James Dunn

Fragment i shkëputur nga libri i Jemes Dunn, “Unity and Diversity in the New Testament, third edition, scm press, 2006.

Nga traditat në formë narrative në lidhje me Jezusin le ti kthehemi tani traditave të thënieve të Jezusit. Këtu ne shohim një shkallë të gjerë diversiteti të ngjashme me atë që kemi shpjeguar më parë. (1) Shumë nga thëniet e Jezusit janë ruajtur me një shkallë të lartë përputhje verbale ndërmjet ungjillorëve. (Marku 2.19 e mëposhtë; Mateu 8. 9 e mëposhtë; 12.41 e mëposhtë; 24.43-51). Kalimthi mund të përmendim se sa shumë thënie që gjenden në ungjillin e Thomait kanë paralele edhe në traditën e sinoptikëve (shih më poshtë fq. 308 nr.40). (2) Disa thënie janë ruajtur në kontekste të ndryshme. Përshembull, thëniet në lidhje me gjetjen ose humbjen e jetës është vendosur në dy ose tre kontekste të ndryshme (Mateu 10.39; Mateu 16.25/Marku 8.35/Luka 9.24; Luka 17:33; Gjoni 12.25); Luka ka riprodhuar thënien në lidhje me llambën dy herë (Luka 8.16; 11.33); thënia “nga frytet e juaja” ose është ngjeshur në një nga Luka 6.43-45 ose është ndarë në dy nga Mateu (7.16-18; 12.33-35); ndoshta dublikatet më domethënëse janë ato të paralajmërimit që gjendet tek Marku 8.38, Mateu 10.32 e mëposhtë, Luka 9.26, 12.8 e mëposhtë (shih gjithashtu edhe fq. 233). (3) Duhet të përmendim gjithashtu edhe thënie të cilat me shumë mundësi janë thënie autentike të Jezusit që janë ruajtur jashtë traditës së ungjijve dhe që si pasojë përbëjnë një provë për tradita të veçanta të cilat janë përshuar apo anashkaluar nga ungjillorët. Shembull tipik për këtë çështje është ruajtur tek Veprat 20.35; kodiku D i cili versionin e Lukës 6.5 (të njeriut që po punonte ditën e shtunë) e zgjeron me thënien: “Njeri- nëse ti e di se çfarë je duke bërë atëherë je i bekuar; por nëse nuk e di, je i mallkuar dhe një shkelës i ligjit”; si edhe shembulli i ungjillit të Thomait Logia nr. 82: “Ai që është afër meje është afër zjarrit dhe ai që është larg prej meje është larg Mbretërisë së Perënsisë1. (4) Disa thënie janë interpretuar në mënyra të ndryshme gjatë procesit të transmetimit. Kështu psh. një origjinal në aramaikisht i përkthyer në mënyra të ndryshme në gjuhën greke duket se është burimi i versioneve mospërputhëse në mënyrë domethënëse: Marku 3.28 e mëposhtë (biri i njeriut), por Mateu 12:32/Luka 12.10 (Bir i Njeriut) (shih edhe më poshtë fq. 41 nr. 16); Marku 4;12 (‘në mënyrë që’), por Mateu 13.13 (‘sepse’)2. Po ashtu ka shumë për të thënë për këndvështrimet e C.H. Dodd dhe J. Jeremias sipas të cilëve parabolave të ndryshme të Jezusit i janë dhënë kuptime të ndryshme, gjatë procesit të transmetimit, nga ato që kishte për qëllim Jezusi. Shumë e njohur është ndryshimi i ‘parabolës së krizës’ në një parabolë që flet për ardhjen e dytë të Jezusit (Marku 13.34-36; Mateu 24:43 e mëposhtë/ Luka 12:39 e mëposhtë; Mateu 25. 1-13)3. Krahaso, gjithashtu, edhe mënyrat e ndryshme në të cilat është paraqitur predikimi i Gjon Pagëzorit, predikuesi i gjykimit të zjarrtë sipas burimit Q (Mateu 3.7-10/ Luka 3. 7-11), tek Marku (1.4-8- jo zjarr, jo gjykim) është vetëm një predikues i pendimit, ndërsa në ungjillin e Gjonit ai është vetëm një dëshmitarë për Jezusin (1.19-34; 3. 27-30- jo zjarr, jo gjykim, jo pendim). Ndoshta më e habitshme është tradita për thënien e Jezusit në lidhje me shkatërrimin dhe rindërtimin eskatologjik të tempullit. Tek Marku ajo është ruajtur thjesht vetëm si një dëshmi e rreme e ngritur kundër Jezusit, Marku 14.58/ Mateu 26.61, por Gjoni ia vesh atë vetë Jezusit (Gjoni 2:19; shih më poshtë fq.44). Se si e kanë kuptuar këtë thënie besimtarët e parë nga Jeruzalemi nuk është e qartë, si një dëshmi e rreme, apo si premtimi se tempulli duhet të tjetë fokusi i ringjalljes eskatologjike për Izraelin (shih më poshtë fq. 353)? Sido që të ketë qenë, nga Veprat 6.14 është e qartë se Stefani e kishte kuptuar atë si një fjalë gjykimi mbi tempullin (shih më poshtë fq. 106, 293 e mëposhtë). (5) Duhet ti kushtojmë, gjithashtu, vëmendje edhe mënyrës se si fjalët e Jezusit janë ndryshuar në mënyrë të qëllimshmegjatë procesit të transmetimit, të ndryshuara deri në atë farë derexheje sa të japin një kuptim krejt të ndryshëm nga ajo që Jezusi kishte dashur të thoshte. Përshembull, fillimi i dialogut të Jezusit me djaloshin e pasur: Marku 10.17 e mëposhtë- “Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?. “Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.”; por Mateu 19.16 e mëposhtë: ” Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?” “Përse më pyet mua rreth asaj që është e mirë, vetëm një është i mirë”. Vëreni gjithashtu mënyrën se si verdikti i prerë dhe i qartë i Jezusit kundër divorcit, që është ruajtur tek Marku 10.11, është zbutur me shtesën e klauzolës së kurvërisë tek Mateu 19.9, si dhe gjithashtu zbutjem akoma më shumë të këtij rregulli në rastin e martesave mikse që është ruajtur tek 1 Korintasve 7.15 (shih edhe fq. 267). Sërish, shihni mënyrën se si Luka mjeshtërisht ka shmangur nevojën për të paraqitur shfaqje të Jezusit pas ringjalljes në Galile duke mohuar Markun 14. 28 dhe duke e shndërruar premtimin e shfaqjes së Galile që gjendet tek Marku 16:6 e mëposhtë në një reminishencë të një fjale të thënë nga Jezusi ndësa ishte ende në Galile (Luka 24.6 e mëposhtë; shih për më tepër fq. 386 e mëposhtë) (6) Së fundmi, mund të themi se ka të dhëna të qarta se, ndonëse jo shumë shpesh, në disa raste një thënie e caktuar e krijuar nga kisha e hershme i është shtuar traditës së Jezusit gjatë procesit të transmetimit. Kështu psh. Mateu 18:20 me siguri është një premtim i proklamuar në emër të Jezusit të lartësuar nga ndonjë profet i kishës së hershme dhe e pranuar nga kisha të ndryshme si në thënie e Jezusit. Ngjashëm, ndonëse jo kaq e sigurtë sa ajo që sapo përmendëm, Luka 11.49-51. Mateu 11. 28-30 me shumë mundësi është një interpretim profetik i thënies që gjendet në burimin Q 11:25-27, në të cilën Jezusi i lartësuar i cili kishte folur në tokë si i dërguari i Urtësisë tani kuptohet sikur është vetë Urtësia (shih për më tepër fq. 279 e mëposhtë, 308 e mëposhtë). Një nga shembujt më të mirë për të treguar shtesat interpretative, rrjedhojë e ndryshimit të prespektivës që kishte sjellë prurja e misonit tek Xhentilët, është edhe Marku 13.10 (shtesë e Markut, që prish rrjedhshmërinë e mendimit, dhe në të cilën ndodhet përdorimi i termit ungjill, tipike kjo për Markun.) Në të vërtetë krejt kapitulli 13 i Markut lejon disa nga materialet më frutdhënëse për kërkimet mbi traditën historike. (shih më poshtë fq. 353, nr. 27)

Si përfundim duhet të themi se kisha e hershme nuk e ka pasur menduar traditën mbi Jezusin, si diçka të fiksuar, si një trup traditash përmbajtja dhe organizmi i të cilave ishte e vendosur që në fillim4 Fakti që kaq shumë tradita në lidhje me fjalët dhe veprat e Jezusit janë ruajtur tregon se ato kanë qenë parë si të vlefshme nga bashkësitë e hershme, e në këtë mënyrë duhet të kenë luajtur një rol në modelimin e predikimit dhe praktikës së tyre (shih fq. 38. nr. 8). Por tradita në vetvete nuk është mësuar si një gjë që ishte e kryer si në përmbajtje ashtu edhe në formë, kështuqë autoriteti i tyre ka qenë subjekt i përshtatjeve dhe interpretimeve të bëra nga Shpirti profetik me ndyshimin e situatave. (krahaso Mateun 13:52)

[*] James Dunn ka qenë profesor of Divinity në Universtitetin e Durhamit. Ai është autor i shumë librave dhe njihet si një prej ekspertëve më të mëdhenj botëror për studimet e Dhjatës së Re.

Përktheu: Rezart Beka

 

 

Referenca

 

[1] Shih J. Jeremias, Unknown Saying of Jesus,3 1963, ET SPCK2 1964, fq. 61-73; O. Hofius, ‘Unbekannte Jesusworte’, Das Evangelium und die Evangelien, ËUNT 28Tübingen 1983, fq. 355-82.

[2] Krahaso T. W. Manson, The Teaching of Jesus, Cambridge University Press 1931, fq. 75-80.

[3] C.H. Dodd, The Parables of the Kingdom, 1935, Nisbet 1955, ch. V; J. Jeremias, The Parables of Jesus, 61962, ET SCM Press 1963, fq. 48-63, shih gjithashtu C.E. Carlston, The Parable of the Triple Tradition 1975; si dhe shih për më shumë fq. 349.  

[4] Tezë e argumentuar nga B. Gerhardsson, Memory and Manuscript, Lund 1961; krahaso me herët, H. Riesenfeld, The Gospel Tradition and its Beginnings, Mowbray 1957. Mbi mundësinë që Mateu e kishte konceptuar ungjillin e tij si një formë më e fiksuar e mësimeve të Jezusit, shih më poshtë fq. 393 e mëposhtë.

Last modified: 03/01/2021
Close