Muhamed Gazali

Allahu (xh.sh.), me natën e Miraxhit, i dha mundësi të dërguarit të tij që të sodiste manifestimet e madhështore të fuqisë së Tij, në mënyrë që zemra e tij të mbushej me besim në Të dhe me varësi prej Tij kur ai të përballej me forcat armiqësore të jobesimtarëve. Para se të dërgonte profetin Musa, Allahu (xh.sh.) dëshiroi që ai të shihte fuqinë e jashtëzakonshme të Tij dhe për këtë arsye e urdhëroi Musain të hidhte në tokë shkopin e tij. “(Allahu) i tha: “Hidhe atë, Musa!” Ai e hodhi atë dhe, menjëherë, (shkopi) u bë gjarpër që zvarritej. (Allahu) i tha: “Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e tij të mëparshme. Fute dorën tënde nën sqetull: ajo do të dalë e bardhë, pa kurrfarë sëmundjeje. Ja, kjo është një shenjë tjetër, për të treguar ty të tjera mrekulli Tonat edhe më të mëdha!” (Kuran 20: 19-23).

Kur zemra e tij u mrekullua përballë shikimit të këtyre shenjave të mëdha, Allahu (xh.sh.) i tha: “Shko te Faraoni! Ai me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë” (Kuran 20:24).

Siç e thamë më lart fryti i natës së Miraxhit ishte se Allahu (xh.sh.) i tregoi profetit (a.s.) madhështinë e shenjave të Tij. Por ju mund të thoni se: “kjo, ndryshe nga rasti i Musait (a.s.), ka ndodhur pothuajse dymbëdhjetë vjet pas fillimit të profecisë së Muhamedit”. Kjo është e vërtetë dhe urtësia e kësaj është ajo që kemi përmendur gjetkë, sipas së cilës mrekullitë në jetën e profetëve të mëparshëm kanë pasur për qëllim të bindin njerëzit për besueshmërinë e profetit dhe ti dërgonin ato drejt besimit. Mrekullitë, pra, kanë qenë një mbështetje për ta kur përballeshin me akuzat e ashpra të armiqëve të tyre. Gjithsesi, jeta e profetit Muhamed (a.s.) ka qenë përtej këtij niveli.

Kurani, që në ditët e para, e ka marrë mbi veten e tij përgjegjësinë për të bindur njerëzit dhe mrekullitë që kanë ndodhur gjatë jetës së profetit (a.s.) kanë shërbyer për të dalluar personalitetin e tij dhe ta ngushëlluar profetin në rast vështirësie. Kjo nuk e ka pezulluar apo shqetësuar metodën racionale të zbatuar nga Kurani1. Idhujtarët e sfiduan profetin (a.s.) të ngjitej në qiell dhe përgjigja nga Allahu (xh.sh.) ishte kjo: “Thuaj: “I Përlëvduar qoftë Zoti im! Unë nuk jam tjetër, veçse njeri- i dërguar”!

Më vonë, kur ai u ngjit në qiell, nuk e përmendi asnjëherë se kjo ishte si kundërpërgjigje ndaj sfidës së lëshuar nga idhujtarët. Çështja, siç e përmendëm më lart, kishte të bënte pastërtisht me dallimin e profetit nga njerëzit e tjerë dhe një informacion shtesë dhënë nga Allahu (xh.sh.) robit të vetë.

Përfundimi i ndërtesës

Në historinë e natës së Miraxhit ne shohim marrëdhënien e ngushtë që lidhte profetin me Allahun (xh.sh.). Ky koncept është shumë i ngulitur në parimet Islame.

“I dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu edhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”.

Përshëndetjet që u kryen natën e Miraxhit ndërmjet Muhamedit (a.s.) dhe profetëve të tjerë paraardhës e thekson akoma më shumë këtë fakt. Në çdo qiell, ku qëndronte një profet, ai u prit me fjalët: “Mirë se erdhe vëlla i drejtë”!

Çdo pohim për papërputhshmëri ndërmjet profetëve është një gënjeshtër e thurur nga kombet që kanë devijuar nga rruga e drejtë, ose më saktë, nga klerikët dhe mashtruesit të cilat e shesin fenë për pak send të kësaj bote. Në përgjigje ndaj kësaj, profeti Muhamed (a.s.) deklaroi haptazi se ai ishte një profet i dërguar për përfunduar ndërtesën të cilët të tjerët e kishin nisur para tij. Ai thotë: “Ngjashmëria ndërmjet meje dhe profetëve të tjerë është si ai njeriu i cili ndërton një shtëpi e përsos dhe e zbukuron atë, përveç vendosjes së një tulle në një cep të saj. Njerëzit fillojnë të sillen rrotull saj të habitur dhe me kënaqësi! Dhe thonë: “A nuk do të vendoset kjo tullë në vendin e saj? Unë jam ajo tullë dhe unë jam vula e profetëve“.2

Religjionet e zbritura nga shpallja hyjnore janë të mirënjohura. Duke mos përfshirë këtu ato të cilat njerëzit i kanë shpikur për veten e tyre të cilat janë pagane si Hinduizmi, Budizmi, etj. Si dhe ato religjione të krijuara nga kolonizatorët për të siguruar jetëgjatësinë e tyre sa më shumë në tokat e kolonizuara, siç janë Kadjanitë dhe Bahajtë.

Nëse qëllimet janë të pastra dhe kërkohet e vërteta, është e mundur që themelet e duhura për unitetin religjioz të gjenden. Këto duhen bazuar mbi respektin e përbashkët dhe parandalimin e anshmërisë në lidhje me dallimet derisa ato me kalimin e kohës të eleminohen apo të pakësohen. Islami i cili e konsideron mësimin e tij si një vazhdimësi të profecive të hershme dhe si tulla e fundit e një ndërtese të lashtë, është i pari që e mirëpret një gjë të tillë.

Natyra e pastër

Në natën e Miraxhit një prej aspekteve më karakteristike të besimit Islam u vu në pah, ai është natyra e tij e pastër (fitra). Në hadithin e natës së Miraxhit lexojmë si më poshtë: “Më pas mu soll një enë që përmbante verë dhe një tjetër që përmbante qumësht. Unë zgjodha qumështin dhe ai (engjëlli) tha: “Ti dhe ndjekësit e tu jeni udhëzuar në natyrën e pastër3

Natyra e pastër është thelbi i Islamit, është e pamundur që dyert e qiellit të hapen për një person natyra e brendshme e të cilit është e prishur dhe mendja e të cilit është e sëmurë. Një natyrë e prishur është si një sy i infektuar me konjiktivit i cili lëshon papastërti dhe qelb. Megjithëse këto papastërit mund të fshihen pas qepallave dhe njerëzit mund të mos e hetojnë, Zoti i njerëzve nuk mund të mashtrohet.

Ditën kur veprat e adhurimit do të bëhen si pasqyrë për natyrën e fëlliqur, ato do të konsiderohen si grada më e ulët e mëkatit. Sa më shumë njerëzit përparojnë drejt civilizimit aq më shumë ato e teprojnë në hipokrizi dhe syfaqësi. Si dhe në detyrimin e vetes në akte të mundimshme adhurimi. Shumica e kësaj atmosfere të ndotur nuk është asgjë vetëmse perde e cila fsheh kthjelltësinë verbuese të natyrës njerëzore dhe shtyp freskinë dhe pastërtinë e saj.

Referenca

[1] Shih librin tim Akidat el Muslim.

[2] Hadith i saktë, transmetuar nga Buhariu dhe Myslimi nën autoritetin e Ebu Hurejrës.

[3] Hadith i saktë, pjesë e një hadithi të transmetuar nga Sasa ibn Malik lidhur me natën e Israsë.

Last modified: 16/10/2014
Close