TwitterFacebookPinterestGoogle+

Konspekt: Në kërkim të mijëvjeçarit të ri

 Norman Cohn

Konspekt i librit të autorit

Norman Cohn, “The Pursuit of the Millenium:  Revolutionary Millenarians and Mystical Anarchists of the Middle Ages” (Oxford: Oxford University Press, 1970).

Libri i Norman Cohn ‘The Pursuit of the Millenium” (Në kërkim të mijëvjeçarit të ri) është një vepër klasike  dhe një histori e jashtëzakonshme që hedh dritë tek e kaluara dha ka implikime edhe për të tashmen.

Tema e librit është mesjeta, ose ndryshe shfaqja e përsëritur në mesjetën e krishtere të një grupi “besimtarësh” nën udhëheqjen e një profeti (ose profetëve) karizmatik të cilët besojnë se bota do të shndërrohet në një parajsë tokësore të banuar nga “përzgjedhurit”(d.m.th., ata vetë). Kjo ekzistencë parajsore do të zgjasë njëmijë vjet dhe pastaj Gjykimi i Fundit do ta ndajë përfundimisht botën në ata që do të shkojnë në Parajsë dhe ata që do të shkojnë në Ferr. Baza e paradigmës mijëvjeçare (mileniariste) është rrënjosur në librin biblik të Danielit (kap. 7) dhe në Librin e Zbulesës (kap. 20), si dhe legjendën e kthimit në ekzistencën zanafillore njerëzore të barazisë dhe bollëkut.

Mileniarizmi (ideja e mbretërisë njëmijë vjeçare) lulëzoi në Mesjetë si përgjigje ndaj kushteve sociale të anktshme dhe çorientuese, të tilla si rritja e shpejtë e popullsisë dhe dështimet e përhapura bujqësore në Mesjetë si edhe murtaja bubonike e Mesjetës së vonë. Pasuesit më të zjarrtë ishin të varfërit e margjinalizuar, vendi i të cilëve brenda strukturës shoqërore dhe mbijetesa e të cilëve ishte nën kërcënim. Një profet, i cili mori përsipër rolin e Mesisë, u ofronte të varfërve një shans për të qenë në mesin e “të zgjedhurve” ose elitës.

Cohn analizon një seri shpërthimesh Mileniariste, nga pjesëmarrja e të varfërve në Kryqëzatën e Parë (rreth 1100), tek Revolta e Fshatarëve Anglezë (1381), tek Rebelimi Hussite, dhe degëzimi i tij  në, Taboritët e Bohemisë (rreth 1425), në Luftën e fshatarëve gjermanë të nxitur nga Thomas Müntzer (v. 1525), dhe përmes Revoltës Anabaptiste në Munster (rreth 1530).

Përfundimet mileniarizmit nuk janë të vështira për tu pikasur edhe në botë moderne; majft të mendojmë për Gjermaninë naziste dhe idenë e “Mbretërimit njëmijë vjeçarë të Rajhut ” të Hitlerit.. Të përzgjedhur e nazizmit, populli gjerman, mbështeti kryesisht një shpirt luftarak dhe një synim për të pushtuar “lebensraum” (territorin që një komb mendon se është i nevojshëm për zhvillimin e tij të natyrshëm). Kjo është shumë e ngjashme me kryqëzatën e pare. Sigurisht, nazistët hipën në pushtet falë kushteve çorientuese ekonomike dhe sociale të Republikës Weimar.

Cohn e përmbyll librin e tij duke iu referuar të tashmes, ku ai pretendon se mbeshtetjet e qëndrueshme të mijëvjeçarizmit vazhdojnë të ekzistojnë në forma laike.

 

Politikologu i mirënjohur Joh Gray i ka bërë një përmbledhje të shkëlqyer librit te Cohn. Ai thotë: 

Kanë kaluar më shumë se 40 vjet që kur lexova për herë të parë librin e Norman Cohn “The Pursuit of Millennium”. Botuar në vitin 1957, libri trajton lëvizjet fetare apokaliptike (mileniariste) në mesjetën e vonë dhe në Evropën e hershme, por siç e sqaron Kohn, mentaliteti apokaliptik nuk mbaroi me zbehjen e fesë – lëvizjet totalitare sekulariste të shekullit 20 shfaqën modele të ngjashme të të menduarit.

Komunistët dhe nazistët gjithashtu parashikuan një kataklizëm historik, një çarje në histori në të cilën jeta e njeriut do të shndërrohej plotësisht. Të dy ishin pa dyshim armiqësor ndaj fesë konvencionale. E megjithatë, siç tregon Kohn, ata përsëritën një konceptim apokaliptik të shpëtimit kolektiv që ishte strukturalisht identik me atë të grupacionet e fuqishme në krishterimin mesjetar. Nuk ishte më Zoti që do të sillte shpëtimin e botës. “Njerëzimi” – ose një pjesë e privilegjuar e tij, që mendohet të jetë veçanërisht përparimtare ose superior nga ana racore – do të fillonte një transformim të mrekullueshëm. Ndërsa përmbajtja e besimit ishte modifikuar me sekularizim, struktura e mendimit nuk kishte ndryshuar. Historia shihej akoma në terma apokaliptikë si një luftë midis së mirës dhe së keqes, e cila do të mbaronte – megjithëse vetëm pas konflikteve më të dhunshme – me fitoren e së mirës.

Leximi i kryeveprës së Cohn-it më nguliti dyshimin për çdo projekt politik që premton ndryshime botërore. Në njëjtën kohë, u binda se asnjë pikëpamje e bashkëkohore moderne që neglizhon fuqinë e vazhdueshme të fesë nuk mund të merret seriozisht. Një bindje kjo që ngjarjet politike botërore vetëm sa ma kanë shtuar më shumë. Jo vetëm që feja nuk është venitur, ashtu si e prisnin mendimtarët, por pasionet e shtypura fetare përshkojnë politikën laike, shpesh me pasoja të liga. Kur e njoha personalisht Norman Cohn, ishte interesante të mësoja se ajo që e shtyu të shkruante librin ishin bashkësedimet ndërmjet të burgosurve të luftës nazistë të cilat ai i kishte përgjuar si pjesë e punës së tij në shërbimet secrete gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithëse ata e dinin që kauza e tyre ishte e humbur, këta nazistë gjenin një rehati perverse në një lloj eskatologjie negative. Ata nuk ia kishin arritur të krijonin utopinë e tyre raciste; por përmes krimeve të tyre, ata besonin se i kishin dhënë fund botës së vjetër. Në librat e mëvonshëm të tij , veçanërisht Garancia për Gjenocidin: Miti i Komplotit Botëror Hebre dhe Protokollet e Pleqve të Sionit (1966) dhe Demonët e Brendshëm të Evropës (1975), Cohn tregoi sesi ky lloj mendimi eskatologjik i përzier me demonologjinë e krishterë dërgoi në persekutimet e mëdha të fillimeve të modernitetit dhe, dhe përfundimisht në krimin suprem të Holokaustit.

Është  e pamundur të kuptohet politika e shekullit të njëzet derisa të mos pvërthithet plotësisht ajo që Cohn thotë për origjinën fetare të lëvizjeve totalitare nuk është zhytur plotësisht, por rëndësia e veprës së tij shtrihet përtej totalitarizmit. Mendimi eskatologjik mund të ketë një efekt malinj në demokracitë liberale. Për të marrë një shembull të qartë, një kthesë eskatologjike qendron pas mbështetjes për Luftën në Irak. Ndonjëherë ky mendim ishte shprehimisht fetar, si me fondamentalistët amerikanë të krishterë që mbështetën luftën si një prelud i Armagedonit; por i njëjti mentalitet u shpreh edhe nga neokonservatorët të cilët panë ndryshimin e regjimit si fillimin e një “revolucioni global demokratik” si dhe nga ndërhyrjet liberale që imagjinuan se rrëzimi i Sadam Huseinit do të inaguronte një rend të ri botëror të sunduar nga të drejtat e njeriut. Në secilin rast, veçantitë e Irakut – statusi i tij si një shtet i përbërë, i krijuar në kohën koloniale dhe i ndarë nga armiqësi të thella – u injoruan, dhe rreziqet e luftës civile dhe anarkisë u anashkaluan. Paralajmërimet e historisë u humbën në epifaninë e një bote të re.

Ekziston një linjë arsyetimi që pranon se ideologjitë totalitare u formuan nga të menduarit apokaliptik dhe utopik, ndërsa insistojnë se humanizmi liberal është krejtësisht i ndryshëm. Ata – nazistët dhe komunistët – mund të jenë mashtruar dhe joracionalë; ne progresistët e shkolluar – kemi pastruar mendjet nga mitet. Në fakt, besimi në përparimin në etikë dhe politikë, i cili gjallëron racionalizmin liberal, është në vetvete një mit: një pamje e historisë si një proces i shëlbimit pa besimin e krishterë në një ngjarje të vetme transformuese, por megjithatë një narrativë e bazuar në besim për shpëtimin e njeriut. Është e qartë se jeta e njeriut ndonjëherë mund të përmirësohet. Megjithatë, në mënyrë të ngjashme fitimet të tilla normalisht humbasin me kalimin e kohës.  Ideja se historia është një proces i përmirësimit është një besim doktrinar, jo rezultat i vëzhgimit ose arsyetimit.

Leximi i librit të Cohn nuk do t’i shtyjë mendimtarët laikë të heqin dorë nga mitet e tyre kaq të dashura. Nevoja për të besuar në to është shumë më e fuqishme se kurioziteti intelektual. Por, për ata që duan të kuptojnë origjinën e konflikteve të shekullit të kaluar dhe kohës së tanishme, Libri “Në kërkim të mijëvjeçarit të ri” mund të jetë, siç ishte për mua, një libër që të ndryshon jetën.

Përktheu: Rezart Beka

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *