Bart Ehrman

Fragment i shkëputur nga libri i autorit Bart Ehrman me titull: “A Brief Introduction to the New Testament”; Oxford University Press, USA (February 19, 2004) 

Të krishterët proto-ortodoks të shekullit të dytë, shumë dekata pasi shumica e librave të Dhjatës së Re ishte shkruar, pohonin se ungjijtë e përzgjedhur prej tyre ishin shkruar nga dy dishepuj, Mateu-tasksa mbledhësi, Gjoni, disheulli i preferuar, si dhe nga dy shoqërues të apostujve, Marku sekretari i Pjetrit dhe Luka, shok udhëtimi i Palit. Teologët sot, gjithsesi, e shohin të vështirë të besojnë në këto tradita për disa arsye.

Së pari, asnjë nga këta ungjijë nuk e pretendon këtë gjë për veten e tyre. Të katër autorët kanë zgjedhur ta mbajnë indentitetin e tyre të fshehur. A do ta kishin bërë ato këtë nëse do të kishin qenë me të vërtetë dëshmitarë okular? Kjo mund të ketë qenë e mundur, por së paku do kish qenë e pritshme  që një dëshmitarë okular apo një shok i Jezusit të ketë dëshiruar ta mbështesë argumentimin e tij duke u bazuar në dijen e tij në vetë të parë për ngjarjet, duke e rrëfyer historinë në vetë të parë njëjës (Ditën kur unë dhe Jezusi shkuam në Jeruzalem…”).

Për më tepër, ne dimë diçka rreth mjedisit të njerëzve të cilët e kanë shoqëruar Jezusin gjatë pjesës më të madhe të misionit të tij. Dishepujt duket se kanë qenë fshatarë të pashkolluar nga Galilea. Përshembull, Simon Pjetri dhe Gjoni Zebedeut, thuhet se kanë qenë fshatarë peshkatarë (Marku 1:16-20) të cilët ishin të pashkolluar, fjalëpërfjalë, të paaftë për të shkruar dhe lexuar (Veprat 4:13). Është e vërtetë që ungjijtë nuk paraqesin literaturën më elegante të trashëguar nga lashtësia, por autorët e tyre na shfaqen pak a shumë të mirë arsimuar, ata shkruanin, në pjesën më të madhe, një greqishte korrekte. A mundet që dy prej tyre të kenë qenë dishepuj?

Sërish, kjo mund të jetë e mundur. Jezusi dhe apostujt e tij, gjithsesi duket se kanë folur Aramaikisht, gjuha e zakonshme e hebrenjve të Palestinës. Nëse ata kanë mundur të flasin greqishten si gjuhë të dytë kjo është e diskutueshme prej shumë kohësh në qarqet teologjike. Por ajo që dihet me siguri është fakti se greqishtja nuk ka qenë gjuha e tyre e lindjes. Autorët e ungjijve, nga ana tjetër, kanë qenë shumë elokuent në gjuhën greke. A iu kthyen apostujt bankave të shkollës pasi Jezusi vdiq, duke kapërcyer vite të tëra analfabetizmi e duke arritur të flasin dhe të shkruajnë  në një nivel të lartë gjuhën greqishten e vjetër, të kenë fituar aftësi në mënyrat e huaja të kompozimit, e më pas të kenë shkruar ungjijtë? Shumica e teologëve e shohin këtë mëndësi si të pagjasë.

Ndoshta aspekti më i rëndësishëm lidhur me autorësinë e ungjijve është fakti se ato duket se kanë përdorur dhe ruajtur histori të cilat kanë qenë në qarkullim për shumë kohë. Kjo vërejtje zbatohet, natyrisht, ndaj atyre ngjarjeve për të cilat nuk mund të sigurohet dëshmia e një dëshmitari okular. Përshembull, nëse Pilati dhe Jezusi kanë qenë të vetëm në sallën e gjyqit sipas rrëfimit të Gjonit 18:28-19:16, e Jezusi menjëherë pas kësaj është ekzëkutuar, kush i tha ungjillorit se çfarë ka thënë Jezusi në atë rast? Të krishterët e hershëm natyrisht kanë formuar rrëfime për këtë ngjarje. I njëjti princip zbatohet edhe ndaj rrëfimeve të tjera në ugjij. Të gjitha këto duket se kanë qarkulluar në mënyrë gojore nga të krishterë të konvertuar përgjatë gjithë mesdheut.

Një nga autorët e ungjijve, Luka, në mënyrë të qartë na bën të ditur se ai ka përdorur burime të shkruara për rrëfimet e tij (Luka 1:1-4), e ai ka thënë se disa prej këtyre burimeve e kanë origjinën nga dëshmitarë okular. Kjo situatë ngre një tjetër pyetje. A ka gjasa që autorë të ndryshëm që kanë përdorur burime të hershme për rrëfimet e tyre të kenë qenë edhe vetë dëshmitarë okular? Le të hamendësojmë se Mateu, autori i ungjillit, ka qenë me të vërtetë dishepull i Jezusit e ka qenë i pranishëm në gjërat që ai ka thënë e ka bërë. Përse atëherë ai ka marrë pothuajse të gjithë historinë, në disa raste fjalë për fjalë, nga një tjetër rrëfim i shkruar? (siç do të shohim në kapitullin e 15)?

Përmbledhurazi, duket se ungjijtë janë tradita të trashëguara të shkruara apo gojore. Edhe Luka e pranon faktin se burimi i tij kanë qenë tradita të cilat kanë qarkulluar për vite me rradhë, ndoshta dekada, ndërmjet të krishterëve pargjatë gjithë mesdheut.

Përktheu: Rezart Beka

[*] Bart Ehrman është James A. Gray professor dhe shef i departamentit për studimet fetare në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill. Ai konsiderohet një prej figurave më të rëndësishme në disiplinën e kritikës tekstuales dhe të krishterimit të hershëm. Bart Ehrman është gjithashtu edhe autor i shumë librave ndër të cilat vlen të përmendim: “Lost Christianities: The Battle for Faith and Scripture we Never Knew (OUP) 2003; Lost Scripture: Bool That Did Not Make It into The New Testament (OUP 2003); The New Testmament: A Historical Introduction to the New Testament Writings (OUP) 2003 etj.

Last modified: 06/01/2021
Close