Shabbir Ally
Nga faktet e madhështisë së Tij janë nata, dita, dielli dhe hëna. Mos adhuroni as diellin e as hënën. Sexhde bëjini vetëm Allahut, i cili i krijoi ato, nëse adhuroni vetëm Atë. (41:37)
Taktikat mashtruese të Morey-t:
Një i njohur i krishterë më zgjati me krenari një kopje të një libri me titull Allahu, Perëndia-hënë në arkeologjinë e Lindjes së Mesme të Dr. Robert Morey. Vura re se autori kishte përdorur shumë taktika mashtruese për të vërtetuar përfundimin e tij të pashmangshëm që Allahu nuk është Zoti i Biblës, por perëndia-hënë e Arabisë pre-islamike, adhurimi i të cilit është përjetësuar në Islam. Unë do t’i rendis taktikat e tij mashtruese në pesë kategori të gjera për thjeshtësi diskutimi.
Keqcitim i qëllimshëm i autorëve të njohur.
Fshehje e qëllimshme e dëshmive
Mbushje faqesh me informacion pa lidhje, duke dhënë në këtë mënyrë një përshtyje të gabuar se po arrihet në një përfundim.
Përdorimi i gabimeve logjike për të arritur në përfundime dhe
Nxjerrja e përfundimeve për të cilat nuk është përmendur e jo më paraqitur ndonjë dëshmi.
Si e citon Morey profesor Coon-in:
Tani të shqyrtojmë me hollësi taktikat mashtruese. Më poshtë do të citoj disa fragmente nga libri i Morey-t për të treguar si e argumenton ai hipotezën se Allahu ishte perëndia e hënës.
Pasi ta lexojmë këtë, do të vë në dukje, me ndihmë të Allahut, disa nga metodat mashtruese të Morey-t.
Sipas dorëshkrimeve të shumta, emri i perëndisë së hënës ishte Sin, ndërkohë që statusi i tij ishte el-ilah, d.m.th. “hyjnia”, që do të thotë se ai ishte më i madhi nga perënditë. Siç thekson Coon:
Perëndia Il ose Iiah ishte fillimisht një fazë e Perëndisë së hënës.
Perëndia-hënë quhej el-ilah, d.m.th. hyjni, që pastaj u shkurtua në fjalën Allah në kohën pre-islamike. Arabët paganë e përdornin fjalën Allah edhe si emër për fëmijët e tyre. Për shembull, Allah ishte pjesë e emrit të të atit dhe ungjit të Muhammedit. Fakti që prindërit e tyre paganë u kishin vënë një emër të tillë tregon se fjala Allah ishte emri i përgjithshëm i perëndisë së hënës edhe në kohën e Muhammedit. Profesor Coon vazhdon duke thënë:
Po kështu, me udhëzimet e Muhammedit, Iiah që ishte relativisht i panjohur, u bë Al-IIah, Zoti, ose Allahu, Qenia Supreme. (Morey, fq.10-11)
Ky fragment i shkurtër nga libri i Morey-t paraqet shumë probleme. Së pari, Morey e ndryshon aq shumë citimin e profesor Coon, saqë e bën të duket se ky i fundit ka thënë të kundërtën e asaj që ka thënë në të vërtetë. Vini re se ai e ka cituar profesorin Coon dy herë. Sipas poshtë-shënimeve të Morey-t, të dy fragmentet i përkasin librit Southern Arabia (Arabia Jugore) të Carleton S. Coon (Washington, D.C. Smithsonian, 1944) fq. 399. E habitshme! Por unë pata mundësinë t’i gjej këto fragmente në librin e profesor Coon dhe zbulova se Morey i kishte shkëputur ato nga një paragraf më i madh. Me qëllim, ai ka hequr një pjesë shumë të rëndësishme dhe i ka ndarë dy pjesët e tjera sikur të ishin dy paragrafë që nuk kanë lidhje mes tyre. Më poshtë po paraqes atë që Coon ka shkruar në të vërtetë:
Perëndia Il ose Ilah ishte fillimisht një fazë e Perëndisë së hënës, por në historinë e hershme të Arabisë, ky emër mori kuptimin e një termi të përgjithshëm për hyjninë dhe këtë emër hebrejtë e përdornin gjerësisht në emrat e tyre personalë, si për shembull Emanu-el, Israel, etj. Po kështu, me udhëzimet e Muhammedit, Iiah që ishte relativisht i panjohur, u bë Al-IIah, Zoti, ose Allahu, Qenia Supreme. (Carleton S.Coon, Southern Arabia, (Washington, D.C. Smithsonian, 1944) f.399).
Ky fragment nga libri I profesor Coon nuk thotë atë që dr. Morey dëshiron të na bëjë të besojmë, kështu që ai përdor metodën e mëposhtme për ta transformuar fragmentin në shërbim të qëllimit të vet:
Ai ka cituar fjalinë e parë për të treguar se emri Il ose Iiah ishte perëndia e hënës në Arabi deri në kohën e ardhjes së Islamit. Lexoni atë që thotë Coon:
Perëndia Il ose Iiah ishte fillimisht një fazë e Perëndisë së hënës, por në historinë e hershme të Arabisë, ky emër mori kuptimin e një termi të përgjithshëm për hyjninë.
Ndërsa tani shikoni se si e citon Morey këtë qendrim:
Perëndia Il ose Iiah ishte fillimisht një fazë e Perëndisë së hënës.
Morey e përdor këtë citim për të mbështetur hipotezën e tij sipas së cilës, deri në kohën e Muhammedit, paqja e Zotit qoftë mbi të, emri Allah ishte një term që përshkruante statusin e perëndisë së hënës. Për t’ia arritur qëllimit të tij djallëzor, Morey e ka copëtuar fjalinë përgjysëm duke përjashtuar fjalën “por” dhe çdo gjë tjetër që pason këtë lidhëz. Dhe as që ka marrë mundimin që të vendosë tre pika për të treguar se fjalia vazhdon.
Problemi i dytë në lidhje me qasjen e dr. Morey-t këtu është se ai ka lënë pa cituar nga qendrimi i Coon pikërisht atë që bie në kundërshtim me argumentin më të rëndësishëm të Morey-t kundër Zotit të Islamit. Morey nuk resht së përsërituri me krenari se Allahu nuk është Zoti i Biblës, por perëndia e hënës së Arabisë pre-islamike. Prandaj atij nuk i ka leverdisur që të përsërisë atë që Coon ka shkruar, domethënë:
… dhe këtë emër hebrejtë e përdornin gjerësisht në emrat e tyre perësonalë, si për shembull Emanu-el, Israel, etj…”
Morey nuk do që lexuesit e tij të kuptojnë që, sipas profesor Coon, i njëjti emër që në Arabinë Jugore përdorej për Perëndinë e hënës, përdorej edhe në emra hebraike, si për shembull Emanu-el, të cilin Morey e konsideron si një nga emrat e Jezusit.
Problemi i tretë është se Morey i ka prerë dy pjesët nga shkrimi i Coon duke i ndërthurur me fjalët e veta në mënyrë të tillë që ajo që profesor Coon ka dashur të thotë e ka humbur kuptimin, duke bërë që në tekst të predominojë ajo që Morey dëshiron të thotë. Në këtë mënyrë, krijohet përshtypja se Coon është i një mendimi me Morey, ndërkohë që nuk është e vërtetë. Për shembull, ndërkohë që, fjalia e fundit e profesor Coon mbështet faktin se Allahu nuk është perëndia e hënës, por “Qenia Supreme”, zëvendësimi që Morey i bën kësaj fjalie me fjalët e veta do ta bëte një lexues jo shumë të vëmendshëm të mendojë se Coon është i një mendimi me Morey-n në lidhje me teorinë e Perëndisë së hënës në Islam.
Problemi i katërt është se Morey nuk pret që lexuesit e tij të vënë re gabime logjike në atë që ai shkruan. Kur ai pretendon se emri i përgjithshëm i perëndisë së hënës ishte “el-ilah”, ai citon Coon sikur ky ka thënë se “Il ose Ilah” ishte fillimisht një fazë e perëndisë së hënës. Morey nuk pret që lexuesit e tij të vënë re se “el-ilah” nuk është e njëjtë me “Il apo Ilah.” Por edhe lexuesit që nuk e njohin gjuhën arabe mund të vënë re dy gjëra:
(1) Këto fjalët shkruhen në mënyrë shumë të ndryshme, dhe
(2) Citimi i dytë që Morey bën nga Coon vë në dukje gabimin.
Aty, Coon thotë se “Ilah u bë Al-Ilah” me udhëzim të Muhamedit. Pra është e qartë që atëherë, el-ilah nuk ishte perëndia e hënës sipas Coon, por vetëm sipas Morey-t. Coon do të tronditej po të shihte atë që ka shkruar të transformuar sipas mënyrës së Morey-t.
Problemi i pestë qëndron në atë që dr. Morey duhet t’i ketë çuar aq me ngut dorëshkrimet e tij për botim saqë, në fragmentin e mësipërm ka rënë në kundërshtim me vetveten.
Pasi ka theksuar se edhe i ati, edhe ungji i Muhammedit kishin si pjesë të emrit të tyre emrin Allah, ai e citon me miratim profesorin Coon duke thënë se “Ilah u bë…Allâh” me udhëzim të Muhammedit. Morey nuk e ka vënë re se, që lexuesit të pranojnë gjithçka që ai ka thënë në atë paragraf, ata duhet të bien në përfundimin se Muhammedi ishte i pranishëm kur ka lindur i ati, në mënyrë që t’i mësonte gjyshit të tij se çfarë emri t’i vinte babait të sapolindur!
Çështja këtu nuk është nëse Coon kishte të drejtë apo jo, apo nëse ai kishte njohuri nga Islami. Çështja është se Morey e citon atë si një njohës të mirë të Islamit dhe nuk i vë re kundërshtitë që rezultojnë në ato që shkruan.
Problemi i gjashtë është se Morey bie në përfundime që nuk janë rrjedhojë e fakteve që ai paraqet, duke bërë kështu gabimin logjik që njihet me emrin non sequitur. Ky gabim shihet qartë në fragmentin e mëposhtëm:
Për shembull, fjala Allah ishte pjesë e emrit të të atit dhe ungjit të Muhammedit. Fakti që atyre u ishin vënë emra të tillë nga prindërit e tyre paganë vërteton se Allah ishte emri i përgjithshëm i Perëndisë së hënës, madje edhe në kohën e Muhammedit.
Në fragmentin e mësipërm, Morey paraqet një fakt dhe nxjerr një përfundim. Tani, le të shqyrtojmë faktin dhe përfundimin, gjë që do të na ndihmojë për të vënë në dukje gabimin logjik.
Fakt: Të atit dhe ungjit të Muhammedit, prindërit e tyre paganë u kishin vënë emra dhe këto emra përmbanin fjalën Allah [si në Abd-Allâh që do të thotë shërbëtor i Allahut].
Përfundim: Kjo dëshmon se Allah ishte emri i Perëndisë së hënës në atë kohë.
Pra, siç shihet, përfundimi nuk është rrjedhojë logjike e faktit të paraqitur. E shumta që mund të konkludohet duke u nisur nga një dëshmi e tillë është që paganët e kishin zakon t’i quanin fëmijët e tyre shërbëtorë të Allahut. Ky fakt nuk tregon që Allahu ishte Perëndia e hënës apo Zoti i Abrahamit. Se kush ishte ai mund të zbulohet nga dëshmi të tjera, të cilat Morey është përpjekur me sa ka patur mundësi që t’i fshehë.
Faktet që Morey ka fshehur tregojnë qartë se arabët në kohën e Muhammedit adhuronin shumë idhuj, por ata besonin edhe tek Allahu, Zoti i lartë, të cilit ata i drejtoheshin për ndihmë. Kjo Qenie Supreme, për ata, nuk ka qenë kurrë hëna.
Problemi i shtatë në këtë fragment të librit të Morey-t qendron në faktin se i gjithë diskutimi i tij nuk është në përputhje me çështjen. Të tregosh se kush besohej të ishte Allahu para Islamit nuk vërteton asgjë në lidhje me çështjen në fjalë. Morey-t i duhet të tregojë që në Kur’an, Allahu përshkruhet si Perëndia e hënës. Por kjo është e pamundur për Morey-n. Në Kur’an përsëritet shpesh hëna si një krijim i Allahut. Dhe Allahu në Kur’an u thotë krijesave të tij që të mos u përkulen në adhurim diellit apo hënës, por vetëm Allahut që i ka krijuar ata. (Kur’an 41:37).
Si e citon Dr.Morey Caesar Farah
Tani të shikojmë një tjetër fragment nga faqja 13 e librit të Morey-t, ku këtë radhë ai citon nga Caesar Farah:
Studiuesi islamik Caesar Farah bie në përfundimin:
Prandaj, nuk ka asnjë arsye për të pranuar idenë se Allahu ka kaluar tek muslimanët nga të krishterët dhe hebrejtë. (Farah f. 28).
Ju lutem, krahasoni këtë citim me paragrafin e plotë, nga ku Morey pretendon se e ka shkëputur fragmentin e mësipërm. Më poshtë gjendet një fragment nga libri i Caesar Farah:
Allahu, hyjnia më e madhe në Arabinë pagane, ishte objekt adhurimi me shkallë të ndryshme intensiteti nga skaji më jugor i Arabisë e deri në Mesdhe. Për babilonasit, ai ishte “Il” (zot); për kanaanitët dhe më vonë edhe për izraelitët, ai ishte “El’; arabo-jugorët e adhuronin atë me emrin “Ilah,” dhe beduinët si “el-Ilah” (perëndia). Kur erdhi Muhammedi, ai u bë Allahu, Zoti i Botëve dhe i të gjithë besimtarëve, NJë dhe i Vetmi që nuk pranon ortakë apo shokë në adhurimin ndaj Tij. Konceptet judaike dhe të krishtera për Zotin e mbështesin transformimin e Allahut nga një hyjni pagane në Zotin e të gjithë monoteistëve. Prandaj, nuk ka asnjë arsye për të pranuar idenë se “Allahu” ka kaluar tek muslimanët nga të krishterët dhe hebrejtë. (Farah f. 28).
Problemi i parë në citimin që ka bërë Morey është që ai e ka ndarë fjalinë e fundit nga pjesa tjetër e praragrafit në një mënyrë të tillë që e bën të duket se ka thënë diçka të ndryshme nga ajo që në të vërtetë thuhet po të lexohet paragrafi në tërësi. Citime të tilla jashtë kontekstit janë një taktikë e zakonshme e Morey.
Problemi i dytë është se Morey i është referuar Caesar Farah si një “studiuesi islamik”. Morey përpiqet të rrisë autoritetin e autorëve që ai citon duke u vënë epitete, si në rastin e mësipërm. Nëse me fjalën “islamik” lexuesit mendojnë se Caesar Farah është musliman, Morey-n nuk e shtyn asgjë që të korrigjojë një keqkuptim të tillë. Dhe nëse i kërkohet llogari për këtë, ai mund të thotë fare mirë se kishte ndër mend të thoshte “studiues i Islamit”. Atëherë le të ketë mirësinë të thotë atë që ka patur ndër mend të thotë.
Problemi i tretë është që Morey ka lënë pa përmendur thelbin e përmbajtjes së librit të Farah. Në atë pasazh thuhet se Zoti që në Arabinë Jugore quhej Ilah, nga izraelitët quhej El. Ky fakt do ta kishte dërrmuar përfundimisht teorinë Morey-t mbi Perëndinë e hënës në Islam, prandaj, kuptohet që Morey-t i ka leverdisur më shumë që ta fshehë.
Gjithashtu, Morey-t nuk i vjen për shtat që t’u bëjë të ditur lexuesve se, sipas dy ungjijve, Jezusi i kryqëzuar i thërriste në ndihmë perëndisë El, i cili, nëse Morey ka të drejtë, është perëndia e hënës në Islam
Morey bie në kundërshtim me vetveten:
Tani, le t’i hedhim një sy një fragmenti nga faqet 11-12 të librit të Morey-t:
Muhammedi është rritur në fenë e perëndisë së hënës, Allahut. Por ai hodhi një hap para në krahasim me arabët paganë. Ndërkohë që këta të fundit besonin që Allahu, d.m.th. perëndia e hënës, ishte më i madhi nga perënditë, Muhammedi vendosi që Allahu nuk ishte vetëm zoti më i madh, por edhe i vetmi.
Në fakt ai ka thënë: “Shikoni, ju tashmë besoni që perëndia e hënës, Allahu është më i madhi i zotave. Gjithçka që kërkoj prej jush është që të pranoni idenë se ai është i vetmi zot. Unë nuk po ju marr Allahun që ju e adhuroni, por po marr vetëm gruan dhe bijat e tij, si dhe të gjithë zotat e tjerë. “
Kjo shihet edhe në faktin se pika e parë e besimit të muslimanëve nuk është “Allahu është i madh”, por “Allahu është më i madhi”, domethënë, ai është më i madhi mes zotave. Përse duhet të thoshte Muhammedi se Allahu “është më i madhi”, përveçse në një konteksti politeist? Fjala në arabisht është përdorur për të dalluar më të madhin nga më i vogli. (Morey fq. 11-12).
Problemi i parë në këtë pasazh është se Morey kundërshton vetveten. Në dy paragrafët e parë ai pretendon se arabët paganë besonin që Allahu ishte më i madhi nga të gjithë zotat dhe gjithçka që Muhammedi (paqja e Zotit qoftë mbi të) predikonte ishte që ata duhet të besonin që Allahu nuk ishte thjesht më i madhi ndër zota, por edhe i vetmi. Pastaj Morey harron se ç’ka shkruar pak më parë dhe shkruan pikërisht në paragrafin pasardhës se Muhammedi predikonte që Allahu ishte më i madhi. Dhe, sipas Morey-t, ‘më i madhi’ nënkupton se ai nuk ishte i vetmi zot.
Një tjetër problem është se Morey duket se nuk ka as idenë më të vogël se ç’është Islami. Sipas tij, pika e parë e besimit të muslimanëve nuk është “Allahu është i madh”, por Allahu është më i madhi (Morey fq. 12). Kush i ka thënë atij që kjo është pika e parë e besimit të muslimanëve? Nëse Morey ka të drejtë, atëherë miliona muslimanë ia kanë mësuar gabim fëmijëve të tyre shehadetin (dëshminë e besimit).
Por, për turpin e Morey-t, pika e parë e besimit të muslimanëve nuk është që “Allahu është më i madhi”, por që “nuk ka zot tjetër përveç Allahut”.
Problemi i tretë është se Morey mendon që “Allahu është më i madhi” do të thotë që “ai është më i madhi nga zotat” dhe se kjo mund të thuhet vetëm në një kontekst politeist. Ai nuk e kupton se shprehja së cilës i referohet, në arabisht është Allahu Ekber, që do të thotë: “Allahu është më i madh”. Kjo shprehje është një formë e shkurtuar e Allahu Ekber min kulli shein’, që do të thotë “Allahu është më i madh se çdo gjë.” Dhe, një gjë e tillë nuk ka nevojë për një kontekst politeist. Kjo do të thotë se Allahu është më i madh se çdo gjë e perceptueshme ose jo.
Problemi i katërt nuk ka të bëjë me mosnjohjen e gjuhës arabe nga Morey, por me papërgjegjësinë e tij për të përdorur arsyetimin logjik. Sipas tij, nëse pika e parë e besimit të muslimanëve do të ishte “Allahu është i madh”, kjo nuk do nënkuptonte një kontekst politeist. Me sa duket ai mendon se politeistët nuk thonë për ndonjërin nga perënditë e tyre, “ajo është e madhe”?
Problemi i pestë është se Morey përsërit vazhdimisht shprehjen “perëndia e hënës” sa herë që përmend Allahun, sikur me përsëritjen e shpeshtë të saj ai shpreson se do t’i bindë lexuesit e tij se Allahu është perëndia e hënës. Në fakt, ajo që duhet të bëjë ai është të paraqesë fakte.
Dëshmi të pavlefshme arkeologjike
Së pari, dr. Morey bën një pohim, pastaj mbush faqe të tëra me fakte të kota. Kjo krijon përshtypjen se ai po vërteton pohimin e tij, ndërkohë që kjo nuk është e vërtetë. Dhe konkretisht po paraqes pohimin e mëposhtëm të Morey-t, si dhe dëshmitë pasuese që ai paraqet për të mbështetur pohimin e tij:
Siç do të shohim, faktet e qarta tregojnë se perëndia Allah ishte një hyjni pagane. Në fakt, ai ishte perëndia e hënës, që ishte i martuar me hyjneshën e diellit, ndërsa yjet ishin bijat e tij. (Morey fq.1-2).
Për të vërtetuar pretendimin e tij, ai harxhon pesë faqet në vazhdim, pesë ilustrime, katër diagrame dhe një hartë. Por, sipas tij, çfarë vërtetojnë të gjitha këto? Vetëm faktin se perëndia e hënës adhurohej në botën e lashtë, jashtë Arabisë. Ky informacion është krejtësisht i kotë. Ai duhet të vërtetojë që adhurimi i hënës ishte një dukuri që ekzistonte edhe në Arabi. Fakti nëse kjo dukuri ekzistonte ose jo gjetkë nuk ka asnjë rëndësi për çështjen që ai përpiqet të vërtetojë. Për shembull, dëshmitë që ai paraqet për të vërtetuar se kanaanitët adhuronin perëndinë e hënës nuk tregojnë që edhe arabët paganë e bënin një gjë të tillë.
Por Morey ka arsyet e veta për këtë mënyrë të të ardhurit rrotull gjërave. Pasi ka shkruar thuajse gjysmën e librit duke argumentuar një pikë dhe duke e mbrojtur atë me dëshmi të dokumentuara me harta, ilustrime, diagrame dhe citime të autorëve të ndryshëm, ai i lë lexuesit me përshtypjen se i vërteton shumë mirë çështjet e tij, e prandaj për këtë i duhet besuar.
Dhe ai ka shumë nevojë për këtë besim, sepse kur vjen puna për të vërtetuar atë që duhet, ai nuk ka asnjë dëshmi dhe, në fakt, nuk paraqet asnjë të tillë. Morey bën pretendime të pabazuara pasi i ka mahnitur lexuesit e tij me material mbresëlënës, por të panevojshëm.
Në një libër prej pesëmbëdhjetë faqesh, vetëm në faqen shtatë, Morey fillon të trajtojë çështjes së gjendjes së Arabisë së dikurshme. Por, edhe tani, ai diskuton mbi Arabinë Jugore, e cila ishte larg nga Meka ku jetonte dhe vepronte Muhammedi.
E kështu, për rreth tri faqe të tjera, ai përmend fakte që dëshmojnë se perëndia e hënës adhurohej në Arabinë Jugore. Po kështu, nuk merr mundimin t’u thotë lexuesve se nuk ka qenë në gjendje të gjejë ndonjë fakt që vërteton se perëndia e hënës është adhuruar edhe në Arabinë Veriore. Dhe, në faqen 10, ai del në përfundimin, se:
Fakte të grumbulluara nga Arabia Veriore dhe Jugore tregojnë se adhurimi i perëndisë së hënës ishte aktual edhe në kohën e Muhammedit, e madje ishte edhe kulti mbizotërues. (Morey f.10).
Por ku janë faktet në lidhje me Arabinë Veriore? I vetmi fakt që Morey paraqet në lidhje me Arabinë ka të bëjë vetëm me atë Jugore. Në faqen 7 ai citon zbulimet e Arnaud, Halevy dhe Glaser, të cilët:
Kanë shkuar në Arabinë Jugore dhe kanë zbuluar mijëra dorëshkrime sabease, minease dhe katabaniane. (Morey, fp.7).
Në të njëjtën faqe, ai përmend zbulimet e G. Caton Thompson dhe Carleton S.Coon “në Arabi.” Dhe nuk përmend se këtu ai e ka fjalën për Arabinë Jugore, por, në faqen 9 dhe në hartën #3 ai e bën të qartë që këto zbulime u bënë në:
Arabinë Jugore (Morey f .9)
Si mund të bëjë një pohim kaq të pacipë, ndërkohë që lexuesi i kujdesshëm mund të zbulojë fare lehtë të kundërtën në çdo faqe që ai shkruan? Përse lë të kuptohet se do të paraqesë prova për adhurimin e perëndisë së hënës si në Arabinë Veriore, ashtu edhe në atë Jugore, kur e vetmja provë që ai paraqet ka të bëjë vetëm me këtë të fundit? Me sa duket, Morey e konsideron Islamin aq të lig saqë është i gatshëm të tregohet i keq në luftën kundër tij. Por, nëse Islami është nga Djalli, nuk nevojiten mënyrat e Djallit për ta luftuar atë. Një shpjegim i thjeshtë do të mjaftonte për ta vënë në dukje një gjë të tillë. Kur hidhet në sulm ndaj Islamit, Morey duhet të mbajë parasysh parimet e shëndosha të Krishtërimit.
Si i shtrembëron Morey faktet:
Që të shohim se si i përçudnon Morey pasazhet që citon, në mënyrë që t’i vijnë për shtat teorisë së tij mbi perëndinë e hënës në Islam, le të shohim pasazhin e mëposhtëm nga faqja 8 e librit të tij.
Dëshmitë arkeologjike tregojnë që feja mbizotëruese në Arabi ishte kulti i perëndisë së hënës. Në kohët e Dhjatës së Vjetër, Nabonidus (555-539BC), mbreti i fundit i Babilonisë, ndërtoi Tayma-n, në Arabi, si qendër të adhurimit të perëndisë së hënës. Segall thotë se në qendër të fesë yjore të Arabisë Jugore ka qenë gjithmonë perëndia e hënës në variante të ndryshme.(Morey, f.8).
Citimet që Morey bën vazhdimisht e përgënjeshtrojnë atë vetë, por, me sa duket, ai nuk e vë re këtë, ose shpreson që lexuesit të mos e vënë re. Vini re citimin e mësipërm që ai bën nga Segall. Sipas Segall, në citatin e mësipërm:
Në qendër të fesë yjore të Arabisë Jugore ka qenë gjithmonë nga perëndia e hënës në forma të ndryshme. (Segall, i cituar nga Morey, f.8).
Sipas Morey-t, kjo përputhet me pohimin e tij, se:
Dëshmitë arkeologjike tregojnë se feja mbizotëruese në Arabi ishte kulti i perëndisë së hënës. (Morey, f.8).
Megjithatë, po t’i hetojmë me kujdes këto dy pohime, vëmë re se ato nuk shprehin të njëjtën gjë. Dhe ndryshimet themelore mes tyre janë si më poshtë:
a) Morey flet për Arabinë; Segall flet për Arabinë Jugore.
b) Segall nuk flet për të gjitha fetë në Arabinë Jugore. Ai thotë vetëm se ndaj feve yjore, në të cilat adhurohej Dielli, Hëna dhe Afërdita, mbizotëronte adhurimi i Hënës; Morey flet për të gjitha fetë. Mashtrimi këtu qendron në faktin se, nga fjalët e Segall kuptojmë vetëm që hëna adhurohej më shumë se dielli dhe Afërdita. Ndërsa, nga fjalët e Morey-t kuptojmë se hëna adhurohej më shumë se çdo perëndi tjetër.
Ajo që dua të theksoj nuk është që Morey dhe Segall duhet domosdoshmërisht të thonë të njëjtën gjë, por, kur shohim qartë që ata thonë dy gjëra të ndryshme, Morey nuk duhet të fyejë inteligjencën tonë duke u përpjekur të na bëjë të mendojmë se po thonë të njëjtën gjë.
Cilit lloj lexuesish i drejtohet Morey?:
Me sa duket, Morey mendon se lexuesit e tij do të besojnë çdo gjë që ai shkruan. Prandaj, as që merr mundimin t’i përpunojë mashtrimet e tij, në mënyrë që të bëhen më të besueshëm. Faqe pas faqeje, në librin e Morey-t shohim se si ai i manipulon faktet me të cilat pretendon të vërtetojë tezën e tij. Për shembull, në faqet 5 dhe 7, ai flet mbi zbulimet e bëra në Hazor, Palestinë. Në faqen 6 ai paraqet katër diagrame të veprave të artit që janë zbuluar atje. Pasi thotë që objektet e zbuluara i përkasin një tempulli madhështor të perëndisë së hënës në Palestinë, Morey e përshkruan diagramin 4 me këto fjalë:
Në këtë vend u gjetën edhe shumë statuja të vogla, të cilat u identifikuan falë shkrimeve të gdhendura mbi to, si “bijat” e perëndisë së hënës. (Shih Diagram #4); (Morey, f.7).
Vini re këtu që, sipas Morey-t, shkrimet e gdhendura i identifikojnë statujat si bijat e perëndisë së hënës. Por, a nuk na udhëzoi pak më parë që t’i referoheshim Diagramit #4? Mirëpo, në Diagramin #4 shohim diçka interesante. Poshtë tij lexohet:
Fragmente nga idhujt e bijave të perëndisë.
Mbishkrimi i gdhendur i identifikon ato si bijat e perëndisë (Morey, f.6).
Por, më parë, pamë se sipas asaj që Morey shkruan në faqen 7, mbishkrimet i identifikojnë statujat si bijat e perëndisë së hënës. (Morey, f.7).
Cilën faqe të librit të Morey-t duhet të besojmë? Faqen 6 apo 7? Me sa duket, në mbishkrimet në fjalë nuk përmendet perëndia e hënës. Por Morey është aq krenar për teorinë e tij të perëndisë së hënës në Islam, saqë, thjesht e ka shtuar aty fjalën “e hënës” pas “perëndia” në faqen 7.
Ende nuk e dimë me siguri se çfarë thuhet në mbishkrim (faqe 6) apo mbishkrimet (faqe 7). Por, pa kontrolluar më tej, zbulojmë gabimet e Morey-t nga vetë ato që shkruan në librin e tij. Çfarë lloj lexuesish ka patur ai në mend kur e ka shkruar këtë libër?
Nocioni mashtrues i dredhimit:
Përse Morey ka shkuar aq larg duke sajuar bijat e perëndisë së hënës? Sepse arabët paganë deri para ardhjes së Islamit besonin se perëndeshat e tyre al-Lat, Uzzah dhe Manat ishin bijat e Allahut. Nëse Morey arrin t’i bindë lexuesit e tij se perëndia e hënës kishte bija, fare mirë është në gjendje edhe t’i bëjë ata të mendojnë se arabët paganë besonin në perëndinë e hënës dhe bijat e tij.
Dhe pikërisht ky është edhe qëllimi i tij. Vini re çfarë shkruan në faqet 7-8 të librit të tij:
Gjithashtu, janë grumbulluar me mijëra mbishkrime të gdhendura në mure dhe gurë në Arabinë Veriore. Po kështu janë zbuluar edhe relieve dhe enë balte që përdoreshin për adhurimin e “bijave të Allahut”. Tri bijat, al-Lat, al-Uzza dhe Manat, nganjëherë paraqiten së bashku me Allahun, perëndinë e hënës, të simbolizuar nga një gjysëmhënë sipër tyre. (Morey, fq.7-8).
Ai nuk citon asnjë autor për pretendimet e mësipërme. E vetmja gjë që paraqitet në thonjëza, që të jep përshtypjen e një citimi, është shprehja “bijat e Allahut”. Epo, kjo nuk është asgjë e re dhe nuk kam nevojë për një citim të ndonjë autori për një shprehje të tillë. Nevojë për një autor të cituar kam kur është fjala për pretendimin e Morey-t në lidhje me Allahun, perëndinë e hënës (Morey, fq.8). Por këto janë fjalët e vetë Morey-t dhe ai nuk është në gjendje të citojë asnjë autor që të bëjë lidhjen mes Allahut dhe perëndisë së hënës.
Sigurisht, Morey mund të bëjë më shumë se kaq. Për këtë pretendim të rëndësishëm ai nuk citon asnjë autor, nuk paraqet asnjë diagram, asnjë ilustrim, asnjë hartë dhe asnjë hollësi të veçantë. Ai nuk thotë as se kur, ku apo nga kush janë koleksionuar këto mbishkrime.
Ai nuk thotë në ndonjë shënim në fund të faqes se ku mund të gjejmë informacion të mëtejshëm në lidhje me këtë. Por, pasi kam zbuluar njëri pas tjetrit keqcitimet e Morey-t, nuk më mbetet më as kohë e as fuqi që t’i verifikoj këto shkrime, për të cilat ai nuk ka patur as kohë as fuqi që të japë një referencë të drejtpërdrejtë.
Megjithatë, nuk munda të mos vë re se një nga autorët e përmendur nuk ka të bëjë fare me çështjen e identifikimit të Allahut si perëndia e hënës. Ajo që shkruan në të vërtetë ky autor ka të bëjë me perëndeshën Atriat dhe lidhjen e saj me perëndinë e hënës dhe perëndeshën e diellit. Por, kjo perëndesha Atriat nuk ka fare lidhje me perëndinë e hënës Allah, sepse nuk ekziston një qenie e tillë. Nga një mbishkrim i lashtë katabanian, të zbuluar në Timna, mësojmë se figura e perëndeshës Atriat ishte e lidhur me perëndinë e hënës Amm (shih Pritchard, The Ancient Near East: A New Anthology of Texts and Pictures (Lindja e Afërme në lashtësi: Një antologji e re tekstesh dhe figurash), vol.2, fq.237).
Nëse ka ndonjë gjë të rëndësishme në këto ato shkrime, përse Morey nuk bën një citim të drejtpërdrejtë? Në këtë mënyrë ne do të kishim mundësi të hetonim saktësinë e citimeve të tij.
Nuk mendoj se veprimet e tij janë të paqëllimshme. Kur Morey vërteton çështje më pak të rëndësishme dhe për mendimin tim krejtësisht të padobishme, ai bëhet copë duke cituar autorë të ndryshëm. Kur na flet mbi adhurimin e perëndisë së hënës, ai bie telef duke na cituar emra zbuluesish, data zbulimesh, emra të qyteteve të zbuluara dhe shumë e shumë figura. Ndërsa kur vjen puna tek Arabia Veriore, ai nuk jep asnjë hije dëshmie.
A mos Morey pret që lexuesit e tij ta pranojnë atë, për të cilën ai kërkon t’i bindë vetëm, thjesht duke i besuar? Zakonisht, marrim për të mirëqenë atë që shkruan një autor për arsye se presim që ai të thotë të vërtetën. Por, e kemi parë disa herë që me Morey-n nuk mund ta bëjmë një gjë të tillë.
Këtu, Morey ka bërë atë që në disiplinën e logjikës quhet nocioni mashtrues i dredhimit. Ai përdor një fjalë që ka një kuptim në një kontekst të caktuar dhe po të njëjtën fjalë që ka një tjetër kuptim në një kontekst tjetër dhe pretendon që, meqenëse fjala është e njëjtë, atëherë edhe kuptimi do të jetë i njëjtë. Ai argumenton që, meqenëse perëndia e hënës e arabo-jugorëve kishte bija dhe Zoti i Lartë Allahu i arabëve mekas kishte bija, atëherë ata janë e njëjta gjë dhe i njëjti perëndi që ka bija.
Për të parë se si funksionon gabimi logjik që ai përdor, po japim këtë argument për ilustrim:
Japonezët besonin se perandori i tyre ishte Biri i Zotit. Edhe të krishterët besojnë në Birin e Zotit
Kjo mënyrë e të thënit të gjërave nënkupton se të krishterët besojnë në perandorin japonez. Tani të shqyrtojmë argumentin e Morey-t:
Arabo-jugorët besonin se perëndia e hënës kishte bija. Edhe arabët paganë të Mekës besonin se Allahu kishte bija.
Prandaj, Morey nënkupton se Allahu ishte perëndia e hënës. Por kjo është po aq e vërtetë sa ç’është e vërtetë që të krishterët besojnë në perandorin japonez.
Morey është një njohës shumë i mirë i gabimeve të tilla logjike. Meqenëse është mësues i një kursi logjike, ai duhet të jetë në gjendje t’i shmangë nocione të tilla mashtruese dhe jo t’i përdorë ato. Por njohuritë e Morey-t në këtë fushë na kujtojnë faktin se dijet e dobishme mund të përdoren edhe për qëllime të liga.
Dëshmi të rreme
Në faqen 7, Morey shkruan:
Në vitet ’40, arkeologët G.Caton Thompson dhe Carleton S Coon bënë zbulime të mahnitshme në Arabi. (Morey fq.7).
Në faqen 9 zbulojmë se ai kishte ndër mend të thoshte “Arabinë jugore”, megjithatë e kemi shqyrtuar më parë këtë mospërputhje.
I rëndësishëm këtu është fakti që këto “zbulime të mahnitshme” janë bërë të njohura nga G. Caton Thompson, në vitin 1944, në librin e saj The Tombs and Moon Temple of Hureidha (Varret dhe tempulli i hënës në Hureidha). Çfarë ka zbuluar në të vërtetë ajo? Sipas Morey-t, një nga gjërat që ka zbuluar është:
Një idhull që mund të jetë vetë perëndia e hënës (shih Diagram #6); (Morey, fq.9-10).
Këtu ai thotë vetëm që idhulli “mund të jetë vetë perëndia e hënës”. Por, me krenari, ai e etiketon Diagramin 6 me fjalët:
Një idhull i perëndisë-Hënë (Morey, fq.10).
Megjithëse, sipas fjalëve të veta, Morey e di se nuk është e sigurtë që ky idhull ishte perëndia e hënës, prapëseprapë ai është i gatshëm ta etiketojë atë sikur një fakt i tillë të ishte i sigurtë. Nuk ka asnjë jutifikim për një pakujdesi të tillë.
Por, unë këtu shoh edhe një mospërputhje tjetër. Nuk kam patur rastin të lexoj librin e G.Caton Thompson të vitit 1944, por kam lexuar një traktat të vitit 1945 të kolegut të saj arkeolog Carleton S. Coon, me titull Southern Arabia, A Problem for the Future (Arabia Jugore, një problem për të ardhmen). Morey është në dijeni të këtij traktati, sepse e ka cituar disa herë.
Mospërputhja këtu qendron në faktin që ajo që Morey kërkon prej nesh që të gjejmë në librin e Thompson, hidhet poshtë në traktatin e Coon! Morey na paraqet figurën e një idhulli me tipare dukshëm femërore dhe pretendon që ky mund të jetë vetë perëndia e hënës, që është zbuluar nga Coon dhe Thompson dhe që është përmendur më pas në librin e Thompson.
Në traktatin e Coon thuhet se nuk është zbuluar një gjë e tillë! Në lidhje me tri hyjnitë yjore të Arabisë së Jugut, Diellin, Hënën dhe yllin Afërdita, Coon shkruan:
Nuk gjetëm imazhe të gdhendura të këtyre tri hyjnive. Kjo i detyrohet ligjit të rreptë semit kundër gdhendjes së imazheve që ekzistonte në lidhje me vetë hyjnitë. Imazhet që zbuluam ishin figura njerëzish.(Coon, fq.399).
Pra, sipas Coon, ata nuk kanë zbuluar imazhe perëndish, por vetëm figura të gdhendura njerëzish. Pastaj, Morey na paraqet një imazh të gdhendur të një gruaje dhe na thotë ky mund të jetë vetë përendia e hënës. (Morey, fq.10).
Atëherë, njëri nga të dy e ka gabim. Dhe nuk mendoj që ky është Coon. Ai ishte i pranishëm kur, bashkë me Thompson bënë këto zbulime të mahnitshme, prandaj duhet ta dijë më mirë se çfarë ka zbuluar.
Unë nuk e di qendrimin e Thompson, sepse, siç thashë, nuk e kam lexuar librin e saj, por nuk besoj që ajo të ketë shkruar diçka në librin e saj dhe që pastaj, një vit më vonë, kolegu i saj të shkruajë diçka që bie në kundërshtim me të.
Apo ndoshta Morey nuk dëshiron të nënkuptojë që ose Coon, ose Thompson e kanë pretenduar një gjë të tillë. Mbase janë vetëm fjalët që ai ka përdorur ato që ngatërrojnë dhe jo qëllimi i tij. Pasi thotë se ky idhull mund të ketë qenë vetë pernëndia e hënës, Morey shprehet:
Kjo u vërtetua më vonë nga arkeologë të mirënjohur. (Morey, fq.10).
Nëse “u vërtetua” këtu nuk e ka këtë kuptim, atëherë Morey duhet të kishte përdorur fjalë të tjera, në mënyrë që të shprehë atë që do.
Megjithatë, ajo që ka rëndësi dhe për këtë i besoj, është referenca që ai përmend në një shënim në fund të faqes në lidhje me tre nga këta “arkeologë të mirënjohur”. Për momentin, nuk më shqetëson fakti nëse ata janë apo jo “të mirënjohur”, por më intereson të di se çfarë kanë thënë më saktësisht në lidhje me këtë idhull. Një citim të drejtpërdrejtë, të lutem! Ka filluar të më hyjë në qejf verifikimi i citimeve të tilla.
Më duket vërtet interesant fakti që, kur Morey i referohet idhullit më vonë, ai thotë:
Tani kemi idhujt e vërtetë të perëndisë së hënës… (Morey, fq.14).
Tani na u shumëzuan: nuk kemi më një idhull por “idhuj”. Vërtet që Morey nuk kënaqet kurrë me ekzagjerimet e tij
Zhgënjime optike:
Më sipër thashë që Morey ka marrë mundimin të paraqesë pesë ilustrime që të vërtetojë që perëndia e hënës adhurohej kudo jashtë Arabisë. Megjithëse këto ilustrime janë krejtësisht të panevojshme për çështjen e perëndisë së hënës në Arabi, më intereson të tregoj se si ilustrimet e Morey-t nuk janë gjithmonë ato që trumbetohen!
I referohem faqes 3 të librit të Morey-t. Në këtë faqe janë paraqitur dy ilustrime. Pata mundësinë të gjej një ilustrim të ngjashëm me të parin dhe një kopje identike të të dytit në një libër me titull The Ancient Near East: A New Anthology of Texts and Pictures (Lindja e Afërme në lashtësi: Një antologji e re tekstesh dhe figurash), botuar nga James B. Pritchard, 1975, Princeton University Press.
Morey lë të kuptohet që këta janë ilustrime të perëndisë së hënës. Megjithatë, Pritchard dhe grupi i tij i studiuesve mendojnë ndryshe. Ai që i ngjan ilustrimit të parë është i kataloguar me numrin 140 në vëllimin 1 të Pritchard. Por këtu, ai nuk është një perëndi e hënës, por një perëndi e stuhisë.
Ilustrimi i dytë është i kataloguar me numër 136 në vëllimin 1 të Pritchard. Por as ky nuk është nje perëndi e hënës, por është “Baal i Vetëtimës”.
Pra dy nga pesë. Për të disatën herë, ajo që jam në gjendje të verifikoj del se është e rreme. Faji im apo i Morey-t?
Apo i Pritchard? S’e besoj. Një kopje identike e ilustrimit të dytë gjendet edhe në librin The Bible As History in Pictures (Bibla si histori me figura) fq. 206 dhe këtu ai identifikohet si Baal i vetëtimës.
Në faqen 118 të librit Tells, Tombs and Treasure, gjendet një kopje identike me të. Dhe këtu quhet Baal i Stuhisë.
Në librin Archaeology of The Bible (Arkeologjia e Biblës) paraqitet një kopje identike në faqen 80, që aty quhet me emrin Perëndia e Stuhisë, Baal. Morey është i vetëm kundër të gjithë studiesve dhe kundër të gjithë fakteve.
Si quhej perëndia-hënë?:
Morey ia ka dalë mbanë të vërtetojë që adhurimi i hënës mbizotëronte në Arabinë Jugore para Islamit. Por, cili ishte emri i perëndisë së hënës?
Morey përpiqet të na bëjë të besojmë se ky emër është Allah. Dhe ky është dhe qëllimi i të gjithë libërthit të tij. Kjo shihet qartë edhe në titullin që i ka vënë dhe ai nuk resht së përsërituri këtë gjë në çdo faqe të këtij libri. E megjithatë, nuk jep asnjë dëshmi apo provë për të vërtetuar lidhjen mes Allahut dhe perëndisë së hënës.
Përkundrazi, faktet që ai paraqet tregojnë se emri i perëndisë së hënës nuk ishte Allah. Në faqen 9, Morey flet mbi zbulimet që kanë bërë Coon dhe Thompson në Arabinë Jugore, ku ata kanë zbuluar një tempull të perëndisë së hënës. Çfarë kanë zbuluar? Morey shkruan:
Në këtë tempull u zbuluan simbolet e gjysëmhënës dhe jo më pak se njëzet e një mbishkrime me emrin Sin (shih Diagram #5); (Morey, fq.9).
Atëherë, cili ishte emri i perëndisë së hënës? Allah? Jo! Sipas vetë fjalëve të Morey-t ishte Sin. Por kjo nuk e pengon atë që, dy paragrafë më poshtë, të pretendojë që perëndia e hënës ishte Allahu.
Por ai sajon një taktikë të mençur për të dredhuar. Tani, ai pretendon që:
….ndërkohë që emri i përveçëm i perëndisë së hënës ishte Sin, emri i përgjithshëm i tij ishte el-ilah, d.m.th. “hyjnia”… (Morey, fq.19).
Punë e paqme! Tani, el-ilah për të cilën ai thotë se më vonë u bë Allah (fq.11) nuk është më një emër i përveçëm, por emër i përgjithshëm. Morey vërtet që është mjeshtër i fjalës.
A e tërheq Morey atë që ka shkruar në librin e tij The Islamic Invasion (Pushtimi islam)? Në atë libër, të botuar vetëm dy vjet më parë, ai e konsideron vazhdimisht emrin Allah si emër të përveçëm. Në faqen 48 ai citon nga Hastings Encyclopedia of Religion and Ethics që “Allah” është një emër i përveçëm.
Pastaj, në të njëjtën faqe, ai citon nga Encyclopedia of Religion që:
“Allah” është një emër i peridhës para Islamit (Morey, Invasion (Pushtim), fq.48).
Pastaj, me fjalët e veta, Morey thotë:
Allah ishte një emër pagan [Morey, Invasion (Pushtim), fq.48].
Mund të vazhdonim pambarimisht, por thelbi është i qartë. Në librin The Islamic Invasion (Pushtimi islam) Morey citon shumë autorë, të cilët, më të drejtë, kanë thënë që “Allah” ishte emri i Zotit të Lartë të arabëve paganë. Por, në kundërshtim me atë që thonë autorët, të cilët ai i ka cituar në mënyrë mashtruese, Morey ngul këmbë që “Allah” ishte emri i perëndisë së hënës. Gjithsesi, në këtë libër të tijin, “Allah” ishte një emër i përveçëm.
Tani, në librin e tij të dy vjetëve më vonë, ai ndryshon plotësisht qendrim. Nuk ka asgjë të keqe nëse mëson diçka më shumë dhe, nëse Morey ka zbuluar të dhëna të reja, nuk ka asgjë të keqe nëse e pranon gabimin e mëparshëm dhe ne do të vazhdonim pa bërë shumë komente.
Por, problemi nuk qendron në faktin që Morey e kishte gabim kur thoshte se “Allah” është një emër i përveçëm. Ai gabon kur thotë që Allahu ishte perëndia e hënës. Fatkeqësia e Morey-t është që zbulimet arkeologjike, në të cilat ai mbështetet për të vërtetuar adhurimin e hënës në Arabinë Jugore, tregojnë që emri i perëndisë së hënës nuk ishte Allah, por Sin. Tani ai bie në grackë. Për t’i shpëtuar kësaj gracke, ai pretendon se “Allah” është një titull. Dhe, sigurisht, nuk jep asnjë dëshmi për të vërtetuar këtë pretendim.
Megjithatë, në librin e mëparshëm, ai shprehet qartë që “Allah” ishte një emër i përveçëm dhe jo i përgjithshëm. Në atë libër, ai shkruan:
Emri Allah përdorej si emër i përveçëm i perëndisë së hënës, përveç emrave të tjerë të përgjithshëm, me të cilat mund të jenë quajtur. (The Islamic Invasion, fq.50).
Besoj se e ka thënë Mark Twain:
Flisni gjithmonë të vërtetën, në mënyrë që të mos ju duhet të mbani mend.
Atëherë, cili ishte emri i perëndisë së hënës? Sipas Coon:
Perëndia kryesore e mineasve ishte Wadd, ai i katabanianëve ishte Amm, ai i hadramëve ishte Sin dhe ai i sabejve ishte Il Mukah. Të gjitha këta ishin hëna. (Coon, fq.399).
Emrat e perëndisë së hënës ishin Wadd, ‘Amm, Sin, dhe Il Mukah. “Allah” nuk ka qenë kurrë perëndia e hënës, pavarësisht nga këmbëngulja e dëshpëruar e Morey-t.
Dëshmi të fshehura:
Morey flet për shumë zbulime arkeologjike që janë bërë në Arabinë Jugore në Kataban, Timna dhe Marib. Kështu ai flet për:
mijëra mbishkrime sabease, minease dhe katabaniane që u përkthyen më vonë. (Morey, fq.7).
Ou! Vetëm se unë vura re që ai nuk ka marrë mundimin të citojë ndonjë nga këto mbishkrime apo të na thotë përmbajtjen e tyre. Përkundrazi, ai nxiton të përshkruajë zbulimet në zona të tjera. Hmm. Kjo nuk është tipike për Morey-n. Jam i sigurtë që po të kishte ndonjë provë bindëse, ai nuk do humbiste rastin për ta përmendur. Përse është kaq i heshur kur është puna për mbishkrimet e përkthyera?
Një arsye e mundshme është që Morey ka dëgjuar për to, por nuk ua di përmbajtjen. Një tjetër arsye e mundshme është që përmbajtja e tyre nuk i ka ardhur për shtat. Parapëlqej të bësoj arsyen e parë, por, gjithsesi, këto zbulime nuk i leverdisin Morey-t, sepse nuk çojnë ujë në burim të teorisë së tij mbi perëndinë e hënës në Islam.
Mbishkrimet e përkthyera janë përmbledhur në librin që cituam më lart: The Ancient Near East, vol.2, të James Pritchard. Këto mbishkrime tregojnë që perëndia e hënës nuk ishte Allahu, por Anbay, ‘Amm, ‘lyn, dhe Waddum.
Mbishkrimet sabease të gjetura në Mareb tregojnë që ata adhuronin perënditë Attar dhe Waddum (shih Pritchard, vol.2, f.230).
Në mbishkrimet minease përmenden Wadd, Waddum dhe Attar. Megjithëse perëndia e tyre hënore ishte Waddum, ata i ofronin sakrifica edhe perëndisë Attar (Pritchard, vol.2, f.235).
Siç mësuam edhe në librin e Morey-t, tregojnë që emri i perëndisë së hënës në atë zonë ishte Sin. Këtë e përforcon edhe përmbledhja e mbishkrimeve nga Pritchard. Sin ishte perëndia hënore kryesore hadramite (Pritchard, vol.2, fq.238).
Megjithatë, këtu bie një rreze drite mbi identitetin e perëndisë Attar, për të cilin flitet në mbishkrimet sabease dhe minease. Në një nga mbishkrimet e kësaj përmbledhjeje lexojmë:
…Sin-it dhe Attar-it, të atit. (Pritchard, vol.2, fq.238).
Çfarë zbulimi! Kjo tregon që perëndia e hënës Sin kishte një baba, perëndinë Attar. Pra, për këta njerëz, perëndia e hënës nuk ishte zoti i lartë.
Kjo, përsëri kthehet kundër Morey-t. Morey nuk resht së thëni që perëndia e hënës ishte zoti i lartë për paganët. Tani dimë, se, jo vetëm që emri i tij është i ndryshëm nga Allahu, Zoti i Lartë, por edhe që ky perëndi kishte një atë. Sigurisht që nuk ka ekzistuar kurrë besimi që Allahu kishte një baba.
Në një mbishkrim katabanian të zbuluar në Timna, përmendet perëndia Anbay (Pritchard, vol.2, fq.238). Dhe ky Anbay ishte perëndia e hënës Anbay (Pritchard vol.2, fq.236). Aty përmendet edhe një tjetër perëndi, Amm. (fq.237).
Nga një mbishkrim katabanian i gdhendur në gur mësojmë gjëra interesante. Në të përmendet emri i një perëndie që nuk njihej më parë dhe që emri i të cilit është shkruar lyn, vetëm me bashkëtingëllore. Cilat zanore do ta plotësonin këtë emër? Pritchard dhe grupi i tij mendojnë se lyn:
mund të krahasohet grafikisht me epitetonin hyjnor në Dhjatën e Vjetër, ‘elyon (‘lywn; p.sh. në Dt 32:8); (Pritchard, vol.2, fq.239).
Pra edhe këtu adhurohej Zoti i Biblës. A do ta vinte në dukje Morey një gjë të tillë?
Kthehemi tek thelbi i çështjes:
E kam ndjerë për detyrë të merrem më hollësisht me argumentimin e Morey-t për të zbuluar mashtrimet e tij për arsye se shkrimet dhe fjalimet e tij kanë devijuar shumë njerëz. Por, në fund të fundit, teoria e tij është vërtet shumë qesharake.
Edhe po të kishte qenë në gjendje të vërtetojë që arabo-veriorët në Mekë adhuronin perëndinë e hënës dhe, edhe po të kishte qenë në gjendje të tregojë që ata e quanin perëndinë e hënës me emrin Allah, prapë, kjo nuk vërteton që Allahu në Islam është një perëndi e hënës. Për ta vërtetuar apo për ta hedhur poshtë këtë tezë, ai duhet të paraqesë atë që Kur’ani thotë në lidhje me adhurimin e hënës.
Megjithatë, Kur’ani e mohon qartë adhurimin e hënës. Në të thuhet:
Mos adhuroni as diellin e as hënën. Adhuroni vetëm Allahun, i cili i krijoi ato… (Kur’an 41:37).
Por, Morey-t nuk i leverdis që t’u bëjë të ditur lexuesve atë që thuhet në Kur’an. Në librin e tij Islamic Invasion (Pushtimi islam), Morey bën një përshkrim të sabejve dhe fesë së tyre. Ai thotë:
Sabejtë kishin një fe yjore, në të cilën ata adhuronin trupa qiellorë. Hëna konsiderohej një hyjni mashkullore, ndërsa dielli një hyjni femërore. Bashkë, ata krijonin hyjni të tjera që ishin yje. Kur’ani flet për këtë në suren 41:37 dhe gjetkë (Morey, Islamic Invasion, fq.42).
Morey përmend suren 41:37 nga Kur’ani, por nuk tregon se çfarë thuhet në këtë ajet. Por unë e kam cituar më lart këtë ajet për të treguar atë që Morey kërkon të fshehë. Po t’u tregonte lexuesve se çfarë thotë ky ajet, mashtrimi i tij do dilte në shesh.
Ai nuk thotë as që në atë ajet kur’anor ndalohet adhurimi i diellit dhe i hënës. Por vetëm thotë që Kur’ani flet për këtë dhe gjetkë. Nëse lexuesit e tij do të kuptojnë nga kjo që Kur’ani e pranon adhurimin e diellit dhe hënës, atëherë Morey ia ka arritur qëllimit të tij.
Morey duhet ta dijë që, si studiues, ai ka detyrën akademike që t’i përdorë burimet e e tij në mënyrë të ndershme. Gjithashtu, ai duhet të ketë parasysh që, si i krishterë, ai është i detyruar të flasë gjithmonë të vërtetën.
Budallallëku i Morey-t:
Morey mendon që, nëse vërteton që arabët paganë në kohën e Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të) adhuronin perëndinë e hënës dhe e quanin Allah, atëherë ai ka vërtetuar edhe që:
Islami nuk është gjë tjetër veçse ringjallje e kultit të lashtë të Perëndisë-hënë. (Morey, fq.15).
Mbase mund ta shpëtojmë nga çmenduria e tij, duke I kujtuar atë që ka pohuar. Në faqet 10-11 të librit të tij, ai shkruan që el-ilah do të thotë”perëndia.” Epo, në këtë rast, kur një mesazh prej Zotit i zbret një populli, si duhet ta quajnë ata Zotin e vërtetë? Jo-perëndia? Por ata nuk do t’I drejtohen më idhujve të tyre paganë, megjithëse do vazhdojnë të përdorin një njëjtin emër që ka kuptimin “perëndi”.
E nëse edhe pas kësaj Morey vazhdon të mos e kuptojë këtë, mund t’i rikujtojmë faktin që në Dhjatën e Vjetër, për zotin përdoret emri babilonas dhe kanaanit “El”. Pavarësisht nga kjo, ne nuk e akuzojmë Dhjatën e Vjetër për idhujtari. Atëherë përse Morey kërkon të poshtërojë Kur’anin në këtë mënyrë?
Gjithashtu, mund t’i rikujtonin Dhjatën e Re. Aty, Zoti quhet me emrin ho theos. A e di Morey faktin që adhuruesit e Jupiterit i drejtoheshin këtij me emrin ho theos? Nëse po, a do të thoshte Morey që Dhjata e Re ka ringjallur kultin e Jupiterit?
Ose, mund t’i lexojmë Veprat, kapitulli 17. Athina ishte një qendër e madhe idhujtarie, por, përveç idhujve të ndryshëm, njerëzit adhuronin edhe “zotin e panjohur”. Kur Palit iu dha mundësia t’u drejtohej atyre, ai foli kështu:
“O burra athinas, unë shoh se në të gjitha gjërat ju jeni shumë fetarë. Sepse, duke ecur e duke vënë re objektet e kultit tuaj, gjeta edhe një altar mbi të cilin është shkruar: “PERËNDISË SË PANJOHUR”. Atë, pra, që ju adhuroni pa e njohur unë po jua shpall” (Veprat 17:22-23).
A do ta komentonte Morey veprimin e Palit? Ajo që Pali bëri është kjo: ai vuri re një altar kushtuar një zoti të panjohur dhe kuptoi që, përveç idhujve të tjerë, ata adhuronin edhe Zotin e vërtetë. Megjithatë, problemi i tyre ishte që ata nuk e njihnin sa duhet Zotin e vërtetë dhe Pali mori përsipër ta ndreqë këtë me anë të fjalimi të tij.
Në mënyrë të ngjashme, arabët paganë adhuronin 360 idhuj, por ata adhuronin edhe Zotin e vërtetë. Problemi i tyre qendronte në faktin që ata nuk dinin shumë mbi Zotin e vërtetë. Prandaj, Zoti dërgoi Profetin e Tij Muhammed (paqja qoftë mbi të) për ta ndrequr këtë me udhëzimet dhe këshillat e tij.
Mesazhi i Palit drejtuar athinasve dhe ai i Muhammedit drejtuar arabëve nuk ishte që ata ta harronin zotin e padukshëm në të cilin ata besonin. Mesazhi i tyre ishte që ata duhet të kishin dije të sakta rreth Tij.
Një mënyrë tjetër është që të diskutojmë mbi këtë çështje duke përdorur argumentin për të cilin Morey duket se ka “të drejtën e autorit” dhe të paraqesim faktet e mëposhtme e pastaj të nxjerrim një përfundim. Kjo do të vërë në dukje absurditetin e teorisë së Morey-t mbi perëndinë e hënës në Islam.
Fakti #1:
Morey na ka bindur tashmë që adhurimi i hënës mbizotëronte në zonën biblike të Hazor-it, në Palestinë dhe zbulimet arkeologjike e vërtetojnë këtë fakt
Fakti #2:
Sipas Coon, të cilin Morey e citon, emri i perëndisë së hënës korrespondon me emrin El.
Fakti #3:
Në Bibël thuhet që El krijoi qiejt dhe tokën.
Përfundim nga faktet e mësipërme:
Morey duhet të bjerë në përfundimin që Bibla na mëson që të adhurojmë hënën.
Sigurisht, Morey do ta hidhte poshtë një përfundim të tillë, sepse Bibla e mohon adhurimin e hënës. Epo atëherë edhe unë e hedh poshtë përfundimin e Morey-t, sipas të cilit Islami këshillon adhurimin e hënës. Pse? Sepse Kur’ani e dënon adhurimin e hënës në ajetin që Morey u përpoq ta fshihte.
Në këtë ajet thuhet:
Mos adhuroni as diellin e as hënën. Adhuroni vetëm Allahun, i cili i krijoi ato… (Kur’an 41:37).
Gjysëmhëna në Islam:
Në faqen 14, Morey shtron disa pyetje, me qëllim që të nxisë një mendim të caktuar në mendjet e lexuesve të tij. Ai pyet:
Pra, nuk është çudi që simboli i Islamit është gjysëmhëna. Që mbi majat e xhamive dhe minareve të tyre gjendet një gjysëmhënë. Që në flamujt e vendeve islamike gjendet një gjysëmhënë. Që muslimanët agjërojnë gjatë muajit që fillon dhe mbaron me shfaqjen e gjysëmhënës në qiell. (Morey, fq.14).
Sigurisht, Morey nuk e shpreh haptazi përfundimin e tij në lidhje me këto fakte. Ai do që lexuesit e tij të nxjerrin përfundimin që këto fakte vërtetojnë se muslimanët adhurojnë perëndinë e hënës. Por Morey nuk e shpreh përfundimin e tij për arsye se ai nuk rrjedh nga këto fakte.
Fakti që simboli i Islamit është gjysëmhëna nuk nënkupton që muslimanët adhurojnë hënën. Gjëja e fundit që mund t’i shkojë ndër mend një muslimani është të adhurojë diçka apo dikë tjetër përveç Zotit. Një gjë e tillë do përbën gjynahun e shirk-ut, që nënkupton adhurimin e diçkaje apo dikujt tjetër përveç Zotit – një gjynah i pafalshëm ky, përveçse me pendim të sinqertë.
Jo, simboli i një feje nuk është domosdoshmërisht objekti i adhurimit të saj. Simboli i Daoizmit është simboli jin-jang, por daoistët nuk e adhurojnë atë. As muslimanët nuk e adhurojnë gjysëmhënën, ashtu si të krishterët e parë nuk adhuronin simbolin e tyre, peshkun. Dhe shumë nga të krishterët e sotëm nuk e adhurojnë kryqin, megjithëse e paraqesin kudo.
Një tjetër çështje është mënyra se si është kthyer gjysëmhëna në sibolin e Islamit. Në Kur’an dhe hadith, gjysëmhënës nuk është i dhënë një rëndësi kaq e madhe. Do të ishte mirë sikur Morey t’i nxiste muslimanët që t’i ktheheshin praktikave të periudhës ideale të Islamit, domethënë tre brezave të parë të muslimanëve, atëherë kur një simbol i tillë nuk përdorej për të identifikuar fenë e Zotit. Por, të nxjerrësh nga një fakt i tillë një konkluzion që nuk është rrjedhojë e tij, do të thotë të kapërcesh kufijtë e së vërtetës.
Vetë Morey nuk e bën këtë gabim, por libërthi i tij u bë shkak që Jack T. Chick ta bëjë një gabim të tillë. Nëse ky ishte qëllimi i Morey-t, vetëm ai dhe Zoti e dinë. Edhe se cili është pozicioni i Chick në këtë rast i takon vetëm Zotit ta vendosë. Jack Chick ka shkruar një libër të vogël me titull Allâh Had No Son (Allahu nuk kishte bir) ku ai përshkruan disa muslimanë që përkulen në dyshemenë e xhamisë, duke adhuruar “perëndinë e hënës”. (Jack T. Chick, Allâh Had No Son; U.S.Chick Publications, 1994; fq.1).
Megjithatë, Morey përmend faktin që muslimanët shfrytëzojnë shfaqjen e hënës së re në qiell për të përcaktuar fillimin dhe përfundimin e muajit të tyre të agjërimit. Dhe është një gabim i rëndë që ky fakt të lidhet me adhurimin e hënës. Shumë popuj i llogarisin punët e tyre bazuar në kalendarin diellor. Por kjo nuk do të thotë që ata adhurojnë diellin, apo jo?
Hebrejtë dhe muslimanët i llogarisin datat e festave dhe riteve të tyre fetare sipas kalendarit hënor. Atëherë, përse Morey nuk i quan hebrejtë adhurues të hënës?
Shënim: Pasi kisha shkruar sa më sipër, duke justifikuar Morey-n për gabimin e Chick, më ra në dorë një fletushkë në të cilën thuhej se gjysëmhëna është zoti i muslimanëve. Në fletushkë nuk përmendet autori i saj, por shkruhet se është botuar nga Research and Education Foundation, drejtor i të cilit është pikërisht Robert Morey.
Pëgjigje ndaj pyetjes:
I njohuri i krishterë, së bashku me një kopje të libërthit të Morey-t më dërgoi edhe pesë pyetje mbi këtë temë. Dhe unë do përpiqem t’i jap përgjigje më poshtë:
Pyetje1:
Cili është kuptimi i gjysëmhënës në Islam?
Përgjigje:
Kur’ani i është përgjigjur kësaj pyetjeje para se ju ta bënit. Lexoni këtë ajet:
Të pyesin ty për hënën e re (fazat e saj). Thuaj: Ato janë përcaktime të kohës për njerëz dhe për haxh… (Kur’an 2:189).
Pyetje 2:
Përse Islami ndjek kalendarin hënor?
Përgjigje:
Si në Bibël, ashtu edhe në Kur’an, festat fetare llogariten sipas kalendarit hënor. Hebrejtë dhe muslimanët i janë përmbajtur këtyre rregullave me besimin se janë prej Zotit. Përse në Krishtërim përdoret kalendari diellor?
Pyetje 3:
Përse fillimi i festës (feast) së Ramazanit shënohet me shfaqjen e gjysëmhënës?
Përgjigje:
Besoj se doni të thoni agjërimi (fast) i Ramazanit. Zoti i ka urdhëruar muslimanët në Kur’an që të agjërojnë nga agimi deri në perëndim gjatë muajit të quajtur Ramazan (shih Kur’an 2:185, 187). Sipas udhëzimeve të të Dërguarit të Zotit, paqja qoftë mbi të, fillimi dhe fundi i muajit përcaktohet nga hëna e re (2:189).
Përse kjo metodë dhe jo një tjetër nuk na takon ne të gjejmë arsyen, por është Zoti ai që e ka urdhëruar nëpërmjet të Dërguarit të Tij. Megjithatë, mua më duhet një metodë efikase. Është një metodë që përdoret gjerësisht dhe bën të mundur që muaji i Ramazanit të qëllojë në çdo stinë. Kjo u jep mundësinë besimtarëve që të kenë kënaqësinë e adhurimit të Zotit në stinë të ndryshme: një vit në verë, disa vjet më vonë në dimër.
Pyetje 4:
Përse Kur’ani i vë sabejtë në të njëjtin nivel me hebrejtë dhe të krishterët, kur studiuesit kanë vërtetuar qartë se tek sabejtë mbizotëronte kulti i hënës?
Përgjigje:
Nuk mendoj se Kur’ani i ka vendosur sabejtë në të njëjtin nivel me hebrejtë dhe të krishterët. Mbase, kur e thoni këtë keni parasysh ajetin:
Vërtet, ata që besuan, ata që ishin jehudi, të krishterë dhe sabejtë (kishin braktisur fenë dhe adhuronin engjëjt), kush besoi prej tyre sinqerisht Allahun dhe botën tjetër dhe bëri vepra të mira, ata e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ata nuk ka frikë dhe as nuk kanë përse të pikëllohen (sepse besuan në Allahun, librat, të dërguarit, në mesin e të cilëve edhe Muhammedi). (Kur’an 2:62; si dhe 5:69).
Megjithatë, ky ajet nuk i vendos sabejtë në një nivel me hebrejtë dhe të krishterët, përveçse në një kontekst të veçantë. Në këtë ajet flitet për katër bashkësi të veçanta dhe u jep të katërtave të njëjtën mundësi për të mos u frikësuar dhe pikëlluar nëse besojnë në Allahun dhe Ditën e Gjykimit dhe nëse kryejnë vepra të mira. Këto katër bashkësi janë:
(a) Besimtarët (d.m.th. muslimanët)
(b) hebrejtë
(c) të krishterët dhe
(d) Sabejtë.
Në këtë ajet u ofrohet të gjithëve e njëjta mundësi për përmirësim, por aty nuk thuhet asgjë rreth vlerës së besimeve ekzistuese të këtyre katër bashkësie. Përndryshe, hebrejtë dhe të krishterët që kritikohen në Kur’an për devijimin e tyre nuk do të vendoseshin në të njëjtëin nivel me besimtarët. Gjithçka bëhet më e qartë nëse kuptojmë që me besimtarët këtu nuk nënkuptohen të shpëtuarit, por ata që i përkasin bashkësisë së muslimanëve. Edhe këta, ashtu si tre grupet e tjerë, për të qenë të shpëtuar, duhet të bëjnë këto: të besojnë tek Allahu, të besojnë në Ditën e Gjykimit dhe të kryejnë vepra të mira. Në veprat e mira, sipas Kur’anit përfshihet edhe zbatimi i mësimeve të Muhammedit.
Pyetje 5:
A e adhuronin mekasit Zotin e vërtetë meqë e njihnin Allahun. Ai ishte Allahu nnjë nga perënditë e Qabes? Nëse po, atëherë nga e njihnin mekasit Allahun dhe si e dinin emrin e tij?
Përgjigje:
Së pari, Allahu nuk ishte një nga 360 idhujt që gjendeshin në Qabe, megjithëse Morey e ka pohuar një gjë të tillë pa paraqitur asnjë dëshmi në mbështetje të kësaj teze. Kur Profeti Muhammed (paqja e Zotit qoftë mbi të) hyri në Mekë fitimtar, ai hyri brenda në Qabe dhe i shkatërroi të gjithë idhujt që gjendeshin aty.
Allahu për arabët ishte Zoti i Qabes. Ai ishte Zoti i padukshëm, të cilit ata i drejtoheshin për ndihmë në vështirësi. Po, ata adhuronin Zotin e vërtetë, por adhurimi i tyre nuk i drejtohej vetëm Atij. Ata adhuronin edhe perëndi të tjera, duke menduar se këta do të ndërmjetësonin mes atyre dhe Zotit të vërtetë, Allahut.
Arabët e njihnin Allahun sepse Abrahami kishte vizituar Mekën dhe, bashkë me djalin e tij, Ismailin, hodhën themelet e Qabes. Pasardhësit e Ismailit ruajtën disa nga ritet e adhurimit dhe besimit nga Abrahami. Këtu përfshihet edhe dija e tyre mbi Zotin e vërtetë, Allahun.
Gjetkë kam argumentuar që zoti i vërtetë El i Biblës është Allahu i Kur’anit. Ju lutem shihni Yahweh, Jehovah, apo Allah-Cili është emri i vërtetë i zotit? nga Shabir Ally.
Veprat e cituara
Asimov, Isaac.Asimovs Guide to the Bible (US, Avon, 1968).
Boyd, Robert T.Tells, Tombs and Treasure (US, Bonanza Books, 1969).
Chick, Jack T.Allâh had No Son (US, Chick Publications, 1994).
Keller, Werner. The Bible As History (US, Hodder and Stoughton, 1980).
Keller, Werner. The Bible As History in Pictures (US, William Morrow and Company, 1964).
Magnusson, Magnus. Archaeology Of The Bible (US, Simon and Schuster, 1977).
Morey, Robert. The Islamic Invasion (US, Harvest House, 1992).
Morey, Robert. The Moon-God Allâh in The Archaeology of the Middle East (Newport, PA., Research & Education Foundation, 1994).
Schonfield, Hugh J.The Passover Plot (US, Bantam, 1965).
St.Clair-Tisdall, W.The Sources of Islam (Scotland, T & T.Clark, no date).
The New American Bible (US, Catholic Book Publishing Co., 1986).
Shtojcë
Taktikat mashtruese të Robert Morey
Përdorimi i citimeve të rreme dhe taktika të tjera mashtruese për të vërtetuar që Allahu është një perëndi e hënës. Përshtatur nga libri Common Questions People Ask About Islam (Pyetje të zakonshme që njerëzit bëjnë mbi Islamin) nga Shabir Ally
Pyetje7
Në librin e tij, dr. Robert Morey vërteton që Allah është emri i perëndisë së hënës që adhurohej në Arabi para ardhjes së Islamit. A ka të drejtë ai?
Përgjigje
Libri të cilit i referoheni titullohet The Islamic Invasion: Confronting the World’s Fastest Growing Religion (Pushtimi islam: Përballja me fenë me rritje më të shpejtë në të gjithë botën). Autori, dr. Robert Morey, e sheh Islamin si një mësymje në Amerikën Veriore dhe si një kërcënim ndaj trashëgimisë së tij fetare. Për fat të keq, në luftën e tij ndaj Islamit, dr.Morey ka përdorur taktika të pandershme. Për të vërtetuar argumentin e tij, sipas të cilit Allahu nuk është Zoti i të krishterëve dhe hebrejve, ai ka cituar nga shumë libra në një mënyrë të tillë të pandershme që citimet të shprehin pikërisht të kundërtën e asaj që kanë dashur të thonë autorët e këtyre librave.
Dr. Morey ka cituar pjesa nga Encyclopedia Britannica në mbështetje të çështjes që kërkon të mbrojë. Por, në të vërtetë, në Encyclopedia thuhet:
“Allah” është fjala standard në gjuhën arabe për “Zotin” dhe përdoret si nga besimtarët muslimanë, ashtu edhe nga ata të krishterë.(Britannica, 1990 Edition, vol.1, f.276).
Për të vërtetuar çështjen e vet, Dr. Morey citon gjithashtu edhe nga H A R Gibb. Por, në të vërtetë, Gibb thotë të kundërtën. Në librin e tij Mohammedanism (Muhamedanizmi), në faqen 26, Gibb thotë se, si Muhammedi, ashtu edhe kundërshtarët e tij besonin në Zotin e plotfuqishëm, Allahun. Gibb e shpjegon këtë më hollësisht në faqet 37-38. Dhe dr. Morey duhet të kishte qenë më i vemendshëm në referencat e tij para se ta dërgonte librin për botim.
Dr. Morey thotë se Alfred Guillaume është i një mendimi me të dhe i referohet faqes 7 të librit të Alfred Guillaume, me titull “Islami”. Por, në të vërtetë, në faqen 7 të librit të tij, Alfred Guillaume thotë këtë:
Në Arabi, në burimet e krishtera dhe hebraike Allahu njihej si i vetmi Zot dhe nuk ka asnjë dyshim që Ai njihej nga arabët paganë të Mekës si qenia superiore.
Si mund të gabonte dr.Morey në citimin e këtij fragmenti?
Dr. Morey ka cituar nga faqja 28 e një libri të një tjetër autori jo-musliman, Caesar Farah. Por, kur i referohemi këtij libri, zbulojmë që dr. Morey ka paraqitur vetëm një citim të pjesshëm, nga i cili lë jashtë thelbin e asaj që ka dashur të thotë autori. Në këtë libër, realisht thuhet se Zoti, që quhej Il nga babilonasit dhe El nga izraelitët, në Arabi quhej ilah, el-ilah dhe nganjëherë edhe Allah. Më tej, në faqen 13, Farah thotë që, edhe para Islamit, paganët besonin në Allahun si hyjninë supreme. Sigurisht, ata adhuronin 360 idhuj, por, në kundërshtim me atë që thotë Morey, “Allah” nuk ka qenë kurrë një nga këta 360 idhuj. Siç e thekson edhe vetë Caesar Farah në faqen 56, Profeti Muhammed, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, i ka shkatërruar idhujt me dorën e vet.
Dr. Morey ka cituar, gjithashtu edhe nga William Montgomery Watt. Por, në faqen 26 të librit të tij, Watt thotë që fjala arabe Allah është e ngjashme me fjalën greke ho theos, me të cilën, siç e dimë quhet Zoti në Dhjatën e Re.
Dr.Morey ka shfrytëzuar citate nga libri i Kenneth Cragg me titull The Call of the Minaret (Thirrja e Minares). Megjithatë, në faqen 36 të librit të Kenneth Cragg lexojmë sa më poshtë:
Meqenëse si të krishterët, ashtu edhe muslimanët besojnë në Një Krijues Suprem – Zotin, është e qartë që kur flasin për Atë, çfarëdo termash që të përdorin, ata i referohen të njëjtës Qenie.
Më tej, në të njëjtën faqe, Cragg shpjegon që Ai të cilin muslimanët e quajnë Allah është i Njëjti me Atë që të krishterët e quajnë “Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht”, megjithëse të dy besimet e kuptojnë Atë në mënyra të ndryshme.
Dr. Morey duhet ta dijë se, si studiues, ai ka detyrimin akademik që të citojë në mënyrë të ndershme. Ai duhet të dijë, gjithashtu, që si ithtar i Jezusit, paqja qoftë mbi të, është i detyruar të flasë gjithmonë të vërtetën.
Tags: monoteizmi islam, Paganizmi arab, Perendia Hene, Robert Morey Last modified: 16/10/2014