Hashim Kemali

Fragment i shkëputur nga libri i Hashim Kemalit, ‘Freedom of Expression in Islam’, Islamic Texts Society, 1995, f. 34-39.

Kuptimi gjuhësor i termit nasihah është ‘këshillë e sinqertë’, ‘këshillë miqësore’ dhe ‘përkujtim miqësor’1. Nasihah (gjithashtu munasahah) është një koncept kuranor që gjendet në shumë vende të librit të shenjtë, veçanërisht kur flitet për qëllimin dhe funksionin e profecisë. Kështu ne lexojmë se profeti Nuh, Salih, Hud dhe Shuajb, paqja qoftë mbi to, të gjithë njoftuan popujt e tyre se natyra e misionit të tyre ishte paralajmërimi, një funksion përmbushur më së miri nga këshilla e sinqertë (nasihah). Profeti Nuh i ka thënë ndjekësve të tij “Unë ju jap një këshillë të sinqertë”, dhe ‘unë jam për ju një këshillues besnik (nasihun emin)”. (Kuran 7:62, 68; vëre gjithashtu edhe versetin 79 dhe 93 në të njëjtën sure)

Nasihah duhet dalluar nga qortimi (teubikh), duke qenë se ato mund të kenë shumë aspekte të përbashkëta e kjo mund të bëhet shkak për ngatërresa dhe turbullira. Sipas imam Gazaliut dallimi themelor ndërmjet nasihas dhe teubikh-ut qëndron në faktin se e para është e fshehtë dhe kryhet në mënyrë të sjellshme, ndërsa e dyta është publike dhe jo e heshtur. Ky këndvështrim i imam Gazaliut është në harmoni me këndvështrimin e imam Shafiut, i cili pohonte se kur një person këshillon vëllanë e tij mënyrë të fshehtë, ai po jep një nasihah, por nëse ai i predikon atij haptazi ai, në këtë mënyrë, e ka talluar dhe i ka ulur vlerat atij2. Të dy këto këndvështrime mund të shihen si komentarë të hadithit në të cilin pohohet se: “Ai cili jep këshillë është një njeri i afërt”. Sipas një tjetër hadithi, ‘Kur ndonjëri prej jush i jep një këshillë vëllait të tij, le ta veçojë atë nga shoqëria e të tjerëve”3.

Thelbi i nasihas në islam është që të nxisë një sjellë vigjilente por të kujdesshme të besimtarëve, nga të cilët pritet që të mbrojnë dhe të ruajnë vlerat morale dhe religjioze të Islamit. Kështu, individit i është dhënë e drejta për të dhënë këshilla të sinqerta të tjerëve kur ai është i bindur për dobinë thelbësore të kësaj këshille. Nasihah kryesisht është parë si një pjesë integrale e hisbas (parimi islam i urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja), vetëm me një përjashtim, që theksi tek nasihah bie mbi një prej dy aspekteve kryesore të hisbës, d.m.th. urdhërimi për të mirë (amr bil ma’ruf) më shumë se sa në ndalimin nga e keqja. Në këtë mënyrë, nasihah e merr për të mirëqenë të drejtën e çdo individi për të formuar një opinion apo këshillë në të cilën ai/ajo sheh dobishmëri, si dhe të drejtën për t’ia përcjellur në fshehtësi atë të tjerëve, qoftë ky një qytetar i thjesht apo një lider qeveritar. Për më tepër, opinioni apo këshilla mund të jepet  për çështje sociale, politike apo personale, por, siç vëren edhe Hammadi, liria e shprehjes në çështjet politike (hurrijet el-rey el-sijasi) është një prej karakteristikave dalluese të nasihas4.

Centraliteti i nasihas në nxitjen e së mirës dhe parandalimin nga e keqja konfirmohet edhe një herë në një hadith në të cilin pohohet se nasihah është thelbi i fesë, dhe përbërësi i domosdoshëm i vllazërisë (ukhuah) së dëshiruar nga Islami. Nasihah është gjithashtu antidoti i përgojimit (gibet), në kuptimin që sa herë që një mysliman sheh një gabim tek një tjetër, apo një dobi, kjo çështje duhet konsumuar ndërmjet tyre. Gjithsesi, kjo duhet bërë me një çik takt dhe mirësjellje, që i shkon përshtat vëllazërisë në Islam. Përshembull, raportohet se njëherë profeti (s.a.v.s.) i ka thënë shokëve të tij ‘feja është këshillë’, pohim i cili tërhoqi me vete menjëherë pyetjen ‘ndaj kujt [i përket kjo e drejtë dhe detyrë]’ o i dërguari i Zotit’? Kësaj profeti iu përgjigj ‘ndaj Zotit, librit të tij, të dërguarit të tij, liderëve dhe njerëzve të thjesht të bashkësisë’5

Ndërsa komentonte këtë hadith, imam Neveviu, autori i Rijadu Salihinit, citon Hatabin të ketë thënë se shprehja ‘feja është këshillë’ (ed-din e nasih) d.m.th. se ajo është mbështetëse dhe rrjedhimisht shtyllë e fesë (kiuam el-din ue imaduhu). Përshembull, kur thuhet ‘Arafati është vetë haxhi’ (el-Haxh el-Arafah), kjo nënkupton se Arafati është shtylla, një sine qua non e haxhit6. Në një tjetër komentar pohohet se ky hadith thekson rëndësinë e nasihas, për të cilën thuhet se është trupëzimi i vetë Islamit. Ti japësh këshilla (nasih) liderëve të bashkësisë dhe anëtarëve të saj do të thotë ti ndihmosh ato në të mirën dhe të japësh këshilla nën frymën e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja7.

Lidhja ndërmjet nasihas dhe besimit të vërtetë islam është në fokusin e një tjetër hadithi të transmetuar nga Xhabir bin Abdullah-i i cili pohon: “Shkova tek profeti (s.a.v.s.) dhe deklarova “Zotohem para teje se pranoj Islamin (ubejuke alel-Islam)”. Profeti (s.a.v.s.) tha: “me kusht që ti japësh këshilla të sinqerta njerëzve”… kështu unë e dhashë dhe vendosa këtë garanci në betimin tim për besnikëri”8.

Gjithashtu nisur nga një tjetër hadith kuptojmë se nasihah është e drejtë që çdo mysliman ka mbi besimtarët e tjerë. Hadithi fillon me këto fjalë, ‘gjenden gjashtë të drejta që myslimani ka mbi myslimanët e tjerë’. Këto përfshinë të drejta të tilla si ti përgjigjesh selamit, të vizitosh të sëmurit e kështu me radhë. Hadithi përfundon duke thënë: “kur t’ju kërkohet këshillë (nasihah) jepeni atë”

Mbi të gjitha, el-Makdisi citon imam ibn Hanbelin se ka thënë që nasihah, ngjashëm si hisbah, është një detyrë kolektive (farz kifaje) dhe, si e tillë, ajo mund të jepet edhe nëse nuk nxitet apo kërkohet për ta bërë atë. Ky këndvështrim përforcohet nga një tjetër hadith ku flitet për liderët apo kryetarët e shtetit dhe për obligimin e tyre që të këshillojnë nënshtetasit. Në të pohohet se liderët duhet të përpiqen në këtë drejtim, e nëse nuk e bëjnë atëherë ata nuk do të jenë shoqërues të vartësve të tyre që do të hyjnë në Xhenet9. Ky hadith, sipas imam Hanbeliut, nuk specifikon se këshilla e sinqertë duhet dhënë vetëm atëherë kur kërkohet. I pari prej këtyre dy haditheve, gjithsesi, e specifikon këtë kusht, sidoqoftë përfundimi është se nasihah nuk varet nga kërkesa për të, dhe myslimanët mund ta japin atë kur e shohin të arsyeshme10. Ky rregull me sa duket është bazuar mbi analogjinë ndërmjet nasihas dhe hisbës. Të dyja janë obligime kolektive, asnjë prej tyre nuk varet nga ndonjë kërkesë e veçantë, përndryshe ato do të humbitnin shumë nga domethënia dhe dobia e tyre. Për më tepër, hadithi i parë fillon me fjalët ‘ e drejta e myslimanit’ (‘hak el-muslim’). Nga ky kontekst, kuptojmë se ky hadith bën fjalë për nasihan kur ajo është një e drejtë që mund të pretendohet nga individi, si e kundërvënë ndaj një obligimi që kërkon përmbushje edhe pa pasur asnjë kërkesë. Sidoqoftë, mbetet ende mundësia që hadithi në shqyrtim të ketë përfshirë vetëm formën më ideale të nasihas, që natyrisht është ajo që kërkohet apo nxitet nga marrësi i saj. Janë hedhur sugjerime se precedentët e lënë nga sahabët (shokët e profetit), veçanërisht ato të halifëve të drejtë (Hulefai Rashidin)11, tregojnë se anëtarët e bashkësisë (umetit), burra, gra, lider, kanë dhënë dhe kanë marrë këshilla në një atmosferë jozyrtare dhe publikisht në xhami, në rrugë dhe në prani të të tjerëve. Këto precedentë ofrojnë mbështetje për përfundimin se nuk ka asnjë arsye për të krijuar procedura të veçanta për dhënien e këshillave të sinqerta (nasih)12.

Sheriati nuk ka dhënë asnjë procedurë të mënyrës se si duhet dhënë këshilla, sepse në çdo rast ajo i lihet ndërgjegjes dhe sinqeritetit të individit. I vetmi udhëzim që gjendet në traditën profetike është përcjell më shumë për të treguar formën më të mirë të nasihut, se sa të diktojë ndonjë procedurë të veçantë për dhënien e saj. Në këtë mënyrë është e rekomandueshme:

(1)      Që këshilla të mos përfshij parashtrimin dhe zbulimin të gjërave intime apo dobësive personale të njerëzve (tatabu el-evrat);

(2)      Që ajo të jepet në formën më të mirë, të ndërgjegjshëm për përshtatshmërinë e rastit, kohës, vendit;

(3)      Që ajo të jetë e bazuar në siguri e jo në spekulim, vlerësim apo dyshim’

(4)      Që ajo të jepet me masën e duhur e të anashkalohen ekzagjerimet;

(5)      Që ajo të jetë në harmoni me Kuranin dhe traditën profetike13

Për më tepër sipas termave të një tjetër hadithi, ‘kur dikush dëshiron ti jap një këshillë (nasih) një personi me autoritet, le të mos e deklaroj publikisht por le ta marrë prej dore e ti flasë atij në fshehtësi. Nëse ajo pranohet, qëllimi është përmbushur, nëse jo dhënësi i këshillës, përsëri, ka kryer detyrën e tij14.

Nasihah ndaj liderëve të bashkësisë myslimane, si për udhëheqësit qeveritar ashtu edhe për dijetarët (ulema), do të thotë ti ndihmosh ato në arritjen e së mirës, ti kujtosh në mënyrë të sjellshme dhe shoqërore detyrat e tyre, e në këtë mënyrë ti sjellësh ato më pranë njerëzve. Në lidhje me myslimanët e zakonshëm, të japësh këshillë do të thotë ti japësh atyre këshillë të sinqertë dhe udhëzim në lidhje me dobitë në këtë botë dhe në botën tjetër, si në fjalë ashtu edhe në vepra, e të mos duash për to atë që nuk do të dëshiroje për vete15. Në lidhje me këtë, do të ishte interesante të citonim raportimin e regjistruar el-Makdisi. Ibn Mubareku u pyet njëherë: ‘ Çfarë ndodh nëse një person i falimentuar vjen për të bërë tregti me një tregtar? Nëse unë e di se ai ka falimentuar, por tregtari nuk është në dijeni të këtij fakti, a duhet t’ia tregoj këtë fakt tregtarit’? Ibn Mubarek iu përgjigj kësaj pyetje pozitivisht dhe citoi hadithin e mëposhtëm: “Asnjë prej jush nuk është një besimtar i vërtetë nëse nuk dëshiron për tjetrin atë që dëshiron për veten e tij16.

Këshilla jo e sinqertë është e pavlerë, madje ajo është e keqe sepse bazohet në hipokrizi (rija), e në këtë mënyrë ajo përbën një gjynah17. Guximi dhe bindja morale janë të nevojshme për ta bërë nasihan të vlefshme dhe kjo mund të bëhet vetëm kur dhënësi i këshillës nuk ka frikë nga autoriteti, apo nga humbja e të mirave materiale. Burimi më i madh për këtë duhet të gjendet në besimin tek Zoti, si dhe në besimin se vetëm Ai i kontrollon fatet tona. Hadithi në vijim edhe një herë shpreh këtë shqetësim nga ana e profetit (s.a.v.s.), i cili thuhet se ka thënë: “Kur të shihni umetin tim se ka frikë ta quaj një tiran “tiran”, atëherë largohuni prej tyre”.

Tradita profetike këmbëngul që besimtarët të mos e neglizhojnë nasihan dhe që ajo asnjëherë të mos konsiderohet e mbyllur. Rrjedhimisht shohim këtë hadith që fillon me një shrehje të habitëse: “Le të mos e poshtëroj askush prej jush veten”. Shokët e tij pasi dëgjuan këtë thanë: “Si mundet dikush ta bëjë këtë (të poshtëroj veten) o i dërguar i Zotit”? Profeti (a.s) iu përgjigj: “Nëse dikush sheh ndonjë rast në të cilin ai duhet të flasë për hir të Zotit, por nuk e bën këtë; Zoti i Lartmadhëruar do ti thotë atij në Ditën e Gjykimit:”Ç’farë të ndaloi ty nga e folura në lidhje me atë çështje?” Kur personi do ti përgjigjet se ai kishte pasur “frikë nga njerëzit”, atëherë Ai do ti thotë: “Do të kishte qenë me drejtë që ti të më ishe frikësuar Mua18“.

Raportohet se imam Ahmed ibn Hanbeli ka qenë i mendimit se myslimanët nuk janë të detyruar ti japin këshilla jo myslimanëve (d.m.th. dhimive). Ky përfundim thuhet se e ka bazën në një hadith në të cilin pohohet se prej çdo myslimani kërkohet që të marrë pjesë në nasihah: “Këshilla e sinqertë i përket çdo myslimani (el-nush li kuli muslim)”. Ky hadith, gjithsesi, nuk vjen në përfundimin se dhimitë janë të përjashtuar nga fushëveprimi i nasihas. Ajo që është e qartë nga ky hadith është përfundimi se, siç e ka treguar edhe el-Makdisi, nasihah është një obligim kolektiv për çdo mysliman. Sa për përfundimin, që përjashton dhimit nga nasihah, el-Makdisi thjesht e përcjell transmetimin e imam Hanbeliut, por e përfundon atë me frazën ‘Zoti e di më së miri (Allahu alem)”, shprehje e cila kryesisht përdoret kur shkrimtari nuk është plotësisht i sigurtë në lidhje me çështjen. Ndërsa unë mendoj, se nuk gjendet asnjë provë përfundimtare për ta kufizuar qëllimin e nasihas në këtë mënyrë. Përkundrazi, shqyrtimi im i evidencave të lartpërmendura nuk tregon për asnjë kufizim të tillë, përjashto ndoshta për ato çështje që kanë lidhje të drejtpërdrejt me besimin (akide).

[*] Hashim Kemali është profesor i ligjit në ‘Universitetin ndërkombëtar islamik të Malajzisë’, ku ai jep mësim që prej vitit 1985. Ndër veprat e tij të njohura është edhe Principles of Islamic Jurisprudence (Cambridge: Islamic Texts Society, 1991)

Përktheu: Rezart Beka

Referenca

[1] Hans Ëehr, ‘Arabic-English Dictionary’, fq. 970

[2] Gazaliu, ‘Kitab Adab el-Suhbah vel-Musharaah ma Esnaf el-Halk’, fq. 270

[3] El-Makdisi, ‘El-Adab’, I, fq. 328

[4] Krahaso Hammad, Hurrijeh, fq. 207

[5] Buhariu, ‘Sahih’, Kitab el-iman, I, fq. 23; Muslimi, ‘Sahih Muslim’, Kita bel-Iman, Bab ed-Din el-Nasihah. Ibn Maxheh e citon këtë hadith dhe e përmend klauzolën e parë tre herë, ndërsa Nesaiu e citon klauzolën e parë me një variant të vogël, që është inema ed-din en-nasih (me të vërtetë feja është këshillë)

[6] Imam Neveviu, ‘Rijadu Salihin’, fq. 113, hadithi nr. 186

[7] Krahaso Nahvi, ‘Melamih Shura fi Daua el-Islamije’, fq. 703

[8] Imam Neveviu, ‘Rijadu Salihin’, fq. 113, hadithi nr. 187

[9] El-Makdisi, El-Adab, I, fq. 327, përcjell hadithin e mëposhtëm: ‘Një imam i cili është i ngarkuar me çështjet e myslimanëve dhe nuk përpiqet për ti sjellë atyre dobi dhe për ti dhënë këshilla të sinqerta nuk do të hyjë në parajsë’

[10] ibid., I, fq. 327

[11] Hulefai Rashidin, literalisht halifët e drejtudhëzuar, kjo i referohet katër halifëve që morën drejtimin njeri-pas tjetrit pas vdekjes së profetit, d.m.th. Ebu Bekri (vd. 12 h/ 634 e.r.s.), Umeri (vd. 23 h./ 643 e.r.s.), Othmani (vd. 35 h/ ), Aliu (vd. 40 h/ 661 e.r.s.). Periudha e qeverisjes së tyre zgjati 40 vjet.

[12] Krahaso Ebu Habib, ‘Diraseh fi Menhexh el-Islam el-Sijase, fq. 337

[13] Imam Neveviu, ‘Rijadu Salihin’, fq. 103-107

[14] ibid

[15] Zejdan, ‘Mexhmua’, fq. 128; Ebu Habib, ‘Derasah’, fq. 334

[16] Trasmetim mutefekun alejhi dhe transmetuar si i tillë nga Imam Neveviu në Rijadu Salihin, fq. 113, hadith nr. 188, El-Makdisi, ‘El Adab’, I, fq. 327-328

[17] Ibn Hanbel, Fihris Ahadith Musned el-Imam Ahmed ibn Hanbel, II, 162; Sujutiu ‘Xhamia es-Sagir’, I, fq.141

[18] Ibn Maxheh, ‘Sunen ibn Maxheh’, Kita bel-Fitan, Babe l-Amr bil ma’aruf ve nahijen el munker

 

Tags: , , , Last modified: 16/10/2014
Close