TwitterFacebookPinterestGoogle+

Konspekt: Minimalizmi Dixhital

Taylor Fayle

Konspekt i librit të autorit Cal Newport, “Digital Minimalism: Choosing a Focused Life in a Noisy World”, (Portfolio, Shkurt, 2019).

Duke shkruar në fund të viteve 1940, murgu Trappist Thomas Merton përshkroi sesi teknologjia depërton dhe riorganizon jetën e brendshme të qenieve njerëzore moderne. “Sigurisht që do të duket,” shkruante ai, “që TV mund të shndërrohet në një lloj surrogati të panatyrshëm për soditje: një nënshtrim plotësisht inert ndaj imazheve vulgare, një zbritje në një pasivitet nën-natyror më shumë sesa një ngjitje drejt një pasiviteti jashtëzakonisht aktiv në të kuptuar dhe dashuri”. Kjo ndjenjë pasqyron një të ngjashme të bërë disa vjet më parë nga Martin Heidegger. Duke ngritur shqetësimin e Platonit për atë që humbasim kur kalojmë nga e folura në fjalën e shkruar, Heidegger deklaron se, po, makina e shkrimit është fajtori i ri: duke mbuluar thelbin e shkrimit dhe skenarit, makina e shkrimit “tërheq nga njeriu gradën thelbësore të dorës, pa e provuar njeriu tërheqjen si duhet dhe duke pranuar se ajo ka shndërruar lidhjen e Qenies me thelbin e tij ”.

Ndërsa ne ngecim në mjedisin tonë të ngopur nga ana dixhitale, këto vëzhgime duken jashtëzakonisht të çuditshme. Fakti që si Merton, në manastirin e tij në Kentucky, dhe Heidegger, në “kasollen” e tij në pyllin e zi, kaluan pjesën më të madhe të jetës së tyre të rritur pa energji elektrike dhe jashtë rrjetit, më bën të pyes veten se çfarë masash – nëse ekzistojnë-  mund të ndërmarrim për t’i shpëtuar botës sonë virtuale. Dashuria jonë – në të vërtetë, varësia jonë – me ekranet dhe gëzimi që marrim kur shtypim butonat është thelluar gjithnjë e më shumë. Treguesit e sjelljes së varësisë kimike përputhen mjaft mirë me ndërveprimin tonë gati-konstant me smartfonat. Shtoni këtu sofistikimin dhe muskujt ekonomik që Silicon Valley harxhon në rilidhjen e qarkut tonë neurologjik për të na bërë të dëshirojmë të kalojmë më shumë kohë me pajisjet tona, duket se lidhja jonë me teknologjinë është e pashërueshme.

Për fat të mirë, libri “Minimalizmi Dixhital:Zgjedhja e një Jete të Përqendruar në një botë të Zhurmshme” shkruar nga Cal Newport sugjeron njëfarë kure për problemet tona postmoderne. Newport i qaset temës së tij me një metodë agresive dhe praktike jo-apologjetike që është e sigurt se do të duket si shumë drastike. Kjo është pikërisht ajo që më tërhoqi rreth këtij libri: autori nuk trembet nga beteja dhe këmbëngul në ndryshime rrënjësore të sjelljes, nëse do të kemi ndonjë shans për të rivendosur një qasje të qëllimshme në jetën tonë dixhitale. “Në përvojën time,” shkruan Newport, “ndryshimi gradual duke ndryshuar zakonet tuaja një e nga një në cdo kohë nuk funksionon mirë – joshja e inxhinierizuar e ekonomisë së vëmendjes, e kombinuar me fërkimin e komoditetit, do të zvogëlojë inercinë tuaj deri sa të ktheheni mbrapsht tek vendi ku filluat . ”Një“ braktisje 30-ditore e sferës dixhitale, ku vendosim kufizime të mëdha në teknologjinë që përdorim, është bazamenti për nisjen e betejës. Pjesa e parë e librit shtron problemin dhe na përshkruan këtë proces detoksikimi; gjysma e dytë sugjeron atë që duhet të bëjmë me veten tonë të re minimaliste.

Marka e minimalizmit dixhital e Newport-it merr frymëzim nga një grup hakerash të jetës së shekullit 21 dhe guru të produktivitetit që predikojnë një ungjill të ri sipas së cilit më pak është më shumë. Dy nga ithtarët më të mëdhenj të kësaj lëvizje, Joshua Fields Millburn dhe Ryan Nicodemus (të vetë quajtur “Minimalistë”), u kanë bërë thirrje lexuesve dhe dëgjuesve të tyre të heqin të gjitha gjërat në jetën e tyre që pengojnë ekzistencën e marrëdhënieve dhe përvojave kuptimplota. I aplikuar në teknologjitë personale, Newport klasifikon minimalizmin dixhital si një “filozofi të përdorimit teknologjik”, i përqendruar në tre parime themelore: rrëmuja është e kushtueshme, efikasiteti është i rëndësishëm dhe qëllimi është i kënaqshëm. Duke e përmbysur mentalitetin e “ka nja aplikim për këtë”, – duke gjeneruar zgjidhje të pafund teknologjike për probleme të gënjeshtërta/artificiale – ne mund të mbështetemi tek vetja jonë e vërtetë, e mishëruar për të vendosur nëse dhe si duam të përdorim teknologjinë për një grup shumë të vogël pengesash të vërteta.

Por heqja dorë ose minimalizmi digjital është vetëm hapi i parë. Përparimi ndodh për Newport kur ne ri-angazhohemi me ato aktivitete të thjeshta dhe themelore njerëzore të mbajtura gjatë si shenjë dalluese e jetës kuptimplote: përjetimi i vetmisë, shijimi i bisedave ballë për ballë dhe angazhimi në praktika të kohës së lirë të cilat janë përmbushëse për ne. Besimi themelor i të gjitha “praktikave” të Newport është që të na riorientojnë drejt trupëzimit tonë. Është një lloj fenomenologjie për se mbrapthi që fillon me problemin e çmishërimit dixhital dhe na çon më afër drejt një rimishërimi analog në vendbanimin tonë natyror.

Për këtë qëllim, Newport reflekton në tre praktika thelbësore tani të errësuara nga përdorimi i tepërt i teknologjisë: vetmia, biseda dhe koha e lirë. Ai ndjek Raymond Kethledge dhe Michael Erwin në përcaktimin e vetmisë si mungesë të “kontributit nga mendjet e tjera”, duke theksuar se, për herë të parë në historinë njerëzore, është e mundur që të privohemi plotësisht nga vetmia. Përmes abstenimit dixhital, ne kemi mundësinë të biem sërish në kontakt me mendimet dhe ndjenjat tona, një propozim padyshim shqetësues për shumë prej nesh. Në të vërtetë, Newport na sugjeron ti shkruajmë letra vetes sonë të ardhme, si një mënyrë për të filluar procesin e rënies në kontakt me veten.

Por mënyra më e mirë për të gjetur vetmi është, thjesht, duke ecur vetëm. Newport i konsideron qendrore  ecjet e Abraham Abraham Lincoln në vilën e shtëpisë së ushtarëve në veri të Washington D.C., si mënyrë relaksi nga punët e Shtëpisë së Bardhë, si edhe udhëtimet e gjata të Friedrich Nietzsche në Alpet Italiane. Këto kohë tërheqjeje nga bota u siguruan atyre hapësirë ​​dhe kohë të nevojshme për të marrë vendime të vështira dhe për të prodhuar vepra të shkëlqyera. Siç e thotë Newport, ne kemi nevojë për vetminë për të lulëzuar, sepse “njerëzit nuk janë krijuar për tu ribërë vazhdimisht.” Po kështu, Henry David Thoreau, një nga shoqëruesit e vazhdueshëm të Newport, do të shëtiste drejt qytetit në vend se të përdorë një kalë dhe kamionçinë, duke ilustruar kështu minimalizmin teknologjik. Në fakt, Thoreau llogarit sesi orët që i duheshin për të ecur nga pellgu i Walden për në Concord kompensuan sasinë e orëve të punës që do t’i duhej të kryente për ta përballuar financiarisht marrjen e trenit cdo ditë. Në mënyrë tragjike, ne u kemi dorëzuar këtë llogaritje, argumenton Newport, shitësve të ekonomisë së vëmendjes (attention economy). Ne kemi tregtuar shpirtrat tanë për disa lehtësi të vogla, dhe kemi nevojë për periudha të gjata vetmie për të ricentruar vete tonë që tani, si pasojë e teknologjisë,  gjendet e shpërndarë  përgjatë peizazhit dixhital.

Në lidhje me bisedën, Newport bën dallimin midis komunikimit me valë të gjata dhe valë  të  shukurtra. Ai argumenton se biseda është një formë e komunikimit me vale të gjata, e cila është shumë më e përshtatshme për zhvillimin tonë evolucionar si qenie sociale sesa breshëritë e të dhënave me të cilat mediat sociale na godasin cdo ditë. Sa ironik është fakti, vëren Newport se fiksimi ynë me butonin “like” na pengon të dimë me të vërtetë atë që na pëlqen. Duke e pëlqyer një tjetër, ne nuk njohim të tjerët. Në të vërtetë, duke e privuar veten nga kontakti ballë për ballë me të tjerët, ne e zgjerojmë detin e akthin që asnjë sasi «pëlqimesh» nuk mund ta shuajë. Ky fenomen është vërtetuar nga hulumtimi me studentët e universiteteve, të cilët përjetuan një rritje radikale të çrregullimeve të lidhura me ankthin rreth vitit 2011, në të njëjtin vit që  smartfonat u bënë gjerësisht të disponueshëm për konsumatorët dhe adoleshentët filluan të zotërojnë telefonat e tyre.

Duke  përmbledhur veprimet e sugjeruar prej tij, Newport merr frymëzim nga koncepti Aristotelian i entelekisë, ku fundi dhe aktualiteti i një sendi janë të brendshme për veprimtarinë e tij. Newport na nxit të zhvillojmë zakone për hir të kënaqësive që ato gjenerojnë dhe asgjë tjetër përveç kësaj. Siç theksoi Josef Pieper në reflektimet e tij rreth idesë së kohës së lirë, zakonet e tilla nuk janë pushime boshe nga puna, por ndjekje të fuqishme dhe shpesh sfiduese intelektuale ose fizike. Ato kanë për qëllim të balancojnë dëshirën tonë për konsumin digjital pasiv me aktivitet të fortë, për të tregtuar lidhjet tona të çorganizuara, me valë të ulët, për shoqërizim mjaft të strukturuar dhe me valë të gjatë, dhe për të zëvendësuar kontributet tona kalimtare në internet me krijime fizike, në botën reale. Paradoksalisht, sa më shumë të punojmë në kohën e lirë, aq më pak punë duhet të bëjmë në mënyrë që të çlirohemi nga vorbulla dixhitale.

Në filmin e vitit 2008 “The Hurt Locker”, ekziston një skenë prekëse ku personazhi kryesor, William James, i cili drejton një ekip çarmatues të IED-ve gjatë Luftës në Irak, shkon në dyqane ushqimore me gruan dhe fëmijën e tij, gjatë një kthimi të shkurtër të tij nga lufta.. I ngarkuar me marrjen e drithërave, James vërtitet rreth dyqanit derisa gjen vendin ku mbahen drithërat. I tërhequr nga një varg zgjedhjesh pafund – secila po aq e parëndësishme sa tjetra – James shikon lart e poshtë murin e kutive të kartonit, i zhgënjyer. Pas disa çastesh të hutimit, ai kap kutinë më të afërt dhe në mënyrë apatike e hedh atë në karrocën e tij të pazarit.

Është një moment që ka rezonuar me mua për më shumë se një dekadë, duke ilustruar me përpikëri keqësinë tonë moderne. Ne dëshirojmë qartësinë e një vendimi që mund të kalojë përmes zhurmës. Ne duam një pamje të kuptimit që mund të drejtojë palcën e jetës sonë. Ne duam të hakmerremi përmes maksimalizmit tregtar dhe teknologjik që përcakton kohën tonë. Shkurt, ne duam atë që Merton e përshkroi si një ngjitje në pasivitetin aktiv të të kuptuarit dhe dashurisë dhe marrëdhënien më urgjente që Heidegger kërkoi me Qenien.

Është  e paqartë nëse ne mund të gjejmë rrugën tonë drejt këtyre qëllimeve të larta. Por nëse do ta bëjmë këtë udhëtim, atëherë me siguri hapi i parë është të pastrojmë mbitensionin pushtues të jetës sonë dixhitale. Për këtë qëllim, Minimalizmi Dixhital i Newport na jep një shans luftimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *