Jan-Willem Van Prooijen

Fragment i shkëputur nga Jan-Willem van Prooijen, “Belief in Conspiracy Theories Gullibility or Rational Skepticism?”, In The Social Psychology of Gullibility: Fake News, Conspiracy Theories and Irrational Beliefs, edited by Joseph P. Forgas dhe Roy F. Bauimeister (Abingdom, Taylor & Francis, 2019), 319-332.

Teoritë e konspiracionit janë të përhapura në shoqërinë tonë. Çuditërisht një numër i madh qytetarësh besojnë pretendimet se zbritja në Hënë është filmuar në një studio televizive, se njerëzit krijuan virusin HIV në laborator, dhe se sulmet terroriste të 11 shtatorit ishin një punë e brendshme e qeverisë amerikane (p.sh., Douglas, Sutton, & Cichocka, Kapitulli 4 i këtij vëllimi; Sunstein &Vermeule, 2009; van Prooijen, 2018). Teoritë e konspiracionit zakonisht përcaktohen si supozime në lidhje me një grup aktorësh që mblidhen së bashku në marrëveshje të fshehtë për të arritur qëllime që shihen gjerësisht si të këqija (Bale, 2007). Ndonëse teoritë e komplotit nganjëherë rezultojnë të vërteta (p.sh., skandali Iran-Kontra), mjaft shpesh teoritë e konspiracionit janë të pavërteta në dritën e logjikës ose provave shkencore, dhe për këtë arsye devijojnë nga narrativat kryesore mainstream. Kësisoj, njerëzit që besojnë fuqimisht teoritë e komplotit janë shumë skeptik ndaj burimeve të rregullta të lajmeve dhe leximeve zyrtare të ngjarjeve dhe shpesh deklarojnë se janë qenie njerëzore racionale që “thjesht bëjnë pyetje”. Një analizë cilësore e intervistave me qytetarë aktivë në mjedisin holandez të komplotit zbuloi se ata që besojnë në konspiracion kundërshtojnë në mënyrë aktive kualifikimin “teoricienë të komplotit”, dhe preferojnë ta shohin veten si “liridashës kritikë” që dallojnë pozitivisht veten nga “delet” [1] të cilat janë lehtësisht të manipulueshme nga mbajtësit e pushtetit (Harambam & Aupers, 2017). Ky vetë-perceptim i konspiracionistëve si mendimtarë kritikë dhe racionalë theksohet në citimin e mëposhtëm, i cili është marrë nga një faqe interneti konspirative (www.sheep killers.com) e përqendruar në mënyrë të qartë në mbrojtjen dhe hapjen e syve të “deleve” që supozohet se janë të mashtruar nga udhëheqësit e fuqishëm dhe të pamoralshëm që sundojnë kombet tona: “Nëse mendoni se 11 shtatori ishte rezultat i terroristëve shpellarë që sulmuan vendin tonë, duke shembur aeroplanët me prestarët e kutive dhe duke shembur ndërtesa të tëra deri në themel, atëherë ju me të vërtetë jeni dele.”

Sa e arsyeshme është tendenca për të besuar teoritë e komplotit? Duke parë përmbajtjen specifike të një varg teorish konspirative, duhet pranuar se sa të mirëndërtuara, komplekse dhe krijuese janë shumë prej teorive konspirative. Për shembull, teoritë e konspiracionit për sulmet terroriste të 11 shtatorit shpesh supozojnë se jo ndikimi i aeroplanëve por shkatërrimi i kontrolluar bëri që Kullat Binjake të shemben. Këto teori bazohen në argumente të bazuara shkencërisht në lidhje me ndërtimin e çelikut të Kullave Binjake, temperaturat në të cilat shkrihet çeliku (rreth 1510 gradë celcius) dhe temperaturat maksimale të arritura nga vajguri i djegur (rreth 815 gradë celcius) [2] Edhe teori konspirative jashtëzakonisht të pagjasa janë skicuar mjaft mirë. Për shembull, Lëvizja për Tokën e Sheshtë promovon teorinë se planeti ynë Tokë është në të vërtetë i sheshtë, dhe se publiku është mashtruar për mbi 400 vjet nga shkencëtarët dhe qeveritë botërore për të besuar se Toka është e rrumbullakët (ose, për të qenë më të saktë, disi ovale). Argumentet e tyre përfshijnë tregime të hollësishme se si NASA manipulon ose fabrikon, në mënyrë rutinore, fotografi satelitore, dëshmitë e pilotëve të aeroplanëve që konfirmojnë të mos shohin lakimin e Tokës në lartësi të madhe, dhe përshkrimet teknike se si projektohen dritaret e aeroplanit për të siguruar një iluzion perceptues të një Tokë të lakuar.

Ndërsa kjo ese nuk do të shqyrtojë seriozisht përmbajtjen e këtyre teorive të komplotit (jam i qetë në pohimin se ndikimi i aeroplanëve dhe zjarreve që shpërthyen më pas shkaktuan shembjen e Kullave Binjake në 11 shtator, dhe se Toka është e rrumbullakët, megjithëse jo në mënyrë të përsosur), ajo do të konsiderojë seriozisht dy hipoteza të kundërta në lidhje me psikologjinë shoqërore të teorive të komplotit. Hipoteza e parë është se, siç u sugjerua më lart, besimi në teoritë e komplotit është i bazuar në një mentalitet të karakterizuar nga një skepticizëm racional. Sipas kësaj pikëpamjeje, njerëzit që besojnë teoritë e komplotit janë me të vërtetë “liridashës kritikë”, të cilët nuk nuk u besojnë kollaj leximeve zyrtare të ngjarjeve të dhëna, por përkundrazi mbledhin me kujdes dhe hetojnë në mënyrë të pavarur provat për të formuar gjykimet e tyre objektive. Përfundimet e tyre ndonjëherë mund të jenë të gabuara (ashtu si shkencëtarët ndonjëherë bëjnë gabime të ndershme kur interpretojnë të dhënat e hulumtimit), por procesi epistemologjik përmes të cilit besimtarët ndërtojnë ose pranojnë teori konspirative është diskutimor, analitik dhe përdor qasjen e një “shkencëtari laik”. Unë i referohem kësaj ideje si ‘hipoteza e komplotistit “dyshues” racional’.

Sidoqoftë, hipoteza e dytë dhe alternative është se besimi në teoritë e komplotit është i bazuar në një mentalitet të karakterizuar nga të qenit lehtësisht i manipulueshëm. Sipas kësaj pikëpamje, njerëzit ndërtojnë ose pranojnë teori konspirative përmes proceseve të Sistemit 1 përfshirë heuristikën, emocionet dhe të menduarit intuitiv (shiko gjithashtu Myers, Kapitulli 8 i këtij vëllimi; Unkelbach & Koch, Kapitulli 3 i këtij vëllimi). Një mosbesim me rrënjë të thella në mbajtësit e pushtetit ose grupet e tjera i bën ata që besojnë në konspiracion, pra besimtarët në konspiracion, që të refuzojnë refleksivisht variantet zyrtare të ngjarjeve me ndikim dhe të pranojnë pa kriter teori të pambështetura konspiracioniste. Përmes arsyetimit të motivuar dhe prirjes drejt konfirmimit, besimtarët në konspiracion më pas justifikojnë ndjenjat e tyre dyshuese duke përqafuar në mënyrë selektive provat që mbështesin teorinë e tyre dhe duke hedhur poshtë prova në kundërshtim me të. Në këtë mënyrë ata përftojnë iluzionin e një argumenti të përpunuar dhe të pakundërshtueshëm. Unë i referohem kësaj ideje si ‘hipoteza e komplotistit “besimtar” naiv’. Në vazhdim, unë shqyrtoj literaturën psikologjike mbi teoritë e komplotit për të provuar këto dy hipoteza konkurruese. Unë do të ekzaminoj në mënyrë specifike marrëdhëniet empirike të besimit në teoritë e komplotit me (1) një varg besimesh të paqarta që nuk përfshijnë komplotet, (2) paragjykimet kognitive, (3) stereotipizimin; dhe (4) stilin kognitiv.

Besimi në teoritë konspirative

Megjithëse teoritë e konspiracionit ndryshojnë shumë në përmbajtje, tendenca për të besuar në to është e bazuar në procese të ngjashme psikologjike. Kjo gjë është në përputhje me konstatimin se parashikuesi i vetëm më i mirë i besimit në një teori të komplotit është besimi në një teori të ndryshme të komplotit (Abalakina-Paap, Stephan, Craig, & Gregory, 1999; Goertzel, 1994; Seami et al., 2011; Wood, Douglas, & Sutton, 2012). Këto gjetje interpretohen shpesh si prova që njerëzit ndryshojnë në masën në të cilën ata kanë një mendësi konspirative e cila i bën ata që të jenë të predispozuar që ngjarjet e rëndësishme shoqërore t’ua atribuojnë veprimeve të qëllimshme të komploteve armiqësore (p.sh., van Prooijen & van Dijk, 2014). Në mënyrë të ngjashme, njerëzit ndryshojnë në mënyrë strukturore në “mentalitetin e tyre të komplotit”, domethënë, një ndryshore individuale e diferencës, e krijuar për të vlerësuar prirjen e njerëzve për të perceptuar një botë plot komplote (Imhoff & Bruder, 2014). Për më tepër, besimi në teoritë e komplotit është shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve kontekstualë. Për shembull, teoritë e komplotit fitojnë vrull veçanërisht pas ngjarjeve që shkaktojnë kriza shoqërore (van Prooijen & Douglas, 2017). Këto njohuri kanë kontribuuar në studimin e besimit në teoritë e komplotit, si një fushë kërkimore në rritje në shkencat shoqërore (për përmbledhje, shiko Douglas et al., Kapitulli 4 i këtij vëllimi; van Prooijen, 2018; van Prooijen & van Vugt, 2018).

Për të vlerësuar dy hipotezat konkurruese të paraqitura në këtë kapitull, këtu unë propozoj parashikime më specifike që mund të testohen përmes një përmbledhjeje të literaturës kërkimore empirike. Nëse hipoteza racionale konspirative është e vërtetë, është e arsyeshme që njerëzit që besojnë teoritë e komplotit janë racionale, ose të paktën jo iracionale, në shumë fusha të tjera perceptuese ose njohëse. Në veçanti, bazuar në ‘hipotezën e komplotistit “dyshues” racional’, do të pritej që besimi në teoritë e komplotit është i palidhur ose i lidhur negativisht me (a) besime të pavërteta që nuk përfshijnë komplot, siç janë besimet në botën paranormale, bestytnitë dhe pseudoshkencën; (b) paragjykime kognitive që dihet mirë se prodhojnë gjykime dhe vendimmarrje joracionale; dhe (c) stereotipizim, i cili përfshin thjeshtime mendore dhe përgjithësime të ekzagjeruara të kategorive shoqërore. Sa i përket stilit kognitiv (d), besimet e konspiracionit duhet të lidhen pozitivisht me një tendencë për të njohur kompleksitetin e problemeve të vështira. Për më tepër, të menduarit analitik dhe jo të menduarit intuitiv, duhet të stimulojnë besimin në teoritë e komplotit.

Nëse ‘hipoteza e komplotistit “besimtar” naiv’ është e vërtetë, duhet pritur se në masën që sa më fuqishëm njerëzit i besojnë teoritë e komplotit ata kanë më shumë të ngjarë të (a) besojnë gjithashtu besime të pagjasa që nuk përfshijnë komplotet, (b) të shfaqin paragjykime kognitive, dhe (c) të angazhohen në stereotipe. Në stilin e tyre kognitiv (d), besimet e komplotit duhet të parashikojnë një tendencë për të perceptuar problemet e vështira në një mënyrë sempliste; për më tepër, të menduarit analitik duhet të parashikojë skepticizëm të teorive të komplotit në vend të besimit në to. Më tutje, do të vlerësoj provat empirike për këto dy hipoteza konkurruese.

Teoritë e konspiracionit dhe besimet e pabaza

Si lidhet besimi në teoritë e komplotit me një sërë besimesh të pagjasa që janë të zakonshme, që nuk përmbajnë komplot dhe që nuk mbështeten nga ndonjë provë? Studime të ndryshme kanë ekzaminuar marrëdhëniet midis besimeve të komplotit dhe besimeve të mbinatyrshme, të tilla si bestytnitë dhe besimi në fenomene paranormale. Këto studime zakonisht gjejnë një korrelacion të besueshëm pozitiv: Sa më shumë që njerëzit besojnë teoritë e komplotit, aq më tepër ka të ngjarë që ata të besojnë një sërë besimesh të mbinatyrshme. Për shembull, Darvin, Neave dhe Holmes (2011) gjetën korrelacione pozitive të besimeve të komplotit me besimet në parapsikologji, magji, spiritualizëm, në forma të jashtëzakonshme të jetës dhe parakonjitives. Studime të tjera konfirmojnë këto marrëdhënie pozitive. Për shembull, Lobato, Mendoza, Sims dhe Chin (2014) gjetën korrelacione pozitive midis besimeve të konspiracionit dhe besimeve në fenomenet paranormale dhe pseudoshkencë. Marrëdhëniet pozitive midis bindjeve të konspiracionit dhe besimit në besime të ndryshme të mbinatyrshme janë përsëritur shpesh, dhe tani janë vërtetuar më së miri mirë në këtë fushë kërkimore (p.sh., Barron, Morgan, Towell, Altemeyer, & Swami, 2014; Newheiser, Farias, & Tausch, 2011 ; Swami et al., 2011; van Prooijen, Douglas, & De Inocencio, 2018).

Një ilustrim interesant se si besimet e konspiracionit janë të lidhura me besime të tjera të papranueshme mund të gjenden në një ese seminale që futi për herë të parë në përdorim termat “brocckulla pseudo të thella” dhe “receptiviteti/pranueshmëria e brockullave”, si terma me zbatim akademik (Pennycook, Cheyne, Barr, Koehler, & Fugelsang, 2015 ). Termi “brocckulla pseudo të thella” i referohet deklaratave që duket se kanë një kuptim më të thellë, por në të vërtetë janë bosh. Receptiviteti/pranueshmëria e brocckullave i referohet prirjes së njerëzve për t’i receptuar deklaratat e tilla si të thella, d.m.th., se përmbajnë disa të vërteta më të thella. Për të matur këtë konstruksion, Pennycook dhe kolegët (2015) hartuan një shkallë të përbërë nga deklarata që janë gramatikisht të sakta, por megjithatë përmbajnë fjalë të zgjedhura rastësisht (shembujt përfshijnë pohime si “Kuptimi i fshehur transformon bukurinë abstrakte të pashembullt” dhe “Shëndeti i mirë i jep realitet krijimtarisë delikate”). Rezultatet zbuluan se vlerësimet e pjesëmarrësve për deklarata të tilla si të thella parashikuan në mënyrë të konsiderueshme një sërë variablash tregues të lehtësisë në manipulim, duke përfshirë mendimin e zvogëluar analitik, zvogëlimin e inteligjencës verbale, rritjen e besimit paranormal dhe rritjen e besimit në intuitë (shih gjithashtu Forgas, Kapitulli 10 i këtij vëllimi). Me rëndësi për qëllimin e tanishëm, pranueshmëria e dënglave parashikoi gjithashtu një tendencë të shtuar për të besuar teoritë e konspiracionit (Pennycook et al., 2015, studimi 4).

Marrëdhëniet empirike midis besimeve të komplotit dhe besimeve të tilla të papranueshme nuk janë domosdoshmërisht të padëmshme: Teoritë e konspiracionit mund të çojnë në sjellje joracionale dhe të dëmshme. Për shembull, lidhja midis teorive të komplotit dhe besimit në pseudoshkencë ka pasoja të vërteta për shëndetin e njerëzve. Një studim zbulon se besimi në teoritë e komplotit parashikon një preferencë për mjekësinë alternative mbi qasjet mjekësore të rregullta dhe të bazuara në prova (Lamberty & Imhoff, 2018). Për më tepër, në Afrikën e Jugut teoritë e komplotit të SIDA-s janë të zakonshme, të cilat për shembull përcaktojnë që SIDA u krijua nga kompani farmaceutike në laborator për të shitur ilaçe antiretrovirale, dhe se për shëndetin e njerëzve janë të rrezikshme, jo virusi HIV, por këto ilaçe. Një studim i kryer në Cape Town zbuloi se besimi në teori të tilla të komplotit të SIDA-s është një tregues madhor i përdorimit të zvogëluar të metodave kontraceptive si tek burrat ashtu edhe tek gratë (Grebe & Nattrass, 2012). Si përmbledhje, besimi në teoritë e komplotit parashikon në mënyrë të besueshme dhe të vazhdueshme një varg besimesh të papranueshme dhe sjelljes iracionale, i cili ‘hipotezën e komplotistit “besimtar” naiv’ dhe kundërshton ‘hipotezën e komplotistit “mosbesues” racional’

Teoritë e konspiracionit dhe paragjykimet kognitive

Testi i dytë i hipotezave konkurruese të paraqitura këtu ka të bëjë me paragjykimet kognitive. Është e arsyeshme të supozohet se krahasuar me njerëzit me një mentalitet jo racional, jo kritik, njerëzit me një mentalitet me të vërtetë racional dhe kritik kanë më pak të ngjarë që të bien pre e paragjykimeve kognitive që përkeqësojnë vendimmarrjen (Myers, Kapitulli 8 i këtij vëllimi). Një paragjykim kognitiv me interes këtu ësht ajo që quhet “gabimi/falsiteti i lidhshmërisë”. Ky është një gabim në arsyetimin probabilistik i karakterizuar nga mbivlerësimi i gjasave që dy ngjarje të ndodhin bashkarisht e njëkohësisht (Tversky & Kahneman, 1983). Një shembull i mirënjohur “i gabimit/falsitetit të lidhshmërisë” është se pas një përshkrimi stereotipizues që iu bë një gruaje si feministe, shumë njerëz vlerësuan mundësinë që ajo të jetë njëkohësisht edhe feministe edhe bankiere si më të lartë se sa probabiliteti që ajo të ishte thjesht bankiere. Në fakt, probabiliteti statistikor i një kombinimi të dy përbërësve që ndodhin bashkarisht dhe njëkohësisht (feministe dhe bankiere) nuk mund të jetë kurrë më i lartë sesa probabiliteti i një prej përbërësve individualë që ndodhin (si p.sh. vetëm bankiere).

Një studim hulumtoi marrëdhëniet midis besimeve të komplotit, besimeve paranormale dhe ‘gabimin/falsitetin e lidhshmërisë’ në një varg fushash gjykimi (Brotherton & French, 2014). Në mënyrë të veçantë, disa nga deklaratat e lidhjes ishin neutrale; disa nga deklaratat e lidhjes ishin në kontekstin e fenomeneve paranormale (p.sh. për një person që ëndërron se shtëpia e motrës është në zjarr, dhe shtëpia e motrës është me të vërtetë duke mare flakë); dhe disa nga deklaratat e lidhjes përfshijnë komplote të mundshme (p.sh., për CEO të kompanive të benzinës duke diskutuar për implikimet e një pajisje të re që rrit efikasitetin e karburantit në makina, dhe shpikësi i pajisjes duke u gjetur i vdekur në shtëpinë e tij). Rezultatet zbuluan se besimi në teoritë e komplotit parashikoi një proporcion në rritje të ‘gabimeve të lidhjes’ në të gjitha fushat e gjykimit (d.m.th., neutrale, paranormale dhe konspirative). Në fakt, megjithëse besimet paranormale parashikonin gjithashtu rritje të gabimeve të lidhjes, efektet ishin më të forta për besimet e konspiracionit në të tre llojet e konteksteve të lidhjes.

Një tjetër paragjykim kognitiv që lidhet me atë të sipërpërmendurin, ndonëse është i veçantë, që është ekzaminuar në kontekstin e besimeve të konspiracionit është perceptimi iluzor i modeleve. Në mënyrë të veçantë, mendja e njeriut kërkon automatikisht dhe funksionalisht për modele, domethënë marrëdhënie kuptimore dhe shkakësore midis stimujve. Zbulimi i marrëdhënieve shkakësore aktuale midis stimujve është e rëndësishme për çdo organizëm që të përshtatet me mjedisin e tij, për shembull të dallojë miqtë nga armiqtë, ushqimet e ngrënshme nga helmet, të situatat e sigurta nga ato të rrezikshmet, etj. Pavarësisht këtyre cilësive funksionale të perceptimit të modelit, një pasojë e këtij mekanizmi njohës është se njerëzit shpesh zbulojnë modele jo ekzistuese duke perceptuar marrëdhënie shkakësore dhe kuptimore midis stimujve që në fakt nuk kanë lidhje. Përshembull, një perceptim i tillë iluzor i modeleve qëndron në themel të besimit njerëzor se rezultatet e lojrave të fatit mund të parashikohen. (Wilke, Scheibehenne, Gaissmaier, McCanney, & Barrett, 2014).

Me rëndësi për qëllimin tonë është fakti se perceptimi iluzor i modelit parashikon pozitivisht besimin në teoritë e komplotit. Në një seri studimesh, tendenca e pjesëmarrësve për të perceptuar modelet në vargje të gjeneruara në mënyrë të rastësishme të rezultateve të hedhjes së monedhave ishte e lidhur me besimin në rritje në teoritë e komplotit; gjetje të ngjashme u morën për të perceptuar modele në pikturat kaotike moderne të artit nga Jackson Pollock (van Prooijen et al., 2018). Për më tepër, një studim i kohëve të fundit ekzaminoi perceptimin e pjesëmarrësve për një gamë të korrelacioneve ekzistuese, por me shumë mundësi false, që ndodhin në jetën e përditshme (p.sh., një rritje e konsumit të çokollatës lidhet me një rritje të fituesve të çmimit Nobel në një vend). Studiuesit zbuluan se sa më shumë pjesëmarrësit besonin fuqishëm se këto korrelacione në fakt përfaqësonin një marrëdhënie të drejtpërdrejtë shkakësore, aq më fort ata besonin në teoritë e komplotit (van der Wal, Sutton, Lange, & Braga, 2018).

Perceptimi i modelit përgjithësisht konsiderohet të jetë një nga dy përbërësit kryesorë kognitiv të besimeve të komplotit (Shermer, 2011; van Prooijen & van Vugt, 2018). Komponenti i dytë kognitiv është zbulimi i agjencisë, apo vullnetit për veprim: Mendja e njeriut jep automatikisht një gjykim të qëllimshmërisë që qëndron pas veprimeve të të tjerëve. A shkaktohen rezultate të caktuara nga një agjent i qëllimshëm? Ashtu si perceptimi i modelit, gjithashtu zbulimi i agjencive është, në parim, një mekanizëm funksional kognitiv për të lundruar në mënyrë efektive botën sociale të një personi. Për shembull, zbulimi i agjencive zbut bashkëveprimin shoqëror përmes rritjes së kuptimit të ndërsjellë të veprimeve të të tjerëve, dhe ndihmon për të dhënë gjykime të vlefshme të përgjegjësisë kur një aktor shkaktoi dëm (van Prooijen, 2018). Por njerëzit gjithashtu bëjnë gabime në zbulimin e agjencive duke perceptuar agjencinë aty ku asnjë nuk ekziston. Një studim vlerësoi se në çfarë mase pjesëmarrësit zbuluan agjenci (vullnet për veprim) në figurat gjeometrike të pajeta nga pamjet klasike Heider dhe Simmel (1944), dhe gjeti se një zbulim i tillë i agjensisë hiperaktive parashikonte rritje të besimeve të konspiracionit (Douglas, Sutton, Callan, Dawtry, & Harvey, 2016). Po kështu, konstrukti i lidhur i antropomorfizmit – domethënë tendenca për të atribuar cilësitë njerëzore ndaj stimujve jo-njerëzorë – është i lidhur pozitivisht me besimin në teoritë e konspiracionit (Brotherton & French, 2015; Imhoff & Bruder, 2014). Si përmbledhje, besimi në teoritë e komplotit shoqërohet në mënyrë të besueshme me një varg paragjykimesh kognitive, konkretisht gabimin e lidhjes, perceptimin e modelit iluzor dhe gabimet në zbulimin e agjencive.

Teoritë e Komplotit dhe Stereotipizimi

 

Sipas përkufizimit, stereotipi është një ilustrim i tejthjeshtëzuar i grupeve të njerëzve, dhe prandaj duket e arsyeshme të supozojmë se një mentalitet skeptik dhe racional shoqërohet me nivel të ulur stereotipizimi, dhe se lehtësia e manipulimit shoqërohet me rritje të stereotipizimeve. Si lidhet stereotipizimi me besimet e konspiracionit? Një linjë provash vjen nga hulumtimi mbi dallimet individuale që zakonisht njihet se reflektojnë rritje të stereotipeve, veçanërisht autoritarizmin dhe orientimin shoqëror të mbizotërimit. Hulumtimet gjetën mbështetje të kushtëzuar për idenë se këto variabla individuale të ndryshimit parashikojnë pozitivisht besimet e konspiracionit. Në mënyrë të veçantë, studime të ndryshme gjetën një marrëdhënie pozitive të këtyre variableve të ndryshimeve individuale me besimin në teori specifike të komplotit (p.sh., besimi se Presidenti Kennedy u vra nga një komplot), por nuk u gjet asnjë marrëdhënie me një tendencë të përgjithësuar për të perceptuar një botë plot komplote (p.sh. Abalakina-Paap et al., 1999; Swami, 2012). Si fillim, provat për autoritarizmin dhe orientimin social të mbizotërimit si parashikues të besimeve të komplotit duken jo konsistente. Si mund të pajtohet kjo mospërputhje e dukshme midis besimeve specifike konspiracioniste kundrejt atyre të përgjithshme ?

Një pjesë e rëndësishme e kësaj enigme është ofruar në një studim të Imhoff dhe Bruder (2014) i cili hetoi mentalitetin e komplotit (d.m.th., një tendencë gjenerike për të perceptuar komplotet në botë) në lidhje me autoritarizmin, orientimin e mbizotërimit shoqëror dhe stereotipizimin e një sërë grupeve specifike shoqërore. Këta studiues përsëritën konstatimin se mentaliteti i komplotit nuk ka lidhje me këto dy variabla individuale të ndryshimit, por gjithashtu, ofruan një shpjegim për këtë : Autoritarizmi dhe orientimi i mbizotërimit shoqëror kryesisht parashikojnë stereotipizimin e grupeve shoqërore me fuqi të ulët ose të statusit të ulët, siç janë myslimanët, azil-kërkuesit dhe ciganët. Në të kundërt, mentaliteti i konspiracionit parashikon kryesisht stereotipizimin e grupeve me fuqi të lartë, duke përfshirë politikanë, menaxherë, kompani të mëdha etj. Një seri studimesh mbështetën këto ide, duke testuar se si stereotipet e një game të fuqisë së lartë kundrejt grupeve të pushtetit të ulët janë të lidhura me mentalitetin e konspiracionit, autoritarizmin dhe orientimin e mbizotërimit shoqëror. Për më tepër, mentaliteti i konspiracionit parashikoi pozitivisht ndjenjat anti-amerikane dhe antikapitaliste në një grup të pjesëmarrësve gjermanë. Kështu që duket se përveç besimeve specifike të komplotit gjithashtu një mentalitet më i përgjithshëm konspirativ parashikon pozitivisht stereotipizimin, por të grupeve me fuqi të lartë në vend të grupeve me fuqi të ulët.

Një kategori e jashtëzakonshme në studimin e Imhoff dhe Bruder (2014) ishte stereotipizimi i popullit hebre (d.m.th., antisemitizmit), pasi ky variabël ishte i lidhur pozitivisht me të gjitha konstruksionet e interesit, domethënë, mentalitetin e konspiracionit, autoritarizmin dhe orientimin e mbizotërimit shoqëror (shiko gjithashtu Swami, 2012). Në të vërtetë, teoritë e komplotit hebraik janë të përhapura në botë (p.sh., pretendimet se ekziston një komplot hebre për të arritur dominimin në botë) dhe janë të zakonshme në mesin e grupeve ekstremiste të llojeve të ndryshme ideologjike (Bartlett & Miller, 2010). Një besim i tillë në teoritë e komplotit hebraik është një parashikim kryesor i antisemitizmit (Golec de Zavala & Cichocka, 2012; Kofta & Sedek, 2005). Në fakt, historianët kanë vërejtur se teoritë hebraike të komplotit luanin një rol të madh në nxitjen e ndjenjave antisemite në Gjermaninë naziste gjatë viteve 1930 dhe 1940 (p.sh., besimet se një komplot hebre shkaktoi humbjen gjermane në Luftën e Parë Botërore; për më tepër, Hitleri besonte se kapitalizmi dhe komunizmi ishin rezultat i komploteve hebraike për dominimin e botës. Për hollësi, shiko Pipes, 1997).

Në përgjithësi, është vërejtur se të besuarit në teoritë e konspiracionit kërkon që perceptuesit të atribuojnë cilësi armiqësore dhe të liga ndaj një grupi të jashtëm – konspiracioni – i cili lehtësohet nga stereotipet negative ndaj grupit të jashtëm në fjalë (van Prooijen & van Vugt, 2018). Kështu duket se teoritë e komplotit shkojnë paralelisht me stereotipizimin e grupit të supozuar të komplotuesve. Mentaliteti i konspiracionit të përgjithshëm parashikon stereotipizimin e grupeve të fuqishme të implikuara shpesh në teoritë e komplotit; po kështu, teoritë e konspiracionit për grupet e pakicave parashikojnë stereotipe të grupit të pakicave në fjalë. Kësisoj, si besimet specifike ashtu edhe ato më të përgjithshme të konspiracionit, parashikojnë pozitivisht stereotipizimin, veçanërisht të grupeve që dyshohet se janë pjesë e komplotit.

Teoritë e komplotit dhe stili konjitiv

Me sa duket, testi më i drejtpërdrejtë i hipotezës racionale konspirative kundrejt asaj të lehtësisë së manipulimit ka të bëjë me mënyrën se si besimtarët e konspiracionit ndryshojnë në stilin e tyre konjitiv kundrejt mosbesimtarëve. Unë do të shqyrtoj se si besimet e konspiracionit janë të lidhura me cektësinë/siperfaqësine mendore, dhe në përgjithësi sesi besimet e konspiracionit janë të lidhura me të menduarit e Sistemit 1 (d.m.th., intuitiv dhe emocional) kundrejt të menduarit të Sistemit 2 (d.m.th., diskutimor dhe analitik). Sa i përket cektësisë mendore, një seri studimesh gjetën prova që ekstremizmi politik – në të dyja anët e spektrit – parashikon teori konspirative (van Prooijen, Krouwel, & Pollet, 2015). Me interes për qëllimet e tanishme, dy kampione përfaqësues kombëtar holandezë zbuluan se këto gjetje janë ndërmjetësuar nga besimi i shtuar në mesin e ekstremistëve se ekzistojnë zgjidhje të thjeshta për problemet komplekse me të cilat përballet shoqëria. Në vazhdimësi, studime të ndryshme zbuluan se arsimi i lartë parashikon një ulje të gjasave për të besuar teoritë e konspiracionit (Douglas et al., 2016) dhe kjo marrëdhënie ndërmjetësohet pjesërisht nga një tendencë për të perceptuar zgjidhje të thjeshta për probleme komplekse në mesin e atyre që kanë arsim të ulët (van Prooijen, 2017). Për më tepër, besimet e konspiracionit janë të lidhura me një iluzion të thellësisë shpjeguese për çështje politike, d.m.th., tendenca e njerëzve për të mbivlerësuar thellësinë dhe njohuritë e të kuptuarit të tyre për ngjarjet komplekse politike (Vitriol & Marsh, 2018). Teoritë e komplotit janë rrënjosur në një besim se problemet komplekse shoqërore dhe politike në të vërtetë kanë shkaqe të thjeshta dhe zgjidhje të thjeshta.

Një studim nga Swami, Voracek, Stieger, Tran dhe Furnham (2014) hulumtoi në mënyrë eksperimentale marrëdhëniet midis të menduarit analitik dhe besimeve të konspiracionit. Këta autorë fillimisht matën nivelet bazë të nivelit të të menduarit të konspiracionit dhe i ftuan pjesëmarrësit të ktheheshin në laborator në një kohë të mëvonshme. Pastaj, në disa studime autorët shkaktuan manipulime që ndryshonin nëse pjesëmarrësit ishin stimuluar të mendojnë në mënyrë analitike. Rezultatet zbuluan se të menduarit analitik zvogëlon besimin në teoritë e komplotit. Për më tepër, të menduarit intuitiv parashikoi rritjen e besimit në teoritë e komplotit. Gjetjet korrelacionale janë në përputhje me këto rezultate. Për shembull, van Prooijen (2017) zbuloi se marrëdhënia e përmendur më parë midis arsimit të ulët dhe besimit të rritur në zgjidhje të thjeshta (e cila nga ana e tij parashikonte rritje të besimit të konspiracionit) ishte ndërmjetësuar nga mendimi analitik i zvogëluar. Për më tepër, Ståhl dhe van Prooijen (2018) zbuluan se aftësia për të menduar në mënyrë analitike në vetvete është e pamjaftueshme për të zvogëluar bindjet e komplotit; duhet gjithashtu të motivohet që të jetë racional dhe të mbështetet në prova për të arritur në gjykime të informuara. Këto studime sugjerojnë vazhdimisht që sistemi 2 i të menduarit stimulon skepticizmin e teorive të komplotit në vend të besimit në to.

Nëse të menduarit e Sistemit 2 zvogëlon besimin te teoritë e komplotit, a e rrit besimin në teoritë konspirative të menduarit sipas sistemit emocional 1? Provat në të vërtetë sugjerojnë që emocionet veçanërisht negative rrisin teoritë e komplotit. Manipulimet eksperimentale të mungesës së kontrollit (van Prooijen & Acker, 2015; Whitson & Galinsky, 2008), dhe pasiguria subjektive (van Prooijen & Jostmann, 2013; Whitson, Galinsky, & Kay, 2015) janë gjetur se e rrisin besimin në komplot. Provat korrelacionale mbështesin këto gjetje eksperimentale duke zbuluar se teoritë e konspiracionit janë të lidhura me ndjenjat e pafuqisë (Abalakina-Paap et al., 1999), tiparin e ankthit (Grzesiak-Feldman, 2013) dhe ndjenjat e privimit relativ (van Prooijen, Staman, & Krouwel, 2018). Gjetje të tilla për rolin e emocioneve negative janë në përputhje me vëzhgimet historike se teoritë e komplotit fitojnë vrull në publik, veçanërisht pas ngjarjeve të krizës shoqërore që shkaktojnë ankth, siç janë sulmet terroriste, luftërat, tërmetet, zjarret dhe përmbytjet (Brotherton, 2015; Tipes, 1997; van Prooijen & Douglas, 2017). Si përmbledhje, provat tregojnë se Sistemi 1 i të menduarit – emocional, intuitiv dhe heuristik – promovon besimin në teoritë e komplotit. Të menduarit e sistemit 2 – analitik, diskutues dhe racional – promovon skepticizmin e teorive të komplotit.

Përfundim

Provat mbështesin me kokëfortësi ‘hipotezën e komplotistit “besimtar” naiv’ dhe kundërshtojnë ‘hipotezën e komplotistit “mosbesues” racional’. Sa më shumë njerëzit besojnë në teoritë e komplotit, aq më të ngjarë ka që ata gjithashtu të mbështesin besime të papranueshme jo-konspirative, duke përfshirë fenomene paranormale, bestytni, pseudoshkencë dhe brocckulla pseudo të thella. Për më tepër, besimet e komplotit parashikojnë një rritje të ndjeshmërisë ndaj një varg paragjykimesh konjitive të zakonshme, duke përfshirë gabimet/falsitetet e lidhshmërisë, perceptimin iluzor të modelit dhe zbulimin hiperaktiv të agjensive. Besimi në teoritë e komplotit parashikon gjithashtu rritje të stereotipeve, veçanërisht të grupeve të stigmatizuara, të pakicave që shpesh akuzohen për formimin e komplotit (p.sh., populli hebre) si dhe për grupe të fuqishme që janë aktorë të zakonshëm në teoritë e komplotit (politikanë, menaxherë, kapitalistë etj.). Më në fund, besimet e konspiracionit janë të rrënjosura në Sistemin 1 të menduarit, jo në sistemin 2 të të menduarit. Në veçanti, besimi në teoritë e komplotit shoqërohet me nivele më të ulëta arsimore, me tendencën për t‘i perceptuar çështjet e ndërlikuara shoqërore si të thjeshta, një iluzion të shtuar të thellësisë shpjeguese në të kuptuarit e çështjeve politike, dhe zvogëlimin e të menduarit analitik. Përkundrazi, të menduarit intuitiv dhe emocionet negative rrisin besimin te teoritë e komplotit.

Gjetjet e shqyrtuara këtu janë në përputhje me një model që sugjeron që vendimi për të refuzuar leximet zyrtare të ngjarjeve me ndikim dhe për të përqafuar më pas teoritë e komplotit, shpesh bëhet në mënyrë refleksive në vend se reflektuese. Pasi pranohet, një teori konspirative është shumë elastike për të ndryshuar pasi besimtarët përfshihen në procese epistemike të cilat njollosen nga arsyetimi i motivuar dhe paragjykimet e konfirmimit: Besimtarët në konspiracion përqafojnë në mënyrë selektive prova dhe dëshmi të ekspertëve që mbështesin dyshimet e tyre, dhe kundërshtojnë provat dhe dëshmitë e ekspertëve që i konfirmojnë ato (Brotherton, 2015). Rezultati neto është një teori e gjerë që në pamje të parë duket e përpunuar mirë, dhe e mbështetur nga shumë prova. Por, ndërsa teori të tilla mund të duken të artikuluara, vendimi për të pranuar teori konspirative të marra si të vërteta është me të vërtetë i rrënjosur në lehtësinë e të qenit i manipulueshëm.

Dy vëzhgime të rëndësishme duhet të sqarohen në dritën e këtij përfundimi. Së pari, mund të arsyetohet se njerëzit që besojnë teoritë e komplotit janë kritikë dhe skeptikë, por posaçërisht në lidhje me leximet zyrtare të ngjarjeve dhe mbajtësve të ligjshëm të pushtetit. Së dyti, mund të vërehet se teoritë e komplotit mund të jenë mjaft racionale herë pas here. Korrupsioni ndodh në politikë, biznes dhe shkencë, dhe ka shumë shembuj të teorive të komplotit që dolën të vërteta përfundimisht (p.sh., Watergate; shih Wright & Arbuthnot, 1974). Unë nuk debatoj asnjërën prej këtyre vëzhgimeve dhe dëshiroj të sqaroj këtu se skepticizmi i vërtetë është i ndryshëm nga pranimi i gabueshmërisë të asaj që propozojnë politikë-bërësit. Një mendim kritik “i shëndoshë” përfshin shqyrtimin në mënyrë konstruktive të veprimeve të mbajtësve të pushtetit dhe shpreh shqetësimin sa herë që dyshon për keqpërdorim ose politikë të keqe. Por skepticizmi i vërtetë nënkupton gjithashtu vlerësimin në mënyrë kritike të provave për akuzat e formimit të komplotit, dhe njohjen kur akuzat e tilla janë të paqarta (shiko gjithashtu Fiedler, Kapitulli 7 i këtij vëllimi).

Ndërsa bindjet e komplotit janë të rrënjosura në të qenit lehtësisht i manipulueshëm, kjo nuk do të thotë se besimet e komplotit burojnë domosdoshmërisht nga mendja e mbyllur. Në fakt, studimet gjetën korrelacione pozitive midis besimit në teoritë e komplotit dhe variablit të personalitetit që ka të bëjë me të qenit i hapur ndaj përvojës (Swami et al., 2011; Swami et al., 2013). Një dallim interesant këtu është midis të qenit refleksiv dhe të qenit reflektues (Pennycook et al., 2015). Mendja e hapur refleksive i referohet një mentaliteti intuitiv që është i hapur ndaj çdo përvoje ose informacion të ri. Mendja e hapur reflektuese, në të kundërt, i referohet një mentaliteti kritik që është i hapur, por në të njëjtën kohë edhe analizon kritikisht, mundësi ose ide të reja. Integrimi i këtyre vështrimeve me provat e paraqitura në këtë kapitull na mundëson të themi që njerëzit që besojnë në teoritë e komplotit janë të ngjashëm me skeptikët dhe shkencëtarët në kuriozitetin e tyre dhe hapjen ndaj ideve të reja; por ndryshe nga skeptikët dhe shkencëtarët, këto ide të reja vlerësohen përmes një mentaliteti intuitiv, refleksiv dhe jo nëpërmjet një mendësie reflektuese.

Një kufizim i analizës aktuale dhe një sfidë për hulumtimin e ardhshëm ka të bëjë me përzgjedhjen. Unë e fillova këtë kapitull me idenë se njerëzit që janë aktivë në faqet komplotiste të internetit e perceptojnë veten si “liridashës kritikë” (Harambam & Aupers, 2017). Por ndërsa njerëzit që propagandojnë në mënyrë aktive teoritë e komplotit në grupet e fokusit në internet mund të përfshihen në analiza cilësore, është e paqartë në rastin më të mirë nëse, dhe në çfarë numrash, ata morën pjesë në studimet sasiore që formuan bazën e analizës aktuale. E thënë ndryshe, mund të ketë dallime strukturore midis grupit me gjasë të vogël qytetarësh që shfaqen në mënyrë aktive, dhe botojnë në internet, teori të reja të komplotit, në krahasim me grupin e madh të qytetarëve që pasivisht i lexon, beson dhe i përhap ato. Bazuar në analizën e tanishme është e pamundur të përjashtohet mundësia që krijimi i teorive të reja të konspiraconit dhe shpërndarja e tyre me sukses në mesin e një audience të madhe është një proces krijues që kërkon aftësi analitike. Studimi i ardhshëm prandaj mund të përqendrohet në ndryshime në racionalitet kundrejt lehtësisë së manipulueshmërisë midis njerëzve që krijojnë në mënyrë aktive dhe me sukses teori të reja konspiracioni përkundrejt njerëzve që i pranojnë ato në mënyrë pasive.

Për të përfunduar, në kapitullin e tanishëm kam krahasuar dy idetë e kundërta që (a) besimi në teoritë e komplotit buron nga skepticizmi racional; kundrejt (b) besimi në teoritë e komplotit buron nga lehtësia në manipulueshmëri. Studimet e shqyrtuara këtu mbështesin pa mëdyshje idenë e dytë. Proceset mendore që karakterizojnë skepticizmin racional e nxisin mosbesimin në shumicën e teorive të konspiracionit. Ndërsa teoricienët e konspiracionit duket se kanë shumë besim në bindjet e tyre, mesatarisht dikush mund të vërë në dyshim saktësinë e vetë-perceptimit të tyre si “liridashës kritikë” (shiko gjithashtu Dunning, Kapitulli 12 i këtij vëllimi). Le t’i kthehemi edhe një herë vëzhgimeve që kanë motivuar këtë artikull. Ndërsa disa ueb-faqe konspirative janë të prirura t’i bindin qytetarët që nuk besojnë në teoritë e komplotit që të mendojnë në mënyrë më kritike, kapitulli i tanishëm sugjeron që këto “dele” në fund të fundit mund të jenë pikërisht ata që janë lehtësisht të manipulueshëm, apo thënë me gjuhë popullore, syleshë.

Përktheu: Rezart Beka

Shënime

1 Një term i zakonshem midis konspiracionistëve që kombinon së bashku fjalën “dele” dhe “njeri”.

2 Duhet vënë re se ndonëse në princip këto argumente jane korrekt, teori e metalit te shkrirë në rastin e ngjarjeve të 11 Shtatorit është e mangët sepse nuk merr parasysh faktin që nuk ishte nevoja që të shkrihej çeliku për të rënë kullat. Temperatura e arrirë nga djegja e kerosenit atë ditë ishin mëse të mjaftueshme për ta dobësuar structurën e çelikut deri në pikën që do tja pamundësonte mbajtjen e kateve të mësipërme (për detaje të mëtejshme, shih Dunbar & Reagan, 2011).

Referenca

Abalakina-Paap, M., Stephan, W., Craig, T., & Gregory, W. L. (1999). Beliefs in conspiracies. Political Psychology, 20, 637–647.

Bale, J. M. (2007). Political paranoia v. political realism: On distinguishing between bogus conspiracy theories and genuine conspiratorial politics. Patterns of Prejudice, 41, 45–60.

Barron, D., Morgan, K., Towell, T., Altemeyer, B., & Swami, V. (2014). Associations between schizotypy and belief in conspiracist ideation. Personality and Individual Differences, 70, 156–159.

Bartlett, J., & Miller, C. (2010). The power of unreason: Conspiracy theories, extremism and counter-terrorism. London: Demos.

Brotherton, R. (2015). Suspicious minds: Why we believe conspiracy theories. New York, NY: Bloomsbury Sigma.

Brotherton, R., & French, C. C. (2014). Belief in conspiracy theories and susceptibility to the conjunction fallacy. Applied Cognitive Psychology, 28, 238–248.

Brotherton, R., & French, C. C. (2015). Intention seekers: Conspiracist ideation and biased attributions of intentionality. PLoS ONE, 10, e0124125.

Darwin, H., Neave, N., & Holmes, J. (2011). Belief in conspiracy theories: The role of paranormal belief, paranoid ideation and schizotypy. Personality and Individual Differences, 50, 1289–1293.

Douglas, K. M., Sutton, R. M., Callan, M. J., Dawtry, R. J., & Harvey, A. J. (2016). Someone is pulling the strings: Hypersensitive agency detection and belief in conspiracy theories. Thinking and Reasoning, 22, 57–77.

Dunbar, D., & Reagan, B. (2011). Debunking 9/11 myths: Why conspiracy theories can’t stand up to the facts. New York, NY: Hearst Books.

Goertzel, T. (1994). Belief in conspiracy theories. Political Psychology, 15, 733–744.

Golec de Zavala, A., & Cichocka, A. (2012). Collective narcissism and anti-Semitism

in Poland. Group Processes and Intergroup Relations, 15, 213–229.

Grebe, E., & Nattrass, N. (2012). AIDS conspiracy beliefs and unsafe sex in Cape Town. AIDS and Behavior, 16, 761–773.

Grzesiak-Feldman, M. (2013). The effect of high-anxiety situations on conspiracy thinking. Current Psychology, 32, 100–118.

Harambam, J., & Aupers, S. (2017). “I am not a conspiracy theorist”: Relational identifications in the Dutch conspiracy milieu. Cultural Sociology, 11, 113–129.

Heider, F., & Simmel, M. (1944). An experimental study of apparent behavior. American Journal of Psychology, 57, 243–259.

Imhoff, R., & Bruder, M. (2014). Speaking (un-)truth to power: Conspiracy mentality as a generalized political attitude. European Journal of Personality, 28, 25–43.

Kofta, M., & Sedek, G. (2005). Conspiracy stereotypes of Jews during systemic transformation in Poland. International Journal of Sociology, 35, 40–64.

Lamberty, P., & Imhoff, R. (2018). Powerful pharma and its marginalized alternatives? Effects of individual differences in conspiracy mentality on attitudes towards medical approaches. Social Psychology, 49, 255–270.

Lobato, E., Mendoza, J., Sims, V., & Chin, M. (2014). Examining the relationship between conspiracy theories, paranormal beliefs, and pseudoscience acceptance among a university population. Applied Cognitive Psychology, 28, 617–625.

Newheiser, A.-K., Farias, M., & Tausch, N. (2011). The functional nature of conspiracy beliefs: Examining the underpinnings of belief in the Da Vinci Code conspiracy. Personality and Individual Differences, 51, 1007–1011.

Pennycook, G., Cheyne, J. A., Barr, N., Koehler, D., & Fugelsang, J. A. (2015). On the reception and detection of pseudo-profound bullshit. Judgment and Decision Making, 10, 549–563.

Pipes, D. (1997). Conspiracy: How the paranoid style flourishes and where it comes from. New York, NY: Simon & Schuster.

Shermer, M. (2011). The believing brain: From ghosts and gods to politics and conspiracies –

How we construct beliefs and reinforce them as truths. New York, NY: Henry Holt.

Ståhl, T., & van Prooijen, J.-W. (2018). Epistemic rationality: Skepticism toward unfounded beliefs requires sufficient cognitive ability and motivation to be rational. Personality and Individual Differences, 122, 155–163.

Sunstein, C. R., & Vermeule, A. (2009). Conspiracy theories: Causes and cures. Journal of Political Philosophy, 17, 202–227.

Swami, V. (2012). Social psychological origins of conspiracy theories: The case of the Jewish conspiracy theory in Malaysia. Frontiers in Psychology, 3, 1–9.

Swami, V., Coles, R., Stieger, S., Pietschnig, J., Furnham, A., Rehim, S., & Voracek, M. (2011). Conspiracist ideation in Britain and Austria: Evidence of a monological belief system and associations between individual psychological differences and real-world and fictitious conspiracy theories. British Journal of Psychology, 102, 443–463.

Swami, V., Pietschnig, J., Tran, U. S., Nader, I. W., Stieger, S., & Voracek, M. (2013). Lunar lies: The impact of informational framing and individual differences in shaping conspiracist beliefs about the moon landings. Applied Cognitive Psychology, 27, 71–80.

Swami, V., Voracek, M., Stieger, S., Tran, U. S., & Furnham, A. (2014). Analytic thinking reduces belief in conspiracy theories. Cognition, 133, 572–585.

Tversky, A., & Kahneman, D. (1983). Extensional versus intuitive reasoning: The conjunction fallacy in probability judgement. Psychological Review, 91, 293–315.

van der Wal, R., Sutton, R. M., Lange, J., & Braga, J. (2018). Suspicious binds: Conspiracy thinking and tenuous perceptions of causal connections between co-occurring and spuriously correlated events. European Journal of Social Psychology, 48, 970–989.

van Prooijen, J.-W. (2017). Why education predicts decreased belief in conspiracy theories. Applied Cognitive Psychology, 31, 50–58.

van Prooijen, J.-W. (2018). The psychology of conspiracy theories. Oxford: Routledge.

van Prooijen, J.-W., & Acker, M. (2015). The influence of control on belief in conspiracy theories: Conceptual and applied extensions. Applied Cognitive Psychology, 29, 753–761.

van Prooijen, J.-W., & Douglas, K. M. (2017). Conspiracy theories as part of history: The role of societal crisis situations. Memory Studies, 10, 323–333.

van Prooijen, J.-W., Douglas, K., & De Inocencio, C. (2018). Connecting the dots: Illusory pattern perception predicts beliefs in conspiracies and the supernatural. European Journal of Social Psychology, 48, 320–335.

van Prooijen, J.-W., & Jostmann, N. B. (2013). Belief in conspiracy theories: The influence of uncertainty and perceived morality. European Journal of Social Psychology, 43, 109–115.

van Prooijen, J.-W., Krouwel, A. P. M., & Pollet, T. (2015). Political extremism predicts belief in conspiracy theories. Social Psychological and Personality Science, 6, 570–578.

van Prooijen, J.-W., Staman, J., & Krouwel, A. P. M. (2018). Increased conspiracy beliefs among ethnic and Muslim minorities. Applied Cognitive Psychology, 32, 661–667.

van Prooijen, J.-W., & van Dijk, E. (2014). When consequence size predicts belief in conspiracy theories: The moderating role of perspective taking. Journal of Experimental Social Psychology, 55, 63–73.

van Prooijen, J.-W., & van Vugt, M. (2018). Conspiracy theories: Evolved functions and psychological mechanisms. Perspectives on Psychological Science, 13, 770–788.

Vitriol, J. A., & Marsh, J. K. (2018). The illusion of explanatory depth and endorsement of conspiracy beliefs. European Journal of Social Psychology, 48, 955–969.

Whitson, J. A., & Galinsky, A. D. (2008). Lacking control increases illusory pattern perception. Science, 322, 115–117.

Whitson, J. A., Galinsky, A. D., & Kay, A. (2015). The emotional roots of conspiratorial perceptions, system justification, and belief in the paranormal. Journal of Experimental Social Psychology, 56, 89–95.

Wilke, A., Scheibehenne, B., Gaissmaier, W., McCanney, P., & Barrett, H. C. (2014). Illusory pattern detection in habitual gamblers. Evolution and Human Behavior, 35, 291–297.

Wood, M. J., Douglas, K. M., & Sutton, R. M. (2012). Dead and alive: Beliefs in contradictory conspiracy theories. Social Psychological and Personality Science, 3, 767–773.

Wright, T. L., & Arbuthnot, J. (1974). Interpersonal trust, political preference, and perceptions of the Watergate affair. Personality and Social Psychology Bulletin, 1, 168–170.

Tags: , , , Last modified: 07/01/2021
Close