Hamza Jusuf

Ditëve të fundit, të pushtuara nga dhuna, ji si djali i parë
dhe më i mirë i Ademit që tha,
“Nëse ngre dorën për të më vrarë mua, unë
nuk do të ngre dorën time për të të vrarë;
unë i frikësohem Zotit të botrave.”

Shumë prej nesh, në pështjellimin dhe ngutjen e jetës së përditshme, i kushtojnë pak kohë të menduarit; e megjithatë, me këto ditë të shënuara nga një dhunë e llojit më të rrezikshëm, të menduarit – nga ana e atyre që e konsiderojnë veten “fetarë”, ashtu si edhe ata që e quajnë veten “shekullarë” – është më i nevojshëm se kurrë.
Me terrorin që nuk rresht në Irak dhe Palestinë, duke i shtuar tani së fundmi edhe shpërthimet e bombave në Turqi, muslimanët ballafaqohen me realitetin gjithnjë e më tragjik të dhunës fetare dhe kundërpërgjigjen pasuese nga dhuna shekullare.

Një vetëdije e çuditshme dhe e bigëzuar kaplon muslimanin kur bëhet fjalë për dhunën përhapur sot në botë. Kur Halil Sarakiti, intelektuali palestinez i viteve 40’ dhe 50’ i kujtoi udhëheqjes palestineze rëndësinë e të qëndruarit besnikë ndaj parimeve më të larta në konfliktin izraelito-palestinez, në shkrimin e tij ai akuzonte se këtë konflikt ata e shihnin si një kalorësi romantike, e që nuk përputhej me realitetin e luftimit modern.
Muslimani modern i ka mësuar shumë mirë mësimet që i ka dhënë pala e tij shekullare. Aksionet ushtarake amerikane rrallëherë bëjnë dallim mes luftëtarëve dhe civilëve. Pentagoni, në mënyrë krejt të pashpirt, i quan si “pasoja dytësore” ose “dëme anësore”. Kur disa muslimanë përdorin taktikën e dhunës padallim kundrejt objekteve të urryera, shpeshherë, muslimanë të tjerë, janë tepër të aftë që me të shpejtë të justifikojnë duke vënë në dukje se, “Ata vrasin të pafajshëm dhe presin që ne të rrimë dhe bëjmë sehir.” Avokatët e politikës së jashtme amerikane bishtnojnë me teorinë që, “Dëmet anësore nuk mund të barabiten kurrë me terrorizmin sepse ne kurrë nuk kemi në shënjestër civilë, por në fakt përpiqemi që të shmangim sa më shumë viktima mes tyre” Apologjetika për vrasjet e pashkak dhe pa iu dridhur dora të grave dhe fëmijëve nga të dyja palët, i kallin krupën kujtdo që është i ndjeshëm për rrjedhojat e vërteta të gjakut të pafajshëm derdhur kaq padrejtësisht.
Ashtu si gjithçka tjetër në të cilën angazhohen njerëzit, edhe feja ka shumë aspekte paradoksale. Nga njëra anë, lartëson idealet dhe aspiratat e njeriut gjer në qiell, me parime të mrekullueshme si, “I gjithë Tevrati mund të përmblidhet në dy pohime: Duaje Zotin me gjithë zemër, dhe duaje fqinjin si veten tënde: gjithçka tjetër është koment”; “Sillu me të tjerët ashtu siç do të dëshiroje që të tjerët të silleshin me ty”; dhe “Marrja e një jete të pafajshme padrejtësisht është njësoj sikur të kesh vrarë të tërë njerëzimin.”
Këto pohime janë cituar nga tradita hebraike, ajo e krishterë dhe ajo islame. Ndërkohë, ka prej ithtarëve të secilës prej këtyre feve që me mësimet e tyre, justifikojnë shkatërrimet më rrënqethëse kundër njerëzve të tjerë. Jonathan Swift ka thënë, “Mes nesh kemi aq fe sa na mjafton për të urryer njëri-tjetrin, por jo aq sa të mjaftojë për ta dashur njëri-tjetrin.” Ndoshta kjo është e vërtetë; për shumë njerëz, feja nuk është më një zgjidhje por është më shumë pjesë e problemit.
Tragjedia e madhe e fesë moderne është që tani ajo shihet si një material toksik që ndot ujin e mundësive. Ne që kemi besuar dhe i kemi bërë vetes një zotim, jo rrallëherë e kemi bërë fenë objekt urrejtje. Me zellin tonë, kemi bërë që prej saj të largohen një numër i madh njerëzish që kanë parë aspektet më të ulta të njerëzimit të rrënjosura në njerëzit e fesë. Ka nga ne që nuk e zgjasin shumë duke i quajtur ata si skeptikë të pandreqshëm, shpifarakë ose shekullarisë që thjesht nuk mund ta durojnë dot fenë, por në fakt, e vërteta është se pjesa më e madhe e tyre nuk janë ashtu. Ata janë thjesht njerëz që e kuptojnë intuitivisht se sjellja e atyre që pretendojnë se janë fetarë, është çnjerëzore dhe afetare, dhe kjo i shtyn të kërkojnë filozofi të tjera në jetën e tyre. Kthehen nga Epikteti, ose Tao Teاing, madje edhe Dipak اopra, ose heqin dorë krejtësisht nga kërkimi për një domethënie në jetën e tyre, duke u kënaqur vetëm me filma dhe muzikë si argëtimet e vetme për të kaluar kohën. Feja e organizuar, me preokupiomin për të drejtën dhe me ndërhyrjen e kudogjindshme në punët e të tjerëve, ka shtyrë shumë modernistë që ta flakin atë në koshin e plehrave të ideve të përçmuara. Ironia, sigurisht, është që njerëzit e fesë ndjejnë se shekullaristët janë ata që thumbojnë dhe i detyruar që ta gëlltisin me zor shekullarizmin duke mospërfillur bindjet e tyre më të shenjta, ose duke i poshtëruar në pak minuta show si p.sh tek “Mendimet për Sot”. Sa më shumë që feja të shtyhet mënjanë, aq më të zemëruar do të bëhen njerëzit e fesë; dhe sa më të zemëruar të bëhen ata, aq më shumë do të duan të tjerët që fenë ta shtyjnë mënjanë, ad nauseam. Veten e gjejmë në një përplasje ciklike vicioze mes shekullaristëve, të cilët, në shumë mënyra, e kanë braktisur që kohë më parë projektin e Iluminizmit për një botë më njerëzore, dhe utopistëve fetarë që përleshen për një copë tokë në botën moderne – të dyja palët të hidhta, të dyja me pakica që përdorin dhunë padallim me një efektivitet pak a shumë të njëjtë, të dyja palët që sa vijnë e bëhen gjithnjë e më jotolerante.
Tragjikisht, arsyeja e vërtetë përse shumë europianë u ndjenë të zhgënjyer nga Krishterimi ishin shekujt e intolerancës dhe dhunës së pakuptimtë fetare. Muslimanët, nga ana tjetër, kanë qenë shumë më pak të prirur për dhunë të brendshme fetare, dhe niveli i tolerancës kundrejt feve të tjera nuk ka pasur të krahasuar në botën paramoderne. Fatkeqësisht, shpërthimet në Rijad, Karaçi, Turqi, dhe në shumë vende të tjera provojnë se dhuna dhe intoleranca janë shndërruar në mënyra për arritjen e qëllimit mes drithwrim-kërkuesve fetarë në pjesën më të madhe të vendeve muslimane. Efekt anësor i pa parashikuar është që tani nuk janë vetëm jo-muslimanët që e shohin Islamin si një gjë të urryer, por edhe shumë muslimanë të sotëm sa vjen e zhgënjehen gjithnjë e më shumë nga Islami, duke ua vënë fajin sjelljes së praktikantëve të fesë, dhe duke kërkuar alternativa në besimet apo filozofitë e tjera. Unë besoj se shumë muslimanë nuk e konsiderojnë këtë gjë si të vërtetë, madje as që vrasin mendjen lidhur me të, por unë shenjat e saj i shoh gjithkund dhe kjo më shqetëson thellësisht.
Ata prej nesh që janë zotuar duke pranuar Islamin, duhet që seriozisht ta pyesin veten në janë me të vërtetë përfaqësues të Fesë së Rahmanit, Mëshiruesit: “Robët e të Mëshirshmit janë ata që ecin pa u ndier rrugës, dhe kur njerëzit injorantë i thumbojnë, ata iu përgjigjen, “Paqe” – a jemi ne ashtu siç kaq bukur i përshkruan Kurani robët e vërtetë të Zotit?!
Muslimanët janë të obliguar të dënojnë përgojimin, shpifjen, mashtrimin, hilenë, tradhëtinë, kryeneçësinë, zemërimin, përtacinë, lakminë dhe të gjitha prirjet e tjera tragjike të natyrës kafshërore të njeriut. Nuk duhet të harrojmë që shumë prej krimeve më të ndyra që shohim në botë janë thjesht dhe vetëm gjynahet tona të zmadhuara në një shkallë më të madhe. Vesi i lënies mënjanë të parimeve tona në çështjet e vogla që në dukje nuk i bëjnë dëm askujt, shpie në poshtërsitë e mëdha të kohës sonë, me vesin që vazhdon të përhapet dhe shkallën që sa vjen e zmadhohet. Njerëzit e fesë që lënë mënjanë çdo parim të vërtetë dhe universal të fesë, janë më të ulët se çdo kafshë shekullare që vepron në të njëjtën mënyrë nën moton “e drejta është me më të fortin”. Arsyeja është e thjeshtë: njeriu vepron në emër të fesë dhe bën që të tjerët ta urrejnë fenë; tjetri vepron në emër të pushtetit dhe bën që njerëzit e tjerë, me plot të drejtë, të urrejnë prirjet më të ulta të njeriut.
Diku është thënë se një fetar fanatik është dikush që i dyfishon përpjekjet pasi ka harruar çështjen për të cilën përpiqet. Unë mendoj se përkufizimi më i saktë i një fanatiku fetar do të ishte ai i një njeriu që nuk mund të rrezikojë duke menduar se përpjekjet e gjithë jetës së tij kanë shkuar kot; se mundimet e tij kanë qenë pa kuptim; se fitoret e tij, në fakt, janë disfatë; dhe se sukseset e tij janë dështime të hidhura.
Dhuna nuk është një realitet fetar – kurrë nuk ka qenë e tillë, dhe kurrë nuk do të jetë. Profeti Muhamed (pqmt) ka thënë, “Asnjëherë mos dëshiro që t’i lash hesapet me dikë në betejë, por nëse je i detyruar për këtë, atëherë ji moralshëm.” Ai gjithashtu ka thënë, “Nuk ka mundësi që mirësia të jetë e pranishme dhe të mos e zbukurojë një vepër dhe nuk është e mundur që mirësia të mungojë dhe të mos e fëlliqë një vepër.” Një tjetër thënie e tij është, “Zoti jep me butësi dhe mirësi atë që kurrë nuk e jep me ashpërsi.”
Kurani i drejtohet profetit (pqmt), duke na kujtuar për karakterin e tij, “ثshtë mëshirë nga Zoti që ti je i një natyre të butë, nëse do të kishe qenë i ashpër dhe zemërgur, njerëzit do të ishin larguar prej teje.” Në një hadith të vërtetë të transmetuar nga Imam Tirmidhiu, profeti (pqmt) tregohet se ka thënë, “Në ditët e fundit të një dhune të padallim, ji si i pari dhe më i miri i bijve të Ademit i cili tha, “Nëse ngre dorën për të më vrarë mua, unë nuk do të ngre dorën tënde për të të vrarë; unë i frikësohem Allahut, Zotit të botëve.”
Në një botë gjithnjë e më të dhunshme në të cilën një individ mund të shkaktojë aq dëm sa kurrë nuk ka mundur një armatë e tërë në të kaluarën, veçanërisht njerëzit e fesë duhet që kategorikisht të refuzojnë dhe dënojnë çdo kundërpërgjigje të dhunshme ndaj padrejtësive, dhe të vënë seriozisht në pikëpyetje pajtueshmërinë e luftimit modern me aksionet ushtarake të legjitimuara nga feja që burojnë nga parimet paramoderne të feve të mëdha monoteiste për një luftë të drejtë.

Tags: , , , Last modified: 16/10/2014
Close