apo ekonomik. Ndarjet kryesore mes njerëzimit dhe burimit mbizotërues të konfliktit do të jetë kulturore. Shtetet-kombe do të mbeten aktorët më të fuqishëm në çështjet botërore, por konfliktet kryesore të politikës globale do të zhvillohen mes kombeve dhe grupeve të qytetërimeve të ndryshme. Përplasja e qytetërimeve do të mbizotërojë në politikën globale. Vija e shkarjes mes qytetërimeve do të jetë vija e betejës në të ardhmen“.
Pjesa më e madhe e diskutimit të tij në faqet pasuese mbështetej në një nocion të paqartë të asaj që Huntingtoni e quajti “identiteti i qytetërimit” dhe “bashkëveprimet mes shtatë apo tetë qytetërimeve më të mëdha”, dhe vëmendjen më të madhe ai ia kushton konfliktit mes dy prej tyre, mes Islamit dhe perëndimit. Në llojin e tij armiqësor të mendimit ai mbështetet shumë tek një artikull i vitit 1990 nga orientalisti Bernard Lewis, ngjyrimet ideologjike të të cilit janë të dukshme që në titullin e artikullit “Zanafilla e tërbimit mysliman”. Në të dy artikujt, personifikimi i qenieve të mëdha të quajtura “perëndimi” dhe “Islami”, konfirmohet në mënyrë të pakujdesshme, sikur çështjet shumë të ndërlikuara, si identiteti dhe kultura, të ekzistonin gjithmonë në një botë filmash vizatimorë, ku Popeye dhe Bluto e godasin njëri-tjetrin pa mëshirë, ku njëri është gjithmonë boksier më i mirë dhe ka gjithmonë epërsi mbi kundërshtarin e tij. Sigurisht as Huntingtoni as Lewis nuk kanë shumë kohë të merren me shumëllojshmërinë dhe dinamikën e brendshme të çdo qytetërimi, ose për faktin se diskutimi kryesor në shumicën e kulturave moderne ka të bëjë me përcaktimin ose interpretimin e çdo kulture, ose për mundësinë e pakëndshme se një numër i madh i demagogjisë dhe injorancës së vërtetë përfshihet në hamendësimin për të folur për fenë ose qytetërimin. Jo, perëndimi është perëndim dhe Islami është Islam.
Sfida e politikë-bërësve perëndimorë, thotë Huntingtoni, është të sigurohen se perëndimi po forcohet dhe po i shmang gjithë të tjerët, veçanërisht Islamin. Më shqetësues është supozimi i Huntingtonit se perspektiva e tij, që është analizimi i gjithë botës nga një vend i sigurt jashtë gjithë lidhjeve të zakonshme dhe besnikërive të fshehura, është e sakta, sikur gjithë të tjerët po lëvizin me shpejtësi duke kërkuar përgjigjet që ai i ka gjetur tashmë. Faktikisht Huntingtoni është ideolog, dikush që do t’i shndërrojë “qytetërimet” dhe “identitetet” në diçka që nuk janë: qenie të mbyllura që janë çliruar nga rrymat e panumërta dhe kundërrymat që i japin jetë historisë së njeriut dhe se gjatë shekujve kanë bërë të pamundurën që kjo histori të mos përmbajë vetëm luftëra fetare dhe pushtime perandorake, por të jetë dhe një histori shkëmbimi, bashkimi të ideve dhe zakoneve me përfitim për të gjithë. Kjo histori shumë pak e dukshme nuk merret parasysh gjatë nxitimit për të nxjerrë në pah betejën qesharake të ngjeshur dhe të ngushtuar, për të cilën “përplasja e qytetërimeve” argumenton se është realiteti. Kur Huntingtoni botoi librin e tij me të njëjtin titull në vitin 1996, ai u përpoq që t’i japë temës së tij më shumë hollësi dhe më shumë informata plotësuese; megjithatë ai arriti vetëm të çorientonte veten e tij dhe të tregojë se është shkrimtar i ngathët dhe mendimtar i pahijshëm.
Paradigma kryesore e perëndimit përballë pjesës tjetër ka mbetur e paprekur dhe kjo është ajo që është diskutuar pa pushim, shpesh tinëzisht ose fshehtas, që nga ngjarjet e tmerrshme të 11 shtatorit. Vrasjet masive dhe sulmet vetëvrasëse, të pakontrollueshme, të tmerrshme dhe të planifikuara me kujdes nga një grup militantësh të marrë, janë kthyer në prova për tezën e Huntingtonit. Në vend që ta shohim ashtu si është – si kapja e ideve të mëdha nga një grup i vogël fanatikësh të çmendur për qëllime kriminale –
Madje dhe gazeta e përjavshme britanike, normalisht e matur “The Economist”, në një artikull të sajin nga 22-28 shtator, ka bërë një përgjithësim të gjerë dhe ka lavdëruar Huntingtonin për vërejtjet e tij “mizore dhe gjithëpërfshirëse, por megjithatë të mprehta” për Islamin. “Sot”, shkruan gazeta me një solemnitet të pahijshëm, Huntingtoni shkruan se “një miliardë apo më shumë myslimanë janë të bindur për epërsinë e kulturës së tyre dhe janë të pushtuar nga inferioriteti i pushtetit të tyre”. Për të arritur në këtë përfundim a ka anketuar ai 100 indonezianë, 200 marokenë, 500 egjiptianë dhe 50 boshnjakë? Edhe sikur, çfarë shembulli është ky?
Kryeartikujt në çdo gazetë dhe revistë amerikane dhe evropiane janë të panumërt duke e rritur këtë fjalor gjigantizmi dhe apokalipsi, dhe përdorimi i secilës është hartuar qartë, jo për të udhëzuar, por për të ndezur ndjenjën e zemërimit të lexuesit si anëtar i “perëndimit”, dhe për atë që duhet të bëjmë. Retorika e Çurçillit përdoret në mënyrë të pasaktë nga luftuesit e vetëcaktuar në luftën e perëndimit dhe veçanërisht të Amerikës kundër atyre që e urrejnë e plaçkitin dhe e shkatërrojnë atë, duke u kushtuar vëmendje të pamjaftueshme historive të ndërlikuara që e kundërshtojnë hapur këtë zvogëlim dhe kanë depërtuar nga njëri territor në tjetrin gjatë procesit, duke shkelur kufijtë që supozohet se na ndajnë në kampe të veçanta të armatosura.
Ky është problemi me emërtimet demoralizuese si Islami dhe perëndimi: Ato çorientojnë mendjen, e cila po përpiqet të kuptojë realitetin e shqetësues, që nuk do të injorohet apo izolohet aq lehtë sa gjithë kjo. Mbaj mend ndërhyrjen e një burri, pas një leksioni që kisha dhënë në Universitetin e Bregut Perëndimor në vitin 1994, i cili u ngrit nga audienca dhe nisi të sulmojë idetë e mia si perëndimore, si në kundërshtim me idetë islame që ai përkrahte. Gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte: “Përse po vesh kostum dhe kollare? Dhe ato janë perëndimore”. Ai u ul i zënë ngushtë, por kjo më erdhi në mend kur po jepeshin informacione për terroristët e 11 shtatorit: si i kishin shtënë në dorë të gjitha detajet teknike që nevojiteshin për të shkaktuar fatkeqësinë vdekjeprurëse në Qendrën Tregtare Botërore, në Pentagon dhe për avionin që ata kishin sekuestruar. Ku caktohet kufiri mes teknologjisë “perëndimore” dhe, ashtu si ka thënë Berluskoni, paaftësisë së “Islamit” për të qenë pjesë e “modernizmit”?
Sigurisht kjo nuk mund të bëhet me lehtësi. Sa të papërshtatshme janë emërtimet, përgjithësimet dhe pohimet kulturore. Në njëfarë shkalle pasionet primitive dhe njohuritë e ndërlikuara puqen në mënyra që i japin shtrirje kufirit të fortifikuar, jo vetëm mes “perëndimit” dhe “Islamit”, por gjithashtu dhe mes të kaluarës dhe të tashmes, mes nesh dhe atyre, për të mos përmendur konceptet e identitetit dhe kombësisë, për të cilat ka debat dhe mosmarrëveshje të pafundme. Një vendim i njëanshëm i marrë për të caktuar kufirin në shkretëtirë, për të ndërmarrë kryqëzata, për të kundërshtuar të keqen e tyre me të mirën tonë, për të asgjësuar terrorizmin dhe sipas leksikut nihilist të Pail Wolfowitzs, për t’u dhënë fund kombeve tërësisht, nuk e bën më të lehtë që të shihen qeniet e supozuara, por përkundrazi tregon sa e lehtë është të bëhen deklarata luftëdashëse me qëllimin e mobilizimit të pasioneve kolektive se të reflektosh, shqyrtosh dhe të zgjidhësh atë me të cilën po merremi në realitet, ndërlidhjen e jetëve të panumërta, “tonën” dhe “tyren”.
Në tre artikuj të botuar mes janarit dhe marsit të vitit 1999 në të përjavshmen me të respektuar në Pakistan “Dawn”, Eqbal Ahmad i cili shkruante për audiencën islame, bëri një analizë që ai e quajti rrënjët e të drejtës fetare, duke i trajtuar ashpër shtrembërimet e Islamit nga absolutistët dhe tiranët fanatikë, obsesioni i të cilëve për të rregulluar sjelljen personale, nxit “një rend islam të kthyer në një kod penal, të zhveshur nga humanizmi, estetika, kërkimet intelektuale dhe devotshmëria e tij shpirtërore”. Dhe kjo “përfshin pranimin e një aspekti absolut të fesë dhe mospërfilljen e plotë të një aspekti tjetër. Ky fenomen shtrembëron fenë, prish traditën dhe ndryshon proceset politike kudo që ajo shpaloset”. Si një shembull për këtë prishje, Ahmedi paraqet fillimisht kuptimin e pasur, kompleks dhe pluralist të fjalës xhihad dhe pastaj vazhdon të tregojë se me kufizimin aktual të fjalës, si luftë pa dallim kundër armiqve të supozuar, është e pamundur ” të njohim fenë, shoqërinë, kulturën, historinë ose politikën islame ashtu si është jetuar dhe përjetuar nga myslimanët gjatë shekujve”. Islamikët modernë, nxjerr si përfundim Ahmedi, janë “të interesuar për pushtetin, jo për shpirtin; për mobilizimin e njerëzve për qëllime politike dhe jo për ndarjen dhe lehtësimin e vuajtjeve dhe aspiratave të tyre. Agjenda e tyre është politike, e kufizuar dhe e lidhur me kohën”. Ajo që i ka përkeqësuar gjërat është se shtrembërime dhe një fanatizëm i ngjashëm vihen re dhe në diskursin “hebre” dhe “të krishterë”.
Conradi arriti t’i kuptojë se dallimet mes Londrës së qytetëruar dhe “zemrës së errësirës” ranë shumë shpejt në situata ekstreme dhe se maja e qytetërimit evropian mund të binte menjëherë në praktikat më barbare pa përgatitje apo tranzicion. Ai në “Agjenti sekret” e përshkroi lidhjen e terrorizmit me abstraksionet si “shkenca e saktë”, si dhe degradimin e fundit moral të terroristëve.
Për arsye se ka lidhje të afërta mes qytetërimeve kundërshtare më shumë se shumica prej nesh mund të mendojnë, Frojdi dhe Niçja treguan si lëvizja përgjatë kufijve të ruajtur me kujdes, madje dhe të patrulluar mund të bëhet me lehtësi tmerruese. Por idetë e paqëndrueshme, plot dykuptimësi dhe skepticizëm për nocionet pas të cilave kapemi, mezi na japin udhëzime të përshtatshme dhe praktike për situatat si ajo me të cilën po përballemi tani. Kwshtu qw lufta mw e sigurtw pwr rend (njw kryqwzatw, e mira kundwr tw keqes, liria kundwr frikws, etj) e nxjerrw nga kundwrshtia e hamendwsuar midis Islamit dhe Perwndimit, nga e cila i gjithw diskursi ka nxjerrw fjalorin e tij menjwherw pas ngjarjeve tw 11 Shtatorit.
Që në këtë kohë ka ndodhur një zvogëlimin i dukshëm i këtij diskursi, por të gjykosh nga sasia e qëndrueshme e fjalimeve dhe veprimeve të urrejtjes, plus raportet e përpjekjes për zbatimin e ligjit, që është drejtuar kundër arabëve, myslimanëve dhe indianëve në të gjithë vendin, kjo paradigmë qëndron.
Një arsye më shumë për ngulmimin e saj është prania e madhe e myslimanëve në gjithë Evropën dhe në Shtetet e Bashkuara. Mendoni për popullsinë e sotme të Francës, Italisë, Gjermanisë, Spanjës, Britanisë, Amerikës, madje dhe Suedisë dhe ju duhet ta pranoni se Islami nuk ndodhet më në skaj të perëndimit por në qendrën e tij. Por çfarë e bën kërcënuese praninë e saj? Në kulturën kolektive janë fshehur kujtimet e pushtimeve të para të mëdha arabo-islame, të cilat filluan në shekullin e VII dhe të cilat, ashtu siç ka shkruar historiani i njohur belg Henri Pirene në librin e tij “Mohamed and Charlemagne” (Muhamedi dhe Karli i Madh), shkatërruan njëherë e përgjithmonë unitetin e lashtë të Mesdheut, shkatërruan sintezën të krishterë-romake dhe ngritën një qytetërim të ri të mbizotëruar nga fuqitë veriore (Gjermania dhe Franca karolingjiane, misioni i të cilës, duket se ai thotë, është rifillimi i mbrojtjes së “perëndimit” kundër armiqve të tij historikë dhe kulturorë. Fatkeqësisht, ajo që Pirenne la jashtë, është se në krijimin e kësaj linje të re mbrojtjeje, perëndimi mori humanizmin, shkencën, filozofinë, sociologjinë dhe historiografinë e Islamit, të cilat ishin futur ndërmjet botës së Karlit të Madh dhe antikitetit klasik. Islami është brenda që në fillim, madje dhe Dante, armiku më i madh i Muhamedit, duhej ta pranonte kur ai e vendosi profetin në qendër të ferrit të tij.
Pastaj është trashëgimia ngulmuese e vetë monoteizmit, e feve abrahamike, siç i quajti me vend Louis Massignon. Duke filluar me Judaizmin dhe Krishterimin, secili është një pasardhës që ndiqet nga ajo që erdhi më parë; për myslimanët Islami i përmbush, i jep fund vargut të profetëve. Akoma nuk ka ndonjë histori të saktë ose demistifikim të diskutimit të shumanshëm mes këtyre tre ndjekësve, edhe pse konvergjenca e përgjakshme e sotme në Palestinë, na jep një shembull laik të fortë, për atë që ka qenë tragjikisht e papajtueshme mes tyre. Nuk është habi që myslimanët dhe të krishterët flasin pa vështirësi për kryqëzatat dhe xhihadin, që të dyja e lënë jashtë praninë çifute shpesh me një shpërfillje krenare. Një agjendë e tillë, thotë Eqbal Ahmad është “shumë qetësuese për burrat dhe gratë, të cilët janë lënë në mes të cekëtinës, midis ujërave të thella të traditës dhe modernizmit”.
Por ne të gjithë po notojmë në këto ujëra, perëndimorët, myslimanët apo të tjerët. Përderisa ujërat janë pjesë e oqeanit të historisë, përpjekja për t’i çarë apo për t’i ndarë ato me pengesa është e kotë. Ka kohëra të tensionuara, por është më mirë të mendojmë në lidhje me komunitetet e fuqishme dhe të dobëta, politikat laike të arsyes dhe injorancës dhe parimet e drejtësisë dhe padrejtësisë, sesa të endemi në kërkim të abstraksioneve të gjera që mund të na japin kënaqësi të çastit, por na ndihmojnë shumë pak që ta njohim veten tonë ose na japin shumë pak analiza informuese. Teza e “Përplasjes së qytetërimeve” është një mashtrim ashtu si “Lufta e Botëve”, më shumë për forcimin e vetëbesimit mbrojtës se sa për kuptimin kritik të ndërvarësisë çorientuese të kohës sonë.
Përtheu: Erblina Kërçishta
Tags: Clash of Civilizations, Dialogue of civilizations, Edward Said, Huntington Last modified: 16/10/2014