TwitterFacebookPinterestGoogle+

Kryqëzimi – një çështje identiteti

 Dr. Jerald F. Dirks

Fragment i shkëputur nga libri The Cross & the Crescent – An Interfaith Dialogue between Christianity and Islam, kapitulli i 5, fq. 77-112, me autor Dr. Jerald F. Dirks, Amana Publications, Beltsville MD, USA, 2001

 

Fjalët e tyre (me mburje): “Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut”. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë, por, Allahu e ka ngritur pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.”[1]

 

Ka shumë pak çështje të cilat i ndajnë muslimanët nga të krishterët aq thellë si ajo e kryqëzimit të supozuar, i cili thuhet se kishte ndodhur në rrethinat e Jeruzalemit në gjysmën e parë të shekullit të parë e.r. Që kryqëzimi është vërejtur pak në atë kohë, nuk mund të vihet në dyshim. Përveç librave të Dhiatës së ReBiblës (me autorësi të gjysmës së dytë të shekullit të parë dhe gjysmës së parë të shekullit të dytë e.r.), si dhe literaturës tjetër të hershme të krishtere, përmendja e vetme e kryqëzimit më së afërti asaj kohe gjendet vetëm në dy vende. Ngjarja përmendet shkurtimisht në veprat e historianit hebre Jozefus bin Matias (gjatë gjysmës së dytë të shekullit të parë e.r.), i cili shkruante:

Në këtë kohë jetonte një njeri i mençur që quhej Jezus. Ai kishte sjellje të mirë dhe njihej si njeri i virtytshëm … Pilati e dënoi atë me vdekje në kryq. Por, dishepujt e tij nuk e braktisën dishepullimin e tij. Ata raportuan se ai u ishte dëftuar atyre tri ditë pas kryqëzimit të tij dhe se ai ishte gjallë. Pra ai mund të ketë qenë Mesia për të cilin profetët kanë treguar mrekulli.[2]

Autori tjetër që na rrëfen kalimthi ngjarjen ishte historiani romak, Taciti, i cili jetoi mes viteve 55-115 e.r. Ai thotë:

Kristus… vuajti dënimin me vdekje gjatë mbretërimit të Tiberit, me vendim të Ponc Pilatit…[3]

Sigurisht, ka çështje të tjera, që e ndajnë dhe e dallojnë besimin islam nga ai i krishterë; më e theksuara ndër to doktrina e krishtere e Trinisë. Megjithatë, doktrina e Trinisë është aq e shkurtër dhe aq komplekse sa një i krishterë i rëndomtë nuk arrin dot ta kuptojë atë; nëse i kërkohet ta përkufizojë Trininë, ai jep një përkufizim të tillë që kisha e ka deklaruar herezi prej kohësh.

Por, kryqëzimi është një çështje që ka rëndësi për të krishterin e rëndomtë, i cili e sheh kryqëzimin e Jezusit -paqja qoftë mbi të[4]- si një ngjarje historike e cila nuk mund të vihet në dyshim assesi. I indoktrinuar gjatë gjithë fëmijërisë me tregimet e Biblës mbi kryqëzimin dhe me udhëzime se si duhet lexuar dhe kuptuar Biblën, një i krishterë i rëndomtë shpesh e ka vështirë të besoj se dikush e vë në dyshim kryqëzimin e Jezu Krishtit. 

Shumica e të krishterëve e pranojnë se mund të kontestosh lindjen e Jezusit nga e ëma e tij e virgjër, ringjalljen e Jezusit pas kryqëzimit dhe Trininë, por jo dhe ngjarjen historike të kryqëzimit të Jezusit.

Ndryshe nga besimet e të krishterëve, Kurani thotë në mënyrë eksplicite se “ata as nuk e vranë, as nuk e kryqëzuan”. Megjithatë, Kurani nuk thotë se nuk ka pasur fare kryqëzim. Kurani thekson se nuk ishte Jezu Krishti ai i cili u kryqëzua, edhe pse u dukë ashtu. Me pak fjalë, vija çarëseqë ndan Islamin dhe Krishterimin në lidhje me kryqëzimin, nuk ka të bëjë me atë se a ka pasur apo jo kryqëzim në kohën dhe vendin e dhënë në Dhiatën e Re, por rreth asaj se nëse personi i kryqëzuar ishte Jezusi apo dikush tjetër. Marrë parasysh këtë, në këtë kapitull nuk do të diskutohen debatet e shumta brenda Krishterimit rreth vendit[5] dhe datës[6] së saktë të kryqëzimit. Në vend të kësaj, fokusi do të vihet vetëm në një pikë: a ishte Jezusi ai që u kryqëzua?

Me ngritjen e kësaj pyetje, autori i tanishëm (J.D.*) tregon se literatura e krishtere dhe Dhiata e Re, në vetvete, japin disa arsye për ta pranuar deklaratën kuranore se, ai që u kryqëzua, nuk ishte Jezusi, profeti i Allahut[7]. Kësisoj vërtetohet se, ata që e thonë të kundërtën “nuk kanë ditur kurrgjë për të” dhe “vetëm kanë hamendësuar”.

Megjithatë, qëllimi i kësaj eseje nuk është të tregoj se çfarë në të vërtetë kishte ndodhur atë ditë të largët në Jerusalem, por të vë në pah se të krishterët e hershëm ishin bukur shumë të hutuar dhe të pasigurt rreth asaj që ngjau gjatë kryqëzimit.

Vetë fakti se një konfuzion i tillë ekzistonte është provë e mjaftueshme për të dyshuar në kryqëzimin e Jezusit. Kjo do duhej t’i bënte të krishterët të reflektonin për deklaratën kuranore se Jezu Krishti nuk u kryqëzua, si dhe për ngjashmëritë thelbësore mes Kuranit dhe degëve të ndryshme të kishës së hershme të krishtere.

Provat

Në vijim do të sjellim tri kategori kryesore të informatave. I pari informacion në lidhje me kryqëzimin paraqitet nga të ashtuquajturit Etërit apostolikë të kishave të hershme të krishtere. I dyti informacion është marrë nga të ashtuquajturat libra apokrife të Dhjatës së ReBiblës. Informacion i tretë në lidhje me kryqëzimin bazohet në të ashtuquajturit ungjij kanonikëDhjatës së Re. Pra, të gjitha provat janë nxjerrë nga Krishtërimi i hershëm, jo nga Islami. Kështu, literatura e hershme e krishterë dhe Bibla është përdorur për të hedhur dyshime mbi doktrinën zyrtare të krishtere.

Etërit apostolikë

Para se t’i shqyrtojmë librat apokrifë, duhet thënë nja dy-tri fjalë për provat që gjenden në shkrimet e të ashtuquajturve Etër apostolikë nga kishat e hershme të krishtere. Jo rrallë, Etërit apostolikë theksonin se kishte pasur sekte “heretike” (dmth sekte të krishtera të cilat nuk pajtoheshin me dogmën e caktuar të Etërve apostolikë), sipas të cilave “pasioni” ose vuajtjet e Jezusit në kryq ishin të pavërteta dhe/ose të përfytyruara.  Të tilla referenca gjenden në shkrimet e Ignatit, Polikarpit, Justinit, Irenit, Tertulit dhe Hipolitit. Me të vërtetë këta Etër apostolikë së bashku qenë figurat më të shquara tëkishave të hershme.[8]Ja një shembull që duhet veçuar: Në Trallians-in e  tij, Ignati, peshkopi i Antiokut (i cili vdiq rreth 110 e.r., dhe i cili kishte shkruar gjatë dekadës së parë të shekullit të dytë e.r.), ishte mjaft elokuent në sulmin e tij kundër të krishterëve të hershëm të cilët thoshin se kryqëzimi i Jezusit s’ishte asgjë më shumë se një iluzion. Citati i mëposhtëm nga Ignati (kursivi i shtuar nga autori i tanishëm [J.D.]) është i drejtpërdrejtë:

Por në qoftë se, siç thonë disa, … vuajtjet e tij ishin vetëm në dukje, atëherë pse jam unë një i burgosur, dhe pse dua aq shumë të luftojë me bishat e egra? Atëherë, unë vdes së koti.[9]

Domethënë, njeriu nuk mund ta sulmojë për herezi një besim apo doktrinë që ende nuk ekziston. Teologjia e Ignatit, pavarsisht sulmit të tij kundër atyre të krishterëve të hershëm të cilët besonin se kryqëzimi i Jezusit ishte vetëm iluzion, dëshmonë ekzistencën e këtij besimi në mesin e të krishterëve të hershëm.

Më tej, fakti që Ignati i shqetësuar e sulmonte këtë doktrinë sugjeron se besimi në natyrën iluzore të kryqëzimit ishte mjaft i përhapur në vitin 110 e.r. Është e qartë se doktrina apo besimi në natyrën iluzore të kryqëzimit shihej nga Ignati si kërcënim për atë që shumë më vonë do të bëhet qëndrim ortodoks i kishës së krishtere në lidhje me kryqëzimin. Meqë do të kalonin disa vite që një besim i tillë të përhapej në një territor aq të madh siç ishte ai i Perandorisë Romake, mund të konkludohet se origjina e doktrinës së natyrës iluzore të kryqëzimit daton fare mirë që nga shekulli i parë e.r., e ndoshta edhe nga koha e vetë kryqëzimit.

Nga sa u tha më sipër, duhet rikujtuar se Ignati po i sulmonte të krishterët, e jo ata që s’ishin të krishterë, edhe pse disa të krishterë të caktuar që po sulmoheshin kishin besime të përbashkëta por të kundërta me ato të Ignatit kur bëhej fjalë për veçoritë e doktrinës së kryqëzimit. Këto fakte mund të tronditin miliona të krishterë të edukuar në frymën e interpretimit të Krishterimit sipas Shkollës së të Dielës. Për miliona të krishterë të edukuar në frymën e interpretimit të Krishterimit sipas Shkollës së të Dielës, të sipërpërmendurat do t’i trondisin ata. Megjithatë, për ta këto tronditje janë vetëm fillimi. Në të vërtetë, ato e shtojnë intensitetin e tyre në mënyrë dramatike, kur të analizohen shkrimet e hershme të krishtere, qofshin ato apokrife, qofshin kanonike.

 

Librat apokrifë

Në vijim do t’i analizojmë të dhënat nga librat apokrifë të krishterimit të hershëm për ta vlerësuar deklaratën kuranore se Jezu Krishti nuk ishte ai që u kryqëzua. Kjo analizë është gjithsesi e paplotë, meqë literatura apokrife është thjesht shumë e gjerë dhe shumë voluminoze për t’u ekzaminuar e tëra. Megjithatë, diskutimi dhe prezantimi në vijim ilustron se të paktën disa prej librave apokrifë e thonë qartë se Jezusi nuk u kryqëzua. Gjatë çdo prezantimi, formati i përdorur e identifikon librin apokrif të cilit i referohet, jep komente mbi prejardhjen e tij, dhe pastaj paraqiten dëshmitë përkatëse nga i njëjti burim. Pasi që shumica e lexuesve, qofshin muslimanë, qofshin të krishterë, kanë fare pak njohuri për Dhiatën e Re apokrife, duhet bërë një shkëputje të vogël nga tema për t’i dhënë ca sqarime. Është një mit i përhapur si te të krishterët, ashtu edhe te muslimanët se kisha e hershme e krishtere ishte monolite. Ky mit është larg nga e vërteta historike. Në fakt, çdo kishë (si ajo në Aleksandri, Antiokia, Damask, Jerusalem, Romë, Lion, etj) ishte bukur shumë e pavarur nga të tjerat. Secila kishë kishte peshkopin ose prijësin e vet, preferencat e veta doktrinare dhe teologjike, si dhe librat e veta të pranuara. Pra, nuk kishte besime të krishtere “ortodokse” në shekujt e parë të krishterimit. Do të kalonin disa shekuj para se të krijohej një kanun i pranuar përgjithësisht i shkrimeve të shenjta brenda krishterimit. Më herët, çdo kishë përcaktonte dogmën e saj dhe njihte librat e veta në mënyrë krejt të pavarur prej kishave të tjera. Megjithatë, në fillim të shekullit të katërt, kjo gjendje ndryshoi rrënjësisht. Këto ndryshime ishin pararendës i Këshillit të Nikesë më 325 e.r.[10]

Në Nikea, filluan të konstruktoheshin doktrina dhe besimet ortodokse, u ndërmorën hapa për të filluar një kanun të autorizuar të shkrimit të shenjtë, i cili më vonë do të bëhet i njohur si Dhiata e Re. Procesi i arritjes tek një kanun i shkrimit të shenjtë që do të ishte i pranuar përgjithësisht u përcoll me mllef dhe mosmarrëveshje, dhe i konsumoi kishat e hershme të krishtere për nja dy shekuj. Në fund të këtij procesi, kanuni i shkrimeve të Dhiatës së Re, që më në fund u arrit, përbëhej vetëm nga një përzgjedhje shumë e vogël e shkrimeve voluminoze të krishtere, që ishin cilësuar si të shenjta prej njërës apo kishës tjetër të krishtere të hershme. Dhiata e Re aktualisht përbëhet nga 27 libra prej të cilave katër janë klasifikuar si ungjij. Librat të cilat nuk janë përfshirë në kanunin e Dhiatës së Re, por të cilat kanë qenë dikur pjesë përbërëse e krishterimit të hershëm, u quajtën apokrife. Për t’i treguar lexuesit se sa shumë shkrime të hershme të krishtere ngelën apokrife, autori i tanishëm (J.D.) sjellë një listë të pjesshme të ungjijve apokrifë, jo të gjithë janë të pranishëm sot.[11] Në listë, natyrisht, nuk janë përfshirë letrat apokrife, aktet, tekstet e tjera që flasin për fundin e botës (apokalipsat), etj. Kjo listë do të ishte dukshëm më e zgjeruar, nëse në të do të futeshin edhe shkrimet e tjera apokrife. Lista e Ungjijve Apokrifë[12]: Dialogu i Shëlbuesit, Ungjilli i Andreut, Ungjilli i Apellasve, Ungjilli i Bardezanve, Ungjilli i Barnabës, Ungjilli i Bartolomeut, Ungjilli i Bazilidëve, Ungjilli i Lindjes së Marisë, Ungjilli i Kerintit, Ungjilli i Evës, Ungjilli i Ebionitëve, Ungjilli i Egjiptasve, Ungjilli i Enkratitëve, Ungjilli i Katër Regjioneve Qiellore, Ungjilli i Hebrenjve, Ungjilli i Hesikiusit, Ungjilli i Foshnjërisë së Jezu Krishtit, Ungjilli i Juda Iskariotit, Ungjilli i Judesë, Ungjilli i Markionit, Ungjilli i Manit, Ungjilli i Marisë, Ungjilli i Matiasit, Ungjilli i Merintusit, Ungjilli sipas Nazartasve, Ungjilli i Nikodemit, Ungjilli i Perfeksionit, Ungjilli i Pjetrit, Ungjilli i Filipit, Ungjilli i Pseudo-Mateut, Ungjilli i Skitianusit, Ungjilli i të Shtatëdhjetëve, Ungjilli i Tadausit, Ungjilli i Tomasit, Ungjilli i Titanit, Ungjilli i së Vërtetës, Ungjilli i Dymbëdhjetë Apostujve, Ungjilli i Valentinit, Ungjilli i Xhejmsit, Ungjilli Sekret i Markut, Ungjilli i Tomasit për Foshnjërinë e Jezu Krishtit.

Siç u tha më parë, lista e mësipërme përmban 41 libra, ku nuk listohen tërë ungjijtë apokrifë e aq më pak librat e tjera apokrife. Përkundër kësaj, Dhiata e Re kanonike përfshin vetëm katër ungjij, d.m.th. Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Ky kontrast është mjaft dramatik dhe ilustron pasurinë e shkrimeve të shenjta të mëparshme krishtere, që kisha e hershme i shihte të përshtatshme për t’i injoruar, ndaluar, apo dhe shkatërruar, sapo ajo filloi fushatën e saj të konstruksionit të një dogme, teologjie a besimi të unifikuar. Thënë shkurt, vetëm katër nga më shumë se 45 ungjij gjetën rrugën e tyre për në Dhiatën e Re, një 9% i varfër nga tërë ajo që ishte e mundur. Me këtë hyrje në sfondin e apokrifeve të kishave të hershme të krishtere, mund të vazhdojmë me shqyrtimin e provave prej pesë burimeve të ndryshme apokrife: Ungjillit të Barnabës; Dy Librave të Jeut; Apokalipsit të Pjetrit; Traktatit të Dytë të Sethit të Madh; dhe Veprave të Gjonit.

 

Ungjilli i Barnabës

Origjina

Herë pas here, autorë muslimanë kanë bërë pohime ekstravagante dhe tejet të pabazuara në lidhje me Ungjillin e Barnabës.[13] Duke mos dashur t’i vë në siklet këta autorë, motivet dhe qëllimet e të cilëve duket se ishin të mira, autori i tanishëm (J.D.) do të përmbahet nga përmendja e referencave të tilla. Në mesin e pohimeve për Ungjillin e Barnabës janë se: ai ishte konsideruar kanonik nga kisha e Aleksandrisë deri në vitin 325 e.r., ishte cituar shumë nga Ireni, peshkopi i Lion it në shekullin e dytë e.r., dhe kishte shërbyer si bazë për përkthimin latin të Biblës nga Shën Zheromi, me autorizim të Kishës Katolike Romake. Në fakt, asnjëri prej këtyre pohimeve nuk është i saktë. Pohimi i parë, me sa duket, bazohet në një ngatërrim të thjeshtë, në të cilën pohuesi ka bashkuar identitetin e dy librave të ndara, d.m.th, Ungjillin e Barnabës dhe Letrën e Barnabës. Ishte kjo e fundit e cila u konsiderua kanonike nga kasha Aleksandrisë ose të paktën ishte lexuar gjatë ceremonive dhe ritualeve të tyre. Letra e Barnabës ishte përmendur nga Etërit e ndryshëm[14] të kishës së hershme, përfshirë edhe Klementin e Aleksandrisë[15], Origenin[16] , Euzebin[17], dhe Zheromin[18]. Në fakt, Letra e Barnabës është gjetur edhe në Sinaitin sirian, një version i Biblës së shekullit të katërt e.r. Sa i përket pohimit të dytë, Ungjilli i Barnabës nuk përmendet në asnjë shkrim ekzistues të Irenit. Atëherë, përse aq i shpeshtë ky pohim i gabuar? Kemi dy përgjigje të mundshme. E para, është e vërtetë se Ireni i referohej Letrës së Barnabës. Përgjigja e dytë e është më e ndërlikuar dhe më komplekse, dhe fillon duke vënë në dukje pohimin se Ireni citonte shumë nga Ungjilli i Barnabës. Me një kontroll të thjeshtë të citateve, zbulohet falsiteti i pohimit nëse ka ekzistuar ndonjë pjesë relevante e shkrimeve të Irenaeusit. Problemi është se ky pohim thuhet të jetë bazuar në deklaratat e At Marinos të shekullit 16 e.r., personi i cili gjoja kishte vjedhur dorëshkrimin e Ungjillit të Barnabës nga biblioteka e Papa Sikstus V. Në përpjekje për ta rikonstruktuar gjenezën e këtij pohimi, hipotetizohet se At Marino kinse kishte pasur qasje në shkrimet e “fshehta” apo të “ndaluara” të Irenit, ku ai citonte nga Ungjilli i Barnabës. Pra, i tërë pohimi duket të jetë bazuar në fjalën e një hajduti të vetëshpallur fajtor, i cili pretendonte të kishte qasje në një dorëshkrim të fshehtë të Irenit. Ky dorëshkrim, për të cilin nuk mund të dëshmojë kush, nga ana tjetër dëshmon për prejardhjen e Ungjillit të Barnabës, për të cilin burim i vetëm është At Marino. Qartazi ky pohim për origjinën e Ungjillit të Barnabës është më pak se qesharak. Sa i përket pohimit të tretë, autori i tanishëm (J.D.) është absolutisht në mëdyshje se si dikush që njeh sado pak latinishten e folme mund ta ndërlidhë atë me Ungjillin e Barnabës. Ndërlidhja e vetme, ndoshta, është se Zheromi ishte përgjegjës për latinishten e folme dhe i referohej Letrës së Barnabës në disa prej shkrimeve të tij. Tek e fundit, latinishtja e folme ishte një nga burimet e Mbretit Xhejms për përkthimin e Biblës, dhe ka më shumë të përbashkëta me Biblën moderne sesa me Ungjillin e Barnabës. Atëherë, nga e ka prejardhjen Ungjilli i Barnabës? Referenca më e hershme që autori i tanishëm (J.D.) mund ta identifikojë është Decretum Gelasianum de Libris Recipiendis et non Recipiendis (Dekreti i Galasius mbi Librat e Pranuara dhe të Refuzuara)[19], ku figuron si libër apokrif dhe i refuzuar. Dekreti i Galasiusit është pararendës i Index Librorum Prohibitorum (Indeksi i Librave të Ndaluara) i Kishës Katolike, dhe shpesh i atribuohet Papa Gelasius I, i cili vdiq në vitin 496 e.r., por origjina e vërtetë e Dekretit të Galasius nuk mund të tragëzohet përtej shekullit gjashtë e.r. Sido që të jetë, fakti se Ungjilli i Barnabës u ndalua në Dekretin e Galasius përforcon bindjen se një Ungjill i tillë kishte ekzistuar, të paktën nga shekulli i gjashtë e.r. Megjithatë, mbetet e hapur çështja se a është libri që sot njihet si Ungjilli i Barnabës i njëjti Ungjill i cili identifikohet në Dekretin e Galasius. Prejardhja e raportuar e librit që aktualisht njihet si Ungjilli i Barnabës është si vijon:

1) në vitin 383 e.r., Papa Damasus i siguroi një kopje të Ungjillit të Barnabës dhe e mbajti atë në bibliotekën e tij private;

2) Me sa duket, libri mandej kaloi nëpër biblioteka private të papëve të ndryshëm;

3) Në fund të shekullit të 16 e.r., At Marino vodhi dorëshkrimin nga biblioteka personale e Papa Sikstus V;

4) Dorëshkrimi pastaj kaloi në posedim të shumë personave të paidentifikuar;

5) Aty kah fillimi i shekullit të 18-të e.r., dorëshkrimi ra në duar të J.E. Cramer që ishte, siç thuhet, këshilltar i Mbretit të Prusisë;

6) Më 1713, Cramer thuhet se ia dha dorëshkrimin princit Eugen të Savojës; dhe

7) Në vitin 1738, dorëshkrimi kaloi prej princit në Hofbibliothek të Vjenës, ku mendohet të ketë mbetur deri në ditët e sotme.[20]

Çfarë mund të konfirmojmë nga informacioni i mësipërm prej burimeve të pavarura?

(1) Damasus ishte Papë prej vitit 366-384 e.r.[21]

(2) Sikstus V ishte Papë prej 1585-1590 e.r.[22]

(3) Princi Eugen i Savojës jetoi nga viti 1663 deri më 1736 e.r.[23]

(4) Biblioteka e princit me mbi 10.000 libra iu dha Hofbibliothek të Vjenës. [24]

Me gjithë konfirmimet e tilla, ndershmëria intelektuale na detyron ta pranojmë se origjina e Ungjillit të Barnabës, atë të cilin e kemi aktualisht, nuk mund të gjurmohet pashkëputshëm para fillimit të shekullit 18-të e.r. Thjesht, ai mund të jetë ose mund të mos jetë i njëjti libër që përmendet në Dekretin e Galasiusit. Lexuesit i kërkohet t’i ketë këtë parasysh dhe t’i shqyrtojë me kujdes materialet nga Ungjilli i Barnabës. Parimi themelor i Ungjillit të Barnabës është se, kur Juda Iskarioti u priu ushtarëve për në Kopshtin e Getsemanit për ta arrestuar Jezusin dhe për ta sjellë atë në gjyq, pamja e Judës u ndryshua mrekullisht ndërsa Jezusi u ngjit në qiell. Përderisa Jezusi ishte i sigurt në qiell, Juda mori pamjen e Jezu Krishtit. Sipas këtij burimi, Jezusi asnjëherë nuk u arrestua, kurrë nuk u sprovua, dhe kurrë nuk u kryqëzua. Ishte Juda, dishepulli tradhtar, ai i cili u arrestua, u vu në sprovë, u fshikullua, u përçmua dhe u kryqëzua në vend të tij. Ja disa citate relevante nga Ungjilli i Barnabës:

Kur ushtarët që ishin me Judën iu afruan vendit ku gjendej Jezusi… Perëndia, duke e parë rrezikun ndaj shërbëtorit të Tij, urdhëroi Gabrielin, Mikaelin, Rafaelin dhe Urielin, shërbyesit e tij, ta merrnin Jezusin nga kjo botë. Engjëjt e shenjtë erdhën dhe e morën Jezusin… dhe e vendosën atë në qiellin e tretë në shoqërinë e engjëjve, ku e madhërojnë Perëndinë përjetë … Juda ishte ndryshuar kaq shumë në zë dhe në fytyrë, saqë dukej sikurse Jezusi… ushtarët hynë dhe vunë duart e tyre mbi Judë Iskariotin, sepse ai dukej mu sikurse Jezusi… ushtarët e morën Judën dhe e lidhën duke e përçmuar… Atëherë, ushtarët e humbën durimin e tyre dhe me grushte e shkelma filluan ta poshtëronin Judën dhe e çuan me tërbim në Jerusalem …[25]

Në Jerusalem, Juda u morë në pyetje nga krerët e priftërinjve të ndryshëm hebrenj dhe Sinedri, nga Ponc Pilati, (i cili identifikohet si një pasues i fshehtë i Jezusit), dhe nga Herodi tetrark. Juda më kot orvatej t’u tregonte atyre se ai nuk ishte Jezusi, por Juda. Duke dalë para Pilatit për herë të dytë, Juda u fshikullua, iu vesh një mantel i vjetër i purpurt, u kurorëzua me gjemba dhe u përçmua. Më në fund, Pilati e dënoi Judën me vdekje në kryq, duke e caktuar atë të kryqëzohej me dy vjedhës.[26]

Mandej e çuan në malin Kalvar, aty ku ata i varnin keqbërësit, dhe aty e kryqëzuan lakuriq, me një poshtërim të madh. Juda, vërtet, s’kishte ç’të bënte pos të bërtiste: “Zot, përse më braktise duke e parë keqbërësin të ketë ikur e mua më lë të vdes padrejtësisht?” Unë, me të vërtetë, them se zëri, fytyra, dhe personi i Judës ishin mu sikurse të Jezusit, saqë dishepujt e tij dhe besimtarët ishin të bindur plotësisht se ai ishte Jezusi; disa u larguan nga doktrina e Jezusit … porse Jezusi kishte thënë se ai nuk do të vdiste, deri pranë fundit të botës dhe vetëm atëherë ai do të merrej nga kjo botë. Por, ata që qëndruan paluhatshëm në fenë e Jezusit, ishin zhytur në dhimbje duke e parë të vdiste atë i cili ishte krejtësisht si Jezusi, duke harruar kështu atë çfarë u kishte thënë Jezusi … Ata dishepuj që nuk ia patën frikën Perëndisë, hyn natën (dhe) vodhën trupin e Judës dhe e fshehën, duke përhapur fjalë se Jezusi ishte ringjallur, çka bëri të shpërthente një konfuzion i madh.[27]

Pas kryqëzimit, engjëjt e kthyen Jezusin përsëri në tokë nga qielli i tretë për t’iu shfaqur nënës dhe dy motrave të tij, Martës dhe Mari Magdalenës, Lazarit, Gjonit, Xhejmsit, Pjetrit, dhe Barnabës. Më vonë, ai iu shfaq edhe te shtatë (prej 12?) “dishepujve besnikë”, Nikodemit dhe Jozefit (nga Arimatea?). Në fund, Jezusi u ngjit përsëri në qiell, dhe këtë e dëshmuan 47 prej 72 dishepujve më të mëdhenj.[28]

Konkluzion

Ndërsa pasigurinë e prejardhjes së Ungjillit të Barnabës duhet nënvizuar, ky libër e thotë shkoqur se Juda Iskarioti ishte ai, që u kryqëzua në vend të Jezu Krishtit. Si i tillë, Ungjilli i Barnabës mbështet tregimin kuranor të kryqëzimit, kurse hedh poshtë qëndrimin ortodoks të krishterë.

 

Dy Librat e Jeut

Origjina

Dy Librat e Jeut gjenden në Codex Brucianus, i cili daton diku mes shekujve tre dhe dhjetë e.r. Ato përmenden në Pistis Sophia (Bindje-Urtësi), një tekst koptik dhe gnostik[29] i shekullit të tretë e.r, me gjasë i përpiluar në Egjipt rreth shekullit të tretë e.r.[30]

Prova

Citati nga ky burim apokrif, ndoshta, është më i dobëti në mbështetje të versetit kuranor, ngase është disi i paqartë. Megjithatë, lexuesi le ta gjykojë vetë:

Jezusi, i gjalli, u përgjigj dhe u tha apostujve të tij: ‘Lum ai që e ka kryqëzuar botën dhe nuk ka lejuar që bota ta kryqëzojë atë”[31]

Konkluzion

Sipas Dy Librave të Jeut, i bekuar është ai, që nuk ka lejuar botën ta kryqëzojë atë. Kjo qartë nënkupton se ose Jezu Krishti nuk ishte i bekuar, ose nuk ishte kryqëzuar. Meqë opsioni i parë është i papërfytyrueshëm si për të krishterët, ashtu edhe për muslimanët, opsioni i fundit mbetet i vetmi i pranueshëm.

 

Apokalipsi i Pjetrit

Origjina

Apokalipsi i Pjetrit është një prej shumë librave të krishterimit të hershëm, të cilat u nxorën në dritë në vitin 1945 nga zbulimet tejet të rëndësishme arkeologjike në Naga Hamadi të Egjiptit. Këto zbulime zhgroposën një bibliotekë të shekullit të katërt e.r. me dorëshkrime në papirus, shumë prej të cilave ishin në gjuhë koptike. Duke pasur parasysh këtë prejardhje, krijimi i fundit i mundshëm i Apokalipsit të Pjetrit do të ishte shekulli i katërt e.r. Megjithatë, analizat e gjëra letrare të dorëshkrimit vënë në pah se autorësia e Apokalipsit të Pjetrit datonte diku nga shekulli i tretë e.r.[32]

Prova

Në citatin e mëposhtëm nga Apokalipsi i Pjetrit, kursivi është shtuar nga autori i tanishëm (J.D.) për të vërë në dukje fjalët dhe frazat kyçe të cilat ilustrojnë se kjo vepër apokrife pohon se Jezu Krishti u kryqëzua vetëm në dukje, jo në realitet. Jezusi u kap vetëm në dukje nga ushtarët, ndërsa, në realitet, ai mbeti në anën e Pjetrit, të cilit ia tregoi kuptimin e vërtetë të ngjarjes së kryqëzimit. (Megjithatë, më vonë, në një pasazh thuhet se Jezusi u kap fillimisht, por më pas u lirua, pikë kjo që do të shtjellohet më gjerësisht, kur t’i shqyrtojmë ungjijtë kanonikë.) Viktima e kryqëzuar ishte një zëvendësim ose përngjasim me Jezusin, një zëvendësim i cili u shfaq në pamjen e Jezusit dhe identifikohej si demon.

Kur ai i tha ato fjalë, unë pashë atë të kapej nga ata. Unë thashë: “Çfarë po shoh, o Zot! A jeni ju vetë ai të cilin ata po e marrin ndërsa ti po më kapë mua! Apo kush është ky njeri i cili i lumtur po qeshet në pemë? A mos është ky një tjetër këmbët dhe duart e të cilit ata po i godasin? “Shëlbuesi më tha: “Atë që po e sheh në pemë duke qeshur, i lumtur, është Jezusi i gjallë. Por, ky njeri duart dhe këmbët e të cilit ata po i gozhdojnë, është zëvendësuesi që po mbulohet me turp, ai i cili u bë t’i ngjasojë atij. Por, shikoni atë dhe mua.” Kur unë e këqyra, thashë: “Zot, askush nuk po të shikon. Ikim që këtej.” Por, ai më tha: “Të kam thënë, lëri të verbrit rehat! Shih sesi ata nuk dinë se çfarë thonë. Të birin e lavdisë së tyre e kanë zhytur në turp në vend të shërbëtorit tim”… Ai më tha: “Ji i fortë, sepse ti je ai të cilit u janë zbuluar këto mistere, që t’i dish ato nëpërmjet shpalljes, ai i cili po kryqëzohet është i parëlinduri dhe shtëpia e demonëve … por ai që qëndron pranë tij, është Shëlbuesi i gjallë, i pari në të, të cilin ata e kapën dhe e liruan, ai i cili qëndron i lumtur, duke vështruar ata që i bënë dhunë atij, ndërsa ata janë të përçarë mes vete. [33]

Konkluzion

Edhe pse citati i mësipërm është disi i vështirë për t’u ndjekur dhe për t’u interpretuar, Apokalipsi i Pjetrit duket se hedhë poshtë qartazi idenë se Jezu Krishti ishte kryqëzuar, edhe pse u dukej ashtu shumicës së të pranishmëve. Në këtë pikë, Apokalipsi i Pjetrit mbështet deklaratën kuranore për ngjarjen e kryqëzimit dhe dallon rrënjësisht nga ortodoksia tradicionale e krishtere.

 

Traktati i Dytë i Sethit të Madh

Origjina

Si Apokalipsi i Pjetrit, ky libër u zbulua në vitin 1945 në Naga Hamadi të Egjiptit. Prejardhja e tij mbetet e padiskutueshme mes groposjes së tij në shekullin e katërt e.r. dhe zhgroposjes së tij në vitin 1945. Megjithatë, origjina e kësaj vepre, me gjasë, shkon përtej shekullit të katërt e.r. Një analizë teologjike e ngjarjes së kryqëzimit tregon se pjesa thelbësore e saj është marrë nga Bazilidi[34], një i krishterë egjiptian i besimit gnostik nga shekulli i dytë e.r.[35] (Për të mos zbuluar para kohe disa nga surprizat nga ngjarja e kryqëzimit që gjenden në ungjijtë kanonikë, kjo pikë do të elaborohet më vonë.) Hë për hë, mjafton të thuhet se prejardhja e Traktatit të Dytë të Sethit të Madh gjurmohet mes shekujve dy dhe katër e.r., me datën më të hershme të sigurt.

Prova

Kryqëzimi te Sethi raportohet me fjalët e supozuara të Jezusit, i cili është vetë folësi në pasazhin e cituar më poshtë. Pasazhi thotë qartë se Jezusi vdiq vetëm në dukje dhe se ishte dikush tjetër që u gozhdua në kryq, që kishte pirë vrerin dhe uthullën, dhe kishte veshur kurorë me gjemba. Gjatë gjithë kësaj ndodhie, Jezusi mrekullisht ndryshonte formën apo pamjen e tij fizike me vullnetin e tij, dhe qe dëshmitar i një serie të tërë ngjarjesh. (Në pasazhin e mëposhtëm nga Sethi, kursivi është shtuar nga autori i tanishëm (J.D.) për të vënë në pah çështjet relevante.)

Dhe plani që ata kurdisën për mua për t’u çliruar prej gabimeve dhe çmendurisë së tyre – unë nuk iu dorëzova atyre ashtu siç ata kishin planifikuar. Unë nuk e pësova assesi. Ata që ishin aty, më ndëshkuan mua. Dhe unë nuk vdiqa në realitet, por vetëm në dukje, që të mos turpërohesha nga ana e tyre, sepse ata janë nga farefisi im …Vdekja ime, të cilën ata mendojnë se më ka ndodhur, atyre u ndodhi nga gabimi dhe verbëria e tyre, ngase ata gozhduan për vdekje njeriun e tyre …kjo sepse ata ishin të shurdhër dhe të verbër… Po, ata më panë mua; ata më ndëshkuan mua. Ishte dikush tjetër; babai i tyre, ai i cili piu helmin dhe uthullën; nuk isha unë ai. Më fshikulluan me kallam; ishte një njeri tjetër, Simoni, i cili mbarti kryqin mbi shpatullat e tij. Mbi një njeri tjetër ata vunë kurorë gjembash … E unë qeshja me injorancën e tyre … Sepse unë ndryshoja format e mia, duke kaluar nga një formë në tjetrën.[36]

Konkluzion

Edhe këtu mesazhi është i qartë. Ndonëse Jezu Krishti dukej sikur po kryqëzohej, kjo ishte vetëm një pamje e thjesht iluzore. Jezusi nuk u kryqëzua në realitet. Përkundrazi, ishte Simoni ai i cili u kryqëzua në vend të Jezusit (detajet e kësaj pasojnë më vonë në këtë kapitull). Thënë shkurt, Sethi e mohon qartë konceptin e kryqëzimit të Jezu Krishtit, duke qenë kështu në përputhje me deklaratën kuranore mbi kryqëzimin. Edhe këtu ortodoksia tradicionale e krishtere hidhet haptazi poshtë nga një tekst i mëhershëm i krishterë.

 

Veprat e Gjonit

Origjina

Libri Veprat e Gjonit është gjetur në një dorëshkrim të vetëm grek nga Vjena i zbuluar në vitin 1897 e.r., por aty është i vënë një shënim (me simbol), i cili thotë se dorëshkrimi mund të ketë qenë vepër e një shkruesi që kishte jetuar në vitin 1324 e.r. Megjithatë, prejardhja e këtij libri nuk ndalet aty. Veprat e Gjonit u shpall libër heretik në Këshillin e Dytë të Nikeas më 787 e.r., gjë që tregon për ekzistencën e tij në shekullin e tetë e.r. Për më tepër, Augustini[37] kishte cituar një fragment nga ky libër në një letër të shkruar në shekullin e pestë e.r. Citati i Augustinit përputhet me dorëshkrimin e vitit 1897 e.r., që njëherësh përforcon bindjen se Veprat e Gjonit që u gjet më 1897, është i njëjti libër që ishte në qarkullim në shekullin e pestë e.r. Megjithatë, analizat letrare sugjerojnë se libri ishte përpiluar në gjysmën e parë të shekullit të dytë e.r.[38]

Prova

Pasazhi i cituar më poshtë nga Veprat e Gjonit ndodh pas arrestimit të supozuar të Jezusit. Autori i dorëshkrimit pretendon të jetë një dishepull i Jezu Krishtit, Gjoni, i biri i Zebedeut. (Meqë rrëfimi është në vetën e parë, lexuesi duhet ta ketë në mendje se përemri i vetës së parë i referohet Gjonit, përveç nëse kjo është pjesë e deklaratës që jepet në thonjëza, në atë rast ajo i referohet Jezusit, i cili i flet Gjonit.) Në citatin që vijon, Gjoni rrëfen se si ai dhe dishepujt e tjerë ishin shpërndarë dhe kishin marrë arratinë pak para kryqëzimit, dhe se si ai kishte kërkuar strehim duke u fshehur në një shpellë në Malin e Ullinjve. Gjersa po qëndronte i fshehur në shpellë, Jezusi i shfaqet Gjonit gjatë kohës së kryqëzimit dhe i shpjegon atij se kryqëzimi ishte iluzion, dhe se Jezusi nuk ishte ai i cili po kryqëzohej. Gjatë shpjegimit, Jezusi ia kujton Gjonit një valle simbolike, që ai gjoja e kishte bërë me dishepujt e tij më herët, për ta parashikuar dhe përshkruar ngjarjen e rreme të kryqëzimit që kishte për të ndodhur më vonë. Jezusi i thotë shkoqur Gjonit se ai nuk ishte duke vuajtur asnjë nga gjërat që më vonë do të thuheshin për të, p.sh. se ai ishte shpuar me një heshtë dhe ishte plagosur, se ai ishte varur në kryq, se gjaku rridhte prej tij, etj. (Në citatin e mëposhtëm, theksi është shtuar nga autori i tanishëm (J.D.) për të vënë në pah deklaratat relevante.)

Ne ishim si burrat e habitur apo të lodhur nga gjumi, dhe u arratisëm duke qenë në atë gjendje. Unë e pashë atë të vuante, por nuk i prita dot vuajtjet e tij. Ika në Malin e Ullinjve dhe qava për atë që kishte për të ndodhur. Kur ai u var (në Kryq) ditën e premte, në orën gjashtë të ditës, një errësirë e mbuloi tërë tokën. Zoti im qëndronte në mes të shpellës duke i dhënë dritë asaj dhe thoshte: ‘Gjon, për popullin atje poshtë, në Jerusalem, unë jam duke u kryqëzuar dhe shpuar me heshta e me kallam, dhe më është dhënë të pi uthull dhe pelin. Ty po të flas, dhe dëgjo çfarë po të them…” Si i tha këto fjalë, ma tregoi një Kryq nga Drita e fiksuar dhe rreth Kryqit një turmë të madhe, e cila s’kishte ndonjë formë të caktuar … Unë e pashë vetë Zotin përmbi Kryq … “Ky nuk është ai Kryqi prej druri që do ta shohësh, kur të shkosh poshtë nga këtu, as unë s’jam ai (njeri) i cili është në kryq, të cilin ju nuk e shihni, por vetëm zërin (tim) ia dëgjoni. Unë u mora për çfarë nuk jam; unë nuk jam çfarë kam qenë për shumë të tjerë. Ajo çfarë do të thonë për mua, është e neveritshme dhe e padenjë për mua … Pra, unë nuk i vuajta ato gjëra të cilat ata do t’i thonë për mua, madje edhe vuajtja që ta tregova ty dhe të tjerëve në vallen time dua që të quhet mister … Do të dëgjosh se kam vuajtur, por unë nuk kam vuajtur, dhe se unë nuk kam vuajtur, por unë kam vuajtur; që unë jam shpuar, por unë nuk jam plagosur; që unë jam varur, por unë nuk jam varur; që gjaku rrodhi nga unë, por ai nuk rrodhi; dhe, me një fjalë, ato që ata i thonë për mua, unë nuk i kam pësuar, por ato që ata nuk i thonë, ato gjëra unë i kam vuajtur…[39]

Konkluzion

Nuancat gnostike të këtij pasazhi nga Veprat e Gjonit mund të jenë konfuze për disa lexues të cilët nuk kanë njohuri të duhur për doktrinën dhe filozofinë gnostike. Megjithatë, versetet përkatëse nuk lënë asnjë dyshim se kryqëzimi i Jezusit ishte vetëm një iluzion. Edhe një herë, shkrimi apokrif i krishterimit të hershëm hedh poshtë plotësisht ortodoksinë tradicionale të krishtere për ngjarjen e kryqëzimit, dhe është në përputhje me qëndrimin kuranor mbi këtë çështje.

Përmbledhje dhe Konkluzion

Pavarësisht se a pranohet apo jo se Ungjilli i Barnabës datonte para fillimit të predikimit të Profetit Muhamed, nuk ka dyshim se shumë nga literatura apokrife brenda kishave të hershme të krishtere pohonte se Jezusi nuk ishte kryqëzuar në realitet. Thjesht, kishat e hershme të krishtere nuk pajtoheshin unanimisht se Jezusi kishte vdekur në kryq. Kishte shumë ndarje brenda kishave të asaj kohe, dhe një pjesë e krishterimit të hershëm besonin në mënyrë të qartë se kryqëzimi i Jezusit ishte iluziv dhe se/ose dikush tjetër ishte kryqëzuar në vend të tij. Duke analizuar prejardhjen e këtyre librave apokrifë, mund të provohet se, besimi në natyrën iluzive apo se dikush tjetër ishte kryqëzuar në vend të Jezusit, ishte mjaft i përhapur te kishat e hershme të krishtere gjatë shekullit të dytë dhe të tretë e.r. Më tej, duke iu referuar polemikave kundër këtij qëndrimi nga të ashtuquajturit Etërit apostolikë, ky besim mund të gjurmohet deri në dekadën e parë të shekullit të dytë e.r. Duke pasur kohë të arsyeshme që një sistem i tillë besimi të përhapej deri në atë pikë sa Etërit apostolikë të ndjenin nevojë për ta sulmuar atë, bëhet e qartë se besimi që Jezusi nuk ishte kryqëzuar në të vërtetë pasqyrohej nga kishat e hershme të krishtera gjatë gjysmës së fundit të shekullin e parë e.r. Thënë shkurt, ky besim ishte i përhapur para dhe gjatë kohës së autorësisë së ungjijve kanonikëDhiatës së Re!

 

Ungjijtë kanonikë

Pasi shqyrtuam origjinën e librave apokrifë, është e udhës t’ia hedhim një sy origjinës së Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit. Pa hyrë në diskutime të detajuara dhe të stërzgjatura të burimit dhe kritikës së tekstit, vlen të përmendet se Mateu, Marku, Luka shpesh paraqesin një front të përbashkët, që nuk përputhet me Gjonin. Kjo ishte edhe arsyeja pse më herët të treve u referoheshin si Ungjij Sinoptikë. Më tej, të katër ungjijtë bazohen, të paktën pjesërisht, në burimet e shkruara të mëparshme, të tilla si Q, proto-Marku, M, L, dhe dokumente të tjera hipotetike, dhe asnjëri nga këta katër ungjij kanonikë nuk ishte shkruar në të vërtetë nga ndonjë dishepull i Jezusit. Veç kësaj, Ungjijtë zakonisht kanë këtë renditje: Marku, që pasohet nga Mateu, pastaj vjen Luka, dhe në fund Gjoni. Gjithashtu duhet theksuar se të dy, Mateu dhe Luka, e bazojnë një pjesë të të dhënave të tyre te Marku. Në formën e tyre fillestare të kompletuar, asnjërit prej katër ungjijve nuk mund t’u përcaktohet ndonjë datë më hershme se ajo e tremujorit të fundit të shekullit të parë e.r., kurse ajo e Gjonit në tremujorin e parë të shekullit të dytë e.r. Redaktimi i katër ungjijve kanonikë vazhdoi gjatë disa shekujve të parë të e.r. Totali i mësipërm dëshmon se asnjëri nga autorët e katër ungjijve kanonikë s’qe dëshmitar okular i ngjarjeve të kryqëzimit, edhe pse librat e tyre përkatëse duket se përmbajnë të dhëna të dorës së parë, të cilat, në të vërtetë, ishin vetëm lajme rreth ngjarjeve që ishin përcjellë tek ata, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes ndërmjetësve.[40] Në vijim do të analizohen rrëfenjat e ndryshme të kryqëzimit nga ungjijtë kanonikë. Sidoqoftë, një lexim i vëmendshëm sugjeron qartë se personi që u kryqëzua mund të mos ketë qenë fare Jezusi.

 

Prova: Mohimi i Pjetrit

Pjetri Heroik

Të katër ungjijtë kanonikë janë në pajtim për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me arrestimin e Jezusit. Të katërtit pajtohen se Jezusi dhe dishepujt e tij hëngrën ushqim së bashku në Jerusalem në natën e arrestimit (edhe pse Mateu, Marku, Luka e përshkruajnë këtë si ushqim i Pashkëve, Gjoni e portretizon atë si një ditë para Pashkëve[41]). Më tej, të gjithë janë të një mendimi rreth faktit se Jezusi u arrestua një natë para kryqëzimit dhe se arrestimi i tij ngjau jashtë mureve të qytetit të Jerusalemit (i cili vazhdimisht, por në mënyra të ndryshme, identifikohej si Kopshti i Getsemanit, një vend në Malin e Ullinjve dhe një kopsht në anën e largët të Luginës së Kidronit nga Jerusalemi). Ata, gjithashtu, janë pajtohen rreth asaj se, gjatë arrestimit, një nga dishepujt e Jezusit nxori shpatën dhe goditi me të për ta mbrojtur Jezusin. Ndërsa Gjoni thotë se ky dishepull ishte Pjetri (Simon bar Jonah)[42], Mateu, Marku, Luka heshtin për emrin e tij. Jezusi, si i tha këto fjalë, kaloi bashkë me nxënësit e vet përtej përroit Kedron. Aty ishte një kopsht në të cilin hyri ai e nxënësit e tij. Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte atë vend, sepse Jezusi shpeshherë shkonte atje bashkë me nxënësit e vet. Atëherë, Juda mori një kompani ushtarësh dhe disa rojtarë të Tempullit që ia dhanë kryepriftërinjtë e farisenjtë dhe ia behu atje me pishtarë të ndezur e me armë. Jezusi, që e dinte mirë çka kishte për t’i ndodhur, u doli para dhe u tha:

– Kë kërkoni? – Jezu Nazarenin! ‑ u përgjigjën ata.

– Unë jam ai. ‑ u tha Jezusi.

Me ta ishte Juda që po e tradhtonte. Kur Jezusi u tha: “Unë jam ai!”, ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe. Atëherë, i pyeti përsëri:

– Kë kërkoni? – Jezusin Nazarenas! ‑ iu përgjigjën ata.

 – Ju thashë që unë jam. Nëse më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë!

Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala që pati thënë: “Nuk mora asnjë prej atyre që më dhe.” Atëherë, Simon ‑ Pjetri nxori shpatën që e kishte me vete dhe i ra shërbëtorit të kryepriftit duke ia prerë veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. Atëherë, Jezusi i tha Pjetrit: “Shtjere shpatën në mill! A të mos e pi gotën që ma dha Ati?” Atëherë, njësia ushtarake me komandantin e me rojtarët e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën.[43] Në versetin e mësipërm nga Gjoni, Juda Iskarioti, dishepulli i cili thuhet se kishte tradhtuar Jezusin, iu prin një grupi njerëzish të armatosur për ta arrestuar Jezusin. Gjoni i identifikon këta burra të armatosur të ishin “një njësi ushtarake” dhe “roje nga kryepriftërinjtë dhe farisijenët”[44] Identifikimi i parë nënkupton se egjionarët romakë u drejtuan nga zyrtarët hebraikë për të asistuar në arrestimin e Jezusit. Identifikimi i fundit i referohet në mënyrë të qartë forcës policore të Tempullit. Përballë këtij autoriteti numerikisht të madh dhe të armatosur, një dishepull po qëndronte stoikisht. Pjetri nxori trimërisht shpatën e vet dhe pa ndihmën e askujt sulmoi turmën e armatosur të ushtarëve dhe policëve profesionistë të rreshtuar kundër tij. Ai duhej të ketë qenë në dijeni se ky akt i tij heroik do ta çonte atë në vdekje të menjëhershme, por ai ishte më se i gatshëm për ta sakrifikuar jetën e tij, në përpjekje dëshpëruese për ta shpëtuar Jezusin. Megjithatë, Pjetri bëri vetëm një mësymje me shpatën e tij, me ç’rast ia preu veshin Malkut, robit të kryepriftit, para se të ndërhynte Jezusi. Duke e ndaluar përleshjen para se ajo të fillonte, Jezusi iu dorëzua forcave ushtarako-policore, kurse dishepujt e tij pastaj u arratisen natën[45]. (Luka shton se Jezusi kishte shëruar veshin e Malkut[46]).

Pjetri frikacak

Pas arrestimit të tij, Jezusi u dërgua te Ana, vjehrri i Kajafës, kryeprifti hebre, dhe pastaj te Kajafa[47]; ose drejtpërdrejt te Kajafa[48]”. Ndryshe nga të gjithë dishepujt e tjerë, Pjetri, prore besnik dhe heroik, e ndiqte nga larg, për t’u futur më pas në hyrjen e oborrit të jashtëm[49]”. Atje Pjetri sypatrembur priste fjalën e fundit mbi fatin e Jezusit. Megjithatë, përderisa Pjetri po qëndronte në oborr, autorët e katër ungjijve kanonikë duan ta bindin lexuesin se Pjetri atje ia ktheu shpinën Jezusit. Pra, Pjetri heroik, i cili i vetëm kishte sulmuar legjionarët romakë dhe policinë e tempullit dhe i cili kishte rrezikuar jetën e vet duke ndjekur Jezusin deri në oborrin e jashtëm, papritmas ishte bërë frikacak, ngase ai tri herë radhazi mohoi të ketë pasur ndonjë shoqërim me Jezusin para se gjeli të këndonte atë mëngjes. Meqë formulimi i saktë i mohimit të Pjetrit është tejet i rëndësishëm, rrëfenjat nga të katër ungjijtë jepen fill më poshtë.

Mohimi i Pjetrit te Mateu

Ndërkaq Pjetri rrinte përjashta, në oborr. Dhe ja, iu afrua një shërbëtore e i tha: “Edhe ti ishe me Jezu Galileasin.” Por ai, para të gjithëve, mohoi duke thënë: “Nuk di ç’po thua!” Dhe, ndërsa po i afrohej derës për të dalë jashtë, e vuri re një shërbëtore tjetër, e cila u tha të pranishmëve: “Ky ishte me Jezu Nazarenin.” E ai prapë e mohoi me be: “As që e njoh atë njeri!” Pakëz më vonë, u afruan ata që ishin aty e i thanë Pjetrit: “Vërtet, edhe ti qenke një prej tyre! Ja, edhe mënyra e të folurit tënd të zbulon!” Atëherë, Pjetri ia nisi të lëshojë be e rrufe se nuk e njihte atë njeri. S’vonoi dhe këndoi gjeli! Atëherë, Pjetrit i ra në mend fjala që ia pati thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh.” Doli përjashta dhe qau me lot për faqe.[50]

Rrëfimi i Lukës

Ata ndezën zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij. Ndër ta u ul edhe Pjetri. Kur një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi mirë dhe tha: “Edhe ky ishte me të!” Ai mohoi: “Nuk e njoh, moj fisnike!” Pak më vonë, e vuri re një tjetër e tha: “Edhe ti je prej tyre!” “Nuk jam, o njeri!” – iu përgjigj Pjetri. Dhe pas, diku pas një ore, një tjetër tha: “Me të vërtetë, edhe ky ishte me të! Sepse është edhe galileas!” Pjetri u përgjigj: “S’di ç’po thua, o burrë!” Dhe tamam atëherë, ndërsa ende po fliste, këndoi gjeli. Zotëria u kthye dhe ia lëshoi sytë Pjetrit. Pjetrit i ra ndër mend fjala e Zotërisë që ia pati thënë: ‘Para se të këndojë gjeli sot, tri herë do të më mohosh!’ Doli përjashta dhe qau thekshëm.[51]

Rrëfimi i Markut                                                                               

Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një shërbëtore e kryepriftit dhe, kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia lëshoi mirë sytë dhe i tha: “Edhe ti ishe me këtë Nazarenas, me Jezusin.” Ai e mohoi me këto fjalë: “As s’di as s’po marr vesh se çka po flet.” Pastaj u çua e doli në treme (edhe gjeli këndoi). Shërbëtorja, kur pa filloi t’u flasë të pranishmëve: “Ky është një prej tyre!” Pjetri prapë mohoi. Pak më vonë edhe ata që ishin aty i thanë Pjetrit: “Me të vërtetë, ti je një prej tyre! Se edhe ti galileas je!” Atëherë, ai ia filloi të lëshojë be e rrufe: “Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni.” Menjëherë gjeli këndoi për së dyti e Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi ia tha: “Para se gjeli të këndojë dy herë, tri herë do të më mohosh.” Dhe shpërtheu në vaj.[52]

Ja edhe rrëfimi i Gjonit

Ndërkaq shërbëtorja derëtare i tha Pjetrit: “A mos je edhe ti prej nxënësve të atij njeriu?” “Nuk jam!” – iu përgjigj ky. Aty ishin shërbëtorët e rojtarët. Kishin ndezur zjarr e po nxeheshin, sepse bënte ftohtë. Me ta rrinte edhe Pjetri e po nxehej … Simon-Pjetri po rrinte gjithnjë aty e po nxehej. I thanë disa: “A mos je edhe ti prej nxënësve të tij?” Ai e mohoi dhe tha: “Nuk jam.” Njëri prej shërbëtorëve të kryepriftit, kushëriri i atij të cilit Pjetri ia preu veshin, i tha: “Po a nuk të pashë bashkë me të në kopsht?” Pjetri prapë mohoi dhe këndoi gjeli.[53]

Çfarë mohoi Pjetri

Gjatë shqyrtimit të këtyre katër versioneve të asaj që thuhet se është e njëjta ngjarje, duhet shikuar me kujdes atë çfarë mohonte Pjetri. Në këtë drejtim, po paraqesim Tabelën 2 si më poshtë.

Tabela 2. Akuzat (A) që Pjetri i mohonte (M)

Mt1 A: Edhe ti ishe me Jezu Galileasin.

M: Nuk di ç’po thua!

Mt2 A: Ky ishte me Jezu Nazarenin.

M: As që e njoh atë njeri!

Mt3: Edhe ti qenke një prej tyre! Ja, edhe mënyra e të folurit tënd të zbulon!

M: Unë nuk e njoh atë njeri.

 

L1 A: Edhe ky ishte me të!

M: Nuk e njoh atë njeri.

L1 A: Edhe ti je prej tyre!

M: Nuk jam, o njeri.

L3 A: Me të vërtetë edhe ky ishte me të!

M: S’di ç’po thua, o burrë.

 

M1 A: Edhe ti ishe me këtë Nazarenas, me Jezusin.

M: As s’di as s’po marr vesh se çka po flet.

M2 A: Ky është një prej tyre!

M: Pjetri prapë mohoi.

M3 A: Me të vërtetë, ti je një prej tyre! Se edhe ti galileas je!

M: Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni.

 

Gj1 A: A mos je edhe ti prej nxënësve të atij njeriu.

M: Nuk jam.

Gj2 A: A mos je edhe ti prej nxënësve të tij.

M: Nuk jam.

Gj3 A: Po a nuk të pashë bashkë me të në kopsht.

M: Pjetri prapë mohoi.

 

Mt1, Mt2, Mt3 = akuza e parë, e dytë dhe e tretë dhe mohimet e Pjetrit te Mateu.

L1, L2, L3 = akuza e parë, e dytë dhe e tretë dhe mohimet e Pjetrit te Luka.

M1, M2, M3 = akuza e parë, e dytë dhe e tretë dhe mohimet e Pjetrit te Marku. Gj1, Gj2, Gj3 = akuza e parë, e dytë dhe e tretë dhe mohimet e Pjetrit te Gjoni.

Një shkëputje e shkurtër nga tema; duhet theksuar se të katër ungjijtë kanonikë thonë se Pjetri mohoi tri herë. Ata, gjithashtu, bien dakord në tregimin e të tri akuzave. Megjithatë, ungjijtë kanonikë nuk përputhen në atë se çfarë ishin këto akuza. Sidoqoftë, të dhënat e paraqitura në tabelën 2 mund të përmblidhen në akuzat e mëposhtme:

(1) Pjetri ishte me Jezusin, galileasin (Mt1);

(2) Pjetri ishte me Jezusin, nazarenasin! (Mt2, M1);

(3) Pjetri ishte me “ata”, ku, në bazë të kontekstit, ata “i referohet” galileasve dhe/ose dishepujve të Jezusit nga Nazareti (Mt3, M2, M3);

(4) Pjetri ishte me dishepujt e njeriut që po gjykohej (L2, Gj1, Gj2);

(5) Pjetri ishte me burrin që po gjykohej (L1, L3); dhe

(6) Pjetri kishte qenë në kopsht me burrin që po gjykohej (Gj3).

Në përpilimin e listës përmbledhëse të gjashtë akuzave, kujdesiu është kushtuar mosparagjykimit të rezultatit, d.m.th. nuk mund të supozojmë se Jezusi i Nazaretit ishte ai që po gjykohej, por duhet shikuar drejtpërdrejt në deklaratat në fjalë. Siç mund të shihet, Luka dhe Gjoni paraqesin një front të përbashkët në të cilin mohimet e Pjetrit i drejtohen në mënyrë specifike njeriut që po gjykohej ose po merrej në pyetje. Thjesht, Pjetri mohon të ishte shoqëruar me burrin që po gjykohej ose po merrej në pyetje. Po sikur ai njeri të mos ishte Jezu Krishti? Çka nëse Juda ishte kapur në vend të Jezu Krishtit (Ungjilli i Barnabës), ose çka nëse dikush tjetër apo dikujt që iu kishte hedhur përngjasimi i Jezu Krishtit ishte kapur në vend të Jezu Krishtit (Apokalipsi i Pjetrit, Traktati i Dytë i Sethit të Madh, dhe Veprat e Gjonit)? Në këtë rast, mohimet e Pjetrit janë krejtësisht të sinqerta. Pra, nuk ekziston asnjë kontradiktë ngatërruese për atë që thuhet të kishte ndodhur brenda pak orëve në mes të: gatishmërisë së Pjetrit për të luftuar i vetëm ushtarët romakë dhe policinë Tempullit, që nënkupton trimërinë e tij dhe besimin e tij të palëkundur; dhe mohimet e Pjetrit, që nënkuptojnë qyqarllëk dhe mungesë të besimit. Thënë shkurt, ekziston hipoteza që një lexim sipërfaqësor i ungjijve kanonikë i shtrembëron mohimet e Pjetrit në mohim të Jezu Krishtit, kurse Pjetri thoshte qartë “Unë nuk e njoh atë njeri”, ku “ky njeri” mund të mos kishte qenë fare Jezu Krishti. Duke shkuar gjithherë sipas portretizimit të Pjetrit në ungjijtë kanonikë, shohim se Pjetri e mohonte që njeriu i cili po gjykohej dhe/ose po merrej në pyetje të ishte Jezu Krishti. Po si t’ia bëjmë me ngjarjen e kryqëzimit që raportohet te Mateu dhe Marku? Këtu hasim në mohime me fraza si “Jezusin, galileasin”, “Jezusin e Nazaretit”, dhe “Jezusi, njeriu nga Nazareti”. Një opsion është që këto fraza të hedhen poshtë si elaborim i mëvonshëm dhe i gabuar i një ngjarjeje të mëparshme, siç raportohen te Luka dhe Gjoni. Sigurisht, ky opsion rekomandon një refuzim të tillë dhe nuk është për t’u hedhur poshtë përnjëherësh. Megjithatë, kemi edhe opsionin e dytë, i cili bazohet në shqyrtimin e fjalëve kyçe “galileas” dhe “Nazaret”. Në këtë aspekt, vihet re se shumica e lexuesve sipërfaqësorë të Biblës vejnë shenjën e barazimit mes “galileasit” dhe “njeriut nga zona gjeografike e Galilesë”, që sugjerohet nga Bibla të kishte qenë Jezu Krishti. Po kështu, shumica e lexuesve të tillë e shohin “Nazaretin” si një qytet të Galilesë, që në Bibël tregohet të ketë qenë qyteti ku Jezu Krishti ishte rritur. Megjithatë, të dyja këto terma kishin kuptime radikalisht alternative gjatë gjysmës së parë të shekullit të parë e.r.

 

Judaizmi në shekullin e parë e.r.

Gjatë gjysmës së parë të shekullit të parë e.r, Judaizmi ishte ndarë në sekte të shumta fetare dhe politike. Në listën e pjesshme të sekteve të tilla dhe ndarjeve të tyre të ndryshme përfshihen: saducenjtë (zadokimët), hasidimët (grupi-rrënjë për farisenjtë dhe esenët), farisenjtë (perisaja), zelotët, hasmonitët, sikaritët, esenët, herodianët, nazarenasit (nazaritët ose nazirejtë), dhe galileasit.[54] Vetëm brenda këtij konteksti, termat e tilla si “Jezusin, galileasin”, “Jezusi i Nazaretit”, dhe “Jezusi, njeriu nga Nazareti” mund të kuptohen saktë dhe plotësisht.

Galileasit

Nëse sektet dhe nën-sektet e ndryshme hebraike do të renditeshin përgjatë një dimensioni kulturoro-politik, boshti majtas-djathtas ankorohet si vijon: e majta ekstreme tregon pranim dhe akomodim me kulturën helenistike dhe me sundimin romak, kurse e djathta ekstreme refuzim të plotë të kulturës helenistike dhe sundimit romak, i shoqëruar me aspirata ekstreme nacionaliste. Duke pasur parasysh këtë bosht dhe përkufizim, saducenjtë zënë krahun e majtë ekstrem, farisenjtë pozicionohen në mes kah krahu i djathtë i strumbullarit, kurse zelotët dhe hasmonitët zënë të djathtën ekstreme.[55] Ishte e djathta ekstreme ajo prej së cilës vazhdimisht lindnin lëvizje revolucionare kundër autoritetit romak. Zakonisht, grupeve të djathta ekstreme u referoheshin si zelotë (të zellshmit). Fjala “zelotë” bëhet kësisoj term ombrellë që përfshinte grupe dhe nën-grupe të ndryshme, përfshirë sikaritët (nga fjala greke “sikarioi ‘‘, që do të thotë “thikaxhi”, që i referohet një nën-grupi të zelotëve të cilët ishin vrastarë[56]) dhe galileasit. Bibla tregon se të paktën dy nga dishepujt e Jezusit vinin nga e djathta ekstreme e spektrit kulturoro-politik: Simoni, zeloti[57], dhe Juda Iskarioti (sikariu)[58]. Siç u tha më lart, lëvizja e zelotëve përfaqësonte të djathtën ekstreme të boshtit kulturoro-politik brenda Judaizmit të shekullit të parë e.r. Megjithatë, identifikimi i një personi si zelot tregon shumë pak për orientimin e tij të vërtetë fetar. Disa zelotë ishin kuazi-laik, kurse të tjerët ishin thellë të përkushtuar ndaj traditës fetare hebreje. Në mesin e këtyre të fundit, ishte një nën-grup që njiheshin si galileas[59]. Origjina dhe historia e galileasve është si vijon: Në vitin gjashtë e.r., Kuirini, një senator romak i rangut konsullor, u emërua guvernator i Sirisë nga Cezar Augustus.[60] Një nga detyrat e tij të para ishte të administronte një regjistrim të popullsisë në Palestinë, që kishte për qëllim regjistrimin e pronave në një listë të saktë tatimore.[61] Përderisa shumica e hebrenjve në Palestinë e pranoi në heshtje regjistrimin, një fraksion disident i hebrenjve, i udhëhequr nga Juda i Gamalës (i njohur edhe si Juda, galileasi) u fut në revoltë të hapur kundër autoritetit të Romës, duke pretenduar se regjistrimi i popullsisë do ta çonte përfundimisht popullin hebre në skllavëri; respektimi i regjistrimit ishte një marrëveshje nga hebrenjtë që paganët kishin të drejtë të sundonin në Palestinë, dhe se kishte ardhur koha për hebrenjtë ta krijonin shtetin e tyre teokratik[62]. Revolta e Judës, galileasit, qe jetëshkurtër. Ai u vra, kurse pasuesit e tij u shpërndanë për një kohë.[63] Por, kryengritja e Judës, galileasit, polli lëvizjen e zelotëve, veçanërisht e asaj pjese që njihej si lëvizja e galileasve.[64] Pas kryengritjes së shuar të Judës galileas, galileasit vazhduan të angazhoheshin në akte të izoluara guerile kundër Romës, të cilat u intensifikuan midis dekadave 6 dhe 70 e.r. Në vitin 44 e.r., aktivitetet e tilla revolucionare dhe paraushtarake nga ana e galileasve shpien në kryqëzimin e Xhejmsit dhe Simonit, të bijve të Judës, galileas, me urdhër të Tiber Aleksandrit, prokurorit të Judesë. Dhe në fund, në vitin 66 e.r, Menahemi, biri tjetër i Judës, galileas, udhëhoqi galileasit dhe zelotët në revoltë të hapur kundër Romës. Menahemi dhe pasuesit e tij konfiskuan një arsenal në Masada, pastaj marshuan në Jerusalem. Duke marrë shumicën e Jerusalemit, Menahemi, i cili kishte pretendime për t’u bërë mbret, vuri një sundim despotik dhe vrau Anan, kryepriftin hebre. Menahemi u vra më pas nga Elizari, i biri i Ananit, në Tempullin e Jerusalemit. Pasuesit e Menahemit pastaj ikën përsëri në Masada, nën komandën e njëfarë Elizari tjetër, që ishte një pasardhës i Judës, galileasit. Në Masada, revolta hebreje vazhdoi deri më 73 e.r., kur banorët e Mesadës, të vënë nën rrethim, kryen vetëvrasje masive, për t’u mos rënë në duart e ushtrisë romake e cila i kishte rrethuar ata.[65] Duke marrë parasysh historinë e mësipërme, lehtë mund të shihet se identifikimi “Jezusi galileas’’ nuk është “Jezusi nga rajoni gjeografik i Galilesë”. Marrë parasysh kontekstin e kohës, identifikimi më i mundshëm do të ishte “Jezusi, një anëtar i partisë galilease të kryengritësve paraushtarakë”. Jezusi i tillë, padyshim, nuk ishte Jezu Krishti, dhe mohimi i Pjetrit ndaj këtij Jezusi do të ishte i vërtetë.

Nazareasi

Ndër akuzat drejtuar kundër Pjetrit, njëra i referohet “Jezusi i Nazaretit”[66], kurse tjetra “Jezusi, burri nga Nazareti”[67] E para, në fakt, është një përkthim i gabuar i fjalës greke “Nazaren”[68], kurse e fundit është një përkthim i gabuar i fjalës greke “nazaren”[69]. Fjala greke “nazaren” ose “nazaran” është një transliterim (nazarenoi ose nazoraioi) i fjalës aramaike “nasren” ose “nasraja”, që do të thotë “ruajtësit”[70]. Në anën tjetër, fjala aramaike mund të gjurmohet në hebraisht deri te fjala “nazir”, që do të thotë “i shuguruar”, “i shenjtë”, ose “njeri i përkorë”[71]. Në qoftë se sektet dhe nën-sektet hebraike të shekullit të parë radhiteshin në aksin fetar, ku krahu i majtë përfaqësonte liberalizmin hebraik, kurse i djathti konservatorizmin fetar, atëherë farisenjtë do të pozicionoheshin në mes, ndërsa esenët dhe nazareasit në të djathtën ekstreme. Po kush ishin dhe çfarë ishin nazareasit? Thjesht, ata ishin i njëjti grup i përmendur në Dhiatën e Vjetër si nazirej ose si nazaritas. Nazareni ose nazareasi ishte një person i cili ishte zotuar për abstenim dhe respektim të rreptë të Ligjit të Moisiut. Zotimet e tilla mund të ishin për tërë jetën apo vetëm për një kohë të caktuar.[72] Rregullat specifike për periudhën e të qenit nazari ose nazareas renditen te Numrat 6:1-21 në Bibël dhe nuk përsëriten në këtë kapitull. Vërehet se nazarenasit ose nazareasit karakterizoheshin me refuzim për t’i prerë flokët e tyre, me abstenim absolut nga alkooli dhe nga çdo derivat i rrushit, dhe me refuzim absolut për të qenë afër ndonjë kufome, etj. Figurat e shquara biblike që identifikohen si nazarenë ose nazareas janë: Samsoni[73], Samueli[74], ndoshta Gjoni (Jahja) Pagëzori[75], ndoshta edhe Xhejmsi, kreu i parë i kishës së krishtere në Jerusalem[76], dhe Pali përkohësisht[77]. Megjithatë, portretizimi biblik i Jezu Krishtit është reciprokisht përjashtues me atë të nazareasit, ngase një nazareas kurrë nuk mund të ketë marrë nga fruti i rrushit, dhe kurrë nuk mund të ketë qëndruar diku afër Lazarit të vdekur, të cilin Jezusi, nëpërmjet fuqisë së Allahut, e ringjalli.[78] Nisur nga diskutimi i mësipërm, mohimi i Pjetrit të ketë qenë i shoqëruar me Jezusin, nazareasin, duket se ishte i vërtetë, edhe pse Jezusi, nazareasi, nuk ishte Jezu Krishti. Vini re: Nazareasi mund të ketë qenë edhe galileas, por jo patjetër. (Mes tjerash, shohim sesi në pasazhin biblik të cituar më herët nga Gjoni 18:1-12 shprehjen “Jezusi i Nazaretit” duhet lexuar “Jezusin, nazarenas”, çka ngre mundësinë që Jezu Krishti të mos ketë qenë arrestuar asnjëherë.)

 

Emri ‘Jezus’

Në shekullin e parë e.r., emri Jezus (interpretimi grek i Jozueut) ishte shumë i popullarizuar në Palestinë. Për shembull, prej 28 kryepriftërinjve të Judaizmit, nga koha e Herodit të Madh deri në shkatërrimin e Tempullit, katër prej tyre janë quajtur Jezus (Jezusi biri i Fabetit ose Fiabit, Jezusi biri i Sesor Seit, Jezusi biri i Damnusit, Jezusi biri i Gamalielit).[79] Duke përdorur këtë listë të kryepriftërinjve hebrejë si mostër përfaqësuese e emrave të meshkujve në Palestinë në shekullin e parë e.r., ka gjasa që afërsisht 14% e popullsisë mashkullore të jenë quajtur Jezus. Bazuar në këtë, nuk lypset të imagjinojmë shumë për të nxjerrë përfundimin se ishte një tjetër njeri me emrin Jezus që po merrej në pyetje një natë para kryqëzimit, pra ishte ky njeriu të cilin Pjetri e mohonte dhe se ky njeri ishte ai i cili do të kryqëzohej ditën e ardhshme.

Përmbledhje

Mohimi i Pjetrit lë ungjijtë kanonikë me dy opsione reciprokisht përjashtuese. 1) Brenda vetëm pak orëve, Pjetri kaloi nga të qenit figurë heroike e trimërisë së pashoqe në një frikacak, i cili verbalisht mohoi tri herë radhazi shoqërimin e tij me Jezu Krishtin. Shumë sinqerisht, ky portretizim i Pjetrit tenton ta tendosë imagjinatën. 2) Pjetri ishte i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë në mohimin e tij të njeriut të panjohur ose të një kryengritësi paraushtarak dhe përkrahësit të krahut të djathtë ekstrem të Judaizmit, i cili qëlloi të kishte emrin Jezus. Duke supozuar se njeriu ishte i panjohur, mohimi i Pjetrit përputhet bukur fort me provat e librave apokrifë të paraqitura më parë. Duke supozuar se njeriu ishte një kryengritës paraushtarak që quhej Jezus, mohimi i Pjetrit është në përputhje me historinë e lirimit të Barabas, siç tregohet më poshtë.

 

Prova: Lirimi i Barabas

Nga arrestimi deri tek Baraba

Para se të futemi drejtpërdrejt në historinë e lirimit të Barabas, do të ishte e dobishme që të skicohej rrugëtimi i supozuar i Jezu Krishtit nga momenti i arrestimit të tij të pretenduar deri në momentin e lirimit të Barabas. Duke përdorur katër ungjijtë kanonikë si burim të këtij lajmi, një krahasim i shpejtë i këtyre katër ungjijve zbulon mospërputhjet e dukshme mes tyre. Ky informacion paraqitet në Tabelën 3, dhe lexuesi është i lirë të nxjerrë vetë përfundime në lidhje me besueshmërinë e tregimeve të ungjijve rreth lëvizjeve të ndryshme të Jezu Krishtit gjatë këtyre ngjarjeve.

 

Tabela 3: Përshkimi i udhës së Jezu Krishtit midis arrestimit të tij dhe lirimit të Barabas sipas ungjijve kanonikë

 

Mateu                                 Marku                                 Luka                                 Gjoni

                                                                                                                                 Te Ana

Te Kajafa                          Te Kajafa                            Te Kajafa                            Te Kajafa

Te Sanhedrini?                  Te Sanhedrini                     Te Sanhedrini                  

                                                                                      Te Pilati

                                                                                      Te Herodi

Te Pilati                            Te Pilati                               Te Pilati                             Te Pilati

 

Sekuenca mateane varet nga Mateu 26:57; 27:1; 27:1-2.

Sekuenca markase varet nga Marku 14:53, 15:1, 15:1.

Sekuenca lukase varet nga Luka 22:54; 22:66; 23:1; 23:6-8; 23:11.

Sekuenca gjonase varet nga Gjoni 18:12-13; 18:24; 18:28.

 

Lirimi i Barabas

Lirimi i Barabas raportohet nga të katër ungjijtë kanonikë[80], dhe shumë nga detajet janë të njëjta te të katër tregimet. Në çdo tregim, Ponc Pilati, guvernatori romak i Judesë, i jep turmës hebreje një zgjedhje mes lirimit të dy të burgosurve, njëri prej të cilëve paraqitet tradicionalisht si Jezu Krishti, dhe tjetri si një rebel famëkeq, i cili është i njohur vetëm si Baraba. Turma e shqetësuar zgjedh Barabën që të lirohej. Pilati e liron Barabën dhe Jezu Krishti gjoja se kryqëzohet për vdekje. Megjithatë, siç do të shihet së shpejti, ky interpretim i portretizimit të ungjillit nga Shkolla e së Dielës s’është aspak i saktë, për shkak se tekstet më të vjetra dhe të sakta të ungjijve janë mbajtur larg nga masat e thjeshta deri në kohët më të fundit. Prej katër tregimeve, është ai i Mateut që deri më tani hedhë më shumë dritë dhe është më i detajuar, dhe pikërisht këtë tregim do ta sjellim në vijim:

Jezusi qëndroi para guvernatorit dhe qeveritari e pyeti duke thënë: ‘A je ti mbreti i Judenjve?’ Jezusi i tha: ‘Ti po thua!’… Tani, me rastin e festave, guvernatori e kishte zakon t`i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte. Kishin në ato kohë një të burgosur me nam me emrin Baraba. Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: ‘Kë doni t`jua liroj, Barabën apo Jezusin që quhet Krisht?’ Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira. Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: ‘Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr, për shkak të tij.’ Por, krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjen turmës që ta kërkonin Barabën dhe Jezusi të vritej. Guvernatori, duke vazhduar, u tha atyre: ‘Cilin nga të dy doni që t`jua liroj?’ Ata thanë: ‘Barabën!’ Pilati u tha atyre: ‘Ç`të bëj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?’. Të gjithë i thanë: ‘Të kryqëzohet!’ Por, guvernatori tha: ‘Po ç’të keqe ka bërë?’ Mirëpo, ata po bërtisnin edhe më fort: ‘Të kryqëzohet!’ Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: ‘Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti. Mendojeni ju.’ Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: ‘Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!’ Atëherë, ai ua liroi atyre Barabën dhe, mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi atyre, që të kryqëzohej.[81]

Një shkëputje e vogël nga tema, në shkrimet apokrife vërejmë vazhdimisht se gruaja e Pilatit identifikohet me emrin Prokla[82]. (Më shumë për statusin e saj të perceptuar nga kishat e hershme të krishtere më poshtë në kapitull.)

Identiteti i Barabas

Teksti i cituar më lart nga Mateu, siç gjendet në The Holy Bible: New Revised Standard Version (NRSV), e identifikon qartë Barabën me emrin Jezus. Në këtë identifikim, NRSV përdor tekstet më të lashta[83], për të korrigjuar fshirjen e emrit të Barabas, d.m.th. emrin Jezus, i cili ishte bërë në versionet e mëparshme të Biblës. Në të vërtetë, dijetarët e Biblës ishin prej kohësh në dijeni për këto tekste të vjetra të Mateut ku emri i Barabas ishte Jezus. Por, ky informacion mbahej larg popullit të thjeshtë. Në Versionin e Mbretit Xhejms të vitit 1611, nuk përmendet absolutisht emri i Barabas si Jezus. Në Revised Standard Version (RSV) të vitit 1946, ky informacion më në fund futet në tekst si një poshtëshënim i mugët. Përfundimisht, informata më e hershme dhe më e plotë në lidhje me Barabën paraqitet drejtpërdrejt në tekstin e New Revised Standard Version (NRSV) të vitit 1989, ku ajo fillimisht ishte dashur të jetë, dhe Baraba i panjohur më herët bëhet edhe një herë Jezus Baraba. Megjithatë, përkthyesit e Biblës ende e mbajnë atë larg popullit të rëndomtë. Ata akoma nuk e kanë kryer detyrën e tyre në edukimin e masave të thjeshta të krishtere dhe në bërjen e tekstit biblik më të arritshëm për të krishterët e rëndomtë. Ata tani kanë paraqitur Baraban si Jezu Baraba, por ende nuk vënë në dukje se “Baraba” nuk është emër, por është një patronim.[84] Patronimi është një identifikues, i cili tregon se personi është i biri i X. Kështu, në Dhiatën e Re, kemi dishepullin Simon Pjetri, i cili gjithashtu quhet Simon bar Jona, d.m.th, Simoni i biri i Jonas.[85] Megjithatë, përkthyesit e Biblës kanë vënë bashkë vazhdimisht fjalët aramaike “bar” dhe “Abbas”, duke e përkthyer kështu “Jezus bar Abbas” si “Jezus Barabas”, ose, hala më keq, vetëm si “Barabas”. Marrë këtë parasysh, dhe duke e ditur se “bar” thjesht do të thotë “biri i”, tani Barabën mund ta identifikojmë si “Jezusi i biri i Abbasit”. Po edhe ky përkthim mbetet disi çorientues për faktin se “Abbas” nuk është emër i personit. Fjalën “Abbas” duhet tutje përkthyer nga gjuha aramaike. “Abbas” do të thotë “at”, kurse Baraba identifikohet drejtpërdrejt dhe qartë te Mateu si “Jezusi, i biri i Atit!”[86] Tani, në qoftë se dikush do t’i pyeste 100 të krishterë të rastit për identitetin e “Jezusit, birit të Atit”, të gjithë prej tyre do ta identifikonin atë si Jezu Krisht. Baraba s’ishte askush tjetër pos Jezusit, i biri i Atit![87] Ky nuk është një identifikim i bazuar mbi ndonjë libër apokrif, i cili mund të ketë apo të mos ketë prejardhje që tragëzon deri tek kishat e hershme të krishtera, siç qe rasti me Ungjillin e Barnabës. Ky nuk është as një identifikim i bazuar mbi librat apokrifë, të cilat mund të gjurmohen direkt deri te kishat e hershme të krishtera, siç ishin Dy Librat e Jeut, Apokalipsi i Pjetrit, Traktati i Dytë i Sethit të Madh, apo Veprat e Gjonit. Por, ky është një identifikim që nxjerrët drejtpërdrejt nga ungjilli kanonik i Mateut. Është një identifikim që bëhet vetëm një herë: tekstet më të hershme të Mateut janë pranuar përfundimisht, si në rastin e NRSV; tashmë lexuesi ka mbaruar përkthimin e dy fjalëve, të cilat përkthyesit e Biblës akoma ngurrojnë t’i përkthejnë, duke i mbajtur kështu të krishterët e rëndomtë në errësirë ndaj deklaratës së vërtetë të Mateut. Të kuptuarit e pasazhit të Mateut është i ngjashëm me qërimin e qepës. Duhet qëruar lëvore pas lëvore, para se të arrijmë te thelbi i vërtetë. Megjithëse përkthyesit e Biblës kanë filluar qërimin e qepës për të rëndomtit, procesi i qërimit ka qenë jashtëzakonisht i ngadalshëm, dhe ngelet ende i papërfunduar. Këto shtresa të ndryshme paraqiten në tabelën e mëposhtme:

Tabela 4: Shtresat e Identitetit të Barabas

Shtresa e Zbuluar e Identietit                                    Versioni i Biblës

1. Barbas                                                                     King James Version, 1611

2. Jezus Barabas si poshtëshënim                                Revised Standard Version, 1946

3. Jezus Barabas                                                          New Revised Standard Version, 1989

4. Jezus bar Abas                                                         —//—

5. Jezusi, biri i Abasit                                                  —//—

6. Jezusi, biri i Atit                                                       —//—

 

Bazuar në diskutimin e mësipërm, Pilati, sipas Mateut, ofroi lirimin e njërit prej dy robërve atë ditë, që d.t.th., “Jezusin, birin e Atit” ose “Jezusin i cili quhet Mesia.”[88] Sipas narracionit matean, turma zgjodhi “Jezusin, birin e Atit” për lirim. Pilati ua plotësoi atyre kërkesën dhe e liroi “Jezusin, birin e Atit”, kurse e dënoi “Jezusin i cili quhej Mesia.”[89] Të paktën, narracioni matean na tregon se pati një konfuzion të qartë në lidhje me atë se cili u lirua dhe cili u kryqëzua. Meqë ka luhatje midis këtyre dyve, “Jezusit, birit të Atit” dhe “Jezusit që quhet Mesia”, atëherë si ta dimë se kush është njëri dhe kush tjetri? Përgjigja është dhënë, por lypset të bëjmë një çik pune detektivi. Para se Pilati ta pyeste turmën se cilin dëshironin ta lironin, Mateu na tregon se Pilati ia bëri një pyetje të vetme dhe të qartë Jezusit: “A je ti mbreti i Judenjve?”[90] Kjo ishte e vetmja gjë për të cilën Pilati dukej se ishte i interesuar. A pohonte Jezusi të ishte mbret i judenjve, duke çuar kështu në një kryengritje kundër Romës? Pilati nuk kishte asnjë shqetësim rreth grindjeve brenda autoriteteve fetare hebreje. Nëse dikush pretendonte të ishte figurë fetare si Mesia, kjo Pilatin aspak s’e shqetësonte. Ai donte ta vërtetonte pretendimin për mbret, ngase kjo përfshinte autoritetin tokësor dhe atë sekular, që paraqiste gjithsesi një sfidë për sundimin perandorak të Romës. Për këtë arsye, ai nuk e pyeti Jezusin se a ishte ai Mesia teologjik, kjo Pilatit fare s’i interesonte. Atij i interesonte ta dinte nëse Jezusi pretendonte të ishte mbret i judenjve. Pretendimi për Mesi teologjik nuk ishte krim sipas ligjit romak, ndërsa pretendimi për mbret të judenjve, pa dyshim, ishte krim. Këtu duhet këqyr se çfarë nënkuptohet me “Jezusi që quhet Mesia”. Breza të tërë të krishterësh janë indoktrinuar nga Shkolla e së Dielës me një koncept teologjik të Mesias, i cili daton që nga koha e kishave të hershme të krishtere. Megjithatë, fjala hebraike “Meshiah”, e cila është dhënë në Bibël si “Mesia”, thjesht do të thotë “i vajosur”. Po kështu, fjala greke “Kristos”, e cila në Bibël është Krisht, është thjesht një përkthim grek i fjalës hebraike “Meshiah”. Kështu, edhe nëse fjalët e Pilatit do të ishin “Jezusi i cili quhet Mesia”, krejt çfarë ai thoshte ishte “Jezusi i cili quhet i vajosuri”. Po kush ishin të vajosurit e Izraelit? Përgjigja është: mbretërit dhe krerët e priftërinjve të Izraelit. Në këtë aspekt, çdo rebel që pretendonte të ishte mbret i Izraelit, e në shekullin e parë e.r. pati shumë të tillë, do ta vajoste veten si mbret i Izraelit, dhe mund të quhej “Mesia”.[91] Pasi vërtetuam shqetësimin e Pilatit dhe me këtë akuzën e vërtetë kundër Jezusit, d.t.th. pretendimin për mbret të Judenjve, dhe pasi vërtetuam kuptimin e saktë të fjalës “Mesia”, tani t’i kthehemi pasazhit paralel për lirimin e “Jezusit, birit të Atit” te Marku.

Dhe turma, duke bërtitur, filluan të kërkonin të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta. Atëherë, Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: “A doni t’jua liroj mbretin e Judenjve?”… Por, krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkonin lirimin e Barabas.[92]  

Vini re ndryshimin delikat, por tejet të rëndësishëm. Zgjedhja është mes “Jezusit, Mbretit të Judenjve” dhe “Jezusit, Birit të Atit”! Duke pasur parasysh këtë version, nuk ka paqartësi apo konfuzion sa i përket identitetit. Pra, Jezusin, i cili pretendonte të ishte mbreti i Judenjve dhe ishte vajosur si i tillë, pra ishte bërë Mesi, e dorëzuan për kryqëzim, ndërsa Jezusi, biri i Atit, u lirua. Çfarë mund të jetë më e thjeshtë dhe më e drejtpërdrejt se kjo? Tani, kush ishte ky Jezus, i cili pohonte të ishte mbret i Judenjve? Ai ndoshta ishte një njeri të cilin e kemi hasur tashmë në këtë kapitull, “Jezusi, galileas”, që d.t.th. kryengritësi paraushtarak, të cilin Pjetri e mohoi me plot vetëdije.[93] Ishte ky Jezusi vrasës dhe kryengritësi i vërtetë, akuzat ndaj të cilit gabimisht u ishin veshur Jezusit, birit të Atit, nga konfuzioni, apo qëllimisht ose ndryshe, të krijuara nga shkruesit e ungjijve apo përkthyesit e tyre, redaktorët, apo edituesit.[94] Më tej, në qoftë se e pranojmë rikonstruimin e tregimit matean siç propozohet nga ky autor (J.D.), atëherë është e qartë se Jezusi, Mbreti i Judenjve (i njohur edhe si Jezusi galileas), ishte kryqëzuar, ndërsa Jezusi, biri i Atit, ishte liruar. Këtu, kemi mbrojtje të qartë të ngjarjes së kryqëzimit sipas Kuranit, siç dhe ka nevojë, bazuar vetëm në ungjijtë kanonikë. Në këtë pikë, lexuesi i krishterë, i indoktrinuar nga fëmijëria me mësimet e Shkollës së të Dielës, mund të mendojë se i tëri ky argument i ndërtuar kësisoj është absurd. Mirë, ta lëmë anash atë se çfarë vërtet thoshte Mateu për Jezusin, birin e Atit, sepse kështu është më lehtë të injorohet e tëra. Por, para se të merret ky hap, duhet konsideruar edhe një informacion. Nëse Pilati e kishte dënuar Jezu Krishtin me vdekje në kryq, atëherë si do ta kenë konsideruar kishat e hershme Pilatin dhe bashkëpunëtorët e tij? A s’do ta poshtëronin ato Pilatin deri në skajet e tokës? A s’do të dënohej zyrtarisht Pilati me përjetësi në ferr? Dikush me siguri do të mendonte kështu. Megjithatë, faktet flasin ndryshe. Më 28 tetor, kalendari i Kishës Ortodokse Lindore shënon si festë ditën e Shën Proklas, bashkëshortes së Ponc Pilatit.[95] Më 25 qershor, Kisha e Krishtere Kopte shënon ditën e Shën Proklas dhe Shën Ponc Pilatit si festë![96] Prokla u kanonizua si e shenjtë nga Kisha Ortodokse Lindore dhe nga Kisha e Krishtere Kopte, kurse Ponc Pilati u kanonizua i shenjtë nga Kisha e Krishtere Kopte. Por, si e arsyetonte në fillim Kisha e Krishtere Kopte shenjtërimin e njeriut i cili e kishte dënuar Jezu Krishtin me kryqëzim? Kjo dhunon haptazi çdo arsye dhe logjikë. Çfarë dinin këta të krishterë të hershëm që të krishterët modern nuk dinë? Ata mbase e dinin se Ponc Pilati, i shenjti i tyre i dashur, ishte njeriu i cili e kishte liruar Jezu Krishtin. Ata mbase e kishin kuptuar më mirë Mateun, sesa shumica e të krishterëve modern. Në këtë pikë, do të ishte shumë tendencioze të thuhej “rasti mbyllet, gjykimi shtyhet”. Por, ka mbetur edhe një dëshmi nga ungjijtë kanonikë për t’u shqyrtuar.

 

Provë: Rekrutimi i Simonit të Kirenës

Sipas interpretimit tradicional të krishterë mbi kryqëzimin, Jezu Krishti rrugëton nga dënimi para Ponc Pilatit deri në vendin e kryqëzimit, d.m.th. Golgotë (kalvari në latinisht). Ky rrugëtim është ritualizuar nga Kisha Katolike Romake si pjesë e 14 Stacioneve të Udhës së Kryqit, prej të cilave Stacioni i Pestë është me interes të veçantë. Stacioni i Pestë i Kryqit i referohet një ngjarjeje që raportohet te Sinoptikët, por jo te Gjoni. Në Stacionin e Pestë, thuhet se Simoni nga Kirena ishte ngarkuar ta mbarte kryqin e Jezusit[97]:

Duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartte kryqin e Jezusit. Kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë “Vendi i kafkës,” i dhanë të pijë uthull të përzier me pelin; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte. Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç’ishte thënë nga profeti: “I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time.” Pastaj u ulën dhe e ruanin.[98]

Ata e detyruan një kalimtar, njëfarë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij. Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: “Vendi i Kafkës”. I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t’i binte secilit.[99]

Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit…Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t’i vrarë. Dhe kur arritën në vendin që quhet “Kafka,” aty e kryqëzuan atë* dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë.[100]

Tani, dy pika duhet potencuar në lidhje me narrativat e mësipërme. Së pari, ungjijtë nuk e thonë se kryqi ishte transferuar përsëri te Jezusi prej Simonit. Së dyti, në pasazhin e Markut dhe në atë të Lukës, autori i tanishëm (J.D.) ka bërë fjalën “Jezus” me kursiv. Në të dy vendet, poshtëshënimi i tekstit të NRSV në mënyrë të qartë thekson se në greqisht lexohet “atë”, jo “Jezusin”. Me fjalë të tjera, përkthyesit ishin të shqetësuar se lexuesit e rëndomtë do ta lexonin “atë” duke iu referuar Simonit të Kirenës, po të mos e fusnin fjalën “Jezus” për “atë”. Në këtë aspekt, përkthyesit e kanë plotësisht të drejtë. Lexuesi i rëndomtë do ta lexonte “atë” për t’iu referuar Simonit të Kirenës, duke treguar me këtë se ishte Simoni nga Kirena ai i cili u kryqëzua. Në pasazhet e mësipërme, Mateu, Marku, dhe Luka duket se thonë që ishte Simoni nga Kirena ai i cili u kryqëzua në vend të Jezusit. Duhet theksuar se interpretimi i mësipërm i traditës sinoptike nuk është vetëm i autorit të tanishëm (J.D.). Në fakt, këtë interpretim e jepnin edhe shumë kisha të hershme të krishtere. Lexuesit e këtij kapitulli tashmë kanë hasur në këtë interpretim në Traktatin e Dytë të Sethit të Madh, librin apokrif të kishave të hershme të krishtere, ku thuhet, “ishte një njeri tjetër, Simoni, i cili mbarti kryqin mbi shpatullat e tij.” Në të vërtetë, zëvendësimi i Simonit të Kirenës (si viktimë e kryqëzimit) për Jezusin ishte një parim kardinal i besimit në mesin e atyre të krishterëve të hershëm të njohur si bazilidianë,[101] të cilët u shquan në mes të shekullit të dytë e.r. Ata u mblodhën në Egjipt dhe vazhduan së ekzistuari përgjatë shekullit të katërt e.r. Prejardhja e tyre mund të gjurmohet deri te pasuesit e Bazilidit, që thuhej se kishte marrë disa tradita të fshehta nga Glausias (përkthyesi i Pjetrit, dishepulli i Jezusit).[102]

 

Përmbledhje dhe Konkluzione

Nuk është qëllimi i autorit të tanishëm (J.D.) të provojë traditën e njërit kundrejt tjetrit mbi kryqëzimin apo moskryqëzimin e Jezu Krishtit. Megjithatë, elaborimet e mësipërme të shkrimit të shenjtë të krishterë, qoftë apokrif, qoftë kanonik, në mënyrë dramatike ilustrojnë se kishat e hershme të krishtere nuk pajtoheshin unanimisht rreth doktrinës së kryqëzimit të Krishtit. Është e qartë se ato ishin të hutuara se çfarë në të vërtetë kishte ndodhur. Teori të ndryshme mbi këtë temë qarkullonin brenda kishave të hershme. Në mesin e kandidatëve të ndryshëm me nder të dyshimtë si viktimë e kryqëzimit janë: Judë Iskarioti, Simoni nga Kirena, njeriu me përngjasim të Jezu Krishtit, të tjerët të paidentifikuar, dhe një kryengritës paraushtarak i njohur si Jezusi galileas, i cili pretendonte të ishte mbret i Judenjve, të cilin duhet dalluar nga Jezusi, i biri i Atit, d.m.th. Jezu Krishti. Kurani thotë qartë se Jezu Krishti nuk u kryqëzua. Segmente të mëdha të kishave të hershme të krishtere dhe të shkrimeve të shenjta të hershme të krishtere, pajtohen me këtë deklaratë. Nga kjo muslimanët mund të mësojnë se shumë prej kishave të hershme të krishtere ishin më afër Islamit nga se mendohej më parë. Në anën tjetër, të krishterët mund të mësojnë se doktrina e kryqëzimit ishte shumë e debatuar dhe e kontestuar nga kishat e hershme. Me këtë, ndoshta të krishterët do të tregonin gatishmëri t’ia hidhnin edhe një shikim mësimeve të fesë Islame për t’i konsideruar ngjashmëritë midis Islamit dhe bazave të Krishterimit të hershëm.

 

Përktheu: Visar Zeka

 

[1] Kuran 4:157-158.

[2] Josephus F (1988). Faqet 264-265.

[3] Tacitus: Annals. Në Pagels E (1979). Faqe 70.

[4] Shih parathënien e autorit në lidhje me përdorimin e shprehjes “paqja qoftë mbi të” në këtë libër.

[5] Debate të fuqishme kanë plasur te të krishterët rreth asaj se a ishte vendi i kryqëzimit Kalvari i Gordonit apo Bazilika e Varrit të Shenjtëë.

[6] Janë dy çështje në lidhje me datën e kryqëzimit. Së pari, në cilin vit të qeverisjes së Ponc Pilati ngjau kryqëzimi? Së dyti, a duhet pasuar kronologjia e traditës së Sinoptikëve rreth kryqëzimit në ditën e Pashkëve hebraike apo ajo Gjonase?

* Shënim i përkthyesit – këto iniciale i referohen autorit Jerald Dirks.   

[7] Shih parathënien e autorit në lidhje me përdorimin e termit “Allah” në këtë libër.

[8] Pagels E (1979). A) U kanonizua si i shenjtë nga Kisha Katolike Romake, Ignati ose Ignacius Theoforos ishte peshkop i Antiokia (Sirisë). Në vitin 107 ose 108 e.r., Ignati u arrestua nga romakët dhe u transportua në Romë. Në mes të asaj kohe dhe vdekjes së tij rreth vitit 110 e.r., Ignati shkroi një seri të letrave në të cilat ai sulmonte pohimet se vuajtja dhe vdekja e Jezusit ishin vetëm iluzion. Beiler JG (1998). B) U kanonizua i shenjtë nga Kisha Katolike Romake, Polikarpi ishte peshkop i shekullit 2 e.r. në Smirna. Shkrimet e tij përfshinin Letrën dërguar filipianëve, në të cilën ai fuqishëm sulmonte argumentin se vuajtja dhe vdekja e Krishtit ishin iluzore. — (1998l). C) U kanonizua si i shenjtë nga Kisha Katolike Romake, Justini ishte filozof i krishterë i shekullit 2 e.r. Veprat e tij përfshijnë “Apologjitë” dhe “Dialogu me Trifon”. – (1998k). D) U kanonizua i shenjtë nga Kisha Katolike Romake, Ireni ishte peshkop i Lionit nga fundshekulli i 2 e.r. Ireni kujtohet mirë për veprën e tij pesë-vëllimore Adversus Haereses, e cila, në thelb, ishte një sulm kundër gnosticizmit të krishterë. Wingren G (1998). E) Quintus Septimus Florens Tertullianus (Tertuliani) ishte teolog i krishterë nga fundshekulli 2 e.r dhe fillimshekulli 3 e.r., i cili më vonë kaloi në herezinë Montaniste. Veprat e tij të shkruara ishin Apologeticum, Adversus Marcionem, Ad Uxorem, De Patientia, Adversus Hermogenem, Adverso Valentinianos, De Resurreaione Camis, De Baptismo, De Animo, dhe shumë libra të tjera. Wilkin RL (1998). F) U kanonizua i shenjtë nga Kisha Katolike Romake, Hipolitus qe lindur rreth vitit 170 e.r. dhe vdiq rreth vitit 235 e.r. Ai ishte një martir i krishterë, dhe ishte anti-papa i parë. Ai përmendet për shkrimet e tij voluminoze kundër herezive, përfshirë Philosphumena. — (1998j).

[9] Ignatius: Trallians 10: 1. Në Pagels E (1979). Faqe 83.

[10] Danielou J, Marrou H (1964).

[11] Në shumë raste, ortodoksia e krishtere, që ishte në ngritje e sipër, bëri çmos për t’i ndaluar dhe shkatërruar të gjitha kopjet e këtyre ungjijve. Në disa raste, shkatërrimi i këtyre librave nga ana e ortodoksisë së krishtere pati sukses. Në raste të tilla, për këto libra dihet vetëm ngaqë ato ishin përmendur nga ndonjë autor i hershëm i krishterë

[12] Kjo listë është përpiluar nga burimet e mëposhtme: A) Platt RH, Brett JA. B) Cameron R (1982). C) Pagels E (1979). D) Robinson 1M (1990). E) Hennecke E, Schneemelcher W, Wilson RM (1963).

[13] Ungjilli i Barnabës. Në Ragg L, Ragg L (1974).

[14] A) Platt RH, Brett JA. B) —(1998e). C) Sundberg AC (1971). D) Koester H (1982).

[15] U kanonizua i shenjtë nga Kisha Katolike Romake. Titus Flavius Clemens (Klementi) ishte president i shkollës katekiste të krishtere në Aleksandrinë e shekullit 2 dhe 3 e.r. Veprat e tij të shkruara janë: Protreptikos; Paidagogos; Stromateis;Një Diskurs rreth Shpëtimit të Njerëzve të Pasur”; “Nxitje në Durim ose Përgëzime për të Sapopagëzuarit”; Excerptaex Theodoto; Eclogae Propheticae; dhe Hypotyposeis. Fredericksen LF et al. (1998).

[16] Oregenes Adamantius (Origeni) ishte president i shkollës katekiste të krishtere në Aleksandrinë e shekullit 3 e.r. Ai ishte nxënës i Klementit të Aleksandrisë (shih poshtëshënimin e mësipërm), dhe ishte autori i Hexapla, De Principiis, Contra Celsum, “Mbi Lutjet”, dhe i komenteve të librave të ndryshme të Biblës. Chadwick H (1998).

[17] Eusebius Pamfili (Eusebi-sh.p.) ishte peshkop i Cezaresë në shekullin 4 e.r . Ai ishte autor i veprës monumentale “Historia Kishtare”, “Kronikë,” dhe autor i apologjive dhe komenteve të ndryshme — (1998c).

[18] U kanonizua i shenjtë nga Kisha Katolike Romake. Eusebius Hieronymus (Zheromi) ishte një prift katolik, sekretar privat i Papa Damasus, themelues i manastirit, dhe përkthyes. Veprat e tij të shkruara përfshijnë “Bibla në Latinishten e Folme,” Liber Locorum, Liber lnterpretationis Hebraicorum Nominum, Liber Hebraicarum Quaestionumin Genesim, dhe komente të ndryshme. Burghardt WJ (1998).

[19] A) Schneemelcher W: Hyrje e përgjithshme. Në Hennecke E, Schneemelcher W, Wilson RM (1963). B) Platt RH, Brett JA.

[20] A) Rahim MA (1974). B) Abdullah M (1996).

[21] — (1998h).

[22] — (1998m).

[23] Lernet-Holenia AM (1998).

[24] Lernet-Holenia AM (1998).

[25] Ungjilli i Barnabës 215-217. Në Ragg L, Ragg L (1974).

[26] Ungjilli i Barnabës 217. Në Ragg L, Ragg L (1974).

[27] Ungjilli i Barnabës 217-218. Në Ragg L, Ragg L (1974).

[28] Ungjilli i Barnabës 219-221. Në Ragg L, Ragg L (1974)

[29] — (1998d).

[30] Hennecke E, Schneemelcher W, Wilson RM (1963).

[31] Dy Librat e Jeut. Në Hennecke E, Schneemelcher W, Wilson RM (1963). Faqe 261.

[32] Brashler J (1990).

[33] Apokalipsi i Pjetrit 81: 4-32; 82: 1-3,17-23,27-33. Në Robinson IM (1990).

[34] Gibbons JA (1990).

[35] — (1998b). 

[36] Traktati i Dytë i Sethit të Madh 55: 10-20,30-35; 56: 1-13,18-19,23-25. Në Robinson IM (1990). Faqe 365.

[37] U kanonizua i shenjtë nga Kisha Katolike Romake, Aurelius Augustinus (Augustini) ishte peshkop i Hipos (Afrikë) prej vitit 396 deri më 430 e.r, dhe është vlerësuar përgjithësisht nga kisha tradicionale si teologu më i madh i krishterë i epokës së hershme. Veprat e tij letrare përfshijnë “Rrëfimet”, De Trinitate, De Civitate Dei, etj. Burnaby J (1998).

[38] Cameron R (1982).

[39] Veprat e Gjonit 97-99,101. Në Cameron R (1982). Faqet 94-96.

[40] A) Moffat J (1929). B) Robertson AT (1929). C) Burch EW (1929). D) Peritz II (1929). E) Scott EF (1929). F) Davies IN (l929b) G) Davies IN (1929a). H) Findlay JA (1929). I) Garvie AE (1929). J) Kee HC (1971). K) Pherigo LP (l971) .L) Baird W (1971). M) Shepherd MH (1971). N) Wilson RM (1971). O) Filson FV (1971). P) Sundberg AC (1971). Q) Duncan GB (1971). R) Marsh J (1972). S) Caird GB (1972). T) Nineham DE (1973). U) Fenton JC (1973). V) Hamilton W (1959). W) Mack BL (1996). X) Koester H (1982). Z) Robinson IM, Koester H (1971). ZZ) Cameron R (1982).

[41] Shepherd MH (1971). Faqe 722. Çështja e kronologjisë së saktë të kryqëzimit në lidhje me Pashkët hebraike si dhe kronologjia e Gjonit kundrejt kronologjisë së ungjijve sinoptikë ka ndarë teologët të krishterë për shekuj me radhë. Kjo temë kalon përtej fushës së këtij artikulli.

[42] A) Mateu 26:17-56. B) Marku 14:12-51. C) Luka 22:7-54. D) Gjoni 13:21-30; 18:1-11.

[43] Gjoni 18:1-12.

[44] A) Luka 22:47 i referohet forcave të arrestimit si “turmë”. B) Marku 14:43 i referohet forcave të arrestimit si “një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga shkruesit dhe nga pleqtë”, që nënkupton forcat policore në Tempull. C) Mateu 26:47 i referohet forcave të arrestimit si “një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit”, duke lënë të kuptohet se ajo ishte forca policore e Tempullit.

[45] Rreth arratisjes së dishepujve shih Mateu 26:56 dhe Marku 14:50-2.

[46] Luka 22:50-51.

[47] Gjoni 18:13-16.

[48] Mateu 26:57; Marku 14:53; Luka 22:54.

[49] Mateu 26:57-58; Marku 14:53-54; Luka 22:54-55; Gjoni 18:15-16.

[50] Mateu 26:69-75.

[51] Luka 22:55-62

[52] Marku 14:66-72.

[53] Gjoni 18:17-18, 25-27.

[54] A) Danielou J, Marrou H (1964). B) Asimov I (1969). C) Leon-Dufour X (1983). D) Schonfield HJ (1967). E) — (1998p). F) Bornkamm G (1998).

[55] A) Josephus F (1988). B) Leon-Dufour X (1983).

[56] A) — (1998p). B) Asimov I (1969).

[57] Luka 06:15; Veprat e Apostujve 01:13.

[58] Mateu 10:4; 26:14; Marku 03:19; 14:10; Luka 06:16; 22: 3; Gjoni 6:71; 12:4; 13:2; 13:26.

[59] A) Dupont-Sommer A (1967). B) Leon-Dufour X (1983).

[60] Josephus F (1988).

[61] A) Luka 2:1-3. B) Josephus F (1988). C) Bornkamm G (1998).

[62] A) Veprat e Apostujve 05:37. B) Josephus F (1988). C) Bomkamm G (1998). D) LeonDufour X (1983).

[63] Veprat 05:37.

[64] A) Josephus F (1988). B) Leon-Dufour X (1983).

[65] A) Josephus F (1988). B) Bomkamm G (1998).

[66] Mateu 26:71.

[67] Marku 14:67.

[68] A) Mateu 26:71. Shih poshtëshënimin “o” në —: The Holy Bible: New Revise Standard Version. Nashville, Thomas Nelson, 1989. B) Stegemann H (1998). C) Deklarata e Mateut 02:23, në të cilën “nazaren” lidhet me dikë nga Nazareti, është “larg mendsh” ngaqë ngatërron fjalën hebraike “nazir” (i shuguruar, i shenjtë, njeri i përkorë) me fjalën tjetër hebraike “nezer” (dalë ose gjuaj). Kee HC (1971).

[69] Stegemann H (1998).

[70] Stegemann H (1998).

[71] A) Leon-Dufour X (1983). B) — (1998t).

[72] A) Schonfield HJ (1967). B) — (1998t).

[73] Gjyqtarët 13:1-24; 16:13-17.

[74] 1 Samuel 1: 1-22

[75] A) Strugnell J (1998). Kur diskuton rreth Gjon Pagëzorit, John Strugnell thotë: “Tesha e tij e gjatë, prej leshit të vrazhdë të devesë, ishte veshje tradicionale e profetëve, kurse dieta e tij me akacie dhe mjaltë të egër tregon ose respektimin rigoroz të ligjeve hebraike të pastërtisë, ose sjelljen asketike të një naziriti (një hebre që zotohet apostafat në shërbim të Zotit).” B) Schonfield HJ (1967).

[76] Veprat e Apostujve 21:17-26.

[77] Veprat e Apostujve 21:17-26.

[78] Historia e ringjalljes së Llazarit nga vdekja tregohet tek Gjoni 11:38-44. Siç e bën të qartë narrativa, Jezusi ishte fizikisht shumë afër kufomës për të qenë nazareas.

[79] A) Josephus F (1988). B) Schonfield HJ (1967). C) Wilson I (1985).

[80] Mateu 27:11-26; Marku 15:6-15; Luka 23:13-25; Gjoni 18:38-40.

[81] Mateu 27:11, 15-26.

[82] Prokla identifikohet si gruaja e Pilatit në shkrimet apokrife të mëposhtme, të cilat gjenden te Platt RH, Brett JA. A) Letra e Herodit për Pilatin, guvernatorin. B) Letra e Pilatit për Herodin. C) Gjykimi dhe Dënimi i Pilatit, i njohur gjithashtu si Paradosis i Pilatit.

[83] Identifikimi i Jezusit me emrin Barabas gjendet në tekstet e ndryshme të lashta të Mateut, përfshirë versionet greke, siriane, dhe të tjerat. Është raportuar po ashtu nga Origjeni, ati apostolik i shekullit të tretë e.r. A) Fenton JC (1973). B) — (1998a).

[84] A) — (1998a). B) Leon-Dufour X (1983). C) Asimov I (1969). D) Schonfie1dHJ (1967). E) Fenton JC (1973). F) Pherigo LP (1971).

[85] Mateu 16:17. Në NRSV, përkthyesit kanë përkthyer emrin “Simoni i biri i Jonas”. Në RSV-në e mëhershme, përkthyesit thoshin thjesht “Simon Bar-Jona”.

[86] A) — (1998a). B) Leon-Dufour X (1983). C) Asimov I (1969). D) Fenton JC (1973). E) Pherigo LP (1971).

[87] Për hir të lexuesve muslimanë, autori vë në dukje se shprehja “Biri i Atit” nuk nënkupton ndonjë “lindje.” Shih kapitullin me titull “Pagëzimi i Jezusit” (i të njëjtit libër – sh.p.).

[88] Mateu 27:17.

[89] Mateu 27:17-26.

[90] Mateu 27:11.

[91] A) Leon-Dufour X (1983). B) Schonfield HJ (1967).

[92] Marku 15: 8-9,11.

[93] Mateu 26:69-70.

[94] A) Marku 15:7. B) Luka 23:18-19. C) Gjoni 18:40. D) “Kusar” dhe “vjedhës” ishin terma që përdoreshin shpesh nga romakët për kryengritësit e armatosur.

[95] Platt RH, Brett JA.

[96] A) Hennecke E, Schneemelcher W, Wilson RM (1963). Faqe 484. B) Platt RH, Brett JA. Faqe 279. C) — (1998g).

[97] — (1998n).

[98] Mateu 27:32-36.

[99] Marku 15:21-24.

* Shënim i përkthyesit – Në NRSV, në gjuhën angleze, të cilin autori (J.D.) e përdor, në vend të përemrit “atë”, siç qëndron në gjuhën shqipe, është emri “Jezus”. Shih sqarimin e autorit (J.D.) fill në paragrafin vijues.

[100] Luka 23:26, 32-33.

[101] Norwood FA (1971).

[102] — (1998b). 

Botuar fillimisht ne www.mburoja.net, marre me lejen e perkthyesit

1 comment

  1. Egon Loli Reply

    Dy gjera i kam serisht te paqarta nga leximi i artikullit. E para, tek arsyetimi sipas ungjijve sinoptike, ku Jezui i vertete per te cilin po flasim eshte Jezus Bar Abba, te cilin Pilati e liron. Pra nuk kryqezohet, por shpeton. Deri ketu jemi ne rregull me logjiken. Problemi eshte se pak me siper, i njejti Jezus Bar Abba, te cilin Pjetri e mohon 3 here, ishte ngjitur ne qiell qe ne momentet e arrestimit ne kopshtin e Getsemanit, sepse Juda Iskarioti Dmth Jezusi i vertete, nuk ka dale fare perpara Pilatit, sepse ka qene ne qiell ne ate kohe ????!!!!!!!!

    E dyta, Ponc Pilati dhe gruaja e tij Prokla, mund te jene shpallur shenjtore te kishave te hershme, ndoshta sepse ata te dy u perpoqen me aq sa kishin ne dore dhe ne arsyen e rrethanave, qe Jezuin te mos e kryqezonin. Te mos harrojme edhe nje gje: saducenjte e kercenuan Ponc Pilatin ne rast se ai do te guxonte te lironte Jezuin, ata do t’i ankoheshin perandorit Tiberius, qe Ponc Pilati mbeshtet nje kryengrites. Kjo do te thote qe Ponc Pilati nuk kishte ndermend te merrte ndonje ndeshkim nga Tiberiusi, per hater te budalleqeve qe hebrenjte kishin mes tyre. Prandaj Ponc Pilati dhe e shoqja u treguan tolerante ne maksimumin e mundshem. Mund te jete pikerisht kjo arsye qe i shpalli ata te dy shenjtore, e ndoshta jo fakti qe liruan ndonje Jezus….per arsyen e thjeshte qe Jezusi nuk ishte fare aty…

    Nuk e di, ndonje sqarim ?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *