Oliver Roy

Luftërat Kulturore: Rasti i Shteteve të Bashkuara

Në Europë, ‘vlerat’ ka të ngjarë që të mos jenë përmendur kurrë kaq shpesh në diskurs dhe në debate politike sa nga vitet 2000. Siç është përmendur në kapitullin 4,  ky trend faktikisht daton në “luftërat kulturore” amerikane, që vazhdojnë që nga vitet 1970. Termi, I popullarizuar nga libri i James D. Hunter,[1] nuk i referohet “përplasjes së qytetërimeve” të Samuel Huntington,[2] që u shfaq në botim pak vite më vonë. Shprehja “luftërat kulturore” tregon luftën mbi vlerat brenda shoqërisë amerikane, një luftë që e vendos kulturën liberale, që është kundër diskriminimit dhe në favor të të drejtave të abortit, kontrollit të armëve dhe ndonjë forme të sigurisë sociale, kundër një “të djathte të krishterë” të udhëhequr nga protestantët evangjelistë në jugun e Shteteve të Bashkuara, të cilët kanë si çështje thelbësore politike luftën kundër abortit dhe martesave të së njëjtës gjini, imigracionit dhe aksionit afirmativ. Krahu konservator i Kishës Katolike në SHBA, i fuqizuar nga peshkopët e rinj të emëruar nga Gjon Pali II, iu bashkua me shpejtësi këtij koalicioni, por e ka kufizuar veten kryesisht në çështjet e abortit dhe të martesës së të njëjtës gjini, ndërkohë që ka qëndruar i heshtur mbi imigracionin (që sjellë katolikë në vend), kontrollin e armëve dhe sigurinë sociale.[3] Sigurisht, ka gjithashtu shumë të krishterë praktikantë në radhët e lëvizjes liberale apo progresive, por ata nuk ia kanë dalë që të bëhen bashkë për të formuar një koalicion të pavarur social apo politik të krishterë.

Çdo zgjedhje amerikane që kur Ronald Regani u ngjit në pushtet në vitin 1980 është sjellur përreth kësaj lufte të vlerave, duke i vendosur dy Amerikat, përherë e më të ndara, përballë njëra tjetrës. Teza e përplasjes së civilizimeve e Huntington-in i spostoi caqet e betejës përtej kornizës së kulturës amerikane dhe i rikornizoi ato si një përplasje ndërmjet kulturës perëndimore dhe të tjerëve (imigrantëve latino, myslimanëve, etj…). Zgjedhja e Donald Trump në vitin 2016 vuri në dukje lidhjen e ngushtë ndërmjet fraksioneve anti-imigracionit (dhe anti-Islam) dhe të djathtës së krishterë, të cilat kanë qenë të lidhura prej kohësh, sidomos duke qenë se nuk ka asnjë lëvizje populiste ateiste apo madje as sekulariste në Shtetet e Bashkuara, me përjashtim të disa pak grupeve margjinale neo-naziste. Këta votues dëshirojnë që të ndalojnë si imigracionin ashtu edhe abortin. Refuzimi i Islamit ka luajtur një rol madhor, duke bashkuar evangjelistët, përfshirë edhe rrymën e “Zionistëve të Krishterë” që nuk ekziston në Europë,[4] me grupe anti-imigrante, pavarësisht faktit se imigracioni nga vendet myslimane është mjaft i ulët në SHBA dhe se vetë Huntington-i shihte, jo myslimanët, por meksikanët (pavarësisht se janë të krishterë) si kërcënimi kryesor kulturor i Amerikës. Për ta thënë thjesht, në luftën e vlerave ka vetëm dy kampe, siç është e qartë në çdo palë zgjedhje: “liberalët” (përfshirë shumë të krishterë) dhe populistët të krishterë evangjelistë. Fronti i brendshëm mbi vlerat dhe fronti i jashtëm mbi imigracionin dhe Islamin përputhen.

Luftërat kulturore të Europës

Gjërat janë më komplekse në Europë për shkak se dy frontet nuk përkojnë me njëri tjetrin. Në debatin mbi vlerat, fronti i brendshëm i vendos konservatorët e krishterë kundër sekularistëve të të gjitha bindjeve, liberalëve, dhe popullistëve pa dallim; çështjet kryesore shtillen rreth abortit dhe martesës së të njëjtës gjini. Fronti i jashtëm, në krahun tjetër, e vendos idenë e “Europës” në kundërvënie ndaj Islamit: problematika ka të bëjë me antagonizmin kulturor ndërmjet imigrantëve myslimanë dhe evropianëve dhe me frikën e shoqërive të tjera evropiane nga të “islamizimi”. Dy frontet nuk kanë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me njëri tjetrin. Ndonëse baza e katolikëve praktikantë shpesh ka rrëshkitur drejt populizmit anti-imigrant, Kisha është e kujdesshme që të mos e përkrahë këtë zhvendosje, madje edhe në qoftë se ajo është tej mase ambige në lidhje me çështjen e identitetit të krishterë të Europës. Në fakt, një krisje është hapur ndërmjet atyre që mbrojnë mirëpritjen e migrantëve, dhe atyre që refuzojnë atë që ata e shohin si llogorizim në Europë. Kisha po lufton mbi vlerat, por, të paktën në parim, nuk e refuzon imigracionin; përkundrazi, ne e dimë se sa shumë këmbëngulë Papa Françesku mbi mirëpritjen e imigrantëve – ndonëse kjo evokon protesta, apo edhe më keq se kaq, nga disa katolikë konservatorë. Këmbyerazi, shumë sekularistë të cilët përkrahin të drejtën e abortit dhe martesat mes të njëjtës gjini i kundërvihen Islamit për të njëjtat arsye që ata i kundërvihen Kishës Katolike dhe fesë në përgjithësi (linja Charlie Hebdo). Së fundi, populistët e shohin imigracionin si përparësi të tyre, por qëndrojnë diskretë në lidhje me çështjen e vlerave për shkak të faktit se ata janë të ndarë ndërmjet liberalëve, të cilët përkrahin vlerat e viteve 1960 (njëlloj si Geert Wilders në Hollandë), dhe konservatorëve, anti-feministëve homofobikë (si Matteo Salvini në Itali).

Populizmi evropian nisi duke kritikuar imigracionin dhe duke vënë në dukje përplasjen e kulturave të Huntington-it, jo duke adresuar çështjen e vlerave që janë specifike për shoqërinë evropiane. Parrulla e parë e shitur nga Fronti Nacional në Francë, një pararendës në këtë drejtim në vitin 1978, thoshte kështu: “Një milionë të papunë është një milionë emigrantë shumë”.[5] Partitë e të djathtës ekstreme që lindën nga fashizmi i paraluftës  – në Francë, Itali (me Fratelli d’Italia), Austri, Suedi dhe Gjermani – i lanë gradualisht influencat e tyre historike mënjanë dhe janë “modernizuar” duke u kapur fort mbas çështjes së migrimit dhe duke e bërë atë fokusin e propagandës së tyre, duke gjetur kësisoj një mjet për të mbuluar historinë e tyre (pa përmendur anti-semitizmin e tyre). Por, duke filluar që nga fundi i viteve 1990, një reagim ndaj marrëdhënies midis imigracionit dhe Islamit në Europë filloi që të rritej (ndryshe nga SHBA, ku, siç e kemi diskutuar tashmë, imigracioni është kryesisht latino-amerikan). Partitë populiste u shfaqën sui generis, apo, krejt më vete, pa rrënjë fashiste dhe u ndërtuan vetëm e vetëm mbi bazën e kundërvënies ndaj imigracionit dhe Islamit. Ky është rasti në Hollandë, Danimarkë, Norvegji, Zvicër, Gjermani (me Pegidën), Mbretërinë e Bashkuar dhe Italinë (me Lega Nord). Këto parti janë jo vetëm pastërtisht sekulare – si ish fashistët, ç’është e vërteta, të cilët shpesh joshen nga teoritë neo-pagane – por ata gjithashtu kanë përqafuar kulturën e re liberale në terma të zakoneve dhe kanë inkorporuar shumëçka prej programit social-demokrat, sidomos sa i përket shtetit të mirëqenies.[6]

Ka një tjetër diferencë të qartë me Shtetet e Bashkuara, gjegjësisht se në Europë, Kisha Katolike, dhe jo protestantët, është në avangardë të betejës për vlerat. Kisha kryesore protestante të Europës kanë adoptuar gjerësisht vlerat e reja – pjesa më e madhe e kishave luterane kryejnë martesa homoseksuale dhe nuk e dënojnë abortin. Ndërkohë, evangjelistët protestantë, të importuar së fundmi në Evropë, kanë qëndruar ndërkohë diskretë në publik dhe veçanërisht në arenën politike; duke qenë se ata e pozicionojnë veten si një lëvizje globale dhe se një shumicë e gjerë e pjesëtarëve të tyre vijnë nga një e kaluar imigracioni, çështja e identitetit të Europës është e pavlerë për ata. Megjithatë, ndryshe nga evangjelistët e jugut të SHBA-së, Kisha Katolike në Europë ka  mbajtur gjithnjë një distancë nga lëvizjet populiste dhe e djathta ekstreme, dhe kjo ka ndodhur për disa arsye. Pikë së pari, ajo i  konsideron vlerat e bamirësisë dhe egoizmit populist si të kundërta, dhe druhet se në qoftë se populizmi ngre në qiell identitetin e krishterë, kjo do të veprojë në kurriz të mesazhit fetar. Së dyti, ajo e konsideron veten universale, jo të lidhur me një grup specifik etnik apo kombëtar. Në fund, ajo është mosbesuese karshi paganizmit pak a shumë të shfrenuar në një segment të të djathtës ekstreme identitariane.[7] Kjo maturi nuk ka të bëjë aspak me një radhitje me “progresivët”. Në Francë, peshkopi i cili ka mbajtur qëndrimin më të fuqishëm kundër Frontit Nacional është kardinali Barbarin, një figurë udhëheqëse në luftën kundër martesave të të njëjtës gjini.[8]

Struktura hierarkike e Katolicizmit i ka mundësuar për një kohë të gjatë Kishës që të mbajë grigjën e saj “të qendrës së djathtë” në të gjitha vendet ku ajo ka patur ndikim në votën e tyre: Francë, Itali, Gjermani, Portugali, Spanjë, dhe, në një masë më të vogël, Austri. Por në Belgjikë, që nga koha e krizave gjuhësore të viteve 1960, në të cilat Kisha ishte e pazonja që të ngrihej mbi grindjen (Universiteti Katolik i Leuven apo Lojven u nda në dy universitete në vitin 1970, njëri në frëngjisht tjetri në gjuhën flamande), aftësia e saj për të ushtruar autoritet mbi katolikë po zmbrapsej tashmë. Sondazhet tregojnë se në vitin 2015, tabuja përreth të djathtës ekstreme po largohej pothuajse kudo në mbarë elektoratin katolik praktikant, jo më pak për shkak se rënia demokracisë kristiane nuk la asnjë opsion të natyrshëm për votën katolike. Kolapsi i tabusë ka ndodhur jo vetëm për shkak të humbjes së influencës, por gjithashtu edhe për shkak të tensioneve të brendshme përherë e në rritje, që nuk janë më të lidhura me ndasinë konservator vs. progresivë që lindi prej Vatikanit të Dytë. Së fundi, ndërkohë që Kisha si një e tërë (pavarësisht nga ajo çfarë mund të thotë dikush në lidhje me liberalizmin e supozuar të Papa Françeskut) po mban fort pozicionet e saj në luftën e vlerave, intruzionet që Islami ka bërë në Europë kanë shkaktuar një rishqyrtim të çështjes së identitetit, që paraqitet në zemrën e  programit politik të populistëve.

Debati mbi identitetin e krishterë

Kur në vitin 2004 po hartohej një kushtetutë për Europën, u ngrit një pyetje e rëndësishme: a duhet të mbajë traktati parimin e identitetit të krishterë të Europës duke pasur një referencë ndaj “rrënjëve të krishtera” të kontinentit? Kërkesa erdhi nga europarlamentarë të krishterë të cilët dëshironin të korrigjonin atë që ata e shihnin si një lënie jashtë nga ana e etërve themelues të Bashkimit Evropian. Por ndërkohë që ky sugjerim në fund u refuzua (jo më pak për shkak të refuzimit të Francës për ta përkrahur atë në emër të laicitetit), debati vazhdoi, dhe fitoi vrull. Tri rryma janë në konflikt:

Kisha, për të cilën një referencë ndaj rrënjëve të krishtera do të ishte pikë së pari një mënyrë për të ngulitur vlerat e saj në vetë përkufizimin e Europës. Kisha është e preokupuar si me identitetin e krishterë ashtu dhe me vlerat kristiane, si edhe me shtytjen për pranim kushtetues të rrënjëve të krishtera të kontinentit. Ajo bën lobim aktiv në Bruksel për të mbrojtur “çështjet e panegociueshme morale”.

Partitë dhe lëvizje populiste, për të cilat problematika kryesore është që t’i rezistojnë islamit. Ato mbrojnë identitetin e krishterë për hir të identitetit, pa theksuar vlerat, por flasin për identitet kombëtar apo rajonal dhe jo për vetë Europën.

“Sekularistët” (apo, “laikët” në Francë) të cilët, ndërkohë që ndonjëherë e pranojnë trashëgiminë e krishterë të Europës, theksojnë Iluminizmin, të drejtat e njeriut dhe arritjet e viteve 1960: çlirimin seksual, metodat kontraceptive, abortin, barazinë gjinore, feminizmin, dhe të drejtat LGBT. Këta janë njerëzit që flasin për “vlerat evropiane” (apo “vlerat republikane” për francezët) si të kundërvëna ndaj normave fetare në përgjithësi, të cilat cilësohen si prapanike apo në kundërshtim me të drejtat e njeriut. Ata e perceptojnë Islamin si një formë të intensifikuar bashkëkohore të absolutizmit fetar që Europa ka luftuar dhe nënshtruar në të kuluarën.

Kufijtë ndërmjet këtyre tre grupeve shpeshherë mjegullohen për shkak se kategoria “populistët” është jashtëzakonisht heterogjene. Populistët janë të bashkuar vetëm nga obsesioni i tyre me Islamin, kriticizmi i elitave, dhe mbrojtja e një “populli” të unifikuar me një identitet të përbashkët – anti-evropian. Populizmi ka një pol të krishterë, si partia polake PiS, dhe mbesa e Marine Le Pen Marion Manechal,[9] si dhe një pol sekular, që përfshin pjesën më të madhe të populistëve të Europës veriore. Në gjirin e këtij grupi të fundit është Geert Wilders në Hollandë, i cili përfaqëson krahun më liberal të populizmit në termat e zakoneve sociale, dhe më represivin karshi Islamit, të cilin ai dëshiron ta shpallë fund e krye të jashtëligjshëm. Ka pasur gjithashtu edhe një spostim të dukshëm drejt populizmit në gjirin e intelektualëve me prirje të majtë dhe politikisht liberalë, të cilët janë të motivuar nga sovraniteti kombëtar dhe një fiksim obsesiv mbi Islamin.

Kisha ndërmjet identitetit dhe vlerave

Sikurse e kemi parë, Gjon Pali II dhe Benedikti XVI ishin të atashuar fuqimisht me konceptin e një Europe të krishterë. Të dy dëshironin që të pajtonin besimin me identitetin, por duke e përdorur si pikënisje të dytin. Për ata, nuk kishte asnjë kundërvënie të qenësishme ndërmjet identitetit dhe vlerave; ndonëse identiteti është një fakt, ndërkohë që vlerat kanë të bëjnë me qëllimin, “fakti” i identitetit nuk mund të qëndrojë pa besimin. Dy papët  në fjalë i shihnin vlerat, duke qenë se ato konfirmohen nga ligji natyror, si ura ndërmjet besimit dhe identitetit, por gjithashtu si diçka shpirtërore që mund të ofrohet vetëm nga besimi, dhe jo nga identiteti. Identiteti – ose natyra apo ligji natyror – është një nocion tejet i dobët dhe tejet i paqëndrueshëm nga i cili të derivohen vlerat e “vërteta”. Kjo është arsyeja përse këta dy papë nuk besonin se ndërmjetësit sekularë, siç ishin partitë kristian-demokrate, mund të ishin shtylla mbështetëse për të granatuar përjetësimin e vlerave esenciale.

Për Benediktin e XVI, si për pararendësin e tij, evokimi i “rrënjëve kristiane” të Europës ishte një mënyrë për të nxitur evropianët që t’u riktheheshin vlerave të krishtera, dhe në mos një rikthim në praktikën fetare, atëherë së paku një respekt më të madh për fenë dhe mesazhin që ajo përfaqëson. Për Kishën, Kjo nuk do të thotë që të inkurajohet nostalgjia, por që të nisë sipërmarrja e rekonkuistës shpirtërore të Europës. Ne më tutje do të shqyrtojmë reaksionin e Kishës ndaj kërkesave të populistëve për të shpërfaqur shenja kulturore të Krishterimit në mënyrë që t’i kundërpërgjigjen asaj që ata e quajnë islamizim të sferës publike. Për Kishën Katolike jo vetëm që është e kotë që të mendohet një Europë e krishterë jashtë institucionit të klerit, por bashkimi me populistët është problematik për të thënë më të paktën, sidomos kur marrëdhënia e tyre me Krishterimin është e bazuar thjesht e vetëm mbi identitetin dhe shpesh bie ndesh me vlerat e Kishës, që nga “çështjet e panegociueshme morale” të Benediktit XVI, e deri te çështja e ndjeshme e pranimit të refugjatëve.[10]

Qëndrimi i Kishës karshi Islamit

Ndërkohë, mbërritja e Islamit në Europë e ka vendosur atë në një pozicion disi ambig për Kishën. Islami mishëron dinamizmin fetar dhe ka futur rishtazi fenë në hapësirën publike. Shumë prej besimtarëve të tij e praktikojnë së jashtmi fenë e tyre dhe i sfidojnë autoritetet që ta marrin parasysh besimin e tyre. Në të njëjtën kohë, prezenca e Islamit në Europë vë në diskutim identitetin e krishterë të kontinentit, dhe ç’është më e rëndësishmja, përbën një konkurrent serioz për rekonkuistën shpirtrërore të tij. Ndonëse Kisha mban një dialog ndërfetar, kjo qartësisht nuk bëhet në mënyrë që të arrihet njëfarë kompromisi teologjik minimal, i bazuar, për shembull, mbi nocionin e “fesë abrahamike”. Më saktë, kjo bëhet për të shfryrë tensionet, dhe ndonjëherë për të sendërtuar një “front të përbashkët ndërfetar” ad hoc, apo specifikisht për këtë rrethanë, për të luftuar masat e cilësuara si të papranueshme, siç ishte rasti me deklaratën e përbashkët katolike, protestante, judaike dhe myslimane kundër martesave të të njëjtës gjini në Lion në vit in 2007.[11] Sidoqoftë, Kisha po bën pakogjë për të normalizuar këtë lloj koalicioni. Martesat ndërfetare, për shembull, nuk inkurajohen, madje edhe ndërmjet të krishterëve.

Me fjalë të tjera,  Kisha nuk e ka problem që t’u japë myslimanëve një karrige të palosshme në shoqërinë evropiane, por sigurisht jo një ndenjëse të vërtetë. Tekembramja, ka vetëm një Sancta Sedes, apo Seli të Shenjtë. Ambicia e Kishës nuk është që të çrrënjosë Islamin, por të mbrojë rangun e vet, që është vënë në pikëpyetje nga sekularizimi dhe seria e skandaleve në gjirin e klerit të njëzet viteve të fundit. Kjo nuk është kurrsesi diçka e re. E njëjta politikë i është drejtuar në të kaluarën judejve, protestantëve dhe ortodoksëve: edhe në atë kohë kjo më tepër kishte të bënte me tolerancën se sa me një shqetësim për të drejta të barabarta.

Kjo është evidente në pozicionit e Kishës në lidhje me ndërtimin e xhamive, të cilën nuk e kundërshton në vetvete. Deri në vitet 1980, Kisha madje u ka falur apo dhuruar myslimanëve ndërtesat kishtare. Por në përgjithësi, Kisha kundërshton xhamitë e mëdha – siç është xhamia e madhe e planifikuar në Firence (qytet ku nuk ka një sinagogë të madhe) – ndërkohë që mbështet xhamitë e lagjeve. Kapelanët ushtarakë janë një tjetër shembull i tolerancës dhe jo i barazisë; në çdo vend ato mbahen nga grupet fetare dominante. Madje edhe në Francë, ku mund të mendohet se sekularizmi do të impononte barazi të fesë, Kisha katolike ka një peshkop të ushtrisë, ndërkohë që tri fetë minoritare duhet të mjaftohen me “krye kapelan” (nuk ka rabin ushtrie apo imam ushtarak). Privatisht, zyrtarët katolikë e kritikojnë pa ngurrim mungesën e sofistikimit teologjik të homologëve të tyre myslimanë, një mangësi kjo që ndonjëherë i mvishet përgatitjes së tyre intelektuale mediokre, dhe ndonjëherë vetë Islamit. Shkurtimisht, për Kishën, ndërkohë që është e rëndësishme të mbrojë të drejtën e myslimanëve për të praktikuar fenë e tyre, ajo nuk mund të pranojë barazinë e feve në Europë. Prandaj, njëlloj si çdokund tjetër, Kisha refuzon relativizmin fetar.

Kisha dhe ofensiva sekulare

Problemi për Kishën dhe të krishterët në pëgjithësi është më pak islami se sa ngritja e dy forcave të tjera: populizmi dhe sekularizmi. Këto zhvillime kanë shkaktuar një tkurrje de facto të hapësirës fetare. Populizmi në thelb e ka reduktuar fenë në folklor, ndërkohë që ofensiva sekulare vijon që të dëbojë fenë nga hapësira publike. Duke u fokusuar mbi mbrojtjen e një modeli normativ antropologjik që kundërshton vlerat e viteve 1960 – duke luftuar, për shembull, kundër abortit dhe martesave të të njëjtës gjini – Kisha është nxitur që të ndërmarrë një qasje fragmentare (duke zgjedhur përkatësinë strikte ndaj normës e kombinuar kjo me një dozë të bamirësisë)  dhe të bëjë zgjedhje reaktive pa patur një vizion në afat të gjatë. Ajo nuk ka dhënë një përgjigje shpirtërore ndaj tendencave më të gjera të populizmit dhe sekularizimit. Krahas kësaj, Kisha ka zhvilluar një mentalitet sikur të ishte nën rrethim, sidomos duke qenë se ajo ndiqet parreshtur nga skandalet e pedofilisë. Për vite me radhë ajo i ka perceptuar këto akuza si një fushatë keqdashëse për ta njollosur, deri në verën e vitit 2018, kur një batare zbulimesh të reja të abuzimit seksual u shfaq në SHBA, Australi, Kili, dhe në mbarë botën, duke e detyruar Kishën Katolike që të përballet me faktet.

Ambiciet e Kishës për të konvertuar rishtazi në masë evropianët në Krishterim tani duken si ëndrra në beze, duke qenë se sekularizmi e ka fituar davanë. Madje edhe në se arrihen rikonvertime masive, pa dyshim kjo nuk do të vijë si rezultat i politikës aktuale të Kishës në lidhje me frontet normative, që më tepër vepron si pengesë. Meqenëse Kisha Katolike e refuzon vetë-sekularizimin që praktikohet nga Protestantizmi, asaj, kësodore, i ngelen tre shtigje të tjera që kanë gjasa që të ndiqen.

Së pari, është opsioni i luftës politike për futur çështjen e panegociueshme morale të Benediktit XVI në ligj sa më shumë që të jetë e mundur. Në qoftë se Kisha është e pazonja që të ngrejë një argument bindës për normat e saj morale, ajo duhet t’i imponojë ato detyrimisht me ligj, dhe rrjedhimisht të bëjë që të kalohet sa më tepër legjislacion që të jetë i mundur për të kufizuar abortin, martesat e të njëjtës gjini, dhe forma të reja të sjelljes artificiale në jetë dhe vdekjen e asistuar, apo eutanazinë. Duke vepruar kështu, ndërkohë që asaj mund t’i pëlqejë që ta shohë veten si ndërgjegja e botës, Kisha aktualisht vepron si polici i saj.[12]

Shembulli i Irlandës është indikacion për kufijtë e këtij opsioni, dhe koha do të tregojë suksesin e tij në Poloni në vitet e ardhshme. Ndërkohë që për Kishën kjo strategji rrjedh nga besimi në vlerat hyjnore, shoqëria civile, që u referohet të tjerave vlera, sekulare dhe hedoniste, e sheh atë thjesht si imponim të një kodi moral autoritarist,  një kod që duket përherë e më tepër hipokrit teksa përmasa e skandaleve seksuale dhe financiare në gjirin e Kishës Katolike nuk resht së shpalosuri. Në kushte të tilla, Kisha do të shohë se populistët janë madje edhe më pak të prirur si aleatë politikë se sa demo-kristianët, apo demokratët e krishterë, duke qenë se madje edhe krahu konservator i populizmit nuk i refuzon vlerat e reja që Kisha i lufton. Hendeku, pra, po zgjerohet ndërmjet një Kishe luftarake dhe publikut, i cili, sidomos mbas daljes në dritë të skandalit të pedofilisë dhe qasjes “bëj si them unë, mos bëj si bëj unë” të Kishës, mund t’i rikthehet – dhe po i rikthehet tashmë  – antiklerikalizmit të vjetër të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Shtegu i dytë për Kishën është “opsioni i benediktin”, për të cituar titullin e një libri popullor në gjirin e katolikëve konservatorë në SHBA.[13] Nëntitulli i librit – “Një strategji për të krishterët në një komb post-kristian” – e bën çështjen edhe më të qartë. Sipas autorit, të krishterët janë një pakicë në një botë pagane, madje edhe barbare, pikërisht sikurse ata ishin në shekullin e gjashtëmbëdhjetë kur Shën Benedikti themeloi manastiret e para për jetën komunitare (në kundërvënie me jetën vetmitare të oshënarëve dhe heremitëve). Libri argumenton se të krishterët sot duhet të jetojnë mes njëri tjetrit në manastire moderne, ku ata do të mund të ndiqnin rregullat e tyre ndërkohë që presin që providenca hyjnore të rikthejë besimin mbi tokë. Në qoftë se mbahet parasysh se manastiret benediktine erdhën në ekzistencë teksa Perandoria Romake ra në duart e barbarëve, krahasimi që qëndron përfund këtij argumenti mund të shihet fare lehtë: sekularizmi dhe Islami janë dy aspekte të një shteti të ri barbar.

Opsioni i fundit për Kishës është rekonkuista shpirtërore. Kjo buron nga i njëjti vëzhgim – se ne jemi rikthyer në kohën e paganizmit dhe barbarëve – por në vend se të mbyllen në vetvete, të krishterët duhet t’ia nisin konvertimit të botës pagane nëpërmjet predikimit. Çdokund është territor misionarizmi, dhe prozelitët duhet t’u drejtohen jo vetëm “ish të krishterëve” por edhe myslimanëve gjithashtu. Në një intervistë me gazetën Le Monde, peshkopi i ri i Parisit, Michel Aupetit (Mishel Opëti), bëri një deklaratë në këtë drejtim, e cila, çuditërisht, nuk tërhoqi vëmendje:

“Çështja e Islamit i frikëson njerëzit për shkak të sulmeve terroriste dhe diskurseve që pohojnë se Franca do të bëhet truall i Islamit – ne i jemi rikthyer çështjes së pasigurisë kulturore. Por ne kemi përjetuar pasiguri të tjera kulturore në të kaluarën. Zhënëvieva, shenjtorja mbrojtëse e Parisit, jetoi në kohën e Atila Hunit dhe Kilderikut, mbretit të Frankëve. Gjermanët dhe frankët që mbërritën nuk ishin të gjithë pjesë e kulturës galo-romake apo e kulturës së krishterë. Bëhej fjalë për një tranzicion kolosal. Në atë kohë, Kisha i dha prioritet kulturës së ungjillëzimit, madje edhe pse kjo nënkuptonte flijim të kulturës së saj romake. Ajo periudhë, katërcipërisht më e keqe se epoka aktuale, na ka bërë ne këta që jemi sot.”

Mesazhi këtu është mëse i qartë: identiteti nuk ka asnjë vend. Barbari duhet të konvertohet në Krishterim, madje edhe me çmimin e vetë çkulturimit tonë. Feja duhet ta rindërtojë veten, pa i kushtuar fort vramendje kulturës.[14]

Në një kohë kur konservatorë të shumtë janë të preokupuar me krahasimin ndërmjet Rënies së Perandorisë Romake dhe dekadencës së hamendësuar të Perëndimit modern, deklarata e Opëti[15] refuzon atë që shërben si vetë themeli i populizmit: identitetin nostalgjik. Mesazhi i tij është tipar lëvizjes karizmatike konservatore apo neo-konservatore.

Identiteti sekular i krishterë dhe populizmi

Identiteti i krishterë i Europës është një temë që përsëritet shpesh në gjirin e populistëve. Ajo theksohet veçanërisht në zonat katolike, por është gjithashtu një kauzë në mesin e shumë sekularistëve por edhe të disa protestantëve gjithashtu. Por, kur flasin për identitetin e krishterë, a flasin në të vërtetë populistët për Krishterimin e Kishës? Populistët, ç’është e vërteta, mund ta bëjnë këtë thënie të Montenjit moto të tyren: “Ne jemi të krishterë sikurse jemi perigordianë [njerëz të një periudhe parahistorike sh.p.] apo gjermanë.”[16] Krishterimi, kësodore, nuk është më një fe, por një identitet.

Për të djathtën populiste, që për momentin ka rezultate të mira në Europë sipas sondazheve,  lufta kundër abortit nuk është një prioritet elektoral. Ky segment i të djathtës e sheh tani lirinë seksuale – dhe në Europën veriore, edhe feminizmin dhe maretesat e të njëjtës gjini – si një aspekt të identitetit evropian që ndan evropianët nga myslimanët. Filli i njëjtë që lidh populistët në refuzimin e tyre të Islamit, migrantëve, elitave, dhe Europës përkufizohet nga Bashkimi Europian. Ata janë të bashkuar nga mbrojtja që ata i bëjnë një populli imagjinar që supozohet se është homogjen, që mendohet se ndan të njëjtën kulturë, zakone dhe vlera. Ndërkohë që të gjithë populistët theksojnë identitetin, ata jo të gjithë ndajnë të njëjtat vlera. Në fakt, spektri është kaq i gjerë saqë sekularistët antiklerikalë dhe katolikët praktikantë janë të dy në gjendje që të gjejnë afinitete me populistët, ndër të cilët përfshihet edhe Geert Wilders, mbrojtës i flaktë i të drejtave homoseksuale dhe i vlerave të çlirim/emancipimit të viteve 1960 që myslimanët supozohet se e kanë të pamundur t’i asimilojnë’ PiS-ja polake, që mbron moralin e krishterë dhe i kundërvihet martesave të të njëjtës gjini; Marine Le Pen, e cila mbron më tepër një linjë sekulare se sa një linjë katolike dhe nuk dëshiron që të kthejë mbrapsht dallgën e çlirimit seksual;[17] dhe homofobiku e anti-feministi Matteo Salvini në Itali. E vetmja pikë e njëjtë që u mbetet të gjithë këtyre është kundërvënia ndaj Islamit, gjë që transhendon divergjencat e tyre mbi atë se ç’pamje duhet të ketë një shoqëri pa Islamin.

Sido që të qëndrojnë punët, votat, sondazhet dhe anketat tregojnë se rritja elektorale populiste nuk është shoqëruar nga një kundërgoditje konservatoreë në terma të vlerave. Kërkesat që përfshijnë liri seksuale, të drejta LGBT dhe feminizëm janë vazhdimisht në ngritje, deri në pikën, sikurse e përmendëm më herët, që kanë krijuar një efekt çikrik [efekt që i pamundur për t’u kthyer pas sh.p.]: nuk ka më kthim prapa. Me përjashtim të atyre në Poloni, shumica e gjerë e populistëve këmbëngulin në një kulturë sekulare dhe nuk i sfidojnë arritjet e viteve 1960. Ata nuk e veshin veten me vlerat e Kishës, dhe e sulmojnë fare lehtë establishmentin fetar kur atyre u duket se është tejet i butë ndaj imigracionit. Për shembull, në vitin 2009, partia Lega Nord e Salvini-t filloi një fushatë të gjithanshme kundër arqipeshkvit të Milanos, Dionigi Tettamanzi, i cili kishte kritikuar evakuimin me forcë të kapmeve të Romëve.[18] Dhe kur Wojciech Polak, arqipeshkvi i Gnieznos, dhe primati i Kishës Katolike të Polonisë, njoftoi në tetor të vitit 2017 se ai do të pezullonte çdo prift që merrte pjesë në demonstrata kundër refugjatëve, kjo ndezi një shkulm protestash në uebsitet populiste.[19]

Duhet vënë në dukje se një segment i të majtës franceze, për hir të sekularizmit, gjithashtu u përfshi në betejën kundër islamizimit dhe përfundoi duke iu bashkuar koalicionit anti-imigracion, si pjesë e Comité Laïcité République, dhe madje edhe të djathtën ekstrenme, si pjesë e Riposte laïque.

Në qoftë se nuk është një sistem vlerash, çfarë domethënie ka për populistët identiteti i krishterë i Europës? Ai duket se manifestohet kryesisht në transformimin e simboleve fetare të krishtera (kryqi, kullat e kishave, skenat e lindjes së Krishtit, etj…) në shënjues të identitetit kulturor që nuk janë të asociuar me praktikën fetare, shoqëruar nga heqja publike e shenjave të bashkëlidhura me fe të tjera, apo madje edhe dëbimin e njerëzve që i mbajnë veshur ato shenja.

Është e qartë se Krishterimi, sidomos Katolicizmi,[20] ka një rëndësi të konsiderueshme në peizazhin social dhe kulturor të Europës: nga ditët zyrtare të pushimeve deri te emrat e fshatrave; nga kryqet në anë të rrugëve dhe mbi majat e maleve, deri te kishat në qendrat e fshatrave dhe lagjeve; e deri te emrat e ashtuquajtur të krishterë që jepen në pagëzim. Populizmi i zbraz këto shenja nga domethënia e tyre fetare. Një zhveshje e tillë e shpirtërore nga simbolet fetare mund të jetë implicite ose eksplicite. Është implicite, apo e nënkuptuar, për shembull, kur populistët e shohin mbrojtjen e vendeve krishtere të adhurimit si thjesht një çështje e mbrojtjes së trashëgimisë. Marine Le Pen, ndër të tjerë, futi në manifestin e saj elektoral dëshirë për të “promovuar trashëgiminë dhe kulturën tonë: mbrojtja e trashëgimisë sonë do të bëhet sërish përparësisë, qoftë kur bëhet fjalë për monumente historike apo trashëgimi rurale (kisha dhe të tilla si ato)”.[21] Kjo është e vetmja referencë ndaj Krishterimit në programin e partisë së saj dhe i kategorizon kishat si monumente historike. Me fjalë të tjera, vlera e tyre shtrihet në punimin e gurit, jo në punën e shërbestave të tyre. Populistë të shumtë i mbrojnë kishat kundër xhamive, për sa koha që ato janë të zbrazëta, apo së paku të heshtura.

Në Francë kjo çështje u shndërrua në krizë në lidhje me skenat e lindjes së Krishtit, që disa kryebashkiakë populistë dëshirojnë t’i ekspozojnë në godinat e bashkive. Organizatat sekulare u kundërpërgjigjen duke dorëzuar ankesa kundër këtyre ekspozitave në emër të ndarjes së kishës nga shteti. Kisha nuk doli në mbrojtje të kryebashkiakëve, duke qenë se nuk bëhet fjalë për punë besimi. Kur u pyet se çfarë mendonte në lidhje me polemikat mbi skenat e lindjes së Krishtit, Andre Vingt-Trois, arqipeshkvi konservator i Parisit, u përgjigj:

“Një profkë! Kjo çështje është shfrytëzuar gjerë e gjatë për qëllime politike që nuk kanë të bëjnë fort me Krishtlindjet. Dhe pse jo Dita e Krepave Candlemas [festë franceze çdo katër vjet që kujton dëlirësimin e Marisë sh.p.]? Nuk besoj se ato bien nën laicitetin. Këshilli i Shtetit e zgjidhi këtë çështje duke evokuar rrethanat dhe natyrën kulturore të skenave të lindjes së Krishtit…. Prezenca e krishterë në shoqëri nuk katandiset në disa statuja të vogla në godinën e bashkisë!”[22]

Kryqet u janë nënshtruar polemikave të ngjashme. Në prill të vitit 2018, ministri i brendshëm i Bavarisë urdhëroi ekspozimin e kryqeve në ndërtesat qeveritare si “një shprehje e identitetit social dhe kulturor të Bavarisë” dhe si “një afirmim të vlerave tona kulturore dhe historike, si dhe të atyre shpirtërore”. Nuk pati asnjë referencë ndaj vlerave të krishtera; në diskutim ishin vetëm identiteti dhe kultura e një grupi social. Ministri shkoi deri aty saqë mohoi natyrën fetare të kryqit. Duke folur për Sueddeutsche Zeitung, Kardinali Reinhard Marx, arqipeshkv i Mynihut, e dënoi vendimin e ministrit, duke paralajmëruar se, “në qoftë se kryqi shihet vetëm si simbol kulturor, atëherë ai nuk është kuptuar.” Ç’është e vërteta, këtu gjendet dhe thelbi i problemit. Çështja nuk është vetëm ajo e të shkëputurit e një shënjuesi kulturor nga një shënjues fetar. Domethënia kulturore tani mbizotëron ndaj kuptimit fetar, gjë që nuk ndodhte kur kultura mbizotërues e shoqërisë ishte e mbrujtur me religjozitet.

Për Kishën, nuk bëhet fjalë, pra, thjesht për folklorizim të simboleve fetare (diçka që Kisha e ka pranuar gjithnjë në kontekstin e devotshmërisë popullore), por për një konflikt ndërmjet dy seteve të vlerave, aq më tepër duke qenë se rehabilitimi i simboleve të krishtera prezantohet shprehimisht – natyrisht në kurriz të domethënies së tyre fetare – si mënyra më e mirë për të hequr qafe simbolet myslimane në hapësirën publike. Në vitin 2009, Kardinali Christoph Schönborn, arqipeshkv i Vjenës, e qortoi ashpërsisht populisten Parti të Lirisë (FPÖ) në Austri për përdorimin e kryqit në posterat e saj anti-imigracion. Kardinali madje afirmoi se vlera e krishterë që ishte në diskutim, kurrsesi duke mos e refuzuar tjetrin, duhet të jetë “duaje armikun tënd” (Fiendesliebe).[23]

Është e qartë se Kisha ka një marrëdhënie të ndërlikuar me kulturën, apo më saktë se pikëpamja e saj për kulturën ka ndryshuar. Traditat lokale kanë qenë dikur një mjet për të përçuar fenë. Rrjedhimisht, nga bekimi i kafshëve e deri te bekimi i Një Harley Davidson, Kisha toleroi një masë të shëndetshme folklori si për të mos përjashtuar forma të devotshmërisë popullore që shpesh janë të rrënjosura në një kulturë lokale. Kultura popullore ishte e mbrujtur me devotshmëri të thellë. Por kur kultura dominante e shoqërisë u bë e sekularizuar, dhe shoqëria e spektaklit dhe e konsumerizmit pushtuan dhe ndryshuan kulturat lokale në mënyrë që t’i integronin ato në një logjikë ekonomike, ideologjike apo politike, Kisha hoqi dorë nga simbolet e saj dhe, në vend të kësaj, filloi të preokupohej me shpëtimin e frymës dhe kuptimit të tyre origjinal. Kur, për shembull, kortezhet në nder të Virgjëreshës Mari në Italinë e jugut kthehen në një homazh për bosin të mafias lokale, prifti tërhiqet dhe papa proteston.[24] Madje edhe kur një kortezh është mjaft i pafajshëm, Kisha është sot e shqetësuar se kultura dhe identiteti mund të marrin përparësi ndaj dimensionit shpirtëror.[25]

Është absurde ta shohësh rikthimin e simboleve kulturore të krishtera në hapësirën publike si pikënisje për të rifituar shpirtrat. Ata që e promovojnë atë nuk e vrasin fort mendjen për mësimet e Kishës; synimet e tyre i përkasin më tepër folklorit, argëtimit, spektaklit dhe shfrytëzimit. Paradoksalisht,  rikthimi i simboleve të krishtera faktikisht ndihmon që të sekularizohet feja.

Problemi është se as populistët dhe madje as Kisha nuk janë në kontroll të simboleve fetare. Tekembramja, janë gjykatat ato që vendosin, sepse nëse Kisha konsideron se një shënjues fetar nuk është mjaftueshëm fetar,  apo nuk është më fetar, sekularistët në krahun tjetër besojnë se ato sërish janë shumë religjoze. Kështu, normativiteti sekular është ai që faktikisht përcakton kuptimin e simboleve fetare sot.

Referenca

[1] James Davidson Hunter, Culture Wars, New York: Basic Books, 1991

[2] Samuel Huntington, The Clash of Civilizations, New York: Simon & Schuster, 1996.

[3] Megjithatë, një rrymë në gjirin e katolikëve konservatorë do të donte që ta ravijëzonte “doktrinën sociale” të Kishës me ultraliberalizmin ekonomik të evangjelistëve prtestantë. Atë Robert Sirico, që ka një trajektore personale mjaft të ndërlikuar, ka shkruar në këtë frymë në Defending the Free Market: The Moral Case for a Free Economy, Washington, DC: Regnery Publishing, 2012.

[4] Në Europë, Kisha Katolike i mbron të krishterët nga Lindja e Mesme, të cilët janë kryesisht arabë, ndërkohë që protestantët “centristë” ndjekin linjën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe rrjedhimisht janë të ndjeshëm ndaj kauzës palestineze. Marrëdhëniet ndërmjet Vatikanit dhe Izraelit nuk janë veçanërisht të mira.

[5] Posteri i Frontit Nacional gjatë fushatës elektorale të vitit 1978.

[6] Shiko Nadia Marzouki, Duncan McDonnell, Oliver Roy (eds.), Saving the People: Hoë Populists Hijack Religion, London: Hurst, 2016. I vetmi përjashtim është PiS në Poloni, që bën fushatë për një Poloni të krishterë kundër islamit. Fidesz në Hungari e dislokon retorikën e identitetit të krishterë, por thjesht i jep një rëndësi më të madhe kishave pa theksuar një plan të (ri)krishterizimit.

[7] Lëvizja paganiste është e fuqishme jo vetëm në të djathtën ekstreme neo-naziste në Europën veriore, por gjithashtu në të djathtën ekstreme franceze. Shiko Alain de Benoist: “Sa më shumë që Krishterimi rreket që të bëhet i “de-paganizuar”, aq më pak rezonon në zemrat e masave të cilët janë veçanërisht sensitive me traditat e vjetra popullore që janë shenjtëruar përgjatë shekujve por që faktikisht kanë ekzistuar që nga agimi i kohës: kortezhe, pelegrinazhe, kremtime të cilat që nga parahistoria kanë shoqëruar ritmin e stinave dhe epokave…. Katolicizmi është i lidhur me 2,000 vjet të historisë evropiane. Në të njëjtën kohë, ai i merr burimet e tij nga jashtë Europës, në destnin e jashtëzakonshëm që brezat e mëvonshëm të një sekti të vogël judaik kanë përjetuar…. Nuk është… e ndaluar, dhe madje është e këshilluar fuqimisht, që t’i kthehemi paganizmit për të gjetur një dimension që përshtatet në afat të gjatë, për të kuptuar më mirë origjinat tona,” intervistë në Terre et Peuple, Lion, shtator 2001.

[8] La Croix, 4 maj, 2017.

[9] Ka patur gjithnjë një rrymë identitare konservatore katolike, q ë nga Action Française deri te krahu tradicionalist i Frontit Nacional (AGRIF e Bernard Anotny, simboli i së cilës është kryqi i sajuar nga gjeli gal). Sot uebsiti “Salon Beige” përfaqëson këtë tendencë duke mbështetur Marion Marechal, por intransigjenca e tyre nënkupton se ata kanë mbetur në margjina.

[10] Shiko më poshtë.

[11] Lion, 6 shkurt 2007. Nënshkrues të saj ishin edhe peshkopi katolik, kryerabini, imami i xhamisë së Lionit, priftërinjtë e kishave ortodokse greke dhe armene, si edhe ministrat evangjelistë, anglikanë, dhe luteranë. Vetëm Kisha e Reformuar mungonte në liste. https://fr.zenit.org/articles/lyon-declaration-commune-de-chretiens-juifs-et-musulmans-sur-le-marriage

[12] Gjatë një takimi në Trent në vitin 2011, të diplomatëve katolikë dhe të anëtarëve tunizianë të Partisë Nahda, Atë Dall’Oglio (i cili që nga ajo kohë është zhdukur në Siri) mbajti një fjalim të shkurtër për të spikatur kundër kësaj rryme, duke argumentuar, sa i përket martesave të së njëjtës gjini, se “Ne nuk jemi ligjvënës; ne duhet të jemi profetë.”

[13] Rod Dreher, The Benedict Option: A Strategy for Christians in a Post-Christian Nation, New York: Sentinel, 2017. Si shumë katolikë konservatorë në Shtetet e Bashkuara (Ross Douthat, Robert Sirico, Sam Borwnback), Dreher kanë fillimisht konservator përpara se të konvertohej në Ortodoksinë lindore.

[14] Intervistë në Le Monde më 11 janar 2018 me Michel Aupetit, arqipeshkv i Parsit: “Tabuja sot nuk është më seks, është Zoti,”

[15] Deklarata e Aupetit është në tërësi në linjë me Shën Agustinin, i cili e njihte kuptimin e dekadencës.

[16] Montaigne, Essais, libri II, kapitulli 12.

[17] Në programin e partisë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2017, Fronti Nacional donta ta bënte sekularizmin një parim thelbësor të Republikës. (“Propozimi 95: Të promovojë sekularizmin (laicizmin) dhe të luftojë komunitarizmin. Të futet në Kushtetutë parimi i mëposhtëm: “Republika nuk njeh ndonjë komunitet.” Të rivendosim sekularizmin kudo, ta shtrijmë atë në të gjithë sferën publike dhe ta fusim atë në Kodin e Punës.”) Marine Le Pen e bën sekularizmin (laicitetin) armën e përdorur për të luftuar Islamizmin dhe përmend vetëm kalimthi trashëgiminë e krishterë të Francës. Ajo refuzon që të dënojë abortin dhe martesat e të njëjtës gjinidhe fton të krishterët dhe judejtë që të reduktojnë vizibilitetin e tyre fetar si një mjet për reduktimin e vizibilitetit të Islamit (intervistë e dhënë në Famille chretienne, 8 mars 2017).

[18] Gazeta e Lega Nord shkroi: “A është peshkop apo imam?” http://www.ilsole24ore.com/art/SoleOnLine4/Italia/2009/12/tettamanzi-polemiche-lega.shtml?uuid=641f6ebc-e324-11de-92fb-886fa561cf24&refresh_ce=1

[19] La Croix, 19 tetor 2017.

[20] Katolicizmi i bashkangjit një nivel rëndësie imazheve, artit të shenjtë dhe shënjimit të territorit të tij, ndërkohë që intelektualizmi protestant ngurron që t’u drejtohet shqisave.

[21] Platforma partiake e Marine Le Pen për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012. Kjo klauzolë nuk u shfaq më në vitin 2017.

[22] Le verites de Mgr Vingt-Trois’, Le Parisien, 19 dhjetor 2017.

[23] ‘Kardinal Schönborn liest Strache die Leviten’, Die Presse, 21 maj 2009.

[24] Në qershor 2016, gjatë një kortezhi në San Paolo Bel Sito, në afërsi në Napolit, bartësit e statujës së Madonës bënë një përulje përpara shtëpisë së një bosi të mafias lokale. Peshkopi i Nolas, Beniamino Depalma, ndërhyri për të mbrojtur priftin e famullisë, i cili në atë moment ishte larguar nga kortezhi. Madje në këtë çështje u përfshi edhe Papa Françesku (“nuk është Virgjëresha ajo që u përkul, është vetëm një statujë). http://www.napolitoday.it/cronaca/inchino-madonna-san-paolo-belsito.html.

[25] Në lidhje me kortezhin e kërcimtarëve në Echternach të Luksemburgut, letra për shtyp e arqipeshkvnisë pyet: “Kortezh apo show? … Në dritë të këtij evolumi, organizatorët dhe pjesëmarrësit duhet të pyesin veten nëse kortezhi nuk rrezikon të bëhet më i shumëngjyrshëm dhe më spektakolar. A është në linjë me natyrën e kortezhit që ne shohim çdo grup të përpiqet ta bëjë origjinën e tij të dukshme në një mënyrë a një tjetër? https://web.cathol.lu/2/mouvements/oeuvre-saint-willibrord.oeuvre-saint-willibrord/procession-dansante/le-sens-de-la-procession-dansante-dechternach-et-sa-sauvegarde-precisions-utiles.html

Last modified: 14/01/2021
Close