Mobeen Vaid dhe Waheed Jensen

 

  1. Tablo e përgjithshme

Ndërkohë që pjesa e parë e këtij studimi[1] bënte një analizë të traditës islame dhe pozicionit normativ të rrënjosur të Islamit sunit mbi jokonformitetin gjinor, ne tani kalojmë në një shqyrtim të identiteteve gjinore në shoqërinë bashkëkohore. Bota moderne i ka dhënë hov një morie identitetesh alternative gjinore që shihen si të disavantazhuara në raport me ato që shihen si privilegje të gëzuara nga individët “cisgjinorë” – një term ky që vë në pah ata që kanë një seks biologjik që është në përputhje me gjininë e tyre psikologjikisht të brendësuar. Ndonëse online ekzistojnë lista të shumta që renditin këto kategori të shumta alternative të identiteteve gjinore dhe seksuale, zgjerimi i shpejtë i seksualitetit si një set i pavarur i konstrukteve konceptuale e bën të vështirë që të mbahet hapi me to. Teksa diskutojnë këtë zgjerim, David Frank dhe Nolan Philips shkruajnë: 

Zgjerimi i seksualitetit në shoqëri është vetë-përforcues. Legjitimimi i çdo identiteti të ri vë në rrezik të tjerë. Kështu, qendra e vjetër gej në kampus transformohet në qendrën gej dhe të lesbikeve, dhe më pas në qendrën LGB, dhe më pas në qendrën LGBT, dhe më pas në qendrën LGBTQ, dhe në njëfarë pike në qendrën LGBTQI, dhe tani madje edhe në qendrën LGBTQQIAAP (lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë, queer, në diskutim, interseks, aseksual, aleatë, dhe panseksualë).[2]

Këto grupe inicialesh bashkojnë dy kategori: orientim seksual (gej, lesbike, biseksual, etj…) dhe identitete gjinore (transgjinor, jo-binar, etj…). Ky bashkim, ndër të tjera, është strategjik.[3] Gjinitë dhe seksualitetet alternative konsiderohen si të margjinalizuara dhe se qëndrojnë jashtë binarit mbizotërues mashkull-femër. Si identetet gjinore alternative ashtu dhe orientimet seksuale alternative i nënshtrohen përbuzjes morale nga feja tradicionale, një institucion ky – apo, më saktë, një set institucionesh – që konsiderohet si një pengesë domethënëse, në mos pengesa më e madhe, ndaj arritjes së barazisë së plotë sociale, kulturore, dhe politike. Mbrojtësit e këtyre të dyjave janë të interesuar në mënyrë të njëvlershme në avancimin e të drejtave të atyre që gjenden në krisjet e ndërmjetme që zënë komunitetet pakicë. Duke vepruar kështu, mbrojtësit e LGBT+ orvaten që të çbëjnë atë që ata e identifikojnë si paradigma të ngulitura fort të paragjykimit që vijojnë të ekzistojnë si rudimente të një epoke të supozuar të shkuar të fesë mesjetare, të konceptuar në formë formë të solidifikuar, dhe kanonëve të saj bashkëshoqërues që vijojnë të cënojnë liritë sociale dhe politike të individit modern. Kjo përfshin përdorimin e gjuhës së gjinorizuar, “nocionin” tradicional të martesës, dhe normat sociale që stigmatizojnë zgjedhjet e ndërlidhura me seksin të qytetarëve privatë, por nuk është e kufizuar vetëm te këto. E gjitha kjo, dhe shumëçka tjetër, cilësohet se ka nevojë që të çmontohet.

Ky studim fillon duke ofruar një përshkrim të hollësishëm të kësaj dukurie, më pas ecën më tutje për të shqyrtuar gjininë nga një kënd konceptual, ndërkohë që zhytet në disa debate lidhur me jo-konformitetin gjinor që kanë lindur në dekadën e kaluar. Në vijim të kësaj, ne e spostojmë vëmendjen tonë drejt transgjinorizmit si një fenomen modern, duke filluar me një histori të shkurtër, dhe, më pas, shqyrtojmë problematikat e shumta që përshkojnë atë, përfshirë debatet në fushat e psikologjisë, rininë transgjinore dhe medikalizimin e adoleshentëve të cilët përjetojnë disfori, apo dhimbje të tmerrshme, gjinore, dhe mbrojtjen transgjinore si një program politik dhe kulturor i dallueshëm. Në fund, ne e përfundojmë me një seksion që rishikon gjykimet ligjore (fetvatë) nga dijetarë myslimanë mbi jo-konformitetin gjinor dhe ndërhyrjet kirurgjikale të ndryshimit të seksit. 

 

II. Gjinia dhe identitetet gjinore

A. Gjinia: Një konstrukt social?

Një tipar i përbashkët i diskursit bashkëkohor është joshja e tij e vazhdueshme për gjininë dhe debatet e gjinisë. Myslimanë dhe jo-myslimanë pa dallim janë të zhytur në çështje të pagës së barabartë, pabarazisë së perceptuar (dhe reale) gjinore, dhe se nga çfarë përbëhet një “rol” gjinor (duke e marrë të mirëqenë se një gjë e tillë ekziston). Pavarësisht këtij debati të pandërprerë dhe të fortë, konceptimi qendror i asaj çka në fakt përbën gjininë rrallëherë i nënshtrohet shqyrtimit dhe përvijimit të kujdesshëm. Ajo që është e nënkuptuar në një pjesë të madhe të debateve gjinore është presupozimi i analogjisë ndërmjet gjinisë dhe seksit biologjik, domethënë, presupozimi se gjinia reflekton konstruktin psikologjik të një personi në të njëjtën mënyrë të drejtëpërdrejtë që seksi pasqyron përbërjen biologjike të një njeriu. Kur mbush një formular, një njeri nxitet të zgjedhë nga një binar i përbërë prej mashkull dhe femër (dhe përherë e më tepër “tjetër” ose i jepet preferenca për të mos e thënë) kur identifikon seksin. Kur shikohet sport në televizion, kanali çohet në atletikën për meshkuj dhe atë për femra, dhe kur lind nevoja për të shkuar në tualet, shkohet ose në tualetin e meshkujve ose atë të grave. Në këto mënyra, dhe shumë më tepër se kaq, përforcohet teleologjia natyrore e meshkujve dhe femrave si gjini të dallueshme të ndara nga konstrukti biologjik.

Teoricienët modernë të gjinisë e vënë në diskutim këtë konceptim të gjinisë, duke argumentuar se gjinia është diçka kulturore në të cilën dikush përfundon “nëpërmjet një procesi kompleks të socializimit”.[4] Ky konceptim mbështetet nga provat antropologjike që hedhin dritë mbi kulturat dhe shoqëritë e ndryshme që formalisht kanë njohur tre ose më shumë gjini,[5] krahas një morie të dallimeve që janë të qenësishme në shoqëritë që ruajnë një binar rigoroz të gjinisë. Këto diferenca kalçifikohen në shoqëri nëpërmjet normave sociale, të cilat komunikohen nëpërmjet metodave të socializimit që përfshijnë portretizimin mediatik, konvencionet e shkollimit, si dhe përjetësimit të pritshmërive mashkull vs. femër nga prindërit në raport me fëmijët e tyre në një moshë të re (zgjedhjet e veshjeve për fëmijët, si u flasin prindërit fëmijëve të tyre, zakonet e vënies së emrit, etj.). Në mënyrë kritike, për shkak se çdo shoqëri e manifeston gjininë në një mënyrë që është në një masë të madhe unike për të (veshjet e ndryshme, rolet sociale, etj.), argumentohet se “seksi i trupit nuk bart asnjë marrëdhënie të domosdoshme apo deterministe me kategorinë sociale në të cilën jeton trupi.”[6] Me fjalë të tjera, gjinia tregon vetëm pritshmërinë sociale dhe jo biologjinë.[7]

 

B. Gjinia: Biologjikisht e përcaktuar

Në kundërshtim me këtë pikëpamje janë kritikët të cilët e parashtrojnë konstituimin biologjik si një përcaktor substantiv të identitetit gjinor. Kjo qasje pohon se “karakteristikat biologjike të seksit janë baza e dallimeve gjinore – kromozomet X dhe Y dhe aktivitetet hormonale kanë ndikim në një gamë të cilësive individuale nga veçoritë fizike e deri te të menduarit dhe te aftësitë motorike”.[8] Përkrahësit e modelit biologjik nuk e reduktojnë gjininë thjesht në përbërje materiale apo biologjike, duke pranuar plotësisht famën e faktorëve mjedisorë dhe shoqërorë që mund të kontribuojnë dhe që shpesh kontribuojnë në kanonizimin e roleve dhe konceptualizimeve gjinore. Megjithëkëtë, ajo për të cilën argumentojnë avokatët e ndikimit biologjik është se kategoritë gjinore, pavarësisht se sa janë të formësuara nga faktorë socialë, kryqëzojnë pa dallim identitetet tradicionale mashkull-femër, me këto të fundit që përcaktohen pothuajse universalisht mbi bazën e dallimit anatomik të seksit.

Një sanksionim historik pothuajse universal i gjinisë i dikotomizuar në mashkull dhe femër është i vështirë që t’i mvishet faktorëve pastërtisht të jashtëm, sikurse janë konvencionet shoqërore të ndryshueshme dhe kontingjente. Madje edhe shoqëritë që kanë njohur tri (ose më shumë) gjini e kanë bërë një gjë të tillë në një mënyrë që domosdoshmërisht brendashkruan konceptime alternative gjinore brenda një dikotomie jetëgjatë mashkull-femër (ku gjinitë alternative përfaqësojnë anomali strikte dhe jo shpërndarje statistikore të identifikimit gjinor në mbarë shoqëritë). Këto gjini alternative në rastin më të shpeshtë manifestohen në formën e meshkujve të efeminuar, të femrave maskuline, apo të ndonjë kombinimi të tyre. Me fjalë të tjera, asimilimi i identiteteve gjinore të shtuara, si një çështje e përkufizimit të vetes, ka marrë si pikën e tij kryesore të referencës binarin ekzistues normativ mashkullit-femër.

Ç’është më interesantja, religjionistët e devotshëm nuk kanë qenë të vetëm në nënvizimin e inherentizmit gjinor kundër përpjekjeve konstruktiviste; madje edhe disa feministe të spikatura e kanë sfiduar idenë se një individ mund të bëjë vërtet tranzicion nga njëra gjini në tjetrën. Të cilësuar me përçmim nga disa si “feministe radikale trans-përjashtuese” (TERFs),[9] studiueset feministe Germaine Greer, Janice Raymond, dhe të tjera i kanë vënë në diskutim nocionet e tranzicionit gjinor. Vepra e Raymond e vitit 1979 me titull “The Transsexual Empire: The Making of the She-Male” (Perandoria transeksuale: Formimi i femrës-mashkull) kritikon një shoqëri e cila ka prodhuar burra që me entuziazëm i “objektivizojnë grate në përdhunim, pornografi dhe “drag”” sepse gjithashtu ajo i ka dhënë jetë burrave të cilët, të siguruar nga i njëjti socializim mundësues, e shndërrojnë veten në objekt nëpërmjet tranzicioneve “nga mashkull në femër të konstruktuar”.[10] Duke vepruar kështu, transseksualizmi fillon e përbën “konkluzionin fundor, dhe ne madje mund të themi edhe logjik, të zotërimit mashkullor të grave në një shoqëri patriarkale. Literalisht, këtu burrat zotërojnë gratë.”[11]

Ashtu si Raymond, edhe Greer gjithashtu i ka vendosur diskurset që kanë të bëjnë me fluiditetin gjinor brenda paradigmës së patriarkisë, duke e konsideruar transgjinorizmin[12] si një përvetësim të konstituimit femëror nëpërmjet reduktimit të përkufizimit të asaj se çfarë do të thotë të jesh grua nga një kënd i seksit (ngjashëm me burrin)  drejt një këndi i jo-seks.[13] Në përputhje me këtë, sipas Greer, procedurat kirurgjike për të hequr gjenitalet mashkullore përbëjnë një lloj gjymtimi, dhe, përfundimisht, dështojnë që të arrijnë qëllimet e tyre të synuara, duke qenë se heqja e gjenitaleve mashkullore nuk e ndryshon “faktin kromozomik njëlloj sikurse heqja bishtit të qenushëve nuk prodhon një racë pa bisht.”[14] Në përkrahje të argumentit të saj, Greer rendit statistika alarmante në lidhje me jetën post-tranzicion për transseksualët, përfshirë dhe përqindjet e larta të prostituimit, HIV-it, heptatit B dhe C, sifilizit aktiv, dhe kërkesën për ndërhyrjet e mëpasme korrigjuese kirurgjikale për të trajtuar indin e nekrotizuar, dështimet e shartimit, dhe traktet vaginale të ngushtuara apo të mbyllura.[15] Në një intervistë të vitit 2015 për BBC-në, kur u pyet për qëndrimin e saj mbi transgjinorizmin, Greer vërejti se gratë transgjinore nuk kanë “pamje, zë dhe sjellje prej grash.”[16]

Akademikja e mirënjohur Camille Paglia, që e quan veten “feministe disidente”, ka shprehur edhe kriticizmin e saj për fluiditetin gjinor. Në një editorial të vitit 2014 të botuar në revistën Time, Paglia shkruan, “Ideologjia e gjinisë që dominon botën e akademisë e mohon që dallimet në seks i kanë rrënjët në biologji dhe i sheh ato si fiksione të ndryshueshme që mund të rishikohen sipas dëshirës.”[17] Së fundmi, Paglia ka vijuar të jetë e çiltër në përkrahjen e saj për një konceptim biologjikisht të influencuar të gjinisë, duke thënë në një intervistë të qershorit 2017:

Pa diskutim, është ironike se si liberalët, të cilët pozicionohen si mbrojtës të shkencës kur vjen puna te ngrohja globale (një mit sentimental ky i pambështetur nga evidencat), i ikin çdo reference ndaj biologjisë kur vjen puna tek gjinia. Biologjia është përjashtuar në mënyrë programatike nga programet e studimeve të grave dhe studimeve gjinore prej pothuajse 50 vitesh. Si rrjedhojë, shumë pak profesorë dhe teoricienë aktualë të studimeve gjinore, si këtu brenda vendit edhe jashtë, janë intelektualisht apo shkencërisht të përgatitur për të dhënë mësim lëndët e tyre.

E vërteta e ftohtë biologjike është se ndryshimet e seksit janë të pamundura. Çdo qelizë e vetme e trupit njerëzor mbetet e koduar me gjininë e lindjes së njeriut për të gjithë jetën. Ambiguitetet ndër-seks, apo ndërmjet dy sekseve, ndodhin, por ato janë anomali zhvillimore që përfaqësojnë një përqindje të vogël të të gjitha lindjeve njerëzore.[18]

Këto zëra feministë nuk jane të vetëm në mosmiratimin e tyre të konstruksionizmit gjinor. Neurologja e Universitetit York, Debra Soh, ka shkruar një artikull në LA Times në vitin 2017 ku pyet nëse feministet gjinore dhe aktivistët transgjinorë po “minojnë shkencën” me këmbënguljen e tyre se gjinia ishte thjesht diçka në të cilën njeriu socializohet.[19] Në artikullin e saj, Soh argumenton se teksa kanë ndjekur një agjendë të caktuar politike, teoricienët gjinorë kanë flakur tutje hulumtimet shkencërisht të sakta dhe të provuara në mënyrë të përsëritur që pohojnë dallimet anatomike dhe fiziologjike ndërmjet burrave dhe grave. Këto dallime përfshijnë strukturën dhe funksionin e trurit (siç janë rrjedhshmëria verbale, procesimi vizualo-hapësinor, etj…), një fushë kjo në të cilën Soh është eksperte. Krahas gjykimeve të Soh, ka mjaft hulumtime mjeksore që shqyrtojnë karakteristikat dhe veçoritë specifike të sekseve, me studimet e kohëve të fundit që shqyrtojnë se si “seksi gjenetik çon në diferenca ndërmjet sekseve në etiologji dhe në progresin e sëmundjeve.”[20]

Argumentet e rrënjosura në përbërjen e qenësishme dhe biologjike shtrihen herë pas here përtej qenieve njerëzore duke e drejtuar gishtin nga jeta shtazore dhe rolet e vëzhguara gjinore aty. Andrew Sullivan, kolumnist i dikurshëm i New York Magazine i cili aktualisht shkruan si bloger i pavarur, së fundmi ka ofruar komente që pasqyrojnë pikërisht këtë argument, gjegjësisht se dallimi mashkull-femër, ndonëse i urryer nga teoricienët modernë dhe feministet e gjinisë, është norma de fakto e natyrës. Sullivan shkruan se ndonëse progresistët protestojnë kundër nocionit se gjinia korrespondon me seksin biologjik, ata “aktualisht nuk po bëjnë fushatë për mbylljen e serisë së dokumentarëve Planeti Tokë për shkak se ajo seri e bën të qartë se pothuajse në çdo specie, meshkujt dhe femrat kanë sjellje të ndryshme – shumë të ndryshme – dhe duket se në fuqi nuk ka asnjë “patriarki” që e bën të mundur një gjë të tillë.” Sullivan më tutje thotë se “është tronditurazi e qartë se për progresistët e sotëm, njerëzit jane e vetmja specie në këtë planet ku diferencimi gjinor nuk ka bazë të qartë në natyrë, shkencë, evolucion, apo biologji. Kjo është pika ku ata janë po aq armiqësorë ndaj Darvinit sa edhe çdo kreacionisti.”[21]

Kohët e fundit ka pasur përpjekje për të problematizuar atë që shihet si një përjashtim i transgjinorizmit nga fusha e vërtetimit biologjik. Disa kanë pretenduar ekzistencën e variacionit në sjelljen e gjinorizuar në gjirin e jetës shtazore, përfshirë edhe disa specie që shpërfaqin maskim gjinor. Një artikull së fundmi nga Juliet Lamb i titulluar në mënyrë provokative “A ka tendenca “transgjinore” te kafshët?” është përpjekje e tillë, ndonëse në konkluzione pranohet natyra mjaft tendencioze e analogjisë ndërmjet “hileve maskuese të gjinisë të kafshëve jo-njerëzorë dhe identitetit gjinor njerëzor.”[22] Ka pasur edhe përpjekje më serioze që e kanë parashtruar strukturën trunore si faktori kyç biologjik që shkakton një disfori të brendshme dhe në qëndrim. Këto argumente do t’i shqyrtojmë në seksionin e mëposhtëm.

 

Hulumtimet mbi strukturën trunore dhe transgjinorizmi

Pak a shumë si në rastin e homoseksualitetit, së fundmi janë bërë përpjekje për të implikuar faktorë biologjikë si shkaku i transgjinorizmit. Megjithatë, ndryshe nga homoseksualiteti, pretendimi për një predispozicion biologjik drejt transgjinorizmit nuk është ankoruar në thirrjet për evidenca gjenetike apo në gjurmimin e një “gjeni trans”. Ndonëse janë kryer studime që shqyrtojnë origjinat e mundshme gjenetike për transgjinorizmin, numri i këtyre studimeve është i rrallë, të paktën në raport me studimet që eksplorojnë faktorët gjenetikë që kanë të ngjarë të kenë ndikim në orientimin seksual. Krahas kësaj, këto studime janë fokusuar në një masë të madhe mbi subjektet MtF (nga mashkull në femër) duke pasur parasysh shpeshtësinë e transgjinorizmit MtF në raport me homologët FtM (nga femur në mashkull).[23] Për më tepër, rezultatet kanë qenë në një masë të madhe jo të jashtëzakonshme apo pa përfundime të qarta, dhe kjo për shkak të një larmie faktorësh, përfshirë edhe një mungesë në madhësinë e mostrës, komplikimet e përjetuara nga subjektet që marrin trajtim hormonal, dhe dallime cilësore ndërmjet transseksualëve që e identifikojnë veten si homoseksualë në raport me seksin e tyre të lindur (pra, biologjik) dhe atyre që kanë joshje heteroseksuale në raport me seksin e tyre të lindur.

Një studim që citohet herë pas here në përkrahje të një ndikimi gjenetik mbi transgjinorizmin është kryer nga një grup hulumtuesish australianë në vitin 2008. I transmetuar në mënyrë provokative nga mediat në atë kohë me titujt që shkruanin “Identifikohet hallka lidhëse e gjenit transseksual”[24] dhe “Studimi mbi transseksualizmin zbulon lidhjen gjenetike”,[25] konkluzionet faktike të studimit ishin shumë më modeste. I ndërmarrë me objektivin për të inspektuar shkaqe të mundshme gjenetike për transseksualizmin, ky studim shqyrtonte “rolin e gjatësisë së përsëritjes së polimorfizmave të lidhur me sëmundjet në receptorin androgjen (AR), receptorin estrogjen β (ERβ), dhe gjenet aromatase (CYP19)”.[26] Këto tre variante gjenesh asociohen tipikisht me nën-maskulinizimin dhe/ose nën-feminilizimin, dhe studimi nuk gjeti asnjë bashkëlidhje për transseksualizmin (term ky i përdorur në studimet e hershme në mënyrë të përkëmbyeshme me transgjinorizmin) për gjenet ERβ apo CYP19. Një bashkëlidhje u identifikua për gjenin AR, me konkluzionin se “identiteti gjini mashkullore mund të jetë pjesërisht i ndërmjetësuar nëpërmjet receptorit androgjen” (kursivet janë të miat).[27] Në këtë mënyrë, pretendimet për predispozim gjenetik vijojnë të jenë të pambështetura, dhe përpjekjet për të identifikuar themele gjenetike për transgjinorizmin janë duke u rishikuar, me një studim të ri që po zhvillohet i cili po shqyrton një gjenom transseksual si një shkak të mundshëm.[28]

Ndonëse studimet që shqyrtojnë faktorët gjenetikë për transgjinorizmin kanë qenë ose pa përfundime të qarta ose mbështetëse të konkluzionit se identitetet e mospërputhshme gjinore nuk kanë bazë gjenetike, hulumtimet neurologjike kanë prodhuar në pamje të parë përfundime më të besueshme për ata që argumentojnë në favor të një origjine biologjike të disforisë gjinore.

Në përputhje me këtë, nocioni i një “truri trans”, apo i mospërshtatjeve gjinore të trurit, është avancuar si burimi parësor i disforisë gjinore në diskutimet bashkëkohore rreth transgjinorizmit. Në trajtimin e këtij pretendimi, është e rëndësishme që së pari të dallojmë dhe të pranojmë plotësisht natyrën e luhatshmërisë neurologjike sikurse paraqitet kjo në konceptin e neuroplasticitetit. Neuroplasticiteti sot funksionon shpesh si një kryefjalë e përdorur për të sugjeruar se njeriu mund ta riorganizojë trurin pothuajse krejtësisht (dhe, herë pas here, në mënyra mjaft fantastike). Neurobiologu molekular dhe zhvillimor Moheb Costandi shkruan se në gjirin e publikut të përgjithshëm, neuroplasticiteti “përgjithësisht është i keqkuptuar, dhe keqkonceptimet në lidhje me atë se çfarë është neuroplasticiteti, dhe çfarë është në gjendje të realizojë, janë gjerësisht të përhapura”.[29] Costandi më tutje e përshkruan neuroplasticitetin si “një term gjithëpërfshirës që i regerohet mënyrave të shumta të ndryshme në të cilat mund të ndryshojë sistemi nervor.”[30] Ndonëse vetëm pesëdhjet vjet më pasë konsensusi shkencor pranonte vetëm një nocion të kufizuar të formimit të trurit që eventualisht kalçifikohej teksa koha rridhte, hulumtimet në fillim të viteve 1960-të filluan atë që do të bëhej një rishikim i kësaj ortodoksie të mëparshme, duke demonstruar në një larmi eksperimentesh përkulshmërinë e plotë të funksionit të trurit dhe ndikimin e të mësuarit dhe të eksperiencave të tjera mbi lëndën trunore. Si shembull, një studim i kryer rreth taksistëve në Londër zbuloi se ata kanë vëllim më të madh të lëndës gri në hipokampus, që rezulton nga përvetësimi i njohurive të orientimit në hapësirë.[31] Krahas kësaj, i njëjti studim zbuloi se sa më gjatë të qëndronin taksistët në punën e tyre, aq më shumë do të rritej vëllimi i pjesës së djathtë të pasme të hipokampusit.[32] Për ta thënë këtë shembull me fjalë të thjeshta, komponentët e strukturës trunore të taksistëve me kalimin e kohës u përshtatën ndaj llojit të njohurisë dhe përvojave që këta shoferë i kryenin në mënyrë të përsëritur në përditshmëri në vazhdën e profesionit të tyre. Studime të tjera janë fokusuar mbi impaktin e konceptimit të vetes dhe faktorëve psikologjikë mbi trurin, siç janë meditimi[33], stresi[34], dhe qëllimshmëria.[35] 

Duke pasur parasysh shtrirjen e përkulshmërisë neuorlogjike, është e arsyeshme të thuhet se personat të cilët e konceptojnë veten si të prekur nga disforia gjinore për periudha të tejzgjatura kohe do të fillojnë të përftojnë disa idiosinkrasi neurologjike që pasqyrojnë këtë konceptim për veten. Kjo është akoma edhe më e vërtetë për ata persona që e kanë bindur veten për vite, në mos dekada, me radhë se ata posedojnë një fenotip të çorientuar dhe që kanë kryer terapi hormonale dhe/ose iu janë nënshtruar procedurave shoqëruese kirurgjike si një masë “korrigjuese”. (Shiko Shtojcën A, më tutje, për një diskutim më të plotë të ndërveprimit midis trurit dhe kulturës në dritë të një teorie të re të morfologjisë së trurit të quajtur Modeli i Sjelljes Tru-Kulturë.)

Pavarësisht nga kjo, artikulli më autoritativ që paraqet përmbledhtazi studimet e mëparshme mbi strukturën e trurit dhe transseksualizmin është studimi i vitit 2016 me titull “Një tablo e gjendjes së hulumtimit të strukturës trunore në transseksualizëm” nga Guillamon et al.[36] Sa i përket rrugës zhvillimore të transseksualizmit, ka tri trajektore të gjera që shërbejnë si lentet paradigmatike nëpërmjet të cilave kryhen studimet mbi disforinë gjinore (DGJ, apo në angl. GD): fillimi i hershëm, fillimi i vonë, dhe fillimi i shpejtë. (Ne do t’i rikthehemi kësaj ndarjeje të trefishtë më vonë në seksionin e titulluar “Transgjinorizmi”, më poshtë.) Këtyre trajektoreve iu korrespondojnë joshje të dallueshme seksuale: disforia gjinore që fillon herët (që nis në fëmijëri dhe vazhdon në adoleshencë dhe moshë të rritur) pothuajse gjithnjë korrespondon me joshjet homoseksuale (androfilia MtF dhe gjinefilia FtM), ndërkohë që disforia gjinore që fillon vonë shfaqet më shpesh tek ata që kanë prirje heteroseksuale (gjinefilët MtF dhe androfilët FtM).[37] Studimi i vitit 2016 i diskutuar këtu përqendrohet ekskluzivisht mbi disforinë gjinore homoseksuale që fillon herët, duke u fokusuar mbi studime që shqyrtojnë fenotipin trunor të subjekteve FtM dhe MtF me fillim të hershëm si para ashtu dhe mbas trajtimit hormonal ndër-seksual. Gjetjet relevante janë si më poshtë: 

Studimet që shqyrtojnë transseksualët homoseksualë MtF përpara terapisë hormonale tregojnë se “parametrat kryesorë morfologjikë të trurit janë në harmoni me seksin e tyre të lindur në rastin e MtF-ëve homoseksualë të patrajtuar.”[38] Kësodore, për sa kohë që kemi të bëjmë me parametrat morfologjikë kryesorë, transseksualët androfilik MtF tregojnë kongruencë me meshkujt cisgjinorë. Megjithatë, “disa rajone kortikale tregojnë vëllim dhe dendësi femërore”, ndonëse ky motiv kortikal “nuk është i njëjti si ai që tregojnë femrat e kontrollit.”[39] Në mënyrë të ngjashme, fashikujt e lëndës kryesore të bardhë tregojnë demaskulinizim, ndërkohë që fashikujt e tjerë janë maskulinë. Në këtë drejtim, fenotipi i trurit i MtF-ëve homoseksualë tregon një dallueshmëri si në lëndën e bardhë ashtu dhe atë gri që kryesisht ndikon në hemisferën e djathtë të trurit.

Transseksualët homseksualë FtM, njëlloj si homologët e tyre MtF tregojnë motive morfologjike flagrante që korrespondojnë me seksin e tyre të lindur. Megjithëkëtë, po ashtu si transseksualët homoseksualë MtF, transseksualët homoseksualë FtM tregojnë fenotipin e tyre në aspekte të tjera të fenotipit të trurit si dendësia kortikal, strukturat subkortikale, dhe të tilla si këto, dhe “këto ndryshime shihen kryesisht në hemisferën e djathtë.”[40]

Këto gjetje tregojnë se as personat homoseksualë MtF as personat homoseksualë FtM nuk zotërojnë një tru plotësisht të “feminilizuar” (në rastin e MtF-ëve) apo të “maskulinizuar” (në rastin e FtM-ëve) në një mënyrë që të shmanget substancialisht nga gjinia e tyre e lindur. Në vend të kësaj, truri homoseksual MtF paraqet një përzierje të veçorive mashkullore, femërore, dhe të demaskulinizuar”, ndërkohë që truri FtM homoseksual “paraqet një përzierje të veçorive morfologjike femërore, të defeminilizuara, dhe maskulinizuara.”[41] Rëndësia e diskordancave trunore të hemisferës së djathtë vijojnë të jenë subjekt i studimeve të mëtejshëm. Studimi i vitit 2016 vë në dukje se hemisfera e djathtë është “kryesisht i përfshirë në analizëne  perceptimit të trupit dhe konotacioneve të tij emocionale” dhe më tutje argumenton se “shfaqja e një identiteti mashkullor apo femëror duhet të ndërmjetësohet fuqimisht nga zhvillimi i hershëm i një vetëperceptimi për një trup mashkull apo femër.”[42] Krahas këtyre konkluzioneve, studimi i vitit 2016 merr në shqyrtim edhe një studim për personat MtF jo-homoseksualë, ndonëse ky studim ka qenë i kufizuar në madhësinë e përzgjedhjes dhe nuk konkludoi asnjë variancë domethënëse nga fenotipi i trurit i meshkujve të grup kontrollit.

Studimi i vitit 2016 gjithashtu ka dhënë një tablo të futjes së trajtimit hormonal, dhe si për transseksualët MtF ashtu dhe për ata FtM, ndryshimet morfologjike u vrojtuan mbas një trajtimi të vazhdueshëm për katër muaj, ndonëse, sikurse vërehet në studim:

Ndryshimet duhet të priten kur hormonet arrijnë trurin në doza farmakologjike. Rrjedhimisht, skemat e trurit transseksual të trajtuar me hormone nuk mund të merren si evidenca të një fenotipi trunor transseksual për shkak se trajtimi ndryshon morfologjinë e trurit dhe errëson skemën e trurit përpara trajtimit.[43]

Lypset theksuar se studimet që shqyrtojnë sjelljen dhe strukturën e trurit të MtF ia tejkalojnë në numër stduimeve mbi FtM sa i përket shpeshtësisë, me rastet e transgjinorizmit MtF që janë më të mëdha në number se ato të transgjinorizmit FtM.[44]

Krahas studimit të vitit 2016, një studim po aq domethënës i vitit 1995 i titulluar “Një dallim seksi në trurin e njeriut dhe marrëdhënia e tij me transseksualitetin” citohet së tepërmi në përkrahje të pretendimit se ka një “tru trans”.[45] Studimi i vitit 1995 ka shqyrtuar trurin e gjashtë adultëve transseksualë MtF të vdekur të cilët i ishin nënshtruar si terapisë së hormoneve ashtu dhe ripërcaktimit të seksit, dhe zbuloi se “vëllimi i nënndarjes qendrore të nukleit të shtratit të stria terminalis (BSTc), një zone në tru kjo që është esenciale për sjelljen seksuale,” korrespondonte me madhësinë femërore.[46] Ndonëse ky studim vijon të jetë një referencë e zakonshme, studimet e mëpasme e kanë bërë më të ndërlikuar këtë tablo, në mos e kanë bërë atë krejtësisht irelevante. Anne Lawrence ka marrë në shqyrtim studimin e vitit 1995 së bashku me dy studime të mëpasme, njëri i vitit 2002 i cili ka vrojtuar se zhvillimi BSTc nuk ndodh deri në moshën madhore, dhe një studim të vitit 2006 që shqyrton efektin e terapisë hormonale mbi vëllimin e trurit. Teksa i përmbledh këto gjetje, ajo shkruan:

Teoria truri-seksi e transseksualizmit nuk ka qenë asnjëherë e lehtë për t’u bashkërenduar me realitetin klinik: transeksualizmi MtF homoseksual dhe jo-homoseksual janë kaq të ndryshëm nga pikëpamja klinike saqë është pothuajse e pamundur që të përfytyrohet se ato mund të kenë të njëjtën etiologji. Pavarësisht nga kjo, për njëfarë kohë të dhënat nga Zhou/Kruijver i dhanë teorisë truri-seksi njëfarë besueshmërie sipërfaqësore. Në vitin 2002, Chung et al. raportuan të dhëna të reja që ngrenin dyshime serioze në lidhje me teorinë truri-seksi, por autorët qenë në gjendje të shpjegonin se përse teoria mund të ishte ende e besueshme. Të dhënat e reja të raportuara nga Hulshoff Pol et al. në vitin 2006 nuk i bënë të pavlefshme këto shpjegime, por i bënë ato irelevante në një masë të madhe. Shpjegimi më i thjeshtë dhe më bindës i gjetjeve Zhou/Kruijver është se ato mund t’i atribuohen, në tërësi apo në masë dërrmuese, pasojave të terapisë hormonale të seksit tjetër të administruara gjatë moshës madhore. Nuk ka më asnjë arsye për të sugjeruar diçka më të ndërlikuar se kaq.

Teoria truri-seksi nuk ka qenë asnjëherë e dobishme në shpjegimin e vëzhgimeve klinike; sot ajo është bërë e pavend për të shpjeguar vëzhgimet neuro-anatomike. Ka ardhur koha që teoria truri-seksi e transseksualizmit të braktiset me gjithsej dhe në vend të saj të adaptohet një teori më e besueshme dhe klinikisht relevante.[47] 

Duke pasur parasysh ndërkryqëzimin midis fenotipeve trunore seksualisht divergjente dhe homoseksualitetit në gjirin e transsesksualëve, seksologu amerikano-kanadez Ray Blan teorizon se “transseksualiteti homoseksual MtF dhe FtM është një shprehje ekstreme e homoseksualitetit”, duke lënë të kuptohet “vazhdimësinë e mëposhtme: homoseksual → homoseksual me disfori gjinore → homoseksual transseksual.”[48] Blanchard më tutje ka teorizuar transseksualitetin jo-homoseksual MtF si një parafili e dallueshme të cilën ai e quajti autogjinefili, një term ky nga greqishtja e vjetër që do të thotë “dashuri për veten si grua.”[49] Teoria e autogjinefilisë u zhvillua në reagim ndaj hulumtimeve dhe studimeve të përsëritura në të cilat pacientët jo-homoseksualë biologjikisht meshkuj raportuan në masë dërrmuese një dëshirë erotike për të mishëruar gjininë femërore si motivimi kryesor për të vënë në jetë sjelljen transgjinore dhe për të ndjekur trajtim mjeksor transgjinor.[50] Blanchard nuk është e vetme në këtë vëzhgim, pasi ka studime që nga fillimi i shekullit të njëzet që raportojnë për fenomenin e autogjinefilisë.[51] Studime të tjera kanë argumentuar për një korrespondencë ndërmjet një dëshire për gjymtim të gjymtyrëve dhe transseksualizmit jo-homoseksual MtF në bazë të dëshirës së mbivendosur për të “korrigjuar” fenotipin për t’u përputhur me identitetin e perceptuar të vetes.[52] 

Paralelet ndërmjet këtyre dy fenomeneve përmbajnë “pakënaqësi të thellë me trupëzimin, parafili të ndërlidhura nga të cilat duket se vijnë konditat (apotemnofilia – një dëshirë akute për gjymtimin e gjymtyrëve – dhe autogjinefilia), zgjim seksual nga simulimi i statusit të kërkuar (pretendimi se është i gjymtuar dhe transvestitizmi), joshja nga personat me të njëjtin tip trupi që subjekti në fjalë dëshiron të përftojë, si dhe një prevalencë e lartë e interesave të tjerë parafilikë.”[53]

Njëlloj si Blanchard, specialistë të tjerë në fushën e studimeve gjinore dhe të psikoterapisë, si Anne Lawrence, Michael Bailey, dhe Kenneth Zucker, kanë mbështetur gjithashtu autogjinefilinë së bashku me parametrat themelorë të konkluzionit të Blanchard se transseksualizmi MtF është një manifestim thelbësisht erotik dhe jo tregues i një esence femërore me rrënjë të thella. Mbi këtë, në librin e tij “Burri që bëhet Mbretëreshë”, Bailey shkruan:

Transseksualizmi nuk mund të kuptohet pa studiuar seksualitetin e transseksualëve. Transseksualët bëjnë një jetë seksuale mjaft të pasur. Ata që dashurojnë burra bëhen gra për t’i joshur ata. Ata që dashurojnë gra bëhen gratë që ata duan.[54]

Ka disa botime që kritikojnë konkluzionet e Blanchard, ndër të cilat spikat një studim nga Charles Moser, i cili argumenton kundër autogjinefilisë si një shpjegim gjithëpërfshirës për transseksualitetin gjinefilik MtF.[55] Në vend të saj, Moser sugjeron një shumësi shkaqesh që kërkojnë diagnostikim të pavarur klinik pa përkrahur asnjë faktor në veçanti si të lidhur krejtësisht me transseksualitetin jo-homoseksual MtF.[56] Debati është akoma i gjallë, me Anne Lawrence që ka shkruar një artikull komentues mbi kritikën e autogjinefilisë të Moser.[57] Në këtë artikull, Lawrence vë në diskutim rigorozitetin e hulumtimit të Moser, duke vënë në dukje mangësitë në metodat e tij kërkimore.[58]

Krahas kësaj, pyetje më fondamentale ndërmjet marrëdhënies së morfologjisë së trurit dhe kognicionit vijojnë të jenë subjekt i diskutimeve domethënëse studimore. Ndoshta kritiku më i ashpër i atyre të cilët instrumentalizojnë hulumtimin neurologjik dhe imazherinë e trurit për të shpjeguar proceset kognitive ishte i ndjeri William Uttal. Duke shfrytëzuar punimet e filozofëve, neuroshkencëtarëve, dhe të tjerëve, Uttal shpalosi problemet që qëndrojnë në thelb të neuroshkencës kognitive, përfshirë dhe “kompleksitetin vigan, jo-linearitetin, dhe ndërveprimin e ndërlikuar si të domenit neural ashtu dhe të atij kognitiv” dhe se si ato “parashtrojnë ato që mund të jenë probleme të pazgjidhshme të analizës dhe shpjegimit për çdokënd që ka guximin të studiojë veprimtarinë mendore të njeriut.”[59] Uttal do të shkonte dhe më tutje, duke e përshkruar lokalizimin në neuroshkencën kognitive – përpjekjet për të ndërlidhur fenomenet psikologjike, qofshin ato përvoja subjektive (pra, qualia, apo cilësitë e përceptuara apo përjetuara nga një person) apo proceset mendore të llojeve të tjera, me skema të lokalizuara të identifikuara në imazherinë e trurit – si një “frenologji e re”.[60] Sipas kësaj kritike, neuroshkenca kognitive mbështetet mbi gabimet korelative të rendit më të lartë, ato që varen nga veprimtaria mendore e përkufizuar keq (aksesueshmëria e plotë e së cilës kontestohet edhe ajo së tepërmi), supozimin se fenomenet psikologjike mund të reduktohen në “komponentë neuralë, kognitivë, apo llogaritës,”[61] dhe mungesën e plotë të aftësisë për të ndërlidhur drejtpërdrejt dhe këmbëngultazi pjesë të trurit me detyra specifike (pra, problemi i replikueshmërisë). 

Zbatimi i kësaj kritike ndaj studimeve të trurit mbi transgjinorizmin bën që të lindin disa pyetje të rëndësishme: a mund të dallohet truri “mashkull” nga ai “femër” në mënyrë kaq përfundimtare saqë veçoritë rravguese trunore mund të konsiderohen si ose të efeminuara ose burrërore. Fjala vjen, nëse tek një femër që parapëlqen të vishet si mashkull madhësia e hipokampit zgjerohet, a është kjo jashtë gamës normale të madhësisë së hipokampit të vrojtuar tek gratë të cilat sillen në përputhje me zakonet e rrobaqepjes femërore? Sa vendimtar është kjo diferencë e trurit, dhe a është ajo mjaftueshëm e ndryshme për të sugjeruar në mënyrë definitive se truri i kësaj gruaje është “mashkull”? Dhe çfarë mund të thuhet për ata tek të cilët struktura dhe morfologjia e trurit nuk tregon asnjë ndryshim, madje edhe pas terapisë hormonale? Në çfarë mase duhet të adoptojmë ne determinizmin biologjik të kësaj natyre për të shpjeguar transgjinorizmin si një fenomen kur pretendimet e tij substanciale janë të gjitha, në thelb, psikologjike? Dhe deri në çfarë mase duhet t’i kushtojmë vëmendje këmbënguljes tashmë zakonisht me dy hapa se “zgjedhjet” individuale duhen respektuar pavarësisht nga kuptueshmëria e tyre nga ndonjë masë shkencore ndërkohë që njëkohësisht proklamohet një tezë e tipit “kështu ka lindur” pa pasur asnjë prove kërkimore të besueshme, të verifikuar, të vërtetuar dhe të rishikuar nga shkencëtarë të tjerë për të mbështetur këtë pretendim?

Në përmbledhje, gjetjet relevante deri më sot kanë zbuluar se divergjenca morfologjike në tru është më e theksuar në gjirin e transseksualëve homoseksualë, ndonëse edhe këto hulumtime dalin në përfundimin se “parametrat kryesorë morfologjikë të trurit” të transseksualëve homoseksualë të patrajtuar “janë të përputhshme me seksin e tyre të lindur.”[62] Një divergjencë më e lartë është raportuar në mesin transseksualëve të cilët i janë nënshtruar një terapie hormonale të tejzgjatur, gjë kjo që është në përputhje me gjetjet në studime të tjera rreth subjekteve që kanë marrë doza farmakologjike të hormonëve që arrijnë në tru. Të dhënat e derisotme nuk mbështesin divergjenca domethënëse morfologjike për transseksualë heteroseksualë të patrajtuar, dhe studime të shumta mbi transseksualizmin vijojnë të mbesin pa përfundim të qartë për shkak të madhësisë së kufizuar të mostrës dhe faktorëve të tjerë të kontrollit. Disa hulumtues (si Blanchard) kanë propozuar një teori të transseksualizmit homoseksual MtF si një shprehje ekstreme e homoseksualitetit dhe transseksualizmit jo-homoseksual MtF si të ndërlidhur me një fetish të theksuar ndër-gjinor (gjegjësisht, autogjinefilia), ndërkohë që të there kanë hequr paralele ndërmjet transseksualizmit jo-homoseksual MtF dhe dëshirës mashkullore për të kryer prerjen e një gjymtyre.

Ka shumë teori alternative në lidhje me disforinë gjinore, dhe rezistenca ndaj gjithçkaje që nuk është një konfirmim i plotë i ideve mbizotëruese në lidhje me fluiditetin gjinor dhe me një idetnitet gjinor “esencial” që nuk është në përputhje me seksin e lindur të një njeriu, ka çuar në një kundërreagim të ashpër dhe në fushata të shënjestruara që bëjnë thirrje për dhënie fund të karrierës së atyre studiuesve. Në vitin 2016, Dr. Kenneth Zucker, një hulumtues i rëndësishëm në fushën e tranzicioneve të seksit, u pushua nga puna e tij në një klinikë kanadeze si pasojë e trysnisë nga një grup aktivistësh trans.[63] Së fundmi, gazetari Jesse Singal botoi një artikull në gazetën Atlantic të titulluar “Kur fëmijët thonë se janë trans” ku bënte thirrje për shqyrtim të mëtejshëm dhe për maturi përpara se të dilet në konkluzionin se ndërhyrja kirurgjikale për ndryshimin e seksit apo trajtimi hormonal është zgjidhja e duhur për fëmijët që përjetojnë disfori gjinore.[64] Në kundërpërgjigje, aktivistët trans e kanë shënjestruar Singal-in në mënyrë të egër, duke vënë në diskutim motivate e tij dhe duke e sharë e ofenduar atë si një fanatik i painformuar dhe kokëfortë.[65]

Megjithë këto presione, origjinat e transgjinorizmit vijojnë të jenë të kontestuara, ndërkohë që vetë domethënia e ndryshimit të trurit i është nënshtruar debateve të konsiderueshme duke pasur parasysh gjendjen e hulumtimeve neurologjike dhe përkulshmërinë e strukturave trunore në përgjithësi. Në përputhje me gjithë këtë, nocioni semplist se transseksualizmi përfshin një “mashkull biologjik me një tru femër” apo anasjelltas nuk është në koherencë me gjetjet aktuale të hulumtimeve, dhe studimet e ndryshme të përdorura për të përshkruar transgjinorizmin si një gjendje e bashkëlindur mund të përdoren po njëlloj për të problematizuar dukuritë e disforisë gjinore, terapisë së hormoneve, dhe dëshirës për ndryshim me anë të kirurgjik. Fluiditeti i qenësishëm i predispozimit biologjik thjesht sugjeron atë që është tashmë e mirëditur: gjegjësisht, se çfarëdo që të mendohet për transgjinorizmin, thirrjet se ai është i qenësishëm janë një shpatë me dy tehe, dhe pikëpamja se “gjinia” (si e kundërvënë ndaj seksit biologjik) është qenësisht e ngulitur në gjendjen psikologjike të një njeriu është pretendim pikë së pari metafizik, dhe jo një pretendim shkencor apo empirik. 

Përktheu: Arjol Guni

 

[1] Shih Mobeen Vaid, “ ‘And the Male Is Not like the Female’: Sunni Islam and Gender Nonconformity, Part I,” MuslimMatters, July 24, 2017, https://muslimmatters.org/2017/07/24 /and-the-male-is-not-like-the-female-sunni-islam-and-gender-nonconformity/.

[2] David John Frank and Nolan Edward Phillips, “Sex Laws and Sexuality Rights in Comparative and Global Perspectives,” Annual Review of Law and Social Science 9, no. 1 (2013), https://doi.org/10.1146/annurev-lawsocsci-102612-134007.

[3] Duhet vënë në dukje se homoseksualët e vetëidentifikuar (gay dhe lesbike) tani poo ngrejnë objeksione kundër shkrirjes së orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Dy uebsite me contribute të qëndrueshme nga homoseksualët e vetëidentifikuar janë Gender Apostates (https://genderapostates.com/) dhe 4thWaveNow (https://4thwavenow.com/). Krahas këtyre, një aleancë e formuar rishtazi “LGB Alliance,” me qendër në Britani, i kushtohet kundërshtimit të përpjekjeve trans për ta bërë gjininë krejtësisht fluide dhe të dalluar nga seksi.

[4] Shih Susan Stryker, Transgender History (Berkeley: Seal Press, 2008), 11.

[5] Shih, fjala vjen, diskutimet e lidhura me Navajo nádleehí in Carolyn Epple, “Coming to Terms with Navajo Nádleehí: A Critique of Berdache, ‘Gay,’ ‘Alternate Gender,’ and ‘TwoSpirit,’ ” American Ethnologist 25, no. 2 (2008), https://doi.org/10.1525/ae.1998.25.2.267.

[6] Shih Stryker, Transgender History, 11 (kursivet janë në origjinal).

[7] Shih Maria Power, “The Social Construction of Gender,” Applied Social Psychology (student blog), October 3, 2011, http://www.personal.psu.edu/bfr3/blogs/applied_social_psychology /2011/10/the-social-construction-of-gender.html.

[8] Shih Julia T. Wood and Natalie Fixmer-Oraiz, Gendered Lives: Communication, Gender & Culture (Boston: Cengage Learning, 2015), 36.

[9] Shih Penny White, “Why I No Longer Hate ‘TERFs,’ ” Feminist Current, Nëntor 10, 2015, http://www.feministcurrent.com/2015/11/10/why-i-no-longer-hate-terfs/.

[10] Shih Janice G. Raymond, The Transsexual Empire: The Making of the She-Male (New York: Teachers College Press, 1994), 29.

[11] Ibid.

[12] Duhet vënë në dukje se ndonëse janë të shumtë ata që përdorin termat transgjinor dhe transseksual në mënyra që praktikisht janë sinonime, transseksualizmi konvencionalisht tregon ata që kanë marrë asistencë mjekësore për qëllimin e tranzicionimit gjinor, ndërkohë që transgjinorizmi përshkruan  realitetin psiko-social të atyre “shprehja e identitetit gjinor dhe/apo gjinia e të cilëve ndryshon nga ajo që tipikisht asociohet me seksin që atyre iu është caktuar në lindje.” Për hollësi të mëtejshme, shih “GLAAD Media Reference Guide – Transgender,” GLAAD, Prill 19, 2017, https://www.glaad.org/reference/transgender, as well as Susan Scutti, “What Is the Difference between Transsexual and Transgender? Facebook’s New Version of ‘It’s Complicated,’ ” Medical Daily, 18 mars, 2014, https://www.medicaldaily.com/what-difference-between -transsexual-and-transgender-facebooks-new-version-its-complicated-271389.

[13] Germaine Greer, The Whole Woman (London: Transworld Publishers, 1999), 81.

[14] Ibid.

[15] Ibid., 82–84.

[16] Kai Schweizer, “A Criticism of Trans-Exclusionary Radical Feminism,” Curtin Writers Club, March 18, 2017, https://www.curtinwritersclub.com/single-post/2017/03/18/A -Criticism-of-Trans-Exclusionary-Radical-Feminism.

[17] Camille Paglia, “Camille Paglia: The Modern Campus Cannot Comprehend Evil,” Time, 29 shtator, 2014, http://time.com/3444749/camille-paglia-the-modern-campus-cannot -comprehend-evil/.

[18] Jonathan V. Last, “Camille Paglia: On Trump, Democrats, Transgenderism, and Islamist Terror,” Weekly Standard, 15 qershor, 2017, http://www.weeklystandard.com/camille-paglia -on-trump-democrats-transgenderism-and-islamist-terror/article/2008464.

[19] Debra Soh, “Op-Ed: Are Gender Feminists and Transgender Activists Undermining Science?,” Los Angeles Times, 10 shkurt, 2017, http://www.latimes.com/opinion/op-ed/la-oe -soh-trans-feminism-anti-science-20170210-story.html.

[20] Tuck C. Ngun et al., “The Genetics of Sex Differences in Brain and Behavior,” Frontiers in Neuroendocrinology 32, no. 2 (2011), https://doi.org/10.1016/j.yfrne.2010.10.001.

[21] Andrew Sullivan, “#MeToo and the Taboo Topic of Nature,” New York Intelligencer, 19 janar, 2018, https://nymag.com/intelligencer/2018/01/sullivan-metoo-must-choose -between-reality-and-ideology.html.

[22] Juliet Lamb, “Are There ‘Transgender’ Proclivities in Animals?,” JSTOR Daily, 6 tetor, 2016, https://daily.jstor.org/transgender-proclivities-in-animals/

[23] Shih Anne A. Lawrence, “Autogynephilia and the Typology of Male-to-Female Transsexualism: Concepts and Controversies,” European Psychologist 22, no. 1 (2017), https://doi.org /10.1027/1016-9040/a000276.

[24] “Transsexual Gene Link Identified,” BBC News, 26 tetor, 2008, http://news.bbc.co.uk/2 /hi/health/7689007.stm.

[25] Helen Carter, “Transsexual Study Reveals Genetic Link,” ABC Science, 27 tetor, 2008, http://www.abc.net.au/science/articles/2008/10/27/2401941.htm.

[26] Lauren Hare et al., “Androgen Receptor Repeat Length Polymorphism Associated with Male-to-Female Transsexualism,” Biological Psychiatry 65, no. 1 (2008), https://doi.org/10.1016/j.biopsych.2008.08.033.

[27] Ibid.

[28] Daniel Trotta, “Born This Way? Researchers Explore the Science of Gender Identity,” Reuters, 3 gusht, 2017, https://www.reuters.com/article/us-usa-lgbt-biology/born-this-way -researchers-explore-the-science-of-gender-identity-idUSKBN1AJ0F0.

[29] Moheb Costandi, Neuroplasticity (Cambridge, MA: MIT Press, 2016), ix.

[30] Ibid.

[31] Elanor A. Maguire et al., “London Taxi Drivers and Bus Drivers: A Structural MRI and Neuropsychological Analysis,” Hippocampus 16, no. 12 (2006), https://www.fil.ion.ucl.ac.uk/Maguire/Maguire2006.pdf.

[32] Ibid.

[33] Richard J. Davidson and Antoine Lutz, “Buddha’s Brain: Neuroplasticity and Meditation,” IEEE Signal Processing Magazine 25, no. 1 (2008), https://www.ncbi.nlm.nih.gov /pmc/articles/PMC2944261/.

[34] Christopher Pittenger and Ronald S. Dunman, “Stress, Depression, and Neuroplasticity: A Convergence of Mechanisms,” Neuropsychopharmacology 33 (2008), https://www.nature.com/articles/1301574.

[35] Jean Askenasy and Joseph Lehmann, “Consciousness, Brain, Neuroplasticity,” Frontiers in Psychology 4, no. 412 (2013), https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/23847580/.

[36] Shih Antonio Guillamon et al., “A Review of the Status of Brain Structure Research in Transsexualism,” Archives of Sexual Behavior 45, no. 7 (2016), https://doi.org/10.1007/s10 508-016-0768-5.

[37] Shih ibid., 1616.

[38] Ibid., 1623b.

[39] Ibid.

[40] Ibid., 1626.

[41] Ibid., 1627b.

[42] Ibid., 1629a.

[43] Ibid., 1638b.

[44] Shih Lawrence, “Autogynephilia and the Typology of Male-to-Female Transsexualism,” 39, https://doi.org/10.1027/1016-9040/a000276, ku autori thotë: “Meshkujt biologjikë me transseksualizëm, të cilësuar se transseksualë mashkull në femër (MtF), kanë një numër shumë më të lartë se homologët e tyre femër në mashkull (FtM) dhe shfaqin diversitet më të madh klinik.”

[45] Jiang-Ning Zhou et al., “A Sex Difference in the Human Brain and Its Relation to Transsexuality,” Nature 378, no. 6552 (1995), https://doi.org/10.1038/378068a0.

[46] Ibid., 68a.

[47] A. A. Lawrence, “A Critique of the Brain-Sex Theory of Transsexualism (2007),” Semantic Scholar, 2015, https://pdfs.semanticscholar.org/bd96/cf1011a7a1de90c524335fdd15663ee 977c2.pdf.

[48] Ibid.

[49] Ray Blanchard, “Early History of the Concept of Autogynephilia,” Archives of Sexual Behavior 34 (2005), https://doi.org/10.1007/s10508-005-4343-8.

[50] Ibid.

[51] Ibid.

[52] Anne A. Lawrence, “Clinical and Theoretical Parallels between Desire for Limb Amputation and Gender Identity Disorder,” Archives of Sexual Behavior 35, no. 3 (2006), https://doi.org/10.1007/s10508-006-9026-6.

[53] Ibid.

[54] J. Michael Bailey, The Man Who Would Be Queen: The Science of Gender-Bending and Transsexualism (Washington, DC: Joseph Henry Press, 2003), xii.

[55] Charles Moser, “Blanchard’s Autogynephilia Theory: A Critique,” Journal of Homosexuality 57, no. 6 (2010), https://doi.org/10.1080/00918369.2010.486241.

[56] Ibid.

[57] Anne A. Lawrence, “Something Resembling Autogynephilia in Women: Comment on Moser (2009),” Journal of Homosexuality 57, no. 1 (2010), https://doi.org/10.1080/00918360 903445749.

[58] Ibid.

[59] William Uttal, Dualism: The Original Sin of Cognitivism (Mahwah, NJ: Lawrence Erlbaum Associates Publishers, 2004), 2.

[60] William Uttal, The New Phrenology: The Limits of Localizing Cognitive Processes in the Brain (Cambridge, MA: MIT Press, 2001).

[61] Ibid., ix.

[62] Ka tre karakteristika kryesore morfologjike në tru që lidhen me seksin: (1) madhësia e trurit (me madhësinë e përgjithshme të meshkujve që është më e madhe se truri i femrave, por komponentët individual të trurit janë gjithashtu të “seksizuar” në kuptimin se janë tipikisht më të theksuar ose tek meshkujt ose tek femrat, respektivisht); (2) rrjeti kompleks i këtyre hemisferave të seksizuara (sikurse është shqisa e të nuhaturit, që është e ndërlidhur me sjelljet seksuale dhe amënore); dhe (3) vdekja e natyrshme e qelizave (apoptoza) dhe neurogjeneza. Puna kërkimore ka zbuluar se të trija këto karakteristika korrespondojnë me seksin e lindur në individët me disfori gjinore apo ata transgjinorë (para trajtimit), që bie ndesh me nocionin e zakonshëm të invidit transgjinor si një “femër në një trup mashkulli” (apo anasjelltas). Ç’është e vërteta, karakteristikat neurologjike më domethënëse që janë seksizuar nuk tregojnë asnjë divergjencë ndërmjet individëve transgjinorë dhe pjesëtarëve jo-transgjinorë të seksit të tyre të lindur.

[63] Jesse Singal, “How the Fight over Transgender Kids Got a Leading Sex Researcher Fired,” Cut, 7 shkurt, 2016, https://www.thecut.com/2016/02/fight-over-trans-kids-got-a-researcher -fired.html.

[64] Jesse Singal, “When Children Say They’re Trans,” Atlantic, korrik/gusht 2018, https://www.theatlantic.com/magazine/archive/2018/07/when-a-child-says-shes-trans/561749/.

[65] Harron Walker, “What’s Jesse Singal’s F** Deal?,” Jezebel, 19 qershor, 2018.

Tags: , , , Last modified: 10/02/2023
Close