Përmblodhi: Rezart Beka

Në kohët e sotme, tendenca e përgjithshme e teologëve të krishterë, përthyhet në disa drejtime. E para ka të bëjë me mohimin e hyjnisë së Jezusit, duke e konsideruar deifikimin e tij si jo burimor por i huazuar nga besimet pagane të asaj kohe, ndërsa e dyta që në një fare mënyre është edhe pasojë e së parës ka të bëjë me mohimin e doktrinës së trinitetit duke e konsideruar atë si joshkrimore dhe joburimore, ndërsa e treta përfaqësohet nga apologjetët të cilët dalin në mbrojtje të ç’do doktrine tradicionale të kishës, por numri si dhe pesha e tyre është i pakët.

Në vijim do të përmendim disa prej pohimeve të bëra nga teologët e dy drejtimeve të para.

Hooker (1593): “Besimi jonë në Trinitetin, bashkëpërhershmërinë e Birit të Zotit me Atin, origjina e Shpirtit nga Ati dhe Biri; këto, së bashku edhe me pika të tjera të një rëndësie parimore, nuk gjenden të përmendura asgjëkundi në formë të shkruar në Shkrimet e shenjta; ato vetëm se janë të deduktuara nga këto të fundit.” (Hooker, Richard. Ecclesiastical Polity, Bk. I, para 14.)

John Milton (1608-1674): “Unë pasoj atë që shkruhet vetëm në Shkrimet e Shenjta dhe nuk ndjek asgjë tjetër, herezi apo sekt. Nëse pra, Ati është Zoti i Krishtit, dhe i njëjti është edhe Zoti ynë, dhe nëse nuk ka Zot tjetër vetëm se Një, atëherë nuk mund të ketë zot tjetër veç Atit.”

(Cituar nga Stannus Hugh, H. A history of the Doctrine of the Trinity in the Early Church. 1882. London, Christian Life publishing Co. 281 Strand, London, f.29)

“Argumentet e Milton kundër Trinitetit janë më se llogjike dhe qartësisht të vetkuptueshme: Përse u dashkan krijuar mistifikime të cilat nuk gjenden në Bibël? John Locke dhe Isaac Newton, së bashku me Miltonin, tre emrat më të mëdhenj të asaj kohe (1650) nuk mundnin të gjenin në Bibël asnjë referencë për Trinitetin.”

(Christopher Mill, Milton and the English Revolution. Fq 286, 295)

Dr. Neander (1850): “Mua nuk më duket se doktrina e Trinitetit nuk ka të bëjë vetëm me themelet e besimit të krishterë; meqë nga faktet del qartë se lidhur me të nuk gjejmë të shkruar asgjë të drejtpërdrejtë në Dhjatën e Re; ndërsa i vetmi pasazh ku bëhet fjalë për tre që janë dëshmitarë (1 Gjoni 5:7) është padyshim i rremë, dhe stili i të shkruarit i tij, krejt i panatyrshëm dëshmon për faktin se sa e huaj është një përmbledhje e tillë nga stili i shkrimeve të Dhjatës së Re. Në të (Dhjatën e Re) nuk gjejmë asnjë kod themelor përveç atij lidhur me të cilin Pali thotë se askush nuk mund të ngrejë tjetër themel përveç këtij, predikimin e Jezus Krishtit si Mesia; dhe themeli i fesë së Tij është ngritur nga vetë Krishti si besimi në Zotin e vetëm të vërtetë dhe në Jezus Krishtin që ai dërgoi.”

(Neander, History of Christian religion, vol. II, fq 286).

Dr. Joseph Priestly (1871): “Nëse është e vërtetë, atëherë përse doktrina e trinitetit nuk u shpall në një formë krejt të hapët dhe në një mënyrë përfundimisht të përcaktuar, të paktën në Dhjatën e Re, ashtu si doktrina e Unitetit shtjellohet në Dhjatën e Vjetër dhe të Renë? Dhe përse doktrina e Unitetit përçohet në një mënyrë kaq të papërpunuar dhe pa ndonjë përjashtim të bërë në favor të Trinitetit, për të parandaluar çdo gabim të mundshëm lidhur me të.”

(Priestly, Joseph. A history of the Corruptions of Christianity. The British and foreign Unitarian Association, London, 1871, fq 321).

“Të krishterët ruajtën të njëjtën fe, duke besuar në unitetin e Zotit, dhe në natyrën njerëzore të Krishtit, gjatë gjithë kohës së Dishepujve dhe të atyre që arritën t’i njihnin ata, por filluan të largoheshin nga kjo, menjëherë më pas; dhe devijimi përparonte kaq shpejt, saqë brenda një shekulli e gjysmë apo diçka më shumë, doktrina origjinale përgjithësisht gjykohej si heretike.”

(Priestly, Joseph. A history of the corruptions of Chrisianity. The british and foreign Unitarian Association, London, 1871, fq 7).

Peshkopi Smallridge: “Duhet pranuar që doktrina e Trinitetit siç propozohet në kodet tona, liturgjinë dhe besimin tonë, në Shkrimet e Shenjta nuk përshkruhet në mënyrë të njëjtë dhe me kaq shumë fjalë siç na mësohet neve. Ajo që ne deklarojmë në ritet tona, që Zoti një dhe i vetëm, nuk është një person, por tre persona në një substancë, nuk gjendet asgjëkund në Shkrimet e Shenjta. Në këto të fundit nuk ka as një tekst të tillë si, “Uniteti është trinitet dhe triniteti është uniteti që duhet të adhurohet”.

Askush prej shkruesve të frymëzuar nuk ka pohuar haptazi që tek Triniteti njëri person është më lart, vjen më pas apo se është më i madh apo më i vogël krahasuar me tjetrin.” (Sixty sermons, no. XXXIII, fq 348)

Mozeley (kunat i kardinalit të famshën Newman që ka jetuar në shekullin XIX): Pyes me gjithë përunjësinë e duhur se ku në Dhjatën e Re ideja e Tre-ve shprehet me një kuptim dhe rëndësi doktrinare? Ku është Zoti-Tre që duhet ta adhurojmë, dashurojmë dhe t’i nënshtrohemi? Në ç’vend të Dhjatës ai predikohet dhe shpallet si një karakter i trefishtë? Aty lexojmë vetëm se “Zoti është një” dhe “Unë dhe Ati jemi një”, por askund nuk lexojmë se Tre janë Një, përjashtuar ndonjë tekst që mund të jetë ndërfutur qëllimisht për këtë…

Për mua e gjithë kjo është e dhimbshme dhe hutuese njëkohësisht, dhe as që duhej të flisja siç po bëj tani, sikur të mos isha në buzë të varrit, dhe që së shpejti do të dal përpara Fronit të së Vërtetës…Është e sigurt që tek Shkrimet nuk gjendet asgjëkundi shprehja “Biri Zot”, ose “Shpirti i shenjtë Zot”. Sa herë që shqiptoj emrin Zot, më i pari dhe më i thjeshti kuptim është Zoti, Ati dhe nuk mund t’i jap dot asnjë domethënie tjetër, nëse edhe kjo ka ndonjë domethënie”. (Reminiscences of Oriel College and Oxford Movement).

Paine (1900): “Dhjata e Re është rreptësisht monoteiste. Zoti është një qenie e vetme. Ideja se në të (Dhjatë) bëhet fjalë për trinitetin, apo se lihet të nënkuptohet, është një hamendje që ka lëkundur themelet e teologjisë, por që në të vërtetë është krejt e pathemeltë.”

(A critical history of the evolution of trinitarianism, fq 4).

“Në ungjijtë sinoptikë…nuk gjejmë asnjë shenjë lidhur me një jetë para-krijimore…apo të një mishërimi hyjnor. Jezusi e quan Zotin, Atin e tij, por predikon gjithashtu se Zoti është Ati i gjithçkaje, dhe dishepujve të tij u thotë Pater Noster-in. …Nuk ka asnjë evidencë që ideja e një unioni të veçantë metafizik me Zotin të ketë kaluar ndonjëherë nëpër mendjen e tij. Të paktën këtë nuk e gjejmë në predikimet e tij sinoptike”. (A critical history of the evolution of trinitarianism, fq 5).

Dr. W. Matthews (1940): Gjithkush që ka njohuritë fillestare lidhur me shkencën historike duhet të pranojë që doktrina e trinitetit, nuk ishte pjesë e mesazhit fillestar. Shën Pali këtë nuk e dinte, dhe nuk do të kishte qenë i aftë të kuptonte domethënien e fjalëve të përdorura në formulën teologjike lidhur me të cilën Kisha ra dakord më së fundi.”

(Matthews, W.R. (Dean of St Paul’s), God in Christian Thought and Experience.)

“Një perspektivë krejt e ndryshme mbi Arianizmin, e cila është paraqitur herë pas here nga shpirtra rebelë në të kaluarën, ka filluar të shtrojë themelet si një pikëpamje konsensuale në mesin e teologëve modernë… Të krishterët e hershëm nuk kishin ngritur haptazi pyetjen e përpiktë që tashmë ishte një pikë përplasjesh mes dy palëve. Mënyrat tradicionale të të folurit lidhur me Birin, në rastin më të mirë ishin ambivalente; në balancë qëndronin diku më afër Arianëve sesa ortodoksëve (d.m.th kundërshtarëve të tij). Secila palë mundte, dhe të dyja pretendonin me një farë mundshmërie që dëshmitarët e traditës së hershme ishin në favorin e tyre. Por asnjëri pretendim (veçanërisht ai i ortodoksëve) nuk është aq bindës apo aq vendimtar sa ç’pretendon se është. Të dy palët ishin aq risi ndjellëse saqë ishin të papërgatitura për ta pranuar këtë gjë. Por në balancë qëndronin heretikët Arianë të cilët ishin më konservativë dhe ortodoksët që ishin më inovativë”.

(M. Wiles. Chapter on “Orthodoxy and Heresy”, fq 205, in Early Christianiy, ed. Haslet.)

Victor Paul Wierwille: “Doktrina sipas së cilës Jezu Krishti, Biri i Zotit, është Zot u dekretua nga pushteti klerikal dhe perandorak. Njerëzit u detyruan me forcë ta pranonin, deri edhe në kanosjen me vdekje nëse vepronin të kundërtën. Kësisoj, gabimi i trinitetit u përhap aq shumë, saqë për pasojë njerëzit filluan të besonin se ishte e vërtetë. Krishterimi në thelb u bë i njëjtë me paganizmin babilonas, vetëm se me një lustër emrash të krishterë.”(Victor Paul Wierwille, Forgers of the Word. 1983.).

Anthony F. Buzzard. Charles F. Hunting: “Zoti i Moisiut, Isaias, Jezusit dhe dishepujve ishte një person, Ati. Një nuk mund të jetë i barabartë me dy ose tre. Gjithë sa mund të bëhet me Njëshin është që të ndahet në pjesë. Nëse ndahet në pjesë më të vogla, atëherë nuk është më një. Zgjeroje, dhe pavarësisht nga gjimnastika mendore mjaft e zhdërvjellët e trinitarianëve, nuk mund të bëhet dy apo tre, por do të mbetet gjithmonë një.” (The Doctrine of the Trinity. Christianity’s Self-Inflicted Wound 1994)

Hugh H. Stannus: “Mua më duket se feja e krishterë është korruptuar që në kohët më të hershme, dhe se këto korruptime janë gjykuar gabimisht si pjesë kryesore e saj, dhe janë bërë shkak që feja të bëhet e pabesueshme në tërësinë e saj.”

(Hugh H. Stannus. A history of the Doctrine of the Trinity in the Early Church, Christian Life Publishing. London 1882, fq 23)

Përktheu: Klenti Tare

Tags: , , , Last modified: 03/01/2021
Close