TwitterFacebookPinterestGoogle+

Libri i Proverbave

Rezart Beka
Ashtu siç e pamë edhe nga trajtimi që bën autori, megjithëse libri i Proverbave në hyrjen e tij ia njeh të gjithë veprën Salomonit, e vërteta është se ajo nuk është shkruar nga ky i fundit, ose të paktën nuk është shkruar tërësisht prej tij.

Megjithëse autori i librit ka sjellë prova të qarta në lidhje me këtë fakt, ne do ta mbështesim atë duke cituar pohimet e studiuesve të krishterë në punimet e tyre për të njëjtin problem.

Dom Simon Filipaj, në përkthimin e Biblës në gjuhën shqipe thotë: “Sikurse pesëlibërshi për autorësi iu mbështet Moisiut, po ashtu edhe librat e letërsisë së urtësisë iu mbështetën Mbretit Salomon, birit të Davidit, megjithëse dihet se autori nuk mund të jetë Salomoni” (“Bibla”- përkthim dhe shtjellim nga Dom Simon Filipaj, vep. e cit., f. 831); ndërsa në një nga përkthimet e Biblës në gjuhën italiane pranohet se: “Autori është i panjohur” (“La Sacra Bibbia”, Edizioni Paoline, Romë 1968, f. 723)

Në një komentar biblik në gjuhën angleze thuhet: “Emri i Salomonit shfaqet në tri pjesë të librit – 1:1; 10:1 dhe 25:1. Ekziston, pra, një pretendim i autorësisë salomonike për seksionin më të madh apo në të vërtetë për gjithë seksionin, përveç pjesëve III, 22:17-24:22; IV, 24:23-24, dhe V, 30:1-31:31. Ky pretendim është kundërshtuar nga studiuesit kritikë. (“The Wycliffe Bible Commentary”, vep. e cit., f. 554). I të njëjtës vije mendimi është edhe një tjetër komentar i njohur biblik në gjuhën angleze, në të cilin thuhet: “Të vjetrit e konsideronin përmbledhjen e proverbave si të hartuar tërësisht nga Salomoni… Zbatimi i kriticizmit historik çoi në përfundimin se autorësia e drejtpërdrejtë salomonike e cilësdo pjese të madhe të Proverbave ishte tejet e pamundur” (Marvin Tate, “The Broadman Bible Commentary”, Proverbs, f 4; cituar nga “The KJV Parallel Bible Commentary”; Thomas Nelson Publishers; Neshvil, Tenesi 1994, f. 1198).

Nga sa u pa më lart, mund të themi me siguri të plotë se ndryshe nga çfarë pohohet në prologun e librit të Proverbave, ai nuk është vepër e Salomonit, ose së paku nuk është i tëri vepër e tij.

Një tjetër problem që shfaqet gjatë studimit të këtij libri ka të bëjë me shtesat dhe përpunimet që ka pësuar libri gjatë shekujve. A është ky libër vepër e një autori të vetëm nga fillimi deri në fund, apo versioni origjinal i librit ka pësuar përpunime, rishikime, shtesa dhe modifikime të ndryshme shekull pas shekulli nga njerëz të panjohur që kanë jetuar në distancë të madhe kohore ndërmjet njëri-tjetrit?

Një nga përkthimet biblike në gjuhën italiane shprehet kështu mbi këtë çështje: “Libri nuk gëzon unitet të brendshëm, por përkundrazi, ai është një përpunim, duke qënë se janë mbledhur së bashku pjesë të ndryshme nga kohë edhe autorë të ndryshëm. Përpunimi, me rishikime të mëvonshme të pakta, mund të shkojë deri në shekullin e V [p.e.s.]” (“La Sacra Bibbia”, Edizioni Paoline, Romë 1968, f. 723).

Për Dom Simon Filipajn ky libër “…duhet mbajtur si vepër që është krijuar gjatë shekujsh dhe redaktori i ka përmbledhur diku pas shpërnguljes në Babiloni dhe na i ka dhënë në trajtën që ne kemi sot” (“Bibla”- përkthim dhe shtjellim nga Dom Simon Filipaj, vep. e cit., f. 831).

Përkthimi i famshëm i Biblës në anglisht, RSV e vitit 1952, pohon: “Këto Proverba janë mbledhur për shekuj me rradhë derisa rreth vitit 200 (p.e.s.) libri mori formën që ka sot. (“The Holy Bible”- Revised Standard Version, Cokesbury, 1952, f. 13).

Specialisti i çështjeve biblike Davide Levi sqaron se ky libër ka pësuar shtesa të ndryshme që janë zgjatur në një periudhë kohore prej pothuajse tetë shekujsh. Levi, gjithashtu, shkruan: “Në fillim të librit thuhet se autori i tij është Salomoni…në brendësi përmenden edhe autorë të tjerë. Ka gjasa që disa pjesë të kenë me të vërtetë për autor Salomonin (shek. X); ndërsa pjesët e autorëve të tjerë janë shtuar duke filluar që nga shek. X e duke përfunduar në shek. e II.” (Davide Levi, “L’antico Testamento”, vëll. i II i serisë “Per Capire la Bibbia”, vep. e cit., f. 43)

Nga kjo analizë e shkurtër shihet qartë se libri i Proverbave nuk gëzon unitet të brendshëm. Ai nuk është një vepër unike, por gjatë shekujve ka kaluar nëpër procese të ndryshme rishikimi, shtesash e përpunimi, të kryera nga njerëz të panjohur.

Çështja e tretë që duhet marrë në shqyrtim ka të bëjë me burimet pagane, të përdorura nga autori i kësaj vepre. Studiuesit kanë tërhequr vëmendjen tek paralelizmat e qarta që ekzistojnë ndërmjet disa pjesëve të tij dhe letërsisë pagane të lashtësisë. Ngjashmëritë si në përmbajtje, ashtu edhe në formë ndërmjet Proverbave dhe teksteve pagane ishin për studiuesit e krishterë prova e qartë e huazimeve të këtij libri nga kjo letërsi.

Ngjashmëri të mëdha janë konstatuar ndërmjet shumë pjesëve të librit të Proverbave dhe shkrimeve të ndryshme të të urtëve, të cilat kanë qenë të përhapura në gjithë Lindjen e Lashtë, si p.sh. proverbat e njërit prej të urtëve të Egjiptit të lashtë, të quajtur Amenemope.

Në një nga përkthimet biblike në italisht pohohet: “Në këtë pjesë (pjesa e dytë e librit) gjenden fjalë të urta shumë të lashta, disa prej të cilave ka gjasa të kenë prejardhje nga jeta e oborrit mbretëror (16, 10-15); ndërsa disa të tjera janë mjaft të ngjashme me ato të një të urti egjiptian të quajtur Amenemope (22, 17-23, 14). Pjesa e tretë (kapitulli 30-31) është e përbërë nga katër pjesë të pavarura, dy prej të cilave janë fryt i veprimtarisë së njerëzve të urtë joizraelitë (30, 1-14 dhe 31, 1 -9). Shumë pjesë të librit të Proverbave kanë ngjashmëri me shkrime të tjera të të urtëve që kanë qenë shumë të përhapura në lindjen e Lashtë” (“La Bibbia”- Traduzione Interconfessionale in Lingua Corrente, Torino 1986, f. 899. Theksojmë se për daljen në dritë të këtij përkthimi biblik kanë kontribuar mëse 90 specialistë, ndërmjet të cilëve 45 protestantë, ndërsa pjesa tjetër i përkasin besimit katolik).

Teologu i njohur, W.F. Albright, ka tërhequr vëmendjen edhe ndaj një numri paralelesh në mendim dhe strukturë të librit të Proverbave, veçanërisht kap. 8-9, me literaturën ugaritike dhe fenikase (“Wisdom in Israel”, f. 7-9).

George Fohrer shprehet kështu për këtë dukuri: “Sikurse është pranuar prej kohësh, koleksioni i parë ndihmës (22: 17-23:11) është i lidhur ngushtë me mësimet Egjiptiane të Amenemopetit, që datojnë diku mes shekujve dhjetë dhe gjashtë p.e.s.. Poezia hyrëse (22: 17-21) dhe dhjetë çështjet e diskutuara (22:22-23:11) ndjekin, shpesh fjalë për fjalë, burimin e tyre egjiptian… Huazimi ka ndodhur nga fundi i mbretërisë izraelite (22:29) (George Fohrer në “Introduction to the Old Testament”, vep. e cit. f. 321).

Robert Henry Pfeiffer, studiues i njohur dhe asistent profesor në Universitetin e Harvardit, po në lidhje me këtë çështje shprehet: “C. Në këtë koleksion të “Falës së të Urtit” (22: 17-24:22), dyvargëshat janë të rrallë (22:28; 23:29; 24:7-10) dhe mbizotërojnë seksione më të gjata. Pas hyrjes së fillimit (22: 17-21), tridhjetë dyvargësha apo pjesë të spikatura përfshijnë koleksionin C dhe ky numër është përmendur në 22:20, “Tridhjetë prej këtyre mësimeve t’i kam shënuar me shkrim; ato janë këshilla me themel të shëndoshë. Ato të tregojnë gjithçka që duhet të dish, për të plotësuar me besnikëri detyrat e kreut tënd”. Hartuesi hebre i C-së ka përdorur në C1 një libër egjiptian, Urtësia e Amenemope-s (ose Amen-em-Apt), që daton në periudhën 1000-600 p.e.s.. Në dymbëdhjetë thëniet në C, dhjetë janë përshtatje të qarta të aforizmave të Amenemope-s dhe e fundit (23:12-14) është marrë, në pjesën më të madhe, nga thëniet e Ahikar-it (linjat 81-82 të fragmenteve të zbuluara ndër papirusët e Elefantinës)” (Robert H. Pfeiffer në “Introduction to the Old Testament”, Harvard University, Harper & Brothers Publisher, Nju Jork 1941, f. 647-48).

Sipas njërit prej përkthimeve më të famshme të Biblës në gjuhën italiane, tek dy përmbledhjet e para të Proverbave (kapitulli 10-22 dhe 25-29), të cilat vlerësohen si përmbledhjet më të lashta të të gjithë veprës, mbizotëron “një ton urtësie njerëzore dhe profane, e cila e lë të tronditur lexuesin e krishterë” (“La Bibbia di Gerusaleme”, Botime Dehoniane, Bologna 1985, f. 1290).

Për këtë arsye, abati J. Steinman, duke cituar nga ana e tij profesorin e njohur Deusburg, thotë: “Është e pamundur ta mënjanosh librin e Proverbave nga varësia e tij ndaj literaturës profane” (për këtë, të shihet: J. Chaine- R. Grousset, në “Littérature Religieuse”, Paris 1949, f. 242).

Shembujt janë të shumtë dhe do të ishte e pamundur t’i shtjellonim një për një në këtë punim. Mjafton të përmendet se profesori i literaturës së Dhjatës së Vjetër në “Church Divinity School of the Pacific” (Kaliforni), J.B. Pritchard, të cilin e përmendëm gjatë analizës së librit të Psalmeve, ka arritur të verifikojë më shumë se 126 raste huazimi që autori i librit të Proverbave ka bërë ndaj literaturës profane te lashtësisë (J.B. Pritchard [nën kujdesin e], “Ancient Near Eastern Texts- Relating to the Old Testament”, viti 1955 [tregues dhe referenca biblike f. 520-23]).

Për më shumë, të shihet: A. Erman “Das Weisheitsbuch des Amen-em-ope”, OLZ, XXVII (1924), 241- 52; H. Gressmann, “Die neugefundene Lehre des Amen-em-ope und die vorexilische Spruchdichtung Israels”, ZAW, XLII (1924), 272- 96; të shihet, gjithashtu: G.A. Barton, Archeology and the Bible; W.O.E. Oesterley, the Wisdom of Egypt and the Old Testament (1927); Artikulli i Griffith dhe Simpson në “Jour. of Egypt. Archeology” 12 (1926) 191 ff., 232 ff; Johannes Fichtner, Die altorientalische Weisheit in ihrer israelitisch-jüdischen Ausprägung, p.3, n. 4, dhe 4 ns. 3 dhe 4.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *