Ne dhe ju: le të puqemi në dashurinë për Zotin
Sejjid Hossein Nasr
“Dashuri për Zotin, Dashuri për Fqinjin” Konferenca e Parë e Forumit Katoliko-Musliman, Vatikan 4 – 6 Nëntor 2008

Bismi’l-Lahi’r-Rahmani’r-Rahim

Në Emër të Zotit, të Gjithmëshirshmit, Plotmëshiruesit dhe bekime e paqe pastë mbi Profetin Muhammed dhe të gjithë profetët dhe të dërguarit.

Shenjtëria Juaj, Eminenca, Shkëlqesi, Dijetarë të Shquar:

Nga Fjala e Zotit, që për ne muslimanët është Kur’ani Fisnik, pohohet {Dhe Zoti thërret për te Vendi i Paqes} dhe nga Krishti (paqe pastë mbi të), i cili është Fjala e Zotit në Krishtërim e profet i rendit më të lartë në Islam, “Të bekuar janë paqbërësit”. Synimi i arritjes së paqes, kësisoj, është i përbashkët mes dy feve tona dhe jemi këtu pikërisht me shpresën e arritjes së paqes ndërmjet Krishtërimit e Islamit. Vërtet, ç’mund të jetë më e rëndësishme dhe themelvënëse in kërkimin e paqes sesa krijimi i paqes mes feve tona – pasi vetëm nëpërmjet kësaj paqeje do mund të vendoset paqe mes popujve e kombeve, më konkretisht botës islame dhe Perëndimit. Qofshim të krishterë apo muslimanë, sinjalizohemi nga fetë tona të synojmë paqen. Si njerëz të fesë që takohen këtu në qendrën e katolicizmit atëherë, le t’i kushtohemi mirëkuptimit të ndërsjelltë, jo si diplomatë, por si dijetarë dhe autoritete fetare të sinqertë përpara Zotit dhe përgjegjës tek Ai përtej çdo autoriteti të kësaj bote.

Si muslimanë, jetët tona janë pikësuar, qysh me agimin e zbulesës kur’anore, nga përsëritja e dëshmisë islame të besimit, La ilahe il-la’Llah (Nuk ka hyjni veç Zotit), Zotit Një të shpallur edhe në Shema të Teuratit, të cilin të dyja fetë tona e pranojnë si shkrim të shpallur, ngase ne dhe ju jemi që të dy anëtarë të familjes së monoteizmit abrahamik. Jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm se për afro dy mijëvjeçarë, të krishterët katolikë kanë recituar credo in unum Deum. Për ne ashtu si dhe për ju, Zoti është njëherësh transhendent dhe imanent, krijues e mbajtës i botës, alfa dhe omega e ekzistencës – Fuqiploti, Vullneti i të cilit mbizotëron në jetët tona, Dashuruesi, dashuria e të cilit rrok mbarë rendin e krijuar.

Ai është gjithashtu i drejtë, ndaj ne dhe ju etemi për drejtësi në jetët tona individuale dhe shoqërore. Ne dhe ju besojmë në pavdekshmërinë e shpirtit, përmbajtjen etike të veprimeve njerëzore, përgjegjësitë tona përpara Zotit, nga ku burojnë edhe të drejtat tona. Për më tepër, të gjithë besimtarët, të krishterë e muslimanë, besojnë se një ditë do të qëndrojmë përpara Zotit dhe do të gjykohemi prej Tij për veprimet tona këtu poshtë, ndërsa të dy gjithashtu lusim Mëshirën e Tij. Ne dhe ju besojmë në realitetin e shenjtërisë dhe historitë tona dëshmojnë për jetët e shenjtorëve, që muslimanët i quajnë miq të Zotit (eulijā’), burra dhe gra që kanë kundërmuar aromën e Afrisë Hyjnore. Ne të dy çmojmë besimin mbi gjithçka tjetër dhe i lutemi Zotit, të sigurtë se Ai na dëgjon.

Kur shohim spektrin e plotë të traditave tona teologjike, vërejmë në to mënyra të ndryshme të të kuptuarit të marrëdhënies ndërmjet besimit e arsyes, çështjes së padepërtueshmërisë së Vullnetit Hyjnor apo njohjes së tij, ose vullnetit të lirë e determinizmit, kuptimit të së keqes dhe shumë çështjeve të tjera teologjike vendimtare.

Spikat fakti se si qëndrimet teologjike në njërën traditë kanë përkuesin e tyre në tjetrën, mutatis mutandis. Të dyja fetë tona kanë krijuar qytetërime madhore, artet dhe shkencat e të cilave janë të ngjyera me praninë e së shenjtës, dhe ne gjithashtu që të dy pohojmë universalitet për mesazhin tonë.

Dhe sigurisht, që të dyja historitë tona janë ndërthurur me periudha dhune, e kur feja ka qenë e fortë në shoqëritë tona, forca të ndryshme politike kanë ushtruar dhunë në emër të saj dhe në raste të caktuara kjo dhunë ka marrë legjitimizim nga autoritetet fetare. Me siguri nuk mund të pretendojmë se dhuna është monopol i vetëm njërës fe.

Me kaq shumë ngjashmëri të thella, përse atëherë kemi patur një histori kaq të gjatë konfrontimi e kundërvënieje? Përgjigjja është se ne sigurisht kemi edhe dallimet tona, të cilat i kanë mbajtur Krishtërimin dhe Islamin të dallueshëm dhe të veçuar. Le të përmendim vetëm disa prej tyre. Ne theksojmë Unitetin Hyjnor dhe kundërshtojmë idenë e një Zoti të trefishtë, ndërsa ju theksoni Trinitetin duke besuar që Zoti është Një. Ne dhe ju kemi reverim për Krishtin, por në mënyra të ndryshme, dhe ne s’e pranojmë rrëfimin kristian për fundin e jetës së tij tokësore. E prapëseprapë, ne muslimanët gjithashtu e pranojmë Krishtin si Mesia (el-Mesīh) dhe presim ardhjen e tij të dytë në fund të historisë së këtij njerëzimi. Ne theksojmë Ligjin Hyjnor (el-Sherī‘ah) si të rrënjosur në shpalljen kur’anore, ndërsa Krishti pohoi ndarjen e tij me Ligjin, në emër të Frymës. Prandaj, të krishterët nuk kanë të njëjtin koncept të Ligjit Hyjnor sikurse çifutët dhe muslimanët. E as nuk kanë të krishterët një gjuhë të shenjtë sikurse Islami, por ata kanë përdorur, dhe disa akoma përdorin, disa gjuhë liturgjike.

Edhe ju edhe ne besojmë në lirinë fetare, por ne nuk lejojmë proselitizim agresiv në mesin tonë, çka do na e shkatërronte besimin në emër të lirisë, ashtu siç nuk do ta lejonin të krishterët po të ishin në vendin tonë. Përballja e Krishtërimit me modernizmin, përfshirë humanizmin sekular dhe racionalizmin që i shoqërohen Epokës së Iluminimit, ka qenë gjithashtu shumë e ndryshme nga përvoja e asaj përballjeje me Islamin. Mbase çdonjëri nga ne mund të mësojë diçka nga tjetri në këtë çështje tejet domethënëse. Ne duhet të bashkohemi në betejën ndaj desakralizimit dhe forcave antifetare në botën moderne, e bashkimi i përpjekjeve do na sillte më pranë njëri tjetrit. Sekularizmi nuk duhet assesi të jetë burim për krijimin e largësisë së mëtejshme midis nesh.

Me ndërgjegje të plotë qoftë rreth bindjeve të përbashkëta, qoftë dallimeve tona, si dhe në dritën e gjendjes së tashme të ndjekësve të feve tona, ne si muslimanë nga vende e shkolla të ndryshme të mendimit islam kemi ardhur këtu së bashku t’ju zgjasim dorën e miqësisë, duke kërkuar t’ju takojmë në dashurinë për Zotin, përtej të gjitha dallimeve teologjike dhe kujtimeve të konfrontimeve historike. Pa dyshim, ne, të cilët e respektojmë dhe e duam Krishtin sikurse ju, mund të piqemi e të bashkohemi me ju nën flamurin e atyre që ai i ka quajtur dy urdhëresat supreme: dashurinë për Zotin dhe dashurinë për fqinjin. Ne mund të synojmë gjithashtu të tejzgjasim, shpesh në harmoni me njëri tjetrin, kufirin e nocionit të fqinjit, për t’ju përfshirë jo vetëm juve, por mbarë njerëzimin, madje edhe përtej kësaj, krejt pjesën tjetër të krijimit të Zotit. Sikurse pohon Bibla e Shenjtë, “Te Zoti, gjithçka është e mundur.” Ne i nënshtrohemi Atij e kërkojmë ndihmën dhe miratimin e Tij në kryerjen e kësaj detyre tejet të rëndësishme të takimit me ju në miqësi e paqe, nën flamurin e asaj Fjale të Përbashkët që na bashkon. S’mund të ketë veprim më të bekuar në kohët tona sesa krijimi i një puqjeje të thellë mes feve të Zotit, sidomos dy feve që kanë numrat më të mëdhenj të ndjekësve në botë, gjegjësisht Krishtërimit dhe Islamit. Vërtet, Zoti thërret për te Vendi i Paqes dhe të bekuar janë paqbërësit.

Përktheu: Edin Lohja

Sejjid Husein Nasr

Eksperti udhëheqës në botë mbi mendimin dhe përshpirtshmërinë islame, Sejjid Husein Nasr është profesor i Studimeve Islame në Universitetin e Xhorxh Uashingtonin. Ai ka shkruar mbi pesëdhjetë libra. I lindur në Tehran, i rritur në Shtetet e Bashkuara dhe i diplomuar nga Instituti Teknologjik i Masaçusetsit (MIT) dhe Harvardi, Profesor Nasri është një figurë intelektuale e mirënjohur si në Perëndim, ashtu edhe në botën islame. Ai jeton në Uashington D.C.

Nuk jemi doemos njëzëri me gjithçka që është thënë në këtë ese

 

Last modified: 16/10/2014
Close