William Chittick

Fragment i shkëputur nga libri i William Chittick-ut me titull: The Sufi Path of Knowledge, State University of New York Press (Korrik 1989)

Kush është natyra e këtij libri hyjnor, vërtetësia e të cilit nuk mund rroket përmes interpretimeve racionale? Siç dihet, fjala Kuran, arabisht kur’ān, rrjedh prej rrënjës k.r.’., e cila përgjithësisht ka kuptimin recitim, por kuptimi parësor i kësaj rrënje është “grumbullim” dhe “mbledhje së bashku”Disa prej autoriteteve të hershme islame kanë mbështetur mendimin se varianti i fundit është kuptimi i fjalës Kuran. Nga ky këndvështrim dy emrat parësorë të librit të shenjtë, El-Kuran dhe El-Furkan (ky i fundit do të thotë “ndarje” dhe “dallim”) nënkuptojmë se Kurani mbledh gjithçka së bashku dhe në të njëjtën kohë ndan gjithçka në fusha të qarta dhe të dallueshme. Ibn Arabiu shpesh e përdor termin Kuran saktësisht në përputhje me kuptimin e tij të fjalëpërfjalshëm, i cili për të ka një domethënie të veçantë për arsye se ai është sinonim me fjalën “xham‘” (të sjellësh së bashku, grumbullim ose gjithëpërfshirshmëri). Emri Allah është “emri gjithëpërfshirës” (el-ism el xhami‘) i Zotit, për arsye se ai grumbullon në vetvete çdo gjë brenda realitetit hyjnorë dhe në kozmos. Kurani është El-Kuran për arsye se ai grumbullon së bashku të gjitha revelatat që janë dërguar para tij, në këtë mënyrë ai përmbledh të gjithë dijen hyjnore.

Kurani është një libër ndërmjet të tjerëve, por me përjashtim të çdo libri tjetër, ai është i vetmi që zotëron gjithëpërfshirshmërinë” (xhemija). (III 160.34)

Ibn Arabiu ka diskutuar rreth natyrës gjithëpërfshirëse të Kuranit në shumë kontekste të ndryshme, zakonisht ai e ka bërë këtë në ndërthurje me karakterin e përsosur dhe gjithëpërfshirës të profetit, i cili e ka bërë atë të vetmen krijesë të aftë për të pritur Kuranin.

Kurani zbulon të gjithë dijen e zbritur në shkrimet e mëparshme dhe përmban atë që ata nuk e kanë përmbajtur. Atij të cilit i është dhënë Kurani, i është dhënë ndriçimi i përsosur që përfshin çdo dije…Falë Kuranit mund të themi se Muhamedit iu dhanë “fjalët gjithëpërfshirëse” (xheuam el-kelim). Kështu që dija për profetët, engjëjt dhe për çdo gjuhë të njohur është përshirë në Kuran dhe shpjeguar prej tij për “popullin e Kuranit” (II 107.20).

“Populli i Kuranit” janë ata të cilët gjetkë i kemi njohur si “populli i Allahut”, meqenëse, sipas një hadithi, “Populli i Kuranit është populli i Allahut dhe të zgjedhurve të Tij” [1]. Në këndvështrimin e Ibn Arabiut, “Njerëzit më të lumtur me Zotin janë populli i Kuranit” (II 443.4)

Ibn Arabiu shpesh ka sjellë komente të gjata për thënie të ndryshme të profetit në mënyrë që të shfaq superioritetin e tij ndaj të gjithë të dërguarve, profetëve dhe evlijave të Zotit. P.sh. profeti ka thënë se në Ditën e Ringjalljes ai do të përzgjidhet për të mbajtur “flamurin e lëvdimit” [2] dhe “gradën e lavdërimit” [3]. Atij i ishte dhënë “dija e popujve të hershëm e të vonshëm” [4] Ai ka thënë, “Unë do të jem zotëriu i njerëzimit në Ditën e Ringjalljes” [5]. Atij i ishte dhënë e “folura gjithëpërfshirëse” (xheuam el-kelim) [6] dhe ka “qenë profet kur Ademi ishte midis ujit dhe baltës” [7]. Ne do të citojmë vetëm disa komente të shkurtra të Ibn Arabiut për disa nga thëniet e lartpërmendura [8].

Kur Ademit iu mësuan emrat (Kuran 2:30), ai ka qenë në një gjendje dytësore në krahasim me atë të Muhamedit, meqenëse Muhamedi tashmë i kishte njohur fjalët gjithëpërfshirëse, sepse të gjitha emrat janë fjalë” (II 88.15)

Muhamedi ka qenë lokusi më i madh i vetëshpalosjes hyjnore, për këtë arsye ai njihte “dijen e popujve të hershëm dhe të vonshëm”. Ndërmjet të hershmëve ishte Ademi, i cili zotëronte dijen e emrave. Muhamedit i ishin dhënë fjalët gjithëpërfshirëse dhe fjalët e Zotit janë të pashtershme” [9] (II 171.1)

I dërguari i Zotit ka thënë: “Unë do të jem zotëriu i njerëzimit në Ditën e Ringjalljes”. Arsyeja e kësaj është përsosmëria e profetit. Ai ka thënë: “Nëse Musai do të ishte gjallë ai do të më ndiqte mua” [10], kjo për shkak të gjithëpërshirshmërisë së profecisë së profetit dhe gjithëpërshirshmërisë së ligjit të Tij. Për këtë arsye ai është përzgjedhur për gjëra të cilat nuk i janë dhënë asnjë profeti para tij, e asnjë profet nuk është përzgjedhur për diçka të cilën nuk e ka zotëruar edhe Muhamedi, për shkak se atij i ishin dhënë “fjalët gjithëpërfshirëse”. Ai ka thënë: “Unë kam qenë profet ndërkohë që Ademi ishte midis ujit dhe baltës”, ndërkohë që çdo profet tjetër ka qenë profet vetëm gjatë gjendjes dhe kohës së profecisë së tij ” (III 141.7).

Në përgjigje ndaj Hakim et-Tirmidhiut, Ibn Arabiu e përcakton “flamurin e lëvdimit” (livail hamd) i cili do ti përkasë profetit Muhamed në Ditën e Ringjalljes dhe e shpjegon arsyen përse ky flamur do ti jepet Muhamedit me këto fjalë:

Flamuri i lëvdimit” është lëvdimi i lëvdimeve, lëvdimi më i plotë, niveli më i lartë dhe më i ngritur i lëvdimit. Njerëzit mblidhen rreth një flamuri, meqenëse ai shënjon gradën dhe ekzistencën e mbretit. Ngjashëm, çdo lëvdim mblidhet rreth lëvdimit të lëvdimeve, meqenëse ai është lëvdimi i saktë i cili i shpëton çdo dykuptimësie, çdo dyshimi apo pasigurie për të qenurin e tij lëvdim, meqenëse ai për nga natyra shënjon, meqenëse në vetvete është një flamur.

Ju mund të thoni një lidhje me një person, “Ai është bujar”, ose këtë gjë mund ta thotë edhe ai person për veten e tij. Ky lavdërim mund të jetë i vërtetë ose jo. Por kur shohim se ai dhuron përmes një bamirësie dhe dashurie të çinteresuar, ky dhurim dëshmon për bujarinë e dhuruesit. Kështu që asnjë dykuptimësi nuk hyn në të. Ky është kuptimi i lëvdimit të lëvdimeve të ashtuquajtur “flamuri i lëvdimit”. Ai është quajtur “flamur” sepse mbledh së bashku çdo lëvdim…

Për ta merituar flamurin e lëvdimit, profeti duhet të lëvdoj Zotin e tij përmes Kuranit, i cili mbledh së bashku çdo lëvdim. Kjo është arsyeja përse ai është quajtur Kuran, d.m.th. “të grumbullosh së bashku” (xhami)…Kurani nuk i ka zbritur askujt para tij (Muhamedit) dhe nuk i takon Kuranit të zbresë përveç se tek ai i cili zotëron këtë gradë. Kështu që Ai nuk duhet të lëvdohet përveç se përmes lëvdimit të cilin Ai e ka zbritur në Ligjin e Tij, kjo falë vetëm faktit se Ai e ka zbritur (këtë lëvdim) në Ligjin e Tij, jo në sajë të faktit se përsosmëria e Tij kërkon atributet e lëvdimit. Ky është lëvdimi hyjnor. Nëse ai lëvdohet në përputhje me kërkesat e atributeve të Tij, ky do të jetë lëvdimi tradicional (urf) dhe i arsyes, por një lëvdim i tillë nuk është i denjë për madhështinë e Tij“. (II 88.5,21)

Kurani e përdor shprehjen “nëna e librit” (umul kitab) në tre versete, dhe termi është shpjeguar në forma të ndryshme. Komentimi më i përhapur është se ky term i referohet Fatihasë, kapitullit të parë të Kuranit. Një nga pyetjet e Tirmidhiut është: “Cili është interpretimi i shprehjes ‘nëna e librit'”? Pjesë të përgjigjes së Ibn Arabiut hedhin dritë mbi kuptimin e tij për marrëdhënien ndërmjet profetit dhe Kuranit:

Një nënë është ajo e cila grumbullon së bashku (xhami’). Kështu që kemi “nëna e qyteteve” [d.m.th. Meka, vendi i grumbullimit për haxh]. Koka është “nëna e trupit”. Thuhet [në lidhje me trurin] se ai është “nëna e kokës”, meqenëse ai grumbullon së bashku të gjitha dhuntitë ndijore dhe supra-ndijore (manevi) të cilat i përkasin njeriut. Fatihaja është “nëna” e të gjithë librave të shpallur, i cili është Kurani i madhërishëm, d.m.th. totaliteti i madhërishëm që është mbledhur së bashku (mexhmu’) e përfshin gjithçka“.

Muhamedit i ishin dhënë “fjalët gjithëpërfshirëse”. Kështu që Ligji i tij përfshin të gjitha fetë e shpallura (sheriat). Ai ka qenë profet në një kohë kur Ademi nuk ishte krijuar ende. Kështu që prej tij janë degëzuar ligjet e profetëve. Ato janë dërguar nga ai për të qenë përfaqësuesit e tij në tokë në mungesë të trupit të tij. Nëse trupi i tij do kishte ekzistuar, asnjë prej tyre nuk do ti kishte marrë ligjet. Kështu që ai ka thënë: “Nëse Musai do kishte qenë gjallë, ai do të më kishte ndjekur mua”

“Zoti ka thënë: “Ne kemi zbritur Teuratin, në të cilin gjendet udhëzim dhe dritë. Sipas tij, profetët që ishin myslimanë, i gjykonin hebrenjtë. (Kuran 5:44). Ne jemi myslimanë dhe të diturit ndërmjet nesh janë profetët [11]. Ne i gjykojmë njerëzit e çdo sheriati me sheriatin e tyre, sepse sheriati i profetit tonë e ka caktuar këtë. Ligjet e Tij janë rrënjët dhe ai (Muhamedi) është dërguar “për çdo popull” (34:28) dhe kjo nuk i përket asnjë profeti tjetër përveç tij. “Njerëzit” janë shtrirë që nga Ademi deri tek njeriu i fundit, e ndërmjet tyre kanë ekzistuar ligje (hyjnore), kështu që ato janë ligjet e Muhamedit në duart e përfaqësuesve të tij. Për këtë arsye ai është dërguar “për gjithë njerëzit”, prandaj çdo profet është, padyshim, përfaqësues i tij.

Kur vetë profeti u shfaq, nuk mbeti asnjë udhëheqje që të mos i përkiste atij dhe asnjë autoritet udhëheqës që të mos kthehet tek ai. Grada e tij kërkonte që kur ai të shfaqej me qenien e tij në këtë botë, ai të përzgjidhej për diçka e cila nuk i ishte dhënë asnjë prej përfaqësuesve të tij. Kjo diçka duhej të ishte aq e madhe sa të përfshinte gjithçka që gjendej e hapërdarë tek përfaqësuesit e tij madje edhe diçka shtesë. Për këtë arsye Zoti i dha atij “nënën e librit”, e cila përfshin të gjitha shkrimet dhe librat e mëparshëm. Ajo është shfaqur midis nesh si një konspekt, shtatë versete që përshinë çdo verset (të shpallur). (II 134.21)

Sipas një hadithi të mirënjohur, gruas së profetit (Aishja) iu kërkua një ditë të përshkruante karakterin (khuluk) e të dërguarit të Zotit. Ajo u përgjigj: “A nuk e keni lexuar Kuranin?” Pyetësi iu përgjigj pozitivisht. Ajo tha: “Padyshim karakteri i profetit ka qenë Kurani” [12] Profeti është më i përsosuri i njeriut të përsosur, qendra par excellence për emrin hyjnor Allah. Kështu që Muhamedi është sintetizuesi i gjithçkaje dhe zotëruesi i çdo dije. “Ai përfshin dijen e çdo të dituri që njeh Zotin, qofshin këtu ato që kanë kaluar ose ato që do vijnë më pas” (III 142.27). Të thuash se karakteri i tij ishte Kurani, sipas kuptimit të fjalëpërfjalshëm, do të thotë të pohosh se ai mblidhte së bashku në veten e tij të gjitha trajtat karakteriale fisnike, njësoj si edhe Kurani i shpallur përmbledh çdo dije. Me fjalë të tjera, është profeti ai i cili ka përvetësuar si trajta karakteriale të tij të gjitha emrat e Zotit, meqenëse ai “mbledh së bashku gjithçka” përmes të qenurit të tij Kuran, “ai i cili grumbullon së bashku”. “Karakteri i të dërguarit të Zotit ishte Kurani si dhe përvetësimi i emrave hyjnorë si tipare të tij”. Të njohësh Kuranin do të thotë të njohësh profetin, Zotin dhe gjithçka tjetër.

Zoti ka thënë: “Me të vërtetë ti je me virtyte madhore (khulukul adhim)” (Kuran 68:4)”…Kur Aishja u pyet për karakterin e profetit, ajo u përgjigj, “Karakteri i tij ishte Kurani”. Ajo tha se për shkak se ai ishte unik në karakter, ai karakter unik duhej të mblidhte së bashku të gjitha trajtat fisnike të karakterit (mekarim el-akhlak). Zoti e ka përshkruar këtë karakter si “madhor”, njësoj siç e përshkroi me fjalët e Tij edhe Kuranin, “Kuranin e madhërishëm” (15:87). Kështu që Kurani është karakteri i tij. Nëse një njeri nga bashkësia e të dërguarit, i cili nuk e ka takuar të dërguarin e Zotit, dëshiron ta shohë atë, le ti hedhë një vështrim Kuranit. Kur të shohë mbi të, nuk do të ketë asnjë ndryshim midis shikimit të Kuranit dhe shikimit të të dërguarit të Zotit. Ngjan sikur Kurani merr trajtën e një forme trupore e cila quhet Muhamed ibn Abdullah ibn Mutalib. Kurani është fjala e Zotit dhe atribut i Tij, kështu që Muhamedi në tërësinë e tij është një atribut i Zotit. “Kush i bindet të dërguarit, i është bindur Allahut” (Kuran 4:80), meqenëse “ai nuk flet sipas qejfit të vet” (Kuran 53:3), kështu që ai është gjuha e Zotit. (IV 60.33)

Të dashurit e Zotit janë quajtur “mbajtësit e Kuranit” (hamalat el-Kuran). I Dashuri i tyre mbledh së bashku (xhami’) çdo atribut, për rrjedhojë ato janë identik me Kuranin. Kur u pyet rreth karakterit të profetit Aishja tha: “Karakteri i tij ishte Kurani”. Ajo nuk u përgjigj me asgjë tjetër përveç kësaj. (II 346.12)

Përktheu: Rezart Beka

Last modified: 16/10/2014
Close