Imam Neveviu

Fragment i shkëptur nga libri i Imam Neveviut, “El-Mekasid: Ma jexhibu ma’rifetuhu min el-din”(Objektivat: Çfarë është e domosdoshme të njihet prej fesë”. (Botime: Mektebeh el-Ghazali, Siri 2001), fq. 56-66

Rregullat e udhës së sufizmit

Rregullat kryesore të udhës së sufizmit janë pesë: 1) Druajtja ndaj Zotit, privatisht dhe publikisht, 2) të jetuarit sipas Sunetit, me fjalë dhe me vepra, 3) Indiferenca karshi faktit nëse të tjerët refuzojnë apo pranojnë, 4) Kënaqësia ndaj Zotit në bollëk dhe mungesë bollëku dhe 5) Kthimi tek Allahu, në lumturi apo bela.

1) Droja ndaj Zotit arrihet përmes skrupolozitetit dhe ndershmërisë.

2) Ndjekja e Sunetit arrihet përmes kujdesit dhe karakterit të mirë.

3) Indiferenca ndaj pranimit apo refuzimit të të tjerëve arrihet përmes durimit dhe mbështetjes tek Zoti.

4) Kënaqësia ndaj Allahut arrihet përmes kënaqisë me atë që njeriu ka dhe të strehuarit tek Zoti gjatë ndonjë belaje.

5) Të strehuarit tek Zoti i lartësuar arrihet përmes mirënjohjes ndaj Tij gjatë lumturisë dhe të strehuarit tek Ai gjatë ndonjë belaje.

Themelet e rregullave

Themelet e gjithë kësaj konsistojnë në pesë gjëra: 1) aspiratat e larta, 2) ruajtja e përnderimit të Zotit, 3) dhënia e shërbimit më të mirë, 4) ruajtja e vendosmërisë shpirtërore 5) vlerësimi i bekimeve të Zotit.

1) Cilido person aspirimi i të cilit është i lartë edhe shkallët e tij rriten.

2) Cilido që përnderon Zotin, Zoti e ruan respektin e tij.

3) Ndaj cilitdo që kryen një shërbim të mirë do të tregohen bujari.

4) Cilido që ruan vendosmërinë e tij shpirtërore do të vazhdoj të ketë udhëzim.

5) Cilido që vlerëson bekimet e Allahut do të jetë mirënjohës për ato dhe cilido që është mirënjohës për ato do ti shohë domosmërish ato të rriten.

Shenjat e sufizmit

Parimet  e shenjave të sufizmit tek një person janë pesë: 1) kërkimi i dijes në mënyrë që të kryej urdhërat e Zotit, 2) të qendruarit me shehlerë dhe dishepujve  në mënyrë që të arrij të shoh me syrin e brendshëm (tebasur), 3) Evitimin, në mënyrë që të tregohet i matur, të lehtësimeve dhe interpretimin metaforik të shkrimit të shenjtë. 4) organizmi i kohës rreth veprave të mira në mënyrë që ruhet prania e zemrës, 5) dyshimi i vetes në çdo çështje, në mënyrë që njeriu ta çliroj veten nga kapriçoja dhe të jetë i sigurt nga shkatërrimi.

1) Kerkimi i dijes vihet në rrezik nga të mbajturit shoqëri me të rinjtë, qoftë në moshë, mentaliteti apo fe, të cilët për tu udhëzuar nuk i referohen një principi apo norme të mirëthemeluar.

2) Ruajtja e shoqërisë me shehlerët apo dishepujt vihet në rrezik nga vetëmashtrimi dhe preokupimi me gjera të parëndësishme.

3) Braktisja e lehtësimit apo interpretimi metaforik i shkrimit të shenjtë vihet në rrezik nga butësia kundrejt vetes.

4) Organizimi i kohës mbi veprat shpirtërore vihet në rrezik nga të kërkuarit për gjithnjë e më shumë adhurimeve nafile.

5) Të venurit në dyshim të vetes vihet në rrezik nga të kënaqurit nga fetaria dhe ndershmëria personale.

Të kuruarit e nefsit (ego)

Parimet e kurimit të egos janë pesë: 1) lehtësimi i stomakut duke e pakësuar sasinë e ushqimit apo pijeve (që fusim në të); 2) Të strehuarit tek Allahu i lartësuar nga çdo e papritur që na godet; 3) Të evituarit e situatave për të cilat personi druhet (se po ti kryej) do të bie viktimë në to; 4) Të kërkuarit përherë falje Allahut dhe kryejen e salavateve mbi Profetin (a.s.), ditë e natë, me prani të plotë të mendjes dhe 5) të ruajturit e shoqërisë me atë që e udhëzon njeriun për tek Allahu.

Të mbërriturit tek Zoti.

Besimtari mbërrin tek Zoti duke 1) u penduar nga çdo gjë e haram (e ndaluar) dhe mekruh (e urryer); 2) të kërkuarit e dijes në sasinë e mjaftueshme; 3) të ruajturit gjithnjë të pastërtisë rituale (abdes); 4) të kryerit e namazeve farz në fillim të kohës së tyre  dhe të falurit e tyre me xhemat (si edhe falja e nafileve që shoqërojnë namazet farz); 5) të kryerit gjithnjë të tetë rekateve sunet të namazit të duhasë, gjashtë rekateve ndërmjet akshamit dhe jacisë, faljes së natës pas ngritjes nga gjumi si edhe faljen e namazit të vitrit; 6) të agjëruarit të Hënën dhe të Enjten dhe në netët e bardha (d.m.th. në ditën e 13-14-15- të çdo muaji), si edhe të ditëve të tjera gjatë vitit ku është mirë të agjërohet. Të recituarit e Kuranit me prani të zemrës dhe të reflektuarit mbi kuptimin e tij; (8) të kryerit e shumtë të istigfarit (kërkimit të faljes) dhe 9) të kryerit rregullisht të dhikreve sunet në mëngjes dhe mbremje […].

Kjo është mjaftueshme për ata që arrihen nga ndihma hyjnore dhe Zoti është ai që jep udhëzim dhe udhëzon në rrugën e drejtë. Allahu na mjafton dhe është më i miri për tiu mbështetur. Amin.

Përktheu: Rezart Beka

Tags: , , , , Last modified: 02/01/2021
Close