TwitterFacebookPinterestGoogle+

Notre-Dame, Big Ben dhe Venediku “islamik”… origjinat lindore të arkitekturës perëndimore

Oliver Wainwright

Fragment i shkëputur nga Oliver Wainwright, Looted landmarks: How Notre-Dame, Big Ben and St Mark’s were stolen from the east, The Guardian Thu 13 Aug 2020

https://www.theguardian.com/artanddesign/2020/aug/13/looted-landmarks-notre-dame-big-ben-st-marks-east-stealing-from-the-saracens

Si u grabitën në lindjen myslimane projektet e Notre-Dame, Big Ben dhe Bazilikës së Shën Markut

Ato janë fanarë të civilizimit perëndimor. Por, siç thotë një libër i ri tronditës, projektet e ndërtesave më madhështore të Europës janë plaçkitur nga bota islame – kullat binjake, dritaret e trëndafilit, tavanet kube, dhe gjithçka tjetër

Oliver Wainwright

Kur Katedralja e Notre-Dame u përpi nga flakët vitin e kaluar, me mijëra vetë vajtuan humbjen e këtij fanari madhështor të civilizimit perëndimor. Simboli fundor i identitetit kulturor francez, vetë zemra e kombit, po shndërrohej në shkrumb e hi. Por ekspertes së Lindjes së Mesme, Diana Darke, i bluante në kokë tjetërçka. Ajo e dinte mirë se origjina e kësaj ngrehine madhështore gotike nuk shtrihej në analet ‘e pastra’ të historisë së krishterë evropiane, sikundërse shumëkush ka supozuar gjithnjë, por në shkretëtirat malore të Sirisë, në një fshat në perëndim të Halepit për të qenë më të saktë.

“Projekti arkitekturor i Notre-Dame, si të gjitha katedralet gotike në Europë, vjen drejtpëdrejt nga kisha e shekullit të pestë në Siri e quajtur Qalb Lozeh,” shkruajti në Tweeter Darke mëngjesin e 16 prillit, teksa pluhuri akoma nuk kishte rënë në Paris. “Kryqëtarët sollën në Europë konceptin e “kullave binjake në krah të dritares trëndafil” në shekullin e dymbëdhjetë.”

Figura 1

Kulla binjake dhe një dritare trëndafil … rrënojat e Kishës Qalb Lozeh në Siri, frymëzimi i Notre-Dame. Fotografia: Bertramz

Nuk janë vetëm kullat binjake dhe dritarja trëndafil që i kanë rrënjët e tyre në Lindjen e Mesme, vë ajo në dukje, por gjithashtu edhe kubeja e hullizuar, harakadat e thyera, dhe madje edhe receta për vetrazhet me qelq të bojatisur. Arkitektura gotike, sikundër e njohim ne, i detyrohet shumë më tepër trashëgimisë arabe dhe islame se sa ç’i detyrohet gotëve të harbuar. “Ngela e befasuar nga reagimi,” thotë Darke. “Mendoja se shumë më tepër njerëz e dinin këtë, por duket se ekziston një hendek i madh injorance në lidhje me historinë e përvetësimit kulturor. Në sfond të një Islamofobie gjithnjë e në rritje, gjykova se ka ardhur koha që dikush të hedhë dritë mbi këtë narrativë.”

Në librin  Grabitja nga Saraçenët (Stealing from the Saracens), një libër i gjallë dhe me një punë kërkimore skrupuloze që hedh dritë mbi shekujt e huazimeve, ajo gjurmon rrënjët e ndërtesave kryesore të Europës – nga Selitë e Parlamentit në Londër dhe Westminister Abbey deri katedralja Chartres dhe bazilika e Shën Markut në Venedik – tek pararendëset e tyre në Lindjen e Mesme. Është po aq një rrëfenjë e pushtetit politik, pasurisë dhe modës sa ç’është edhe e besimit fetar, me tregimet e kryqëtarëve që plaçkitnin, peshkopë të dhënë pas modës dhe tregtarë që shkelnin në çdo qoshk të globit ku zbulonin stile dhe teknika të reja dhe i sillnin ato më pas në vendlindje.

“Sot kemi nocionin e lindjes dhe perëndimit,” thotë Darke. “Por në atë kohë, nuk ka qenë aspak kështu. Ka patur shkëmbime të mëdha kulturore – dhe pjesa më e madhe vinin nga lindja në drejtim të perëndimit. Anasjelltas qarkullonte fare pak.”

Figura 2

Kryevepër e gjeometrisë … interieri i shkëlqyer i Xhamisë së Madhe të Kordobës. Fotografia: Ingo Mehling

Po të kemi parasysh mbizotërimin e tyre në katedralet e mëdha të Europës, është e lehtë që të imagjinohet se arkadat e thyera me gurë dhe kubetë e hullizuara janë me origjinë të krishterë. Por të parat i kanë rrënjët në një faltore islame të shekullit të shtatë në Jeruzalem, ndërkohë që të dytat patën fill në një xhami të shekullit të dhjetë në Andaluzi të Spanjës. Në fakt, shembulli i parë i kubesë së hullizuar është ende në këmbë sot e kësaj dite. Vizitorët në Cordoba Mezquita mrekullohen para harkadave të shumëfishta që ndërthuren në një kryevepër të gjeometrisë praktike dhe strukturës ornamentale, duke mos e ndjerë kurrë nevojën për qoftë edhe një riparim të vetëm në një mijë vitet e ekzistencës së saj. Maksura me kube – pjesa e xhamisë që i rezervohej kalifit sundimtar – ishte e projektuar që të hidhte një vezullim shenjtërues mbi udhëheqësin. Megjithatë, fletushka zyrtare që gjendet sot aty të tregon pakogjë për prejardhjen islame të ndërtesës, ndoshta për shkak se që nga viti 1236 ajo është shndërruar në kishë katolike.

Harkada e thyer, nga ana tjetër, ishte një zgjidhje pragmatike për një problem që e hasën muratorët që punuan për Kubenë e Shkëmbit në Jeruzalem. Njëra nga vendet më të shenjta në botën myslimane, ajo u ndërtua në vitin 691 nga sundimtari i perandorisë së parë islame. Sfida ishte se si të përvijohej një harkadë e jashtme me harqe të rrumbullakëta me një harkadë të brendshme më të vogël, ndërkohë që të ruhej një tavan horizontal ndërmjet tyre. Në mënyrë që të çarat të radhiteshin drejt, ndërtimtarët duhet t’i jepnin harkadës së brendshme harqe më të ngushta, duke i detyruar ato që të bëheshin me majë, pra të thyera. Një tjetër element që është prurë për herë të parë mund të pikaset më lart në faltore, atje ku kubeja rrethore është një harkadë me harqe të trefishta, një stil i harkut me tre lobe që më vonë praktikisht praroi çdo katedrale evropiane, i përvetësuar me zell si një simbol i Trinisë së Shenjtë.

“Tronditem pareshtur,” thotë Darke, “se sa shumë nga këto elementë që ne i mendojmë si thelbësisht të krishtera dhe evropiane janë të bazuara mbi injorancën dhe keqinterpretimin e formave islame shumë të mëhershme.” Ajo vë në dukje se ndikimi i pamasë i Kubesë së Shkëmbit kaloi tek kryqëtarët e mesjetës të cilët gabimisht mendonin se ndërtesa ishte Tempulli i Solomonit.

Figura 3

 Pamje e njohur ? … nga e majta, brendia e Kubesë së Shkëmbit në Jeruzalem, dhe Kisha e Tempullit në Londër. Kompozit: Virtutepetens/Getty Images/iStockphoto

Ata përdorën planin rrethor me kube të kësaj faltoreje që ata supozonin se ishte e krishterë si model për kishat e tyre tempullare (siç është Kisha e Tempullit në Londër), madje duke kopjuar edhe mbishkrime dekorative arabe, të cilat qortojnë haptazi të krishterët që besojnë në Trinitet dhe jo Zotin një. Modelet e tyre kaligrafike pseudo-kufase stolisën më vonë edhe punimet në gurë të katedraleve franceze dhe bordurat e tekstileve të endura me mjaft luks, pa qenë askush i vetëdijshëm se çfarë kuptimi kishin ato në të vërtetë.

Pështjellimi u përhap edhe më tutje falë hartës së parë të shtypur të Jeruzalemit, e botuar në Mainz të Gjermanisë, në vitin 1486. Harta në fjalë jo vetëm që e emërton gabimisht Kubenë e Shkëmbit si Tempulli i Solomonit, por madje edhe e përshkruan ngrehinën me një kube të shkëlqyer me majë që zvogëlohet, pak a shumë në formë qepe – një fantazi e kulluar orientaliste nga mendja e një artisti hollandez i gravurave prej druri të quajtur Erhard Reeuwich. Libri ku gjendej harta u bë një bestseller i kohës, duke u rishtypur 13 herë dhe përkthyer në shumë gjuhë, dhe duke influencuar kësodore përhapjen e kishave me kube me që zvogëlohet në mbarë Evropën e shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Bëhet fjalë për një rrëfenjë të ngatërrimit të identitetit dhe të pasojës së paqëllimshme që është e denjë për një skeç nga Monty Python (kolektiv humoristësh britanikë, ngjashëm me “SHBLSH” sh.p.).

Megjithatë, transferimi i motiveve islame drejt perëndimit nuk ka qenë gjithnjë kaq i thjeshtë. Harku i thyer ndoqi një rrugë disi më të gjatë. Darke gjurmon se si harqet u përhapën fillimisht në Kajro, duke u bërë me të mprehtë dhe më me majë në periudhën e Perandorisë Abasite, dhe se si u soditën me admirim nga tregtarët vizitorë nga porti i pasur italian i Amalfit, të cilët i kanalizuan zbulimet e shtegtimeve të tyre në bazilikën e tyre eklektike të shekullit të 10. Kjo ndërtesë ekzotike amalfitane ra në sy të Abatit Desiderius, i cili vizitoi Amalfin në vitin 1065 në një udhëtim që kishte për synim blerjen e mallrave të rrallë të luksit, dhe vendosi që të merrte dizenjon e dritares së thyer për manastirin e tij në Monte Cassino.

Figura 4

Figura: Më tepër arabe se evropiane … Kuberja e Shkëmbit në Jeruzalem, majtas, dhe bazilika e Shën Markut në Venedik, apo Venecia. Kompozit: Godot13/Zairon

Ato dritare u kopjuan më pas për abacinë benediktine në Cluny në Francë, kisha më e madhe në botën e asaj kohe. Abatit Suger, këshilltar i mbretërve Luigji VI dhe Luigji VII, i pëlqeu fort se si dritaret linin që të hynte më tepër dritë, dhe zbatoi menjëherë të njëjtin dizenjo në bazilikën e tij të Sën Denisit në Paris. E konsideruar si struktura më e hershme plotësisht gotike, bazilika në fjalë u përfundua në vitin 1144 dhe arkitekti i saj më vonë punoi në Notre-Dame. “Të gjithë e kopjuan atë,” thotë Darke. “Këto ishin kishat më të fuqishme në Europë, kështu që stili u bë plotësisht i suksesshëm, siç ndodh rëndom me të gjitha gjërat që bëhen modë. Kur njerëzit e fuqishëm përvetësojnë diçka, të gjithë fillojnë ta duan atë.”

Lista vazhdon. Kemi minaret e hershme katrore, që gjenden në ndërtesa të tilla si Xhamia e Madhe e Damaskut, që janë si kon dhe bëhen më të holla në majë dhe janë të kurorëzuara me një kube ornamentale në majë në formë poçi. Këto frymëzuan kullat e mëdha italiane siç janë ato të bashkisë së Firences, dhe të Campaniles, Këmbanares, së Shën Markut në Venedik, duke prefigurizuar shekuj të këmbanave kishtare.

Duke  përdorur si burim punën kërkimore të historianes së arkitekturës Deborah Howard, Darke tregon se Venecia ka qenë më tepër arabe se sa evropiane, që nga vendkalimet e ngushta gjarpërueshe dhe shtëpitë me oborr me hajat në çati, e deri te ornamentimi islamik i Pallatit të Doxhëve (modeluar sipas Xhamisë al-Aksa në Jeruzalem) dhe kubetë gjysmë rrethore të Shën Markut. Të gjitha ato janë fryt i udhëtimeve të bëra nga tregtarët venedikas në Egjipt, Siri, Palestinë dhe Persi, të mbrujtura edhe me një nivel ndikimi që shtrihej madje edhe në modë: gratë në Venedik dilnin në publik të mbuluara me vel dhe rrinin të veshura me të zeza nga koka gjer te këmbët. “Fytyrat e tyre nuk mund të shihen gjallë në botë,” komenton një burim i shekullit të pesëmbëdhjetë. “Ato dalin në rrugë aq të mbuluara, saqë unë nuk e kuptoj se si ato arrijnë të shohin rrugën.”

Libri vjen në një kohë të ngarkuar, kur arkitektura e presupozuar si perëndimore po mobilizohet nga grupet nacionaliste të ekstremit të djathtë për të fuqizuar vizionin e tyre të idealizuar për një identitet “të pastër” evropian. Sot në mediat sociale ka profile pa fund që promovojnë  mesazhet e supremacisë së bardhë të maskuara si vlerësime trashëgimore, ndërkohë që dekrete qeveritare të nxjerra së fundmi në lidhje me traditën dhe bukurinë bartin nuanca të ngjashme. Vepra e Darke është një goditje plot elokuencë për një propagandë të tillë të stilit ‘gjellë-qensh’të rrëmbushur me injorancë dhe që shpalos se si  monumentet e idealizuara nga alt-right i kanë rrënjët e tyra pikërisht në kulturën për të cilën ata ngrejnë aq shumë dyshime.

Figura 5

Kohë e huazuar … nga e majta, minareja tashmë e shkatërruar e Xhamisë së Madhe në Halep të Sirisë; dhe Big Ben në Londër. Kompozit: Alamy/Getty Images/Dorling Kindersley

Injoranca është gjerësisht e përhapur, dhe ndoshta gjëja më befasuese në librin Grabitja nga Saraçenët është se shumëçka që shkruhet aty nuk ka përse të jetë aspak befasuese për lexuesin modern. Tekefundit, përgjatë gjithë librit, Darke evokon fjalët e Christopher Wren, i cili ishte fort i vetëdijshëm për origjinën mediorientale të arkitekturës gotike, dhe për teknikat strukturore që ai përdori në Katedralen e Shën Palit në Londër.

“Stili gotik modern,” shkruante ai në vitet 1700, “spikat nga lehtësia e punës, nga guximi i ekzagjeruar i lartësive… nga delikatesa, shkapërderdhja dhe imagjinata ekstravagante e ornamenteve … Prodhime të tilla, kaq të gjera, nuk mund t’i pranojnë gotët hijerëndë si autorë të tyre.” Më saktë, konkludonte ai, “nga të gjitha shenjat, kjo arkitekturë e re mund t’i atribuohet vetëm Maorëve; apo atyre që janë e njëjta gjë, arabëve apo saraçenëve.”

Ironia këtu gjendet tek vetë emri: në kohën e Wren, saraçen ishte një term pezhorativ për myslimanët arabë, kundër të cilëve kryqëtarët kishin bërë edhe të tyren “luftë të shenjtë”. Fjala saraçen zuri fill nga fjala arabe “saraka”, që do të thotë “të vjedhësh”, pasi saraçenët shiheshin si plaçkitës dhe hajdutë. U harrua se Kryqëtarët plaçkitën ç’të mundnin në shtegun e tyre nëpër Europë, Jeruzalem dhe Konstandinopojë – duke vjedhur edhe mrekullitë e arkitekturës islamike përgjatë rrugës, dhe duke i praruar me bojë origjinat e kësaj plaçke të tyre në rrugë e sipër.

Përktheu: Arjol Guni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *