Imam al-Sanusi (koment: Seid Feuda)

 

Shaykh Saʿid Foudah, A Refined Explanation of the Sanusi Creed: The Foundational Proofs (Sunni Publications, 2018), 55-61.

 

 

[Teksti i kësaj eseje është shkeputur nga manuali i mirënjohur i doktrinës Islame (akide) të imam Muhamed Ibn Ali el-Sanusi (vd. 1859). Në këtë pjesë të analizës së tij, Imam el-Sanusi analizon temën e dijes dhe konformizmit fetar. A është i pranuar në fe besimi i konformistit (mukalidit), d.m.th. i atij që nuk është në gjendje të ofroj prova për besimin e tij, por ndjek atë doktrinë që i është mësuar nga të tjerët? Sa duhet të jetë në gjendje të njohë besimtari në lidhje me Zotin dhe Profetin në mënyrë që besimi i tij të konsiderohet i mbështetur mbi prova dhe të vërtetën? Cili është niveli minimal i diturisë fetare që një individ duhet të zotëroj në mënyrë që besimi i tij të konsiderohet si i mbështetur në dituri dhe siguri? Po niveli maksimal? Çfarë obligimesh fetare i lindin individëve që zotërojnë kapacitete të ndryshme intelektuale në lidhje me njohjen e Zotit dhe të Profetit?
Në analizën e tij, Imam al-Sanusi, është përpjekur të japë një përgjigje, nga këndvështrimi i shkolls teologjike esharite, pyetjeve të lartpërmendura. Këtu, tekstin e El-Sanusit e kemi sjellë të komentuar nga një prej studiuesve më të mirënjohur esharit, Seid Feuda. Kësisoj, kjo ese është e ndarë në dy pjesë a) tekst (el-Saunusi) dhe b) koment (Seid Feuda). Ajo përbën një hyrje të përgjitshme dhe të dobishme në lidhje me qëndrimin Islam karshi temës së dijes dhe konformizmit fetar.]

Teksti

 

Çfarë është e Detyruar në Ligjin e Shenjtë për çdo Person ligjërisht përgjegjës (mukelef)

 

Personi fetarisht përgjegjës [mukallaf] është individi me intelekt të shëndoshë i cili ka arritur moshën e pubertetit [1] dhe të cilit i ka arritur ftesa islame [davet]. Ligji i Shenjtë ka kërkuar në mënyrë të prerë nga çdo person fetarisht përgjegjës që ai ta njoh Allahun me dije [ma’rifa] [2] për cilësitë e Tij. [3]

 

 

Koment

 

[1] Ai që ndërron jetë para se të arrijë moshën e aftësisë dalluese, shpëtohet [në botën tjetër], edhe sikur të ketë qenë nga fëmijët e jobesimtarëve. Ai nuk do të dënohet për mosbesimin e tij apo për ndonjë gjë tjetër. (S) Duhet të dish, gjithashtu, se personi fetarisht përgjegjës është ai që ka mbushur moshën e pubertetit dhe posedon shqisa (edhe nëse vetëm dëgjimin dhe shikimin) dhe aftësi të shëndosha intelektuale dhe është ai të cilit i ka arritur thirrja [daveti). Ky përkufizim e përjashton fëmijën e vogël (edhe nëse ai zotëronte aftësi dalluese), të çmendurin, atë që nuk zotëron shqisa [d.m.th., atë që është edhe i verbër edhe i shurdhërt] dhe atë të cilit nuk i ka mbërritur thirrja islame. Asnjë nga këta persona konsiderohen fetarisht përgjegjës. Të urdhërosh një fëmijë të vogël të falet dhe të agjërojë nuk bëhet për shkak se ai konsiderohet fetarisht përgjegjës; përkundrazi, kjo bëhet për ta inkurajuar atë që ai të mësohet me namazn dhe të mos e lërë atë, nëse do Allahu. (B)

 

[2] Realiteti i diturisë është se ai është një gjykim i sigurt në përputhje me (të vërtetën) dhe i shoqëruar me prova. Një gjykim i sigurt është vendimtar dhe pa dyshime. Ai që e mbështet besimin e tij në hamendje, dyshim ose supozim e ka bazuar atë mbi të pavërtetën. Këtu, termi përputhje do të thotë se është në pajtim [me të vërtetën], sepse ai, gjykimi i sigurt i të cilit nuk është në përputhje [me të vërtetën] është jobesimtar. Ajo që nënkuptohet këtu me provë është prova e detajuar (që është fusha e dijetarëve) dhe prova e përgjithshme, si gjykimi ynë i sigurt se Allahu ekziston dhe se dëshmia për ekzistencën e Tij është ky univers, sepse ai duhet të ketë një krijues. Provat e përgjithshme – siç është gjykimi i atij që thotë se Allahu ekziston, por kur kërkohet provë, thotë: “Nuk e di; E kam dëgjuar babanë tim duke thënë kështu, kësisoj edhe unë e them” – një individ i tillë nuk posedon njohuri, përkundrazi ky është konformizëm i verbër [taklid]. Ai ka adoptuar një pikëpamje pa e ditur provën e saj, dhe kjo është e pamjaftueshme në çështjet që kanë të bëjnë me njëshmërinë hyjnore. (T)

 

[3] Prova e përgjithshme është ajo që është e detyrueshme si për njerëzit e zakonshëm ashtu edhe për të zgjedhurit. Kjo është ajo lloj prove që dikush mund të mos jetë në gjendje të artikulojë dhe/ose ndërlikimet e të cilave nuk mund t’i zgjidhë. Sa i përket provave të hollësishme, ato janë provat që njeriu mund t’i artikulojë dhe ndërlikimet e të cilave mund t’i zgjidhë. Ai që zotëron prova të përgjithshme është ai që mund të konceptojë besimet doktrinore në mendjen e tij, edhe nëse nuk është në gjendje t’i shprehë ato verbalisht në një mënyrë të tillë që nëse pyetet, mund të japë një përgjigje të sigurt. Prova për të dy grupet është ekzistenca e universit, qoftë kur nuk hyhet në detaje në lidhje me mënyrën se si nxirren konkluzionet, ose duke u futur në detaje, por duke qenë të paaftë për t’iu përgjigjur dyshimeve. Nëse një person i tillë është në gjendje të angazhohet në një përgjigje të detajuar ndaj dyshimeve, atëherë ai hyn në kategorinë e njerëzve që mund të ofrojnë prova të hollësishme.(S)

 

 

Teksti

 

Njohja e atributeve të Zotit, nuk nënkupton njohjen e realiteteve të tyre, sepse kjo është e pamundur; përkundrazi, ajo që nënkuptohet këtu është se duhet të dihen gjykimet (hukmet) që kanë të bëjnë me to, siç do ta shohim në vijim. Nga ana gjuhësore, termi Ligj i Shenjtë [shara’] do të thotë një rrugë. Në nomenklaturën teknike, termi ligji i shenjtë i referohet çështjeve themelore dhe ndihmëse, të tilla si doktrina dhe jurisprudenca që Profeti solli nga Allahu. Argument në Libër [Kur’an] për këtë obligim janë fjalët e të Lartësuarit: (Pra, dijeni se nuk ka zot tjetër përveç Allahut.) [Muhamed: 19]. Prova nga Sunneti është [në Hadith]: “Unë jam urdhëruar të luftoj njerëzit derisa ata të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut …” [4]

 

Koment

 

[4] Buhariu transmeton, në Sahih-un e tij, nga Ebu Hurejra se: “Kur i Dërguari i Allahut ndërroi jetë dhe Ebu Bekri ishte [në pushtet] dhe grupet e arabëve ranë në mosbesim, Omeri tha: “Si mund t’i luftosh njerëzit kur i Dërguari i Allahut ka thënë: “Unë jam urdhëruar të luftoj njerëzit derisa të thonë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Kushdo që thotë atë ai e ka bërë gjakun dhe pasurinë e tij të paprekshme për mua, përveç në rastet kur është hak – dhe llogaria e tij është tek Allahu.” Ebu Bekri u përgjigj: “Betohem në Allahun, me siguri do të luftoj atë që bën dallim ndërmjet zekatit dhe namazit, sepse zekati është e drejta mbi pasurisë. Betohem në Allahun, nëse ata nuk japin edhe një litar deveje që do t’ia jepnin të Dërguarit të Allahut, unë do t’i luftoj ata për këtë.” Omeri tha: “Pasha Allahun, nuk është gjë tjetër veçse se Allahu ia ka zgjeruar gjoksin Ebu Bekrit, kështu që unë e di se është e vërteta.” Pra, me këtë transmetim shohim se faza e fundit e mosbesimit është pikërisht para shqiptimit të dy dëshmive të shehadetit, dhe pas kësaj është faza e besimit [iman] T. Ky hadithi gjendet, gjithashtu, edhe tek Tirmidhiu dhe Nesaiu, në El-Sunen El-Kubra. Ekziston një transmetim tjetër në Sunen nga el-Nesaiu, nga el-Zuhri, nga Enes ibn Malik i cili tha: “Kur i Dërguari ndërroi jetë dhe arabët u bënë femohues, Omeri tha: “O Ebu Bekr, si mund t’i luftosh arabët?” Ebu Bekri u përgjigj: “Profeti tha: “Unë jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit derisa ata të dëshmojnë se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut dhe [derisa] ta falin namazin dhe të japin zekatin. “Betohem në Allahun, nëse më ndalojnë qoftë edhe një litar deveje që i jepnin të Dërguarit të Allahut, do t’i luftoj për këtë.” Omeri tha: “Pasi pashë se mendimi i Ebu Bekrit ia kishte zgjeruar gjoksin, e kuptova se ishte e vërteta.” Në el·Mu’xhem el-kebir, el-Taberani e ka transmetuar këtë hadith nga Muadh b. Xhebeli me formulimin “derisa ata të dëshmojnë…” Në Sunenin e el-Bejhekiut ky hadith transmetohet me formulimin: “derisa të thonë…” Ky hadith është regjistruar në librat e Sunetit. (f)

 

 

Teksti

 

Njohuria dhe konformizmi

 

Realiteti i diturisë (ma’rife) është se ajo është një gjykim i sigurt në përputhje me të vërtetën dhe i bazuar në prova. Dëshmia e besimit (shehadeti) ndërtohet mbi njohuri dhe jo mbi hamendje dhe kjo është në përputhje me rëndësinë e saj leksikore – prandaj dyshimi, hamendësimi dhe supozimi janë të pamjaftueshëm në doktrinë. Jo, vërtetë gjëra të tilla janë mosbesim. Kjo na çon në një çështje të njohur të quajtur çështja e konformistit [mesele el-mukallid]. Cili është gjykimi për një person të tillë në Ligjin e Shenjtë? Konformisti është ai që beson – pa prova – atë që është e nevojshme, e mundshme dhe e pamundur për Allahun e Lartësuar. Me fjalë të tjera, ai ka bërë një gjykim të sigurt që është në përputhje me të vërtetën, por nuk ka ofruar prova për këtë gjykim. Kjo situatë ndodh kur njeriu mëson doktrinën e detyrueshme pa prova (delile). Dijetarët dallojnë me njëri-tjetrin në lidhje me një person të tillë dhe ka shumë pikëpamje [në lidhje me këtë çështje]. Shumica e dijetarëve kanë pohuar se një person i tillë, edhe pse besimtar, konsiderohet i pabindur nëse ka mundur të hetojë, por nuk e ka bërë këtë. Kjo do të thotë se nëse një person i tillë ka pasur aftësinë për të njohur provat për besimet doktrinore, por nuk ka bërë asnjë përpjekje, ai është i pabindur, megjithëse besimi i tij është i shëndoshë. Gjithashtu është thënë se ai është besimtar i cili nuk është i pabindur, dhe është thënë gjithashtu se ai është jobesimtar – dhe këto dy mendime të fundit janë të dobëta.” [5]

 

 

Komenti

 

 

[5] Dijetarët kanë pasur mendime të ndryshme në lidhje me atë përson besimi i të cilit mbështetet në konformizëm. Qëndrimi i mbështetur është se nëse një person i tillë është i aftë të kryej hetim racional të tillë që do ta dërgojë në dituri (rreth besimi), atëherë ai është vetëm një besimtar i pabindur. Një person i tillë është i pabindur sepse nuk i ka mësuar provat, por besimi i tij do ta shpëtojë atë nga dënimi i përjetshëm në zjarr. Nëse, nga ana tjetër, një person është i paaftë për të hetuar, atëherë ai është besimtar që nuk është i pabindur. Gjithashtu është thënë se konformisti nuk është aspak i pabindur dhe është thënë se i tillë është mosbesimtar. Hetimi që i çon ata nga konformizmi në dituri është hetimi i përgjithshëm i njerëzve të thjeshtë – siç u përgjigj arabi beduin kur el-Asmai e pyeti: “Si e njeh Zotin tënd?” Beduini tha: “Jashtëqitj e devesë tregojnë për ekzistecën e një deveje dhe gjurmët e këmbëve tregojnë për ekzistencën e një udhëtari, pra qiejt që posedojnë yjësi, toka që posedon qafa malore dhe oqeanet që posedojnë valë, a nuk vërtetojnë ekzistencën e dikujt që është subtil dhe i vetëdijshëm?” Nuk është kusht që të ketë një hetim të hollësishëm, si ai i teologëve, në të cilin ata rregullojnë dhe nxjerrin prova dhe përgjigjen ndaj keqkuptimeve. Duhet të dish, gjithashtu, se hetimi është një mjet për të njohur Allahun, të Dërguarit dhe cilësitë e Tij. Njohja është mjet për besimin ligjor, i cili është bindja dhe besimi në gjithçka që Profeti ynë ka sjellë nga ajo që njihet domosdoshmërisht nga feja. Ajo që nënkuptohet me bindje këtu është pajtueshmëria e brendshme që konsiston në pranimin dhe bindjen e shpirtit, duke thënë: “Unë besoj dhe jam i kënaqur me këtë”, e cila njihet si “E folura e brendshem (hadith el-nefs) ” – dhe Allahu i Bekuar dhe i Lartësuar, është Ai që jep sukses dhe nuk ka Zot përveç Tij. (M)

 

 

 

Teksti

 

 

Për sa i përket asaj që individi fetarisht përgjegjës (mukelef) duhet të dijë [6], do ta përmendim këtu në mënyrë të përmbledhur dhe do t’i përmendim detajet e tij menjëherë pas. Personi fetarisht përgjegjës duhet të dijë atë cfarë [7] pohohet për Allahun, të Lartësuarin dhe të Madhërishëm. Kjo është e dy kategorive: e përgjithshme dhe e detajuar. E përgjithshme është që njeriu të dijë dhe të besojë se çdo atribut i përsosmërisë është i nevojshëm për Allahun e Lartësuar. Detajimi është që njeriu të dijë dhe të besojë në njëzet atributet e nevojshme. [8]

 

Është gjithashtu detyrë e njeriut të dijë se çfarë është e pamundur për Allahun e Lartësuar, si në përgjithësi ashtu edhe në detaje. Ajo që është e përgjithshme është që njeriu të besojë se çdo mangësi është e pamundur për Allahun. Ajo që është e detajuar është që njeriu të besojë se të kundërtat e njëzet cilësive të lartpërmendura [janë të pamundura për Allahun]. Është gjithashtu e detyrueshme për njeriun të dijë dhe të besojë atë që është e lejuar për Allahun, në përgjithësi dhe në detaje. Ajo që është në përgjithësi është që njeriu të besojë se është e mundur që Allahu ose të bëjë ose të lërë çdo veprim të mundshëm. Ajo që është e detajuar është që njeriu të besojë në doktrinat e shpallura hyjnore siç janë çështjet që kanë të bëjnë me botën tjetër, sepse ato janë racionalisht të mundshme dhe [besimi në to është] i detyrueshëm në ligjin e shenjtë.

 

 

Komenti

 

[6] Ka një dallim mendimi rreth kuptimit të diturisë [ma’rifa]. Është thënë se ajo është një gjykim i sigurt në përputhje me të vërtetën dhe i bazuar në prova dhe është thënë se mund të jetë edhe pa prova. (S)

 

[7] Fjala “çfarë” (arabisht, ma’) [e përdour në frazën “është detyrë e njeriut të dijë cfarë është e pohohet] këtu është e përgjithshme, siç dihet. Prandaj, është obligim për atë që është fetarisht përgjegjës të dijë gjithçka që është e domosdoshme, e pamundur dhe e mundshme (për Allahun dhe të dërguarit e Tij). Mënyra se si kjo njihet është ose e detajuar (në atë që dihet me hollësi) ose është e përgjithshme (në atë që dihet në përgjithësi). (F)

 

[8] Ajo që përmendet këtu, se njohja e detajuar e asaj që është e domosdoshme dhe e pamundur (për Allahun) është njohja e njëzet cilësive (që janë të detyrueshme dhe të njëzetave që janë të pamundura), bazohet në pohimin e gjendjeve/mënyrave (arabisht, ahual), që është bazuar në Metodën e atyre që pohojnë se ekzistojnë katër kategori: ekzistueset që mund të shihen, joekzistentet që nuk pohohen, ahualët që janë në një pozicion ndërmjetës midis ekzistuesve dhe joekzistuesve dhe së fundi, çështjet relative që pohohen por jo në nivel të gjendjeve/mënyrave (ahual). Kjo ndarje bazohet në premisën se ahual-ët janë një kategori më vete, dhe ky ka qenë këndvështrimi i Imam el-Sanusit dhe të tjerëve. Disa nga dijetarët verifikues (muhakikun) kanë thënë se e vërteta e çështjes është se nuk ka ahuale dhe se ato janë të pamundura. Imam el-Sanusi, megjithatë, ka thënë në disa nga librat e tij: “Në përgjithësi, dallimi i mendimeve në këtë çështje është i mirënjohur dhe të dyja pikëpamjet kanë provat e tyre, prandaj mendojeni mirë këtë.” Sipas pikëpamjes që mohon ahual-in – që është qëndrimi më i saktë sipas shumicës së dijetarëve – ekzistojnë vetëm tri kategori: ajo që është ekzistuese, ajo që nuk ekziston dhe çështjet relative. Pra, diçka ose ekziston ose nuk ekziston; nuk ka asnjë gjendje të ndërmjetme për një entitet në të cilin ai nuk është as i kualifikuar nga ekzistenca ose mosekzistenca. Në mënyrë të ngjashme. nuk ka pozicion të ndërmjetëm për atributet e qenësishme vetë-shënjuese (nefsijeh). (B) dhe (f)

 

 

Teksti

 

Në Ligjin e Shenjtë, është gjithashtu e detyrueshme që njeriu të dijë të njëjtat kategori të lartpërmendura (të domosdoshme, të pamundura dhe të mundshme) siç zbatohen për Pejgamberët, sepse çdo i Dërguar është një Profet dhe është e detyrueshme për ta që të zotëronë vërtetësi, pagabueshmëri dhe inteligjencë. Për të dërguarit [përveç atyre gjërave] është e detyrueshme që ta përcjellin mesazhin. Gënjeshtra, mashtrimi, fshehja, shkujdesja dhe marrëzia janë të pamundura për ta. Është e mundur që ata t’i nënshtrohen gjendjeve normale njerëzore që nuk ua ulin gradën e lartë.

 

Përktheu: Rezart Beka

 

Tags: , , , , Last modified: 08/12/2021
Close