TwitterFacebookPinterestGoogle+

Fshirja e Islamit nga poezia e Rumiut

Rozina Ali

Nja dy vjet më parë, kur Chris Martin i Coldplay po divorcohej nga aktorja Gwyneth Paltrow dhe po ndihej i mërzitur, një mik i dha një libër për ti ngritur moralin. Ishte një përmbledhje poezish nga Xhelaludin Rumi, poeti Persian i shekullit të trembëdhjetë, i përkthyer nga Coleman Barks. “Kjo gjë ndryshoi jetën time,” tha Martin më vonë, në një intervistë. Një këngë nga albumi më i fundit i Coldplay përmban Barks duke recitiar një nga poemat: “Kjo qenie njerëzore është një shtëpi mysafire / çdo mëngjes një ardhje e re / Një gëzim, një depresion, një domethënie, / një vetëdije e çastit vjen / si një vizitor i papritur. “

Rumi ka ndihmuar udhëtimet shpirtërore të VIP-ave të tjerë – Madonna, Tilda Swinton – disa prej të cilëve në mënyrë të ngjashme përfshinë punën e Rumit në atë të tyren. Aforizmat që i atribuohen Rumit qarkullojnë çdo ditë në mediat sociale, duke ofruar motivim. “Nëse jeni irrituar nga çdo fërkim, si do të lëmohesh ndonjëherë,” thotë njëri prej tyre. Ose, “Çdo moment e formësoj fatin tim me një daltë. Unë jam një marangoz i shpirtit tim. ” Përkthimet e Barks, në veçanti, ndahen gjerësisht në internet; ato janë gjithashtu përkthimet e Rumit që rreshtohen në raftet e librarive amerikane dhe recitohen në dasma. Rumi shpesh përshkruhet si poeti më i shitur në Shtetet e Bashkuara. Ai zakonisht përmendet si mistik, shenjtor, sufi, njeri i shkolluar. Çuditërisht, megjithatë, edhe pse ai ishte një studiues i përjetshëm i Kuranit dhe Islamit, ai është më pak i përshkruar si musliman.

Fjalët që Martin shfaqi në albumin e tij vijnë nga “Methnevi” i Rumiut, një poezi epike me gjashtë vëlime që ai shkroi deri në fund të jetës së tij. Pesëdhjetë mijë vargjet e saj janë kryesisht në Persisht, por ato janë të mbushura me fragmente arabisht nga Kurani; Methneviu i Rumiut aludon shpesh për anekdotat kuranore që ofrojnë mësime morale. (Puna, për të cilën disa studiues e konsiderojnë të papërfunduar, është mbiquajtur Kurani Persian.) Fatemeh Keshavarz, profesoreshë e studimeve persiane në Universitetin e Maryland, më tha që Rumi me siguri ka qenë hafiz i Kuranit, duke pasur parasysh sa shpesh ai huazaonte prej Kuranit në poezitë e tij. Vetë Rumi e përshkroi “Methnevi-un” si “rrënjët e rrënjëve të rrënjëve të fesë”, duke nënkuptuar Islamin – dhe si “shpjeguesin e Kuranit”. E megjithatë, pak gjurmë të fesë ekzistojnë në përkthimet që shesin kaq mirë në Shtetet e Bashkuara. “Rumi që njerëzit e duan është shumë i bukur në anglisht, por kultura dhe feja janë hequr prej (poezive të tij të sjella në anglisht)” më tha kohët e fundit Jawid Mojaddedi, një studiues i Sufizmit të hershëm në Rutgers

Rumi lindi në fillim të shekullit të trembëdhjetë, në atë që tani është Afganistani. Ai më vonë u vendos në Konja, në Turqinë e sotme, me familjen e tij. Babai i tij ishte një predikues dhe studiues fetar, dhe ai e prezantoi Rumin me sufizmin. Rumi vazhdoi arsimin e tij teologjik në Siri, ku ai studioi kodet më tradicionale juridike të Islamit Suni, dhe më vonë u kthye në Konja si mësues i medresesë. Ishte atje që ai takoi një udhëtar të moshuar, Shams-i-Tabriz, i cili u bë mentori i tij. Natyra e miqësisë intime midis të dyve është shumë e debatuar, por Shams, të gjithë pajtohen, kishte një ndikim të qëndrueshëm në praktikën fetare të Rumiut dhe poezinë e tij. Në një biografi të re të Rumiut, “Sekreti i Rumiut”, Brad Gooch përshkruan se si Shams e shtyu Rumiun të vinte në dyshim edukimin e tij shkrimor, duke debatuar për pasazhet kuranore me të dhe duke theksuar idenë e devotshmërisë si gjetjen e unitetit me Zotin. Rumi do të përziente dashurinë intuitive për Zotin që gjeti në sufizëm me Sheriatin e Islamit Sunit dhe mendimin mistik që ai mësoi nga Shams.

Ky mozaik i pazakontë ndikimesh e largoi Rumin nga shumë bashkëkohës të tij, më tha Keshavarz. Prapëseprapë, Rumi krijoi numër të madh ndjekësish në qytetin kozmopolit të Konias. Ndjekësit e tij përbëheshin nga gupe të ndryshme, sufi, student të Sheriatit, teologë, të krishterë dhe hebrenj si edhe sunduesit sunitë selxhuk të vendit. Në librin “Sekreti i Rumiut”, Gooch shënon historinë ngjarjeve politike dhe edukimin fetar që ndikuan tek Rumiu. “Rumi lindi në një familje fetare dhe ndoqi rregullat e përshkruara të lutjes së përditshme dhe agjërimit gjatë gjithë jetës së tij,” shkruan Gooch. Edhe në librin e Gooch-it, ekziston një tension midis këtyre fakteve dhe dëshirës për të konkluduar se Rumi, në një farë kuptimi, tejkaloi prejardhjen e tij – që, siç e thotë Gooch, ai «bëri pretendime për një religion të fesë së dashurisë’ që shkoi përtej të gjitha besimeve të organizuara”. Ajo që mund të humbasë në lexime të tilla është shkalla në të cilën mësimi musliman i Rumiut formoi edhe ato ide. Siç vëren Mojadeddi, Kurani i pranon të krishterët dhe hebrenjtë si «njerëz të librit», duke ofruar një pikënisje drejt universalizmit. “Universaliteti që shumë nderojnë tek Rumi sot vjen nga konteksti i tij musliman.”

Fshirja e Islamit nga poezia e Rumi filloi shumë kohë përpara se Coldplay të përfshihej. Omid Safi, një profesor i studimeve të Lindjes së Mesme dhe Islamike në Universitetin Duke, thotë se ishte në periudhën Viktoriane që lexuesit në Perëndim filluan të shkëpusin poezinë mistike nga rrënjët e saj islame. Përkthyesit dhe teologët e kohës nuk mund të pajtonin idetë e tyre për një “fe të shkretëtirës”, me kodet e saj të pazakonta morale dhe ligjore dhe punën e poetëve si Rumi dhe Hafizi. Shpjegimi për të cilin u ra dakord, vazhdoi të më thoshte Safi, ishte “se këta njerëz janë mistikë jo për shkak të Islamit, por përkundër tij”. Kjo ishte një kohë kur muslimanët u veçuan për diskriminim ligjor – një ligj nga viti 1790 zvogëlonte numrin e muslimanëve që mund të vinin në Shtetet e Bashkuara, dhe një shekull më vonë Gjykata Supreme e SHBA përshkroi “armiqësinë e fortë të popullit të fesë myslimane ndaj të gjitha sekteve të tjera, veçanërisht për të krishterët. ” Më 1898, në hyrje të përkthimit të tij të “Methnevi-ut”, Sir James Redhouse shkroi, “Methneviu u drejtohet atyre që largohen nga bota, përpiqen të njohin dhe të jenë me Zotin, të shuhen tek Zoti dhe t’i përkushtohen soditjes shpirtërore.” Për ata në Perëndim, Rumi dhe Islami u ndanë.

Në shekullin XX, një radhitje e përkthyesve të shquar – midis tyre R. A. Nicholson, A. J. Arberry dhe Annemarie Schimmel – forcuan praninë e Rumi në kanonin e gjuhës angleze. Por janë përkthyes si Barks ata që zgjeruan shumë lexueshmërinë e Rumiut. Më shumë se sa një përkthyes i Rumiut, Barks është një interpretues i tij. Ai i shndërron përkthimet e shekullit XIX në vargje amerikane.

Vargjet e Barks janë të një lloji shumë të veçantë. Barks lindi në 1937 dhe u rrit në Chattanooga, Tenesi. Ai mbaroi doktorraturën në letërsinë angleze dhe botoi librin e tij të parë me poezi, “Lëngu”, në 1971. Herën e parë që ai dëgjoi për Rumiun ishte më vonë atë dekadë, kur një poet tjetër, Robert Bly, i dha atij një kopje të përkthimeve nga Arberry dhe i tha se këto vargje duhen liruar nga kafazet e tyre’, pra, të shndërroheshin në vargje të lira amerikane. (Bly, i cili ka botuar poezi në New Yorker për më shumë se tridhjetë vjet – dhe libri i të cilit “Iron John: A Book About Men”, nga viti 1990, informoi shumë lëvizjen moderne të burrave – më vonë përktheu disa nga poemat e Rumit.) Barks kurrë nuk kishte studiuar letërsinë islame. Por menjëherë pas kësaj, ai më tha kohët e fundit, përmes telefonit nga shtëpia e tij në Gjeorgji, ai kishte parë një ëndërr. Në ëndërr, ai ishte duke fjetur në një shkëmb afër një lumi. Një i huaj u shfaq në një rreth të dritës dhe tha: “Unë të dua”. Barks nuk e kishte parë më parë këtë njeri, por ai e takoi atë vitin e ardhshëm, në një urdhër (tarikat) Sufi afër Filadelfisë. Burri ishte udhëheqësi i urdhrit (tarikatit). Barks filloi t’i kalojë pasditet e tij duke studiuar dhe ribotuar përkthimet viktoriane që Bly i kishte dhënë. Që atëherë, ai ka botuar më shumë se një duzinë libra të Rumiut.

Në bisedën tonë, Barks e përshkroi poezinë e Rumit si “misterin e hapjes së zemrës”, një gjë që, ai më tha, “nuk mund ta shprehësh në gjuhë.” Për të arritur në atë gjë të pashpjegueshme, ai i ka dhëne vetes disa liri në lidhje me punën e Rumiut. Minimalisht ai ka minimizuar referencat Islame. Shqyrtoni poezinë e famshme “Si kjo”. Arberry përkthen një nga linjat e saj, deri diku me besnikëri, si: “Kushdo që ju pyet për Huriet, tregoni (fytyrën tuaj) (dhe thoni) “Ja kështu”. Huriet janë virgjëresha të premtuara në Parajsën Islame. Barks shmang edhe përkthimin e mirëfilltë të asaj fjale; në versionin e tij, linja bëhet, “Nëse dikush ju pyet se si do të duket kënaqësia e përsosur e gjithë dëshirës sonë seksuale, ngrini fytyrën tuaj dhe thoni, “Ja kështu”. Konteksti fetar është zhdukur. E megjithatë, diku tjetër në të njëjtën poezi, Barks mban referenca për Jezusin dhe Jozefin. Kur e pyeta për këtë, ai më tha që nuk mund të kujtonte nëse ai kishte bërë një zgjedhje të qëllimshme për të hequr referencat islame. “Jam rritur si presbiterian,” tha ai. “Kam mësuar përmendësh vargje biblike dhe e njoh Dhiatën e Re më shumë sesa e njoh Kuranin.” Ai shtoi, “Kurani është i vështirë për t’u lexuar.”

Si shumë të tjerë, Omid Safi e çmon punën e Barks që e ka prezantuar Rumin me miliona lexues në Shtetet e Bashkuara; duke e përshatur Rumin në vargje amerikane, Barks i ka kushtuar kohë dhe dashuri të konsiderueshme veprave dhe jetës së poetit. Dhe ka versione të tjera të poezisë së Rumit që janë akoma më larg se origjinali – siç janë librat e New Age nga Deepak Chopra dhe Daniel Ladinsky të cilat tregtohen dhe shiten si Rumi por kanë shumë pak ngjashmëri me shkrimin e poetit. Chopra, një autor i veprave shpirtërore dhe një entuziast i ilaçeve alternative, pranon se poemat e tij nuk janë fjalët e Rumiut. Përkundrazi, siç shkruan në hyrjen “Poemat e Dashurisë së Rumiut”, ato janë “gjendje” që kemi kapur si disa fraza të rrezatuara nga origjinali persian, duke i dhënë jetë një krijimi të ri, por duke ruajtur thelbin e burimit të tij. “

Duke diskutuar mbi këto “përkthime” New Age, thotë Omid Safi, “Unë shoh një lloj “kolonializmi shpirtëror”: anashkalimin, fshirjen dhe pushtimin e një peizazhi shpirtëror, i cili është jetuar është thithur dhe ëshë brendësuar nga muslimanët që nga Bosnja dhe Stambolli derni në Konja dhe Iran në Azinë Qendrore dhe Jugore “. Shkëputja e shpirtit nga konteksti fetar ka pasoja të thella. Islami është diagnostikuar rregullisht si një “kancer”, duke përfshirë edhe gjeneralin Michael Flynn, zgjedhjen e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për këshilltar të sigurisë kombëtare, dhe, edhe sot, politikëbërësit sugjerojnë që grupe jo-perëndimore dhe jo të bardha nuk kanë kontribuar në civilizim.

Nga ana e tij, Barks e shikon fenë si sekondare për thelbin e Rumiut. “Feja është një pikë e diskutueshme për botën,” më tha ai. “Kam marrë të vërtetën time dhe ju e morët të vërtetën tuaj – kjo është thjesht absurde. Ne jemi të gjithë në këtë bashkë dhe unë po përpiqem të hap zemrën time, dhe poezia e Rumi ndihmon me këtë. ” Dikush mund të zbulojë në këtë filozofi diçka nga qasja e vetë Rumiut në poezi: Rumi shpesh ndryshonte tekste nga Kurani në mënyrë që ato të përshtateshin me vjershën lirike dhe njehsorin e vargut persian. Por ndërsa lexuesit persianë të Rumi do ta njihnin taktikën, shumica e lexuesve amerikanë nuk kanë dijeni për gjurmët islame që përbajnë këto aludime të teksteve kuranore në veprën e Rumiut. Omid Safi e ka krahasuar leximin e Rumiut pa Kuran me leximin e Miltonit pa Biblën: edhe nëse Rumiu ishte heterodoks, është e rëndësishme të pranoni që ai ishte heterodoks në një kontekst musliman – dhe se kultura islame, shekuj më parë, kishte vend për heterodoksi të tillë. Veprat e Rumi nuk janë thjesht shtresuar me fenë; ato përfaqësojnë dinamizmin historik brenda studimit islam.

Rumi përdori Kuranin, Hadithet dhe fenë në një mënyrë eksploruese, shpesh duke sfiduar leximet konvencionale. Në një nga ripërshtatjet e njohura të Barks lexohet: «Përtej ideve të sjelljes së të mirës dhe keqbërjes, ekziston një fushë. / Unë do t’ju takoj atje. ” Versioni origjinal nuk përmend asnjë fjalë për “të mirës” ose “keqbërjes”. Në vend të tyre fjalët që përdori Rumi ishin iman (“besim”) dhe kufër (“mosbesim”). Imagjinoni, pra, një studiues musliman që thotë se baza e besimit nuk qëndron në kodin fetar, por në një hapësirë të ngritur dhembshurie dhe dashurie. Ajo që ne, dhe mbase shumë klerikë myslimanë, mund ta konsiderojmë radikal sot është një interpretim që Rumi parashtroi më shumë se shtatëqind vjet më parë.

Lexime të tilla të Rumiut nuk ishin krejtësisht unike asokohe. Punimet e Rumiut pasqyruan një shtytje dhe shtrirje më të gjerë midis shpirtërores fetare dhe besimit të institucionalizuar – megjithëse me një zgjuarsi të pakrahasueshme. “Historikisht, asnjë tekst nuk ka formuar imagjinatën e muslimanëve, përveç Kuranit, si poezia e Rumiut dhe Hafizit,” tha Safi. Kjo është arsyeja pse shkrimet voluminoze të Rumiut, prodhuar në një kohë kur skribët duhej të kopjonin vepra me dorë, kanë mbijetuar.

“Gjuha nuk është thjesht një mjet komunikimi,” ka thënë shkrimtari dhe përkthyesi Sinan Antoon. “Është një rezervuar i kujtesës, traditës dhe trashëgimisë.” Si përçues midis dy kulturave, përkthyesit marrin një projekt në thelb politik. Ata duhet të kuptojnë se si të bëjnë, për shembull, një poet Persian të shekullit të trembëdhjetë të kuptueshëm për një audiencë bashkëkohore amerikane. Por ata kanë një përgjegjësi t’i qëndrojnë besnik veprës origjinale – një veprim që, në rastin e Rumiut, do t’i ndihmonte lexuesit të pranojnë që një njohës i Sheriatit, si Rumiu, gjithashtu mund të shkruaj disa nga poezitë e dashurisë që lexohen më së shumti në botë.

Jawid Mojaddedi tani është në mes të një projekti shumëvjeçar për të përkthyer të gjashtë librat e “Methneviut”. Tre prej tyre janë botuar; i katërti do të dalë këtë pranverë. Përkthimet e tij i pranojnë tekstet islame dhe kuranore në origjinal duke përdorur italikë për të treguar sa herë që Rumi kalon në arabisht. Librat e tij janë gjithashtu të mbushur me shënime. Leximi i tyre kërkon ca përpjekje dhe mbase dëshirë për të parë përtej paragjykimeve të dikujt. Kjo, në fund të fundit, është pika e përkthimit: të kuptosh të huajin. Siç e ka thënë Keshavarz, përkthimi është një kujtesë se “gjithçka ka një formë, gjithçka ka kulturë dhe histori. Një musliman, po ashtu, mund të jetë i tillë”.

Përktheu: Rezart Beka

Burimi: https://www.newyorker.com/books/page-turner/the-erasure-of-islam-from-the-poetry-of-rumi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *