TwitterFacebookPinterestGoogle+

Jezusi historik dhe Krishti i besimit

Geza Vermes
 

Në fund të shekullit të parë të erës sonë, Krishterimi kishte humbur nga vëmendja e tij Jezusin e vërtetë dhe kuptimin fillestarë të mesazhit të tij. Pali, Gjoni dhe kishat e tyre, e zëvendësuan Jezusin historik me Krishtin hyjnor të besimit, ndërsa këmbënguljen e tij mbi përpjekjen personale, përqendrimin dhe mbështetjen tek Zoti, e zëvendësuan me meritat shpëtuese të një shëlbyesi të përhershëm dhe hyjnor. Shpejtësia e këtij devijimi të Krishterimit ndodhi falë ndryshimit të parakohshëm në këndvështrimin kulturor. Disa dekada pas vdekjes së Jezusit, mesazhi i tij i vërtetë u shpërngul nga konteksti gjuhësor semit (Aramaik/Hebre), mjedisi gjeografik galileas/palestinez dhe sistemi religjioz hebraik, drejt një mjedis të huaj për të. Me fjalë të tjera, emigrimi i lëvizjes së Jezusit nga territori natyror hebraik drejt mjedisit kulturor klasik të botës pagane mesdhetare, kryesisht greqishtfolëse, ndodhi në një periudhë shumë të hershme. Qëllimet, idetë dhe stili i jetës së Krishterimit nuk pati kohën e duhur për tu zhvilluar dhe kristalizuar. Argjila ishte e butë dhe e lakueshme, ajo mundej ende të modelohej në cdo lloj forme që dëshironte ti jepte asaj poçari. Si rrjedhojë, kisha e re, e cila në atë kohë përbëhej kryesisht nga xhentilë, e humbi shumë shpejt ndërgjegjen e të qenurit hebraike, madje ajo në mënyrë progresive u bë anti-hebraike.

Një tjetër kthesë në Krishterim shfaqi një efekt të pafavorshëm mbi joshjen e mesazhit të krishterë tek hebrenjtë e Palestinës dhe të diasporës. Jezusi, njeriu religjioz i pajisur me një joshje të parrezistueshme karizmatike, u transformua (nga Kisha e hershme) në Jezu Krishtin, objektin transcendent të religjionit të krishterë. Profeti i largët, por i zjarrtë, nga Nazareti i cili shpallte afërsinë e mbërritjes së Mbretërisë së Perëndisë nuk ishte shumë tërheqës për të sapokonvertuarin, me nivel mesatar, në Krishterim i cili vinte nga Aleksandria, Efesi, Korinti apo Roma. Vështrimi i tyre ishte i drejtuar drejt një shpëtimtari universal, madje edhe drejt Fjalës së përhershme dhe të Mishëruar të Perëndisë, i cili në të njëjtën kohë ishte edhe vetë Perëndi. Kështu që, duke nisur që nga shekulli i dytë i erës sonë, Kisha gjithnjë e në rritje e krishterë, e udhëzuar nga mendje të shquara e të stërvitura në filozofinë greke, të tillë si Ireneusi i Lionit, Klementi, Origjeni dhe Athanasi i Aleksandrisë, e zëvendësuan manifestin ekzistencial religjioz të Jezusit të vërtetë, i cili përkrahte pendimin, gatishmërinë e menjëhershme dhe nënshtrimin ndaj Zotit, me një program të rrënjosur në spekulimin metafizik rreth personit dhe natyrës së Krishtit të mishëruar, marrëdhënies së tij me Birin e përhershëm të Perëndisë si edhe lidhjet e ndërsjella midis personave hyjnorë të Trinisë së shenjtë. Shkrimet e shenjta, përfshi edhe Dhjatën e Vjetër, u shqyrtuan imtësisht për të gjetur citime të përshtatshme (për doktrinën) dhe u interpretuan në mënyrë alegorike me synimin që të provoheshin përfundimet e arritura përmes arsyetimit filozofik. Kjo procedurë u bë më e lehtë, për këta mendimtarë të mëdhenj helenist, nga fakti se si Dhjata e Vjetër ashtu edhe ajo e reja ishin në gjuhën greke, me të cilën ato ishin të familjarizuar dhe të cilën mund ta manipulonin lehtësisht. Dhe ata mund ta shtrembëronin atë lirisht, për shkak se në atë kohë, në Krishterim, nuk ekzistonte asnjë zë hebraik që potencialisht mund të vinte alarmin.

Natyrisht që as më shkon ndërmend që ti mohoj Krishterimit legjitimitetin teorik të misionit të Kishës primitive në botën xhentile. Nëse krishterimi nuk do të ishte rrënjosur në provincat e perandorisë Romake, atëherë ai do kishte mbetur thjesht një sekt i vockël hebraik me një joshje të jashtme jo më të madhe se ajo e prozelitizmit të zakonshëm hebraik të kryer në lashtësinë e vonshme. Madje, mund të argumentohet se, ndonëse Jezusi historik nuk ka pasur asnjë qëllim që ti drejtohej xhentilëve, gjithsesi thelbi i mesazhit të tij përmbante një element të nënkuptuar universalisht. Kështu që, në momentin kur Kisha vendosi se edhe johebrenjtë mund të pranoheshin në gjirin e saj, pa qenë nevoja që ata të detyroheshin, së pari, që të përqafonin mënyrën e jetesës hebraike, ishte e logjikshme që të tentohej një “përkthim” i kuptimit të të mesazhit të krishterë për dobi të botës xhentile. Kjo çështje, e quajtur inkulturim*, në ditët tona është bërë subjekt i debateve të nxehta në kontinentin Evropian.

 

Ky shkëmbim i ndërsjellët është pothuajse një pjesë e domosdoshme e çdo evoluimi kulturor, por ai është i vlefshëm dhe i pranueshëm vetëm nëse nuk të dërgon në shtrembërime thelbësoreNëse procesi i përshtatjes së mesazhit të Jezusit do të kishte qenë në duart e përfaqësuesve të kulturës së tij (Judaizmit) të cilët me kompetencë do të kishin përshtatur atë me ndihmën e elementëve të huazuar nga kultura e huaj (helenizmi), përfundimi do të kishte qenë më lehtësisht i arritshëm për grekërit. Manovrimi i përshtatshëm i shkëmbimeve kulturore mund të ilustrohet me shembullin e judaizmit biblik dhe postbiblik. Autorët e Dhjatës së Vjetër, për të paraqitur një panoramë shumëngjyrëshe të historisë së krijimit biblik, kanë përdorur në mënyrë të suksesshme përfytyrimet e kozmogonisë politeiste të babilonasve, por kjo, pa prekur monoteizmin hebraik. Ngjashëm, interpretuesit rabinik, i janë drejtuar në mënyrë mjeshtërore konceptit platonik të hermafrodizmit (androgjinisë), përzierjes së një burri dhe një gruaje, për të shpjeguar pohimin biblik se qënia e parë njerëzore u krijua ‘burrë dhe grua’ nga Perëndia (Zanafilla 1:27). E gjithë kjo u bë pa e shndërruar Judazmin në platonizëm. Ndërsa në rastin e Krishterimit, duke filluar që nga fundi i shekullit të parë e më tej, procesi i inkulturimit u drejtua nga xhentilët, të cilit ishin vetëm sipërfaqësisht të njoftuar me religjionin hebraik të Jezusit. Sic mund të pritej, brenda një kohe shumë të shkurtër asnjë hebre nuk ishte më i aftë ta shihte si të pranueshme trashëgiminë doktrinore të re, por të inkulturuar të Jezusit. Në fakt, mendoj se edhe vetë Jezusi nuk do ta kishte njohur atë si të tijën.

Krishterimi punoi nën një mangësi serioze në kuptimin dhe komentimin e Dhjatës së Vjetër. Pjesa greqisht folëse e kishës lindore (1/2 e gjithë kishës) ishte një hap larg tekstit të Dhjatës së Vjetër të lexuar nga Jezusi, ndërsa kisha perëndimore, ku tekstit grek iu desh të përkthehej në gjuhën latine, ishte dy hapa më larg nga ungjilli i Jezusit dhe shkrimet hebraike. Kur një prej personazheve më të ndritura të kishës perëndimore, Shën Agustini (354-430), i cili nuk njihte as gjuhën greke dhe as atë hebraike, të mos flasim për atë aramaiken, kishte nevojë të informohej rreth origjinalit hebraik të disa pasazheve të paqarta në Dhjatën e Vjetër, atij i duhej të kontaktonte që nga Hipo në Afrikën veriore romake (Algjeria e ditëve tonë) Shën Jeronimin, që në atë kohë jetonte në Betlehem, në anën tjetër të botës mesdhetare, dhe i cili ishte i vetmi i krishterë hebraist i asaj kohe.

Kësaj ndarjeje gjuhësore dhe kulturore të Krishterimit nga bota e Jezusit i duhet shtuar edhe një tjetër faktor i errët, i cili ishte anti-judaizmi gjithnjë e në rritje i Kishës. Lërmëni të ofroj një ilustrim të shkurtër. Shën Jeronimi, eksperti për hebraizmin i Krishterimit, e përshkruante zhurmën e bërë nga adhuruesit hebrenj në sinagogë si hungërim derri dhe pëllitje gomari (grunnitus suis et clamor asinorum). Me të njëjtën frymë, një tjetër bashkëkohës i Shën Agustinit, Shën Gjon Krisostomi, i krahasonte sinagogat e hebrenjve, vrasësit e Krishtit, me një bordello, strofkë kafshësh të egra, fortesë të djallit, një greminë dhe humnerë e humbjes, e përshtatshme për njerëz të cilët “jetojnë vetëm për stomakun e tyre…e sillen jo më mirë se derrat dhe dhitë në epshet e tyre dhe në grykësinë e tyre të tepruar” [1] Krisostomi, peshkopi gojartë i Kostandinopojës, i parapriu shumë prej shfrimeve anti-judaike të krishterëve të mëvonshëm të tillë si Martin Luteri (një antisemit i mirënjohur) dhe në një farë mënyre paralajmëroi oratorinë e nazistëve të shekullit të njëzet si edhe karikaturat vulgare dhe të liga të shfaqura në revistën e tyre Der Stürmer. [2]

Ndonëse antisemitizmi i lashtë religjioz vazhdoi gjerësisht të mbetej i paprekur në botën e krishterë deri pas Luftës së dytë botërore, gjithësesi, një ndryshim i një rëndësie të pamasë ndodhi në shekullin e gjashtëmbëdhjetë. Reformimi protestant, duke u përpjekur të kthente pas Kishën tek rrënjët e saj dhe të rivendoste puratinizmin e shekullit të parë, ringjalli Biblën dhe shpalli Dhjatën e Re (në gjuhën greke) dhe Dhjatën e Vjetër (në gjuhën hebraike dhe aramaike) si të vetmet burime të besueshme për Fjalën e Zotit. Kjo i dërgoi shkollarët dhe lexuesit besimtarë protestant të Biblës, në një farë mënyre, më afër shkrimeve hebraike dhe rrjedhimisht më afër Jezusit. Reformimi gjeneroi, midis anëtarëve të tij, një shkundje të thellë në mendimin e krishterë, duke e vendosur Biblën në qendrën e besimit dhe të frymëzimit religjioz, shumë më lart se tradita e Kishës. E frymëzuar nga tradita Rilindjes Evropiane, disa student protestant të Dhjatës së Re, duke filluar që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë e më tej, e kthyen vëmendjen e tyre edhe ndaj literaturës jobiblike hebraike. Ata përdorën Talmudin dhe shkrime të tjera të ngjashme me të, për të kërkuar informacion kontekstuale për studimet e tyre të Ungjillit. Kështu që, John Lightfoot-i (1603-75), teologu i ditur i Kembrixhit, në veprën e tij Horae Hebraicae et Talmudicae (Orët hebraike dhe talmudike, 1658), përkrahte studimin e literaturës rabinike. Megjithëkëtë, ndonëse ai deklaronte se këto shkrime ishin shërbëtore të vlefshme për të krishterët gjatë përpjekjeve të tyre të devotshme dhe shkollareske, përsëri ai pohonte se ato kutërbonin erë të keqe (faetant) dhe vepronin si helm për hebrenjtë. Mungesa e qasjes dhe ekspertizës antijudaike, në studimet hebraike, brenda qarqeve të shkollarizmit të krishterë vazhduan deri në mes të shekullit të njëzet. P.sh., Gerhard Kittel, editori i veprës Theological Dictionary of the Neë Testament, ishte, gjithashtu, edhe kontribues i rregullt në një nga botimet zyrtare naziste në lidhje me çështjen hebraike. Në të vërtetë, vetëm tmerri i Holokaustit e nxori këtë linjë “shkollarizmi” jashtë mode. Që nga ajo kohë, trajtimi kritik i problemeve të Jezusit dhe të Dhjatës së Re, që kishte filluar në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, kishte bërë një progres thelbësorë dhe zbulimi i një numri gjithnjë e më të madh dorëshkrimesh, të harruara apo të panjohura, të hershme hebraike, më të rëndësishmet e të cilave ishin pergamenat e detit të vdekur, e pasuruan shumë fushën e kërkimit krahasues. Në këtë mënyrë një epokë e re zuri fill në çështjen e kuptimit fillestar të Krishterimit. Duke nisur nga viti 1970 e më tej, pas mëse pesëdhjetë vjetësh amullie, një lumë i vërtetë librash mbi Jezusin historik filluan të shohin dritën nga çdo cep i botës shkollareske religjioze dhe joreligjioze. [3] Që nga ajo kohë, krishterimi katolik, pasi kishte ripohuar rëndësinë thelbësore të studimit të Shkrimit të shenjtë dhe kishte njohur rëndësinë e këndvështrimit hebraik në hetimin e jetës dhe mësimit të Jezusit, mori përsipër të luaj një rol të rëndësishëm duke nisur një përpjekje të përbashkët shkollareske së bashku më një grup avangard shkollarësh hebrenj të Dhjatës së Re. Përgjatë një gjysmë shekulli, krahë më krahë me akademikët, hebrenjtë dhe të krishterët e zakonshëm janë përfshirë thellësisht, gjithnjë e më shumë, në një bashkëbisedim miqësorë dhe frytdhënës.

Që nga viti 1945, perspektiva në lidhje me këtë temë ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore. Përkatësia hebraike e Jezusit tashmë është bërë aksiomë në qarqet akademike, ndërkohë që titulli i librit tim “Jezus hebreu”, i publikuar në vitin 1973, ishte i aftë të shkaktonte një valë të tërë tronditjeje përgjatë shumë sektorëve të botës tradicionale të krishterë. Legjitimiteti i “qasjes hebraike” të studimit të Jezusit historik është pranuar universalisht edhe nga ata shkollarë të Dhjatës së Re të cilët i binden, qoftë edhe formalisht, asaj. Konturet e mjegullta të Jezusit të vërtetë, hasidit karizmatik, të cilat jam përpjekur shumë ti qartësoj në këtë libër, kanë gjetur një miratim gjithnjë e në rritje dhe kjo jo vetëm nga qarqet akademike apo vetëm në mesin e bashkësive të krishtera. Kështu që me ardhjen e vitit 2000 skena duket se është e gatshme për një tjetër fazë për kërkimin dhe kuptimin e Jezusit të vërtetë. Ndoshta ky kuptim i ri, midis trashëgimtarëve të civilizimit judeo-krishterë dhe përtej mijëvjeçarit të tretë, do ta shprehë vetveten në një riorientim të mendjeve dhe në një përtëritje të shpirtit religjioz të frymëzuar nga Jezusi i vërtetë.

Dy fjalë për autorin

Geza Vermes ka lindur në Hungari në vitin 1924. Ai ka studiuar në Budapest dhe në Louvain, ku ka lexuar historinë dhe gjuhët orientale dhe në vitin 1953 mori doktorraturën në teologji me një disertacion rreth perganemave të detit të vdekur. Nga viti 1957 deri në vitin 1991 ai ka dhënë mësim në Universitetin e Njukastëllit dhe të Oksfordit. Vepra e tij pioniere përsa i përket pergamenave të detit të vdekur dhe figurës historike të Jezusit bëri që ai të zgjidhej si profesori i parë i studimeve hebraike në Universitetin e Oksfordit, ku ai tashmë është ka titullin profesor emeritus. Që nga viti 1991 është drejtor i Forumit për kërkimet në Kumran e cila është pjesë e qendrës së oksfordit për studimet hebraike. Profesor Vermes është anëtar i akademisë britanike si dhe i Akademisë evropiane të arteve, shkencave dhe humanitetit. Disa prej veprave të mirënjohura të profesor Vermes janë edhe “The Complete Dead Sea Scrolls in English (1997), The Changing Faces of Jesus (2000) si edhe Authentic Gospel of Jesus (2003).

 

Perktheu: Rezart Beka

 

Referenca

 

[*]Inkulturimi është procesi përmes së cilës një person përvetëson dhe asimilon kulturën në të cilën ai jeton.

[1] Krahaso Marcel Simon, Versus Israel: A study of the relations between Christians and Jews in the Roman Empire (AD 135-425) (Oxford, 1986), 217-23. Stili i polemikës antikrishtere hebraike është po ashtu i pakëndshëm. Polemika është zhvilluar duke u nisur nga disa thënie të rastit që gjenden në Talmud për të shkuar tek karikaturat vulgarisht përçmuese të literaturës së hershme mesjetare Toledot Yeshu (Jeta e Jezusit). Thelbi i rrëfimeve të trilluara është se Jezusi ishte biri i paligjshëm i një gruaje që punonte si tjerrëse leshi ose parukiere. Në disa versione emri i babait të Jezusit është Pantera, një ushtar romak. Sipas këtyre versione, Jezusi shkoi në Egjipt për të mësuar magjinë në mënyrë që të degjeneronte hebrenjtë, por u dënua me vdekje nga ata. Përmes një dredhie të jashtëzakonshme një version i rishikuar i kësaj sage u përdor nga Hitleri për të provuar se Jezusi nuk ishte hebre dhe se babai i tij ishte një legjionar nga trojet gale. Krahaso, Table-Talk të Hitlerit. Hitler’s conversations recorded by Martin Bormann (Oxford University Press, 1988), 76, 721.

[2] Editori i kësaj reviste naziste, Julius Streicher, u mbrojt gjatë gjyqit të zhvilluar ndaj tij nga forcat aleate duke thënë se nëse ai ishte fajtor për antisemitizëm, atëherë edhe Martin Luteri duhej konsideruar i tillë, thëniet anti-hebraike të të cilit përsëriteshin shpesh në këtë revistë.

[3] Në vijim do të sjellin një përzgjedhje domethënëse të këtyre veprave:

“David Flusser, Jesus, (New York 1969); Geza Vermes, Jesus the Jew (London, 1973); Hyan Moaccoby, Rvolution in Judea: Jesus and the Jewish Resistance (London, 1973); Morton Smith, Jesus the Magician (London, 1978); Charles Parrot, Jesus et l’histoire (Paris, 1979); Martin Hengel, The Charismatic Leader and his Followers (London, 1981); A.E. Harvey, Jesus and the Constraints of History (London, 1982); Geza Vermes, Jesus and the World Judaism (London, 1983); Donald A. Hagner, The Jewish Reclamation of Jesus (Grand Rapids, 1984); E.P. Sanders, Jesus and Judaism (London, 1985); Marcus Borg, Jesus, a New Vision (San Francisco 1987); Paula Fredriksen, From Jeus to Christ (New Haven/London, 1988); James H. Charlesworth, Jesus within Judaism (London, 1989); John Dominic Crossan, The Historical Jesus (San Francisco, 1991); Maurice Casey, From Jewish Prophet to Gentile God (Cambridge, 1991); John P. Meier, A Marginal Jew, I-II (New York, 1991, 1994); A.N. Wilson, Jesus (London, 1992); A. Roy Eckardt, Reclaiming the Jesus of History (Minneapolis, 1992); N.T. Wright, Who was Jesus? (London, 1992); Geza Vermes, The Religion of Jesus the Jew (London, 1993); E.P. Sanders, The Historical Figure of Jesus (London, 1993); Stevan L. Davies, Jesus the Healer (London, 1995); Joachim Gnilka, Jesus of Nazareth (Peabody, Mass., 1998); John Dominic Crossan, The Birth of Christianity (New York, 1998); Paula Fredriksen, Jesus of Nazareth, King of the Jews (New York, 1999).

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *