Rabin Michael Skobac

Një prej shtyllave kryesore të teologjisë së krishterë është edhe ideja sipas së cilës e vetmja mënyrë për të arritur shpëtimi nga mëkati është përmes kryerjes së një kurbani gjaku i të cilit derdhet në vendin tonë. Kjo ide shprehet qartësisht në librin e Dhjatës së Re të titulluar libri i Hebrenjve, në kapitullin 9 verseti 22: “Dhe sipas ligjit, të gjitha gjërat pastrohen me anë të gjakut; dhe pa derdhur gjak nuk ka ndjesë”. A është kjo ide në përputhje me mësimet e torahut (tanach), apo bibla hebraike, në këtë pikë, është në kundërshtim me atë të krishterë? Përgjithësisht të krishterët besojnë se nevoja absolute për kryerjen e kurbanit zëvendësues është një mësim i ngulitur thellë në torah. Për të argumentuar këtë pohim ato mbështeten tek Levitiku 17:11 në të cilin pohohet: “Sepse jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën.

Nëse ju jeni i krishterë, apo një hebre i cili ka rënë në kontakt me misionarët e krishterë, atëherë ka gjasa që ju të keni dëgjuar shumë predikime me temë shpengimin nga mëkati, dhe padyshim do të keni lexuar shumë studime të cilat mbështesin supozimin se nuk ka shpengim nga mëkati pa derdhur gjak. Njëkohësisht ju jeni të vetëdijshëm se kjo ide nuk është e pranuar nga hebrenjtë tradicionalë. A ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend të pyesni veten se si ka mundësi që hebrenjtë të mohojnë diçka që duket kaq e qartë? Ky studim është menduar për t’ju ofruar mundësinë që të merrni parasysh edhe një tjetër perspektivë në lidhje me këtë temë kaq qendrore.

Një tjetër vështrim Levitikut 17:11

Shumë nga ju mbajnë mend se si në fillore shpesh ngarkoheshim për të bërë hartime dhe na kërkohej që temës së shkruar ti vendosnim një titull, që duhej të përfaqësonte idenë kryesore të tekstit. Atëherë kush është ideja kryesore e Levitikut 17:11? Le ta shqyrtojmë atë duke marrë parasysh kontekstin e tij.

” (10) Në rast se dikush nga shtëpia e Izraelit apo nga të huajt që banojnë midis jush ha çfarëdo lloj gjaku, unë do ta kthej fytyrën time kundër atij që ha gjak dhe do ta shfaros në mes të popullit të tij. (11)Sepse jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj, sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën. (12) Prandaj u kam thënë bijve të Izraelit: asnjëri prej jush nuk ka për të ngrënë gjak; as i huaji që banon midis jush nuk ka për të ngrënë gjak”.

Ajo bëhet menjëherë e qartë, nga shqyrtimi i pasazhit në kontekst, është fakti se tema e pasazhit nuk është mënyra se si të përftohet shpengimi nga mëkati përmes derdhjes së gjakut, por ndalimi i konsumimit të gjakut. Në këtë pasazh na shpjegohet se arsyeja e ndalimit të konsumimit të gjakut qëndron në faktin se gjaku përmban vitalitetin e kafshëve (krahaso edhe Zanafillës 9:4, Deutoronomi 12:23) dhe rrjedhimisht, kur ne sjellim për të bërë kurban një kafshë, është gjaku i tij ai që shërben si shpengim për mëkatet, dhe jo pjesë të tjera të trupit të kafshës. Duke qenë se Levitiku 17:11 nuk është një tekst që shqyrton parimet e sigurimit të shpëtimit nga mëkatet, atëherë na duhet të hedhim sytë diku gjetkë në Bibël për të kuptuar se si mund ti korrigjojmë marrëdhënien tonë me Zotin.

Para se të vazhdojmë me, le të marrim në shqyrtim një tjetër pikë e cila do të na e bëjë akoma më të qartë se çfarë synimi ka pasazhi 17:11. Në këtë pasazh pohohet se, meqenëse gjaku simbolizon jetën e kafshës, Perëndia na e ka dhënë atë si një mjet për tu shpenguar nga mëkatet tona. Por a pohohet në këtë pasazh se kjo mënyrë është i vetmi mjet që Zoti na ka ofruar për arritur shlyerjen e mëkateve? Siç në çdo studim tjetër, për të arritur një përgjigje të kënaqshme për pyetjen tonë, është e domosdoshme që këtë çështje ta shqyrtojmë duke e studiuar të gjithë Biblën në tërësinë e saj. Megjithatë, hë për hë mund të themi se në pasazhin e marrë në shqyrtim prej nesh pohohet thjesht se gjaku mund të shërbejë si një mjet shpengimi nga mëkatet. Në të thuhet se ai është një mjet efektiv shpengimi, por në asnjë vend nuk pohohet se ai është i vetmi përmes së cilit mund të arrihet shlyerja e mëkateve.

Në Torah, kurbanet nuk janë e vetmja rrugë për tek shpengimi, ka edhe rrugë të tjera për të arritur faljen hyjnore. P.sh. temjani shërbeu si një mjet shpengimi nga mëkatet për njerëzit tek Numrat 16:46-47, ngjashëm dhënia e lëmoshës tek Eksodi 30:15-16 dhe Numrat 31:50 përshkruhet si “për të bërë shlyerjen për ne përpara Zotit”, e njëjta shprehje si ajo e përdorur tek Levitiku 17:11. Në të vërtetë, derdhja e gjakut përmes kurbaneve të kafshëve konsiderohet në Bibël si mjeti më pak efektiv se gjithë të tjerët për të shlyer mëkatet. Kjo vjen si rrjedhojë e faktit se kurbanet kryheshin vetëm për të shlyer mëkatet e paqëllimshme (p.sh. atëherë kur dikush ndez një zjarr ditën e Sabatit pa e ditur që kjo është ndaluar, ose nëse ndez një zjarr ditën e Sabatit duke menduar se është e Dielë etj.). Sakrifica e kafshëve dhe derdhja e gjakut të tyre nuk shërbenin për të shlyer mëkatet e kryera qëllimisht. (Levitiku 4, dhe Numrat 15:22-31).

Nëse e shqyrtojmë më imtësisht interpretimin që të krishterët i kanë dhënë Levitikut 17:11 do të përballemi me vështirësi të pakalueshme. Çfarë do të ndodhte nëse dikush nuk do të kishte mundësi të blinte një kafshë për ta ofruar si blatim? A është e mundur që Zoti të vendos një sistemi shpengimi nga mëkatet i cili mund të përdoret vetëm nga të pasurit? Torahu i ka marrë parasysh të gjitha këto situate dhe ka lejuar që personi i varfër që të ofrojë si sakrificë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj nëse nuk ka mundësi të sigurojë një qengj (Levitiku 5:7). Po nëse dikush nuk ka mundësi as të sigurojë këto zogj të vegjël?

Por në rast se i mungojnë mjetet për të siguruar dy turtuj ose dy pëllumba të rinj, atëherë kush ka mëkatuar do të sjellë si ofertë të dhjetën pjesë të një efe në majë mielli, si flijim për mëkatin; nuk do të vërë mbi të as vaj as temjan, sepse është një flijim për mëkatin. (Levitiku 5:11)

Meqenëse, sipas tekstit të lartpërmendur, njeriu mund të ofrojë si shlyerje të mëkateve të tij edhe miellin atëherë është e qartë se gjakut nuk është kusht i domosdoshëm për shlyerjen e mëkateve. Një tjetër shembull do të na ndihmojë ta kuptojmë më qartë këtë që sapo thamë. Sugjerimi se vetëm gjaku i kurbanit mund të sigurojë shlyerjen e mëkateve na përball me një dilemë. A mund të ndodhë që Zoti të ndërtojë dhe të urdhëroj një sistem shpengimi nga mëkatet i cili mund të mos jetë i disponueshëm për të gjithë njerëzit e të gjithë kohërave? Ndërkohë që tempulli i Jeruyalemit ishte ende ekzistues kurbanet shërbenin si një pjesë e procesit të shlyerjes së mëkateve, por si qëndronte çështja me hebrenjtë të cilët nuk kishin akses tek tempulli? Si duhet të vepronin hebrenjtë pas vitit 586 (p.e.s.) kur tempulli u shkatërrua dhe ato u dërguan në ekzil në Babiloni? Si duhet të vepronin njerëzit në kohën e Makabenjve kur Siriano-grekët e kishin në kontroll tempullin dhe nuk lejonin që në të të kryheshin sakrificat e kafshëve?

Të krishterët në mënyrë të gabuar kanë pretenduar se judaizmi rabinik ka ardhur, ka parashikuar masa jobiblike për të përballur çështjen e shlyerjes së mëkateve pas shkatërrimit të tempullit nga romakët në vitin 70 e.r. E vërteta është se rabinizmi judaik nuk ka sjellë asnjë risi, vetë Bibla e ka marrë parasysh mundësinë e ndalimit të kurbaneve. Kur mbreti Salomon e përfundoi tempullin e shenjtë në Jeruzalem, ai e inauguroi atë me një fjalim shumë prekës (I Mbretërve 8; II Kronikave 6). Në këtë fjalim të gjatë prej pothuajse pesëdhjetë versetesh do të vëreni e Solomoni në asnjë rast nuk përmend sakrificat! Ky përjashtim duket i çuditshëm nëse mendojmë se pjesa qendrore e funksionit të tempullit ishin sakrificat e kafshëve. Në të vërtetë, pjesa qendrore e tempullit ishte arka e shenjtë (Exodus 25) në të cilën ndodhej torahu. Tempulli pikë së pari dhe mbi të gjitha ishte simboli i pranisë së Zotit dhe zbulesa për popullin hebraik (I Mbretërve 8:13, Eksodi 25:8).

Afër përmbylljes së fjalimit të tij, Solomoni tregon për mundësinë që popullit hebraik, në rast ekzili nga toka e Izraelit, ti mohohet e drejta e hyrjes apo afrimit në tempull.

“Kur të mëkatojnë kundër teje (sepse nuk ka njeri që nuk mëkaton) dhe ti, i zemëruar me ta, do t`i braktisësh në dorë të armikut dhe ai do t`i shpërngulë në vendin e tij, afër apo larg, në rast se në vendin ku janë shpërngulur vijnë në vete, në rast se kthehen te ti dhe të luten nga vendi ku i kanë prurë si robër dhe thonë: “Kemi mëkatuar, kemi vepruar në mënyrë të padrejtë, kemi bërë të keqen”, në rast se kthehen nga ana jote me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt në vendin e armiqve që i kanë shpërngulur dhe të luten duke u kthyer nga vendi që ti u ke dhënë etërve të tyre, nga qyteti që ti ke zgjedhur dhe nga tempulli që unë kam ndërtuar në emrin tënd, ti dëgjo nga qielli, nga vendbanimi yt, lutjen dhe kërkesën e tyre dhe përkrahe çështjen e tyre, dhe fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje për të gjitha shkeljet që ka bërë kundër teje dhe bëj që të gjejnë mëshirë pranë atyre që i kanë shpërngulur, me qëllim që këta të fundit të tregohen të mëshirshëm me ta… (I Mbretërve 8:46-50).

Ky pasazh thelbësorë vë në dukje keqkuptimin që të krishterët shfaqin ndaj Levitikut 17:11. Bibla mëson në mënyrë të qartë se sakrificat e kafshëve nuk janë të domosdoshme për të arrirë shlyerjen e mëkateve. Lutja dhe pendimi citohen si mjete efektive për siguruar shlyerjen e mëkateve. Padyshim, nëse tempulli ekziston dhe dikush ka mundësinë të sigurojë një kurban, atëherë është normale dhe e mirë që ai të ofrojë sakrificë në tempull për mëkatet e paqëllimshme. Levitiku 17:11 na mëson se kur ne sjellim një kafshë për blatim, nuk na lejohet të konsumojmë gjakun e tij, për arsye se ky i fundit është pjesa e kafshës e cila ndikon në shlyerjen e mëkateve tona.

Në doktrinën e krishterë pohohet se kryqëzimi i Jezusit shërbeu si sakrifica shpenguese përfundimtare për mëkatet e botës. Të krishterët këmbëngulin se kjo doktrinë nuk është thjesht një risi e sjellë nga Pali, ata pohojnë se një ide e tillë reflekton kërkesat e Biblës hebraike dhe mundohen ta vërtetojnë këtë përmes Levitikut 17:11 duke e parë atë si mënyra kyç se si në Torah kryhet shpengimi nga mëkatet. Sidoqoftë, nëse e shqyrtojmë më nga afër këtë pasazh, atëherë do të na bëhet e qartë se Jezusi nuk mund asnjëherë të ketë shërbyer si sakrifica shpenguese. Natyrisht, derdhja e gjakut duke shpuar gishtin tim apo duke bërë kurban macen time nuk do ti përmbushë kërkesat biblike për sakrificën shpenguese. Torahu përcakton qartë mënyrën se si sakrificat duhen kryer.

“”Sepse jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj…”

Natyrisht, jo çdo derdhje gjaku konsiderohet si sakrificë nga torahu. Kryqëzimi i Jezusit mund të cilësohet si një sakrificë shpenguese sipas standardeve të Dhjatës së Re, por meqenëse gjaku i tij nuk u ofrua në një altar, atëherë derdhja e gjakut të tij nuk është në përputhje me kërkesat e torahut.

Gjenden edhe faktorë të tjerë të cilët e bëjnë kryqëzimin e Jezusit një sakrificë të papranueshme. Sipas rregullave biblike të vendosura në librin e Levitikut, të gjitha kurbanet duhen sakrifikuar nga një prift i cili rrjedh nga familja e Aronit. Kjo nuk ka ngjarë në rastin e Jezusit, i cili u kryqëzua nga ushtarët romak. Për më tepër, ligji biblik ndalon çdo kurban i cili është me të meta ose i gjymtuar (Levitiku 22:19-21). Ndërsa Jezusi u fshikullua dhe u rrah para kryqëzimit të tij (Mateu 27:26, Marku 15:19, Gjoni 19:3), gjë e cila e bën sakrificën e tij të papërshtatshme për kërkesat e torahut. Mbi të gjitha, Jezusi ishte i rrethprerë në mish, gjë e cila sipas Filipianëve 3:2 dhe Galatasve 5:12 konsiderohet gjymtim.

Zakonisht, të krishterët reagojnë ndaj kësaj linje mendimi duke pohuar se është e pavend të jesh ka literal, dhe se vdekja e Jezusit është më shumë një sakrificë shpirtërore dhe simbolike. Ky arsyetim do të ishte i pranueshëm nëse do të gjenim gjurmë të tij edhe në tekstin biblik, por Dhjata e Re këmbëngul se Jezusi ishte një sakrificë e vërtetë, e cila në mënyrë literale kishte përmbushur kërkesat biblike të tilla si:

“Por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë…Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: “Nuk do t`i thyhet asnjë eshtër“. (Gjoni 19:33-36)

Ungjilli i Gjonit e paraqet Jezusin si qengji i pashkëve i cili nuk duhej të kishte asnjë kockë të thyer (Eksodi 12:46, Numrat 9:12). Meqenëse autori i ungjillit sipas Gjonit këmbëngul se Jezusi ishte një sakrificë e vërtetë aq sa rregullat biblike të Pashkës u përmbushën në të, atëherë ne nuk mund ti anashkalojmë problemet e lartpërmendura thjesht duke pohuar se këto janë ekzagjerime literaliste.

Ajo që bën habi është fakti se përse Dhjata e Re ka zgjedhur ta përshkruaj Jezusin si qengji i Pashkës dhe jo sakrifica e ditës së shpengimit. Nga kapitulli dymbëdhjetë i Eksodit mësojmë se sakrifica e Pashkës nuk shërbente si shlyerje për mëkatet, ajo thjesht ishte një përkujtim për eksodin nga toka e Egjiptit. Madje edhe qengji fillimisht është therur në Egjipt dhe me gjakun e tij u lyen pragjet e dyerve të hebrenjve, sakrifica e qengjit nuk shërbeu për shpengimin nga mëkatet të askujt. Ai ishte një shenjë për engjëllin e vdekjes që të mos ndalonte tek shtëpitë e hebrenjve gjatë plagës së fëmijëve të parëlindur. Të vetmit njerëz në rrezik ishin fëmijët e parëlindur, gjaku nuk ishte ndihmë për njerëzit e tjerë të familjes, dhe nuk shërbente si shpengim nga mëkatet për të parëlindurit. Një prototip më i përshtatshëm për Jezusit do të kishte qenë sakrifica Yom Kippur, e cila shërben si një shlyerje mëkatesh për të gjithë njerëzit. Është interesante të vërejmë se sipas Levitikut 16:10, 21-22, kafsha e cila shërben si mjet për shpengimin nga mëkatet e të gjithë popullit nuk vritej, por lihej e lirë të bridhte në shkretëtirë. Na duhet të përsërisim se derdhja e gjakut nuk është një sine qua për shpengimin.

Dhjata e Re është përpjekur shumë të dëshmojë se vdekja shpenguese e Jezusit ishte parashikuar më parë në Biblën hebraike. Në librin e Hebrenjve citohet një verset nga libri i Psalmeve për të treguar se sakrifica e Jezusit ishte pjesë e planit fillestarë të Zotit për botën.

” Prandaj, duke hyrë në botë, ai thotë: “Ti nuk deshe as flijim as mblatë, po bëre gati për mua një trup” (Hebrenjve 10:5 i referohet Psalmeve 40:6).

Në versetin numër dhjetë të pasazhit në shqyrtim na thuhet trupi në fjalë ishte ai i Jezusit. Gjithsesi, Dhjata e Re ka përdorur një metodë jo strikte gjatë citimit të librit të Psalmeve, në të cilin nuk bëhet fjalë asnjëherë për ndonjë trup që përgatitej për ndokënd.

” Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin. ” (Psalmet 40:6).

Autori i letrës drejtuar Romakëve pohon se shkrimet hebraike kanë folur për Mesian i cili do të vinte për të çrrënjosur mëkatin nga Izraeli.

” Dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: “Nga Sioni do të vijë Çlirimtari, dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi..” (Romakëve 11:26 citon Isaian 59:20)

Nëse e shqyrtojmë burimin origjinal tek libri i Isaias do të shohim mangësitë e pohimit të bërë tek libri i Romakëve.

” “Një çlirues do të vijë në Sion dhe për ata të kthyerit nga rebelimi i tyre te Jakobi”, thotë Zoti.” (Isaiah 59:20)

Siç shihet qartë, Isaiah pohon se qëllimi i Mesisë është të heqë mëkatin, por se ai do të vijë tek populli hebraik kur ata ta kenë treguar, përmes largimit nga mëkati, veten meritorë për këtë.

Cili është mësimi biblik për sakrificën zëvëndësuese?

Ajo që të bën habi është fakti se përse Jezusi, përgjatë gjithë ungjijve, nuk ka pohuar asnjëherë se vdekja e tij do të shërbente si një sakrificë shpenguese për mëkatet. A është ideja e vdekjes së një personi të pafajshëm në vend të fajtorëve në harmoni me mësimin biblik? Pas mëkatit të viçit të artë, Perëndia shprehu qëllimin e tij për të shkatërruar popullin hebraik. Moisiu ndërhyri, dhe u ofrua të vdiste në emër të tyre. Si kundërpërgjigje, Perëndia i tha: ” Por Zoti iu përgjigj Moisiut: “Atë që ka bërë mëkat kundër meje, atë do ta fshij nga libri im! (Exodus 32:32-33). Përgjatë gjithë tekstit biblik, Perëndia është shprehur se asnjë individ nuk duhet të vdesë për mëkatet e dikujt tjetër.

” Etërit nuk do të dënohen me vdekje për bijtë e tyre, as bijtë nuk do të vriten për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet”. ” (Deuteronomi 24:16, II Mbretërve 14:6).

” Por secili do të vdesë për paudhësinë e tij; kushdo që ha rrush të papjekur do t`i mpihen majat e dhëmbëve. ” (Jeremia 31:30).

” Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të. ” (Ezekiel 18:20).

“Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t`i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij” (Psalmet 49:7).

“Nuk do të ndotni vendin ku jetoni, sepse gjaku ndot vendin; nuk mund të bëhet asnjë shlyerje për vendin, për gjakun që është derdhur në të veçse me anë të gjakut të atij që e ka derdhur. ” (Numrave 35:33).

Ndonëse tek letra drejtuar romakëve 4:5 thuhet se Jezusi ka shfajësuar të paudhin, Torahu mëson se “Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin”. (Proverbat 17:15).

Nëse Jezusi me të vërtetë ka ardhur si sakrifica përfundimtare për shlyerjen e mëkateve nga bota, përse atëherë Torahu mëson se tempulli do të rindërtohet dhe kryerja e sakrificave do të rifillojë?

“Do t`i çoj në malin tim të shenjtë dhe do t`i mbush me gëzim në shtëpinë time të lutjes; holokaustet e tyre dhe flijimet e tyre do të pëlqehen mbi altarin tim, sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt”..” (Isaiah 56:7). ” Që përtej lumenjve të Etiopisë, adhuruesit e mi, bija e të humburve të mi, do të më sjellin ofertat e tyre.” (Sofonia 3:10)

“Të tëra kopetë e Kedarit do të mblidhen pranë teje, deshtë e Nebajothit do të jenë në shërbimin tënd, do të ngjiten mbi altarin tim si një ofertë e pëlqyer, dhe unë do ta bëj të lavdishëm tempullin e lavdisë sime. ” (Isaiah 60:7)

“Do të lidh me ta një besëlidhje paqeje; do të jetë një besëlidhje e përjetshme me ta; do t`i bëj të qëndrueshëm, do t`i shumoj dhe do të vë shenjtëroren time në mes tyre përjetë. ” (Ezekieli 37:26)

” Ai do të ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin; do t`i pastrojë bijtë e Levit dhe do t`i rafinojë si arin e argjendin, me qëllim që ata të mund t`i ofrojnë Zotit një blatim me drejtësi. Atëherë oferta e Judës dhe e Jeruzalemit do të pëlqehet nga Zoti, si në kohët e shkuara, si në vitet e mëparshme. ” (Malakia 3:3-4)

” Po, çdo tenxhere në Jeruzalem dhe në Judë do t`i shenjtërohet Zotit të ushtrive; të gjithë ata që do të ofrojnë flijime do të vijnë t`i marrin për të gatuar mishrat.” (Zakaria 14:21) ” Përkundrazi do të jetë detyrë e princit të sigurojë olokaustet, blatimet e ushqimit dhe libacionet… për të bërë shlyerjen për shtëpinë e Izraelit”. (Ezekiel 45:17)

Pohimi i krishterë se mëkatet tona mund të shlyhen vetëm nëse në vendin tonë derdhet gjak duket se e kufizon fuqinë e Zotit. Është absurde të thuash se aftësia e Zotit për të falur është e varur nga diçka. Një nga mësimet më kryesore në Biblën tonë është duke qenë se Perëndia është mëshirëplotë, ai shpesh na mëshiron vetëm në sajë të faktit se ai është mëshirëplotë.

” Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm. ” (Mikeah 7:18; krahaso edhe Psalmet 103:7-18). Madje edhe atëherë kur ne duam Zotin ashtu siç i takon, përsëri ai ka aftësinë të na vij me dashuri dhe të na falë:”Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij. Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre… duke mbajtur mend që ata ishin mish” (Psalmet 78:37-39)

” Nuk më ke sjellë qengjin e holokausteve të tua … dhe nuk më ke ngopur me dhjamin e flijimeve të tua. Përkundrazi më ke rënduar me mëkatet e tua… Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetvetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t`i mbaj mend mëkatet e tua. (Isaiah 43:23-25)

Këndvështrimi biblik për shlyerjen e mëkateve

Një prej treguesve më të qartë se krishterimi është krejtësisht i pasaktë në këmbënguljen e tij në rëndësinë e derdhjes së gjakut për shlyerjen e mëkateve është edhe fakti se asnjë prej profetëve nuk ka folur për këtë çështje. Në librat profetik nuk gjendet asnjë rast i vetëm ku popullit hebraik ti jetë thënë se që të jenë të drejtë në sytë e Perëndisë ata duhet të mbulohen nga gjaku. Nëse kjo që sapo përmendëm është e vërtetë kush është atëherë mësimi i torahut në lidhje me shlyerjen e mëkateve? Cila temë përsëritet pareshtur, në Biblën hebraike, nga profetët e shenjtë?

“Dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, dhe kështu unë do të fal paudhësinë e tyre dhe mëkatin e tyre”. (Jeremia 36:3).

” I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht. ” (Isaiah 55:7).

” Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: “Do t`ia rrëfej shkeljet e mia Zotit”, dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim..” (Psalmet 32:5).

“Në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t`i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij. ” (II Kronikave 7:14). ” Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur. Asnjë nga shkelje që ka kryer nuk do t`i kujtohet atij; ai do të jetojë për shkak të drejtësisë që zbaton. Përkundrazi, në se i pabesi largohet nga pabesia që ndiqte dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai do ta shpëtojë shpirtin e tij. Prandaj do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve të tij, o shtëpi e Izraelit”, thotë Zoti, Zoti. “Pendohuni dhe braktisni tërë shkeljet tuaja, kështu paudhësia nuk do të jetë më për ju shkak shkatërrimi.(Ezekiel 18:21- 22,27,30).

” Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet … ” (Proverbat 16:6).

” Në rast se kthehesh tek i Plotfuqishmi, do të rimëkëmbesh; në qoftë se largon paudhësinë nga çadrat e tua… atëherë do të gjesh kënaqësinë tënde tek i Plotfuqishmi…” (Jobi 22:23-27).

” Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme. ” (Psalmet 37:27, krahaso Ezekieli 33, Zakaria 1:3, Jeremia 26:13).

Mësimi kryesor i Biblës, në lidhje me çështjen e shlyerjes së mëkateve, është se vetëm këputja me të kaluarën dhe një kthim i sinqertë ne pendesë mund të restauroj lidhjen tonë me Zotin. Vetëm nëse unë shkëputem nga mëkatet e mia të mëparshme dhe e rivendos vetën sërish në rrugën e drejtë mund të fitojë mëshirën dhe faljen hyjnore. Madje edhe kurbani nuk është në vetvete shkaku i shlyerjes së mëkateve. Kurbani i kafshëve është pjesë i një procesi, ai na ndihmon ta dërgojmë veten në zemrën e shlyerjes së mëkateve e cila bëhet e mundur nga TESHUVAH, të kthehesh tek Zoti duke hequr dorë nga të ligat e mëparshme dhe duke u lutur për falje. Një prej mësimeve kryesore të profetëve ishte qortimi i popullit hebraik i cili mendonte se sakrificat ishin elementi thelbësorë i shlyerjes së mëkateve:

“”Ç`më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga olokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej… Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq. Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve. Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi. Në rast se jeni të gatshëm të bindeni… (Isaiah 1:11-18).

“Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.” (Proverbat 15:8).

“Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi.” (Proverbat 21:3). “Sepse unë dëshiroj mëshirë dhe jo flijimet, dhe njohjen e Perëndisë më shumë se olokaustet.” (Hosea 6:6).

“Samueli i tha: “Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve. ” (I Samuel 15:22).

“Me se do të vij përpara Zotit dhe do të përkulem përpara Perëndisë së lartë? Do të vij para tij me olokauste, me viça motakë? Do të pëlqej Zoti mijëra desh ose mori rrëkesh vaji? Do të jap të parëlindurin tim për shkeljen time, frytin e barkut tim për mëkatin e shpirtit tim? O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd? (Mikea 6:6-8,cf. Amosi 5:22- 24, Jeremia 7, Psalmet 69:31-32).

Meqenëse pendimi, dhe jo gjaku, është forma biblike e shlyerjes së mëkateve, arrijmë të kuptojmë se si, tek 1 Mbretërve 8, Solomoni shpjegoi se edhe nëse populli hebraik mund të mos kishte akses në tempull, përsëri ai do të kishte akses tek Perëndia. Kjo do të na ndriçojë rreth kuptimit të një historie të mirënjohur të treguar në librin e Jonas. Zoti e dërgoi Jonan në qytetin e Ninives për ti paralajmëruar ato për shkatërrimin e afërt që i priste. Jona nuk shkoi në qytet që ti thoshte njerëzve që po të mos kishin bërë ofruar sakrifica ato do të ishin dënuar. Përgjigja e tyre ndaj paralajmërimit të Jonës ishte pendimi: ato agjëruan, u lutën, dhe u larguan nga e keqja. Cila ishte përgjigja e Perëndisë ndaj këtyre veprimeve?

“Kur Perëndia pa atë që bënin, domethënë që po ktheheshin nga rruga e tyre e keqe, Perëndia u pendua për të keqen që kishte thënë se do t`u bënte dhe nuk e bëri.” (Jonah 3:10).

Në të njëjtën mënyrë, Danieli e këshilloi mbretin Nebukadnestar rreth mënyrës se si mund të shëlbehej nga mëkatet e tij

“Prandaj, o mbret, prano këshillën time: jepu fund mëkateve të tua duke praktikuar drejtësinë dhe paudhësive të tua duke treguar mëshirë ndaj të varfëve; ndofta begatia jote do të zgjasë” (Daniel 4:27).

Ky parim do të na shqarojë, gjithashtu, edhe pasazhin që gjendet në librin e Oseas. Osea ishte profeti i dhjetë fiseve të Izraelit gjatë kohës kur po zhvillohej një luftë civile midis atyre dhe dy fiseve të tjera të mbretërisë së Judës që ndodhej në jug të Izraelit. Për shkak të mosmarrëveshjeve, fiset e veriut nuk shkonin dot në tempullin e Jeruzalemit për të ofruar sakrifica. A bëri ky fakt që ato të mbeteshin pa mundësinë për të shlyer mëkatet? Profeti këshillon:

“O Izrael, kthehu tek Zoti, Perëndia yt, sepse ke rënë poshtë për shkak të paudhësisë sate. Merrni me vete disa fjalë dhe kthehuni tek Zoti. I thoni: “Largo çfarëdo paudhësi dhe prano atë që është e mirë, dhe ne do të ofrojmë flijimet e buzëve tona.” (Osea 14:1-2).

Ne jemi të aftë ti qasemi Perëndisë në mënyrë të drejtpërdrejt, gjë e cila është e mundur në të gjitha kohërat; dhe Zoti na siguron se lutja e sinqertë mund të realizoj faljen e mëkateve tona. “Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde. O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd. Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti. Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar. ” (Psalmet 51:14-17, shih edhe II Samuel 12:13).

“Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde. Dhe kjo do t`i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj. (Psalmet 69:30-31).

“”Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë. Vëri veshin, o Zot, lutjes time, dhe trego kujdes për britmën e përgjërimeve të mia.” (Psalmet 86:5-6).

“Dëgjo lutjet e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të luten të kthyer nga ky vend. Dëgjo nga vendi i banesës sate, nga qiejtë; dëgjo dhe fali.” (II Kronikave 6:21).

A janë të krishterët në harmoni me Biblën hebraike kur pohojnë se shlyerja e mëkateve është e mundur vetëm përmes gjakut të sakrificës? A mos vallë rabinët thjesht e kanë shpikur idenë se ne mund ta restaurojmë marrëdhëniet tonë me Zotin përmes lutjes dhe pendesës? TY TË TAKON ZGJEDHJA

Përktheu: Rezart Beka

Last modified: 03/01/2021
Close