Mobeen Vaid

Njëra nga temat më të debatuara në teorinë liberale është e lidhur me atë që shpesh emërtohet si proceduralizëm. Thënë me pak fjalë, proceduralizmi si një angazhim shtillet përreth detyrës që të arrihet në një rend të drejtë social, një rend ky që është i pranueshëm për palët me angazhime të thella morale dhe të cilat nuk janë të prirura që ta gjejnë kollaj gjuhën e pajtimit mes tyreNë përpjekje për të arritur një marrëveshje të menaxhueshme midis këtyre palëve konkurruese, teoricienët liberalë përgjithësisht janë përqendruar mbi garantimin e ndershmërisë së “metodës” apo procedurës, nëpërmjet së cilës merren vendimet, dhe jo me ndonjë angazhim paraprak se çfarë duhet të jetë kjo e mirë. Këtu, liberalizmi ka mbajtur një përshkrim jashtëzakonisht të ngushtë e të hollë të mbrothësisë njerëzore apo të asaj se nga çfarë përbëhet një jetë e mirë, duke u fokusuar, në vend të kësaj, mbi përgjegjësitë civile, virtytin qytetar, dhe barazinë relative të mundësive që iu duhet ofruar anëtarëve të shtetit.

Proceduralizmi shpesh asociohet me shkrimet e John Rawls, ndonëse ka lindur shumë kohë përpara tij. Proceduralizmi ka kritikë të shumtë, të cilët shpeshherë e tërheqin vëmendjen tek paqëndrueshmëritë e tij metafizike dhe tendenca për të lënë jashtë apo shmangur çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me natyrën e njeriut, telosin e tij, dhe se si shoqëritë duhet të operojnë në përputhje me këto qëllime.

Së fundmi ky debat më ka rënë shpeshherë ndërmend, dhe kjo për një mori arsyesh. Njëra prej arsyeve është se mua më duket që një numri gjithnjë e më të madh të zërave që vijnë nga cepa të ndryshëm të shoqërisë u ka ardhur në majë të hundës proceduralizmi (ndonëse ata nuk përdorin këtë term për ta identifikuar atë). Këta njerëz po shprehin zëshëm pakënaqësinë e tyre me gjendjen aktuale, dhe ata e bëjnë këtë duke iu adresuar disa nocioneve që janë më të “dendura” të tipit e vërteta, e rremja, morali, dhe se cfarë përgjegjësie ka shteti në të gjitha këto domene. Ndonëse njerëzit gjithnjë kanë patur pakënaqësi me politikanët dhe me klimën politike, kritikat aktuale po inkriminojnë gjithnjë e më shpesh sistemin në tërësi, duke kërkuar kësisoj reforma në shkallë të gjerë, si dhe anashkalim të procedurës dhe ndryshime të detyrueshme pa lejuar që mospajtimi apo debati i hapur të diktojë kushtet. Dhe ky nuk është një problem që vjen vetëm nga njëra anë e spektrit: njerëz si nga e majta ashtu dhe nga e djathta po vënë pa pushim në diskutim faktin nëse ky sistem nuk ka reshtur së funksionuari, apo qofte edhe nëse rendi liberal, siç është sendërtuar ai aktualisht, ka kapërcyer qëllimin e tij. Ndonëse në lidhje me këtë retorikë kam shqetësimet dhe meraqet e mia serioze, dhe se ku mund të shpjerë ajo, jam plotësisht i ndërgjegjshëm për joshjen gjithnjë e më të madhe që ajo ngjallë përballë pakënaqësive që thjesht po përkeqësohen me kalimin e kohës (është e vetëkuptueshme që D. Trump nuk ka ndihmuar në këtë situatë).

Po ashtu, ky debat më vjen ndërmend po të kemi parasysh “trafikimin” gjithnjë e në rritje dhe të kudogjendur që po dëshmohet në debatet mbi ligjin dhe politikat (shiko: ndalimin me amendament në kushtetutën e SHBA të diskriminimit racor dhe diskriminit me bazë gjinore). Siç ka vënë në dukje Steven Smith, njëri nga tiparet e politikës sekulare është mënyra në të cilën ajo promovon aktin e “trafikimit”, gjë kjo që i referohet futjes së bindjeve normative në lojën politike duke prodhuar banalitete të leverdisshme dhe politikisht të pranueshme si liria, barazia, apo dëmi, në vend se të shprehë se ku janë bazuar ato bindje, si çështje parimi dhe besimi individual. Për ata që janë pakicë në debate të tilla (lexo: pala e humbësve), ndershmëria e pretenduar e procedurës vështirë se ka gjasa që të ngjallë sadopak ngushëllimi.

Dhe në fund, e kam rrahur gjerë e gjatë këtë çështje për shkak se shumë prej shqetësimeve të ngritura nga kritikët e proceduralizmit duket se po marrin trajtë tashmë. Çfarë ndodh kur proceduralizmi në tërësi prodhon rezultate tiranike? Dhe çfarë ndodh kur shoqëria është thellësisht në mospajtim në lidhje me atë çfarë është tiranike në këto raste? Gjykoj se është mjaft kuptimplotë që të hedhim vështrimin mbi politikën, dhe të shohim se sa qesharak është bërë termi “centrizëm”, apo përse pozicionimi jashtë qëndrimeve të “tribuve partizane” trajtohet sot me një përbuzje të tmerrshme. Ndonëse marrëveshjet e herëpashershme dypalëshe (bipartizane) vijojnë të prodhojnë brohoritje, këto duken të rralla, dhe zakonisht ndodhin kur asnjëra prej palëve të përfshira nuk ka çfarë të humbasë në gjirin e pjesës më agresive të bazës së saj.

Ndonëse në përgjithësi nuk e kam aspak për zemër që të spekullojë në lidhje me të ardhmen dhe shoh që shumë njerëz bien pre e joshjes për të vënë kujën e për të lajmëruar për distopinë kërcënuese, kam ndjesinë se çfarëdolloj gjaknxehtësie që ne po dëshmojmë sot nuk ka asnjë shenjë se po fashitet, dhe në një masë të gjerë ka për t’u bërë më keq, pavarësisht se kush fiton apo kush humbet në nëntor [në zgjedhjet presidenciale në SHBA]. Në qoftë se fiton Trumpi (gjë që kam prirjen të mendoj se është ajo që do të ndodhë), ka gjasa të mira që ai do të bëhet edhe më agresiv dhe do të ketë një gadishmëri edhe më të vogël për të marrë në konsideratë pikëpamjet opozitare. Në fakt, ai ka të ngjarë që të bëjë çmos që të ndëshkojë oponentët e tij politikë në mënyra që do ta bënin mandatin e tij të parë të dukej i butë. Dhe në qoftë se ndodh që fiton Biden, ai do të jetë nën një trysni të madhe që të bëjë të njëjtën gjë – të rikthejë terrenet e humbura të liberalëve, t’i japë fund trajtimit delikat të kundërshtarit politik, dhe të adoptojë një qëndrim të tipit “ata humbën, ne fituam”. Çfarë do të thotë kjo për proceduralizmin? Për këtë nuk jam i sigurtë, por më duket se pikat e dobëta të tij po shpërfaqen dita ditës dhe ka për të qenë mjaft e vështirë që ato t’u bëjnë ballë indinjatës, polarizimit, atomizimit social, dhe politikës së dëshpërimit [që cilësohet se solli në pushtet Nazistët sh.p.].

Dhe Zoti e di më së miri

Përktheu: Arjol Guni

Last modified: 07/01/2021
Close