Anas Cobum

Artikull i shkëputur nga revista “Season”, Spring-Summer 2004, f. 71-80

Përcaktimi i teknikës dhe i teknikës edukative

“Në shoqërinë tonë teknologjike, teknika është tërësia e metodave të cilat janë arritur në mënyrë racionale dhe kanë efikasitet absolut (për një etapë të caktuar të zhvillimit) në çdo fushë të aktivitetit njerëzor”. (Ellul, 1964, XXV)

“Tërësia e metodave” nuk përfshin vetëm metodat prodhuese, apo atë që e quajmë “teknologji e lartë”, por përfshin gjithashtu metodat e përdorura në fushën e reklamave, metodat politike, të menaxhimit, psikologjike, ekonomike dhe edukative. Kjo tërësi shfaqet në çdo fushë të aktivitetit njerëzor – për çdo gjë ka manualë udhëzues dhe libra që të vijnë në ndihmë. Thjesht mendoni për popullaritetin e madh të librave “… for the Dummies” (për të paditurit). Ky është një koleksion librash që përqendrohen në arritjen e të kuptuarit funksional për çështje të caktuara. Mesa mbaj mend, filloi me “DOS for Dummies” (DOS për të paditurit) dhe vazhdoi me “Word for Dummies (Fjala për të paditurit)”, “Windows for Dummies” (Windows për të paditurit) etj. Sot këta libra nuk kufizohen vetëm tek fushat e qarta teknike, si sistemi operues Windows apo HTML. Sot, me librat Dummies, mund të bëhemi “funksionalë” në shumë aspekte të jetës tonë. Kohën e fundit i kam parë në librari me tituj si “Dating for Dummies” apo “Sex for Dummies”. Mund të gjesh dhe një “Udhëzues për shtatzëninë për idiotët” (ky bën pjesë në një grup tjetër librash, por qëllimi është i njëjtë). Sigurisht, pas shtatzënisë, shton ca kile, të cilat duhet t’i heqësh. Në këtë rast mund të përdorësh “Weight Loss for Dummies” (Humbja e peshës për të paditurit). Pastaj duhet të siguroheni të shikoni “Parenting for Dummies” (Sjellja prindërore për të paditurit). Sigurisht për shkak të tensioneve të jetës do t’ju duhet “Si ta menaxhosh stresin”, ose nëse keni probleme me martesën, është libri “Rilindja e Romancës për të paditurit”. Nëse kjo nuk funksionon, është dhe “Divorci për të paditurit”. Kur je vetëm mund të të duhet “Fjalëkryqe për të paditurit”. Nëse fillon të kesh pyetje për gjithë këtë sipërmarrje, ke “Filozofi për të paditurit”, ose “Spiritualiteti për të paditurit” nëse anon nga ai drejtim. Lista vazhdon, por ju arrini ta kapni kuptimin: ne na prezantohet një koleksion i vetëm librash ose një metodë e vetme për tema të ndryshme – një tërësi që shfaqet tek një shkallë e gjerë e aktivitetit njerëzor. Të konsideruara si metoda individuale, këto teknika kanë shumë ndryshime mes tyre, dhe ndoshta nuk është aq e dukshme por kanë karakteristika të përbashkëta dhe tendenca të përgjithshme; mirëpo vetëdija teknika na lejon të përdorim një metodë të përbashkët për të gjitha këto fusha të jetës e më shumë.

Megjithatë, fenomeni teknik është më kompleks se çdo sintezë e karakteristikave të përbashkëta për teknikat individuale. Ne duhet të bëjmë dallimin ndërmjet veprimit teknik dhe fenomenit teknik. Veprimi teknik, përfshin çdo veprim të kryer në përputhje me një metodë të caktuar për të arritur një qëllim të veçantë. Veprimi teknik karakterizohet nga kërkimi për mënyra për ta përmirësuar atë, për ta bërë më prodhimtar, më efikas etj. Me fjalë të tjera, veprimi teknik ndodh në nivelin e profesionistit. Megjithatë dy faktorë futen në mes: gjykimi racional dhe vetëdija. Nxirren në pah aspekte të veprimit që ishin më parë të pashqyrtuara; teknika të reja prodhohen. Krijohet një shkencë, qëllimi i së cilës është veprimi teknik ose fusha e aplikimit ku e zbatua veprimi. Ekspertët nuk lindin ekspertë profesionistë, por studentë të fushës së praktikës, si dhe të mënyrës më efikase për të trajtuar fushën e veçantë të praktikës. Ky është fenomeni teknik. Ai rezulton në një shumëfishin të shpejtë të fushave të kërkimit. Kështu kemi mësues (teknikë edukativë), dhe të gjitha llojet e ndryshme të ekspertëve edukativë: specialistë të programeve mësimore, filozofë edukativë, specialistë të zhvillimit të fëmijës etj. Ajo që e karakterizon fenomenin teknik në përgjithësi është kërkimi për mjetet më të mira në çdo fushë. Duke pasur parasysh gjendjen e kushteve fillestare, ekspertët kërkojnë për mënyrën e vetme më të mirë të mundshme për të arritur fundin e dëshiruar. Në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, edukimi ndodh në një shoqëri të karakterizuar nga fenomeni teknik.

Roli i teknikës edukative në shoqëri

Tani do ta kthejmë vëmendjen tek pyetja se çfarë e përbën qëllimin e dëshiruar në arsim. Gjithë analiza historike e zhvillimit të shkollimit të detyrueshëm bën të ditur shumë qartë një anë të errët të përgjigjes së shoqërisë për këtë pyetje. Duke e lënë këtë mënjanë për momentin, le të analizojmë rolin e edukimit “progresiv”.

Edukimi progresiv ka si qëllim “lumturinë” e fëmijës. Që përfshin klasat e ndriçuara, arritjen e të kuptuarit të mësuesve dhe punën që të jep kënaqësi. Një edukim i tillë kërkon të zhvillojë në mënyrë të balancuar të gjitha aftësitë fizike, manuale, psikike dhe intelektuale të fëmijëve dhe për sa i përket aftësisë intelektuale duhet të kërkojë të theksojë observimin personal dhe arsyetimin në vend të mësimit përmendësh. Për më tepër, gjithë procesi supozohet se ndodh me përdorimin minimal të mundshëm të forcës. Është e rëndësishme të respektojmë individualitetin e fëmijës dhe të individualizojmë udhëzimin në maksimum.

Udhëzimi është pjesë e arsimit të përgjithshëm dhe nuk ka të bëjë vetëm më inteligjencën. (Ellul, 1964, 345)

Një nga vështirësitë më këtë është se duhet një mësues shumë i aftë me një teknikë shumë të lartë që të jetë i aftë të ketë sukses. Fëmija që merr një arsim të tillë do të jetë më i ekuilibruar dhe në një pozicion më të mirë për të zhvilluar personalitetin e tij. Ne duhet të na interesojë drejtimi në të cilin ndodh zhvillimi i personalitetit. Argumenti tipik përdoret për të kuptuar se problemi është vendosja e fëmijës në situatën më të mirë të mundshme për ta përgatitur atë në mënyrë optimale për detyrat që e presin atë. Maria Montessori ka thënë në një fjalim përpara UNESCO-s:

Ne duhet të zgjojmë vetëdijen sociale të fëmijës. Unë e di që është një çështje edukative e komplikuar, por fëmija që do të bëhet burrë duhet të jetë i aftë të kuptojë jetën dhe nevojat e saj, arsyen themelore të gjithë ekzistencës, kërkimin për lumturi… Ai duhet të dijë me saktësi se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjë për të mirën e njerëzimit… Për t’ia arritur qëllimit, duhet ta përgatisim fëmijën të arrijë të kapë kuptimin dhe nevojën e mirëkuptimit mes kombeve. Organizimi i paqes bie më shumë mbi arsimin sesa mbi politikën. Për ta siguruar paqen në mënyrë praktike, ne duhet të përfytyrojmë një psikopedagogji, edukim të njerëzishëm që të mos të ndikojë vetëm tek një komb, por tek të gjithë njerëzit mbi tokë… Arsimi duhet të bëhet një shkencë vërtet e njerëzishme për të udhëzuar të gjithë njerëzit që ta gjykojnë situatën aktuale me saktësi. (Ellul, 1964)

Këtu ia vlen të theksohen disa gjëra. Së pari, formulimi i rolit të teknikës psikopedagogjike është vendosur në rrethanat më të mira të mundshme, brenda një konceptimi liberal dhe demokratik të njeriut, shtetit dhe shoqërisë. Së dyti, për të arritur qëllimin e dëshiruar, një edukim i tillë duhet të arrijë tek të gjithë njerëzit. Nga nevoja, kjo do të thotë kontroll shtetëror i edukimit, sepse kush përveç shtetit ka mjetet dhe nivelin për ta arritur këtë? Nga kontrolli rigoroz i arsimit vjen fundi i udhëzimit privat dhe si rrjedhim i lirisë tradicionale. Një konkluzion tjetër i nevojës që një arsim i tillë të arrijë tek të gjithë njerëzit është fakti që ky edukim duhet të jetë i detyrueshëm. Sepse kushdo që nuk shkollohet mund të arrijë në demagogji ose të ndezë trazira sociale. Teknika e psikopedagogjisë nuk mund ta arrijë qëllimin e saj nëse shkollohet vetëm pakica. Kjo është karakteristika më e rëndësishme e kësaj teknike: efikasiteti i saj varet në një orientim të detyruar drejt saj. Është një forcë sociale e drejtuar nga një qëllim social.

Kjo teknikë e çlirimit të supozuar të fëmijës nuk mund të drejtohet ndryshe edhe nëse kjo gjë dëshirohet. Teknika lejon zgjerimin e fëmijës, zhvillimin e personalitetit të tij social dhe lumturinë dhe si pasojë ekuilibrin e tij. Kundërshtimi i shoqërisë dhe mungesa e përshtatjes sociale krijon vështirësi serioze të personalitetit që çojnë në humbjen e ekuilibrit psikik. Pra, si rrjedhim, një prej faktorëve më të rëndësishëm në edukimin e fëmijës është përshtatja sociale. Kjo do të thotë se, pavarësisht nga gjithë biseda me pretendime për qëllimet e edukimit, nuk po edukohet fëmija në vetvete dhe për vetveten, por fëmija në shoqëri dhe për shoqërinë. Për më tepër, shoqëria nuk është ideale, me drejtësi dhe të vërtetë absolute, por është ashtu siç është.

Kur një shoqëri bëhet shumë totalitare (dhe unë them “shoqëria”, jo “shteti”), krijon më shumë vështirësi përshtatjeje dhe kërkon që qytetarët e saj të jenë konformistë në të njëjtën shkallë. Si rrjedhim, kjo teknikë bëhet gjithmonë e më shumë e nevojshme. Nuk kam dyshime që i bën njerëzit më të ekuilibruar dhe “më të lumtur”. Dhe ky është rreziku. I bën njerëzit të lumtur në një mjedis që normalisht do t’i kishte bërë të trishtuar, nëse me ta nuk do të ishte punuar, nuk do të ishin mbrujtur dhe formuar për atë mjedis. Kulmi i këtij humanizmi në fakt është kulmi i nënshtrimit të njerëzve: fëmijët edukohen për t’u bërë pikërisht ata që i pret shoqëria të bëhen. (Ellul, 1964, 348)

Pasojat e paqëllimshme

Kur flitet për reforma arsimore, zakonisht i referohet mungesës së suksesit për të implementuar atë lloj pedagogjie për të cilën bëri thirrje Montessori. Diskutimi i reformave të mundshme përqendrohet në rrugë më efektive për ta implementuar këtë vizion të arsimit. Ndërsa nuk ka pasur sukses për masat, shkollat elitare në Shtetet e Bashkuara, kanë pasur sukses në shkallë më të lartë. David Brooks shkruan në “Atlantic Monthly” në prill 2001:

“Shkurtimisht, në majë të shkallës meritokratike, në Amerikë kemi një brez studentësh, të cilët janë jashtëzakonisht të zgjuar, të ndershëm moralisht dhe të zellshëm në mënyrë të pabesueshme. Atyre u pëlqen të studiojnë dhe të shoqërohen në grupe. Ata krijojnë dhe hyjnë në organizata me shumë entuziazëm. Ata janë të përgjegjshëm, të vetëkontrolluar dhe të matur. Ata nuk ndiejnë se është e nevojshme të rebelohesh. Ata jo vetëm që i nënshtrohen autoritetit, por e admirojnë atë. “Tjetërsimi është një fjalë që zor se e dëgjon prej tyre. Ata e konsiderojnë universin si dobiprurës të rregullt dhe kuptimplotë. Në shkollat dhe kolegjet ku rritet klasa e ardhshme e lidershipit, nuk gjen revolucionarë të inatosur, dembelë të dëshpëruar apo cinikë të zymtë, por Organization Kid (studentë që i nënshtrohen autoritetit)”.

Në këtë artikull Brooks përshkruar një tablo të produktit të arsimit të suksesshëm. Kjo tablo përputhet me rezultatet e Ellulit në analizën e tij, por nuk është pa të meta. Brooks shkruan:

“Njeriu ndonjëherë ndjen se të gjitha përpjekjet e furishme për të vënë siguri, për të nxitur arritjen akademike dhe për të qenë gjithmonë i zënë janë mënyra për të kompensuar konceptimet e munguara të karakterit dhe të virtytit. Duke mos pasur fjalor për të diskutuar për të mirën dhe të vërtetën, me e pakta që njerëzit mund të bëjnë është të sillen mirë. Është e vështirë të dish se çfarë do të thotë jetë e përjetshme, por nëse nuk pi duhan, mund të jetosh më gjatë. Është e vështirë të imagjinosh se ç’do të thotë të jesh shenjtor, por është e lehtë ta shohësh se si është kur je i suksesshëm.

Këto janë vetëm një pjesë e pasojave të paqëllimshme që ngrihen nga praktika edukative aktuale. Ellul analizon me detaje ambivalencën komplekse të progresit teknik në librin e tij “The technological Bluff”. Ai thekson se progresi teknik nuk është i mirë, i keq apo neutral. Është një përzierje komplekse e elementëve pozitivë dhe negativë. Ai e analizon këtë ambivalencë duke u bazuar në katër sugjerime:

Gjithë progresi teknik ka çmimin e tij.

Në çdo etapë, ngre më shumë probleme sesa i zgjidh.

Efektet e tij të dëmshme janë të pandashme nga efektet e tij të dobishme.

Ka një numër të madh efektesh të paparashikuara.

Këto sugjerime përdoren tek teknika edukative e përdorur nga studentët e Princetonit, për të cilët shkruan Brooks. Ritmi shumë intensiv i aktivitetit në një numër të madh aktivitetesh të ndryshme, mbledh kohë për të menduar. Mungesa e kuptimit të karakterit dhe virtytit për të cilat shkruan Brooks është një pasojë e paqëllimshme që nuk mund të ndahet nga procesi edukativ që i jep formë jetës së ndërlikuar që bëjnë këta studentë elitarë.

Fenomeni i “Organization Kid” është rezultati i fundit i teknikës së suksesshme edukative. Ai ndërtohet mbi një varg leksionesh të përforcuara përgjatë shkollimit K-12 (12 vjet shkollim deri ne moshën 17-19 vjeçare). Këto leksione janë hartuar për t’i bërë fëmijët pjesëmarrës rë përshtatshëm në projektin social. John Taylor Gatto, mësues i shquar nga Nju Jorku, i përmblodhi këto në një fjalim me rastin e emërimit të tij si “Mësuesi i vitit i shtetit të Nju Jorkut”:

Mësimi i parë që unë u mësoj të tjerre është konfuzioni. Çdo gjë që u mësoj është jashtë kontekstit.

Mësimi i dytë është qëndrimi në klasë. U mësoj nxënësve se mund të qëndrojnë në klasë aty ku u përket.

Mësimi i tretë që u mësoj është indiferenca. I mësoj që mos e vrasin shumë mendjen për gjithçka.

Mësimi i katërt është varësia emocionale. Nga yjet tek shenjat e kuqe, buzëqeshja apo mbledhja e vetullave, çmimet, lavdërimet apo turpi, i mësoj fëmijët t’ia dorëzojnë vullnetin e tyre zinxhirit të paracaktuar të komandës.

Mësimi i pestë është varësia intelektuale. Studentët e mirë presin që mësuesi t’u tregojë se çfarë duhet t’u bëjnë. Është mësimi më i rëndësishëm: që ne duhet të presim që njerëzit e tjerë, ata që janë më të trajnuar se ne, që t’u japin kuptim jetës tonë.

Mësimi i gjashtë që u mësoj është vetëbesimi i përkohshëm. U mësoj se vetërespekti i fëmijës duhet të varet tek opinioni i një eksperti.

Mësimi i shtatë që u mësoj është se nuk mund të fshihen, se ata janë të vëzhguar në çdo çast, se unë dhe kolegët e mi e vëzhgojmë secilin prej tyre vazhdimisht.

 

Produkti final i shkollimit të suksesshëm është një i rritur i ekuilibruar, të cilit i është mësuar, ashtu si thotë Ivan Illich:

… të ngatërrojë mësimdhënien me të mësuarit, rritjen e notave me arsimin, një diplomë me kompetencën dhe rrjedhshmërinë me aftësinë për të thënë diçka të re. Imagjinata e tij është “shkolluar” që të pranojë shërbimin në vend të vlerës. Trajtimi mjekësor ngatërrohet me kujdesin shëndetësor, puna sociale me përmirësimin e jetës në komunitete, mbrojtja e policisë me sigurinë, ekuilibri ushtarak me sigurinë kombëtare dhe konkurrencën në punë me punën produktive. Shëndeti, të mësuarit, dinjiteti, pavarësia dhe përpjekja krijuese shpjegohen pak më shumë se performanca e institucioneve, që pretendon se u shërben këtyre qëllimeve, dhe përmirësimi i tyre bëhet që të varet në caktimin e më shumë burimeve për menaxhimin e spitaleve, të shkollave dhe agjencive të tjera në fjalë.

As kjo listë e pasojave nuk i shteron efektet e teknikës edukative. Me rritje teknike vjen rritja e shpejtë e dijes. Sasia e dijes së nevojshme e të përdorshme që duhet të mësohet për funksionimin e sistemit teknologjik shërben për të ushtruar presion mbi sistemin edukativ, që të fokusohet pak në njohuritë aritmetike dhe shkallën e arsimit funksional. Përdorimi në rritje i testimit të standardizuar pasqyron nevojën teknike. Por ndërsa mësuesit kërkojnë të sigurohen se studentët e kanë mësuar këtë dije funksionale, arti, muzika madje dhe edukimi fizik lihen jashtë programit mësimor. Sipas Qendrave për Kontrollimin e Sëmundjeve, orët e përditshme të Edukimit Fizik, po zhduken në vend. Në vitin 1991 vetëm 42% e shkollave kishin orë edukimi fizik, por në vitin 1997 kjo shifër ra në 27%.

Ka gjithmonë e më shumë lëndë për të mësuar: grafika kompjuterike, programimi kompjuterik, robotika, modelimi etj. Ndërsa rritet numri i “lëndëve” në programin mësimor, ne mund të kemi sukses që t’jua mësojmë atyre këto lëndë. Si pasojë, koha për t’i mësuar të tjerët se si mësohet mund të përjashtohet. Ashtu si Gatto thotë, kjo ndodh për shkak të shkallës së madhe të suksesit në mësimdhënien e varësisë intelektuale. Megjithëse nuk i kushtohet rëndësi mënyrës së të mësuarit.

Vlerësimi i zgjidhjeve të mundshme

Së pari vini re se edhe përdorimi i fjalës “zgjidhje” na lidh me botën e teknikës, ku për çdo problem ka një zgjidhje. Ky është tregues i shkallës në të cilën sistemi teknologjik e formon mendimin tonë. Ne jemi të gjithë pjesëmarrës në këtë sistem. Atëherë si duhet ta trajtojmë këtë situatë?

Fillimisht duhet ta pranojmë se çdo mënyrë të menduari që përdorim për të trajtuar edukimin e fëmijëve është kushtëzuar plotësisht nga sistemi ku jetojmë. Kjo do të thotë se të menduarit tonë për gjithë këtë është i prekshëm ndaj kurtheve ku mund të bjerë çdo përpjekje që ndodh në një mjedis teknik. Mund të ndodhë që shoqëria të gjejë mënyra për të përmirësuar disa prej problemeve më negative që janë krijuar si rezultat i mënyrave të funksionimit të shkollave. Mund të rifusim edukimin fizik, të mbledhin grupe private për artet dhe muzikën dhe të rrisim në programin mësimor peshën që i jepet të mësuarit për të dalluar të metat logjike. Nuk është kjo çështja. Tipari i vazhdueshëm i zgjidhjeve teknike nuk është se ato janë me dy kuptime. Çdo zgjidhje do të sjellë më shumë probleme. E vërteta është se me problemet shtesë lind nevoja për më shumë ekspertë, prandaj problemet në të vërtetë e ndihmojnë ekonominë që të rritet!

Institucionet edukative myslimane dhe programi mësimor nuk janë përjashtim. Megjithatë moszhvillimi i institucioneve tona myslimane përballë shoqërisë së madhe do të thotë se ne nuk i përmbahemi në mënyrë strikte drejtimit që duhet të marrin institucionet tona. Për t’iu dorëzuar nocionit se vendosja në universitetet prestigjioze është masa e suksesit për institucionet do të thotë të lejosh kërkesat e mjedisit teknik të zëvendësojnë Islamin si kriter për mënyrën si ne jetojmë jetët tona. Ndjekja e frymës që këmbëngul se të qenit mysliman deri në frymën e fundit është një kriter thelbësor i suksesit do të thotë të luftosh me gjithë qenien kundër shpërqendrimit të një sistemi të hartuar për të na bërë ne shërbëtorë të bindur. Ky xhihad është i detyrueshëm deri në fund të jetës. Përpjekja jonë për t’i përgatitur fëmijët tanë të jenë myslimanë në këtë botë ku ata do të jetojnë nuk qëndron në zhvillimin e shkollave efikase islame ku kanë programe mësimore të aprovuara nga shteti së bashku me arabishten dhe studimet islame. Beteja jonë është më e vështirë se kaq. Le t’u kthehemi disa nocioneve paraprake për metodën që duhet të përdorim për këtë xhihad.

Drejt edukimit mysliman

1. Bëjeni përfshirjen prindërore të detyrueshme.

Një prej ndikimeve më të përhapura të sistemit teknologjik është së po na heq përgjegjësinë individuale, fushë pas fushe në jetën tonë. Si myslimanë ne e dimë që jemi përgjegjës. Marrja e përgjegjësisë për fëmijët tanë duhet të bëhet prioritet në popullsinë myslimane. Një hap i rëndësishëm është përfshirja e prindërve në edukimin e fëmijëve të tyre. Është shumë e rëndësishme që institucionet edukative myslimane të ndërtojnë mënyra veprimi për të përfshirë prindërit. Duke pasur parasysh numrin e madh të fëmijëve dhe numrin e vogël të shkollave myslimane, shumica e shkollave kanë lista pritjeje. Bëjeni përfshirjen e prindërve detyrim. Kjo përfshirje duhet të ketë tre aspekte:

Përfshirjen e prindërve me fëmijët në aktivitete edukative, duke përfshirë detyrat e shtëpisë, aktivitetet shkollore, programet e shërbimit në komunitet etj. Pjesëmarrjen e detyrueshme në programet e vazhdueshme edukative për vetë prindërit për Islamin, në lidhje me praktikën prindërore dhe përftime kulturore.Vëmendja e veçantë për edukimin islam të nënave, të cilat siç e dimë janë shkollat e para. Kjo metodë duhet të bazohet në organizime të vogla, nëpër shtëpi, me nënat dhe me të tjerë në komunitet që t’ua mësojnë të tjerëve ato pak gjëra që ato dinë. Lëvizja Qubaysiyyah në Siri është një shembull i kësaj. Ky lloj edukimi mund të jetë hapi më i rëndësishëm që mund të marrin.

2. Përdorimi i një metode të përqendruar tek vlerat.

Besimi dhe sjellja e mirë janë në thelb të shoqërisë myslimane. Vlerat dhe praktika janë në një linjë, por ndërsa shumica e shkollave myslimane tashmë u mësojnë nxënësve arabishten, fikun dhe disiplinat e tjera tradicionale, ata e bëjnë këtë në një mënyrë abstrakte. Ata u mësojnë për Islamin, por jo si të jenë myslimanë. Davud Tauhidi shkruan: “Ne nuk kemi arritur në atë shkallë sa të zhvillojmë një program sistematik për t’u mësuar fëmijëve për “të qenit mysliman” – që kërkon një arsyetim më të thellë të natyrës së fëmijëve dhe të vetë Islamit”. Ai paraqet një vizion të metodës së përqendruar tek vlerat ndaj edukimit islam dhe fillon punën drejt zhvillimit të një programi, për t’i mësuar të tjerët që të jenë myslimanë. Kuptimi i kësaj metode dhe zbatimi i saj është një mënyrë tjetër për t’i vënë fëmijët tanë të parët.

3. T’u mësojmë fëmijëve si të mësojnë.

Ne duhet t’u japim fëmijëve tanë mjetet për të mësuar dhe t’u mësojmë atyre t’i përdorin këto aftësi në mënyrë të mjaftueshme. Kjo do t’i udhëzojë ata në një proces të gjatë mësimi që fillimisht përdoret tek njohuritë e tyre për din-in, dhe së dyti për fushën që po zgjerohet dhe po ndryshon të dijes teknike. Sipas Dorothy Dayers këto mjete fillojnë me gramatikën, dialektikën dhe retorikën.

Gramatikë nuk do të thotë të shprehësh saktë një kërkesë për të bërë një rezervim hoteli në gjuhë të huaj. I referohet strukturës së gjuhës, si bashkohet, si funksionon. Në këtë kuptim, ky mjet ka aplikime të gjera. Duke qenë të aftë të kuptojmë si strukturohet çdo fushë e dijes, kush janë elementët e diskursit, si bashkohen dhe si punojnë me njëri-tjetrin, janë të gjitha mjete të fuqishme.

Dialektika ka të bëjë me mënyrën e përcaktimit të termave, krijimit të deklaratave, ndërtimin e argumenteve dhe gjetjen e gabimeve në argumente. Nëse ky mjet do të përdorej më gjerësisht nga popullsia e përgjithshme, “manipuluesit e opinionit”, reklamuesit dhe propagandistët do të kalonin një kohë të vështirë.

Retorika përfshin një vlerësim për përsosjen, kështu që mësohet tradicionalisht në kohën e pubertetit. Studimi i retorikës ndihmon në theksimin e aftësisë së të shkruarit dhe të folurit. Të kuptuarit e koncepteve më të mëdha të retorikës luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e një vlerësimi përsosmërie kudo që gjendet.

Është e rëndësishme të theksojmë se arsimi tradicional islam thekson këto mjete, që Aristoteli i ka quajtur trivium. Katër lëndë të tjera, aritmetika, gjeometria, muzika dhe astronomia, Aristoteli i ka quajtur quadrivium dhe kjo shfaqet gjithashtu në edukimin islam tradicional. Në traditën islame, studimi i poezisë, me strukturat e saj të strofës dhe ritmit, zëvendësoi muzikën.

5. Mbrojini fëmijët duke u mësuar atyre dijen kulturore.

Ndikimi i sistemit teknologjik me të gjitha shfaqjet e tij po e shndërron njerëzimin në një krijesë larg nga fitra. Ne nuk mund të largohemi nga këto ndikime dhe as fëmijët tanë. Armatosja jonë me vlera islame dhe dije islame do të na ndihmojë të bëjmë dallimin mes atyre pjesëve të sistemit që paraqesin më shumë rrezik, por këto vlera dhe kjo dije nuk na japin ide për mënyrat në të cilat sistemi shkatërron dinin tonë.

Shpesh dëgjojmë thirrjen nga ulema që janë nga Amerika: “Ne na nevojiten dijetarë, të cilët i kuptojnë kushtet amerikane të jetës”. Duke pasur parasysh forcën e sistemit dhe si rrjedhim ashpërsinë e pasojave të tij të paqëllimshme, çdokush në shoqëri ka nevojë për një shkallë më të lartë afërsie me mënyrën si funksionon sistemi, sesa është çështja aktuale.

Shoqëria e gjerë i di tashmë problemet që vajzat kanë me vetëimazhin e tyre dhe me agresionin mes djemve siç keqësohet nga media. Konsumerizmi është një sëmundje e rëndë e përhapur nëpërmjet medias. Çështja është se dija e medias, është një aftësi që ne si myslimanë e refuzojmë nën përgjegjësinë tonë. Afërsia me metodologjinë e industrisë së reklamave dhe me veprat e propagandës mund të jenë më të dobishme në zhvillimin e vetëdijes kritike, e nevojshme për të ruajtur identitetin e gjithsecilit në Amerikën postmoderne.

Dija kulturore shkon përtej medias. Ne duhet të kuptojmë të gjitha nënsistemet e ndryshme të shoqërisë deri tani, meqë ndikojnë tek ne: mënyrën si politika funksionon me të vërtetë, ndryshimin ndërmjet trajtimit mjekësor dhe kujdesit mjekësor, ndryshimit ndërmjet shërbimeve sociale dhe komunitetit, policisë dhe sigurisë, ushtrisë dhe sigurisë, etj. Në atë shkallë që fëmijët tanë e kuptojnë thellë se si funksionon sistemi, ata kanë një mundësi më të mirë për të shmangur efektet e tij negative në jetën e tyre.

6. Zgjidhni mësuesit me kujdes, respektojini ata dhe kujdesuni për ta. Rëndësia e mësuesit në edukimin islam është shumë e madhe. Merrni parasysh respektin që u jepej dijetarëve në shekujt e parë të Islamit. Komuniteti duhet ta vlerësojë dhe ta mbështesë mësuesin. Mes të tjerash, kjo do të thotë, se mësuesit duhet të paguhen për punën e tyre.

Mësuesit duhet të vazhdojnë të zhvillojnë dhe përpunojnë artin e tyre. Nëse edukimi ynë do të bazohet me të vërtetë mbi fëmijët, mësuesit duhet të bëhen vëzhgues shumë të aftë që të shohin se për çfarë ka nevojë fëmija. Mësuesve duhet t’u jepen mundësi të zgjerojnë edukimin e tyre. Këto mund të jenë mundësi për të zgjeruar njohuritë e tyre për Islamin dhe për të ushqyer zemrat e tyre.

Për shkak të programit të ngjeshur dhe stresit nën të cilin jetojnë mësuesit myslimanë sot, mësuesit mund të na shërbejnë më mirë nëse u japim më pak për të bërë. Pavarësisht nga shkatërrimi nga edukimi i detyrueshëm, shumë fëmijë dalin të padëmtuar për shkak se diku gjatë studimeve kanë hasur në një apo dy mësues të mirë. Ky të jetë rregull dhe jo përjashtim në shkollat tona.

Përfundim

Mos u gaboni: qëllimi i këtij artikulli nuk është të tregojë braktisjen e gjithë teknikës edukative. Kjo nuk do të ndodhë. Ne jetojmë në një shoqëri teknologjike të organizuar rreth një sistemi teknologjik. Efektet janë të mëdha dhe nuk ka kthim mbrapa. Është si të kalosh pragun nga një kulturë verbale në një kulturë të shkolluar.

Por kjo është një thirrje për përpjekje morale, intelektuale dhe shpirtërore. Një shkollë myslimane jashtë kontekstit të praktikës aktive të dinit është një oksimoron. Përpjekje morale do të thotë ta rrëmbesh përgjegjësinë nga sistemi dhe ta marrësh në duart e tua. Do të thotë të marrësh përgjegjësi për mënyrën si e shpenzojmë kohën dhe paratë tona. Kjo medoemos përfshin shkëputjen nga shoqëria e gjerë në njëfarë shkalle. Do të thotë të duash për vëllanë tënd atë që do për veten dhe si rrjedhim të angazhosh njëri-tjetrin në mënyrë kuptimplote në procesin e krijimit të shoqërisë. Për të përfytyruar natyrën e një mjedisi optimal për fëmijët myslimanë nevojitet përpjekja intelektuale. Ne duhet të reflektojmë thellë për atë që po bëjmë kur krijojmë shkolla, japim orë mësimore, përgatisim planet e leksioneve etj., sepse tendenca është thjesht për të riprodhuar shkollat ekzistuese private dhe publike dhe siç e kemi parë këto edukojnë fëmijën në shoqëri dhe për shoqërinë dhe jo në veten dhe për veten e tij. Një prej dijetarëve tanë ka thënë: “Një prej gjërave që nuk arrijmë t’i pranojmë kur krijojmë të gjitha llojet e agjendave për fëmijët tanë, është se fëmijët e kanë një agjendë: është agjenda hyjnore që është rrënjosur në trurin e tyre që nga fillimi. Ne duhet të vëmë në diskutim metodologjitë e përdorura në shkollat publike: vlerësimin, ndarjen sipas grupmoshave, moshën kur fillohet shkolla dhe shtrirjen e rendin e programit mësimor. Edhe ideja e një vendi fizik të quajtur “shkollë” mund të ripërfytyrohet nëse reflektojmë thellë dhe me ndershmëri. Për t’u zgjuar nga dalldia e nxitur nga mbingarkesa e informacionit nga blofi teknologjik duhen bërë përpjekje intelektuale. Ky aspekt i përpjekjes nuk është fakultativ. Qëllimi ynë duhet të jetë të shohim shoqërinë teknologjike ku jetojmë me anë të syve myslimanë, të çlirohemi nga shikimi i Islamit nëpërmjet syve të një “burimi njerëzor” me vetëdije teknike. Duhet përpjekje intelektuale për “të menduar jashtë kutisë”, në mënyrë konsekuente; duhet përpjekje intelektuale për të shkuar përtej dijes për Islamit dhe për të arritur tek dija e të qenit mysliman.

Për të kuptuar se çfarë kemi nevojë të bëjmë, duhet të shohim me syrin e zemrës tonë dhe për ta hapur këtë sy nevojitet përpjekja shpirtërore. Ne nuk do t’i arrijmë rezultatet e dëshiruara nëpërmjet përpjekjeve tona. Kjo nuk do të thotë se nuk duhen bërë përpjekje.Xhihadi mbetet i detyrueshëm.

Ne duhet të kujtojmë se pasuria dhe fëmijët tanë janë sprovë për ne. Ne nuk mund t’i dimë rezultatet para se t’i bëjmë veprimet. Ajo që mund të bëjmë është të pastrojmë qëllimet tona. Rezultati është në dorën e Zotit. Puna jonë është që me veprimet e drejta t’i afrohemi Zotit. Dhe çfarëdo që e bëjmë për Zotin prej veprave të mira, tek Zoti do ta gjejmë. Ai shpërblen shumë. I kërkoj falje Zotit. Ai është Falës dhe Mëshirues.

Last modified: 14/03/2021
Close