TwitterFacebookPinterestGoogle+

Konspekt: Orientalizmi në modernitetin e hershëm

Arjol Guni

Konspekt i librit: The Dialectics of Orientalism in Early Modern Europe, ed. by Marcus Keller (Editor), Javier Irigoyen-García (Palgrave Macmillan; 2018), 252 pp.

Në vëllimin e tyre të edituar, të titulluar Dialektika e Orientalizmit të Modernitetit të Hershëm, studiuesit e letërsisë Marcus Keller dhe Javier Irigoyen-Garcia kanë bashkëpunuar me një grup profesorësh dhe studiuesish të letërsisë dhe shkencave humane për të hulumtuar shfaqjen e studimeve orientaliste në periudhën e modernitetit të hershëm. Për ta realizuar një gjë të tillë, ata fokusohen mbi raste të ndryshme për të kuptuar marrëdhëniet dhe ndërtimin e një imazhi të Perëndimit në raport me Orientin. Duke bërë bashkë studime të ndryshme që hetojnë periudhën ndërmjet viteve 1529 dhe 1683, vitet e rrethimit të parë dhe të dytë osman të Vjenës, autorët kanë zgjedhur që të angazhohen me veprën e Edward Said Orientalizmi ndërkohë që pranojnë se specialistët e modernitetit të hershëm “fillimisht e injoruan, dhe më pas e trajtuan më një vëmendje shpërfillëse, dhe shpesh aspak miratuese“ qasjen kryesore të Saidit (fq. 1). Në parahënien e tyre, ndërkohë që prezantojnë punën akademike më të rëndësishme mbi Orientalizmin e modernitetit të hershëm, editorët pretendojnë se kjo epokë kërkon një trajtim më të nuancuar dhe më të diferencuar (fq. 3). Orientalizmi i historisë moderne të hershme, pretendojnë ata, ekziston, por ai është i ndryshëm nga konceptualizime të tjera të Orientalizmit.

Me synimin për të ofruar këtë konceptualizim të Orientalizmit të modernitetit të hershëm në një epokë kur supremacia dhe kolonializmi evropian ishin dekada larg nga të marrurit trajtë, ky vëllim orvatet që ta paraqesë atë si një “stil mendimi” (fq. 6). Në bazë të saj, ata përdorin teorinë e një dikotimie tezë-antitezë të Hegelit që është zhvilluar në zhvillimin e një sinteze, siç janë natyra e dijes apo ideja e Europës. Për rrjedhojë, Dialektika ndryshon nga puna kërkimore mbi të cilën është mbështetur Said-i fillimisht, pasi ajo nuk përdor strukturën e Michel Foucault, në sensin e diskursit dhe marrëdhënies pushtet/dije. Ndonëse këto nocione saidiane janë ende të pranishme aty, vëllimi zgjedhë të paraqesë një kritikë të Orientalizmit të Saidit, duke pretenduar se, ndryshe nga alegorizimi i Tjetrit, dialektika “shpreh një praktikë që është më komplekse” se sa leximi i paraqitjeve/përfaqësimeve të Lindjes në termat e alegorisë (fq. 6).

Duke u angazhuar me marrëdhëniet ndërmjet Orientit dhe Orientalizmit, pjesa e parë e vëllimit “Epistemologjitë Orientaliste”, tregon se interesat ideologjikë kanë ndikuar në krijimin e dijes rreth Orientit në periudhën e modernitetit të hershëm. Në Pjesën e Dytë, “Perandoria dhe Orientet e saj”, sinteza, sipas qasjes hegeliane, është qartësisht ndërtimi i perandorisë dhe shqetësimet diskursive që e kanë shoqëruar atë. Pjesa e tretë e vëllimit, “Orientalizmi dhe Ideja e Europës”, ofron një perspektivë mbi ndërthurjen e hershme të identiteve kombëtare dhe evropiane që ishin në lindje e sipër. Epistemologjia, ndërtimi i perandorisë dhe ndërgjegja evropiane janë themeli i kapitujve të pjesës së katërt, e titulluar “Dialektika Vizuale”, por autorët e kontributeve janë më tepër të shqetësuar me shprehjet vizuale.

Kapitulli i parë, nga Oumelbanine Zhiri, fokusohet mbi udhëtimin e biblotekës së sulltanit maroken Zejdan, e konfiskuar kjo nga Aramada spanjolle. Teksa analizon dy vepra nga Francisco de Gurmendi të cilat janë mbështetur mbi veprat që gjendeshin në fondin e biblotekës në fjalë, Zhiri refuzon pretendimet në lidhje me refuzimin spanjoll për të ndërvepruar me gjuhën dhe kulturën arabe, dhe pretendon se ky rast nxjerrë në dritë rolin që kjo biblotekë ka patur në prodhimin e dijes apo epistemologjisë mbi Orientin.

Mesdheu ka qenë pa diskutim një zonë kontakti në historinë e hershme moderne, dhe kontributi i Kaja Shahin merret me pjesën lindore të tij. Teksa shkruan mbi Letrat Turke të Busbecq, Shahin e vendos këtë vepër në kontekstin më të gjerë të rivaliteteve dhe konflikteve që kanë të bëjnë me shqetësime fetare dhe të pushtetit. Ai pretendon se Letrat janë një artifakt i qartë i tendencës për të sendërtuar një dialog të ri, e jo thjesht për t’u mbështetur mbi trope të të shkuarës. Pavarësisht nga prezenca e fantazive të dhunshme, racore dhe vertikale në Orientalizmin e modernitetit të hershëm, Shahin shkruan se qasja epistemolgjike ndaj Orientit e humanistëve të kësaj periudhe është një shenjë se leximi i Saidit është i pamjaftueshëm për të shpjeguar formimin Perëndim-Lindje në këtë periudhë kohore.

Teksa diskutojnë shënimet e udhëtimit të Aadam Olearius, një përshkrim i një ekspedite diplomatike tregtare nga Gjermania për në Persi, nëpërmjet Rusisë, Aigi Heero dhe M. Saagpakk, vënë në dukje në kapitullin e tyre se nëpërmjet tri zërave që dalin në pah në Orientalische Reise –  akademiku, poeti dhe tregtari – Tjetri Oriental paraqitet nga kënde të ndryshme. Duke përdorur konceptin e hapësirës semiotike të Juri Lotman, autorët dalin në konkluzionin se, në vend të konceptualizimit vertikal të Tjetrit në termat e Saidit, përshkrimi Olearius tregon një komunikim horizontal të semiosferave që zhvendos kuptimin e shenjave (fq. 54). Në kontributin e tyre, José L. Gasch-Tomás dhe Natalia Maillard-Álvarez krahasojnë diskuriset në lidhje me botën kineze dhe atë myslimane në Spanjën e Re dhe Kastilje duke analizuar dy tekste specifike. Ata dalin në përfundimin se ndërkohë që kinezët u sendërtuan si “idhujtarë” të cilët mund të “shpëtoheshin” me mjete jo ushtarake, myslimanët, nga ana tjetër, janë konsideruar sipas narrativës së Rekonkuistët spanjolle dhe duheh të trajtoheshin vetëm ushtarakisht (fq. 77-78). Ideja e hershme moderne e perandorisë që lidhte në mënyrë të qenësishme politikën me fenë i ka dhënë trajtë në një masë të madhe diskursit orientalist të periudhës, thonë autorët.

Perandoria Spanjolle dhe historia e saj e komplikeruar me Tjetrin/Veten e saj orientale me të drejtë zë një vend të spikatur në këtë libër. Për të zhvilluar argumentin e tij, Natalio Ohanna në kapitullin e tij mbi humanizmin spanjoll rreth osmanëve vë qasjen që shtillej rreth idealeve të kryqëzatave dhe retorikën sekulare të transformimit të turqve në barbarë të rinj (fq. 110) përballë asaj që vendos një theks më humanist mbi myslimanin duke cituar një humanitet të përbashkët. Ohanna pretendon se këto dy zëra sugjerojnë se ka pasur tensione që kanë qenë kyçe në negocimin e trashëgimisë islame spanjolle me identitetin e kombit.

Në kontributin e tij, David C. Moberly merret me zhanrin e tregimeve mbi Irenën, të ndërtuara këto rreth legjendës sipas së cilës Mehmeti II ia preu kryet favorites së tij, një konkubine greke. Moberly vë në pah se kjo narrativë e vetme ka udhëtuar në mbarë hapësirën europiane, dhe gjithashtu ajo është paraqitur në një larmi mënyrash dhe diskursesh, duke çbërë kështu një nocion të parakonceptuar rreth një dikotomia Europë-Orient.

Përgjatë gjithë librit është e qartrë se autorët duket se janë tej mase të fokusuar mbi përpjekjen për të çmontuar nocionet e Saidit sa i përket historisë së modernitetit të hershëm. Megjithatë, pjesa më e madhe kontributorëve në fund konkludojnë se leximi i Saidit është ende aty, ndonëse realitetet e Orientalizmit të asaj epike nuk mund të shpjegohen vetëm me anë të kornizës së tij. Ajo që do t’i kishte dhënë këtij vëllimi një impakt më të madh, në gjykimin tim, do të ishte një fokus më i madh mbi realitetet e kufirit osman të Europës Juglindore apo në zonat e kontaktit si portet e Mesdheut apo popullsia evropiane e Stambollit.

Në vazhdën e kritikave akademike ndaj Orientalizmit të Edward Said dhe duke përdorur si bazë dialektikën e Hegelit, semiotikën e Juri Lotman, dhe Studimet Mesdhetare, ky vëllim i edituar është një kontribut i vlefshëm dhe një vëzhgim i mprehtë mbi atë se si humanistët e modenitetit të hershëm të gjeografisë europiane kanë konceptualizuar Orientalen dhe cilat mjete dhe qasje kanë shfrytëzuar ata për të kuptuar dhe sendërtuar Tjetrin. Ç’është edhe po aq e rëndësishme, ky vëllim hedh dritë mbi atë se si humanistët e kësaj periudhe kanë negociuar shqetësimet akademike, estetike, politike, dhe fetare në veprat e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *