Tarik Ramadan

 

Kurani është për myslimanët tekst referimi, burimi dhe thelbi i mesazhit që i është transmetuar njerëzimit nga Krijuesi. Është shpallja e fundit, prej shpalljeve të shumta që i janë sjellë njerëzimit përgjatë historisë. Ai është fjala e Zotit, por jo Zoti. Kurani bën të ditur, zbulon dhe udhëzon: është dritë që i jep përgjigje kërkimit për të gjetur kuptimin e ekzistencës. Kurani është përkujtim i të gjitha mesazheve të mëparshme, atyre të Nuhut, Ibrahimit, të Moisiut dhe Jezusit. Ai, ashtu si mesazhet e mëparshme, na përkujton dhe udhëzon ndërgjegjen tonë: jeta ka kuptim, ka fakte dhe shenja.

 

Ai është libri i të gjithë myslimanëve në të gjithë botën. Por, në mënyrë paradoksale nuk është libri i parë që duhet të lexojë ai që dëshiron të dijë më shumë për Islamin. Një libër për jetën e profetit, ose që e prezanton Islamin, do të ishte më i përshtatshëm, sepse Kurani është shumë i thjeshtë por njëkohësisht është dhe shumë i ndërlikuar. Natyra e mësimeve shpirtërore, njerëzore, historike dhe sociale që mund të përftohen prej tij, mund të kuptohen në nivele të ndryshme. Teksti i shenjtë është një, por shpjegimet e tij janë të shumta.

 

Për gruan dhe burrin zemra e të cilëve e ka përvetësuar mesazhin e Islamit, Kurani është i qartë. Ai është edhe Zëri edhe Rruga. Zoti i flet qenies së tij, ndërgjegjes së tij, zemrës së tij dhe e udhëzon atë në rrugën që e shpie drejt njohjes së Tij, tek takimi me Të: “Ky është libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej Allahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm”. Më shumë se thjesht një tekst, Kurani është shok udhëtimi që duhet të lartësohet, të lexohet dhe të dëgjohet.

 

Në gjithë botën myslimane, nëpër xhami, shtëpi dhe nëpër rrugë, mund të dëgjosh zëra të mrekullueshëm që lexojnë fjalët hyjnore. Këtu nuk mund të ketë ndryshim ndërmjet dijetarëve fetarë (ulematë) dhe laikëve. Kurani i flet gjithsecilit me gjuhën e tij, që t’i përshtatet inteligjencës, zemrës, pyetjeve, kënaqësisë dhe dhimbjes së tij. Dijetarët e kanë emërtuar këtë lexim apo dëgjim, si adhurim. Ndërsa myslimanët lexojnë apo dëgjojnë tekstin e shenjë, ata përpiqen ta mbushin shpirtin e tyre me dimensionin shpirtëror të mesazhit të tij; përtej kohës, përtej historisë dhe miliona qenieve që popullojnë tokën, Zoti i flet gjithsecilit prej tyre, duke i bërë thirrje dhe duke e përkujtuar secilin prej tyre, duke ftuar, duke udhëzuar, duke këshilluar dhe duke urdhëruar. Zoti i përgjigjet atij, asaj, zemrës së gjithsecilit: pa ndërmjetës, nëpërmjet një lidhjeje shumë të thellë.

 

Nuk është nevoja për studime, diploma, mësues apo udhëzues. Këtu, ndërsa bëjmë hapin e parë, Zoti na thërret me thjeshtësinë e afërsisë së tij. Kurani i përket gjithkujt, pa dallime apo hierarki. Zoti i përgjigjet kujtdo që lexon fjalën e Tij. Nuk është e rrallë të shohësh gra dhe burra, të pasur dhe të varfër, të shkolluar dhe analfabetë, lindorë apo perëndimorë të rënë në heshtje, që vështrojnë në largësi, humbasin në mendime apo qajnë. Kërkimi i tij për të vërtetën është përballur me të shenjtën, Zoti është afër: “Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet”.

 

Një dialog ka filluar. Një dialog i gjallë, i përhershëm, ndërmjet një Libri që tregon thjeshtësinë e pafundme të adhurimit të Zotit, dhe zemrës që bën përpjekjen e fortë që është e nevojshme për të çliruar veten. Në qendër të çdo përpjekjeje të zemrës gjendet Kurani. Ai ofron paqe dhe të shpie drejt lirisë.

 

Në të vërtetë Kurani mund të lexohet në disa nivele, në fusha të veçanta. Por, së pari, lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm se si është ndërtuar teksti. Kurani u shpall me pjesë, ndonjëherë si kapituj të plotë, për 23 vjet. Në formën e tij përfundimtare, teksti nuk ndjek as rend kronologjik dhe as një tematikë strikte. Fillimisht, lexuesit i bëjnë përshtypje dy gjëra: përsëritja e historive profetike dhe formulat e informacioni që u referohen ngjarjeve historike të veçanta që Kurani nuk i shpjegon. Është e kuptueshme që në këtë nivel duhet të bëhen përpjekje të dyfishta nga lexuesi: megjithëse përsëritja është në kuptimin shpirtëror, një përkujtues dhe një ringjallje, ndërsa në kuptimin intelektual na bën që të përpiqemi të rindërtojmë. Historia e Havasë dhe Ademit dhe e Musait përsëriten disa herë me elemente të ndryshme, por jo kontradiktore: detyra e inteligjencës njerëzore është të krijojë strukturën narrative, për të bashkuar të gjitha elementët, duka na lejuar të kuptojmë faktet. Por ne duhet të marrim gjithashtu parasysh kontekstin, të cilit i referohen këto fakte: të gjithë komentuesit pa dallim sipas shkollës së jurisprudencës, bien dakord se disa vargje të tekstit të shpallur (në veçanti, por jo vetëm ato vargje që i referohen luftës) flasin për situata të veçanta që u krijuan në çastin e shpalljes së tyre. Pa marrë parasysh të papriturat historike, është e pamundur të marrësh informacion të përgjithshëm për këtë apo atë aspekt të Islamit. Në raste të tilla, intelekti ynë ftohet të observojë faktet, t’i studiojë ato në lidhje me një mjedis të veçantë dhe të nxjerrë parime prej tyre. Kjo është një detyrë e vështirë, që kërkon studim, specializim dhe kujdes të madh. Ose po ta themi ndryshe, modesti të madhe intelektuale.

 

Niveli i dytë nuk është më pak kërkues. Teksti kuranor është së pari shpallja e një mesazhi, përmbajtja e të cilit ka mbi të gjitha një dimension moral. Në çdo faqe në vëmë re etikën, mbështetjen, vlerat dhe hierarkinë e Islamit që merr formë. Duke pasur këtë parasysh, leximi linear ka gjasa të çorientojë lexuesin dhe të krijojë moskoherencë, madje dhe kundërshtim. Është e saktë që me përpjekjet tona për të përcaktuar mesazhin moral të Islamit, ta trajtojmë Tekstit nga një kënd tjetër. Ndërsa historitë e profetëve nxirren nga historitë e përsëritura, studimi i kategorive etike kërkon si fillim t’i qasesh mesazhit në një kuptim më të gjerë, pastaj të nxjerrësh parimet dhe vlerat që formojnë rendin moral. Metodat që duhet të aplikohen në nivelin e dytë janë ndryshe nga e para, por ato e plotësojnë atë, duke bërë të mundur që dijetarët fetarë të përparojnë nga transmetimi i një ngjarjeje profetike, tek kodifikimi i mësimit të tij shpirtëror dhe etik.

 

Por mbetet një nivel i tretë, që kërkon zhytje të plotë intelektuale dhe shpirtërore në tekstin e shenjtë dhe në mesazhin e shpallur. Këtu detyra është të nxjerrësh porosi islame që drejtojnë çështjet e besimit të praktikës fetare dhe të normave të tij kryesore. Në një kuptim më të gjerë, detyra është të përcaktojmë ligjet dhe rregullat që do t’u bëjnë të mundur të gjithë myslimanëve të kenë një strukturë reference për obligimet, ndalimet, çështjet thelbësore dhe dytësore të praktikës fetare si dhe ato të sferës sociale. Leximi i thjeshtë i Kuranit nuk mjafton: jo vetëm që studimi i shkencës së Kuranit është nevojë, por edhe dija për segmentet e traditës profetike është thelbësore. Nga një lexim i thjeshtë i Kuranit, nuk mund të mësosh të falesh. Për të përcaktuar rregullat dhe lëvizjet e trupit gjatë namazit duhet t’u kthehemi traditave profetike të vërteta.

 

Siç e shohim niveli i tretë kërkon dije dhe aftësi të veçantë, që mund të fitohet nga një studim i gjerë dhe i lodhshëm i teksteve, i mjedisit që i rreton dhe sigurisht nga njohja e hollësishme e traditës klasike dhe laike të shkencave islame. Nuk është vetëm e rrezikshme por edhe e gabuar të bësh përgjithësime për atë që myslimanët duhet ta bëjnë apo jo, duke u bazuar tek një lexim i thjeshtë i Kuranit. Disa myslimanë duke përdorur metodën dogmatike ose literaliste janë përfshirë në interpretime të papranueshme dhe false të vargjeve uranore. Disa orientalistë, sociologë dhe komentues jomyslimanë ndjekin shembullin e tyre duke nxjerrë nga Kurani disa pjesë, të cilat i analizojnë pa marrë parasysh mjetet metodologjike që përdor ulema.

 

Përveç këtyre niveleve të veçanta të leximit, duhet të marrim parasysh interpretimet e ndryshme të parashtruara nga tradita klasike islame. Nuk mund të mos e themi se të gjithë myslimanët e konsiderojnë Kuranin si shpalljen e fundit hyjnore. Duke kujtuar përvojën e drejtpërdrejtë të shokëve të profetit, ka qenë gjithmonë e qartë se interpretimi i vargjeve të tij ka natyrë të shumëfishtë dhe gjithmonë ka ekzistuar një diversitet i pranuar i leximeve mes myslimanëve.

 

Disa kanë deklaruar në mënyrë të gabuar se për shkak se myslimanët besojnë se Kurani është fjala e Zotit, interpretimi dhe reforma janë të pamundura. Pastaj ky besim citohet si arsyeja përse një metodë historike dhe kritike nuk mund të aplikohet tek teksti i shpallur. Zhvillimi i shkencave të Kuranit – mjetet metodologjike të përdorura nga dijetarët dhe historia e shpjegimit kuranor – vërtetojnë se një përfundim i tillë është i pabazë. Që nga fillimi tre nivelet e paraqitura më sipër kanë bërë që të përdorim një metodë të matur lidhur me tekstet, që e detyron atë ndërmerr një detyrë të tillë të jetë në harmoni me epokën e tij dhe të përtërijë të kuptuarit e tij. Leximet dogmatike, të ngurta dhe me mendjengushtësi është e qartë se nuk pasqyrojnë Autorin e tekstit, por zgjuarsinë dhe psikologjinë e personit që e lexon atë. Ashtu si mund të lexojmë me mendjengushtësi nga Marksi tek Kejnes, mund ta lexojmë dhe shpalljen hyjnore në mënyrë të ngjashme. Por ne duhet që në të njëjtën kohë të jemi kritikë, mendjehapur dhe të mprehtë. Historia e qytetërimit islam na jep shumë shembuj për këtë.

 

Kur trajtojmë Kuranin nuk është as e përshtatshme dhe as nuk na ndihmon po të vëmë kufij, ndërmjet mënyrës së zemrës dhe të mendjes. Të gjithë njohësit e mirë të studimeve islame pa përjashtim, kanë theksuar rëndësinë e dimensionit shpirtëror si një ndihmës i nevojshëm për hulumtimin intelektual të kuptimit të Kuranit. Zemra ka zgjuarsinë e saj: “Ata kanë zemra me të cilat nuk kuptojnë”, dhe me këtë Kurani bën thirrje sikur do të theksojë se nuk mjafton vetëm drita e intelektit. Tradita myslimane, nga specialistët ligjorë tek mistikët sufi, është lëkundur vazhdimisht ndërmjet dy poleve: inteligjenca e zemrës lëshon dritë me të cilën inteligjenca e zemrës sheh, percepton dhe arrin të kuptojë. Si fjalë e shenjtë, teksti i Kuranit përmban shumë gjëra që janë të qarta, gjithashtu përmban sekrete dhe qetësi që zbulohen nga inteligjenca modeste, fetare dhe medituese. Arsyeja e hap tekstin dhe e lexon atë, por e bën këtë vetëm kur është bashkë me zemrën, natyrën shpirtërore.

 

Kurani është pasqyra e universit për ndërgjegjen dhe zemrën e myslimanit. Atë që përkthyesit e parë perëndimorë, të ndikuar nga fjalori biblik, e përkthyen si “varg”, në të vërtetë në gjuhën arabe do të thotë “shenjë”. Libri i shpallur, teksti i shkruar përbëhet nga shenja, po ashtu si universi që është i mbushur plot me këto shenja. Kur Kurani dhe bota lexohen me inteligjencën e zemrës dhe jo vetëm me inteligjencën analitike, të dyja i flasin njëra-tjetrës pasqyrohen tek njëra-tjetra, secila flet për tjetrën dhe për Zotin Një. Shenjat na kujtojnë kuptimin e lindjes, të jetës, të ndjenjës, të mendimit dhe të vdekjes. Por pasqyrimi është akoma më i thellë dhe i bën thirrje inteligjencës njerëzore të kuptojë shpalljen, krijimin dhe harmoninë e tyre. Po ashtu si universi ka ligjet e tij kryesore dhe rendin e tij të përsosur – që njerëzit kudo që të jenë duhet ta respektojnë kur bashkëveprojnë me mjedisin – Kurani përmban ligje, një kod moral dhe një grup praktikash që myslimanët duhet t’i respektojnë, pavarësisht se ku ndodhen apo nga koha, në të cilën jetojnë. Këto janë gjëra të pandryshueshme të universit dhe të Kuranit. Dijetarët fetarë përdorin termin kati (“përfundimtar” ose “që nuk u nënshtrohen interpretimeve”) kur u referohen vargjeve kuranore (ose haditheve të vërteta të traditës), formulimi i të cilave është i qartë dhe i hollësishëm dhe nuk ofron liri veprimi për të bërë interpretime figurative. Po ashtu krijimi mbështetet mbi ligjet universale që nuk mund të mos i marrim parasysh. Ndërgjegjja e besimtarit krahason pesë shtyllat e Islamit me ligjet e rëndesës: ato përbëjnë një realitet tokësor, përtej hapësirës dhe kohës.

 

Përderisa universi është në lëvizje të vazhdueshme, i pasur me lloje të ndryshme speciesh, qeniesh, qytetërimesh, kulturash dhe shoqërish, i tillë është dhe Kurani. Në gjerësinë e interpretimit të ofruar nga shumica e vargjeve të tij, nga shumica e parimeve dhe veprimeve që përhap në lidhje me çështjet sociale, nga qetësia që e përshkon, Kurani e lejon inteligjencën e njeriut të kuptojë evolucionin e historisë, morinë e gjuhëve dhe të kulturave dhe si rrjedhim të futet në pështjellimet e kohës dhe peizazheve të hapësirës.

 

Ndërmjet Kuranit dhe universit, ndërmjet këtyre dy realiteteve, ndërmjet këtyre dy teksteve, inteligjenca e njeriut duhet të mësojë të bëjë dallimin ndërmjet ligjeve kryesore dhe universale nga modelet rrethanore dhe historike. Inteligjenca duhet të tregohet e përulur para pranisë së rendit, bukurisë dhe harmonisë së krijimit dhe të shpalljes. Në të njëjtën kohë, duhet të menaxhojë në mënyrë krijuese dhe të përgjegjshme arritjet dhe interpretimet e veta, të cilat janë burime të suksesit të jashtëzakonshëm, por edhe të drejtësisë, luftës dhe çrregullimit. Ndërmjet Tekstit dhe kontekstit inteligjenca e zemrës dhe e aftësisë analitike përcaktojnë norma, pranojnë një strukturë etike, prodhojnë dije, ushqejnë ndërgjegjen dhe zhvillojnë kreativitet dhe ndërmarrin iniciativa në të gjitha sferat e veprimtarisë njerëzore.

 

Larg nga të qenit një burg, apo detyrim, shpallja është një ftesë për njerëzimin që të pajtohet me thelbin e tij më të thellë dhe të gjejë aty njohjen e kufizimeve të tij, por edhe potencialin e jashtëzakonshëm të inteligjencës dhe imagjinatës së tij. T’i nënshtrohesh rendit të të Drejtit dhe përjetësisë së Tij, do të thotë të kuptosh se jemi të lirë dhe të autorizuar të ndryshojmë padrejtësitë që gjenden në thelb të rendit dhe çrregullimit të gjithçkaje që është përkohësisht njerëzore.

 

Kurani është libër për zemrën dhe mendjen. Duke iu afruar atij, një burrë apo grua që ka një shkëndijë besimi e di rrugën që duhet të ndjekë dhe i di të metat e veta. Nuk është nevoja për një njeri të zgjuar apo njeri të besuar. Përfundimisht zemra e di. Ja si u përgjigj profeti (a.s.) kur e pyetën për ndjenjat morale: “Pyesni zemrën”. Edhe nëse inteligjenca jonë humbet në kompleksitetin e niveleve të ndryshme të leximit, nga etika e aplikuar deri tek rregullat e praktikës, nuk duhet të harrojmë asnjëherë të mbështillemi me dëlirësi intelektuale, sepse vetëm ajo mund t’i zbulojë sekretet e tekstit. Sepse “Në të vërtetë sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat në kraharor”. Një zemër e përulur dhe vigjilente është mike e vërtetë e Kuranit.

Last modified: 16/10/2014
Close