TwitterFacebookPinterestGoogle+

Islami, populizmi dhe kontradiktat e ligjërimit politik europian

Oliver Roy

Një dallgë ndjeshmërie kundër të huajve, anti-imigrante dhe anti-myslimane po pushton aktualisht Europën, dhe të njëjtën gjë po bën edhe nostalgjia për komunitetin kombëtar dhe etnik.

Ndonëse emigracioni është sot shumë më i larmishëm se sa ç’ishte 50 vjet më parë, për shumë lëvizje populiste është Islami ai që mishëron gjithçka që nuk është europiane. Sot, emigrantët myslimanë janë “tjetri”, madje edhe kur ata janë brezi i dytë apo i tretë. Ideja se emigracioni mysliman po e çon përpara në mënyrë të pandalshme “Islamizimin e Europës” shkon përtej caqeve të lëvizjeve populiste.

Vitet e fundit, partitët që kanë në fokus thjesht e vetëm kundërvënien ndaj myslimanëve dhe emigrantëve janë shumëfishuar. Këto lëvizje përfshijnë Partinë Popullore për Liri të Geert Vildersit në Hollandë, të Djathtën e Re në Danimarkë dhe Alternativën për Gjermaninë. Parti më tradicionale të ekstremit të djathtë, siç janë Rassemblement National (ish Fronti Nacional) apo Partia e Lirisë në Austri, i kanë braktisur kostumet e tyre fashiste për t’u përqendruar mbi refuzimin e imigracionit dhe Islamit. Madje Lega në Itali ka moderuar edhe kërkesat e saj rajonaliste veriore duke u bërë partia anti-imigrante par excellence. Më së fundi, edhe e djathta konservatore i është bashkuar valës populiste. Madje edhe parti nga e majta, sidomos në Francë, kundërshtojnë më fortë vetë besimin islam se sa myslimanët.

Refreni i tyre i zakonshëm është papajtueshmëria kulturore mes emigrantëve – sidomos myslimanëve – dhe europianëve. Por është disi më problematike që të specifikohet se si përplasen specifikisht kultura europiane dhe Islami në termat e vlerave. Tradita europiane është e përbërë nga dy grupe konkurruese vlerash, vlerat liberale dhe identiteti i krishterë, dhe këto nuk përputhen me njëra tjetrën.

Vlerat europiane që pretendohet se kanë përplasje me Islamin janë përgjithësisht liberale dhe përfshijnë feminizmin, të drejtat e LGBT, dhe e drejta për të bërë blasfemi. Këto janë vlera të viteve 60 të shekullit të kaluar që janë kodifikuar në ligj vetëm kohët e fundit. Ndërkohë që sot martesa mes të njëjtit seks është ligjore në pjesën më të madhe të Europës Perëndimore, deri në fillim të viteve 1960 homoseksualiteti ishte i paligjshëm në një pjesë të madhe të Europës.

Identiteti i krishterë, në krahun tjetër, supozohet se është i bazuar mbi normat dhe vlerat e Krishterimit, ose të paktën në traditat milenariane, pikërisht ato vlera e norma nga të cilat revolucioni kulturore i viteve 60 bëri përpjekje që të shkëputej. Me revolucionin seksual, sekularizimi u shndërrua në dekrishterizim, dhe, në sytë e Kishës Katolike, kultura dominante, më tepër se sa thjesht profane, u bë pagane. Në korrik të vitit 1968, Papa Pali VI nxori enciklikën Humanae Vitae, që refuzonte liberalizmin moral e seksual dhe që sot thuhet se bie ndesh me Islamin, dhe përkrahu një formë të seksualitetit të qendërzuar mbi prokrijimin, apo vazhdimin e jetës, në një mjedis familjar tradicional të krishterë. Që kur Kisha Katolike i shpalli luftë abortit dhe martesës brenda të njëjtës gjini, ajo ka ndërhyrë në jetën politike për të mbështetur ligje kundër kontraceptivit, abortit, martesës mes të njëjtës gjini, dhe teknologjisë së riprodhimit të asistuar. Krahas këtyre pozitave normative, Kisha (apo Papa të paktën) ka predikuar hapjen dhe bamirësinë karshi emigrantëve.

Por problemi është se shumica e atyre që pretendojnë se përkrahin identitetin e krishterë të Europës, sidomos populistët, e kanë përqafuar plotësisht çlirimin seksual të viteve 1960, që ata e praktikojnë haptazi në jetën e tyre personale. Në veri të Europës, ata ngrejnë zërin për të drejtat e homoseksualëve. Në jug, ndonëse janë më konservatorë dhe më maço, ata nuk mishërojnë aspak vlerat familjare të krishtera. Gjithashtu refuzojnë edhe thirrjet për bamirësi dhe dashuri ndaj të tjerëve: në Krishterim ata nuk shohin një fe të universalitetit, por një shënjues të komunitetit kombëtar.

Paradoksi është se armiqësia ndaj Islamit nënvizon dekrishterizimin e Europës. Në mesin e vendimeve të marra nga parlamentet e gjykatat dhe që janë paraqitur për shqyrtim në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ka dy tipe kryesore të gjykimeve. I pari përmban gjykime që ndalojnë çdo simbol fetar në mënyrë që të ndalojnë simbolet islame. Ligji i vitit 2004 që ndalon hixhabin në shkollat franceze është zyrtarisht një ligj që ndalon të gjitha simbolet fetare. Pasojë e këtyre ligjeve është edhe spastrimi i hapësirave publike nga simbolet e krishtera gjithashtu. I dyti tip përbëhet nga gjykime që i zhveshin simbolet e krishtera nga kuptimi i tyre simbolik në mënyrë që të autorizojnë ekspozimin e tyre pa i shtrirë të njëjtat të drejta tek simbolet e feve të tjera. Kësisoj, kryqi në shkollat italiane bëhet një shënjues kulturor dhe simbolet e krishtera janë sekularizuar dhe ndarë nga besimi e vlerat që ato mishërojnë. Pa asnjë efekt në mbushjen e kishave, të gjitha fushatat që promovojnë skenat e lindjes së Krishtit, kryqet mbi ndërtesat publike, dhe kremtimet fetare të krishtera e shndërrojnë krishterimin thjesht në folklor.

Të krishterët praktikantë të Europës e gjejnë veten, kësodore,  në një udhëkryq. Ata janë shndërruar në një pakicë në vende “katolike” si Irlanda, Spanja, dhe Italia. Protestantët në tërësi janë vetë-shekullarizuar duke adoptuar vlerat liberale të viteve 1960 (diçka që për shumë zëra justifikon kundërvënien e tyre ndaj Islamit). Katolikët konservatorë kanë prirjen që të kenë një linjë të ashpër kur bëhet fjalë për politikën, siç është grupi me përfshirje të gjerë kundër martesave të të njëjtës gjini “Manif pour tous” në Francë, dhe votojnë për populistët me shpresën se mbrojtja e identitetit të krishterë do të çojë në një rikthim tek besimi. Ata e mbërthejnë vagonin e tyre pas lokomotivës populiste pa kuptuar se ajo i çon drejt një sekularizimi të mëtejshëm. Të krishterë të tjerë, si nga e majta ashtu dhe nga e djathta, përpiqen që mbrojtjën e normave të krishtera ta ndërthurin me vlerat e bamirësisë dhe të qenit të hapur ndaj të tjerëve. Por ky lloj disi më open i të krishterit (i cili pavarësisht gjithçkaje mund të jetë mjaft konservator në terma teologjikë) nuk gjen më përfaqësim pas zhdukjes praktike të demokracisë së krishterë në Europë (apo pas transformimit të saj në të djathtën neoliberale).

Sa u përket partive të të majtës, ato ngurrojnë që të joshin e t’u drejtohen “besimtarëve” të çfarëdolloji dhe i bëjnë bisht çështjes së fesë me ndoca referenca të vagullta ndaj ‘multikulturalizmit’ që nuk kanë më asnjë kuptim duke qenë se feja është bërë e shkëputur nga kulturat tradicionale.

Ekziston nevoja që roli i fesë në Europë të mendohet nga e para. E megjithatë, partitë politike e shmangin çështjen në fjalë duke duke folur ose për identitet ose për sekularizëm. Partitë pro-evropiane flasin në terma abstraktë në lidhje me vlerat evopiane dhe identitetin e krishterë ua lënë partive populiste. Ndërkohë që Kisha në mesjetë përkrahu një supranacionalizëm sipër mbretërve dhe princërve, Kisha e sotme çuditërisht qëndron në heshtje kuir vjen puna tek ideja e Europës dhe parapëlqen që të luftojë për norma dhe jo për vlera. Bashkimi Europian u themelua nga një aleancë ndërmjet kristian-demokratëve dhe social-demokratëve. Ku janë ata sot? Dhe ku e lë gjithë kjo projektin e tyre?

Përktheu: Arjol Guni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *