TwitterFacebookPinterestGoogle+

Mjedisi në këndvështrimin hebre

Normon Solomon
 

Fragment i shkëputur nga libri “Abraham’s Children”, t&t clark 2005.

Fjala ‘ekologji’, e derivuar nga termi grek oikos (‘shtëpi’), mund të interpretohet lehtësisht si “shkenca e kuptimit dhe përkujdesjes për shtëpinë tonë”. Ekziston vetëm një shtëpi, ne duhet ta ruajmë planetin tonë, ti përdorim së bashku dhe në mënyrë të paqshme burimet e tij, përndryshe do të shkatërrohemi. Cfarë kontributi mund të japë besimi religjioz në ruajtjen e mjedisit? Hebrenjtë dhe të krishterët ndajnë një traditë biblike të përbashkët përsa i përket krijimit dhe ndonëse myslimanët mbështeten në burime të tjera shkrimore, përsëri të treja religjionet mund të konfirmojmë së bashku një gamë të gjerë vlerash që lidhen me botën e krijuar. Në pjesën e parë të kësaj eseje do të përcaktoj dhe sqaroj gjashtë parimet kryesore të qasjes judeo-krishtere ndaj natyrës. Në pjesën e dytë, do të shpjegoj disa prej fushave problematike dhe më pas do të jap disa këshilla për tu përdorur për mësim dhe predikim.

 

Gjashtë parimet

 

Parimi i parë: Krijimi është i mirë; ai reflekton madhështinë e Krijuesit të tij. Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë.”. Judaizmi konfirmon jetën, jo vetëm jetën njerëzore, por edhe biosferën në tërësi.

A janë Judazmi, Krishteirmi apo Islami biocentrikë? Sigurisht që jo. Besimi nuk fokusohet tek bios-i, por tek Zoti. Ne jemi tocentrikë dhe jo biocentrikë. Të fokusoshesh tek cdokush tjetër përvec Zotit përbën idhujtari. Natyra mbart ‘firmën’ e Perëndisë, ajo pasqyron madhështinë e Tij, kështu që të barazosh Zotin me natyrën është panteizëm. Prandaj ne e mohojmë Spinozën, deizmin dhe dues sive natura; është kjo arsyeja përse ne refuzojmë ligjërimet e shkujdesura të gaia-s si një “perëndeshë e tokës”, një hyjni më vete; ka vetëm një Zot dhe vetëm Ai mund të urdhërojë.

Rabini Abraham Isak Kook (1865-1935), mbështetur në burime hebraike, duke nisur nga psalmet e deri tek misticizmi Lurianik, e ka kuptuar në mënyrë të mrekullueshme domethënien hyjnore të gjithckaje: “Më kujtohet që me hirin e Perëndisë në vitin 5665 [1904-1905] vizitova Jafën që ndodhet në tokën e shenjtë dhe shkova t’i tregoj respektin tim kryerabinit të qytetit [Rabini Kook]. Ai më priti ngrohtësisht…dhe pas faljes së drekës unë e shoqërova atë teksa ai, sic e kishte zakon, dilte për në fusha për të përqëndruar mendimet e tij. Ndësa po ecnim unë këputa disa lule ose bimë; ai u drodh dhe me qetësi më tha se ai kujdesej gjithnjë shumë që të mos shkulte, vec nëse ishte e nevojshme, asnjë bimë që rritej… Cdo gjë që rritet thotë dicka, cdo gurë përshpërit ndonjë sekret, i gjithë krijimi këndon”  [3]

Kook-i dëgjonte himnin që natyra i këndonte Zotit. Ai këndoi jo në lëvdatë të natyrës, por me natyrën në lavdërim të Zotit, në përputhje me psalme të tilla si psalmi 104 dhe 148.

Parimi i dytë: Biodiversiteti, shumëllojshmëria e pasur e natyrës, duhet ruajtur. Libri i Zanafillës përshkruan se si gjithcka ishte krijuar “sipas llojit të saj”; më pas Adami emërtoi cdo kafshë. Noeu ruajti në arkën e tij një popullatë të përbërë nga një mashkull dhe një femër të aftë për t’u riprodhuar prej çdo specieje. [4]

Një sërë urdhërimesh biblike theksojnë dallueshmërinë e specieve. Në ditët tona, ne duhet ta lexojmë listën dietike [5], ligjet që ndalojnë përzierjen e farërave[6], të leshit me lirin [7], ndalimin e hibridizimit apo bashkimit të kafshëve të ndryshme [8] si vërtetim i detyrës religjioze për ruajtjen e biodiversitetit.

Nën këtë kapitull, duhet të konsiderojmë, gjithashtu, edhe shumëllojshmërinë e mjediseve. Sipërfaqe të mëdha janë prekur nga shkretimi  dhe forma të tjera të degradimit të tokës. Pyjet janë shkatërruar keqazi në shekullin e kaluar; moçalishtet dhe mjedise të tjera të vecanta kanë humbur përgjithnjë, e së bashku me to edhe specie të shumta e të pazëvëndësueshme bimësh dhe kafshësh. Kjo është, qartësisht, në kundërshtim me mësimin biblik.

Parimi i tretë: Qëniet e gjalla rradhiten nga më e ulta deri tek më e larta, me njerëzimin në majë të hierarkisë.

Kapitulli i parë i librit të Zanafillës përshkruan krijimin e rendit nga kaosi i qëmotshëm. Rrjeta e jetës përfshin gjithcka; qëniet njerëzore, si mashkulli ashtu edhe femra, duke qenë të krijuara sipas “imazhit të Perëndisë” [9] qëndrojnë në majë të kësaj strukture. Në gjërat e krijuara ekziston një hierarki.

Modeli hierarkik mbart në vetvete disa rrjedhoja praktike. Së pari, më i larti ka përgjegjësi karshi atyre që qëndrojnë poshtë tij. Tradicionalisht kjo është shprehur si “sundim”, më pas është njohur si “kujdestari”. Së dyti, në një situatë konkurruese, ai që qëndron më lart ka prioritet ndaj atij që qëndron poshtë tij. Qeniet njerëzore kanë prioritet ndaj qenve, kështu që, p.sh., është e gabuar për një njeri të rrezikoj jetën e tij për të shpëtuar atë të një qeni, ndonëse është e drejtë për të që, në disa raste të caktuara, ta vendos në rrezik jetën e tij për të shpëtuar atë të një njeriu tjetër. [10]

Filozofi hebre nga Spanja Joseph Albo (1380-1435) i vendoste qëniet njerëzore në majë të hierarkisë tokësore duke shquar në këtë fakt mundësinë për qëniet njerëzore që të pranojnë revelatën hyjnore. [11] Sipas këtij filozofi ashtu sic veshjet janë pjesë përbërëse e kafshës, por janë të jashtme për njeriun, i cili duhet t’i punojë veshjet për veten e tij, kështu edhe impulset specifike etike janë pjesë përbërëse e sjelljes së kafshëve dhe ne duhet të mësojmë prej sjelljes së tyre: “[Zoti] bën që të nxjerrim mësim nga kafshët e tokës dhe na jep urtësi përmes zogjve të qiellit. [12] Superioriteti i qënieve humane qëndron në ndërthurjen e tyre unike të lirisë për të zgjedhur dhe ineligjencës për të gjykuar, elemente këto pa të cilat revelata hyjnore nuk do të gjente zbatim. Në këtë mënyrë, duke qenë “më të larta” se krijesat e tjera, qeniet njerëzore duhet të tregohen të përunjura kundrejt gjithckaje. Joseph Albo, në citimin e këtyre pasazheve  dhe në sugjerimin e leximit të Perek Shira-hut [13], ka artikuluar qasjen e administrimit të përunjur kundrejt krijimit, i cili e karakterizon Judaizmin rabinik.

Parimi i katërt: Qëniet njerëzore janë përgjegjëse për mirëmbajtjen aktive të çdo lloj forme jete.   

Vendosja e njerëzve në majë të hierarkisë së krijimit, i vendos ato në një pozitë të vecantë përgjegjësie kundrejt natyrës. Adami u vendos në kopshtin e Edenit “me qëllim që ta punonte dhe ta ruante” dhe të “emërtonte” (gjë që nënkupton edhe kuptimin) kafshët. Ne nuk duhet të rrimë duarkryq duke parë se si shkatërrohen pyjet, por duhet doemos të veprojmë për ta ndaluar shkatërrimin dhe të përpiqemi aktivisht të kuptojmë mjedisin tonë.

Parimi i pestë: Toka dhe njerëzit varen nga njëri-tjetri. Në të kaluarën, hebrenjtë dhe të krishterët kanë ecur krah për krah në interpretimin e atyre seksioneve të Biblës që kanë lidhje me tokën. Hebrenjtë i interpretojnë këto pasazhe literalisht dhe besojnë se ata flasin për tokën e Izraelit, ndërsa të krishterët e refuzojnë kuptimin literal të këtyre pasazheve. Në ditët tona, në kuadër të vetëdijes për përgjegjësinë tonë të përbashkët për planetin, hebrenjtë mund ta zbatojnë universalisht këtë parim dhe të krishterët mund të rivlerësojnë relevancën e këtyre pasazheve.

Bibla i referohet tokës së Izraelit si eretz ha-tzvi [15], përkthyer nga disa si “toka më e lavdishme”. Judaizmi është zhvilluar brenda kontekstit specific të popullit dhe tokës së zgjedhur, ai ka theksuar raportin reciprok midis njerëzve dhe tokës, ideja e prosperitetit të tokës varet nga bindja e njerëzve ndaj besëlidhjes me Zotin. Përshembull: “Por në rast se do t’i bindeni me kujdes urdhërimeve të mia që ju jap sot, duke dashur Zotin, Perëndinë tuaj dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, do të ndodhë që unë do t’i jap vendit tuaj shiun në kohën e duhur…që ti të mbledhës grurin, verën dhe vajin tënd; dhe do të bëj që të rritet edhe bari në fushat e tua për bagëtinë tënde, dhe ti do të hash dhe do të ngopesh. Kini kujdes që zemra juaj të mos mashtrohet dhe të mos largoheni nga rruga e drejtë, duke shërbyer dhe u përulur para perëndive të tjera; sepse në këtë rast do të ndizet zemërimi i Zotit dhe ai do të mbyllë qiejt dhe nuk do të ketë më shi, toka nuk do të japë prodhimet e saj dhe ju do të vdisni shpejt në vendin e mirë që Zoti po ju jep”[16]Si mund ta zbatojmë, në situatën bashkëkohore, këtë lidhje midis moralitetit dhe prosperitetit?

Bibla thekson marrëdhënien e ngushtë midis njerëzve dhe tokës. Prosperiteti i një toke varet mbi (a) drejtësinë sociale dhe integritetin moral të banorëve të saj dhe nga (b) një qasje dashamirëse, madje e dashur, ndaj tokës, ndërthurur me rregullimin efektiv të përdorimit të saj. Ruajtja e tokës kërkon ekstrapolimin e këtyre parimeve nga Izraeli i lashtë apo i idealizuar tek situate globale bashkëkohore. Neve kemi nevojë për edukimin në vlerat sociale ndërthurur me kërkimin shkencor rreth efekteve të veprimtarive tona mbi natyrën.

Në Izraelin e sotëm ekzistojnë qarqe religjioze të cilat zbatojnë ende vitin sabatik duke u përmbajtur nga veprimtaria bujqësore dhe duke fshirë borxhet [17] Analogjia midis sabatit (literalisht, “dita e pushimit”) të tokës dhe atij të njerëzve përcon idenë se toka duhet doemos “të pushoj” për tu përtërirë dhe për të rifituar fuqinë e saj riprodhuese. Burimet tokësore duhet të ruhen përmes shmangjes së përdorimit të ekzagjeruar të tyre.

Bibla e lidh këtë me drejtësinë sociale. Ashtu sic toka nuk duhet zhvatur ashtu edhe skllevërit duhen liruar pas shtatë vitesh skllavëri. Viti sabatik (në hebraisht shemmita, që do të thotë ‘lirim’) fshin borxhet private [të njerëzve], duke parandaluar, në këtë mënyrë, grumbullimin e borxheve dhe zhvatjen ekonomike të individëve. Ne duhet të përpiqemi që të gjejmë mënyrën se si t’i zbatojmë këto ide për të reformuar strukturën tonë bashkëkohore sociale dhe ekonomike.

Parimi i gjashtë: Respekto krijimin, mos shpërdoro apo shkatërro.

Bal tashhit (shprehja “nuk do të shkatërrosh”, rrjedh prej Ligjit të Përtërirë 20:19) është shprehja hebraike mbi të cilën rabinët mbështesin thirrjen e tyre për të respektuar dhe ruajtur gjithcka që është krijuar. Disa prej ilustrimeve më të mira të ekzegjezës rabinike dhe zhvillimit të halakha-s (ligjit) kanë të bëjnë me aspektet e ndryshme të ndotjes mjedisore.

Ligji i Përtërirë 23:13-14 këmbëngul që jashtëqitjet të largohen “jashtë kampit”, d.m.th., të grumbullohen në një vend ku ato nuk do të zvogëlojnë cilësinë e jetës. Talmudi dhe kodet e ndryshme hebraike e shtrinë këtë koncept në ndalesën e përgjithshme për të shkarkuar jashtëqitjet apo plehrat në vende ku ato mund të përzihen me mjedisin apo të korrurat. Rabinët ndalonin shtimin e parcelave dekorative dhe atyre frutore përreth Jeruzalemit me justifikimin se plehërimi i tyre mund të degradonte mjedisin lokal [18]; këta do të kishin qenë thellësisht të shqetësuar nga degjenerimi mjedisor në shkallë të gjerë, i shkaktuar prej gërmimeve në miniera, prej djegies së karburanteve fosile apo gjëra të kësaj natyre. Rreziqe të tjera specifike ndaj të cilave rabinët janë përpjekur të marrin masa ligjore përfshinë edhe erën e keqe, ndotjen atmosferike, tymin dhe ndotjen e ujrave. Ligji modern izraelit, si ligji i parandalimit të rreziqeve, i aprovuar nga Knesset-i në 23 Mars 1961, ka huazuar shumçka nga formulimet tradicionale hebraike. [19] Kjo traditë e mirëpajisur mbështet veprimet, e kryera në ditët tona, për të mbrojtur ujrat tokësore, për të pastruar detërat, si dhe mënjanimin/shkatërrimin në mënyrë të pastër të mbetjeve radioaktive dhe toksike.

 

Disa shembuj etik të problemeve që lidhen me ruajtjen e mjedisit

 

Në vijim do të shqyrtoj disa prej fushave ku mësimi religjioz rrezikon të bie në kundërshtim me praktikat shekullare të ruajtjes së mjedisit.

 

Jeta shtazore kundrejt asaj njerëzore

 

Judaizmi në mënyrë të qëndrueshme e vlerëson jetën njerëzore më shumë se atë shtazore. Nëse jam duke vozitur makinën dhe një qen del në mes të rrugës, do të ishte e gabuar që unë të shmangesha duke rrezikuar jetën time apo atë të dikujt tjetër për të shpëtuar atë të qenit. Por a është e drejtë, p.sh, të marrësh jetën e një gjuetari pa leje për të shpëtuar jetën e jo vetëm një shtaze, por atë të një specie të tërë? Personalisht nuk arrij të gjejë asnjë argument në burimet judaike që të mbështesë vrasjen e gjuetarëve pa leje, përjashto këtu rastin kur këta të fundit kërcënojnë jetën njerëzore. Nëse argumentohet se zhdukja e një specieje shtazore mund të kërcënojnë jetën njerëzore për shkak se ajo do të shkaktonte përmbysjen e ekuilibrit të natyrës, mbetet përsëri e pagjasë që ligji hebraik të miratojë vrasjen për të shmangur një kërcënin jo të drejtpërdrejtë dhe të pasigurt të këtij lloji.

Edhe nëse do të përligjej vrasja në kësi rrethanash, sa jetë njerëzore do të vlente një lloj i vetëm kafshësh? Deri në çfarë niveli të shkallës evolutive është i zbatueshëm ky parim? Në fund të fundit, argumenti i çrregullimit të harmonisë natyrore zbatohet njësoj si për krijesat mikroskopike ashtu edhe për ato të mëdhatë, i takon si rruazorëve, për shembull, panda, e po ashtu edhe të gjitha bimëve e kafshëve. Miza cece është jo më pak pjesë e fabrikës së ndërvarur të natyrës se sa balena. Judaizmi duke i qëndruar besnik parimit hierarkik të krijimit, e vlerëson, në mënyrë të qëndrueshme, jetën njerëzore më shumë se atë të qënieve të tjera të gjalla, por në të njëjtën kohë ai thekson përgjegjësinë e qënieve njerëzore për “ta punuar dhe për ta ruajtur” rendin e krijimit. [20]

 

Lindshmëria kundrejt kontrollit familjar

 

Thomas R. Malthus (1766-1834), në fillim të revolucionit industrial, studioi efektet e të vërtetës së mirënjohur se popullata nuk mund të tejkalojë numrin që mund të ushqehet në bazë të burimeve të disponueshme. Nëse nuk ka ushqim të mjaftueshëm për çdokënd, atëherë dikush do të vdesë. Ndërsa burimet rriten në mënyrë aritmetike, popullata rritet në mënyrë gjeometrike. [21] Nëse popullata dyfishohet çdo njëzet e pesë vjet, brenda pesëqind vjetësh ne do të kemi nevojë për 220 herë më shumë ushqim për të prodhuar, d.m.th 1048576 herë më shumë. Qartësisht një shifër e pamundur për tu realizuar. Statistikat nga Baza e të dhënave ndërkombëtare tregojnë se midis vitit 1950 dhe vitit 2004, popullata e Nigerisë u rrit nga 31.8 milion në 137.3 milion, ajo e Kenias nga 6.12 milion shkoi në 32.2 milion dhe ajo e rripit të Gazës u rrit nga më pak se një çerek milioni në 1.33 milion. [22] Nga viti 1990 deri në vitin 2000, popullata e rripit të Gazës është rritur me 5.7% çdo vit, që do të thotë se ajo do të dyfishohet brenda një harku kohor prej katërmbëdhjet vjetësh, ose do të 242-fishohet brenda një shekulli. Sigurisht që këto shifra nuk mund të vazhdojnë me këtë ritëm dhe në disa vende të pasura popullata ka filluar të bjerë lehtësisht këto vitet e fundit. Megjithëkëtë, trysnia e ushtruar nga rritja e shpejtë e popullsisë sjell probleme ekonomike, sociale dhe mjedisore.

Gjatë fazës ekspansioniste të revolucionit industrial, kombet evropiane e ekzagjeruan shfrytëzimin e burimeve dhe u përballën me problemin e mbipopullimit duke u përfshirë në shpërngulje në masë dhe në aventura imperialiste. Metoda të tilla nuk janë më të mundshme ose të tolerueshme. Në kohët e Maltusit, popullata botërore arriti shifrën një miliard, ndërsa në ditët tona ajo ka kaluar shifrën gjashtë miliard. Meqenëse popullata vazhdon të rritet, a do të arrij bota të shmangë vdekjet masive nga uria dhe sëmundjet? Rritja e prodhimit të ushqimeve ka shkaktuar qysh tani degradimin e mjedisit. Rishpërndarja mund të lehtësojë përkohësisht krizat (e urisë) lokale, por në një afat më të gjatë ajo nuk mund t’i bëj ballë rritjes eksponenciale të popullatës.

Ç’ka për të thënë Judaizmi në lidhje me këtë çështje? Ekziston një konsensus i përgjithshëm se disa forma të kontrollit familjar janë të lejueshme në rastet kur jeta e nënës është potencialisht në rrezik dhe se aborti është jo vetëm i lejuar, por edhe i detyrueshëm me qëllim që të shpëtohet jeta e nënës. [23] Ndonëse metoda kontraceptive mund të jetë moralisht e diskutueshme, është e preferueshme përkorja seksuale në rastet ku përmes marrëdhënies seksuale normale brenda martesës rrezikohet jeta e një partneri. [24] Këto çështje nuk janë thjesht problem që i përkasin “të ndaluarës” apo të “lejuarës”, por kërkojnë edhe një këshillim të ndjeshëm personal.

Halakha-ja e vendos detyrën themelore të riprodhimit njerëzor mbi vështirësitë personale ekonomike. Por çmund të themi për vështirësitë e përgjithshme ekonomike që mund të lindin nga (a) një krizë urie lokale ose e përkohshme dhe (b) nga trysnia me tendencë ngjithëse e popullatës në një botë me burime të fundme? Situata e parë ishe në mendjen e të urtit palestinez të shekullit të tretë Resh Laqish kur ai deklaroi: “Është e ndaluar për një njeri të përfshihet në marrëdhënie seksuale gjatë viteve të krizës.” [25] Trysnia e ushtruar nga rritja e popullsisë mbi burimet botërore është një koncept i panjohur për burimet klasike të religjionit hebraik dhe, në të vërtetë, e pakuptuar qartë deri në kohën e Maltusit. Feldman vëren, “Do të ishte njësoj i nxituar si tejshumimi ashtu edhe përmbajtja nga riprodhimi”. Në këndvështrimin tim, duke qenë se obligimi për tu riprodhuar është shprehur tek Libri i Zanafillës 1:28 me fjalët “të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën…”, nuk është e paarsyeshme të sugjerohet se termi “mbush” duhet kuptuar si “arrisni maksimumin e popullsisë që mund të mbahet në një standart të pranueshëm jetese, por mos e tejkaloni atë”. Me të njëjtën frymë, rabinët përdorën frazën e Isaias “[Zoti] nuk e ka krijuar Tokën pa trajtë, por e ka formuar që të banohej…” për të përcaktuar minimumin e kërkuar për riprodhimin, d.m.th. një vajzë dhe një djalë, gjë e cila nuk shkakton rritjen e popullsisë. [27]

Natyrisht, këtu ka vend edhe për ndryshimet zonale midis popullsisë. Ndonëse si rregull i përgjithshëm, qeveritë duhet të shkurajojnë rritjen e popullsisë. Megjithëkëtë ekzistojnë raste të rralla të zonave të populluara apo grupeve të vogla etnike mbijetesa e të cilave është në rrezik, në këto raste rritja e popullsisë mund të jeteë e pranuaeshme madje edhe nga një prespektivë globale.

 

Energjia nukleare, karburanti natyror dhe energjia diellore

 

A mund të ofrojnë burimet religjioze një udhëzim rreth zgjedhjes midis burimeve nukleare, karburantit natyror dhe burimeve të tjera alternative të energjisë?

Disa liderë religjioz kanë shprehur rezerva të fuqishme për prodhimet e energjisë nukleare, por është e vështirë të kuptohet se mbi cilin justifikim teologjik mullinjtë e erës preferohen më shumë se reaktorët nuklearë? Zgjedhja mbi burimet e energjisë qëndron më vlerësimin e kostove të efikasitetit, dëmeve mjedisore të shkaktuara nga prodhimi, rreziqeve operacionale, depozitimi i pastër i produkteve të tepërta, vetëmjaftueshmëria si edhe qëndrueshmëria afatgjatë mjedisore. Arsyet religjioze nuk kanë asnjë rol për të luajtur në vlerësimin e këtyre faktorëve, ato janë çështje teknike të cilat kërkojnë kërkime të përpikta dhe prova të qarta, por nuk kanë asnjë lidhje me teologjinë. Mullinjë me erë ndoshta mund t’i shkaktojnë më pak dëm mjedisit se sa reaktorët nuklearë, ndonëse kjo është më pak e qartë se ç’duket, por teologjia bëhet e rëndësishme vetëm pasi faktet e çështjes të jenë dëshmuar shkencërisht.

Sidoqoftë, mund të ekzistojë një këndvështrim religjioz mbi strategjinë e përgjithshme. Teologjia morale, p.sh., mund të sugjerojë se shkencëtarët duhet ti kushtojnë më shumë vëmendje gjetjes së mënyrave se si të përdoret më pak energji për të përbushur nevojat për të mira materiale se sa gjetjes së mënyrave të prodhimit gjithnjë e më të shumtë të energjisë. Megjithëkëtë, përderisa një këshillë e tillë buron nga asketizimi, ajo është thjeshtë një këshillim për maturi dhe nuk varet nga asnjë vlerë karakteristike religjioze.

 

 Kush e paguan faturën?

 

Kush duhet të paguajë për mirëmbajtjen? Dilemat e përfshira në këtë çështje janë tej mase të ndërlikuara. A duhet që kombet e pasura të paguajnë për “të pastruar” teknologjinë e kombeve të varfëra (p.sh., a duhet që Evropa perëndimore të paguaj për Evropën lindore, porse jo në kurriz të Indisë? A duhet që qeveritë të shtrembërojnë tregun e lirë duke subvencionuar benzinën pa plumb si dhe të mira të tjera të padëmshme për ambientin? Si mundet dikush që të vlerësojë efikasitetin mjedisor dhe koston sociale dhe si mundet që një kosto e tillë të shpërndahet midis taksapaguesit, klientit dhe prodhuesit? Në vitet e fundit është bërë një progres i madh në mundësimin e industrive për të bartur barrën e kostove të saj mjedisore, përfundimisht klientët paguajnë përmes çmimesh gjithnjë e në rritje. Gjithsesi, në të gjitha nivelet, religjiozja ka një input për të bërë nga aspekti i drejtësisë sociale.

 

Evolucioni i drejtuar

 

Pasi shkruan rreth progresit duke nisur nga evolucioni fizik nëpër atë biologjik dhe kulturor, Edward Rubinstein, vazhdon:

Paskëtaj, jeta nuk ka evoluar më thjesht vetëm përmes mutacioneve të rastësishme. Njerëzia ka filluar ta modifikojë evolucionin, për të shkaktuar ndryshime jo të rastësishme, madje të qëllimshme në ADN-në, të cilat modifikojnë grupimet e gjalla dhe krijojnë grupime që nuk kanë ekzistuar më parë. Lajmëtarët e evolucionit të drejtuar janë qëniet njerëzore. Mesazhet e tyre, të shprehura në gjuhën dhe metodat e biologjisë molekulare, gjenetikës, mjekësisë dhe normave morale, shprehin vetëdijen e tyre për papërsosmëritë njerëzore dhe reflektojnë vlerat dhe aspiratat e species së tyre. [28]

Këto fjalë tregojnë fushën ku religjioni, përfshi edhe Judaizmin, ka më shumë nevojë për të ndrequr vetveten në përputhje me realitetin bashkëkohorë, ato tregojnë fushën ku njohja moderne na vendos shumë më larg nga ata që kanë formuar traditën tonë religjioze. Religjioni, ashtu siç e njohim ne, ka zënë fill duke nisur nga revolucioni neolitik, kështu që ai presupozon një farë teknologjie. Po a mund të përballet ai me sfidat e parashtuara nga informacioni bashkëkohorë teknologjik dhe biologjia molekulare? Unë nuk e di, por shpresoj që bashkësitë religjioze duke punuar së bashku mund të formulojnë një përgjigje më të mirë se ç’do të bënin nëse do të qëndronin të veçuara.

 

Përmbledhje dhe përfundim

 

Nga Bibla shfaqen gjashtë parime që udhëheqin qëndrimin tonë ndaj biosferës në të cilën jemi vendosur për të jetuar.

 

  1. Krijimi është i mirë: ai reflekton lavdinë e Krijuesit. “Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë.” [29] Judazimi pohon jetën dhe së bashku me të edhe të gjithë krijimin.
  2. Biodiversiteti, shumëllojshmëria e pasur e natyrës, duhet ruajtur. Libri i Zanafillës, kapitulli I, përshkruan se si gjithcka ishte krijuar “sipas llojit të saj”. Kapitulli i nëntë i librit të Zanafillës ka rrëfyer historinë e përmbytjes dhe mënyrës se si Noeu ruajti në akrën e tij një mashkull dhe një femër nga çdo specie kafshësh, në mënyrë që ata më pas të kishin mundëinë për tu riprodhuar.
  3. Qëniet e gjalla rradhiten nga më e ulta deri tek më e larta, me njerëzimin në majë të hierarkisë.Kapitulli i parë i librit të Zanafillës përshkruan krijimin e rendit nga kaosi i qëmotshëm. Rrjeta e jetës përfshin gjithcka; qëniet njerëzorë, si mashkulli ashtu edhe femra, duke qenë të krijuara sipas “imazhit të Perëndisë” [9] qëndrojnë në majë të kësaj strukture.
  4. Qëniet njerëzore janë përgjegjëse për mirëmbajtjen aktive të cdo lloj forme jete. Vendosja e njerëzve në majë të hierarkisë së krijimit, i vendos ato në një pozitë të vecantë përgjegjësie kundrejt natyrës. Adami u vendos në kopshtin e Edenit “me qëllim që ta punonte dhe ta ruante” dhe të “emërtonte” (gjë që nënkupton edhe kuptimin) kafshët.
  5. Parimi i pestë: Toka dhe njerëzit varen nga njëri-tjetri. Bibla është historia e njerëzve dhe e tokës së zgjedhur. Mirëqënia e tokës varet nga bindja e njerëzve ndaj besëlidhjes së Zotit. Në një kontekst global kjo do të thotë se ruajtja e planetit varet nga (a) drejtësia sociale dhe integriteti moral i banorëve të saj dhe nga (b) qasja dashamirëse, madje e dashur, ndaj tokës, ndërthurur me rregullimin efektiv të përdorimit të saj
  6. Respekto krijimin, mos shpërdoro apo shkatërro. Bal tashhit (shprehja “nuk do të shkatërrosh”, rrjedh prej Ligjit të Përtërirë 20:19) është shprehja hebraike mbi të cilën rabinët mbështesin thirrjen e tyre për të respektuar dhe ruajtur gjithcka që është krijuar.

Këto parime janë mbështetur në burimet judaike, të bashkëndara edhe me të krishteret, dhe ato duhet të prijnë mënyrën me të cilën ne predikojmë dhe mësojmë shkrimin e shenjtë. Ne duhet të bëjmë thirrje për prodhimin e komentarëve të rinj të tekstit të shenjtë, të librave mësimorë dhe të katekizmit të cilat të interpretojnë me ndjeshmëri çështjet mjedisore dhe ne duhet t’i stërvisim klerikët dhe mësuesit tanë që t’i përdorin ato.

Shqetësimi për mjedisin është, mbi të gjitha, një sipërmarrje ideale për të nxitur religjionet që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Ata kanë një interes të përbashkët, disa shkrime të përbashkëta dhe disa vlera të përbashkëta. Kështu që, në edukimin për një mjedis më të mirë, ne, gjithashtu, do të edukojmë më mirë për një botë e cila mund të pranojë paqësisht shumë religjione. Shqetësimi për shtëpinë tonë të përbashkët duhet të na dërgojë drejt lënies mënjanë të armiqësisë reciproke e cila në të kaluarën ka shpënë në luftra dhe shkatërrim njerëzor. Profeti Isaiah deklaronte: “Ujku do të banojë bashkë me qengjin… dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau” [30]. Isaiah e kuptonte qartësisht lidhjen midis harmonisë së natyrës dhe paqes së njerëzimit.

 

Përktheu: Rezart Beka

 

[*] Norman Solon ka lindur në Kardif, në Jug të Uellsit dhe është arsimuar në kolegjin e Shën Gjonit të Universitetit të Kembrixhit. Ai ka shërbyer si rabin për shumë kongregacione ortodokse hebraike në Britaninë e Madhe. Ai drejtuesi dhe themeluesi i qendrës studimin e judaizmit dhe të marrëdhënieve judeo të krishterë në Birmingam, gjithashtu ai ka qenë anëtarë pjesëmarrës në temën e mendimit modern hebraik në qendrën e Oksfordit për studime hebraike dhe judaike. Ai ka publikuar një sërë librash mbi Judaizmin.

 

Referenca

 

[1] Ky kapitull bazohet mbi një kumtesë të lexuar në Athinë, në 28 Korrik të vitit 1994 në Organizatën ndërkombëtare të biopolitikës, në Festivalin ndërkombëtarë Sakharov.

[2] Zanafilla 1:31

[3] Reminishencë nga Aryeh Levine në Lahai Ro’i (Hebrew) (Jerusalem: n. p., AM 5721/1961), f. 15-16.

[4] Ne nuk duhet ti konsiderojmë një çift të vetëm si një popullatë e vlefshme, por mesa duket është pikërisht kjo ajo që teksti biblik kërkon të përçoj.

[5] Levitiku 11; Deutoronomi 14.

[6] Levitiku 19:19; Deutoronomi 22:9.

[7] Levitiku 19:19; Deutoronomi 22:11.

[8] Levitiku 19:19; Deutoronomi 22:10.

[9] Zanafilla 1:27.

[10] Nuk njoh asnjë teolog hebre që të ketë kundërshtuar prioritetin e jetës njerëzore karshi asaj kafshërore.

[11] J. Albo, Sefer Ha-Ikkarim: Book of Principles (edituar dhe përkthyer nga I. Husiki; 5 vëllime; Filadelfia, PA: Jewish Publication Society of America, 1929-30), III, f. 1-13.

[12] Jobi 35:11 (përkthimi im është në përputhje me leximin që Albo i ka bërë këtij verseti, i cili derivon nga Talmudi babilonas, Eruvin 100b). Komentatorë të tillë si Rashi, i ndjekur edhe nga përkthimet bashkëkohore, në mënyrë të drejtë e kanë kuptuar këtë verset si “ai i cili na mëson ne më shumë se çfarë i mëson kafshëve të tokës dhe na bën ne më të ditur se zogjtë e ajrit.”

[13] Pereq Shira, kapitulli i këngës, mund të datojë nga shekulli i katërt, dhe është popullarizuar nga Hasidei Ashkenaz në shekullin e dymbëdhjetë. Secili prej pesë apo gjashtë seksioneve të tij përfshin nga dhjetë deri në dymbëdhjetë versete biblike, secila prej tyre e interpretuar si “këngë” apo thënie të ndonjë krijese individuale. Vepra “Cantico del Sole” e shkruar nga Francesku i Asizit në shekullin e trembëdhjetë, është e ngjashme me veprën e lartpërmendur.

[14] Zanafilla 2:15

[15] P.sh. Danieli 11:16 dhe 41

[16] Deutoronomi 11:13-17.

[17] Levitiku 25:2-4 AM 5768 (2007-8) dhe 5775 (2014-5) do të jenë vite sabatike.

[18] Babylonian Talmud, Bava Qama 82b.

[19] Shih, p.sh., kumtesën e mrekullueshme të M. Sichel-it me titull “Air Pollution: Smoke and Odour Damage”, Jewish Law Annual 5 (1985), f. 25-43. Ai siguron një përkthim të legjislacionit izraelit të cilit i jemi referuar.

[20] Zanafilla 2:15

[21] Maltusi e ka publikuar esenë e tij të quajtur “Essay on the Principle of Population” në mënyrë anonime në vitin 1803.

[22] Ky informacion është i disponueshëm online nga US Census Bureau në www.census.gov/ipc/www/idbnew.htlm.

[23] Për një trajtim të shkëlqyer të këtyre cështjeve shih, D.M. Feldmen, Marital Relations, Birth Control and Abortion in Jeëish Laë (Neë York: Schocken Books, 1974).

[24] Feldman, Marital Relations, f. 302.

[25] Babylonian Talmud, Taanit 11a. Vendimi u adoptua në kodet (Shulhan Arukh: Orah Hayyim 240.12 dhe 574.4), por zbatimi i tij u kufizuar vetëm për ata të cilët kishin fëmijë.

[26] Feldman, Marital Relations, f. 304.

[27] Isaiah 45:18; Babylonian Talmud, Yevamot 62a.

[28] E. Rubinsen, “Stages of Evolution and their Messengers’, Scientific American (June 1989), f. 104.

[29] Zanafilla 1:31

[30] Isaiah 11:6-7.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *