Atë Raymond Brown

Fragment i shkëputur nga libri i Atë Raymon Brown me titull: “An Introduction to New Testament Christology”, Paulist Pres, New York 1994

Ky këndvështrim dëshiron ta barazojë kristologjinë e Dhjatës së Re me kristologjinë e vetë Jezusit. Ndonëse ungjijtë janë shkruar 30 deri në 70 vjet pas jetës ministrore të Jezusit, ato mendohet se përputhen fjalë për fjalë me atë që është thënë gjatë jetës së Jezusit. Në përputhje me këtë këndvështrim, konservatorizmi i jo specialistëve pohon se nuk gjendet asnjë lloj  zhvillimi kristologjik domethënës në Dhjatën e Re. Duhet pasur kujdes për faktin se këtu po diskutojmë lidhur me njohjen apo jo të zhvillimit dhe dallimeve kristologjike në Dhjatën e Re. Nëse këto dallime janë radikale dhe përfaqësojnë një mungesë vazhdimësie kjo është një tjetër çështje. Ato për të cilët ne po flasim këtu, nuk pranojnë asnjë dallim ndërmjet kristologjisë së Jezusit dhe asaj të paraqitur nga autorët e Dhjatës së Re. Ndërsa ato që quhen ndryshe konservator të moderuar, pranojnë dallimet por mendojnë se ato nuk janë të atilla sa të përbëjnë një mos vazhdimësi.

Lërmëni t’ju jap një shembull. Tek Mateu 16:13-20, Jezusi në mënyrë entuziaste e pranoi pohimin e Pjetrit për të, se ai ishte Messiah, Biri i Perëndisë së gjallë. Konservatorët jospecialistë e pranojnë atë si reminishencë historike që vjen nga jeta ministrore e Jezusit dhe e ofrojnë atë si shpjegimi dhe arsyeja përse të krishterët që erdhën më pas e quajtën atë Bir të Perëndisë1. Sërish, kur Jezusi flet për veten e tij si një figurë hyjnore para-ekzistuese dhe përshkruan ekzistencën që ai ka pasur para Abrahamit, madje, ndoshta edhe para krijimit të botës (Gjoni 8:58 dhe 17:5), a duhet konsideruar kjo si një pohim i vërtetë historik që i lejoi në këtë mënyrë Gjonit që të shkruante në fillim të ungjillit të tij: “Në fillim ishte Fjala…dhe Fjala ishte Perëndi”?2 Një konservatorizëm i thjeshtë, me përjashtime të vogla, mund të thuhet se ka qenë besimi i shumicës së të krishterëve deri në vitin 1700 e.r.s., para kësaj date madje edhe ekzegjetët dhe predikuesit nuk e kishin kuptuar problemin e thellë që qëndronte në teorinë e fjalpërfjalshmërisë së rrëfimeve të ungjijve. Por ky qëndrim ndryshoi me aplikimin ndaj Dhjatës së Re së metodës së kriticizmit historik (historical criticism).3 Kritikat e ngritura nga kjo disiplinë ndërgjegjësuan shumicën e teologëve të krishterë për faktin se dallimet janë një fakt, si ndërmjet autorëve të Dhjatës së Re ashtu edhe ndërmjet këndvështrimit të tyre me ato të kohës kur ka jetuar Jezusi.

Megjithëkëto ndryshime në qarqet akademike, konservatorizmi i jospecialistëve ka vazhduar në këto dy shekujt e fundit me ngjyrime të ndryshme. Nga një anë, teologët me formim protestantë ishin mbrojtësit më të flaktë të kritikës biblike, e disa prej tyre i kanë përdorur këto disiplina kritike për të sfiduar besimet tradicionale të krishtera, deri aty sa të mohonin edhe hyjninë e Jezusit. Shumë teologë praktikant reaguan ashpër ndaj kësaj tendence të cilën ata e shihnin si  shkatërruese për krishterimin, në këtë mënyrë për të ruajtur “themelet” e besimit të krishterë4 ato e mohuan krejtësisht jo vetëm keqpërdorimin e saj por edhe disiplinën e kriticizmit biblik në vetvete. Në këtë mënyrë disa  konservator  jospecialit protestant në mënyrë të ndërgjegjshme morën pozita mbrojtëse. Nga na tjetër, në pjesën më të madhe, teologët katolik u treguan të ngadaltë për të pranuar format më të ashpra të kriticizmit biblik, e disa madje në mënyrë krejt të papjekur e përqafuan këtë rrymë e në këtë mënyrë ato u dënuan nga autoritetet e Vatikanit, gjatë atmosferës antimoderniste të fillim viteve 1900 e.r.s. Për shkak të këtij kontrolli të kujdesshëm nga ana e autoriteteve katolike, shumica e katolikëve praktikant, nuk janë në dijeni të faktit se mund të  ekzistojnë mospërputhje ndërmjet Jezusit historik dhe përshkrimit që na japin për të autorët e Dhjatës së Re.

 Ky lloj konservatorizmi, në lidhje më këtë dhe çështje të tjera të Biblës, ishte shumë i përhapur por jo mbrojtës. Modernizmi katolik, me gjithë ekseset e tij, u shkatërrua para se të tërhiqte rreth tij shumë ithtarë, për këtë arsye praktike nuk ekziston asnjë formë predikimi moderniste katolike ndaj të cilës duhej të mbroheshe. Gjithsesi, kisha katolike filloi ta ndryshonte pozitën e saj drejt kritikës biblike duke nisur nga Papa Pius XII në vitin 1940, e nxiti një përdorim të matur dhe inteligjent të saj. Që nga viti 1960 mësimi zyrtar katolik pohonte se ungjijtë nuk janë domosdoshmërish rrëfime të fjalpërfjalshme të fjalëve dhe veprave të Jezusit5. Një pohim i tillë duhej ti përgatiste katolikët për të pranuar se në lidhje me çështje bazë siç ishte ajo kristologjikja, mund të kishte një dallim ndërmjet asaj që Jezusi besonte për veten e tij dhe pohimit që bënin për të autorët e ndryshëm të Dhjatës së Re. Por ky ndryshim në mësimin zyrtar nuk iu komunikua në mënyrë të kënaqshme publikut të gjerë katolik, për këtë arsye konservatorizmi i jospecialistëve mbizotëron ende (përsëri me tendencë jo mbrojtëse6). Shumica e të krishterëve praktikant nuk janë në dijeni të këtij ndryshimi, ndonëse tashëm pothuajse të gjithë teologët biblik katolik e kanë pranuar faktin se ungjijtë paraqesin një zhvillim që shkon përtej kohës së Jezusit dhe për vite me radhë ata i kanë mësuar këtë këndvështrim kandidatëve për prift apo për diploma teologjike7.

Përktheu: Rezart Beka

[*]Atë Raymond Brown është Distinguished Professor Emeritus of Biblical Studies në Union Theological Semminary (N.Y.C.). Ai konsiderohet si një prej figurave qendrore ndërmjet shkollarëve të Dhjatës së Re. Gjatë jetës së tij ka marrë mëse tridhjetë “honorary degrees” nga universitetet katolike dhe protestante nga e gjithë bota, gjithashtu, ai është zgjedhur si (Corresponding) Fellow of the British Academy dhe anëtar i Akademisë Amerikanë të arteve dhe shkencave. Autor i mëse tridhjetë e pesë librave në lidhje me Biblën, po ashtu ka qenë i vetmi amerikan që është zgjedhur nga dy papë si anëtarë i Komisionit biblik papnor.

Referenca

 

[1] Për ti paraprirë diskutimeve të mëvonshme, duhet të themi se teologët që nuk janë dakord me këtë, mund të përmendin faktin se tek Marku 8:27-30 (pasazh i cili konsiderohet nga shumica si më i hershëm) rrëfimi i Pjetrit dhe reagimi i Jezusit është i ndryshëm. Mund të hamendësojmë se ka ekzistuar një traditë nga jeta ministrore e Jezusit në të cilën Pjetri e ka njohur Jezusin si Mesiah, por gjithashtu ai ka shfaqur një kuptim të mangët të konfliktit që ekzistonte ndërmjet aspektit triumfalist të pritshmërive mesianike dhe kuptimit të Jezusit për këtë rol. Nën dritën e depërtimit kristologjik të përftuar pas ringjalles, Mateu ndoshta e ka zgjeruar këtë traditë në atë mënyrë sa të kuptohet se ky ishte edhe kuptimi për mesianitetin e Jezusit- një kuptim që Pjetri në të vërtetë e ka shprehur vetëm pas ringjalljes së Jezusit.

[2] Teologët që nuk janë dakord me këtë mund të përmendin se nuk ka asnjë të dhënë të njohjes së para ekzistencës tek Marku, Mateu dhe Luka.

[3] Jo pa të drejtë është thënë se përdorimi i “kritikës” në lidhje me Biblën nuk nënkupton doemos pasjen e një qëndrimi negativ apo kritik ndaj Biblës. Kjo do të thotë ta kalosh biblën nëpër të njëjtin kritikë apo shqyrtim të hollësishëm siç bëhet me të gjithë librat e tjerë, psh. të njohësh dallimet ndërmjet autorëve biblik dhe të ngresh pyetjen se sa njohuri kishin ato, nga e kanë marrë ata materialin dhe çfarë lloj libri kishin ato për qëllim të shkruanin. Disa shkollarë të cilët e filluan për herë të parë kritikën biblike nuk kanë besuar në frymëzimin e biblës, por shumë të tjerë të cilët e njohin frymëzimin e biblës, kanë njohur edhe vlefshmërinë dhe rëndësinë e kësaj kritike ose kriticizmit. Frymëzimi i biblës nga Perëndia nuk e ndryshon faktin se çdo fjalë e biblës është shkruar nga një qenie njerëzore ndaj të cilëve aplikohet kriticizmi.

[4] Siç është thënë edhe në BRTOQ 43, kjo shpjegon aplikimin e emrin “fondamentalizëm” formave më ekstreme të kësaj lëvizjeje.

[5] Këtu i referohem Komisionit katolik biblik pontifik “Instruction on the Historical Truth of the Gospel” (1964), paragrafet më të rëndësishëm të të cilit janë botuar në BBRC 111-15; shih gjithashtu edhe NJBC 72, § 35. Thelbi i këtij udhëzimi është përmendur në Konçillin e dytë të Vatikanit “Dogmatic Constitution on Divine Revelation” (Dei Verbum 5:19). Historia e zhvillimit të mendimit katolik në 1000 vjetët e fundit është përmbledhur në NJBC 72 §§ 3-[6] Vetëm një grup shumë i vogël katolikësh, si përjashtim ndaj rregullit, i kanë rezistuar të patundur të gjitha ndryshimeve në këndvështrimeve të kishës ndaj biblës duke nisur nga viti 1940, duke shpjeguar këto ndryshime si të ndërtuara nga “modernistët e rinj” si dhe lëshime në pohime të bëra nga sekretari i komisionit biblik pontifik. Ato e kanë shprehur këtë mendim në ato pak gazeta dhe revista që gjithashtu kishin nisur sulme të ashpra ndaj hierarkisë katolike të cilën ata e shihnin si tepër liberale.

[7] Dikush në mënyrë të drejtë mund të pyesë se përse, nëse nxënësve të seminareve nuk i predikohet një këndvështrim thjeshtëzues konservator në lidhje me Dhjatën e Re, ato nuk e përçojnë këtë këndvështrim më të ndërlikuar edhe jashtë bankave të studimit. Justifikimi më i zakonshëm për moskryerjen e këtij veprimi është se ai mund të turbullojë njerëzit e thjesht…Me shumë mundësi faktori kryesor përse nuk ndërmerret ky veprim është sepse ai kërkon më shumë energji dhe imagjinatë se çfarë shumë predikues dëshirojnë të shpenzojnë. Qetësimi i njerëzve në lidhje me këtë çështje shpesh është i mundimshëm dhe ai mbijeton edhe atëherë kur kisha mëson të kundërshton.

Last modified: 03/01/2021
Close