Shah Vali Allah el-Dehlevi
Burimi: Shāh Walī Allāh, The Conclusive Argument from God: Shāh Walī Allāh of Dehli’s Ḥujjat Allāh al-Baligha, Trans. Marcia K. Hermansen (Leiden: Brill, 1996), 145-171.
Mbi natyrën e vërtetë të lumturisë
Ti duhet ta dish se njeriu ka një përsosmëri nga forma specifike, dhe një përsosmëri nga pozita e llojit njerëzor, në terma të gjinisë së afërt dhe të largët.[1] Lumturia (fundore),[2] mungesa e së cilës është e dëmshme për njerëzit, dhe për të cilën njerëzit me arsye të shëndoshë përpiqen fort, është njëra prej këtyre dy përsosmërive.
Është kështu për shkak se një person zakonisht mund të çmohet për cilësi që ai i ka të njëjta me trupat minerarë, siç është gjatësia dhe lartësia e madhe, dhe në qoftë se “lumturia” (se’ade) do të përbëhej nga këto, atëherë vargmalet do të iëshin më të përmbushur në mirëqenie. Ose një person mund të çmohet për cilësi që ai i ka të njëjta me bimët, siç janë rritja e duhur dhe dukja me konture të bukura dhe trajta rrezatuese, kështu që nëse mirëqenia do të përbëhej nga këto, atëherë zambaku dhe trëndafili do të kishin një përsosmëri më të plotë. Ose një person mund të çmohet për cilësi që ai i ka të njëjta me kafshët, si forca e madhe, zëri i lartë, të qenit epsharak, të ngrënit dhe të pirit pa kufi, dhe të pasurit me bollëk të zemërimit dhe zilisë; dhe sikur lumturia të përbëhej nga këto gjëra, atëherë gomari do të kishte lumni më të plotë.
Veçoritë që janë karakteristike për njeriun, sikurse janë vritytet e kultivuara, mbështetjet e shëndosha për qytetërim (irtifakat), aftësitë prodhuese/artizanale të larta, dhe pozita e lartë – menjëherë krijohet përshtypja se këto janë lumturia e mbrame e njerëzve. Kështu, ti do të shohësh se në çdo komb të njerëzimit ata të cilët kanë përshquajtësi më të madhe, si dhe gjykim më të shëndoshë, dëshirojnë t’i shtiejnë ato në dorë; dhe se ata i cilësojnë si atribute jo të lëvdueshme gjërat që janë të ndryshme prej tyre. Mirëpo, problemi në fjalë sërish nuk është formuluar me saktësi, për shkak se baza e këtyre (cilësive të lëvdueshme) gjendet edhe në mesin e kafshëve individuale. Kështu, guximi bazohet mbi zemërimin, mbi dashurinë për hakmarrje, mbi palëkundshmërinë në fatkeqësi, dhe mbi përparimin në situata të rrezikshme, dhe të gjitha këto gjenden me tepri te shtazët e gjinisë mashkullore. Megjithatë, ai nuk quhet “guxim” deri sa rrezatimi i nefsit racional t’i rafinojë ato, kështu që ato të bëhen të udhëhequra nga qëllimi universal dobiprurës dhe të shfaqen në sajë të një motivimi të arsyetuar. Në mënyrë të ngjashme, baza për aftësitë prodhuese/artizanale të gjymtyrëve gjendet te kafshët, si trumcaku që ndërton foleza. Dhe përnjëmend, shumë gjëra që kafshët i bëjnë natyrshëm, njeriu nuk mund t’i bëjë as me mundimin më të madh. E vërteta, përkundrazi, është se kjo lumturi është e rastësishme, dhe se lumturia e vërtetë është udhëzimi i kafshërores nga fryma racionale, bindja e pasioneve ndaj arsyes, ku fryma racionale nënshtron kafshëroren, dhe arsyeja bëhet dominante mbi pasionet. Të gjitha karakteristikat e tjera janë të papërfillshme.
Ti duhet ta dish se çështjet që përfshihen në lumturinë e vërtetë ndahen në dy kategori.
1) Njëra kategori përfshihet nën temën e shfaqjes së rrezatimit të nefsit (frymë/vete) racionale në jetën e përditshme nëpërmjet dekretit të prirjes së lindur (xhibbile). Është e pamundur që virtyti i dëshiruar të përftohet nëpërmjet kësaj kategorie, por ndonjëherë një kredhje në këto akte mund të ndodhë për shkak të të qenit të tyre joshëse, sidomos nëpërmjet një koncepti fragmentar, si në rastin e personit të mangët; kjo në kundërdallim me përsosurinë e dëshiruar. Një shembull do të ishte personi i cili dëshiron të përftojë guxim nëpërmjet provokimit të zemërimit, konfliktit, dhe kështu me radhë; apo ai që dëshiron të përftojë gojëtarinë nëpërmjet njohjes së poezisë dhe oratorisë arabe. Virtytet (akhlak) shfaqen vetëm nëpërmjet kontaktit me pjesëtarë të tjerë të llojit, dhe mbështetjet për qytetërimin fabrikohen vetëm në kundërpërgjigje ndaj nevojave të rastit, dhe aftësitë prodhuese/artizanale të gjymtyrëve realizohen vetëm nëpërmjet veglave dhe materialeve; dhe të gjitha këtyre gjërave u vjen fundi me shuarjen e jetës së kësaj bote. Kësisoj, në qoftë se personi i mangët vdes në këtë konditë, duke qenë ai i urryer, ai mbetet pa përsosmëri. Në qoftë se imazhet e këtyre lidhjeve (dynjasore) kapen fort pas nefsit së tij, atëherë dëmi që i bëhet atij është më i madh se sa dobia.
2) Kategoria e dytë ka në shpirtin e saj pozitën e nënshtrimit nga ana e kafshërores ndaj forcës ëngjëllore, kështu që e para sillet në përputhje me frymëzimin e ëngjëllores dhe bojatiset nga ngjyresa e saj, ndërkohë që ëngjëllorja e pengon atë që të marrë ngjyrat e botës, dhe e pengon që mbi të të vulosen shenjat e saj si shenja e unazës-vulë mbi dyll. Kjo nuk mund të ndodhë kurrsesi nëse ëngjëllorja (forca) nuk kërkon diçka nëpërmjet natyrës së saj thelbësore dhe nëse nuk dërgon te kafshërorja një frymëzim lidhur me të, dhe ia sugjeron këtë asaj, kështu që (nga ana tjetër) kafshërorja t’i bindet asaj dhe të mos rebelohet apo ta frenojë veten nga ajo. Kështu, ajo (ëngjëllorja) nuk resht së urdhëruari dhe kafshërorja (nuk resht) së binduri, dhe gjërat vijojnë në këtë mënyrë derisa forca kafshërore bëhet e mësuar dhe stërvitet me këtë. Ato gjëra që ëngjëllorja i dekreton nëpërmjet natyrës së saj thelbësore, dhe që kafshërorja është e shtrënguar t’i bëjë pavarësisht nga ngurrimi i saj, janë të atij lloji që të parën e bëjnë të lumtur dhe të dytën të brengosur, siç është imitimi i Melekutit dhe përpjekja për Xheberutin, sepse ato janë një veçanësi e ëngjëllores, dhe kafshërorja është në distancën më të largët prej tyre. Ose (kjo vazhdon derisa) braktiset çfarëdolloj gjëje që kafshërorja dekreton, që gjen kënaqësi në të, dhe që ka neps për të në teprimet e saj.
Kjo kategori e dytë quhet aktet e adhurimit dhe ushtrimeve fetare,[3] dhe këto marrin pjesë në përftimin e virtyteve të dëshiruara të cilat mungojnë. Hulumtimi i kësaj pike kthehet në faktin se lumturia e vërtetë nuk ngërthehet përveçse nëpërmjet akteve të adhurimit. Si rrjedhojë, qëllimi universal e dobiprurës u bën thirrje individëve njerëzorë nga kamarja e formës specifike[4] dhe i urdhëron ata këmbëngulurazi që të kryejnë përmirësimin e cilësive që janë një përsosmëri e dytë për të,[5] në masën në të cilin ato janë të nevojshme. Ai po ashtu i urdhëron njerëzit që qëllim fundor të vëmendjes së tyre të përqendruar dhe shënjestër të vështrimeve të tyre të bëjnë rafinimin e nefsit, dhe stolisjen e saj me qëndrime që e bëjnë atë t’i përngjajë asaj çka është sipër saj në gjirin e Kuvendit më të Naltë, dhe ta përgatisë atë për shpalljen e realiteteve të Xheberutit dhe Melekutit. (E urdhëron atë) që kafshëroren ta bëjë të nënshtruar ndaj ëngjëllores, si dhe të bindur ndaj saj, dhe ta bëjnë atë një vitrinë për manifestimin e urdhërave të saj.
Kur individët njerëzorë janë të shëndetshëm në përputhje me llojin e tyre, dhe lënda e tyre është në gjendje që të manifestojë cilësitë e llojit, krejtësisht dhe plotësisht, ata e gjakojnë me zjarr këtë lumturi (fundore) dhe tërhiqen prej saj siç tërhiqet hekuri nga magneti. Ky është karakteri i lindur (khalk) sipas të cilit Zoti, qoftë Ai i Lartësuar, krijoi njeriun, dhe natyra fillestare, në përputhje me të cilën Ai, qoftë i Lartësuar, i strukturoi njerëzit. Rrjedhimisht, nuk ka pasur asnjë komb në gjirin e njerëzimit që të ketë zotëruar temperamente të ekuilibruara dhe që në gjirin e tij të mos ketë një grup të njerëzve të mëdhenj të cilët u japin rëndësi përsosmërisë së këtij karakteri të lindur dhe e cilësojnë atë si lumturia e mbrame. Mbretërit dhe burrat e mencur, dhe ata poshtë tyre, i shohin ata sikur kanë arritur atë çka është e lartësuar përmbi të gjitha lumturitë e kësaj bote, dhe se atyre u janë bashkuar ëngjëjt dhe iu janë bashkuar rretheve të tyre kështu që ata (këta njerëz, pra) kërkojnë bekimin e tyre dhe u puthin atyre duar e këmbë. Pra, si mund të ndodhë vallë që arabët dhe jo-arabët, megjithë dallimet e tyre në zakone dhe fe dhe në distanca ndërmjet qyteteve e trojeve të tyre, të pajtohen në një gjë me një unitet të llojit – përpos për shkak të afinitetit të natyrës fillestare? E si mund të mos ishte kështu, kur ti ke pranuar se forca ëngjëllore është e pranishme në natyrën themeltare fillestare njerëzore, dhe kur ti ke pranuar njerëzit sipërorë dhe ata më të mëdhenjtë ndër ta, dhe Zoti e di më së miri.
Dallimet në lumturi në mesin e njerëzve
Ti duhet ta dish se guximi dhe pjesa tjetër e virtyteve gjenden në shkallë të ndryshme tek individët njerëzorë.
Ndër ta është personi të cilit i mungon totalisht guximi, arritja e të cilit nga ana e tij është përjetësisht e pashpresë për shkak të ngulitjes së formës së kundërt në themelin e natyrës së tij. Shembuj janë personi i efeminuar apo ai me zemër të dobët sa i përket guximit.
Ndër ta është personi i cili ka mangësi në guxim, tek i cili ka shpresa (që ai të zhvillohet) mbas veprimeve të tij ushtruese, thënieve, dhe qëndrimeve të përshtatshme për të, pasi të mësojë gjëra të tilla nga njerëzit e guximshëm, dhe të sjellë në kujtesë rrëfenjat e atyre që janë më të përsosurit në të, pra, atë çfarë u ka ndodhur atyre në kaluarën, pasi ata qëndruan të paluhatur në fatkeqësi dhe u përballën me rrethana të rrezikshme.
Ndër ta është personi që bazën e këtij virtyti e ka të krijuar në natyrën e tij, por i cili vazhdimisht bie pre e gabimeve, kështu që në qoftë se atij i jepet urdhër që ta frenojë veten prej tyre, kjo është tejet shtypëse për të dhe ai bëhet i heshtur në zemërim. Në qoftë se atij i jepet urdhër që të bëjë diçka të pajtueshme me natyrën e tij, kjo do të ishte si sulfur të cilit i vihet flaka, sepse djegia nuk do të vononte.
Ndër ta është personi tek i cili ky virtyt është i krijuar plotësisht dhe me bollëk. Ai domosdoshmërisht do të ngutet që të realizojë kërkesat e këtij virtyti, dhe në qoftë se, për shembull, ai do të nxitet që të tregohet burracak, ai megjithatë nuk do të thyhet. Të vepruarit me akte që janë në përputhje me këtë virtyt dhe me qëndrime të përshtatshme për të do të jetë e lehtë për atë nga natyra, pa ndonjë konvencion apo shtytje. Ky person është udhëheqës në këtë virtyt dhe nuk ka nevojë për asnjë mësues, dhe ata të cilët janë inferiorë në raport me të në këtë virtyt duhet të ndjekin shembullin e tij dhe duhet t’i rrokin me vendosmëri sjelljet e tij. Ata duhet të kapen fort pas imitimit të qëndrimeve të tij dhe nuk duhet të harrojnë kurrsesi përvojat e tij në mënyrë që ata të mund të realizojnë përsosmërinë e këtij virtyti i cili është parashikuar tek ata në përputhje me atë që është dekretuar, apo shkruar, në rastin e tyre.
Në mënyrë të ngjashme, njerëzit ndryshojnë sa i përket këtij virtyti nga i cili varet lumturia e tyre.
Ndër ta është personi i cili është krejtësisht i privuar nga guximi, për të cilin nuk mund të shpresohet se do të bëhet punëdrejtë, njëlloj si ai të cilin Hidri e vrau,[6] dhe i cili nga natyra ishte mosbesimtar. Kjo është ajo çka tregohet në thënien e Zotit, qoftë Ai i Lartësuar: “Të verbër, të shurdhët dhe të pamend, ata nuk kanë për t’u penduar.”[7]
Ndër ta është ai i mangëti tek i cili ky (virtyt) mund të parashikohet (se do të shfaqet) mbas ushtrimeve të mundimshme dhe veprimeve të tejzgjatura të cilat ndëshkojnë nefsin (frymën) e tij më të ulët. Një person i tillë lyp nxitjen e thirrjes së pejgamberëve dhe praktikat e zakonshme që kanë ardhur dorë pas dore prej tyre, dhe këta janë shumica e njerëzve. Ardhja e pejgamberëve ka thelbësisht dhe kryesisht për qëllim pikërisht këta të fundit.
Ndër ta është personi tek i cili ky virtyt është vendosur në një kuptim të përgjithshëm por i cili person gjithashtu bën gabime. Kësodore, ai duhet të ketë një ekzemplar në pjesën më të madhe të rasteve në mënyrë që të përpunojë dhe të ekspozojë qëndrimet që janë të përshtatshme për këtë virtyt. Në lidhje me këto, Zoti, qoftë i Lartësuar, thotë: “Vaji i të cilëve do të flakëronte (nga vetvetja) ndonëse asnjë zjarr nuk e ka prekur atë.”[8] Këta njerëz quhen “Ata që shkëlqejnë”.[9]
Ndër tipet e njerëzve janë pejgamberët të cilët qenë në gjendje, pa një ekzemplar apo nxitje të mëparshme, të bënin të mundur përsomërinë e këtij virtyti dhe të zgjidhnin qëndrimet e duhura për të si dhe të prodhonin mjetet për ta bërë atë që i mungonte ky virtyt ta përftonte atë, ta bënin atë të mos reshte tek ai në të cilin ishte tanimë i pranishëm, dhe të përsosnin personin i cili ishte i mangët në të. Kështu, ndërkohë që ndiqnin kërkesat e prirjes së tyre natyrore, ata sistematizuan kodet e sjelljes, që njerëzit i bartin në mendje dhe i marrin si statut. Dhe përnjëmend, kur punimi i hekurit, tregtia dhe zanatet e tjera të ngjashme me to nuk rroken nga pjesa më e madhe e njerëzve përveçse nëpërmjet praktikave të përçuara nga paraardhësit e tyre, çfarë mund të thuhet në lidhje me këto gjurmime të fisme në të cilat udhëzohen vetëm ata të cilëve u është dhënë sukses prej Zotit? Në këtë temë, është e domosdoshme që të kuptohet nevoja për pejgamberët, dhe nevoja për të ndjekur praktikat e tyre dhe për të studiuar hadithet e tye, dhe Zoti e di më së miri.
Ndarjet ndërmjet njerëzve në mënyrën se si ata e arrijnë këtë lumturi
Ti duhet ta dish se kjo (më e larta) lumturi arrihet në dy mënyra.
1) Njëra prej tyre i përngjan flakjes tutje të natyrës kafshërore, dhe kjo bëhet duke i qëndruar besnik stratagjemave që bëjnë të mundur një pezullim të ligjeve të natyrës, një shuarje të nxehtësisë së saj, një fikje të flakës së shkencave dhe konditave të saj. Kjo kryhet duke duke iu kthyer me një vëmendje të plotë asaj që shtrihet përtej Xheberutit, me nefsin që pranon dijen që është krejtësisht e ndarë nga hapësira dhe koha dhe kënaqësinë që është e ndryshme nga kënaqësitë e njohura në çdo mënyrë tjetër, derisa fryma nuk mplekset më me njerëz të tjerë, dhe as nuk dëshiron atë që ata dëshirojnë, dhe as nuk i frikësohet asaj së cilës ata iu frikësohen, sepse njeriu e gjen veten në një vis të largët dhe në një vend që është në një distancë të madhe prej tyre.
Kjo është lumturia që gjakojnë teozofët[10] në gjirin e filozofëve dhe mexhdhubët[11] në gjirin e sufive. Shumë syresh arrijnë kreshtën më të lartë të majës së saj dhe pjesës tjetër nuk i ngelet vetëm se të gjakojë me zjarr për të me vështrimet e tyre të ngulitura mbi të, me shikimet e tyre që aspirojnë për të, duke u kapur fort pas imitimit formal të qëndrimeve të saj.
2) E dyta (e këtyre mënyrave për të arritur lumturinë) është në linjën e të reformuarit të anës kafshërore dhe të korrigjuarit të devijimit të saj ndërkohë që ruhet lidhja me natyrën e saj thelbësore. Kjo kryhet kur një njeri orvatet që ta shtrëngojë kafshëroren që të imitojë veprat, qëndrimet, kujtimet, etj…, të nefsit racionale. Për shembull, teksa memeci përpiqet që njerëzve t’u përçojë ligjërim me anë të gjesteve të tij, dhe ai i cili po portretizon gjendjet psikologjike të frikës dhe turpit (imiton) duke përdorur gjeste të dukshme të bashkëlidhura me këto gjendje; dhe sikurse gruaja që ka humbur një fëmijë e shpreh brengën e saj me fjalë dhe vajtime të cilat kushdo që i dëgjon do të hidhërohet, edhe pa i dalë përpara imazhi i pikëllimit.
Duke qenë se rregullimi hyjnor në botë bazohet mbi zgjedhjen e asaj çka është përherë më e afërt dhe më e thjeshtë, dhe shqetësimi është për përmirësimin e atyre që ndjekin të njëjtin kurs, si tërësia e individëve të llojit dhe jo ata që janë të jashtëzakonshëm dhe të veçantë, dhe interesat më të mira të të dyja botëve rregullohen si për të mos trazuar rendin e asgjëje tek to; nuri dhe rahmeti i Zotit lypte që Ai të dërgonte fillimisht pejgamberët dhe në thelb të përcaktonte qartë mënyrën e dytë; ta thërrite dhe të nxiste njerëzit për tek ajo. Mënyra e parë tregohet nëpërmjet aluzioneve dhe imitimeve të nënkuptuara dhe në asgjë tjetër, dhe “Zoti ka argumentin bindës.”[12]
Shtjellimi i imtësishëm i kësaj është se mënyra e parë e të arriturit të lumturisë shfaqet vetëm ndër njerëzit që kanë një konflikt të fortë të dy anëve (texhadhub)[13] dhe këta janë të paktë; si dhe nëpërmjet kryerjes së ushtrimeve të ashpra fetare dhe nëpërmjet të pasurit të një shkëputjeje të fortë (nga dynjaja), por ama pakkush e bën këtë. Modelet e tyre janë një grup njerëzish të cilët i lënë pas dore mjetet e tyre të jetesës, dhe për të cilët bota nuk ka rëndësi. Kjo mënyrë e parë arrihet vetëm nëpërmjet përgatitjeve të avancuara të një grupi punëdrejtë nga (udha) e dytë.[14] Ky grup (i anëve reciprokisht konfliktuese) nuk mund të shmangë shpërfilljen e njërës prej dy lumturive; ose përmirësimin e mbështetjeve të qytetrërimit në këtë botë ose reformimin e nefsit më të ulët për amëshimin. Kësisoj, në qoftë se pjesa më e madhe e njerëzve do të ndiqnin mënyrën e parë, bota do të përfundonte në rrënoja, dhe në qoftë se ajo do t’u imponohej atyre, ky do të ishte imponimi i një gjëje të pamundur, duke qenë se mbështetjet e civilizimit janë bërë një natyrë e dytë për njerëzinë.
Modelet e mënyrës së dytë janë njerëzit të cilët janë të udhëzuar (mufehhemun)[15] dhe ata janë reformatorët të cilët, në të njëjtën kohë, marrin përsipër punët e fesë dhe të botës. Thirrja e tyre pranohet dhe precedentët e tyre pasohen, dhe brenda tyre është përsosuria e atyre të cilët qenë të pajisur me integrim të brendshëm (el-mustalihin) prej “Atyre që Shkëlqejnë në punë të mira” (sabikun), dhe Njerëzit e Krahut të Djathtë (anës së drejtë) (as’hab el-jemin), dhe këta janë pjesa më e madhe e njerëzve.[16] Personi inteligjent, ai i marrë, ai i zënë me punë, apo ai që rri kot është i aftë që të ndjekë këtë mënyrë të dytë, dhe në të nuk ka asnjë mundim. Kjo mënyrë është e mjaftueshme për robin e Zotit në ndreqjen e nefsit së tij më të ulët dhe në parandalimin e daljes së saj nga udha, dhe në të mbrojturit e tij nga mundimet e frikshme të Amëshimit, duke qenë se çdo nefs ka veprime ëngjëllore prania e të cilave e bën atë të lumtur, apo mungesa e të cilave bën që ajo të vuajë në dhimbje. Sa i përket parimit të zhveshjes (së anës kafshërore), përtëritjet e varrit dhe ringjallja do të ndodhin në frymë në mënyrë të atillë saqë personi nuk e kupton natyrën e tyre, madje edhe mbas njëfarë kohe. Poezia (e thotë qartë):
Koha do të tregojë atë për të cilën s’pate dije,
Dikush do të japë lajme, pa i dhënë kurrfarë porosie.[17]
Përmbledhtazi, të kuptuarit e aspekteve të së mirës, dhe të depërtuarit thellësisht në to, është në rrafshin e të pamundurës për pjesën më të madhe të njerëzve, dhe injoranca e thjeshtë nuk është e dëmshme, dhe Zoti e di më së miri.
Parimet në të cilat zë fill arritja e mënyrës së dytë
Ti duhet ta dish se ka mënyra të shumta për të arritur lumturinë nëpërmjet mënyrës së dytë , por Zoti, me nurin e tij, më ka bërë të kuptojë se ato zënë fill në katër cilësi (khisal) që ana kafshërore i merr kur ajo dominohet nga fryma racionale, duke u shtrënguar prej saj që të bëjë atë që është e përshtatshme për të. Këto janë gjendjet e njeriut që janë më të ngjashme me atributet e Kuvendit më të Naltë, si dhe një përgatitje për t’u bërë i bashkëlidhur me to dhe për t’iu bashkuar rrethit të tyre. Ai më bëri mua që të kuptoja se Ai i ka dërguar pejgamberët për t’iu bërë thirrje njerëzve dhe për t’i nxitur ata, dhe se ligjet hyjnore janë një shtjellim i kësaj dhe janë të sendërtuara mbi të.
1) Njëra nga cilësitë është dëlirësia (tahare). Natyra e vërtetë e kësaj është se kur natyra fillestare e një personi është e shëndetshme, temperamenti i tij është i shëndoshë, dhe zemra e tij është e çlirët nga gjendjet më të ulëta që e hutojnë atë nga meditimi, dhe më pas ai bëhet i ndotur me papastërti, dhe ka nevojë që të dalë për ujët e hollë apo ujët e trashë ose ka patur së fundmi raport seksual apo çfarë çon tek ajo; fryma, apo vetja, e tij bëhet e ngushtuar, atë e godet depresioni dhe trishtimi, dhe ai e gjen veten në një trullosje të madhe. Si rrjedhojë, kur ai i shkarkon nga vetja dy gjërat më të papastra, dhe fërkon trupin e tij dhe lahet dhe vesh rrobat më të mira dhe parfumoset, atëherë ai ngushtim zmbrapset prej tij dhe në vend të atij ngushtimi ai gjen relaksim, lumturi, dhe zgjerim. E gjitha kjo nuk është për qëllimin që të ekzposohet imazhi i tij përpara njerëzve ose në mënyrë që të ruajë konvencionet e tyre, por më saktë është vetëm për shkak të dekretit të nefsit racional.
Gjendja e parë quhet “papastërti rituale” (hadeth) kurse e dyta, “dëlirësi”. Personi i mençur, dhe ai i cili shpërfaq cilësitë e shëndosha të species me kapacitetin material për t’iu nënshtruar cilësive të formës specifike, e di se këto dy gjendje dallojnë nga njëra tjetra, dhe, në bazë të natyrës së tij, e do njërën gjendje dhe e urren tjetrën. Njeriu injorant, në qoftë se ana e tij kafshërore bëhet disi më e dobët dhe ai vazhdon të jetë në gjendje të dëlirësisë dhe përkushtimit ndaj devotshmërisë, dhe e zë veten me pikasjen e të dyja gjendjeve, ai pashmangshmërisht do t’i pikasë ato dhe do të jetë në gjendje që të bëjë dallimin e njërës nga tjetra.
Dëlirësia është cilësi e shpirtit krijues që i përngjan më së shumti gjendjeve të Kuvendit më të Nartë në shkëputjen e tyre nga papastërtitë kafshërore dhe ngazëllimit të tyre në dritën që ata e zotërojnë. Si pasojë, dëlirësia e përgatit nefsin që të vishet me përsosmërinë e saj në përputhje me fakultetin praktik.[18]
Papastërtia rituale, kur fiton fuqi mbi njeriun dhe e rrethon atë në të gjitha anët, shkakton tek ai një prirje për të receptuar pëshpërimat dhe vegimet e djajve nëpërmjet sensus communis (hiss mushterik) dhe në makthe. Ajo gjithashtu shkakton një prirje për shfaqjen e errësirës përreth tij në atë çka është afër me frymën racionale, si dhe që ai të përfytyrojë bisha të mallkuara dhe të këqija. Kur dëlirësia fiton fuqi mbi një person dhe ai i bëhet i rrethuar prej saj, e vëren atë, dhe mbështetet mbi të, ajo do t’i japë hov një tendence për receptimin e frymëzimeve të ëngjëjve, duke i parë ata, duke pasur ëndrra të mira, manifestimin e dritave (nureve), përfaqësimin/paraqitjen e gjërave të këndshme, dhe pasoja të tjera të shkëlqyera dhe plot bereqet hyjnor.
2) Virtyti i dytë është që të përulesh (ikhbat) përpara Zotit, qoftë Ai i Lartësuar. Natyra e vërtetë e këtij virtyti është se kur një person, i cili është i shëndetshëm (në temperament) dhe i shkëputur (nga shqetësimet e tjera), përkujtohet për shenjat dhe cilësitë e Zotit, qoftë Ai i Lartësuar, dhe ushtrohet me këmbëngulje në përkujtimin e tyre, fryma racionale vihet në alarm dhe shqisat e trupi i tij i nënshtrohen asaj, dhe bëhen të zbehta dhe të hutuara. Lind një prirje për të Shenjtën, dhe gjendja e tij është si ajo e njeriut të rëndomtë në oborrin e Mbretërve, të cilët (vulgu, pra) vërejnë parëndësinë e tyre dhe fuqinë kapluese të atyre (mbretërve) për të dhënë apo për të mos dhënë. Kjo është gjendja e shpirtit krijues e cila është më e afërta dhe më e ngjashmja me gjendjen e Kuvendit më të Naltë në orientimin e tij drejt Krijuesit të tij ndërkohë që është i mahnitur me madhështinë e Tij dhe i gëlltitur në të proklamuarit e shenjtërisë së Tij. Si rrjedhojë, këto gjendje janë një përgatitje për prurjen e nefsit në përsosmërinë e saj intelektuale, gjë më të cilën unë nënkuptoj vulosjen e gnozës hyjnore mbi pllakën e mendjes së saj, dhe ku qenia e saj i bashkohet asaj Pranie në njëfarë mënyrë, ndonëse fuqia e shprehjes nuk arrin që ta përshkruajë këtë gjë.
3) Cilësia e tretë është zemërgjerësia (semaha). Natyra e saj e vërtetë është refuzimi i nefsit për të ndjekur shtysat e forcës kafshërore, dhe që të mos ketë shenjat e saj të gdhendura mbi vete, në mënyrë që të mos i bashkangjiten pasojat e dëmshme të ndotjes së saj. Kjo është për shkak se fryma (më e ulët), kur ajo preokupohet me çështjen e mjeteve të saj të jetesës, i lind dëshira për gra, orvatet që të mbledhë kënaqësi, ose dëshiron që të gllabërojë ushqim. Ajo përpiqet që t’i arrijë këto gjëra derisa t’i përmbushë nevojat për to. E njëjta gjë ndodh kur ajo zemërohet ose kur bëhet lakmiqare për diçka: pashmangshmërisht ajo do të mbesë për njëfarë kohe e gllabëruar në këtë gjendje, dhe pa dyshim që nuk do ta drejtojë shqetësimin e saj mbi atë çka shtrihet përtej saj. Më pas, kur kjo gjendje resht, në qoftë se ajo (fryma) është zemërgjerë, ajo do të ngrejë kryet nga këto ngushtica të cingta sikur të mos kish qenë kurrë në to. Në qoftë se nuk është zemërgjerë, atëherë ajo do të bëhet e mpleksur në këto gjendje dhe do të marrë konturet e tyre sikurse dylli merrë shenjat e unazës-vulë.
Kur fryma zemërgjerë ndahet prej trupit dhe i shkarkon nga vetja lidhjet e errëta të akumuluara, duke u rikthyer në gjendjen e saj fillestare, ajo nuk do t’i gjejë asnjërën prej atyre gjërave të cilat i kundërvihen anës ëngjëllore për sa kohë që është në këtë botë dhe ajo do të arrijë intimitetin si dhe ka për të patur ekzistencën më të këndshme.
Gjurmët e lakmisë kanë paraqitje në nefs, sikurse e shihni në rastin e personit të cilit i kanë grabitur një send të çmuar. Në qoftë se ai është zemërgjerë, mendja e tij nuk do të trazohet, por në qoftë se ai ka një nefs të dobët, ai do të tralliset si një i çmendur dhe humbja ka për ta obsesionuar atë.
Zemërgjerësia njihet me shumë emra, ashtu si dhe e kundërta e saj, në varësi të konditave përkatëse. Në qoftë se kemi të bëjmë me pronë, këto quhen “bujari” dhe “koprraci”, dhe nëse kemi të bëjmë me dëshirën epsharake për seks apo ushqim, ato quhen “vetëpërmbajtje” apo “epsh”. Në qoftë se ato lidhen me dëshirën për luks dhe të qëndruarit larg vështirësive, ato quhen “durim” ose “padurim”, dhe kur ato kanë të bëjnë me një motiv për thyerjen e asaj çka është e ndaluar në ligjin hyjnor, ato quhen “ndërgjegje morale” (takva) ose “shthurje”.
Kur një person pushtohet nga zemërgjerësia, fryma e tij çlirohet nga dëshirat e kësaj bote dhe ajo është e përgatitur për kënaqësitë më të larta transhendente. Zemërgjerësia është një nuancë e mendjes e cila e pengon njeriun nga të qenit i kontrolluar nga gjithçka që është në kundërshtim me përsosmërinë e dëshiruar, qoftë intelektualisht qoftë praktikisht.
4) Cilësia e katërt është drejtësia (‘adale). Kjo është një aftësi (meleke) i përftuar në vete i cili i jep hov atyre akteve nëpërmjet të cilëve vendoset me lehtësi rendi i qytetit dhe i mëhallës. Duket sikur fryma është natyrshëm e prirur ndaj këtyre akteve. Sekreti i kësaj është se ëngjëjt dhe frymët e zhveshura nga atashimet trupore[19] janë të vulosura me atë çka Zoti kishte për qëllim në të krijuarit e botës, në terma të rregullimit të rendit të saj, dhe kështu me radhë, dhe, kësisoj, ajo çka i kënaq ata bëhet e transformuar në atë çka është e përshtatshme për këtë rend, dhe kjo është natyra e shpirtit të kulluar.[20] Më pas, kur fryma ndahet nga trupi i saj ndërkohë që diçka nga kjo cilësi vijon të jetë e pranishme në të, ajo kënaqet në masën më të madhe dhe gjen një mjet për një kënaqësi që është e dallueshëm nga kënaqësitë më të ulëta se ajo. Në qoftë se ajo ndahet (nga trupi) ndërkohë që e kundërta e këtij tipari është brenda saj, gjendja e saj është e dëshpëruar dhe ajo është e tëhuajësuar dhe në dhimbje. Kështu, kur Zoti dërgon një pejgamber për të themeluar fenë dhe “për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë”[21] dhe për t’i bërë njerëzit që të vendosin drejtësi; cilido që përpiqet për të përhapur këtë dritë dhe për të bërë një vend për të në mesin e njerëzve, atij do t’i tregohet mëshirë, ndërkohë që ai që orvatet ta thyejë dhe ta shuajë atë, do të jetë i mallkuar dhe i ofenduar. Kur tek një person drejtësia konsolidohet, në jetë sillet një bashkëpunim midis tij dhe Bartësve të Fronit[22] dhe atyre që janë afër rrethit të ëngjëjve të cilët janë mjeti për zbritjen e bujarisë dhe bekimeve. Kjo bëhet një portë e hapur midis tij dhe atyre, dhe një vend për zbritjen e ngjyresave dhe ndikimeve të tyre, të atilla që ia mundësojnë nefsit të jetë e pajisur me intiuita nga ëngjëjt, dhe që të nxitet të veprojë në përputhje me këto.
Kur ti e ke verifikuar natyrën e vërtetë të këtyre katër cilësive dhe e ke kuptuar mënyrën në të cilën ato e kanë të domosdoshme përsosmërinë intelektuale dhe praktike, dhe se si ato të përgatisin për ndjekjen e udhës së ëngjëjve; dhe kur ti ke kuptuar mënyrën në të cilën ligjet hyjnore degëzohen për to në përputhje me (nevojat) e çdo moshe, atëherë ty do të të jepet një mirësi e madhe dhe ti do të bëhesh një person me gjykim të shëndoshë (fakih) në fe, një prej atyre për të cilët Zoti ka patur për qëllim mirësinë.[23] Gjendja e përbërë nga këto (katër cilësi) quhet natyrë fillestare (fitra). Ka shkaqe nëpërmjet të cilave plotësohet natyra fillestare; një pjesë e tyre janë intelektuale, të tjera janë praktike, dhe ka perde të cilat e pengojnë njeriun nga kjo, si dhe ka hile për t’i grisur këto perde. Ne dëshirojmë të të vëmë në dijeni për këto punë, kështu që dëgjo mirë se çfarë po të tregojmë – suksesin e jep Zoti, qoftë Ai i lartësuar; dhe Zoti e di më së miri.
Mënyra se si përftohen këto cilësi, si përsoset ai që ka mangësi në to, dhe si të rikthesh ato që kanë humbur
Ti duhet ta dish se përvetësimi i këtyre cilësive rregullohet në dy mënyra, njëra intelektuale dhe tjetra praktike.
1) Sa i përket rregullimit intelektual, ai kërkohet për shkak se natyra iu bindet fakulteteve intelektuale dhe rrjedhimisht ne shohim reshtjen e pasionit dhe epshit kur diçka vjen në mendje, gjë që bën që gjendja e turpit apo e frikës të lindë në frymë. Kështu, kur dija e një personi bëhet e mbushur me atë çka është e përshtatshme për natyrën fillestare, kjo bën që ajo të bëhet e rrënjosur në frymë. Domethënë, se ai do të besojë që ai ka një Zot që është transhendent dhe është mbi të gjitha fëlliqësitë njerëzore, dhe se “as pesha e një grimce në tokë apo në qiej nuk shpëton pa u pikasur prej Tij”.[24] (Ai beson se) “nuk ka tre persona që të kenë një bashkëbisedim të fshehtë e Ai të mos jetë i katërti, dhe nuk ka pesë e Ai të mos jetë i gjashti”,[25] se “Ai bën atë çka dëshiron”[26] dhe “Ai dekreton siç dëshiron”[27], se askush nuk mund të mohojë dekretin e Tij as nuk mund të pengojë urdhërin e Tij, se Ai jep bazën e ekzistencës dhe bekimet fizike dhe psikologjike që rrjedhin prej saj, dhe se Ai e shpërblen atë për veprimet e tij, të mirën me të mirë dhe të keqen me të keqe. Sa më poshtë është thënia e tij, qoftë Ai i Lartësuar: “Robi im ra në gjynah dhe ai e dinte se ai kishte një Zot që fal gjynahet dhe (i merr njerëzit në llogari) për gjynahun; Unë e kam falur Robin tim.”[28]
Përmbledhtazi, ai beson me bindje të palëkundur në atë që prodhon drojën dhe përnderimin më të skajshëm, gjë që nuk lejon që në zemrën e tij të lindë nënshtrim apo frikë për dikë tjetër as sa flatra e një mushkonje. Ai beson se përsosmëria njerëzore është të kthehet tek Zoti i tij dhe ta adhurojë Atë dhe se gjendja më e mirë e qenieve njerëzore është që t’u përngjajnë dhe t’iu afrohen ëngjëjve. Ai gjithashtu beson se këto gjëra e afrojnë atë tek Zoti i tij, se Zoti është i kënaqur kur ai vepron kësodore, se Zoti i ka hak këto gjëra prej tij, dhe se ai duhet t’i kryejë ato në plotni.
Përmbledhtazi, ai e di në mënyrë të padiskutueshme se lumturia (e tij e mbrame) shtrihet në përvetësimin e këtyre cilësive dhe se mjerimi i tij qëndron në të braktisurit e tyre dhe se ai domosdoshmërisht duhet të ketë një ndëshkim të rëndë të paralajmëruar fuqimisht, si dhe për të vënë me forcë në alarm anën kafshërore.
Në këtë (rregullim intelektual), udhët e pejgamberëve qenë të ndryshme. Gjëja më e rëndësishme që Zoti, qoftë Ai i Lartësuar, ia shpalli Ibrahimit, paqja qoftë mbi të, ishte që t’i përkujtonte njerëzit për shenjat e qarta të Zotit, Cilësitë e Tij të Lartësuara, dhe bekimet e Tij kozmike dhe personale, derisa u konfirmua, në një mënyrë që nuk mund t’i shtohej më asgjë, se Ai është i denjë që ata të flijojnë të gjitha rahatitë e tyre për Atë, se ata duhet të parapëlqejnë që ta përkujtojnë Atë dhe jo të mendojnë për diçka tjetër, se duhet ta duan Atë pa masë, dhe ta adhurojnë Atë në zgrip të përpjekjeve të tyre. Zoti për Musain, paqja qoftë mbi të, kësaj i shtoi edhe që njerëzit duhen përkujtuar për “Ditët e Zotit”,[29] domethënë shpjegimin e shpagimit të Zotit, qoftë Ai i Lartësuar, si për të bindurin ashtu dhe të pabindurin në këtë dynja,[30] dhe për atë se Ai e zëvendëson bekimin me mjerim, kështu që në zemrat e tyre të paraqiteshin frika nga gjynahet si dhe një prirje e fortë për vepra që tregonin bindje.
Në rastin e Pejgamberit tonë, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, Ai, krahas këtyre dy gjërave, përfshiu edhe paralajmërimet dhe haberet e mira në lidhje me ngjarjet e varrit, dhe çka i pason ato, dhe një shpjegim të cilësive të devotshmërisë dhe të rënies në gjynah. Thjesht të qenit i informuar mbi këto gjëra nuk është e mjaftueshme – më saktë, ato duhet të përsëriten dhe tregohen rishtazi dhe të respektohen në çdo kohë, dhe të mbahen parasysh derisa fakultetet intelektuale të mbushen me to dhe gjymtyrët të udhëzohen prej tyre.
Këto tri gjëra (që profetët i sollën)[31] bashkë me dy të tjera – njëra shpjegimi i rregullave të të obligueshmes dhe të të ndaluarës, etj, dhe e dyta prej tyre se si të polemizohet me mosbesimtarët – janë pesë arte që janë baza e lëmive të Kuranit fisnik.[32]
2) Sa i përket rregullimit praktik (të përvetësimit të këtyre cilësive), gjëja më e rëndësishme është të përzgjidhen qëndrimet, veprat dhe gjërat që vetes i përkujtojnë cilësitë e dëshiruara dhe që e bëjnë atë vigjilente për to, dhe të cilat e vënë atë në lëvizje dhe e nxisin atë, ose nëpërmjet një lidhjeje zakoni ndërmjet saj dhe cilësisë, ose në sajë të të qenit të nefsit vendi ku pritet të gjendet cilësia, kjo falë faktit se fryma është qenësisht vendi i përshtatshëm për këtë. Pikërisht sikurse ai njeri i cili dëshiron të nxisë veten e tij për në zemërim, si dhe ta përjetojë atë, imagjinon me ngjyra të gjalla abuzimin, që dikush me të cilin ai është i zemëruar ia ka bërë atij, dhe kjo i sjell atij turp e kështu me radhë; dhe gruaja që vajton, kur ajo dëshiron të rifillojë vajin e saj, i përkutjon vetes cilësitë e mira të atij që ka vdekur dhe i përfytyron ato, dhe i nxit mendimet e saj që t’i qëmtojë (ato cilësi) me shpejtësi dhe ngadalë; dhe si ai që dëshiron raport seksual këmbëngulë në çfarëdo që e motivon për të. Mbi këtë dukuri ka shumë shembuj të ngjashëm të cilët nuk do ta ndërdyshin atë që dëshiron t’i kuptojë të gjitha aspektet e këtij diskutimi. Ngjashëm, për çdonjërën prej këtyre cilësive ka mjete nëpërmjet të cilave ato përftohen, dhe njeriu duhet të mbështetet mbi perceptimin mistik (dheuk) të njerzve të përvojës së mirëfilltë mistike për të pasur dije mbi këto punë.
Kështu, shkaqet e papastërtisë janë mbushja e zemrës me një gjendje të ulët[33] siç është kënaqja e epshit për gra nëpërmjet kontaktit dhe raportit seksual; ose duke ushqyer në vete gjëra që janë në kundërvënie me të vërtetën; dhe nëpërmjet mallkimeve ndaj Kuvendit më të Naltë që e rrethon atë; dhe nga nevoja e tij për të kryer ujtë e hollë apo ujtë e trashë, apo ndërkohë që sapo ka dalë për ujtë e hollë, ujtë e trashë apo sapo ka nxjerrë gazra, dhe këto tri gjëra janë shpërdorimet e stomakut. (Shkaqe të tjera të papastërtisë janë) trupi që është i ndotur, fryma me aromë të keqe, akumulimi i mukozës në hundë, lënia e qimeve pubike dhe të sqetullës, njollosja e petkave apo trupit me gjëra të ndyra që e bëjnë njeriun ritualisht të papastër; ngopja e shqisave me një përfytyrim që evokon gjendjen më të ulët, siç është fëlliqësia, vështrimi i gjenitaleve, të shikuarit e kafshëve teksa çiftohen, të ngulurit e syve gjatë raportit seksual, përgojimi i ëngjëjve dhe i punëdrejtëve, dhe përpjekja për t’iu bërë dëm njerëzve.
Shkaqet e dëlirësisë shtrihen në eliminimin e këtyre gjërave, përvetësimin e të kundërtave të tyre, dhe të bërit zakon e atyre gjërave që rrënjosin të qenit jashtëzakonisht i pastër, siç janë larja e plotë e trupit (gusl) dhe marrja e abdesit (vudu’), veshja e rrobave më të mira dhe përdorimi i parfumeve. Kryerja e këtyre gjërave ka për ta bërë frymën vigjilente për cilësinë e dëlirësisë.
Shkaqet e përunjësisë janë mbajtja e nefsit në gjendjet më të larta të mundshme të përnderimit, në të qëndruarit me kryet përkulur, sexhdeja (ulja e ballit në tokë në namaz), të shqiptuarit e fjalëve që tregojnë bashkëbisedim intim me Zotin dhe dorëzim përpara Tij, dhe t’i kërkojë Ati që t’i përmbushë nevojat. Këto gjëra e bëjnë nefsin fuqimisht të vetëdijshme për cilësinë e përunjësisë dhe nënshtrimit (përpara Zotit).
Shkaqet e zemërgjerësisë janë ushtrimi i bujarisë, t’u japësh të tjerëve pa kandar, të falësh atë njeri që të ka bërë padrejtësi, të ruash qëndresën faqeza fatkeqësisë, e kështu me radhë.
Shkaqet e drejtësisë është që të ruhet praktika e udhëzimit të drejtë në të gjitha hollësitë e saj – dhe Zoti e di më mirë.
Perdet që pengojnë manifestimin e natyrës fillestare të shëndetshme (Fitrës)
Ti duhet të dish se pjesa më e madhe e perdeve janë tre lloje:
1) Perdeja e natyrës,
2) Perdeja e konvencionit (resm), dhe
3) Perdeja e keqinterpretimit.[34]
Është kështu për shkak se shtysat për ushqim, pije, dhe martesë janë të sendërtuara tek njeriu, dhe zemra e tij është bërë një instrument i gjendjeve natyrore si hidhërimi, gëzimi, zemërimi, frika, dhe gjëra të tjera; kështu që ajo vazhdon të merret me këto, duke qenë se çdo gjendje pararendet nga kthimi i vëmendjes së nefsit karshi shkaqeve të tij dhe nga prodhimi prej fakulteteeve intelektuale të asaj çka është e përshtatshme për të. Kjo kombinohet me kredhjen e nefsit në thellësi të kësaj gjendjeje dhe shkëputjen nga gjithçka tjetër, dhe me mbetjen e ndonjë gjurme të hijes dhe ndotjes së saj. Kështu, ditë e netë kalojnë ndërkohë që dikush është në këtë (gjendje), pa qenë i lirë për të përftuar diçka tjetër që mund ta përsosë atë. Ka shumë njerëz mund të shkelin në këtë batak dhe të mos dalin së andejmi për gjithë jetën. Ka shumë njerëz mund të dominohen nga dekreti i natyrës fizike kështu që ata e heqin vëmendjen e tyre nga survejimi i konvencionit dhe arsyes, dhe nuk zmbrapsen nga censura; dhe kjo perde quhet fryma më e ulët (nefs). Sidoqoftë, njeriu që ka arsye të zhvilluar dhe vetëdija e të cilit është e bollshme do të rrokë nga çastet e tij (eukat) mundësitë në të cilat të pezullojë gjendjet e tij natyrore fizike, dhe do të zgjerojë frymën e tij për këto gjendje (më të larta) dhe të tjera si ato. Ai do të meritojë emanacionin e tipeve të tjera të dijes që nuk kuptohen si pasojë e kërkesave të natyrës fizike, dhe do të tërhiqet në përsosmërinë e species (së tij) në përputhje me dy fakultetet, intelektualen dhe praktiken. Atëherë, kur ai çel syrin e përshquajtësisë, pikë së pari ai do të shohë njerëzit e tij; me artet e qytetërimit, stilet e veshjes, gjërat për të cilat ata krenoheshin, dhe shkëlqimin retorik dhe teknik; kështu që ai do të ketë përshtypje mjaft të forta dhe do t’i marrë këto gjëra krejtësisht me një qëllim të palëkundur dhe entuziazëm të fuqishëm.
Kjo është perdeja e konvencionit e cila quhet “bota”. Në mesin e njerëzve janë dhe ata që mbesin të përthithur në këtë deri në kohën e vdekjes. Më pas, këto nure zhduken krejtësisht për shkak se ato shkaktohen vetëm nëpërmjet trupit dhe instrumenteve fizike, dhe fryma mbetet e zhveshur prej tyre dhe nuk zotëron asgjë. Ajo çka i ndodh atij i ngjason rastit të pronarit të një kopshti që goditet nga një ciklon, ose si “hiri i fryrë nga një erë e fortë në një ditë të stuhishme”.[35]
Në qoftë se ai është jashtëzakonisht vigjilent dhe mjaft i mprehtë, ai mund të përcaktojë me ndonjë argument të demonstruar racionalisht apo ndonjë argument retorik, ose duke ndjekur ligjin hyjnor, se ai ka një Zot të Plotfuqishëm mbi të gjithë adhuruesit e tij, i Cili administron çështjet e tyre dhe u jep atyre të gjitha bereqetet. Si rrjedhojë, Ai ka krijuar në zemrën e tij një prirje drejt Atij, dhe një dashuri për Atë kështu që ai dëshiron të afrohet tek Ai, të parashtrojë nevojat e tij para Tij, dhe të bjerë në sexhde para Tij. Disa njerëz ia arrijnë këtij qëllimi, ndërkohë që të tjerë nuk qëllojnë në shenjë.
Pjesa më e madhe e gabimeve janë të dy llojeve: besohet se Qenia e Domosdoshme[36] ka cilësitë e gjërave të krijuara, ose besohet se gjërat e krijuara zotërojnë cilësitë e Qenies së Domosdoshme. E para është antropomorfizëm (teshbih) që lind nga heqja e analogjive në lidhje me të padukshmen mbi bazën e asaj çka perceptohet. E dyta është t’i mveshësh ortakë Zotit (ishrak), gjë kjo që lind nga të parit e pasojave të jashtëzakonshme në gjirin e njerëzve dhe të menduarit se janë pikërisht ata që i krijojnë ato, dhe se këto pasoja në thelb u përkasin vetë njerëzve.
Ti duhet të qëmtosh të gjithë individët njerëzorë. A sheh ndonjë mospërputhje në gjithë sa unë të kam thënë? Nuk gjykoj se do të gjesh ndonjë të tillë. Përkundrazi, çdo person, madje edhe në qoftë se ai ndjek njëfarë ligji hyjnor, duhet të përjetojë çaste që janë të kredhura në perden e natyrës, qofshin këto çaste të pakta apo të shumta.
Për sa kohë që ai vazhdon të kryejë akte konvencionale, do të ketë çaste që do të kapërcehen nga perdeja e konvencionit, dhe në atë kohë ai do t’i japë rëndësi emulimit të burrave të mençur të kombit të tij në të folur, në veshje, në moral, dhe në mënyrën e jetesës. Ka për të patur momente kur atij do t’i bien në vesh ato që ka pas dëgjuar, dhe nuk dëgjon njoftimet mbi Xheberutin dhe ujdisjen e padukshme të botës – dhe Zoti e di më së miri.
Mënyra e heqjes së këtyre perdeve
Ti duhet ta dish se mënya për të administruar perden e natyrës (heqjen e saj, pra) konsiston në dy metoda: njëra prej tyre është ajo në të cilën dikush mund të urdhërohet, nxitet dhe shtyhet; tjetra është e imponuar mbi një person nga sipër, dhe për të cilën gjë ai vihet para përgjegjësisë nëse ai e dëshiron atë apo e refuzon. E para konsiston në ushtrime dhe praktika që dobësojnë kafshëroren, si agjërimi dhe të qëndruarit zgjuar natën (duke falur namaz). Në mesin e njerëzve ka disa të cilët e teprojnë dhe zgjedhin të ndryshojnë krijimin e Zotit nëpërmjet akteve si tredhja dhe atrofizimi[37] i gjymtyrëve të rëndësishme si dora dhe këmba, dhe këta janë më injorantët ndër njerëzit. Gjërat më të mira janë ato të moderuarat, dhe kështu agjërimi dhe të qëndruarit zgjuar natën (duke falur namaz) janë si melhemi për helmin që duhet të përdoret në përpjestim të drejtë me nevojën.
Mënyra e dytë është që të ndërmerret mospranimi i atyre të cilët, në gjurmët e natyrës së tyre fizike, ecin në kundërshtim me praktikën e udhëzuar drejt, duke shpjeguar mënyrën për t’u bërë i çliruar nga çdo mbizotërim i natyrës, dhe duke vendosur një praktikë për këtë. Njerëzit nuk duhet të trajtohen me shumë ashpërsi, ndonëse qortimi me fjalë nuk do të mjaftojë në të gjitha rastet, dhe, në disa çështje, një ndëshkim fizik dhe gjobat e rënda janë të domosdoshme. Ato që i meritojnë me të drejtë këto (ndëshkime) janë të mbrujtur ato sjellje ekstreme dëmi i të cilave prek të tjerët në mënyrë të pafavorshme, siç është tradhëtia bashkëshortore dhe vrasja.
Mënyra për të realizuar (heqjen) e perdes së konvencionit është nëpërmjet dy metodave. Njëra prej tyre është se përkujtimi i Zotit, qoftë Ai i Lartësuar, duhet të përfshihet në çdo akt të dobishëm, ndonjëherë duke memorizuar frazën që Ai ka urdhëruar dhe ndonjëherë duke vepruar në përputhje me caqet dhe kufizimet që respektohen vetëm për hir të Zotit. E dyta është që aktet e adhurimit të bëhen konvencione gjerësisht të përhapura dhe të theksohet mbajtja e tyre gjallë, pavarësisht nëse ata dëshirojnë t’i bëjnë ato apo i refuzojnë, të dënohet braktisja e tyre, dhe të pengohet një person që të arrijë gjërat që ai i meriton, si statusi apo të ngjashme me të, si një ndëshkim për heqjen dorë nga këto gjëra. Nëpërmjet këtyre dy mënyrave të të rregulluarit të tyre, do të shmangen katastrofat e konvencionit, dhe konvencionet do të bëhen një mbështetje për adhurimin e Zotit, dhe do të bëhen një mjet i të thirrurit për tek e vërteta.
Keqinterpretimi i të dyja kategorive (antropomorfizmit dhe të mveshurit ortak) lind nga dy shkaqe. Njëri prej tyre është se një person nuk është në gjendje të njohë me të vërtetë Zotin e tij, për shkak të të qenit të Tij tej mase i Lartësuar mbi cilësitë njerëzore dhe për shkak se Ai i transhendon tiparet e zanafilluara në kohë dhe gjërat e prekshme. Mënyra e të rregulluarit të kësaj është se njerëzve i duhet folur vetëm në përputhje me atë çka mendjet e tyre mund të rrokin.
Baza e kësaj është se nuk ka asgjë – ekzistente apo mos-ekzistente – e cila është konceptuar, ose zë hapësirë ose si një abstragim, dhe dija e njeriut të mos e rrokë atë, qoftë nëpërmjet paraqitjes/përfaqësimit të drejtpërdrejtë të formës së saj (hudur suratihi) ose nëpërmjet analogjisë apo inferencës, madje (edhe në rastin e) mos-qenies absolute (el-‘adem el-mutlak) dhe absolutisht të panjohurës (el-mexhhul el-mutlak).
Kështu, mos-ekzistenca njihet nga aspekti i të njohurit të ekzistencës dhe të vrojtuarit se ajo (mos-ekzistentja) nuk mund të jetë e kushtëzuar nga ekzistenca. Ai e di kuptimin që nxirret nga forma gramatikore që është e bazuar mbi modelin e pjesores pësore (mef’ul)[38] (pra, për foljen “xh-h-l” kjo formë është mexhhul “e panjohur”) dhe ai e di kuptimin e “absolut” (mutlak). Kështu, ai i kombinon këto gjëra dhe ia shton njërën tjetrës, kështu që ujdiset një imazh i përbërë që shpërfaq gjënë e papërbërë, përshkrimi i së cilës ishte qëllimi, dhe e cila nuk ka as ekzistencë të jashtme e as mendore. Në këtë mënyrë, ai ndoshta mund të marrë në konsideratë një koncept teorik dhe të zbatojë atë që ai e cilëson se është një genus dhe differentia, kështu që ai i kombinon të dyja ato dhe përfton një koncept të përbërë në mënyrë që të shpërfaqë atë që ai dëshiron të konceptualizojë.
Kështu, për shembull, njerëzve u duhet thënë se Zoti, qoftë Ai i Lartësur, është “një Qenie që ekziston në një mënyrë të ndryshme nga ekzistenca jonë, “dhe se “Ai është i Gjallë në një mënyrë të ndryshme nga jeta jonë.”
Në përmbledhje, (në të përshkruarit e Zotit) duhen përdorur atribute që janë burim i lëvdimit në perceptimin (tonë). Tre kuptime merren parasysh në çfarëdolloj gjëje që ne (normalisht e perceptojmë). Së pari: një gjë që i zotëron këto atribute dhe nga e cila kanë ardhur këto pasoja. Së dyti: një gjë që nuk i zotëron këto atribute dhe nuk është në natyrën e saj që t’i ketë ato. Së treti: një gjë që nuk i ka ato ndonëse është në natyrën e saj që t’i ketë ato. Shembuj këtu janë: “i gjallë”, “jofrymor”, dhe “i vdekur”. Këto atribute (të lëvdueshme) mund të konfirmohen (në lidhje me Zotin) nëpërmjet konfirmimit të pasojave të tyre dhe ky krahasim na shtrëngon që të pranojmë se Ai nuk është i ngjashëm me ne.
Arsyeja e dytë për keqinterpretim (sa i përket Zotit) është paraqitja e formës së prekshme bashkë me stolisjen e saj, dhe kënaqësitë bashkë me bukurinë e tyre, dhe mbushjen e fakulteteve intelektuale me imazhe shqisore, kështu që zemra iu dorëzohet këtyre, dhe vëmendja ndaj Zotit nuk është e kulluar. Mënyra e të ndrequrit të kësaj (papërsomërie) konsiston në ushtrime dhe veprime fetare që e përgatisin njeriun për emanacione të lartësuara, madje edhe në qoftë se këto do të ndodhin në amëshim. Ai duhet të tërhiqet për të kryer akte devotshmërie dhe për të eliminuar hutimin sa më shumë që të jetë e mundur, sikurse Pejgamberi i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, i cili grisi perden me zbukurime dhe flaku tutje këmishën me lajle lule – dhe Zoti e di më së miri.[39]
Përktheu: Arjol Guni
[1] Kafsha është gjinia e përafërt dhe jofrymorja e largëta.
[2] Lumturia – “se’ade” – është një term i përdorur në traditën e etikës filozofike (akhlak). Teoria e virtytit e Platonit dhe teoria etike e Aristotelit kishin një ndikim të fortë mbi traditën islame kur këto vepra greke u përkthyen në arabisht. Përdorimi i termit “lumturi” apo “mirëqenie” këtu, dhe gjetkë në këtë tekst, duhet të kuptohet, për rrjedhojë, si lumturia e mbrame që lind nëpërmjet përftimit të virtyteve dhe rafinimit të nefsit. Mendimtarë myslimanë si Gazaliu dhe Shah Vali Allah e kanë kuptuar këtë si në përputhje me konceptin kuranor në natyrës njerëzor dhe pasojat e veprimeve mbi të në këtë jetë dhe në amëshim.
[3] Aktet e adhurimit (ibadetet) përforcojnë kërkesat e ëngjëllores, ndërkohë që ushtrimet fetare (rijadat) stërvisin kafshëroren.
[4] Siç përmendet në Kapitullin e 5-të.
[5] Zhvillimi I mbështetjeve të civilizimit, aftësitë e mëdha, virytet e kështu me radhë.
[6] Kuran 18:75 e më tutje. Hidri përmendet tërthorazi në përshkrimin kuranor të Musait ku ai shfaqet si mësuesi i tij të mistershëm. Pjesë e përgatitjes së Musait nuk ishte që të vinte në diskutim veprimet e Hidrit që përfshijnë vrasjen e një djaloshi. Më vonë, zbulohet se njeriu ishte nga natyra jobesimtar i cili do të kryente akte tejet të këqija. Kjo shtjellohet në transmetime hadithi, shiko për shembull, Mishkat, fq. 1222. Buhariu Enbija; 23, Khan, përkth. IV:405.
[7] Kuran 2:18.
[8] Kuran 24:35.
[9] El-Sabikun“ janë „ata të cilët shkëlqejnë në vepra të mira“ përmenden në Kuran 56:10. Në terminologjinë e Shah Vali Allah, këta janë njerëzit që kanë më të fortë anën ëngjëllore. Shiko Kapitullin e 69-të.
[10] “Mute’al-lihun” – ata filozofë si Ishraki-të të cilët ndjekin filozofinë iluminacioniste të Shihabuddin Suhravardit (vd. 1191) apo Vuxhudi-të të cilët ndjekin doktrinën e Unitetit të Qenies të Ibn Arabiut (vd., 1240).
[11]Mexhdhub-ët janë sufinj të cilët “tërhiqen apo joshen” në mënyrë të pakontrollueshme nga prania Hyjnore.
[12] Kuran 6:149.
[13] Domethënë, një tërheqje në drejtimet e kundërta të anës ëngjëllore dhe asaj kafshërore.
[14] Domethënë, pejgamberët pararendin asketët, apo zahidët.
[15] Ata udhëzohen nga Zoti dhe ëngjëjt, për hollësi të mëtejshme të këtij koncepti, referoju Kapitullit të 55-së
[16] Sipas Shah Valiullahut, ata të krahut të djathtë (a’shab el-jemin), Kuran 56:27, janë njerëz të cilët I marrin format, por jo shpirtërat e gjërave, duke qenë se si ana e tyre ëngjëllore ashtu dhe ajo kafshërore janë të dobëta. Ky tip I personave diskutohen në Kapitullin e 69-të të kësaj vepre.
[17] Vargje nga poeti para-islam, Tarafeh ibn el-Abdi, vd. Rreth. 564 e.s. Autor i një Mua’al-laka ku këto rreshta janë janë vargjet e fundit. Sherh Divan Tarafeh ibn el-Abd (Bejrut: Dar Mektebe el-Hajat, 1983), 28.
[18] Ky fakultet praktik, bashkë me atë intelektual, i dallon njerëzit nga kafshët. Përsosmëria praktike dhe intelektuale në të përftuarit e virtyteve diskutohet në Kapitullin 33.
[19] Pra, Kuvendi më i Lartë.
[20] I shkëputur nga trupi.
[21] Një jehonë e Kuran 14:1, 14:5, 57:9, etj…
[22] Ëngjëjt më të lartë.
[23] Si një jehonë e hadithit “men erade allahu bihi khairan jufkihuhu.” Buhariu, ‘Ilm, 10 Khums 7, I’tisam 10.
[24] Kuran 34:3.
[25] Siç thuhet në Kuran 58:7.
[26] Kuran 14:27, 22:18.
[27] Kuran 5:1.
[28] Hadith kudsi, apo përcjellje pejgamberike e thënies së Zotit. Muslim Teube 29, Siddiqi përkth. IV:1439.
[29] Ejjam Allah.
[30] Sidomos ndëshkimet e popujve të mëhershmë, të cilët iu kthyen shpinën mësimeve të pejgamberëve të tyre.
[31] Pra, përkujtimi i Ditëve të Zotit, duke dhënë paralajmërime dhe habere të mira, dhe duke shpjeguar cilësitë e devotshmërisë dhe të mëkatit.
[32] Kjo temë e pesë arteve kuranore shtjellohet më tutje në librin e Shah Vali Allah mbi komentimin e Kuranit me titull el-Feuz el-Kebir fi-Usul el-Tefsir, origjinali në arabisht me përkthim në gjuhën urdu nga Maulana Rashid Ahmad Ansari (Lahore: Maktaba Burhan, 1963). Përkthimi në anglisht nga G.N. Jalbani, The Principles of Qur’an Commentary, (Islmabad: National Hijra Council, 1985). Shiko gjithashtu Kapitullin e 7-të të kësaj vepre (nga ku është marrë fragmenti në fjalë shën. i përkth.).
[33] Domthenë, teprimi i kërkesave të anës kafshërore.
[34] “Su’ el-ma’rife”. Domethënë, një keqinterpretim apo keqkonceptim i Zotit dhe i Atributeve të Tij.
[35] Kuran 14:18: “Veprat e tyre janë si hiri që fryhet tutje nga një erë e fortë në një ditë të stuhishme.”
[36] “Vaxhib (el-vuxhud)”. Ai i cili ka Ekzistencë të Domosdoshme, në kundërdallim me gjithçka tjetër, ekzistenca e së cilës është kontingjente.
[37] Literalisht, “dehidratimin”.
[38] Argumenti këtu bazohet mbi logjikën dhe gjuhën arabe. Në këtë rast, “I panjohuri absolut” (el-mexhhul el-mutlak) njihet nëpërmjet të kuptuarit të asaj çka është e “panjohshme” (xh-h-l) I së cilës “gjëja e panjohur” (mexhhul) është pjesorja pësore, dhe më pas kjo kombinohet me konceptin e “absoltes” (mutlak).
[39] Aishja i tregoi Pejgamberi se ajo kishte përdorur një perde me zbukurime për të ndarë një dhomë dhe ai e grisi atë. Mishkat, fq. 941. Hadithi që përmend se Pejgamberi hoqi një këmishë me motive mund të gjendet në Mishkat, fq. 921. Përkthimi i Bukhari Khan IV:297-99.
Tags: irtifakat, lumturia, nefsi, seade, Shah Vali Allah el-Dehlevi Last modified: 15/04/2021