Leonard M. Weber

Fragment i shkëputur nga: “Encyclopedia of Theology”, Edited by Karl Rahner, (Burns & oates publishing), 1975, f. 178-184

Celibat këtu do të thotë jo thjesht fakti i të mos qënit të martuar, ndonëse një gjendje e tillë mund të ketë lidhje teologjike dhe pastorale kur ai shërben për të promovuar qëllime të caktuara. Celibati këtu kuptohet si gjendja e pamartuar e zgjedhur nën dritën e besimit të krishterë, dhe në veçanti si ajo e detyrimeve të gjendjes në jetë e klerit në Kishën Latine, me anë të së cilës atyre u ndalohet të martohen dhe obligohen të jetojnë në vetëpërmbajtje të plotë.

A. HISTORIA

1. Si bazë biblike për celibatin merret thënia e Perëndisë për të mos u martuar (‘të bëhesh eunuk’) për hir të mbretërisë së qiellit (Mateu 19:10 e më pas); merret gjithashtu thënia rreth braktisjes së bashkëshortes për hir të Jezuit dhe të ungjillit (Marku 10:29) apo për hir të sundimit të Perëndisë (Luka 18:29); dhe gjithashtu thënia e cila afirmon se në ringjallje nuk do të ketë martesë (Mateu 22:30; Marku 12:25). Pali i uronte të gjithë burrave të ishin në të njëjtën gjendje si ai vetë (1 Kor 7:7). I pamartuari i kushtohet gjërave të Perëndisë, ndërkohë që vëmendja e të martuarit është e dyzuar(1 Kor 7:32 e më tutje). Megjithatë, këto tekste nuk e lidhin drejtëpërdrejt celibatin me shërbesën priftërore. Në Krishterimin e hershëm, ato më saktë qenë të lidhura me pagëzimin dhe shiheshin si këshilla të cilat, ç’është e vërteta, i ndiqnin shumë njerëz. Mbështetje për këtë prirje gjendej në alegori të tilla biblike si Mateu 9:15, 22:1-14; Marku 2:19; Luka 5:34; 12:35 dhe më tutje; 14:15-24; Gjoni 3:29. Celibati si detyrë e gjendjes priftërore hyri gradualisht në skenë. Ai rridhte nga një vlerë e lartë që i bashkangjitej virgjërisë (krahaso me 2 Kor 11:2; Efes. 5:25 e më tutje, 30 e më tutje; Veprat 21:9), nga perspektiva e konsumimit përfundimtar (Zbulesa 14:3 e më tutje; 19:7 e më tutje; 21:2, 9) dhe nga mënyra e jetesës e asketëve dhe e murgjërve me mbështetjen e tyre në ligjet e dëlirësisë së Dhjatës së Vjetër. Evolucioni i ligjit të celibatit u ndikua fuqimisht nga perceptimi i formuluar në Letrat Pastorale, se peshkopët, priftërinjtë dhe dhjakët duhet të jenë ‘bashkëshortë të vetëm një gruaje’ (1 Tim 3:2,12; Tit 1:6 e më tutje), ndonëse kuptimi i saktë i këtij parimi është diskutuar gjatë.

2. Ligjet që trajtojnë celibatin gjenden që në kohën e hershme të fillimit të shekullit të katërt. Të frymëzuar nga dëshira për përkushtim të plotë dhe gjithashtu deri në një farë mase nën ndikimin e tendencave gnostike dualiste të një tipi manikeist, priftërinj të shumtë u ndjenë të shtrënguar të ndërpresin marrëdhënien martesore pas shugurimit. Në kishat lindore, celibati mbizotëroi vetëm për ata që qenë të pajisur me plotësinë e priftërisë, peshkopët, dhe iu dha forca e ligjit në shekullin e 7 nga Perandori Justinian dhe Sinodi i dytë i Trulit. Por në perëndim, dekretet e Sinodit të Elvirës u imponuan gjerësisht nga Papa Sirikius (DS 118 e më tutje; 185). Një përpjekje për të përshkruar celibatin si një ligj universal i Kishës u bë në Këshillin e Parë të Nikeas (325), por nuk pati sukses. Leo I dhe Gregori I e zgjeruan ligjin duke përshirë nën-dhjakët. Meqënëse ajo që ndalohej nuk qe martesa por vijimësia e një jete prej të martuari, premtimet e vetëpërmbajtjes kërkoheshin shpeshherë nga kandidatët për priftëri (dhe bashkëshortet e tyre) ndërmjet shekullit të 5 dhe atij të 7. Nga shekulli 6 e më tutje, filloi të kërkohej gjithashtu edhe ndarja e bashkëshortëve. Nevoja e vazhdueshme e ndërhyrjes së sinodit në këtë çështje tregon se ç’vështirësi praktike ekzistonin. Një faktor historik në promovimin e celibatit në mesjetë qe problemi që kish trysnuar mendjet në shekullin e pestë dhe të gjashtë – përpjekja për të parandaluar tëhuajësimin e pronës së Kishës, e cila përndryshe mund të kalonte në zotërimin e familjes së priftit. Kjo i dha jetë në shekullin e 12 deklaratës statutore të pavlefshmërisë së martesës së atyre që gjendeshin në shtresat e larta. Pavarësisht nga kundërshtitë e thella në kohën e Reformimit, Këshilli i Trentos riafirmoi parimin se klerikët në urdhërat e mëdha fetarë e kishin të pamundur të lidhnin martesë (DS 1809). Në formën e hedhur tashmë në letër nga Këshilli i Nikeas ‘në sajë të traditës së moçme’ – se nuk duhet të ketë martesë pas pranimit në një urdhër të madh fetar – magisteriumi iu përmbajt rreptë këtij ligji, sikur ky të ishte një rregull apostolik, madje dhe në Vatikanin II dhe në dokumentet që janë shfaqur që asokohe.

3. Sipas ligjit në fuqi në Kishën Latine, siç është hedhur në letër nga CIC, klerikët në urdhërat më të ulët fetarë humbasin statusin e tyre klerikal në rast se lidhin martesë (kanuni 132, pjesa 2). Klerikët në urdhërat e mëdha fetarë e kanë të ndaluar të martohen. Ata janë të detyruar të ruajnë veçanërisht virgjërinë. Mëkati kundër virgjërisë është sakrilegj (kanuni 132, pjesa 1) dhe nëse kjo përfshin një thyerje të jashtëme të ligjit (kanuni 2195) atëherë pasohet me sanksione (kanuni 2325). Të gjitha përpjekjet për t’u lidhur në martesë janë të pavlefshme dhe të anulluara (kanuni 1072) dhe konsiderata për të hyrë edhe në një formë civile të martesës përmban shkelje (kan. 985, pjesa 3), humbje të ofiqit kishtar (kan. 188, pjesa 5) dhe çkishërim (kan. 2388). Ligjet që kanë të bëjnë me faljen e çkishërimit (Kan. 2252; Dekreti i Pendesës së Shenjtë të 18 prillit 1936 dhe 14 majit 1937), përjashtimi nga pengesa e martesës për dhjakët dhe nën-dhjakët në rrezik vdekjeje (kan. 1043), laicizimi me çlirim nga detyrimi i celibatit (kan. 214, 1993-8) janë lehtësuar dhe janë plotësuar nga akte të ndryshme të ‘faljes dhe favorit’ nga ana e Selisë së Shenjtë dhe mbi të gjitha nga dokumenti i Vatikanit II (Lumen Gentium, neni 29; Presbyterorum Ordinis, neni 16), motu proprio Sacrum Diaconatus Ordinem (numrat 4, 11-13, 16) dhe enciklika Sacerdotalis Caelibatus (numrat 42, 84 e më tutje, 87 e më tutje). Andaj kërkesat e mungesës së lirisë dhe të kualifikimit të duhur për të cilat më parë (kan. 214) nuk merreshin masa, tani mund të paraqiten në rastet e shugurimit, dhe shkarkimi nga të gjitha detyrimet mund të përftohet në baza të tjera gjithashtu. Burrat e martuar, me pëlqimin e bashkëshorteve të tyre, tani mund të shugurohen dhjakë, nëse ata – sipas kushteve të parashtruara në 1 Tim 3:10 e më tutje – kanë qenë të martuar prej disa vjetesh dhe janë më tepër se tridhjetëpesë vjeç. Por ata që janë shuguruar dhjakë ndërkohë që kanë qenë të pamartuar nuk mund të lidhen më në martesë. Që burrat e martuar të bëhen priftërinj (krahaso me kan. 132,pjesa 3;987, pjesa 2) parashikohet vetëm në rastin e shërbestarëve të Kishave apo bashkësive të tjera të krishtera të cilët dëshirojnë bashkim me Kishën Katolike dhe dëshirojnë të ushtrojnë shërbestarinë e tyre të shenjtë.

B. DOKTRINA E MAGISTERIUMIT

1. Një karakteristikë e doktrinës së magisteriumit mbi celibatin është se ajo e sheh veten të detyrueshme me anë të porosive kanonike ndërkohë që merr një pozicion të ndërmjetëm midis tyre dhe pasqyrimit teologjik mbi to. Është gjithashtu edhe pika se ligjit të celibatit nuk I kanë munguar kundërshtarët në Kishë. Tendenca që përsëritet vazhdimisht larg celibatit e cila është manifestuar përgjatë shekujve ka ndikuar magisteriumin në zgjedhjen dhe prezantimin e motiveve sa I përket celibatit, sipas tipeve të ndryshme të sulmit të bëra ndaj tij dhe arsyeve të ndryshme ku këto sulme janë bazuar. Së këndejmi, dokumentet e magisteriumit kanë marrë shpeshherë formën e apologjetikës, polemikave apo paralajmërimit. Celibati diskutohet kryesisht nga pikëpamja e dëlirësisë dhe vendoset në njëjtin nivel me virgjërinë.

2. Ndonëse Këshilli i Trentos e vuri theksin mjaft fuqishëm mbi dinjitetin e martesës sakramentale, ai dënonte ata që pohonin se ‘gjendja e martuar është e preferueshme ndaj asaj të virgjërisë apo celibatit dhe se nuk është më e mirë dhe më e bekuar të vazhdohet në gjendjen e virgjërisë apo të celibatit se sa të hyet në gjendjen e martesës’(DS 1810). Megjithatë, ky verdikt i cili konsideron gjendjet e ndryshme të jetës, nuk mohon se shumë persona të martuar mund të jenë më pranë Zotit se ata që janë të shtrënguar me celibat. Në enciklikën Sacra Virginitas, e cila ka trajtuar celibatin gjithashtu, Piu XII refuzoi opinionin se ‘vetëm martesa garanton një zhvillim natyror të personit njerëzor’ dhe se sakramenti ‘shenjtëron jetën martesore në një gradë të atillë saqë bëhet një mjet më i frytshëm i unionit me Zotin se sa vetë virgjëria’ (DS 3911 e më tutje). Kjo mënyrë e të shtruarit të gjërave, e cila është një variant i Këshillit të Trentos, është një ftesë e tërthortë për të zhvilluar marrëdhëniet e shumëfishta midis martesës dhe celibatit, të cilat mund të vlerësohen nga më shumë se një pikëpamje.

3. Një fushë e re është hapur në zhvillimin e doktrinës nga Vatikani II, në atë se kushtetuta dogmatike Lumen Gentium nuk ua kufizon zemrën e pandarë të krishterëve të tillë për sa kohë që ata mbeten të pamartuar (neni 42). Thirrja për shenjtëri supreme, siç është ajo e ‘Ati ynë që është në qiell’ (Mateu 5:48) kuptohet si e drejtuar ndaj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe jo thjesht atyre që mbeten të pamartuar për arsye fetare (neni 40). Pavarësisht nga kjo, dekreti konciliar Optatam Totius, mbi formimin priftëror, lyp që kandidatët për priftëri duhet të pranojnë haptazi përparësinë e virgjëreshës së shenjtëruar në Krisht ndaj martesës (neni 10). Sipas Lumen Gentium, shenjtëria e Kishës çohet përpara me anë të vëzhgimit të shumë këshillave të cilat Zoti ynë ua propozoi dishepujve të tij në ungjill. Një vend i lartë mbahet nga dhurata e çmuar e hirit hyjnor të cilën Ati ua jep disave, ashtu që ata të mund t’ia kushtojnë vetënmë lehtësisht me gjithë zemër Perëndisë në gjendjen e virgjërisë apo të celibatit. Andaj, celibati është shenjë e dashurisë dhe një impuls drejt saj (neni 42). Praktikisht, të njëjtat terma përdoren në dekretet Optatam Totius (neni 10) dhe Perfectae Caritatis (neni 12) për të riafirmuar për priftërinjtë dhe për fetarët ligjin e celibatit ‘për hir të mbretërisë së qiellit’. Sipas Presbyterorum Ordinis, neni 16, celibati nuk kërkohet nga natyra e priftërisë, por është i përshtatshëm për shumë arsye dhe gjendet në misterin e Krishtit dhe të misionit të tij. Së këndejmi, ligji i celibatit në Kishën Latine riafirmohet për ata që janë caktuar për priftëri. Ky formulim, i cili në krahasim me ata të mëparshmit është i rezervuar, pranon dhjakët e martuar.

4. Sacerdotalis Caelibatus enciklike zhvillon nocionin e celibatit me referencë ndaj Krishtit, kishës dhe konusmimit të të gjitha gjërave, duke nënvizuar këndvështrimet antropologjike me një theks gjer më sot të panjohur në dokumentet e magisteriumit sipëror. Ndërkohë që hedh poshtë të gjitha ndryshimet në ligjin e celibatit dhe qëndron pagabueshmërisht i lidhur ngushtë me legjislacionin e Kishës Latine, enciklika ende ngre çështjen se nëse ky ‘ligj i vështirë’ nuk i duhet lënë zgjedhjes së lirë të individit (neni 3) dhe nëse kandidatët nuk duhen pranuar, ata që ndjejnë thirrjen për priftëri por jo atë për celibat (neni 7). Kur zgjodhi të Dymbëdhjetët, Jezui nuk pati si kërkesë celibatin (neni 5). Karizma shpirtërore e shërbestarisë priftërore është e dallueshme nga ajo e celibatit, ligji i celibatit është historikisht i kushtëzuar (nenet 14, 17) dhe mënyra e jetesës e Kishave Lindore është ngjashmërisht vepër e Shpirtit (neni 38). Megjithëkëtë, në enciklikë ekziston pritshmëria se kuptimi në brendësinë e shërbestarisë priftërore krejtësisht të bashkuar me Krishtin do të hedhë gjithnjë e më tepër dritë mbi lidhjen ndërmjet priftërisë dhe celibatit (neni 25). Martesa dhe familja nuk janë të vetmet mundësi të pjekurisë së plotë (neni 56). Peshkopët duhet ta zgjerojnë përkujdesjen e tyre në veçanti drejt atyre vëllezërve të tyre që vuajnë nën barrën e celibatit apo që janë në pikëllim si pasojë e tij (nenet 87, 91-94).

C. SITUATA AKTUALE

Celibati është aktualisht temë diskutimi brenda dhe jashtë Kishës. Përmbajtja dhe inkuadrimi i sotëm i argumenteve mund të mblidhet nga enciklika Sacerdotalis Caelibatus, e cila është e vëmendshme ndaj pyetjeve të kohës së sotme pa u dhënë faktikisht përgjigje atyre, duke preferuar të pasqyrojë një bollëk me lëndë doktrinare nga përqasje të ndryshme teologjike. Enciklika gjithashtu përshtat motivet tradicionale të cilat Vatikani II nuk i ka vënë re apo së paku është rrekur t’i pasqyrojë ato në mënyrë më të moderuar: andaj, për shembull, enciklika flet për castitas perfecta (numrat 6 e më tutje, 13) dhe sugjeron një identifikim mistik të priftit me Krishtin, duke i dhënë priftit një vend posaçërisht të lartësuar që pothuajse e bën atë një tip të jashtëzakonshëm (numrat 13, 24 e më tutje, 31emë tutje, 56). A mos qe vallë qëllimi i enciklikës të tregonte se e vërteta fetare dhe e krishterë është gjithnjë ca si tepër e madhe për t’u rrokur nga çdo moshë e caktuar? Ajo, sidoqoftë, bën thirrje për studim të kujdesshëm të problemeve të pazgjidhura dhe ofron impulse të vlefshme për një studim të tillë, i cili përfshin njohjen e fakteve të rëndësishme historike dhe njohjen e metodave të reja pastorale.

2. Diskutimi objektiv teologjik, as agresiv as mbrojtës por thjesht i përkulur mbi të vërtetën, është bërë i vështirë në ditën e sotme. Dy fronte janë formuar madje dhe brenda Kishës, dhe krahët ekstremë ose e trajtojnë këtë subjekt si tabu ose e konsiderojnë celibatin si punë të zgjidhur. Por asnjëra palë nuk mund të regjistrojë përfitime të vërteta me koston e objektivitetit. Të shprehurit e ndershëm i opinionit është i dëshirueshëm, por panegjirikët lirikë dhe kriticizmi njëanshmërisht negativ thjesht sa kanë ngritur kundërshti që hedhin hije mbi vlerat e vërteta të celibatit. Të kuptuarit është ende larg nga të qenit shpirtgjerë, siç mund të shihet nga qëndrimi jo i krishterë ndaj të martuarve të konvertuarve në Katolicizëm. Dhe ata të cilët e drejtojnë gishtin te rregulli më i butë i Kishave Lindore sa i përket celibatit shpeshherë harrojnë se ky rregull mund të lypë sakrifica të konsiderueshme, sidomos nga priftërinjtë që janë vejanë.

3. Në baza teologjike, problemet aktuale në lidhje me celibatin lindin nga një kuptim i ri i martesës dhe i shërbestarisë priftërore. Në të kaluarën, martesa është konsideruar heraherës si diçka thjesht e lejueshme. Por kushtetuta pastorale Gadium et Spes afirmon se ajo është një union të cilit Perëndia jonë i ka dhënë dinjitet, e ka shëruar, e ka përsosur dhe e ka ngritur me anë të dhuratave të veçanta të hirit dhe dashurisë së tij (neni 49); se ai vetë rron me të martuarit, të cilët me ndihmën e Shpirtit të tij arrijnë përsosmërinë e tyre, shenjtërojnë njëri tjetrin dhe njëkohësisht mbulojnë Zotin me lavdi. Priftërinjtë, të cilët shpeshherë shihen si një lloj qëniesh më të larta, në dekretin Presbyterorum Ordinis thuhet se duhet të mbesin dishepuj të Perëndisë sonë krahas besimtarëve të tjerë, pavarësisht ofiqit të tyre fisnik dhe të domosdoshëm. Krahas të gjithë atyre që kishin rilindur në burimin e pagëzimit, ata mbesin vëllezër mes vëllezërve, pjesëtarë të po të njëjtit trup të Krishtit, sendërtimi i të cili i është besuar të gjithëve. Në këto rrethana, argumentet konvencionale tradicionale për celibatin nuk duken më aq bindëse. Atje ku përdoren ende, ato hasin në kundërshtime të justifikueshme nga ata të cilët mirëpresin idetë e parashtruara nga Këshilli. Mandej, mbi baza sociale, lindi problem nga fakti se sot praktikisht në të gjitha fushat e jetës, martesa lihet në dorë të gjykimit privat të individëve. Kontrasti në ligjin kishtar të celibatit duket të jetë një relike e epokave të shkuara. Problemi është bërë më akut me theksimin e martesës si partneritet, barazinë sociale të grave, vlerësimin e ri të trupit dhe vlerën pozitive që i atribuohet marrëdhënies seksuale në realizimin, zhvillimin dhe pjekurinë e të gjithë burrave, dhe jo thjesht të njerëzve të martuar. Përgjigje të reja kërkohen për të përmbusahur kërkesat e kohërave. Në krahun tjetër, asnjë gjykim i arsyeshëm nuk mund të kalohet mbi celibatin si një formë e posaçme e jetës së krishterë, me përjashtim të atyre që kanë besimin e krishterë.

D. DETYRAT PASTORALE

1. Konsideratat pastorale janë të ngutshme. Celibati është dhuratë e hirit. Fakti nëse i është dhënë të paktëve apo të shumtëve është jashtë kontrollit njerëzor. Por nëse, siç është rasti sot, ai bëhet një çështje debati brenda Kishës, teologjia pastorale duhet të rreket të përcaktojë pengesat ndaj realizimit të saj në jetën e besimit. A është asfiksuar vallë fara hyjnore e celibatit nga barërat e këqinj të motivimeve tej mase njerëzore? Apo gjithashtu është këputur dhe gruri gjatë përpjekjes për të shkulur barërat e këqinj? Një nga frymëzimet e celibatit priftëror ishte shembulli i Kishës apostolike, ku shumë nga besimtarët përjetonin dallgën përmbytëse të hirit të mbretërisë së Perëndisë kaq fuqimisht saqë ata thjesht nuk ’mund’ të martoheshin, por i ‘duhej’ të mbeteshin krejtësisht të lirë për sendërtimin e bashkësisë për hir të Zotit. A vazhdon të jetë kjo ende e vërtetë për shërbestarët zyrtarë të Kishës të cilët rrojnë në celibat sot?

2. Për të qenë i frytshëm në shërbesën e shpëtimit, celibati duhet jetuar thjesht dhe spontanisht. Është ky sens i normales në lidhje me celibatin që ka nevojë të ripërtërihet. Ajo rritet, askush s’e di se si, në pezulli (krahaso me Marku 4:27), duke qenë një nga magnolia Dei dhe jo një nga arritjet e njeriut. I gjithë diskutimi i zhurmshëm dhe i eksituar mbi celibatin do të vërtetohet se është i dëmshëm. Dhe këmbëngulja e të folurit rreth papastërtisë së trupit dhe aktivitetit seksual në njërin krah, dhe i dëlirësisë ‘së përkryer’ në krahun tjetër, jo vetëm që i jep sot jetë keqkuptimeve por shihet si arrogante dhe se flet kundër celibatit. Më e mira është që celibati të shihet me mendje të kthjellët. Të qëndrosh i pamartuar për hir të detyrave të rëndësishme të cilat kërkojnë të gjithë vëmendjen tënde mund të shihet si racionale madje edhe në termat e përvojës krejtësisht njerëzore, dhe mund të njihet si një mënyrë e realizimit personal i cili është natyrshëm i mundshëm. Së këndejmi, shprehja e Perëndisë sonë se mund të jetë e mirë të rrish i pamartuar për hir të mbretërisë së Zotit mund të bëhet mjaft e kuptueshme për besimtarët. Nuk ekziston kurrësesi nevoja të mohohet se vetëpërmbajtja është burim fuqie e cila ka vërtetuar vazhdimisht se është kreative. Por kjo çështje është dytësore, dhe përnjëmend, pa lidhje sa i përket celibatit për hir të mbretërisë së Perëndisë. Megjithëkëtë, nga fakti se prifti është i pamartuar jo domosdosmërisht rrjedh se ai është plotësisht në dispozicion të sundimit të Zotit. Por celibati mbetet i përshtatshëm për priftin, pasi është një mënyrë tipike e të arriturit të lirisë së plotë për mbretërinë dhe sepse ata që shërbejnë në shërbestarinë priftërore duhet të jenë në të vërtetë në dispozicion të mbretërisë. Mbetet e vërtetë, megjithatë, se ka njerëz të martuar të cilët tregojnë se janë fund e krye të përgjegjshëm dhe të hapur ndaj kërkesave të Krishtit dhe mbretërimit të Perëndisë.

3. Sipas magisteriumit kishtar, ligji i celibatit që është në fuqi sot duhet të mbetet një kusht i rreptë për shërbestarinë priftërore. Së këndejmi, (përveç përjashtimeve të veçanta) kjo konsideron si të përshtatshëm për priftërinë vetëm ata të cilëve Zoti u ka dhuruar dhuntinë e celibatit, krahas shenjave të tjera të vokacionit (Sacerdotalis Caelibatus, numrat 14 e më tutje, 62). Pavarësisht nga ky rregull, konsideratat pastorale duhet të përfshijnë faktin se perceptimi kanonik jo vetëm forcon karizmën shpirtërore të celibatit (nr. 62), por mund të errësojë frytshmërinë e saj meqënëse ka një tendosje ndërmjet ligjit dhe karizmës shpirtërore. Duke e trajtuar ligjin ashtu siç është, celibati shpeshherë reziston thjesht si një kusht i domosdoshëm i priftërisë, dhe mandej humbet cilësinë bindëse të shenjës që ai duhet të ketë si shprehje e një pazotësie vërtet ekzistenciale për t’u martuar për hir të Krishtit dhe të mbretërisë së tij. A nuk ka ardhur sërish kjo karizëm shpirtërore në dritë brenda përbrenda Kishave Protestante pa e imponuar atë asnjë ligj? Por ky problem ka një faqe tjetër të medaljes, e cila bën të mundur që celibati të kuptohet si ligj. Termi bilik χωρεϊν nuk duhet përkthyer si ‘rrok’ apo ‘kuptoj’, gjë e cila për Mateun 19:11 jep përkthimin, ‘Jo të gjithë njerëzit e kuptojnë, por vetëm ata të cilëve u është dhënë… Ai që është i zoti ta kuptojë këtë, le ta kuptojë.’ Ky term mund të ketë gjithashtu domethënien ‘marr’, ‘bëj vend për’, ‘përshtas’, ‘arrij’, ‘guxoj’. Dhe diçka nga thirrja universalisht njerëzore shprehet me anë të saj: ‘Jo të gjithë mund ta bëjnë këtë. Por nëse ju mund të mblidhni fuqitë, atëherë guxoni!’ Së këndejmi del se celibate me gjasë nuk është një nga karizmat shpirtërore që ose gjenden aty ose jo, por një nga ato të cilat gjithashtu mund të arrihen me orvatje, sipas këshillës së Apostullit Pal (1 Kor 12:31). Kjo është e rëndësishme për t’u mbajtur shënim në predikimin e celibatit.

4. Në formimin e priftërinjve dhe në zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm, shumë nga pikat mbështetëse të celibatit, të cilat gjer më tani kishin besimin e plotë, do të rrëzohen, pasi kanë vërtetuar se janë të pavërteta apo të gabuara. Ato nuk duhen cekur më. Në vend të tyre duhen përdorur argumente teologjikisht të vlefshme, dhe ndihmësa të tjerë të cilët u korrespondojnë realiteteve aktuale. Celibati i murgut ëndërrimtar dhe ai i priftit të angazhuar drejtëpërdrejt në shërbestarinë e shpëtimit do të zhvillohen ndryshe. Por të dy nuk do të kenë nevojë vetëm për një vendim personalisht të përgjegjshëm me vullnetin për të këmbëngulur, por gjithashtu një pjekuri dhe rritje të frytshme e cila i korrespondon secilës fazë të moshës dhe zhvillimit. Meqënëse seksualiteti i atij që rron në celibate nuk duhet të mbesë një element i izoluar, dhe meqënëse integrimi është i mundur vetëm në marrëdhënie të sinqerta ndërmjet gjinive, mjetet e përshtatshme për një integrim të tillë duhen kërkuar dhe siguruar. Pikërisht siç celibati i është nënshtruar zhvillimeve të ndryshme në kombe të ndryshme (disa duke e spiritualizuar atë, të tjerë duke e pranuar atë thjesht si ligj apo institucion), kështu gjithashtu mund të ketë shkallë të ndryshme realizimi në jetën e priftërinjve individualë. Këtu mund të variojë nga një vetmi e përzemërt me Krishtin në një tip lartësisht individual miqësie me gjininë tjetër. Tani që femrat janë njohur si njerëz plotësisht të kualifikuar laikë me të drejtën e tyre personale në Kishë, dialogu dhe bashkëpunimi pastoral ndërmjet priftërinjve dhe grave nuk mund të shmanget më, por duhet ndërmarrë me guxim dhe duhet sjellë në përsosmëri. Një marrëdhënie vëllazërore midis priftërinjve dhe një vita communis të rregullura mirë do të jetë mbrojtje në çështje të tilla. Por celibati nuk është asesi një normë morale që do përmbushur. Duhet të mbesë gjithashtu edhe një qëllim i ushqyer.

5. Ndërkohë, detyra të reja pastorale po marrin formë. Kur motivet e një vokacioni merren në shqyrtim për të parë nëse një kandidat është i përshtatshëm apo jo për celibat priftëror, enciklika Sacerdotalis Caelibatus e thotë shkoqur se duhen përdorur shërbimet e një doktori apo të një psikologu (numri 63 e më tutje). Për formimin e karakterit dhe për këshillimin e priftërinjve që janë duke iu nënshtruar lodhjes morale apo mendore apo që e gjejnë veten në vështirësi me vokacionin e tyre, ndihma e një ekipi të përshtatshëm profesionistësh do të jetë gjithashtu e nevojshme. Krahas rretheve private të cilat japin ndihmesën e tyre vullnetarisht, ka organizata të posaçme në Francë dhe në vende të tjera. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme të ruhet kontakti me të gjithë ata që kanë lënë shërbestarinë priftërore dhe që janë pak a shumë të martuar dhe jetojnë të lumtur. Ata duhen mbajtur në punë në Kishë në një mënyrë të përshtatshme, ku ata janë të gatshëm të ndërmarrin detyra të tilla. Kjo duhet bërë edhe me koston e sakrificave financiare. Përkundër sfondit të mundësive të reja, ata që meditojnë mbi krizën aktuale të celibatit nën dritën e besimit do të jenë në gjendje ta përshëndesin atë si një punë e purifikimit dhe hirit në shërbimin e mbretërisë së Perëndisë.

 Përktheu: Arjol Guni

Last modified: 07/01/2021
Close