Sheh Muhamed Afifi El-Akiti

Pyetja fillestare

Nëse keni kohën e mjaftueshme për tu marrë me këtë çështje delikate për dobi të ymetit tonë të dhimbsur, i cili po lëkundet përditë në fitne, ndoshta disa fjalë të bekuara do të mjaftojnë për të refuzuar tekstin e mëposhtëm

Do të dëshiroja që të lexonit artikullin e mëposhtëm i cili thekson disa nga problemet me të cilat ne po përballemi [në ditët tona]. Gjithashtu, ai tregon se përse është shumë e mundshme që të rinjtë mysliman ti kthehen ekstremizmit. Artikulli është publikuar, jo shumë kohë më parë nga “El-Muhaxhirun”, nga një grup autorësh me në krye Omar Bakri Muhamed. Cilado qofshin rezervat tona për njeriun në fjalë, është përmbajtja  këtij artikulli ajo që më shqetëson më shumë, janë pikërisht këto lloj shkrimesh ato që duhen përballur me ballëhapur.

Ekstrakt nga artikulli i shkruar nga një grup i quajtur “El-Muhaxhirun”

 

Akdul Aman: Marrëveshja e sigurisë.

Myslimanët të cilët jetojnë në perëndim janë në një marrëveshje sigurie. Nuk është e lejuar për ta që të luftojnë askënd me të cilin kanë një marrëveshje sigurie, ndjekja e përpiktë e kësaj marrëveshjeje është një detyrë e rëndësishme për çdo mysliman. Ndërsa myslimanët të cilët jetojnë jashtë vendit nuk kanë asnjë marrëveshje me jobesimtarët (kufarët) që jetojnë në perëndim. Kështu që është e lejuar për ata që ti sulmojnë jomyslimanët të cilët jetojnë në perëndim, qoftë si kundërpërgjigje  për bombardimet e vazhdueshme dhe vrasjet që ndodhin përgjatë gjithë botës islame nga duart e jomyslimanëve, ashtu edhe për të bërë të mundur lirimin e myslimanëve nga robërimi i qafirëve (jobesimtarëve). Për ata, sulme si ai i 11 Shtatorit, të kryera falë rrëmbimit të avionëve, është një opsion i vlefshëm në xhihad, megjithëse myslimanëve të cilët jetojnë në Amerikë dhe të cilët janë nën obligimin e marrëveshjes [së sigurisë] nuk i lejohet të kryejnë veprime të ngjashme me ato të 11 Shtatorit të madhërishëm. Ky artikull bën fjalë rreth marrëveshjes dhe rreth asaj që kanë thënë dijetarët për El-Akd el-Aman (marrëveshja e sigurisë]…

Fetvaja e Muhamed Afifi el-Akiti

Në emër të Allahut të Gjithëmëshirshmit Mëshirëplotit

Lavdërimi qoftë për Allahun i cili ka vendosur kufijtë e luftës dhe nuk i do ato që i tejkalojnë ato. Bekimet dhe paqja qofshin për udhëheqësin e ymetit (bashkësisë), më i durueshmi i njerëzve përballë dëmit të armikut, zotëruesit të fisnikërisë së përsosur dhe burrërisë së plotë, dhe mbi familjen, shokët dhe ushtrinë e tij.

 Kjo është një përmbledhje çështjesh e cila titullohet: “Mudafi el-Medhlum bi Rrad el-Muhamil ala Kital la Jukatil” [Mbrotja e atij që i është bërë zullum, duke ju kundërpërgjigjur kokëkrisurve kundër vrasjes së civilëve]. Ajo është shkruar në përgjigje ndaj fitnes e cila, dita-ditës, po lëkund këtë ymet zemërdhembshur. Një fitne kjo e cila pjesërisht shkaktohet nga ata të cilët, dashur apo padashur, i kanë keqkuptuar diskutimet ligjore islame të kapitujve të cilët flasin për luftën dhe i kanë nxjerrë ato jashtë kontekstit (termi teknik i të cilave në terminologjinë e fikh-ut­ është: sijar, xhihad, ose kital), duke i përdorur ato si përligjje për veprimet e tyre të gabuara.  Lutemi që Allahu të na bëjë syçelë ndaj kuptimit të vërtetë [hakika] të durimit [sabrit] dhe ndaj faktit se vetëm përmes tij ne mund ti rezistojmë mundimeve të ndryshme me të cilat përballemi në këtë dynja. I lutemi Allahut që kjo të ndodhë veçanërisht gjatë ditëve tona më të errëta, sepse me të vërtetë Allahu është me ata të cilët qëndrojnë të durueshëm përballë fatkeqësive!

Nuk ka asnjë kundërshti [khilaf] se të juristët shafii të ditëve tona dhe specialist të tjerë sunitë të ligjit Islam që nga lindja e largët deri tek lindja e mesme refuzojnë haptazi opinionin e përmendur më parë [në artikull] dhe e konsiderojnë atë jo vetëm një anomali [shadhdh] dhe shumë të dobët [vahin], por gjithashtu edhe krejtësisht të gabuar [batil] dhe një risi devijante [bidat dalala]: amal-i nuk mund absolutisht të përvetësohet nga çdo mukallaf.

Është, gjithashtu, i vajtueshëm fakti se artikulli i lartpërmendur është shkruar në një stil ligjor ndaj të cilit duhet të tmerrohet dhe të lemeriset çdo doktor i ligjit (meqenëse ai është një përpjekje e papjekur por bindëse për të maskuar një opinion personal devijant me autoritetin e fikh-ut [jurisprudencës islame], dhe një përpjekje për të devijuar sheriatin duke u mbështetur tek një nga kadaja-t [çështjet apo kontekstet ligjore] të temës [bab] së luftës dhe duke neglizhuar me kokëfortësi çështjet e tjera [që përfshihen në këtë temë]. Është e dobishme ti kujtojmë studentëve të jurisprudencës islame rëndësinë që ka marrja parasysh, gjatë formimit të një opinioni, e aksiomave [thavabit], standarteve apo rregullave kryesore [davabit] ligjore, ndërkohë që lexojnë tekstet  që i përkasin degëve të ligjit islam apo që diskutojnë për çështje ligjore sekondare [fu’rua]. Kjo, në mënyrë që studentët të sigurohen se këto rregulla kryesore nuk janë copëzuar në asnjë çështje të caktuar ligjore.

Mendimi i shprehur në artikullin e marrë në shqyrtim është problematik në së paku në tre detaje [fusul] ligjore:

(1) Objektivi [mektûl]: civilët.

(2) Autoriteti  që qëndron pas vrasjes [emir el-kitâl]: dukeqenëse se asnjë autoritet mysliman nuk ka shpallur luftë, e nëse ka pasur një deklaratë të tillë ajo ka ndodhur në një kohë kur ka ekzistuar armëpushim [hudna]; si edhe

(3) mënyra me anë të së cilës kryhet vrasja [mektûl bih]: meqenëse ajo është ose haram, dhe është e urryer siç është edhe vetëvrasja [kâtil nefseh], ose mund të konsiderohet, së paku, e dyshimtë [shubuhât] aq sa duhet shmangur nga ata të cilët janë të përpiktë në çështjet fetare [vara’]. Çdo mysliman me mendje të shëndoshë i cili nuk e pranon këtë mendim dhe beson se veprimet e lartpërmendura nuk janë krime [xhinaja] mund të jetë ose i dalldisur [muhmil] ose i mashtruar [megrur]. Në të vërtetë, pavarësisht nga fakti nëse është apo jo personi i ndërgjegjshëm për këtë, duke vepruar në këtë mënyrë ai mund të devijoj rregulla nga ligji islam, të cilat janë menduar [të jenë vepruese] për ushtrinë konvencionale (apo të autorizuar) të një shteti islam dhe i drejtohen atyre të cilat kanë autoritetin për një gjë të tillë (të tillë si liderët ekzekutiv, komandantët e ushtrisë etj.), duke ja detyruar këto rregulla individëve të cilët nuk kanë lidhje me ushtrinë, apo atyre të cilët nuk zotërojnë autoritetin politik të shtetit [devlet]

Verdikti i jurisprudencës islame është ky: Nëse një mysliman kryen vullnetarisht një veprim të tillë, ai bëhet një vrasës dhe jo një martir apo hero, dhe do të dënohet për këtë në botën tjetër.

Kapitulli i  I. Objektivi: Mektûl

Nga pasazhi i artikullit: “Kështu që është e lejuar për ata që ti sulmojnë jomyslimanët të cilët jetojnë në perëndim“, kuptojmë se sipas autorëve të këtij shkrimi termi ‘jomysliman’ nënkupton joluftëtarët, civilët, apo sipas terminologjisë së jurisprudencës islame: të gjitha ata të cilët nuk janë të përfshirë drejtpërsëdrejti në luftime [man la jukâtilu].

Ky mendim bie në kundërshtim me parimin e mirënjohur thelbësor [dabit] të ligjit islam sipas së cilit:

[Nuk lejohet të vrasësh gratë dhe fëmijët [e kundërshtarëve] nëse ato nuk janë të përfshirë drejtpërsëdrejti në luftë]

Ky parim është bazuar në ndalesën profetike drejtuar ushtarëve, e cila i ndalonte ato të vrisnin gratë dhe fëmijët. Kjo ndalesë gjendet në hadithin e mirënjohur të Ibn Umerit (Zoti qoftë i kënaqur me të!) i cili transmetohet nga Imam Maliku, Shafiu, Ahmedi, Buhariu, Muslimi, Ibn Maxheh, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Bejhekiu dhe Bagavi (Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata), si edhe nga hadithe të tjera.

Imam Subki (Zoti qoftë i kënaqur me të) e ka bërë mëse të qartë atë që dijetarët mysliman kanë kuptuar nga ky ndalim sipas së cilit rregulli standard i luftimit është ky: “Ushtari mysliman nuk duhet të vrasë asnjë grua dhe asnjë ushtarë të mitur vetëm nëse ato janë [duke marrë pjesë] në luftim të drejtpërdrejt, dhe se ato nuk mund të vriten si vetëmbrojtje [Imam Neveviu, Mexhmû’, 21:57].

Duhet të përmendim se në këtë ndalesë janë përfshirë edhe çdo njeri apo kalimtar i cili nuk është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në luftim. Natyra e kësaj ndalese është specifike dhe e mirëpërcaktuar saqë nuk mund të gjendet asnjë justifikim ligjor, asnjë justifikim legjitim sheriatik për t’iu shmangur kësaj marrëveshje lufte duke marrë si objektiv sulmi joluftëtarët apo civilët. Hukmi i sheriatit për vrasjen e tyre është jo vetëm harami, por ai përbën edhe një mëkat të madh [kebira] dhe kundërshton një nga urdhëresat kryesore të mënyrës sonë të jetesës.

II. Autoriteti: Emir al-kital

Nga pasazhi i artikullit: “Kështu që është e lejuar për ata që ti sulmojnë jomyslimanët të cilët jetojnë në perëndim qoftë si kundërpërgjigje  për bombardimet e vazhdueshme dhe vrasjet që ndodhin përgjatë gjithë botës islame nga duart e jomyslimanëve, ashtu edhe për të bërë të mundur lirimin e myslimanëve nga robërimi i qafirëve (jobesimtarëve).” kuptojmë se, sipas autorëve, gjendja e luftës me një shtet të veçantë jomysliman ekziston thjesht nisur nga fakti se ky shtet perceptohet si agresor.

Ky mendim bie në kundërshtim me rregullat bazë të luftës që gjenden në sheriat i cili pohon.

[Çështja e shpalljes së luftës [apo jo] i besohet autoriteteve ekzekutive dhe vendimit të tyre: pajtimi me këtë vendim është detyrë e nënshtetasve [për ta zbatuar atë] në përputhje me atë që autoriteti e ka parë si më të përshtatshme [në këtë rrethanë.]

Dhe

[Autoriteti ekzekutiv dhe vartësit e tij zotërojnë alternativën e deklarimit, apo jo, të luftës].

Vendime të këtij lloji në një shtet islam, si çështjet që kanë të bëjnë me armëpushimin [akd el-hudna], vendosjen e paqes [akd el-aman] dhe gjykimin rreth të burgosurve të luftës [el-ikhtar fi asir], ndërmerren vetëm nga autoritetet politike dhe ekzekutive [imam] apo nga ndonjë vartës i këtij autoriteti i zgjedhur nga ky i fundit [emir mensubin min xhihatil imam]. Këtë fakt myslimanët e kanë deduktuar qartësisht nga tekstet [nakl] tona të shenjta, aq sa askush nuk mund ta mohojë këtë përveç atyre të cilët shesin mendjet [akl] e tyre. Arsyeja kryesore ligjore [ile aslije] pas kësaj çështje është se ajo i përket interesit publik, për këtë arsye ajo i përket vetëm autoriteteve zyrtare.

E gjithë kjo bazohet në parimin [kaide] ligjor të mirënjohur e cila shprehet

 [Vendimi i autoritetit në emër të subjekteve [të tij] është i varur nga interesi [publik]

dhe
[Kështu që autoriteti, gjatë gjykimit të tij, duhet të veproj në dobi të avantazhit më të madh për [të gjithë] myslimanët.

Këshillë [Nasîha]: Gjëja kryesore që duhet të ketë ndërmend autoriteti gjatë shqyrtimit rreth fillimit apo jo të luftës duhet të jetë ndërgjegjja se lufta është vetëm një mjet dhe jo një qëllim. Kështu që, nëse gjenden mënyra të tjera për të arritur qëllimin, dhe qëllimi më i lartë është e drejta për të praktikuar religjionin tonë haptazi (siç ndodh sot në Spanjën moderne, ndryshe nga Spanja mesjetare e rikonkuistës), atëherë është më parësore [eula] që të mos shkohet në luftë. Kjo që sapo përmendëm është shprehur në mënyrë të përmbledhur nga Imam Zerkashi (Zoti qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë:

 [Domosdoshmëria e saj [e luftës] është domosdoshmëria e mjeteve, jo e qëllimeve]

 Përfundimi, pavarësisht pëlqimeve personale, është ky: E drejta për të deklaruar luftë apo xhihad për myslimanët i përket vetëm autoriteteve të ndryshme që përfaqësohen sot nga shtetet myslimane, dhe jo ndonjë individi, madje edhe nëse ai është dijetar apo ushtar. Në të njëjtën mënyrë që një autoritet (si kadiu në gjykatë: mehkemeh) është i vetmi që zotëron të drejtën për të deklaruar dikë apostat [murted]. Përndryshe vrasja e tij do të ishte e jashtëligjshme dhe e paautorizuar.

Madje edhe gjatë periudhës së kalifatit Osman, një tjetër autoritet mysliman i cili ndodhej në një zonë tjetër gjeografike, si p.sh. në nënkontinentin Indian, mund të ketë qenë në luftë ndërkohë që në të njëjtën kohë ushtria e kalifatit (osman) ishte në paqe me të njëjtin armik. Kjo është mënyra se si kanë rrjedhur gjërat gjatë historisë sonë të gjatë, dhe kjo është mënyra se si ato janë zhvilluar gjithnjë, dhe ky është realiteti faktik.

Kapitulli  III. Metoda: Mektul bih

Shprehja: “sulme si ai i 11 Shtatorit, të kryera falë rrëmbimit të avionëve, është një opsion i vlefshëm në xhihad“,  ku sulme të tilla përdorin taktika të ngjashme me ato të përdorura nga kamikazët japonez gjatë luftës së dytë botërore dhe të cilat janë përshkruar në mënyra të ndryshme si akte vetsakrifikuese, martirizime apo misione vetëvrasëse. Nuk ka asnjë dyshim ndërmjet shkollarëve mysliman, dhe asnjë mosmarrëveshje [khilaf] midis kadive, myftive apo juristëve rreth faktit se pohimi i lartpërmendur, dhe ata të cilët e pranojnë atë, thyen padyshim, konsensusin e dijetarëve mysliman [mukhalifun lil ixhma] meqenëse ai rezulton në vrasjen e joluftëtarëve. Mbi të gjitha ky sugjerim është një përpjekje për të legjitimizuar vrasjen e padiskutueshme të joluftëtarëve.

Sa i përket metodës dhe taktikës kamikaze përmes së cilës kryhen këto veprime, të cilat nuk janë vetëm haram por edhe të urryera, ekziston një mospajtim mendimesh midis disa juristëve rreth asaj se a përbëjnë akte të tillë vetëvrasje apo jo. Rreth kësaj çështje duhen bërë detajizime të mëtejshme (Duhet vënë re se në të gjitha rastet në vijim, është marrë për i mirëqenë fakti se objektivi i sulmit është legjitim, d.m.th. një objektiv ushtarakisht legjitim, dhe se veprimi është kryer gjatë një lufte të vlefshme kur nuk ekziston asnjë armëpushim [fil hal el-harb ve la hudnata fihi], njësoj si në rastin e sulmeve kamikaze të kryera nga japonezët)

Detajizimi I: Nëse sulmi përfshin një bombë të vendosur në trup, ose aq afër viktimës sa që kur mbajtësi i saj e aktivizon bombën është i sigurt [jekin] se do të vdesë edhe vetë, atëherë mendimi më i saktë [kaulu esah], sipas nesh, është se një veprim i tillë përbën vetëvrasje. Kjo sepse bombarduesi, duke qenë në të njëjtën kohë edhe i vrari [mektûl], bën që vrasësi [vepruesi i menjëhershëm dhe aktiv i cili vret] të jetë i barabartë me të vetëvrarin [katil nefseh]

DegëzimNëse sulmi përfshin një bombë (si, p.sh., hedhja e një granate etj.), por sulmuesi mendon se nëse do ta aktivizoj bombën është e pasigurt [dhan] nëse edhe vetë ai do të vdes apo jo gjatë këtij procesi, atëherë mendimi më i saktë është se ky veprim nuk përbën vetëvrasje. Nëse ai vdes gjatë këtij veprimi vetëmohues, ai shndërrohet në atë që me të drejtë mund ta quajmë dëshmor ose hero [shehid]. Kjo sepse sulmuesi, nëse vdes, nuk ka qenë aktiv duke e dëshiruar vdekjen e tij, për arsye se në këtë rast vrasësi është, me shumë mundësi, dikush tjetër.

Një shembull i përshtatshëm për të ilustruar këtë që sapo thamë mund të jetë ky: nëse në vendin dhe në kohën e duhur, si p.sh. në mes të një beteje të ashpër kundër një njësie ushtarake armike, i urdhëruar nga komandanti i tij apo edhe duke e marrë vetë iniciativën, një ushtar bën një sulm të vetmuar duke synuar përmes saj që të kthej fatet e luftës, por vdes gjatë këtij procesi (e jo në mënyrë qëllimshme nga duart e tij), atëherë ai ushtar vdes si hero (kjo rrethanë është saktësisht konteksti i të rënin dëshmor [shehid] –sipas terminologjisë islame- sepse ai ka vdekur në një formë vetëmohuese). Nëse ai i mbijeton këtij veprimi atëherë ai bëhet meritor për medaljen e nderit ose së paku bëhet një hero i nderuar lufte dhe kujtohet si një patriot i njohur (në terminologjinë islame bëhet një muxhahid i vërtetë)

Ky është konteksti i saktë për sa i përket çështjes [mesele] së “sulmuesit të vetëm” [el haxhim el-vahid] dhe kuptimit të vendosjes së jetës në rrezik [el-tagrir bi nefs], fakt  i cili gjendet në të gjitha kapitujt e jurisprudencës islame të cilat trajtojnë çështjen e luftës. Dijetari i madh i bashkësisë [ymetit] myslimane Imam Gazali (Zoti qoftë i kënaqur me të) ka siguruar përmbledhjen më të mirë e të paanshme të temës në shqyrtim:

“Nëse dikush thotë: Cili është kuptimi i fjalëve të Lartmadhëruarit:

 “…dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim!”  (Kuran 2:195)?

“Ne i përgjigjemi: Nuk ka asnjë mospajtim [mendimesh midis shkollarëve] rreth myslimanit [ushtar] të vetëm i cili sulmon në brendësi të linjave të luftës [të kundërshtarëve] të jomyslimanëve [të një ushtrie që është në gjendje lufte me ushtrinë e ushtarit dhe po përballet me ta në betejë] dhe lufton [ato] madje edhe në rastin kur e di se me shumë mundësi do të vritet [në këtë sulm]. Mund të mendohet se rasti në fjalë bie në kundërshtim me versetin e lartpërmendur, por nuk është kështu. Në të vërtetë, Ibn Abazi (Zot qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “[kuptimi i fjalës] “shkatërrim” nuk është [rasti i kësaj ngjarjeje]. Përkundrazi, [kuptimi i saj] është të neglizhosh pajisjet apo furnizimin e përshtatshëm [nafaka]: për ekspeditën ushtarake. [Në kontekstin modern kjo do të thotë se shteti duhet të siguroj armët, furnizimet e nevojshme etj, në mënyrë që e gjithë kjo të bëhet] duke ju bindur Zotit [siç thuhet edhe në pjesën e parë të këtij verseti:

 “Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut” (Kuran 2:195)].

Domethënë, ata të cilët dështojnë për të kryer [këtë obligim] do të shkatërrojnë vetveten. [Një tjetër autoritet sahabi] El-Barra Ibn Azib el Ensari ka thënë: “[Kuptimi i fjalës] “shkatërrim” është [që një myslimani] të kryej një mëkat e më pas të thotë: “pendimi im nuk do të pranohet”. [Një tabiin i mirënjohur] Ebu Ubejde ka thënë: “Kuptimi i saj [i fjalës shkatërrim] është të kryesh një mëkat dhe më pas të mos bësh një vepër të mirë pas tij deri sa të vdesësh [mendo rreth kësaj].

Në të njëjtën mënyrë që është e lejuar [për ushtarin mysliman të përmendur më lart] të luftojë [ushtrinë] jomyslimane derisa të vritet [gjatë këtij procesi], është po ashtu e lejuar [d.m.th. për zbatuesin e ligjit, duke qenë se aid –i i çështjes së mëparshme i kthehet përemrit origjinal [damir el-asli] për kapituj si: Muhtesib ose zbatuesi, siç mund të jetë policia.] në çështjet e përforcimit [hisba] të ligjit.

Gjithsesi, [vëre cilësimin [kajd] e mëposhtëm] nëse ai e kupton [dhanni] se sulmi i tij nuk do ti shkaktoj dëm [ushtrisë të] jomyslimanëve, siç mund të ndodhë kur ndonjë i verbër apo njeri i pafuqishëm e hedh veten në vijën e armikut, atëherë ky veprim është i ndaluar [haram] dhe [ky veprim] përfshihet nën kuptimin e përgjithshëm [umum] të fjalës “shkatërrim” të përmendur në verset [në këtë rast kuptimi do të ishte literalisht hedhja e vetvets në shkatërrim].

Për të, është e lejuar vetëm që të avancoj [e të vuaj pasojat] nëse e di se është i aftë të luftoj [në mënyrë efektive] deri sa të vritet, apo e di se do të jetë i aftë, duke i dëshmuar jomyslimanëve guximin dhe bindjen e tij, ti demoralizoj zemrat dhe mendjet e [ushtrisë] armike, duke i bindur ato se edhe pjesa tjetër e ushtrisë [myslimane] është [gjithashtu] vetëmohuese [killa el-mubala] në besnikërinë e tyre për tu sakrifikuar për Zotin [paralelizmi më i afërt nga ana laike do të ishte ‘të vdesësh për hir të atdheut”]. Përmes kësaj metode, vullneti i tyre për të luftuar [sheuka] do të shkatërrohet [e kjo mund të shkaktoj panik dhe ti shpartalloj ato dhe mund të jetë shkak për kolapsin e linjave të armikut.].” [al-Gazali, Ihja‘, 2:315-6].

Është e qartë se ky veprim vetëmohues të cilin çdo ushtar modern, mysliman apo jo, mund ta kryej gjatë betejës nuk mund të quhet vetëvrasje. Ai mund të përshkruhet në mënyrë hiperbolike si sulm “vetëvrasës”, por të vësh në rrezik jetën tënde është njëra gjë ndërsa të kryesh vetëvrasje gjatë sulmit është qartësisht një gjë tjetër. Siç tregohet edhe në pasazhin e lartpërmendur, është e mundur [që në luftë] të përballesh me të dyja situatat: një sulm i cili është tagrir bil nefs, i cili nuk është i ndaluar; dhe një sulm i cili është i llojit tehluka, i cili është i ndaluar.

Detajizimi II:

Nëse sulmi përfshin goditjen e një mjeti ushtarak dhe sulmuesi është i sigurt se do të vdesë [si pasoj e kryerjes së tij], njësoj si rasti i misioneve të kamikazëve japonez, atëherë juristët tanë kanë mospajtime midis tyre rreth faktit se konsiderohet apo jo vetëvrasje një veprim i tillë.

Thënia A: Ata të cilët e konsiderojnë këtë veprim si vetëvrasje, argumentohen duke thënë se në këtë rast ka një mundësi [dhanni] që i vrari [mektul] të jetë po vetë vrasësi [katil] (siç e shpjeguam edhe në detajizimin nr.1) dhe kjo nuk lejon asnjë specifikim të mëtejshëm duke qenë se vetëvrasja është një mëkat i urryer.

Thënia B: Ndërsa ata të cilët mbështesin mendimin tjetër, madje edhe duke marrë për të mirëqenë se i vrari mund të jetë po vetë vrasësi, bëjnë edhe specifikime të mëtejshme të çështjes, duke lejuar mundësinë që nga kryerja e këtij veprimi mund të varet fati i luftës. Ky grup sjelle detajizime të mëtejshme që duhen marrë parasysh nga ata të cilët mbështesin mendimin e dytë. Sipas tyre oficeri në komandë nuk ka të drejtën që ti urdhëroj asnjë prej vartësve të tij që të kryejnë një mision të rrezikshëm si ky. Kështu që nëse një veprim i tillë duhet kryer, ai duhet bërë me liri të plotë dhe vetëm kur është iniciativë personale e ushtarit (siç ndodh në rastin kur veprimi i kryer është në kundërshtim të hapur me urdhrat e oficerit).

Mendimi i parë është qëndrimi më i preferuar [mutexhi] nga juristët tanë, ndërsa mendimi i dytë haset më rrallë për shkak të mungesës së një precedenti të qartë, për shkak se detajet e tij ligjore janë të mbushura me dykuptimësi dhe vështirësi të mëtejshme si edhe për shkak se qëndrimi i kundërt me të [mukabil] mban në vetvete përfundime më të rënda (d.m.th., atë të vetëvrasjes, për të cilën ekziston edhe konsensusi [ixhmai] i dijetarëve mysliman sipas së cilit ai që kryen vetëvrasje do të dënohet [në botën] për ta kryer përjetësisht këtë veprim [ndaj vetes së tij]).

Përveç këtyre argumenteve, mendimi i parë është, gjithashtu, ai më i preferuari dhe më i sakti meqenëse ai është gjendja fillestare [asl] apo origjinale. Veprimi në këtë rast duhet të mbështetet në parimin ligjor të mirënjohur sipas së cilit

[Shmangia e kundërshtimeve [khilaf] është opsioni më i preferuar]

Së fundmi, qëndrimi i parë është fetarisht ai më i sigurti dhe kjo duke marrë parasysh dykuptimësinë e statusit ligjor të personit që kryen një veprim të tillë, -qoftë në rastin kur i vrari është vetë vrasësi -, si dhe dyshimeve dhe pasigurive që mbizotërojnë rreth faktit nëse është apo jo i vrari në këtë rast edhe vrasësi i vetes së tij. Duke pasur parasysh këtë mund të themi se ky qëndrim bën pjesë në kategorinë e çështjeve të dyshimta [shubuhat] të atij lloji [neu] që duhet shmangur nga të gjithë ata që janë të përpiktë në çështjet fetare. Profeti me urtësinë e tij është shprehur rreth kësaj çështje, në hadithin e transmetuar nga El-Numani (Zoti qoftë i kënaqur me të), duke thënë:

[Ai i cili e shpëton veten e tij nga çështjet e dyshimta ka shpëtuar fenë dhe nderin e tij.] (Transmetuar nga Ahmedi, Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh, Taberani dhe Bejhekiu me ndryshime të vogla në tekst.)

Ue Allahu A’lam bi sauab!  [Allahu e di se kush është mendimi më i saktë]

Dobia: Gjykimi fillestar [asli] fetar për përdorimin e një bombe (precedenti mesjetar i të cilës ka qenë: zjarri grek [kital bil-nar apo remji el-naft] dhe katapultat [menxhanik]) si një mjet lufte është se ajo është mekruh [e urryer] duke qenë se ajo vret duke mos bërë asnjë dallim [jeumu men jukatilu ve men la jukatilu], ndryshe nga përdorimi i pushkëve (ekuivalenti mesjetar i të cilave ka qenë: harku ose shigjeta). Nëse një armë që vret në mënyrë jo të përzgjedhur përdoret në një vend ku jetojnë civilë atëherë përdorimi i asaj është haram, vetëm nëse përdoret nga domosdoshmëria [min darura] (e padyshim që kjo duhet bërë nga një personel ushtarakisht i autorizuar për të kryer veprime të tilla)

Përfundimi ligjor

Duke marrë parasysh të tre detajizimet ligjore të përmendura më parë, është e qartë se mendimi i shprehur në artikullin fillestar, të cilin jemi duke e marrë në shqyrtim, është i pabazë dhe jo në përputhje me ligjin tonë të shenjtë [sheriat].

Përsa i përket atyre të cilit mund të mos jenë bindur ende dhe janë të mendimit se një veprim i tillë [kamikaz] është i justifikueshëm, me pretekstin se rreth këtij veprimi, ashtu siç e pamë në detajizimin nr. II në kapitullin III, ekziston mosëmarrveshje [khilaf] midis dijetarëve mysliman (e për këtë arsye, veprimi në vetvete mund të lejohet duke u mbështetur në parimin bazë të jurisprudencës islame sipas së cilit duhet të jemi tolerant në çështjet ku hasen mosmarrëveshje [mesail khilafije] dhe të pranojmë mospajtimin), atëherë duhet bërë me dije se nuk ekziston asnjë mospajtim ndërmjet shkollarëve mysliman se përsiatja nuk qëndron, meqenëse është e mirënjohur se:

[E diskutueshmja nuk mund të refuzohet; vetëm (prishja e) konsensusit mund të refuzohet]

Meqenëse të gjithë janë të një mendimi në pohimin se vrasja e joluftëtarëve është e ndaluar, askush nuk mund të pretendoj se ky veprim [amal] është i tejkaluar nga ligji.

Ky rregull [kaide], të cilin e kemi shprehur në mënyrë të përmbledhur pak më lart, nëse kuptohet në mënyrën e duhur, nënkupton se një veprim rreth të cilit ka mendime të ndryshme [khilaf] mund të tolerohet, ndërsa një veprimi që kundërshton konsensusin [ixhma] është kategorikisht i refuzuar.

Pyetje dhe përgjigje të detajuara

Çështja nr. I

Kam dëgjuar të thuhet se Islami pohon se vrasja e civilëve, nëse ato janë jomysliman, është e lejuar?

Përgjigja:

Nëse do bënin shaka (por medito rreth kësaj në mënyrë që zemra jote të hapet) do të thonim se ajo që përbën provë tek ne myslimanët nuk është ajo çka Islami thotë, por ajo çka Allahu (I Lartmadhëruar qoftë Ai!) dhe i dërguari i tij (paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të) thonë. Por seriozisht: Përgjigja është absolutisht JO. Edhe studenti fillestar në jurisprudencën islame do të ishte i aftë të vërente se standardi apo parimi kryesor [dabit] i përmendur më parë në këtë punim përfshin edhe kundërshtarin jomysliman në një gjendje lufte të deklaruar në mënyrë ligjore nga një autoritet mysliman kundër një armiku jomysliman, madje edhe në rastin kur civili në fjalë është subjekt apo në mbrojtje [dhimma] të shtetit jomysliman kundërshtar [Darul Harb]. Nëse këto janë rregullat që duhen marrë parasysh në lidhje me një jomysliman civil i cili shoqërohet më forcat e deklaruara armike, atëherë mund ta imagjinojmë lehtësisht se çfarë standardesh të larta mund të ekzistojnë në rastin kur nuk ekziston [midis palëve] asnjë gjendje lufte apo ajo është e paqartë. Nuk duhet harruar që ekzistojnë më shumë se 100 versete kuranore të cilat na urdhërojnë që të jemi gjatë gjithë kohës të durueshëm përballë poshtërimit dhe ti kthejmë shpinën dhunës [el-i’rad anil mushrikin vel sabr ala adhel-ada], ndërkohë që gjendet vetëm një verset në të cilin lufta (e cila nuk zgjat përgjithnjë) bëhet një alternativë (në kontekstin tonë bashkëkohorë ky opsion vlen për autoritetin e veçantë mysliman dhe jo për individin), dhe kjo në rastin e veçantë kur është forca jomyslimane ajo që ka derdhur gjak [të pafajshëm] e para.

Çështja nr. II

Çfarë kuptimi ka verseti kuranor që thotë “Vritini jobesimtarët kudo që ti gjeni” dhe hadithi i saktë profetik në të cilin profeti thuhet se ka thënë: “Unë jam urdhëruar që të luftoj kundër njerëzve deri sa ata të dëshmojnë [Islamin]”?

Përgjigja jonë ndaj kësaj pyetje është sa vijon: Është një fakt i mirënjohur midis dijetarëve islam se verseti i mëposhtëm: “Vritini idhujtarët kudo që ti gjeni ato” (Kuran 9:5) i referohet një ngjarjeje historike. Më saktësisht aleatëve të mekasve të cilët thyen marrëveshjen e Hudejbijes [Sulh el-Hudejbije] e cila më pas solli në çlirimin e Mekës [fet’hul Meka]. Për pasoj asnjë rregull ligjor, ose me fjalë të tjera, asnjë nënkuptim praktik apo i veçantë nuk mund të deduktohet nga verseti në vetvete.

Ironia dhe, në të vërtetë, providenca hyjnore e gjendur në frazën e fundit të versetit (kudo që ti gjeni), –  të cilën shumë komentues të kuranit [mufesir] e kanë kuptuar si një shprehje që i referohet vendit (d.m.th. luftojini ato brenda apo jashtë Qabes) – ka kuptimin se fitorja kundër mekasve do të ndodhë me një betejë të vetme, qoftë brenda Qabes ose jashtë saj. Për më tepër u shpall një amnisti e përgjithshme [ue mennun alejhi bi tekhlijat sebilihi apo neha an safki dima] për të gjithë arabët xhahilë të cilët jetonin aty. Nëse ky verset nuk do të kishte qenë subjekt i një konteksti historik, përsëri ai do të kishte qenë një tekst i llojit të përgjithshëm [amm], për këtë arsye ai do të kishte qenë subjekt ndaj specifikimeve [tekhsis] nga tregues [delil] të tjerë.  Efekti i tij në kohëzgjatje, në rastet kur nuk i referohet arabëve të kohës së xhahilijetit, është se ai mund ti referohet vetëm një gjendjeje lufte për sa kohë nuk ekziston asnjë armëpushim.

Disa prej komenteve më të njohura për shprehjen “al-mushrikîn” [paganët], e cila gjendet në këtë verset, janë: “el-nakithina khasaten” [veçanërisht ata të cilët kanë thyer marrëveshjen] [Imam Neveviu el-Xhavi, Tefsîr, 1:331]; “el-ledhine juharibunekum” [ata të cilët ju kanë shpallur luftë] [Kadi Ibn ‘Arabi, Ahkam el-Kur’an, 2:889]; si edhe “khasan fî mushrikî l-‘arabi dune ghajrihim” [veçanërisht, arabët e xhahilijetit dhe askush tjetër përveç tyre] [el-Xhassâs, Ahkam el-Qur’an, 3:81].

Sa i përket fjalës “njerëz” [el-nas] e cila gjendet në hadithin e lartpërmendur, ekziston një konsensus [ixhma] midis dijetarëve mysliman se kjo fjalë i referohet “idhujtarëve” [mushrikëve], njësoj si në versetin e sures Toube të përmendur më parë. Kështu që kjo shprehje ka si synim vetëm arabët e xhahilijetit [mushrikul arab] të cilët jetonin gjatë kohës së fundit të profecisë së Muhamedi (a.s.) dhe në vitet e para të kalifëve të drejtëudhëzuar [hulefai rashidin] dhe jo jomyslimanët e tjerë.

Për ta përmbledhur, ne nuk jemi në luftë të përhershme me jomyslimanët. Përkundrazi, statusi ligjor burimor [el-asl] është gjendja e paqes, dhe ndryshimi i këtij statusi i përket vetëm autorietit mysliman i cili, në botën tjetër, do të përgjigjet përixhtihad-in dhe vendimet e tij. Një vendim i tillë nuk i është ngarkuar në mënyrë hyjnore asnjë individi, madje as ndonjë ushtari apo dijetari. Të besosh të kundërtën do të thotë të shkosh kundër rregullit të mirënjohur në ligjit tonë sipas së cilit autoriteti mysliman mund ti kërkoj ndihmë një jomyslimani në bazë të disa kushteve duke përfshirë, p.sh., faktin që aleati jomysliman është dashamirës ndaj myslimanëve

Çështja nr. III

Kam dëgjuar një dijetar të thotë se gratë izraelite nuk janë njësoj si gratë e tjera, për shkak se ato janë të militarizuara. Si rrjedhojë, kjo do të thotë se ato futen në kategorinë e grave luftëtare dhe kjo e bën legjitim marrjen e tyre në shënjestër [të sulmeve], por kjo vlen vetëm për rastin palestinez.

Përgjigja: Asnjë jurist i shkolluar i ndonjërës prej katër shkollave juridike islame, nëse ndjek në mënyrë besnike procesin juridik të shkollave sunite në lidhje me këtë temë, nuk mund ta shpreh këtë si një gjykim ligjor. Nëse është i vërtetë fakti që dijetari në fjalë e ka shprehur këtë mendim sipas mënyrës që ju e paraqitët, atëherë ky pohim jo vetëm që është në kundërshtim me rregullin bazë e të mirënjohur të përmendur më parë në punimin tonë (kapitulli : “Nuk është e lejuar të vrasësh gratë dhe fëmijët nëse ato nuk janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në luftime”), por ai shfaq edhe një mungesë sofistikimi në detajizimet ligjore. Nëse çështja është pikërisht kështu, atëherë na duhet të themi se ajo nuk bën pjesë në çështjet e diskutueshme [mesail khilafijeh], rreth së cilave dikush mund ti lejoj vetes të jetë dakord apo jo me të, meqenëse mendimi në fjalë, duke marrë parasysh parimet dhe rregullat e bazës dhe degëve të ligjit islam, është krejtësisht i gabuar.

Le ta shpallim përsëri standardin apo parimin ligjor, ashtu siç është përmbledhur ai nga dijetarët tonë gjatë diskutimit të rregullave të luftës: një ushtar mund të sulmojë një grua apo (nëse është e zbatueshme) një ushtar fëmijë (apo një burrë civil) vetëm si vetëmbrojtje dhe vetëm atëherë kur ajo vetë (e jo dikush tjetër nga ushtria e saj) është e përfshirë në luftime të drejtpërdrejta. (Sa i përket ushtarëve burra, duhet të themi se ato konsiderohen luftëtarë vetëm në momentin kur ato arrin në fushëbetejë, edhe nëse nuk janë duke luftuar. E gjithë kjo që sapo thamë është ee vlefshme atëherë kur marrëveshjet e luftës janë ndjekur me përpikëri, dhe kur e gjithë kjo ndodh në rast të një lufte të vlefshme dhe në një kohë kur nuk ekziston asnjë armëpushim.).

Ky rregull strikt, jo vetëm që është bërë i qartë në tekstet ligjore sekondare të ligjit islam, por ai është, gjithashtu, i kuptueshëm edhe nga analiza gjuhësore e teksteve provë kryesorë të cilat janë përdorur për të deduktuar prej tyre këtë rregull parësor. Kështu që forma e foljes që është përdorur në shkrimet është jukatilu dhe kjo i përket llojit të formave foljore të cilat tregojnë dyanshmëri dhe reciprocitet [mushareka]. Kështu që kjo folje tregon një marrëdhënie direkte, personale ose reciproke ndërmjet dy faktorëve: minimumi i së cilës është kur njëri prej tyre bën një përpjekje për të vepruar mbi tjetrin. Nënkuptimi ligjor në këtë rast është se njëri prej të dyve mund të konsiderohet si objektiv legjitim [për tu sulmuar] vetëm atëherë kur ndodh një marrëdhënie [konfliktuale] direkte dhe reciproke.

Në realitet [vaki], kjo nuk është ajo që ndodh në terren (meqenëse misionet vetëvrasëse me bomba janë me natyrë ofensive, dhe sulmi i drejtohet haptazi një objektivi joushtarak). Për këtë arsye personi që kryen një veprim të tillë mund të quhet me të drejtë agresori, dhe objektivi mbetet i panjohur deri disa sekonda para se misioni të arrijë përmbushjen e tij.

Thënë shkurt, edhe në rastin kur këto gra janë ushtare, ato mund të sulmohen vetëm kur janë të përfshira në luftime të drejtpërdrejta dhe jo në ndonjë situatë tjetër. Sidoqoftë ka ende detaje të tjera thelbësore që duhen marrë në konsideratë dhe kushte të ndryshme që duhen dëshmuar [para se të flitet për një çështje të tillë], të tilla si gjendja e vlefshme e luftës dhe mungesa e një armëpushimi.

Çështja nr. IV

Nëse thuhet: “se kur një kamikaz hedh veten në erë, ai nuk është duke e drejtuar sulmin e tij ndaj civilëve, përkundrazi, sulmi është i përcaktuar të shënjoj ushtarët jashtë detyrës (për të cilët më është thënë se nuk nënkupton rezervistët, meqenëse shumica e izraelitëve janë teknikisht rezervist). Civilët e pafajshëm futen në kategorinë e dëmeve anësore gjatë planit për të sulmuar ushtarët..”

Përgjigja: Kjo çështje ka nevoja për sqarimin e dy detajeve.

 Detajizimi A: Ushtarët jo në detyrë trajtohen si civilë.

Juristët tanë janë njëzëri në pohimin se gjatë një luftë ku nuk ekziston asnjë marrëveshje për armëpushim, dhe ku sulmi nuk synon një objektiv të vlefshëm ushtarak, ushtari armik (femër apo mashkull, i rekrutuar apo jo) i cili nuk është në një detyrë operacionale, apo nuk ka veshur uniformën ushtarake, e për këtë arsye nuk ka asgjë në paraqitjen e jashtme të tij që të sugjeroj se ushtari është në luftim, atëherë ai konsiderohet si një joluftëtar [men la jukatilu] (e për rrjedhojë ai duhet trajtuar si një civil normal).

Një objektiv i vlefshëm ushtarak është i kufizuar ose tek fushëbeteja [mehall el-maraka ose sahat el-kital] ose tek baza ushtarake [muaskar: shembujt mesjetar për të janë  kalatë ose fortesat; ndërsa shembujt modern janë kazermat, depot ushtarake, etj.] dhe në rast të objekteve të tilla si një restorant, një hotel, një autobus publik, zona përqark ditës së trafikut, apo çdo banesë tjetër publike nuk mund të konsiderohen si objektiva të vlefshme ushtarake. Meqenëse, së pari, këto nuk janë vende dhe baza nga të cilat normalisht mund të nis një sulm [mehall el-rej]; së dyti, sepse ekziston njohuri e sigurt [jekin] se në këto vende ka një përzierje [ikhtilat] të luftëtarëve me joluftëtarët; dhe së treti, joluftëtarëve, në raste të tilla, nuk i jepet mundësia të largohen nga vendi i sulmit.

Ndërsa sa i përket rastit kur ushtarët janë në fushëbetejë, atëherë mbi to duhet të zbatohen rregullat normale të luftës.

Nëse ushtarët gjenden në kazerma apo ndërtesa të ngjashme, ekzistojnë diskutime të mëtejshme nëse përbëjnë apo jo këto ndërtime objektiva të vlefshëm ushtarak. Qëndrimi më i saktë (kaul esahh) sipas juristëve tanë është se sulmi i këtyre objekteve është i urryer [mekruh] në fe.

Detajizimi B: Joluftëtarët nuk mund të konsiderohen dëme anësore, vetëm në rastet kur ato përfshihen gjatë sulmit ndaj një objektivi të vlefshëm ushtarak. Në këtë rast ato mund të konsiderohen si dëm anësor, i ardhur si pasojë e rrethanave lehtësuese.

Nuk ka asnjë mospajtim [khilaf] midis dijetarëve mysliman rreth faktit se joluftëtarët apo civilët nuk mund të përfshihen në kategorinë dëmeve anësore në një objektiv joushtarak në një zonë lufte si dhe se vdekja e tyre nuk është justifikueshme në ligjin islam. Ai i cili vret ndonjërin prej tyre konsiderohet fajtor për mëkatin e vrasjes, ndonëse ushtarit të cilit i vërtetohet kjo akuzë i kursehet zbatimi i dënimit kapital [hadd], përjashto rastin kur vërtetohet se vrasja ka qenë e paramenduar dhe e qëllimshme.

Nëse nuk është kështu, atëherë dënimi i vrasësit varet nga zgjedhja e autoriteteve [tazir] dhe në çdo rast ai është i detyruar të paguaj zhdëmtimin e përshtatshëm[dije].

Sa i përket objektivit të vlefshëm ushtarak në një zonë lufte, shkolla juridike shafiite gjithnjë ka marrë parasysh mundësinë e dëmeve anësore, ndryshe nga mendimi i shkollave të tjera juridike sipas së cilave një veprim i tillë është jashtë çdo dyshimi i paligjshëm. Pikat në vijim janë kushtet e përcaktuara për lejimin e këtij përjashtimi të diskutueshëm (shto këtu edhe kushtim më të rëndësishëm nga të gjithë: që veprimi të zhvillohet gjatë një lufte të vlefshme në një kohë kur nuk ekziston asnjë armëpushim)

(1) Objektivi duhet të jetë ushtarakisht i vlefshëm.

(2) Sulmi duhet të vij si pasojë e domosdoshmërisë [min darura] (i tillë që civilët të jenë paralajmëruar për tu larguar nga vendi i ngjarjes dhe të ketë kaluar një farë kohë pasi është bërë lajmërimi.

(3) Të mos ketë civilë myslimanë apo të burgosur.

(4) Që vendimi për të sulmuar objektivin të jetë një gjykim i matur i liderit ushtarak apo ekzekutiv i cili është i mendimit se nga kryerja e këtij veprimi varen fatet e luftës.

(Mbi të gjitha, ka një mospajtim ndërmjet juristëve tanë rreth faktit nëse mund të jetë apo jo objektivi ushtarak një objektiv i krishterë apo hebre [ehli kitab], meqenëse i vetmi tekst parësor i përmendur për të lejuar këtë përjashtim i përket një ngjarjeje të kufizuar vetëm për idhujtarët [mushrikin] siç gjendet në versetin e pestë të sures Toube (shih pyetjen nr. 2).

Të neglizhosh qëllimisht çdokënd prej këtyre kushteve është ngjashme me mosplotësimin e kushteve [shurut] të namazit [salat], neglizhimi i të cilave e bën atë të pavlefshëm [batil] dhe të padobishëm [fesad].

Kjo është arsyeja  se përse mjetet e përdorura për kryerjen e një veprimi duhen korrigjuar dhe legjitimuar në përputhje me rregullat ligjore në mënyrë që veprimi të jetë i saktë dhe i pranuar, ashtu siç gjendet e përmbledhur në një nga thëniet e Imam Ibn Atailah-ut (Zoti e shenjtëroftë shpirtin e tij!) e cila është:

[Ai i cili e fillon diçka mirë e mbaron atë në po të njëjtën mënyrë]

Sipas ligjit islam, qëllimi nuk i justifikon asnjëherë mjetet me përjashtim të rasteve kur ato janë në vetvete të lejueshme, apo të lejuara [mubah] dhe jo haram, ashtu siç bëhet e qartë në parimin e mirënjohur ligjor të mëposhtëm:

[Mjetet drejt shpërblimit janë në vetvete shpërblim dhe mjetet drejt mëkatit janë në vetvete mëkat]

Kështu që, madje edhe një veprim i thjeshtë, siç është ai i hapjes së një dritareje, i cili në vetvete është i lejuar apo hallall, e që fetarisht nuk sjell sevape e as nuk është gjyhan, nëse kryhet nga një djalë qe bën këtë veprim në mënyrë spontane me qëllimin që ti sjellë nënës së tij freski në një ditë të nxehtë vere, atëherë ky veprim neutral kthehet në një akt të rekomandueshëm [mendub] dhe djali shpërblehet për veprën e tij në botën tjetër dhe përfton kënaqësinë e Allahut.

Dhe Zoti e di dhe gjykon më së miri se kush është me e mira.

Çështja nr. V

Nëse dikush pyet “Në një manual klasik të ligjit të shenjtë islam kam lexuar se “është fyese të zhvillosh një ekspeditë ushtarake [ghazë] kundër jomyslimanëve armiqësorë pa lejen e kalifit (ndonëse në rastin kur nuk ka kalif atëherë nuk kërkohet asnjë leje)” A nuk do të thotë kjo se ndonëse është e urryer [mekruh] për çdokënd të bëj thirrje për fillimin e xhihadit, përsëri ky veprim mund të jetë i lejuar?

Përgjigja

[Nuk ka luftë vetëm se në xhihad!]

Tekstet ligjore sekondare, njësoj si edhe tekstet provë kryesorë (ndonjë verset kuranor i marrë nga numri i vogël i verseteve që përmbajnë gjykime ligjore [ajat el-ahkam] apo ndonjë hadith midis numrit të kufizuar të haditheve që përmbajnë gjykime [ahadith el-ahkam]), duhen lexuar dhe kuptuar në kontekst. Përfundimi, se është fyese apo e lejueshme për çdokënd tjetër, përveç autoriteteve, të deklaroj apo të filloj një luftë, është qartësisht i gabuar. Meqenëse ai shkel rregullin themelor të luftës të diskutuar në kapitullin nr. II.

Konteksti i asaj maksime ligjore ishte rrezikimi i jetës [teghrir bi-nefs] kur tashmë ekziston një gjendje lufte dhe nuk ka asnjë armëpushim, siç u pa qartë edhe nga pasazhi i shkëputur nga libri i Gazaliut të cilin e përmendëm më parë në analizën tonë. Por ky rregull nuk vlen në çështjet ekzekutive si ato që kanë të bëjnë me deklarimin e luftës apo të ngjashme me të. Ky fakt bëhet, gjithashtu, i qartë edhe nga terminologjia e përdorur: një ghazu [një veprim ushtarak, një sulm, bastisje apo mësymje: kufizimi minimal në  shembujt bashkëkohorë do të ishte ky: një sulm i kryer nga një skuadër apo nga një togë [katiba] mund të zhvillohet vetëm atëherë kur ekziston gjendja e xhihadit [luftës], e jo në ndonjë rrethanë tjetër]

Dobi: Imam ibn Haxher Askalani (Zoti qoftë i kënaqur me të) e liston strukturën organizative të një ushtrie si më poshtë: një ba’th [njësi] dhe shumë të tilla të bashkuara, një katiba [togë], e cila është pjesë e një sarije [kompani e përbërë nga 50 deri në 100 ushtarë], e cila në vetvete është pjesë e një mansar-i [regjiment i përbërë prej 800 ushtarësh], i cili po ashtu është pjesë e një xhejsh-i [divizion i përbërë prej 4000 ushtarësh], i cili nga ana e tij është pjesë e një xhahfel-i [trupat e armatës, e cila tejkalon 4000 ushtarët], e cila formon xhejsh-in adhim [ushtrin]. [Ibn Haxher, Tuhfe, 12:4]

Në shkollën tonë juridike [shafiite] është fyese, por jo e ndaluar, për një ushtar që të kundërshtoj hapur, ose me fjalë të tjera të marrë iniciativën kundër vullnetit të eprorit të tij direkt, qoftë njësia e tij fortë apo jo. Në kontekstin modern, kjo mund të përfshij rastet kur ushtarët nuk janë dakord me një vendim apo strategji të caktuar të përvetësuar nga eprorët e tyre oficerë, qoftë gjatë luftës ose jo.

Komenti i pyetjes së bërë do të na lejoj që të hedhim më shumë dritë mbi këtë çështje:

[teksti i pyetjes:] Është fyese të ndërmarrësh një sulm [qoftë në rastin kur njësia është e fuqishme [man’a] apo jo. Disa e kanë përkufizuar termin njësi e fortë duke thënë se ajo përfshin 10 burra] pa lejen e autoriteteve [komenti] apo të vartësve të tij, sepse sulmi varet nga nevoja [e luftës etj] dhe autoriteti përkatës është më i ndërgjegjshëm [se të tjerët] për këtë gjë. Nuk është e ndaluar [të dalësh pa lejen e tij] nëse nuk ekziston rreziku i humbjes së jetës edhe në rastin kur kjo është e lejuar në luftë) [Ibn Barakat, Fajd, 2:309]

Çështja nr. VI

Nëse dikush shtron pyetjen: “Cili është kuptimi i rregullit të fikh-ut, të cilin e kam dëgjuar shpesh, ku thuhet se xhihadi është një obligim që i përket shoqërisë [farz kifaje], por nëse Darul Islam-i [toka islame] sulmohet apo pushtohet atëherë xhihadi bëhet në detyrim i çdo individi [farz ajn]? Si mund ta zbatojmë këtë maksimë ligjore në kontekstin e një shteti modern mysliman siç është p.sh. Egjipti?”

Përgjigja: Është farz kifaje për nënshtetasin e përshtatshëm mysliman që është pjesë përbërëse e shtetit, në kuptimin që rekrutimi për në ushtri është vullnetar në rastin kur shteti i shpall luftë një shteti tjetër jomysliman (sa i përket nënshtetasve jomysliman, ata nuk janë fetarisht të obliguar [të marrin pjesë në luftë], por e kanë këtë të drejtë [nëse dëshirojnë]). Ajo bëhet farz ajn për çdo mysliman të shëndoshë fizikisht në rastet kur, pasi shteti është pushtuar nga një forcë armiqësore jomyslimane, lëshohet një thirrje e përgjithshme për rekrutim, apo për një seleksionim gjithëkombëtar për shërbim ushtarak. Ky status mbetet i pandryshuar derisa forca armiqësore të zmbrapset apo autoritetet myslimane të thërrasin për një armëpushim. Për sa i përket atyre të cilat nuk janë në ushtri, ata kanë të drejtën për të mbrojtur vetveten nëse sulmohen, madje edhe nëse janë të detyruar të përdorin për vetëmbrojtje gurë apo shkopinj [bi ejji shejin etakuhu ve-leu bi hixharetin eu assa]

Degëzim: Kur nuk ekzistojnë mundësitë për tu përgatitur për luftë [grumbullimi i ushtrisë për luftë (ixhtima lil harb), dhe një sulm i befasishëm nga forca armiqësore e shkatërron krejtësisht ushtrinë shtetërore dhe si pasojë vendi pushtohet plotësisht] dhe dikush [në shtëpi, p.sh.] përballet me zgjedhjen për tu dorëzuar apo jo [në rastet kur, p.sh., forcat armiqësore trokasin në derë], atëherë ai mund të luftojë, ose mund të dorëzohet, duke e marrë për të mirëqenë faktin se ai e di [me siguri] se nëse do të kishte bërë rezistencë [ndaj arrestit] ai do të ishte vrarë dhe se gruaja e tij do të kishte qenë e sigurt nga ndonjë përdhunim i mundshëm nëse ai do ti ishte dorëzuar forcave armiqësore. Nëse nuk është kështu [pra edhe nëse do ti dorëzohej armikut, përsëri ai do të vritej dhe gruaje e tij do të përdhunohej, atëherë [si një alternativë e fundit] luftimi [xhihadi] bëhet një detyrim individual [farz ajn] për të. [el-Bakri, I’ânat, 4:197].

Reflekto mbi këtë rregull ligjor të fesë sonë dhe mbi theksin e venë mbi ruajtjen e jetës njerëzore dhe mbi urtësinë e përdorimit të dhunës vetëm në rastet kur është absolutisht e nevojshme dhe në vendin e përshtatshëm. Dhe dëshmo bashkimin ndërmjet mekasid-it (qëllimit ose synimit) dhe vesail-it (mjetit) dhe kuptimit të kushteve kur luftimi bëhet njëfarz ajn (detyrim) për çdo individ.

Çështja nr. VII

Nëse dikush pyet: “Sipas medhhebit shafii, si ndahen tokat e ndryshme nëpër botë? P.sh., Darul Islam, Darul Kufr etj, si edhe cilat janë, sipas dijetarëve mysliman, atributet e këtyre vendeve?

Përgjigje: Ashtu siç shfaqen edhe nga faktet empirike [texhribe], dijetarët mysliman i kanë klasifikuar territoret e ndryshme të botës në: Darul Islam [sinonimet e kësaj shprehjeje janë Bilad el-Islâm or Devle el-Islâm; një shtet, territor, tokë apo komb mysliman.] dhe Darul Kufr [një shtet apo territor jomysliman]

Përkufizimi i një shteti mysliman është: “çdo vend ku rezidenti mysliman është i aftë të mbroj vetveten kundër forcave armike [harbijun] për një periudhë [të caktuar] kohore quhet shtet mysliman, ku gjykimet e tij mund të zbatohen në atë kohë dhe në kohën në vijim.” [Ba’alaëi, Bughja, 254]. Një jomysliman i cili banon në një shtet mysliman është, sipas terminologjisë sonë: një jomysliman nën kujdesin ose mbrojtjen e shtetit islam [kafir dhimmi ose el-kafir bi dhimmatil muslim].

Për nga përkufizimi, një zonë quhet shtet islam për sa kohë që myslimanët vazhdojnë të jetojnë atje dhe autoriti politik dhe ekzekutiv është mysliman. (Mendo rreth kësaj, për shkak se tokat myslimane janë të shumta, të ndryshme, të gjëra dhe të shtrira dhe kupto se sa të varfër dhe dritëshkurtër janë ata të cilët janë përpjekur të kufizojnë përkufizimin e asaj që është një shtet mysliman, dhe dashur padashur janë përpjekur të ngushtojnë botën myslimane!)

Për sa i përket përkufizimit të një shteti mysliman mund të themi se ai është e kundërta e asaj që përbën një shtet islam

Darul Harbi [i quajtur ndryshe edhe ard el-advi], është një shtet jomysliman i cili është në gjendje lufte me një shtet mysliman. Kështu që, një ushtar jomysliman armiqësor njihet në librat tonë të jurisprudencës si: kafir ose harbi

DegëzimEdhe nëse një person i huaj hyn ose banon në një shtet mysliman, duke marrë për të mirëqenë se ai e ka kryer këtë veprim me lejen e autoriteteve myslimane (siç është hyrja me një vizë të rregullt etj.), gjatë kohës kur shteti mysliman është në gjendje lufte me shtetin e personit në fjalë, përsëri shenjtëria e jetës së një kafir harbi është e mbrojtur me ligj, njësoj si jeta e myslimanëve dhe jomyslimanëve të cilët janë nënshtetas të rregullt të shtetit islam [al-Kurdi, Fatâuâ, 211-2]. Në këtë rast statusi i tij shndërrohet në kafir harbi bi-dhimmatil imam [një jomysliman armiqësor nën mbrojtjen e autoritetit mysliman], dhe ai bëhet në çdo gjë njësoj si nënshtetasit e tjerë jomysliman të shtetit islam. Në këtë mënyrë, dallimi i dukshëm midis një dhimmi-u dhe një harbi jomysliman shndërrohet thjesht në një ushtrim akademik ose në një dallim thjesht formal.

Nënkuptimet e këtij rregulli për gjithë ata mysliman të devotshëm dhe ndjekës të përpiktë të sheriatit nuk qëndron vetëm në faktin se sulmimi i jomyslimanëve është diçka ilegale dhe një akt mosbindjeje [masije], por edhe se hapat e ndërmarra nga autoritet myslimane dhe garantuesit e ligjit, në vende të tilla si Malajzia apo Indonezia e ditëve tona, për të mbrojtur vendet e tyre, përfshirë këtu kisha edhe tempuj, nga kërcënimi i vrasjeve dhe akteve kamikaze, përfshihen nën kapitullin [bab] e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja [emr bil maruf ve nehji anil munker; detyra për të ndërhyrë kur dikush vepron gabimisht; në kontekstin modern: zbatimi i ligjit). Kjo është e vlefshme edhe në rastin kur garantuesi mysliman i ligjit [muhtesib] vdes gjatë përpjekjes për të mbrojtur jomyslimanët.

Çështja nr. VIII

Nëse dikush pyet se: “Në cilin kategori të ndarjes së tokave gjendemi ne të cilët jetojmë në bashkimin evropian, dhe cili është gjykimi [hukmi] për ata që jetojnë në këto vende? A duhet që ata të largohen prej tyre?

Përgjigja: Është e qartë se shtetet e bashkimit evropian nuk janë shtete myslimane, përjashto këtu rastin e Turqisë apo të Bosnjës, nëse ato do të ishin pjesë e këtij unioni. Statusi i myslimanëve të cilët kanë lindur në një shtet jomysliman është e kundërta e statusit të jomyslimanëve të cilët jetojnë në një shtet mysliman: al muslim bi-dhimmatil kafir [një mysliman në mbrojtje të një shteti jomysliman]. Dhe nga perspektiva jonë ligjore dhe myslimane, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, statusi i myslimanëve në perëndim është i ngjashëm me statusin e mysafirëve, fakt ky që nuk duhet harruar asnjëherë.

Në ligjin tonë islam, ekziston një precedent për rastin në fjalë. Përgjigja ndaj pyetjes së bërë është se myslimanët duhet të qëndrojnë në ato vende e nëse është e mundshme, të mësojnë të kurojnë kushtet skizofrenike kulturore në të cilat ato mund të gjenden të përfshirë, qoftë ky fenomeni i grisjes së identitetit në shpirtrat e tyre apo ai i veçimit nga shoqëria e përgjithshme. Nëse ato nuk mund të zgjidhin këto dikotomi, por në të kundërtën gjejnë se ambienti është i papërputhshëm me jetën, ashtu siç ato mendojnë se duhet jetuar, atëherë është rekomandueshme për to që të largohen prej këtyre shteteve dhe të jetojnë në një shtet mysliman. Ky pohim është bërë i qartë në fetva-në e muhakkik-ut, Imam el-Kurdi (Zoti qoftë i kënaqur me të):

“Një ditë atij (Zoti qoftë i kënaqur me të) iu drejtua kjo pyetje:
“Në një territor të udhëhequr nga jomyslimanët, ata i lejojnë myslimanëve të jetojnë [në paqe] me kusht që të paguajnë taksën [mal] çdo vit, njësoj si xhizja por me krah të kundërt. Nëse myslimanët paguajnë taksat atëherë atyre i sigurohet mbrojtja dhe jomyslimanët nuk i kundërshtojnë ato [d.m.th. nuk i ndërhynë në punët e tyre]. Për këtë arsye, Islami praktikohet haptazi dhe sheriati gjen zbatim [d.m.th. ata gëzojnë lirinë për të praktikuar detyrat e tyre religjioze haptazi dhe në këtë mënyrë ato bëhet mysliman praktikant në një shoqëri jomyslimane]. Nëse myslimanët nuk i paguajnë detyrimet ndaj tyre atëherë jomyslimanët mund ti masakrojnë ato duke i vrarë apo plaçkitur. A është e lejuar ti paguash taksë jomyslimanëve [e në këtë mënyrë të bëhesh banues i rregullt në vendin e tyre]? Nëse mendoni se kjo është lejuar, atëherë cili është rregulli rreth jomyslimanëve të lartpërmendur kur ato janë në luftë [me një shtet mysliman]: A është, apo jo, e lejuar ti kundërshtosh ato, apo ti rrëmbesh pasurinë? Ju lutem, më jepni mendimin tuaj rreth kësaj çështjeje!

Përgjigja:

Për sa kohë është e mundur për myslimanët, që paguajnë taksat, që të praktikojnë haptazi religjionin e tyre, për aq sa i lejohet, dhe nuk i frikësohen asnjë kërcënimi [fitne] për fenë e tyre nëse ata i paguajnë taksat jomyslimanëve, atëherë është e lejuar për të banojnë në ato toka. Po ashtu është lejuar ti paguhet jomyslimanëve taksa e detyrueshme për rezidencën e tij në vend, ndërsa është e obligueshme [vaxhib] ti jepet atyre taksa duke iu frikësuar ndonjë dëmi të mundshëm që mund ti bëhet myslimanëve. Rregulli i përmendur më parë për sa i përket jomyslimanëve në luftë, për shkak se ata mbrojnë myslimanët [në territorin e tyre], është se është e ndaluar për myslimanët ti vrasin apo plaçkitin jomyslimanët. [al-Kurdi, Fataëa, 208]

Parimi kryesor ligjor për këtë çështje është:

[Nëse dikush është aftë ta praktikoj religjionin e tij haptazi dhe nuk i frikësohet ndonjë fitneje në fenë, jetën apo pasurinë e tij, atëherë ai nuk është i obliguar të bëj hixhret [të emigroj]

Degëzim: Juristët tanë shafii kanë diskutuar rreth detajeve që kanë të bëjnë me myslimanët të cilët banojnë në një shtet jomysliman, dhe i kanë ndarë rregullat ligjore në lidhje me emigrimin e tyre nga një shtet jomysliman në një shtet mysliman në katër kategori (duke marrë për të mirëqenë se individi në fjalë është i aftë dhe zotëron mjetet e duhura për emigrim).

1.      Haram: Është e ndaluar për myslimanët që të largohen nga vendi i tyre nëse kanë mundësinë që të mbrojnë territorin e tyre nga forcat armiqësore jomyslimane apo të tërhiqen prej tij (si në rastin e një shteti kufitar, një zone tampon apo një territori të diskutueshëm) dhe nuk kanë nevojë të kërkojnë ndihmë nga një shtet mysliman. Arsyeja pas kësaj është se vendi i tyre i banimit është tashmë, teknikisht [hukmen], një ‘shtet mysliman’ ndonëse nuk është kështu në pamje të parë [sureten], duke qenë se ato janë të aftë të praktikojnë religjionin e tyre haptazi madje edhe nëse autoriteti politik, apo ekzekutiv nuk është mysliman. Nëse ato emigrojnë atëherë banesat e tyre reshtin së qenuri ‘shtet islam’. Kjo situate bie nën klasifikimin juridik të Darul kufr suratan la hukmen, i cili është ekuivalent me Darul Islam hukmen la sureten

  1. Mekruh [e urryer]: Është e urryer të largohen nga vendi i tyre i banimit kur është e mundur për ta që ta praktikojnë fenë haptazi, dhe ata dëshirojnë ta bëjnë këtë gjë në mënyrë të tillë.
  2.  Mendub [e lejuar]: Emigrimi bëhet i rekomandueshëm vetëm në rastin kur ato e kanë të mundur që të praktikojnë religjionin e tyre haptazi, por nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë.
  3. Vaxhib: Emigrimi bëhet i detyrueshëm në rastin kur ai ngelet alternativa e fundit, d.m.th. në rastin kur praktikimi i religjionit është i pamundur. Një precedent ligjor për këtë është rasti i Spanjës pas rekonkuistës (rast i cili nuk ekziston më në kohën tonë) ku pesë shtyllat e Islamit ishin rreptësishtë të ndaluara, kështu që shtëpizat e myslimanëve duhet të ishin të hapura pas perëndimit të diellit gjatë muajit të Ramazanit në mënyrë që autoritetet të shihnin nëse në shtëpi po hahej iftar apo jo.

Çështja nr. IX

Nëse dikush shtron pyetjen “A mund të thoni ju se në botën modern duke marrë parasysh të gjitha gjykimet rreth sovranitetit dhe ndërveprimit, këto emërtime klasike nuk janë më të zbatueshme, apo kemi burime të mjaftueshme në shkollën tonë juridike për të vazhduar me përdorimin e këtyre klasifikimeve [apo emërtimeve]?

Përgjigja: Imam Gazaliu do të kishte thënë:

[Pasi të jetë njohur kuptimi i vërtetë [i termave], atëherë nuk është më nevoja që të stërhollohemi rreth emërtimeve]

Emërtimeve asnjëherë nuk i duhet kushtuar shumë rëndësi. Ajo që është më e rëndësishme janë kuptimet që qëndrojnë pas tyre, të cilat duhet përvetësuar në mënyrën e duhur. Pasi të jetë zbërthyer kuptimi i saktë i tyre atëherë ato bëhen të përshtatshme për të gjitha kohërat, ashtu siç ka ndodhur edhe me termin xhihadmuxhahid dhe shehid. Pasoja, për të gjithë ata mysliman të cilët nuk janë të aftë të vërejnë rëndësinë e këtyre termave dhe të cilët nuk arrijnë të lidhin dot pikat e termave mesjetar të trashëguara [në ligjin tonë] me botën moderne, mund të jetë jetesa në një realitet kulturorë skizofrenik i cili i pamundëson ata që të përshtaten me ambientin rrethues, dhe të jetojnë në paqe [sukun] me pjesën tjetër të krijimit. Ashtu siç shkaku i shkrimit të këtij [sebeb el-uxhud] artikulli ishte keqkuptimi i myslimanëve për terminologjinë e tij mesjetare të rrjedhur nga një trashëgimi e pasur ligjore, po ashtu edhe fitne-ja [mosmarrëveshje, ngasje, ngashënjim, sprovë, përçarje etj.) e botës së sotshme ka ardhur si pasojë e keqkuptimit të ligjit islam.

Kushtoi vëmendje fjalëve të Rumiut (Zoti e mëshiroftë)

Dil përtej emërtimeve dhe hidhi një vështrim cilësive, kështu që ato mund të tregojnë rrugën për tek esenca.

Mosmarrëveshja ndërmjet njerëzve ndodh për shkak të emrave. Paqja ndodh atëherë kur ato mëtojmë kuptimin e vërtetë të tyre.

Çdo konflikt dhe luftë midis qenieve njerëzore ka ndodhur për shkak të disa mospajtimeve rreth emërtimeve.

Ky është një gomarllëk kaq i madh, sepse pikërisht përtej argumentimeve gjendet një tryeze miqësie, e caktuar dhe duke pritur që ne të ulemi në të.

Fundi i seksionit të çështjeve (mesail) ligjore

Përfundim [Tatimma]

Është me të vërtetë për të ardhur keq që, pavarësisht nga grupi i sofistikuar dhe i përpunuar i rregullave tona të luftimit dhe pavarësisht nga kodet strikte të luftimit dhe të kalorësisë të cilat janë të obligueshme për ushtarët tanë, rregulla të cilat që nga koha e selef-ëve [pararendësit e devotshëm, autoritetet e hershme] janë përpunuar dhe kodifikuar nga juristët sunij të bashkësisë [ummet] sonë, në mesin tonë gjenden ende njerëz të cilët në mënyrë të pacipë largohen prej këtyre rregullave të shenjta duke favorizuar opinione të ndryshme të shprehura nga njerëz të cilët nuk janë as specialist të ligjit Islam lerë më të jenë kadinj apo jurist (burimi i saktë nga ku ato duhej të mbështeteshin për të marrë udhëzime praktike). Përkundrazi ato bazohen në inxhinierë apo shkencëtarë të ndryshëm të cilët nuk e njohin fushën juridike islame, por që përsëri marrin guximin të flasin në emër të ligjit islam. Prej këtyre “reformistëve” apo thirrësve (da’i) ka ardhur një shmangie nga idetë tradicionale rreth rregullave të sijar-it/xhihad-it/kital-it, d.m.th. të luftimit. A nuk arrin ata të kuptojnë se duke vepruar në këtë mënyrë dhe duke i ndjekur këto njerëz ata do të injorojnë kufijtë dhe kufizimet e ushqyera dhe të mbrojtura nga pararendësit tanë të devotshëm e në këtë mënyrë ato do ti kthejnë shpinën bashkësisë [xhemat] dhe konsensusit [ixhma] të myslimanëve e po ashtu do ta përfshinë veten në një veprim për të cilin nuk gjendet asnjë precedent ligjor brenda gjithë historisë së islamit suni? A mos kanë harruar vallë ata se pjesa burimore e synimeve dhe objektivave [maksad] të luftës [xhihad] në islam është të kufizoj vetë luftën dhe se lufta për myslimanët nuk është një luftë totale, në mënyrë që të përfshihen në të gratë, fëmijët, kalimtarët e pafajshëm apo që të shkatërrohet në mënyrë të panevojshme pasuria e tyre?

Thënë më shkoqur, nuk gjendet asnjë precedent ligjor në historinë e islamit suni që të legjitimoj sulmin ndaj civilëve dhe objektivave joushtarak. Sidoqoftë, realiteti i sotshëm tregon se një grup i vogël brenda myslimanëve suni, qofshin këto në Irak, Beslan apo diku gjetkë, kanë kryer veprime të tilla në emër të xhihadit dhe të bashkësisë [ummet] islame. Ndoshta misioni i parë i këtij lloji ka qenë shpërthimi me bombë i një autobusi në Jeruzalem në vitin 1994. Ky fakt tregon se këto lloj veprimesh janë të vonshme (reflekto mbi kët fakt!)

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, përgjigja pothuajse unanime e juristëve suni shafii, që nga Lindja e Largët  dhe Hadrameut, nuk ka qenë vetëm qartësimi i faktit se sipas qëndrimit minimal ligjor të ligjit tonë të shenjtë këto veprime janë të papërligjura, por edhe paralajmërimi i bashkësisë botërore islame [ummet] se ndjekja e kësaj rruge do të vë në rrezik rrugën optimale drejt ihsan-it [përsosmëri, maja e praktikës religjioze] e në këtë mënyrë ne do të përjetojmë një rrezik real, atë të humbjes së parimeve të larta morale dhe religjioze. Ata të cilët ende mbrojnë taktika të tilla, duke u mbështetur në parime të mjegullta usuli [epistemologjia e ligjit islam] e duke pohuar se veprime të tilla janë të justifikueshme në rast domosdoshmërie [darura], ndërkohë që neglizhojnë të gjitha kufizimet e diktuara nga degëzimet [far’] e jurisprudencës islame, duhet të vështrojnë gjerë e gjatë në atë që bëjnë e ti drejtojnë vetës pyetjen e mëposhtme: “A është ky veprimabsolutisht i domosdoshëm. Nëse po, përse veprime të tilla nuk janë kryer para vitit 1994, e veçanërisht gjatë luftërave të hershme, shumica e të cilave janë zhvilluar gjatë katastrofave të viteve 1948 dhe 1967?

Si mund ta ketë qenë neglizhuar një taktikë e tillë nga kalifët e drejtudhëzuar dhe luftëtarët heroik të tillë si Aliu (Zoti qoftë i kënaqur me të!), i cili gjatë betejës së Hendekut kur një jomysliman, të cilin ai ishte gati duke e vrarë, e pështyu atë në fytyrë, ai menjëherë e lëshoi [jomyslimanin]. Kur më pas u pyet për arsyen e një veprimi të tillë ai u përgjigj: “Unë isha duke luftuar për hir të Allahut, kur ai më pështyu në fytyrë unë pata frikë se nëse do ta vrisja kjo do të ishte nga mëria dhe hakmarrja!”

Në të vërtetë, precedenti i vetëm i kësaj taktike në historinë myslimane është terrorizmi frikacak i kryer nga “Asasinët” e nidharit ismailit. Viktima e tyre më e njohur e ardhur si pasojë e këtyre misioneve vetëvrasëse ka qene ministri i urtë dhe mbrojtësi i besimit, i cili mund të kishte qenë gjallë për tu marrë me fitnen [sprovën] e kryqtarëve, i quajtur Nidham el-Mulk, Xhemal el-Shuhada (Zoti e mëshiroftë, i vrarë ditën e Enjte të ditës së dhjetë të muajit të shenjtë Ramazan (14 Tetor 1092)

Në mënyrë ironike, në rastin e Palestinës, precedenti nuk është vendosur nga myslimanët por nga brigadat e hershme terroriste sioniste të tilla si brigade Irgun, e cila në mënyrë të ulët hodhën në erë Hotelin David në Jeruzalem në 22 Korrik të vitit 1946. Kështu që pyete veten mirë o njëri i devotshëm, o ti i cili do të merresh në pyetje për çdo gjymtyrë të trupit tënd: a dëshiron vërtet të ndjekësh hapat dhe modelet e sionistëve dhe sektit të devijuar ismaili, në vend të gjurmëve të profetit tonë të dashur, i cili për më shumë se trembëdhjetë vjet të misionit të tij duroi persekutimin, poshtërimin, dhe fyerjet e bërë nga Mekasit? A është zemërimi i vetmi burim i fuqisë tënde? Nëse përgjigja është pozitive atëherë kujto këshillën e profetit i cili ka thënë se një gjë e tillë është prej shejtanit. A është domosdoshmëria [darura] justifikimi yt i vetëm për ndjekjen e tyre [ismailive dhe sionistëve] hap pas hapi? A mos mendon vallë se ndonjëri prej luftëtarëve [muxhahid] të mirënjohur mysliman të historisë, të tillë si Aliu, Slahudini dhe Muhamed Fatihu (Zoti qoftë i kënaqur me to!) do ti kishte konsideruar normale artikullin e përmendur në fillim të këtij punimi dhe veprimet kamikaze që ndodhin sot në Bagdad, Jeruzalem, Kajro, Bali, Kasablanka, Beslan, Madrid, Londër, Nju Jork, disa prej të cilave janë zhvilluar gjatë ditëve të cilat tradicionalisht janë konsideruar, nga ligji ynë i shenjtë si haram për të luftuar në to, ditët gjatë muajve Dhul Kade, Dhul Hixhe, Muharrem dhe Rexhep? Çdo individ me natyrë të shëndoshë [fitra] arrin ta kuptojë se kjo nuk është gjë tjetër vetëm se një devijim i traditës së profetike.

Kjo është ajo që i ndodh njeriut [benu adem] ku mendja [akl] dorëzohet para iluzioneve [uehm], kur qëllimet [mekasid] justifikojnë mjetin [vesile], ku realiteti i degëzimeve juridike [furu’] shfuqizohet pa asnjë dallim nga rregullat e përgjithshme të usul-it [metodologjia e jurisprudencës], dhe më tragjikisht, siç tregohet edhe nga gabimi i Iblisit [djallit], kur mbështetja [tevekul] tek Zoti zëvendësohet nga nefsi [ego] themelor.

Ne jemi një bashkësi [ummet] e vetme, kështu që kur një pjesë e makro-trupit tonë sulmohet, atëherë pashmangshmërisht edhe pjesa tjetër e tij ndjen dhembje. Në të njëjtën kohë, historia jonë ka treguar se ne kemi qenë një bashkësi [ummet] e urtë dhe e ndjeshme dhe jo një bashkësi reaguese dhe impulsive. Ky është sekreti i suksesit tonë dhe këtu do të qëndroj gjithnjë ashtu siç na është premtuar në shkrimin tonë të shenjtë: tek durimi [sabr] dhe mbështetja absolute tek Zoti [tevekul]. Është një fakt i mirënjohur se kur kryqtarët morën Jeruzalemin në 15 Korrik të vitit 1099, pavarësisht nga vrasja, përdhunimi, plaçkitja dhe grabitja e civilëve të pafajshëm si dhe pavarësisht nga poshtërimi dhe fyerja që pësoi bashkësia myslimane –veprime shumë herë më të këqija se ato që ndodhin në pushtimet e sotshme- përsëri Salahudin Ejubit iu deshën më shumë se 100 vjet durim dhe luftë legjitime në sytë e Zotit para se Ai ti lejonte Salahudini të çlironte Jeruzalemin. Ka qenë e domosdoshme të na mësohej që në fëmijëri, nga prindërit tanë, domosdoshmëria për të caktuar prioritete si dhe mënyra e duhur për të përputhur sferat tona globale të shqetësimit me përgjegjësitë tona lokale – meqenëse ne do të pyetemi edhe në varr për këtë të fundit- në këtë mënyrë, falë këtij fakti ne do të shpresonin se përgjigja jonë [ndaj problemeve të ndryshme] nuk do të ishte shpërpjesëtuar e as e pavend.

Ky është kuptimi i vërtetë [hakika] i këshillës [nasiha] së profetit tonë të dashur, i cili na mësonte të linim atë që nuk na përkiste [terk ma la jenih], kur koha dhe energjitë tona mund të shpenzoheshin më mirë përmirësimin e gjendjes së myslimanëve të sotshëm ose të të tjerëve kudo anembanë botës.

Padyshim, ne natyrisht ndjejmë dhimbje kur një nga vëllezërit apo motrat tona vdesin në mënyrë të padrejtë nga dora e ndonjë jomyslimani, por duhet të ndjejmë më shumë dhimbje atëherë kur vëllezërit apo motrat tonë vdesin në Irak, p.sh., kur vdekjet e tyre shkaktohen në mënyrë të drejtpërdrejt nga misionet vetëshkatërruese dhe vetëvrasëse të kryera nga ndonjë mysliman

Nëse reflektojmë ashtu siç duhet do të arrimë të kuptojmë se misione të këtij lloji, ku mjetet dhe detajet ligjore janë të gjitha të gabuara –si nga shkrimi i shenjtë ashtu edhe nga arsyeja- janë jo vetëm një fshikullim për fqinjët tanë jomysliman, por edhe një plagë dhe një fitne [përçarje] shumë e madhe për bashkësinë myslimane në tërësi. Kështu që këto veprime duhen ndaluar për hir të paanshmërisë dhe interesit të përgjithshëm [maslaha].

Për ta kuptuar këtë që sapo thamë do të shpjegojmë maksimën ligjore, të shprehur shkurtimisht, në vijim.

[Dy gabime nuk e bëjnë të dytën të saktë]

Nëse dhimbja e parë bëhet një faktor lehtësues dhe përfundon duke u përdorur si një justifikim nga rinia jonë e kequdhëzuar për tu hakmarrë në një mënyrë të ndaluar, në mënyrë absolute dhe të padyshimtë nga ligji ynë i shenjtë, atëherë dhimbja e dytë, duke pasur parasysh rëndësinë e saj, prodhon një përgjigje më domethënëse dhe më kuptimplotë se e para. Me këtë qëllim, ne shpresojnë se do të rifitojmë lartësitë dhe reputacionin e mëparshëm, të rizbulojmë nderin dhe cilësitë kalorësiake dhe të jemi po aq të guximshëm sa më parë.

Dëshiroj ta mbyll analizën time me versetin e parë të shpallur në Kuran, i cili e lejon opsionin ushtarak vetëm mbi ata të cilët janë në një qëndrim autoriteti

“Luftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin, se Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin”. (Kuran 2:190

Edhe në një rast të tillë, përsëri paqja është më e preferueshme se lufta:

“Nëse ata shfaqin prirje për paqe, atëherë edhe ti ano nga ajo dhe mbështetu tek Allahu” (Kuran 8:61)

Madje edhe në rast kur ju nuk jeni dakord me vendimin e autoriteteve për të mos luftuar kundër një shteti jomysliman, të cilit ju jeni i mendimit se i duhet shpallur luftë, atëherë kushtoi sadopak vëmendje këtij urdhërimi hyjnor:

“O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.” (Kuran 4:59)

Nëse këmbëngul se shteti yt duhet doemos ti shpall luftë një shteti tjetër jomysliman, për të cilin ju mendoni se e meriton ti hapet luftë, atëherë më e shumta që mund të bëni është të krijoni një lobing që ti kërkoj autoriteteve shtetërore përmbushjen e dëshirës suaj. Sidoqoftë, nëse zemërimi juaj është kaq i papërmbajtshëm sa ju bën që të nxirrni më të keqen e personalitetit tuaj, duke arritur deri aty sa ti shpallni vetë luftë atyre që mendoni se e meritojnë këtë dhe për të përmbushur këtë synim arrin deri në përdorimin e dhunës, atëherë dije se keni shkelur me të dyja këmbët ligjin tonë të shenjtë [sheriatin]. Duke vepruar në këtë mënyrë ju e përdorni sheriatin sipas dëshirës suaj. Nëse arrini deri në pikën sa të kryeni një akt të dhunshëm, atëherë dijeni se sipas ligjit islam ju klasifikoheni automatikisht si një rebel [ehl el-baghj] ndaj të cilëve autoritetet shtetërore kanë të drejta të marrin masa ndëshkuese: kjo edhe në rastet kur autoriteti perceptohet si i korruptuar [fasik] apo është në të vërtetë i tillë. (Përkufizimi i termit rebel është: “Ata myslimanë që kanë kundërshtuar [jo me zemër apo me fjalë, por me vepra] autoritetet, madje edhe në rastin kur autoritetet janë të padrejtë [xhair] ndërsa ata janë në të drejtën [adilun] [el-Nevevî, Mexhmua’, 20:337].)

Kjo është arsyeja, o vëllai im, që edhe në rastin kur opsioni ushtarak nuk është i përligjur për individin, përsëri nuk duhet humbur shpresa tek Allahu. E le të sjellim ndërmend fjalët e profetit tonë të dashur i cili ka thënë: “Xhihadi më i mirë është fjala e vërtetë që i thuhet në fytyrë një udhëheqësi tiran (Marrë, ndër të tjerë, nga hadithi i Ebu Said El-Khudari (Zoti qoftë i kënaqur me të), i cili transmetohet, gjithashtu, edhe nga Ibn El-Xhad, Ahmedi, Ibn Humejd-i, Ibn Maxhe, Ebu Davud-i, Tirmidhiu, Nesaiu, Ebu Jala, Ebu Bekër el-Rujani, Taberani, Hakimi dhe Bejhekiur, me ndryshime te vogla tekstuale.)

Fatmirësisht është ende e mundur që të luftosh, veçanërisht në ditët tona, padrejtësinë, zullumin apo idhujt [tagut] që gjenden në këtë botë [dynja] përmes gjuhës, fjalëve, penës apo gjykatave. Veprime të cilat përfshihen në idiomën profetikë të xhihadit, madje edhe nëse nuk përfshin luftën në mënyrë të drejtpërdrejt.

Siç e ka thënë edhe Imam Zerkashi në tedhkirat-in: lufta është thjesht një mjet për përmbushjen e një synimi, e për sa kohë gjenden rrugë të tjera të hapura atëherë këto të fundit duhet të jenë, për çdo mysliman, rruga për tu ndjekur.

Marshallah, sa të vërteta janë fjalët e të dashurit tonë, kështu që asnjë muxhahid [luftëtar] apo aktivist nuk do të jetë më pak i mirë apo më pak i guximshëm në fushatën e tij për një kauz të drejt, të zhvilluar në një shtet despotik apo një shtet që ka nevojë për reformizëm, se sa muxhahid-ët e mëparshëm apo patriotët që kanë të cilët kanë luftuar trimërisht për kombin e tyre në një luftë të drejtë.

Druaju Zotit, dhe kthehu për të kontrolluar vetveten dhe për të shëruar poshtërsitë e tua! Sepse me të vërtetë, Ai është i mjaftueshëm për ne: e sa mbrojtës i morë është Ai! Çdo ndihmë dhe çdo fuqi vjen vetëm përmes Zotit, të Lartësuarit, të Madhërishmit! Qoftë paqja dhe bekimet tona mbi zotërinë tonë, Muhamedin, dhe familjen e tij! Dhe Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë udhëheqësit tanë, shokët [sahabët] e të dërguarit të Zotit! Shpresojmë të jemi së bashku me ta dhe në shoqërinë e tyre, dhe shpresojmë që Zoti të na bëjë anëtarë të denjë të palës së Tij! Me mëshirën tënde, e mbyll këtë lutje, o më i mëshirshmi i të mëshirshmëve, Amin!

Lus Zotin që kjo të ketë qenë e dobishme

Me lutje të përzemërta paqe dhe mirësi nga Oksfordi në Brunei

Muhamed Afifi el-Akiti

16 Xhumada II 1426 (23 Korrik 2005)

Last modified: 16/10/2014
Close