TwitterFacebookPinterestGoogle+

Djemtë mbeten djem: çështje të identitetit gjinor

Tim Winter (Abdal-Hakim Murad)

Cambridge University 

© Erasmus

Më është kërkuar që të jap disa komente mbi çështjet e identitetit gjinor duke qenë se këto çështje kanë impakt mbi myslimanët që jetojnë në kontekste post-tradicionale në Perëndim, dhe veçanërisht teksa ato prekin njerëzit të cilët kanë zgjedhur Besëlidhjen e Madhe të Islamit dhe që janë rritur në Judaizëm apo Krishterim. Mënyra e zakonshme e të bërit të kësaj gjëje është nëpërmjet shqyrtimit të çështjeve në fik’hun (jurisprudencë) klasik, dhe duke shpjeguar se si ligjërimi i barazisë që gjendet në Islam funksionon në mënyrë globale, e jo në mikro-nivelin e secilit vendim të fik’hut. Kjo metodë është mjaftueshëm legjitime (ndonëse sikundër do ta shohim, koncepti i “barazisë” mund të krijojë probleme të konsiderueshme), por në përgjithësi përvoja ime rreth të folurit mysliman mbi gjininë është se ka ca si tepër apolegjetikë në qarkullim; apolegjetikë, pra, në kuptimin e jo vetëm të mbrojtjes polemike, por gjithashtu edhe të justifikimeve që hyjnë në sferën e zbutjes së çështjes. Sot unë dua që të anashkaloj këtë përqasje të përsëritur dhe shpeshherë të lodhshme, e cila zbulon shumëçka në lidhje me nivelet e ulëta të serotoninës të avokatëve të saj, dhe sugjeron se si myslimanë perëndimorë ne mund të sendërtojmë një gjuhë të gjinisë që ofron jo një mbrojtje apo një zbutje të qëndrimeve dhe establishmenteve aktuale myslimane, por një strategji të besueshme për zgjidhjen e dilemave që mendimtarët dhe komentatorët perëndimorë përreth nesh po shqyrtojnë me përpikmëri.   

Lejomëni të filloj, pra, me një përpjekje për të rrokur në ndoca pak fjalë krizën aktuale në diskursin perëndimor të studimeve gjinore, apo gender studies. Një vend mjaft i mirë për t’ia filluar është libri i Germaine Greer, The Whole Woman, i botuar në vitin 1999, dhe i ndjekur nga një përzierje interesante e zemërimit tronditës dhe lëvdatave nga shtypi. 

Ky është një libër i rëndësishëm, jo më pak për shkak se ai e paraqet veten si një dialog me vëllimin e mëhershëm dhe me më tepër famë të autores të titulluar The Female Eunuch, botuar tridhjetë vjet më parë. Përgjatë gjithë librit, Greer, e cila është njëra prej shkrimtareve feministe më të ndërgjegjshme dhe më të dhembshura, reflekton mbi mënyrat në të cilat konteksti social dhe gjithashtu ai shkencor i diskursit gjinor perëndimor është zhvendosur përgjatë kësaj periudhe. Në vitin 1969, çlirimi dukej i pashmangshëm, ose të paktën bindshëm i arritshëm. Në vitin 1999, me shtetet dhe institucionet kombëtare gjerësisht të konvertuara tashmë në kauzën që dikur dukej tejet radikale, feminizmi dukej se ishte zmbrapsur diku përtej horizontit.  

Prandaj, zemërimi i Greer zbret mbi jo një, por dy rrufepritëse: armiku i vjetër i gjinofobisë mashkullore mbetet ende i dënuar ashpërsisht, por ka gjithashtu një frustrim më të përhapur me atë që Greer tani pranon se është i qenësishëm dhe i vështirë për t’u ndryshuar i vetë species njerëzore. Pjesa më e madhe e feminizmit në vitet 1960 dhe 1970 ishte “feminizëm i barazisë”, i angazhuar për rrënimin e pabarazive gjinore si konstrukte sociale të hapura ndaj ndryshimeve në arsim dhe në gjeneralizimin mediatik; megjithatë, feminizmi në vitet 1990 ishte përherë e më tepër një “feminizëm i diferencës”, i rrënjosur në bindjen gjithnjë e në rritje se natyra është të paktën po aq e rëndësishme sa rritja në formësimin e tipareve të sjelljes të burrave dhe grave. Pjesa më e madhe e politikanëve, edukatorëve dhe baronëve e baroneshave të mediave janë ende të angazhuar me idenë feministe të vjetër; megjithatë, sikundër tregon libri i Greer, feminizmi i ri është në rritje dhe premton të marrë botën me anë të një tjetër ndryshimi rrënjësor social, pasojat e të cilit do të jenë të konsiderueshme për komunitetet myslimane.

Disa faktorë kanë funksionuar në arritjen e këtij transformimi epokal. Ndoshta, më i dukshmi ka qenë kryeneçësia e plotë e motiveve tradicionale, të cilat shumicës së burrave dhe e grave vijojnë t’u duken çuditërisht të kënaqshme. Revolucioni feminist radikal i shkollës së vjetër të Greer nuk ka gjetur një konstituencë domethënëse nga pikëpamja demografike. Pjesa më e madhe e grave nuk kanë rënë dakord që të jenë pjesëtare në këtë motërni (sisterhood).

Për më tepër, bota që ka gjithnjë e më tepër trajtë nga diskursi gjinor sekular egalitarist nuk ka vërtetuar se është toka e premtuar që Greer profetizoi kur ishte e re. Sikundër shkruan ajo sot:

“Kur u shkruajt Female Eunuch, bijat tona nuk e pritnin veten dhe as nuk vuanin urie. Në çdo anë, gratë e mbetura pa fjalë pësojnë mundime, hidhërim dhe dhimbje pa fund, në një sistem botëror që krijon miliarda të humbur për çdo grusht fitimtarësh.” (fq. 3)

Më tutje, ajo sugjeron se çlirimi seksual që shoqëroi revolucionin gjinor në shumë raste ka dëmtuar më tepër gratë se sa burrat. “Seksualiteti që është çliruar,” shkruan ajo, “është seksualitet mashkullor.” Imoraliteti i dëmton gratë më tepër se sa burrat: gratë vijojnë të përjetojnë pasojat shumë të rëndësishme të shtatzanisë, ndërkohë që trupi mashkullor mbetet i paprekur. Kur anija luftarake amerikane USS Acadia u rikthye nga Lufta e Gjirit, një e dhjeta e pjesëtareve femra të ekuipazhit u rikthye në Amerikë për shkak se kishin ngelur shtatzënë në bordin e asaj që filloi të njihej si Varka e Dashurisë. Numri i burrave të rikthyer ishte zero. 

Një tjetër pasojë e revolucionit seksual ka qenë një shtim i tradhëtisë, dhe një rritje pasuese në numrin e divorceve dhe në prindërimin single. Sërish, janë gratë ato që kanë marrë mbi supe pjesën më të madhe të barrës. “Në vitin 1971, njëra në dymbëdhjetë familje britanike kryesohej nga një prind single, në vitin 1986 një në shtatë, dhe aty nga viti 1992 një në pesë” (fq. 202). Një tjetër pasojë ka qenë dhimbja e shkaktuar nga vetmia. “Aty nga viti 2020 një e treta e të gjitha familjeve britanike do të ketë në krye një individ (single), dhe pjesa më e madhe këtyre individëve do të jenë femra’ (fq. 250). Njëra prej legjendave më jetëgjata të revolucionit seksual, gjegjësisht ajo se “të testuarit e ujërave” përpara martesës ndihmon që të përcaktohet nëse ka përputhje në çift, duket se është hedhur poshtë një herë e mirë. “Një pjesë e martesave më të shkurtra janë ato që vijnë pas një periudhe të gjatë bashkëjetese”. (fq. 255)

Një sferë tjetër në të cilën gratë duket se e kanë gjetur veten të degraduara dhe jo të çliruara nga klima e re kulturore është ajo e pornografisë. Ky institucion, të cilit shumica e feministeve iu janë kundërvënë si një dehumanizim dhe një shndërrim në objekt i grave (Otto Preminger e quajti në një rast Marilyn Monroe-n si një “vakum me thithka”), nuk është ndëshkuar me rënie nga revolucioni feminist; ai është fryrë e është bërë një industri prej tridhjetë miliardë paundë në vit, i populluar nga aradhët e putanave pa fytyrë të internetit dhe kukullave koketa. Sikundër vrojton Greer, “mbas tridhjetë vjet feminizëm, ka gjerësisht më tepër pornografi, e përhapur kjo më gjerësisht se asnjëherë më parë.” Pornografia përzihet në industrinë e modës, e cila pretendon se ekziston për kënaqësinë e grave, por që në fakt, sikundër shkruan ajo, kontrollohet nga burra që kërkojnë të bindin gratë që të zhvishen nudo ose të stolisin veten për t’iu shtuar një spektakli publik të krijuar gjerësisht për komoditetin e burrave. (Shumë dizenjatorë mode, për më tepër, janë homoseksualë, me Versace-n si shembullin më të spikatur, dhe këta burra krijojnë një normë mode të djelmoshëve që i detyron gratë të hyjnë në modelet e dietave dhe të ushtrimeve, që përbëjnë, nga ana tjetër, një formë të re shtypjeje.) Celuliti, dikur i admiruar në perëndim dhe në pothuajse të gjitha shoqëritë tradicionale, tanimë është bërë një mëkat. Për t’i shpëtuar atij, duhet “stërvitje”. Demi Moore bën pompa me hekura katër orë në ditë; por madje edhe kjo përvojë e sfilitëse nuk mjaftoi që të shpëtonte martesën e saj.

Greer dhe feministet e tjera e identifikojnë industrinë e modës si kontribuesen kryesore në skllavërimin bashkëkohor të grave. Bashkë-konspiratori i saj është biznesi farmaceutik, i cili, sikundër thotë Greer, krijon qëllimisht një kulturë të obsesionit me të metat fizike: i ashtuquajturi Çrregullim Dismorfik i Trupit i cili po shëndosh mirë e mirë llogaritë e biznesit të doktorëve, psikiatërve, dhe, pa dyshim, të kirurgëve kozmetikë. Sikundër ka thënë Dolly Parton: “Kushton një mal me para që të kesh një pamje kaq të lirë sa unë.” Burimet e botës po gëlltiten në shërbim të këtij obsesioni me pamjen të nxitur artificialisht, i ushqyer nga kultura e zhveshjes. Dhe ndoshta dimensioni më i papërcjellshëm është fenomeni i ri i terapisë së zëvendësimit të hormoneve, i etiketuar si një panacea kundër pleqërisë. Hormoni i përfshirë, estrogjeni, përftohet nga pelat: vetëm në Amerikë 80,000 pela shtatzëna mbahen në ferma stalla, të kyçura në arka, dhe të lidhura me tuba për të mundësuar mbledhjen e urinës së tyre. Mëzat që ato pjellin, zakonisht theren.

Pasojat e trysnive të reja mbi gratë janë tashmë përgjithësisht të njohura, ndonëse zgjidhje serioze për ato nuk janë propozuar. Gratë, na thuhet ne nga shkolla e vjetër e feministëve, sot bëjnë një jetë më të pasur. Megjithatë, pranohet gjithashtu se kjo jetë duket se shpeshherë është edhe më e trishtë. “Që nga viti 1955 ka patur një rritje të pesëfishtë në sëmundjet e depresionit në SHBA. Për arsye që nuk janë aspak të qarta, gratë kanë më tepër të ngjarë që të vuajnë se sa burrat,” (fq. 171) ndërkohë që “17 përqind e grave britanike bëjnë tentativë për të vrarë veten përpara se të arrijnë ditëlindjen e tyre të njëzet e pestë.” Kjo dallgë trishtimi që kaplon gratë moderne, që është krejtësisht jashtë pritshmërive të feministeve të hershme, ka sjellë sërish lumturi në gjirin e baronëve të firmave farmaceutike. Prozaku po u jepet me tepricë grave nga mjekët. (Ky është po i njëjti ilaç antidepresant që u jepet rëndom kafshëve të kopshtit zoologjik për t’i ndihmuar ato që të kapërcejnë ndjenjën e kotësisë dhe të qenit në kurth.)

Greer e përmbyll librin e saj plot mllef me disa shënime mbi pasjen e shpresës. Strategjitë që ajo kishte kërkuar në vitet 1960 janë provuar dhe aplikuar gjerësisht; por rezultatet kanë qenë ambige, dhe ndonjëherë katastrofale. E qartë është se nuk ka patur një çlirim të grave, por ka patur një flakje tutje të njërit model të vartësisë në këmbim të një modeli tjetër. Bashkëshorti është bërë i tepërt; vendin e tij e kanë zënë industria farmaceutike, dhe ushtria përherë e në rritje e psikiatërve dhe psikologëve. Lumturia duket më e largët se kurrë.

Më tutje në këtë kumtesë unë do të përpiqem të bëj një kritike islame ndaj gjithë këtij fenomeni. Por përpara se ta bëjë këtë, gjykoj se do të ishte e dobishme që të hidhnim një vështrim të shkurtër mbi shkencën që po furnizon sot analistët socialë perëndimorë me një kontekst në të cilin të kornizojnë një interpretim të asaj që ka shkuar keq.

Fusha më e qartë në të cilën shkenca ka shkaktuar jehonë në gjirin e fëministeve janë diferencialet e fuqisë fizike që ndajnë gjinitë. Në fushat e jetës që kërkojnë fuqi fizike dhe shkathtësi, burrat vazhdojnë të zotërojnë avantazh. Sigurisht, janë bërë përpjekje që të kapërcehet ky argument i seksizmit të Nënës Natyrë nëpërmjet legjislacionit. Përpjekja më e famshme në Mbretërinë e Bashkuar ka qenë direktiva e vitit 1997 e Ministrisë së Mbrojtjes sipas së cilës rekrutet femra nuk duhet t’u nënshtroheshin të njëjtave teste fizike si burrat. Ky eskursion në korrektesën politike u gremis sapo u zbulua se gratë që pranoheshin në ushtri nuk ishin mjaftueshëm të fuqishëm për të kryer disa prej detyrave që u kërkoheshin pas përmbylljes së trajnimit. Për pasojë, rregullat e vitit 1998 aplikonin ato që quheshin procedura përzgjedhjeje “pa-gjini” për të garantuar që gratë dhe burrat do të përballeshin me detyra identike. Rezultati ishte një rritje masive në lëndimet e grave kur karahasoheshin me të burrave. Lirimet nga shërbimi për shkaqe mjekësore për shkak të lëndimeve të presionit të tepërt, sikundër ishin frakturat e trysnisë, përllogariteshin në 1.5% për rekrutët meshkuj, dhe diku midis 4.6% dhe 11.1% për femrat. Toger Koloneli Ian Gemmell, një mjek ushtrie i cili hartoi një raport mbi situatën në fjalë, vuri në dukje se diferencat në madhësinë kockore të grave dhe të masës së muskujve çonin në 33-39% më tepër trysni mbi skeletin femëror kur ai krahasohej me atë të mashkullit. Rezultati është se ndonëse ndryshimet sociale kanë gërryer arsyet morale tradicionale për ndalimin e pjesëmarrjes së grave në rolet luftarake aktive, evidencat mjekësore thjesht e shtrëngojnë ushtrinë britanike që të ndalojë hyrjen e grave në këmbësori dhe në Korpusin e Blinduar Mbretëror.

Ushtria është një rast i pazakontë, dhe shumica e gjerë e profesioneve te të cilat gratë kërkojnë akses nuk kanë nevojë për një aftësi të madhe fizike. Por dallimet ndërmjet gjinive janë më të thella atje ku janë më pak të dukshme. Revolucionaret e marrëdhënieve gjinorëve të viteve 1960, që kanë popullarizuar dhe gjithashtu radikalizuar thirrjet më të hershme dhe më të përkora për barazi, të udhëhequra nga personalitete si Virginia Woolf, ishin duke punuar me një shkencë që ishte ende gjerësisht e papajisur mirë për të vlerësuar aspektet më të mprehta të diferencës gjinore. Teknikat moderne të ekzaminimit gjenetik, rindërtimi i hartave gjenetike, dhe implikimet më të gjera të zbulimeve të AND-së të bëra nga Crick dhe Watson ishin të paimagjinueshme në kohën kur Greer shkroi për herë të parë. Që nga koha e Marksit dhe Veberit, dhe gjithashtu edhe e Frojdit, ishte marrë si e mirëqenë se rolet gjinore ishin kryesisht, madje edhe krejtësisht, produkt i kushtëzimit shoqëror. Mendohej se në qoftë se do t’i bëhej një riinxhinierim këtij kushtëzimi, atëherë, në kohën e duhur, pesëdhjetë përqind e atyre që bënin të gjitha punët, që kompozonin simfoni, dhe që fitonin Çmime Nobel, do të dilte se ishin gra.

Në retrospektivë, parë me sytë e sotëm, kjo duket një siguri e çuditshme. Fundja fundit, klima intelektuale ishte krejtësisht sekulare. Nuk kishte asnjë imperativ metafizik apo moral që e obligonte mendjen perëndimore që të dilte në konkluzionin se gjinitë ishin të ndryshme vetëm në mënyrë të parëndësishme, apo, sikundër e ka thënë një peshkop i modës, thjesht “e njëjta gjë por me pajisje të ndryshme.” Dhe megjithatë kaq kapluese ishin presupozimet egalitare që i kishin dhënë trajtë Evropës dhe Amerikës, që prej së paku Thomas Paine-it dhe David Hume-it, saqë kushdo presupozonte se gjinitë duhet medoemos të ishin të barbarta, në mënyrën që klasat, racat, apo kombet duhet të ishin të barabarta.

Njëri prej eksperimenteve sociale të shkallës së gjerë bazuar mbi teorinë e re të barazisë gjinore ishte skema e kibbutz-it në pjesën e Palestinës ku ishin ngulitur kolonë hebrej. Kjo strukturë u themelua në vitin 1910 mbi supozimin, ende eksentrik në atë kohë, se emancipimi i grave mund të arrihet vetëm atëherë kur rolet gjinore të socializuara të eliminohen që nga etapa më e hershme e fëmijërisë.  

Kibbutzim­-ët ishin ferma kolektive në të cilat përkujdesja amnore ishte eliminuar krejtësisht. Në vend se të jetonin me prindërit, fëmijët rronin në fjetina të veçanta. Për t’ua kursyer grave ciklet e zakonshme të angarisë shtëpiake, u siguruan lavanderi dhe kuzhina komunale. Prandaj, si burrat ashtu dhe gratë ishin të lirë për të zgjedhur çdo aktivitet apo punë që dëshironin, dhe kishte pritshmëri që të dyja gjinitë do të merrnin pjesë barbar në pozitat e pushtetit. Për të garantuar socializimin neutral të fëmijëve, lodrat mbaheshin në kosha të mëdhenj, kështu që djemtë e vajzat mund të zgjidhnin vetë lodrat e tyre, në vende se t’u imponoheshin lodra dhe lojëra të stereotipizuara sipas gjinive.

Rezultatet, mbas nëntëdhjetë vitesh të inxhinierimit social të qëndrueshëm dhe të vetëdijshëm, kanë qenë shkurajuese. Fëmijët, me gjithë marazin e mbikëqyrësve të tyre, zgjedhin pagabueshëm lodra specifike për gjininë e tyre. Djemtë tre vjeçarë marrin pistoleta dhe makina në shportat e përbashkëta; vajzat parapëlqejnë kukullat dhe setet e çajit. Lojërat e organizuara nga fëmijët janë kompetitive në mesin e djemve, dhe bashkëpunuese në mesin e vajzëve.

Në administratën e kibbutz-it, kuotat e vendosura për të imponuar pjesëmarrjen femërore në pozicionet e lidershipit rrallëherë përmbushen. Kodet e veshjes që kanë si synim krijimin e uniformitetit kundërshtohen vazhdimisht. Në Izrael sot, kibbutzim-ët ushqejnë dallimet gjinore që gëzojnë famë se janë më të mprehta se ato që vrojtohen në shoqërinë izraelitë në tërësi. Eksperimenti jo vetëm që ka dështuar, por duket se ai ka pasur edhe pasoja në krah të kundërt.

Shumica e shkencëtarëve dhe antropologëve të cilët kanë dokumentuar dështimin e projekteve të tilla të inxhinierimit social sot e vendosin forcën e rëndesës së meshkujve dhe femrave në motivet diferencuese të sjelljes në kontekstin e biologjisë evolucionare. Sigurisht, darvinizmi dhe neo-darvinizmi janë nën sulm sot, sidomos nga filozofët dhe fizikanët, më tepër se sa asnjëherë tjetër gjatë qindra viteve të shkuara. Dhe sikundër ka treguar Sheh Nuh Keller (studiues mysliman me origjinë amerikane sh.p.), një angazhim i plotë ndaj teorisë së evolucionit është i papajtueshëm me përshkrimin kuranor të fillesave të njerëzimit. Ne besojmë në një prejardhje të përbashkët të llojit tonë; neo-darvinistët këmbëngulin në zhvillimin e shumëfishtë dhe interaktiv të hominidëve nga pararadhësit simianë.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjitha supozimet e biologjisë moderne janë të papranueshme. Keller vëren se mikro-evolucioni, domethënë, përjetësimi dhe përforcimi me kalimin e kohës i strategjive gjenetikisht të suksesshme për mbijetesë, është i pamohueshëm, dhe ai konfirmohet gjithashtu edhe në hadithe (thëniet e Profetit Muhamed sh.p.). Mbarështimi i kuajve, për shembull, prezupozon parimet e përzgjedhjes natyrore në të cilat qeniet njerëzore mund të ndërhyjnë. Trashëgueshmëria është e vërtetë, sikundër konfirmohet nga një hadith. Kategoritë si “izraelitët”, apo ehli bejti (familja e Profetit Muhamed sh.p.), kanë domethënie të vërtetë.

Çfarë thonë biologët? Këndvështrimi është se suksesi biologjik shtrihet në një faktor të vetëm: gjegjësisht, përhapja maksimale e materialit gjenetik të një organizmi. Një predator i fuqishëm i cili mbizotëron habitatin e tij, sado imponues parë nga jashtë, është një dështim biologjik në qoftë se ai mënon që të riprodhojë veten të paktën në numra të mjaftueshëm për të garantuar përjetësimin e tij.

Biologët vënë në dukje se meshkujt dhe femrat kanë strategji të ndryshme të riprodhimit. Barra e asaj që biologu Robert Trivers e quan “investim prindëror” është masivisht më e lartë në rastin e femrave se sa të meshkujve. Kjo nuk ka të bëjë aspak me kushtëzimin social: ajo është një dhunti gjenetike dhe biologjike. Femra njeri, për shembull, bën një investim të gjerë në një fëmijë: duke filluar me nëntë muajt e angazhimit metabolik, pasuar nga një periudhë e mëtejshme përpara shkëputjes së gjirit. “Investimi prindëror” i mashkullit është jashtëzakonisht më i vogël.

Trivers tregon se “gjinia që ofron investimin më të madh prindëror do të bëhet burimi kufizues”. Gjinia që kontribuon më pak, atëherë domosodoshmërisht do të jetë në një pozitë sociale që përfshin konkurrencën, “për shkak se ata mund të përmirësojnë suksesin e tyre riprodhues nëpërmjet pasjes së partnerëve të shumtë në një mënyrë që anëtarët e gjinisë tjetër nuk mund ta kenë.” Për biologët modernë, së këndejmi vjen dhe baza gjenetike dhe hormonale e konkurrencës dhe agresionit mashkullor. Konkurrenca dhe agresioni janë tipare që mund të gjenden edhe te femrat, por në mënyrë tipike në një shkallë tej mase të reduktuar, thjesht sepse ato nuk janë tipare jetike për suksesin riprodhues të femrave në fjalë. Agresioni, që është jetik për mbijetesën biologjike mashkullore, është i drejtuar kryesisht ndaj meshkujve të tjerë (për shembull, tufat e mëdha dhe psikologjikisht të mundimshme të brirëve të ripërtëritshëm të drerëve); por agresioni shërben gjithashtu për ta bërë mashkullin më të armatosur për gjueti. Investimi prindëror mashkullor është, në këtë mënyrë, fiziologjik vetëm në mënyrë të tërthortë, për sa kohë që drejtohet kah sigurimi i ushqimit apo mbrojtja për më të rinjtë. 

Biologjia na ndihmon gjithashtu që të kuptojmë se përse modeli hormonal i femrës, i dominuar nga estrogjeni dhe eksitocina, gjeneron instikte të forta ushqyese që janë shumë më pak evidente në androgjenin e mashkullit dhe në rastin e adrenalinës, që është e dobishme për gjuetarët dhe luftëtarët, por me një vlerë mjaft të ulët në rastin e rritjes së fëmijëve. Thënë thjesht, nënat kanë për të humbur një investim shumë më të madh në qoftë se ato neglizhojnë fëmijët e tyre. Një fëmijë që vdes, si pasojë e mungesës të përkujdesit që rezulton nga udhëzimi i pamjaftueshëm hormonal, përfaqëson një dështim potencial më të madh për nënën se sa për babain. Gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, nëna është jopjellore ose pothuajse e tillë; ndërkohë që gjatë të njëjtës periudhë, babai mund të bëhet sërish baba shumë herë. Së këndejmi vjen, sërish, edhe programimi gjenetik që gjeneron instiktet e ushqyerjes dhe ngrohtësisë te gratë shumë më tepër se sa ç’ndodh te burrat. Burrat kanë më pak nga oksitocina neurotransmetuese “ushqyese” se sa gratë. Androgjenët sigurojnë që burrat të zgjedhin partneret për të vegjlit e tyre, si dhe aftësitë e dukshme të rritjes së fëmijës të këtyre partnereve, ndërsa estrogenët i nxisin gratë që të zgjedhin për partner ata që janë të vendosur dhe të fuqishëm, pasi ata kanë më tepër gjasa që të sigurojnë ushqimin dhe mbrojtjen që do t’u nevojitet pasardhësve të tyre.

Së këndejmi vjen edhe prevalenca e poligjinisë në shoqëritë tradicionale, dhe rrallësia e skajshme e poliandrisë. Të kesh bashkëshorte të shumta është një strategji gjenetikisht sensitive, të kesh bashkëshortë të shumtë jo.

Instiktet agresive të ushqyera nga fiziologjia mashkullore, e mbushur rrafsh me androgenë madje që përpara lindjes, i kanë shërbyer paraardhësve tanë dhjetëra mijëra vite më parë, dhe ato fare pak brezni të stileve mjaft të ndryshme të jetës nuk kanë qenë të mjaftueshme për të shkaktuar ndonjë ndryshim të qenësishëm në ekuilibrin hormonal mashkullor. Kjo është arsyeja përse nëntëdhjetë përqind e të dënuarve me burg janë burra, dhe kjo në pothuajse çdo shoqëri. Psikologët kanë treguar se, anembanë botës pa dallim, vrasësit dhe të vrarët janë zakonisht burra të rinj e të pamartuar. Një faktor tjetër është se meshkujt janë shumë më tepër të tërhequr nga format kompetitive të sjelljes. Sikundër vëren Kingsley Browne, “Ndërkohë që konkurrenca shton dukshëm motivimin e burrave, kjo nuk ndodh në rastin e grave. Sa më konkurrues që të perceptohet një program akademik nga gratë, për shembull, aq më e dobët do të jetë performance e tyre, ndërkohë që ky korrelacion është i rezervuar për burrat.” Studimet tregojnë gjithashtu se burrat kanë më tepër të ngjarë se sa gratë që të zgjedhin detyra të vështira. 

Origjina e këtij diferenciali gjinor duhet kërkuar sërish në modelet primordiale të mbijetesës. Meshkujt agresivë e kompetitivë u bënë “meshkujt alfa”, dhe maksimizuan shanset e tyre për sukses riprodhues. (Meshkujt kanë dhjetë herë më tepër testosterone se sa gratë; dhe testosteroni prodhon si agresionin ashtu edhe shtysën seksuale). Meshkujt më të dobët e më bashkëpunues u shtynë mënjanë, dhe rrallëherë arrinin të gjenin partnere. Gjuetia e suksesshme sillte status, dhe statusi sillte mundësi më të mëdha për transmetim gjenetik.

Biologë si Camilla Benbow kanë vlerësuar kohët e fundit implikimet për diferencimin modern social të trashëgimisë sonë gjenetike. Studimi i saj tregon se “djemtë kanë më tepër të ngjarë që të zgjedhin karrierën në matematike dhe shkencë ndonëse vajzat janë plotësisht të vetëdijshme për aftësitë që ato kanë në këto sfera.” Sërish, konkluzioni nuk është se gratë janë më pak inteligjente se burrat – biologjia e re e përjashton këtë gjë qartësisht – por se ato preferojnë ta ushtrojnë inteligjencën në fusha specifike. Në Harvard, për shembull, meshkujt kanë një epërsi prej shtatë me një në fakultetet e shkencave, dhe ka një mbizotërim femëror, apo barasvlerë, në lëndët e artit. Lëndët si gjuhët dhe historia e artit kanë një mbiregjistrim të studenteve femra. Dhe ndërkohë që nuk ka asnjë evidencë se gratë janë më pak inteligjente se burrat – dhe, në përgjithësi, ato e tregojnë veten shumë më tepër të artikuluara – më tepër se sa shtatëdhjetë përqind e diplomave të klasit të parë në Oksford merren nga studentët meshkuj.

Një mori komisionesh universitare janë ngritur për ta marrë në shqyrtim këtë çështje, fillimisht me synimin për ta eliminuar atë. Megjithatë, diferenciali është tejet kryeneç. Arsyeja mund të shtrihet pjesërisht te socializimi, por po shtohet vetëdija se trashëgueshmëria është gjithashtu një faktor që refuzon të shpërfillet. Sistemi endokrin i mashkullit bart kujtesën e mijëra viteve të gjuetisë, një aktivitet ky që kërkon një lloj vëmendje të fokusuar mbi një gjah të vetëm duke përjashtuar gjithçka tjetër, e shoqëruar kjo me një mësymje adrenaline në finish. Një metabolizëm i tillë, argumentohet sot, është i pajisur më mirë për të përballuar provimet e stilit universitar (si kundërdallim nga stilet e vlerësimit të shkollës së mesme), se sa metabolizmi femëror, i cili historikisht ka lulëzuar, pra, ka qenë i suksesshëm nga pikëpamja e riprodhimit, në detyrat e të ushqyerit dhe bashkëpunimit. 

Reagimi në universitete si Harvardi dhe Oksfordi ka qenë që të vihet në pikëpyetje supremacia e sistemit të provimit. Në qoftë se konkurrueshmëria dhe fokusi i meshkujve shërbehen padrejtësisht nga vlerësimi i testimit, atëherë duhen kërkuar mënyra alternative të vlerësimit. Dhe kështu ne shohim procedura alternative të vlerësimit: vlerësim të vazhdueshëm të afatit të punimeve, dhe skema të tjera që u mundësojnë grave që të punojnë në mënyrë konsultative mbi projektet dhe, së këndejmi, të zhvillojnë plotësisht potencialin e tyre. Rezultatet janë inkurajuese tashmë, dhe mund të ndodhë që prirja e meshkujve, që duket se është e qenësishme në sistemin e testimit, një ditë do të eliminohet. 

Kjo, megjithatë, ngre një pyetje më të gjerë dhe më trazonjëse. Shkenca e re ka përcaktuar se burrat dhe gratë kanë koefiçentë të krahasueshëm inteligjence, por se natyra e inteligjencës së mashkullit dhe të femrës, dhe konteksti në të cilin ajo lulëzon, mund të jenë mjaft të ndryshme. Capucine La Motte, një tjetër hulumtues, ka dokumentuar se si nga mosha tre vjeçare fëmijët parapëlqejnë që të luajnë me fëmijë të gjinisë së tyre. Në këtë formë ata mund të përmbushin qëllimet në veprimtaritë e tyre të lojës në mënyrë më të besueshme. Lojërat e djemve janë konkurruese dhe shpesh agresive; lojrat e vajzave janë bashkëpunuese dhe përfshijnë forma më të sofistikuara të ligjërimit dhe konceptualizimit. Një tjetër psikolog fëmijësh, Janet Lever, vëren se 65% e lojërave të djemve janë lojëra formale, ndërkohë që vetëm 35% e lojrave të luajtura nga vajzat kanë rregulla. Djemtë, me sa duket, janë më tepër “të orientuar drejt rregullit” se sa vajzat. (Kjo është arsyeja përse interpretimi bashkëkohor mysliman i Sheriatit është i shoqëruar kaq shpesh, në mënyra që e pakësojnë hakika-në, nga një respekt i zvogëluar për gratë. Gjinitë konsiderohen me respekt të barabartë vetëm kur batin dhe zahir përmenden me shpeshtësi të barabartë nga besimtarët.)

Një aspekt i mëtejshëm i diferencës së trashëguar të gjinisë paraqitet në çështjen e ndërmarrjes së riskut. Njerëzimi primordial e alokonte gadishmërinë për të ndërmarrë risqe në mënyrë të ndryshme në gjirin e gjinive, jo për arsye të sendërgjuara “sociale”, por për arsye të mbijetesës biologjike. Për të arritur pushtetin dhe statusin e kërkuar për transmetimin e materialit të tij gjenetik, mashkullit i duhej që të ndërmerrte risqe. Në ato pak vite që kanë kaluar historikisht që nga kohëra të tilla, kjo normë nuk duket se ka ndryshuar. Shifrat tregojnë me kokëfortësi se aktivitetet dhe sportet me risk tërheqin më tepër burra se sa gra. Kumari, garat me motorë apo hedhja me litar bungee-jumping vijojnë të jenë në masë dërrmuese aktivitete meshkujsh. Burrat kanë statistikisht më tepër të ngjarë që të injorojnë ligjet e rripit të sigurimit. Pavarësisht nga stereotipet e grave si shofere të rrezikshme, shumica dërrmuese e aksidenteve vrastare në rrugë vijnë si pasojë e gabimeve të burrave, për shkak se ata zhyten në stile të rrezikshme dhe agresive të ngarjes së makinës. Dy herë më tepër djem në krahasim me vajzat vdesin nëpërmjet të luajturit të lojërave të rrezikshme, dhe kjo statistikë është çuditërisht e njëjtë në të gjithë globin.

Mekanizmat e saktë në tru që gjenerojnë këtë sjellje po kuptohen vetëm sot. Mekanizmat në fjalë quhen neurotransmetues, qindra varietetet e ndryshme të të cilëve aktivizojnë emocionet dhe lëvizjet trupore. Njëri prej më të rëndësishmëve është serotonina, e cila ka si njërin prej funksioneve të saj detyrën e të informuarit të trupit që të ndalë veprimtari të caktuara. Kur trupi është i lodhur, ai gjeneron dëshirën për të fjetur; kur ne kemi ngrënë sa duhet, ai i thotë trupit që të reshtë së ngrëni; dhe kështu me radhë. Këtë e bën duke lidhur sistemin limbik (që është mbretëria e nefsit (vetes sh.p.), dhe i cili gjeneron impulse primitive për të sulmuar, për të qenë i trishtuar, apo për të bërë avancime seksuale), me korteksin frontal në ballë të trurit, ku mendohet se gjendet aftësia jonë për të vlerësuar dhe planifikuar veprimet tona. Studimet tregojnë se burrat kanë tipikisht nivele më të ulëta të serotoninës se sa gratë, dhe ato kanë dalë në përfundimin se sjellja me ndërmarrje më të madhe rreziku që karakterizon shoferët e Formula Një, për shembull, ka të ngjarë që ta bëjë atë zgjedhje të karrierës një konservat pothuajse tërësisht mashkullor, ciladoqoftë masa e inxhinierimit social që shoqëritë feministe mund të orvaten që të jetësojnë.

Universitetet mund të reduktojnë pabarazitë gjinore duke përvetësuar mënyra alternative të vlerësimit, por mbas diplomimit, bota e vërtetë shpesh është më pak e përkulshme. Ndërmarrja e riskut është një përbërës i domosdoshëm i suksesit në shumë profesione të nivelit të lartë, ndoshta në të gjitha syresh. Psikologja Elizabeth Arch ka treguar së fundmi se “tavani i qelqtë”, apo kulmi i karrierës, në shumë profesione, që supozohet se përjashton gratë nga ngritja e mëtejshme në detyrë për shkak të paragjykimit, mund të ketë në të vërtetë një themel biologjik. Suksesi i spikatur në biznes, për shembull, kërkon ndërmarrjen e risqeve që jo gjithnjë vjen institiktivisht te gratë. Sikundër thotë ajo, “që nga një moshë e hershme, femrat janë më kundërshtuese ndaj riskut social, si edhe fizik, dhe priren që të sillen në një mënyrë që siguron gjithpërfshirje sociale të vazhdueshme;” dhe kjo është gjerësisht e lindur, dhe jo e sendërgjuar nga ana sociale.

Një ekspert që ia ka kushtuar punën e tij kërkimore implikimeve të neurotransmetuesve në sjelljen gjinore është Marvin Zuckerman. Ai e ndan kërkimin njerëzor për ndjesi, të lidhur me serotoninën, në katër tipe. Së pari, është kërkimi për aventurë dhe dashuria për rrezikun, që është e shoqëruar me nivele tipikisht të ulëta të serotoninës të mashkullit. Së dyti, kërkimi për përvoja, qofshin këto muzikore, estetike apo fetare. Zuckerman nuk pikasi asnjë diferencë domethënëse ndërmjet entuziasmit mashkullor dhe atij femëror për këtë kërkim. Së treti, mosfrenimi (disinhibition). Neurotransmetuesit e mashkullit tipik lejojnë humbjen karahasimisht të beftë të kontrollit moral mbi shtysën seksuale, kur krahasohen me gratë. Së katërti, mërzitia. Truri i mashkullit është më i prekshëm nga mërzitia kur kryen detyra rutinë dhe të përsëritura.

Cilat janë implikimet fetare të kësaj? Ka feministe që e drejtojnë gishtin te këto faktorë si evidenca për inferioritetin kategorik moral të burrave. Megjithatë, nga pikëpamja e Islamit ato mund të mirëkuptohen të gjitha, dhe mund të adresohen, në mënyra që demonstrojnë sërish përputhshmërinë e fitrës, siç kuptohet nga Islami, si një cilësi pothuajse metafizike, me proceset dhe gjeografinë pastërtisht fizike të trurit njerëzor. I pari nga dallimet e Zuckerman nuk është domosdoshmërisht diskreditim i burrave. Fundja fundit, guximi është një virtyt profetik; dhe pa dallgët emocionale myslimani do të ishte një kalorës apo luftëtar i dobët, apo një ndërtimtar sipërmarrës i riskut i një xhamie të Stambollit. Së dyti, sa i përket kategorisë me të cilën lidhet lubb (intelekti i kulluar sh.p.), thelbi i brendshëm i të qenit njeri, është e qartë se evidencat shkencore ekzistojnë për “mundësitë e barabarta” shpirtërore të gjinive. Kurani e pozicionon burimin e besimit fetar në aftësinë e lubb-it për të përjetuar origjinën hyjnore të shenjave të Zotit në natyrë. Burrat dhe gratë janë qartësisht njëlloj të mirë në këtë pikë. Në mënyrë të ngjashme, arritjet estetike që mbajnë në këmbë besimin, siç janë muzika, letërsia, artizanatet, dhe arkitektura, kanë të ngjarë që të jenë jo më pak efikase për gratë se sa për burrat. Vetë Kurani perceptohet si i bukur dhe i vërtetë nga të dyja gjinitë pa dallim. Pikërisht në këtë nivel, pra, (dhe vetëm këtu) ne mund të flasim në mënyrë kuptimplotë për barazinë e sekseve. 

Kategoria e tretë e Zuckerman-it duket se e vendos burrin në disavantazh; por në realitet, kjo i aplikohet vetëm sekularit. Në rastin e besimtarit, virtytet e përshkruara në Kuran si takua (drojë nga Zoti dhe devotshmëri sh.p.), që prodhohet nga besimi i gjeneruar në kategorinë e dytë, e tejkalon këtë mangësi. Teknologjitë shpirtërore të Islamit lënë hapësirë për një kompensim për mungesën e serotoninës dhe një disiplinim të duhur të pasioneve më të errëta që buisin në sistemin limbik. Sheriati i aktualizuar është, në njëfarë sensi, ngadhnjim i korteksit frontal, dhe e lejon mashkullin që të rigjejë ekuilibrin që është tashmë i nënkuptuar në metabolizmin femëror. S’ka asnjë dyshim se kjo është arsyeja se përse “gratë janë të mangëta në intelekt dhe fe”. Nuk është puna se Krijuesi u ka dhënë atyre disavantazh të lindur në kërkimin për kuptim dhe shpëtim, por më saktë Ai u kërkon burrave që të bëjnë më tepër përpjekje për të arritur shkallën e fitrës që gratë kanë.

E katërta (kërkimi për risi, dhe mospëlqimi i detyrave të përsëritura) i privilegjon gratë mbi burrat në detyrat e shtëpisë. Përderisa punët moderne të zyrës janë përsëritëse dhe të mërzitshme, gratë janë të pajisura gjithashtu me më tepër qëndrueshmëri edhe në vendin e punës gjithashtu. Fakti se biologët mund të tregojnë se burrat duhet, apo kanë gjasa të, zënë pesëdhjetë përqind të vendeve të punës që kërkojnë vëmendje ndaj detyrave përsëritëse, duket i pagjasë.

Një shpjegim i mëtejshëm i fenomenit të “tavanit të qelqtë”, apo kulmit të pakalueshëm të karrierës, mund të përcaktohet në tendencën primordiale femërore për të ushqyer. Përgjatë gjithë periudhës së botës paramoderne, gratë ishin kryesisht të përfshira në përkujdesjen për më të vegjlit, për të sëmurët dhe për të moshuarit. Sikundër vëren autorja feministe Carol Gilligan, “gratë jo vetëm që e përkufizojnë veten në një kontekst të marrëdhënies njerëzore por gjithashtu e gjykojnë veten në termat e aftësisë së tyre për përkujdesje”. Vajzat janë “më tepër të orientuara drejt personit”, ndërkohë që djemtë kanë prirje që të jenë më tepër “të orientuar drejt objektit”.

Biologjia dhe antropologjia historike mund të na ndihmojnë që të kuptojmë se përse duhet të ekzistojnë këto dallime kyçe në sjellje. Se si ato ekzistojnë sot është gjithashtu e diktueshme falë biologëve molekularë dhe endokrinologëve. Fetuset mashkull dhe femër e fillojnë jetën në mitër në mënyrë pothuajse identike. Diferenca kyçe është çifti kromozom XY i cili nënkupton mashkullin, ndërkohë që femra ka një çift XX. Funksioni i kromozomit Y është t’i hapë rrugë lirimit të androgjenëve, që përfaërsisht dy muaj pas fillimit të shtatëzanisë fillojnë zhvillimin e gonadëve, apo testikujve, të mashkullit. (Së këndejmi vjen edhe këndvështrimi i shumë biologëve se femra është në fakt forma bazë njerëzore, dhe mashkulli është një divergjencë prej saj – e kundërta e këndvështrimit Aristotelian.)

Megjithatë, këto androgenë bëjnë shumëçka më tepër se sa thjesht u japin formë organeve riprodhuese të fëmijës së palindur. Ndërmjet javës së gjashtëmbëdhjetë dhe të njëzet e tetë të shtatzanisë, ato i hapin rrugë gjithashtu divergjencave fundamentale në trurin e mashkullit dhe të femrës. Në këtë pikë, mangësitë e lindura mund të prodhojnë jo vetëm forma të hermafroditizmit të llojit që fik’hu klasik i ka pranuar, por gjithashtu mund të prekin sjelljen e personit të mëpasëm. Një shembull i mirëstudiuar është problemi i njohur si HAK, apo CAH: “hiperplasia adrenale kongjenitale”. Kjo rezulton nga një sekretim jonormal i androgenëve në një fetus XX, domethënë, në një fëmijë që është gjenetikisht femër. Fëmija që vuan nga kjo konditë, e cila në formën e saj klasike mund të prekë një në çdo 20.000 lindje, është tipikisht e lindur me organet rioprodhuese si të mashkullit ashtu dhe të femrës; dhe ato mashkullore hiqen zakonisht me anë të operacionit kirurgjik. Ndonëse femrat duken normale dhe janë pjellore, ato shpërfaqin modele sjelljeje mjaft të dallueshme, për shkak se janë të zhytura në hormone mashkullore ndërkohë që janë ende të palindura. Kumtesat e shumta të botuara mbi këtë dukuri dalin në përfundimin se femrat HAK, apo CAH, mund të karakterizohen si “vajza çuna”, apo “tomboys”. Ato janë më tepër agresive, atyre u pëlqejnë lojërat me rregulla, dhe janë të gatshme që të ndërmarrin më tepër risqe se sa vajzat që kanë lindur pa këtë defekt.

Pasqyrë e vajzave CAH janë djemtë që vuajnë nga një anomali e një hormoni X shtesë. Këta djem XXY janë në sipërfaqe meshkuj normalë, por sjellja e tyre është tipikisht femërore, dhe atyre u mungojnë impulset konkurruese dhe ato ndërmarrëse të riskut, dhe tregojnë një preferencë për lojën me vajza në lojëra bashkëpunuese dhe joagresive.

Studimet mbi CAH dhe XXY po citohen gjithnjë e më tepër si evidenca të influencës pafund që hormone ushtrojnë mbi sjelljen gjinore. Një provë e mëtejshme po shfaqet sot nga studimet mbi gratë të cilave iu janë dhënë hormone për të kapërcyer vështirësitë gjatë shtatzanisë, një praktikë përherë e më e zakonshme kjo dhe një praktikë që mendohet se është përgjegjëse për prodhimin e një numri gjithnjë e në rritje të fëmijëve me tipare sjellje që nuk përkojnë me tiparet e gjinisë së trupit të tyre. Kriminelet femra, për shembull, vuajnë shpesh nga nivelet anomalisht të larta të testosteronit, dhe këto janë shpeshherë pasojë e ndërhyrjeve mjekësore të mëparshme.

Tani unë dëshiroj të vijoj më tutje, dhe të trajtoj disa prej rrjedhojave të këtyre zbulimeve mbi të kuptuarit tonë, si myslimanë, rreth shoqërisë drejt së cilës ne aspirojmë, dhe orientimet e së cilës janë parashtruar në shpalljen hyjnore. Qartësisht, polemika e vjetër feministe kundër Islamit lidhur me bazat e “esencializmit” të tij, besimit të tij në natyrën e lindur të tipareve mashkullore dhe femërore, nuk do të pijë më ujë. Në vetë botën myslimane, shkenca e re, dhe feminizmi i ri, janë ende të panjohura, dhe sekularistët, që nga qeveria turke (ese e shkruajtur në vitin 1996 sh.p.) e deri te Taslima Nasreen në Bangladesh, vijojnë të këmbëngulin se diferencat gjinore, dhe pabarazitë në vendin e punës, mund të flaken tutje nëpërmjet inxhinierimit social dhe ngulitjes së sjelljeve të reja. Ky ishte mentaliteti i invokuar nga qevria turke kur ajo përgatiti legjislacionin e saj të vitit 2001 mbi barazinë gjinore.

Duke qenë se ne jetojmë në Perëndim, dhe duke qenë më tepër në kontakt me tendencat bashkëkohore në shkencë dhe teori sociale, ne mund të shohim me lehtësi se sa e hollë është bërë një polemikë e tillë. Mendimtaret inteligjente si Greer nuk po kërkojnë më “barazi”. Nuk është se në vend të kësaj ato po kërkojnë pabarazi apo padrejtësi: kurrsesi. Më saktë, ato po pranojnë se vetëdija jonë në lidhje me ndryshimin kategorik ndërmjet gjinive e bën të gjithë konceptin e “barazisë” ca si tepër mendjengushtë. Burrat dhe gratë nuk janë as të barabartë as të pabarabartë. Ne nuk mund të themi më tashmë se burrat janë më të mirë se gratë, njëlloj sa ç’nuk mund të themi se “shiu është më i mirë se toka”. Të përdorësh gjuhën e vjetër të “barazisë” është, në vërtetë, të jesh fajtor për atë që filozofi Vitgenshtajn e ka quajtur një “gabim kategorie”.

Teologët myslimanë modernë, të cilët kanë asimiluar kuptimet e reja, këmbëngulin që kërkesa për “barazi” është më pak e dobishme se sa kërkesa për mundësi dhe respekt. Këtu ka qartësisht një harmoni ndërmjet diskursit islam dhe feminizmit të ri të diferencës të Greer, Gilligan dhe të një numri në rritje të të tjerëve.

Ne na mbetet që të skicojmë tani shkurtimisht disa prej mënyrave në të cilën Sheriati dhe shkenca tani i japin të drejtë njëra tjetrës. Barazia nuk figurizohet më tashmë nga natyra se sa ç’figurizohet nga ligji i Zotit; përnjëmend, ligji i Zotit, për ne, është i barazvlefshëm me ligjin natyror. Meqenëse ne refuzojmë idetë e natyrës të rënë radikalisht të llojit tonë, ne e pranojmë natyrën, fitrën pra, si qenësisht të mirë. Krishterimi, në çdo pikë që ka ndjekur Agustinin, besonte deri në shekullin e tetëmbëdhjetë se foshnjat e papagëzuara, dhe fetuset e dështuar, do të torturoheshin përjetësisht në ferr duke qenë se natyra e tyre e papenduar/e parigjeneruar (unregenerate), e njollosur nga mëkati fillestar, mund të çonte vetëm në mallkim. Jansenistët dhe disa evangjelistë mbajnë ende këtë besim trazues.

Islami është jo-sakramental; ose më saktë, ne pranojmë se përkujtimi i Perëndisë sonë është i vetmi sakrament i nevojshëm. Dhe rendi natyror, sikundër dokumenton me bollëk Kurani, është një botë e shenjave që tregon burimin e saj, dhe që tregon burimin tonë. Prandaj fitra e llojit tonë, e përshqueshme mund të themi ne me anë të motiveve të qëndrueshme të ruajtura te homo sapiensi në mbarë globin dhe në gjenerata të tëra, nuk mund të jetë e pakëndshme për Allahun subhanehu ue te’ala.

Ndoshta një nga pyetjet më interesante që moderniteti shtron për fenë tradicionale ka të bëjë me providencën hyjnore në gjirin e një bote që është paimagjinueshëm më e lashtë se sa ç’dyshonin stërgjyshërit tanë. Nuk ka përcaktim datash me numra në Kuran apo Hadith, por myslimanët mesjetarë mendonin tipikisht se bota kishte një moshë rreth pesë mijë vjet. Sot, sido që ta konsiderojmë Darvinin, ne duhet të pranojmë se specia jonë ka një moshë prej dhjetëra mijëra vjetësh. Eshtra dukshëm njerëzore janë nxjerrë nga nëntoka, dhe janë datuar nga metodat e besueshme të radiokarbonit duke treguar antikitetin e njerëzimit – por jo në qoftë se ne, duke keqkuptuar logjikën e devotshmërisë, do të mohonim funde krye evidencat shkencore. Në vitin 1997, shkopi më i vjetër i sportit të kriketit u nxorr nga dheu në viset e Eseksit (pa dyshim, shënim i autorit; sepse njihet si zonë që ka shpikur kriketin sh.p.). Është dukshëm një shkop, i projektuar për ndonjë formë loje, dhe me sa duket është 40.000 vjet i vjetër. Pyetja jonë teologjike, për rrjedhojë, do të ishte: në qoftë se njeriu i Eseksit, në një kohë që nuk e rrok mendja, kishte vetëdijen dhe njerëzishmërinë dhe sofistikimin që kërkohet për të luajtur kriket, me siguri ai ishte gjithashtu një krijesë e përgjegjshme përpara Formëdhënësit të tij. Me fjalë të tjera, historia e shpëtimit është shumë, shumë më e vjetër se sa ç’e kemi dyshuar ne ndonjëherë. Të pretendosh se njerëzimit iu desh që të priste për pjesën më të madhe të historisë së tij përpara se të mësonte në lidhje me burimin edhe fatin e tij lips një pikëpyetje të patolerueshme mbi drejtësinë hyjnore. 

Tani, kjo lashtësi e species sonë i rri përshtat me mjaft elegancë historisë islame të shpëtimit. Hadithi (trashëgimia profetike sh.p.) tregon se ka patur 124.000 profetë. Kurani thotë: Ue li kul-li kaumin hād – “për çdo popull ka patur një udhëzues”. Ekzistenca e ndeshjeve të kriketit në Çelmsford rreth tridhjetë e tetë mijë vjet përpara hixhretit nuk është një problem për ne: homo religiosus ka ekzistuar atëherë, pikërisht sikundër ka ekzistuar homo ludens, dhe me gjasë ai ka patur akses në një kapitull të shpalljes e cila është zhdukur që nga ajo kohë.

Për Krishterimin, sigurisht, problemi është më akut. Teologët mesjetarë janë përpjekur të përballen me faktin që miliona vetë kanë jetuar përpara ardhjes së Krishtit, dhe për pasojë kanë vdekur pa marrë sakramentet apo pa e pranuar atë si shpëtimtar. Teori të ndërlikuara të ungjillizimit pas-vdekjes, apo të mundimeve të ferrit, u zhvilluan për ta bërë këtë sfidë ndaj koherencës morale hyjnore më pak skandaloze. Sot, me vetëdijen tonë rreth antikitetit të njerëzimit, teologjia është ende edhe më e vështirë: përse duhet të ketë pritur për miliona vjet një Zot i përzemërt që të dërgonte të birin e tij për të shlyer njerëzimin?

Për ne, sikundër kam thënë, ky është një jo-problem. Për çdo komb ka patur një udhëzues. Dhe, sikundër thotë Sureja el-Insan, “A ka ardhur ndonjëherë mbi njeriun një kohë kur ai nuk ishte diçka që kujtohej?” Dhe një bashkëshoqërues i domosdoshëm i këtij pranimi të gjatësisë dramatike e të shkëlqyer të historisë profetike, kaq në përpjestim me madhështinë e Zotit dhe universit, duhet të jetë fakti që modelet që rishfaqen dhe biologjikisht të bazuara të shoqërisë njerëzore duhet të konsiderohen në njëfarë sensi si normale, dhe prandaj si hyjnisht të sanksionuara. Për më tepër, bindja jonë, si myslimanë, se qenia njerëzore është krijuar “në formën më të mirë”, se “ne i kemi fisnikëruar bijtë e Ademit,” e bënë blasfemuese çdo përpjekje për të përulur endokrinologjinë natyrore të trupave tanë. Ne jemi ashtu siç jemi krijuar, dhe Allahu, i lartësuar qoftë Ai, është më i miri i krijuesve.

Kjo është arsyeja përse ne themi, duke injoruar plot respekt protestat e feministeve të stilit së vjetër, se burrat dhe gratë, në një shoqëri ku droja nga Zoti është normë, do të priren drejt shqetësimeve të ndryshme dhe sferave të ndryshme të veprimtarisë. Synimi im, fundja fundit, është lumturia njerëzore, jo korrektesa politike. Çdo përpjekje për të imponuar një shabllon vrazhdazi egalitarist mbi të dhënat e Kuranit dhe Sunetit, dhe të Siras (Jetëshkrimit të Profetit Muhamed sh.p.), dhe mbi modelet përsëritëse të historisë sociale islame, do t’i nënvlerësonte ato në mënyrë drastike. Uelejse el-dhekeru ke’l-untha, thotë Kurani: mashkulli nuk është njëlloj si femra. Egalitarianizmi është reduksionizëm, dhe e pakëson bivalencën e llojit tonë, fertiliteti i të cilit është i dukshëm në shumë më tepër mënyra se sa thjesht riprodhuese.

Për rrjedhojë, ne këmbëngulim që ligji ynë i shpallur, i konfirmuar kaq madhërishëm nga shkenca e re në supozimet e saj, pohon dinjitetin dhe vlerën e grave në mënyrë më të besueshme se sa ç’mund të bëjë ndonjëherë sekulariteti. Një botëkuptim materialist, i cili mat vlerën njerëzore në termat e të fituarit të pushtetit dhe statusit dhe aksesit ndaj bollëkut seksual, do ta glorifikojë mashkullin pa u lëkundur aspak. Sepse mashkulli, i kushtëzuar nga androgenët që nga koha që ai ka qenë pothuajse padukshëm i vogël në mitër, është i vendosur: metaforat e tij janë projeksion, nënshtrim, dhe vendosmëri për të arritur objektivin. Teksa faktet e shkencës bien pikë-pikë mbi pop-kulturën, dhe teksa feminizmi i barazisë i stilit të vjetër ka marrë tatëpjetën, mashkulli ka për t’u madhëruar si kurrë më parë në histori. Në afat të gjatë, civilizimet materialiste do të favorizojnë dhe përnderojnë tiparet mashkullore. Në afat të shkurtër gratë mund të duket se po i parakalojnë burrat, për shkak të energjisë së gjeneruar nga përgëzimet e modernitetit, dhe për shkak të atrofisë së ndërsjelltë të identitetit mashkullor dhe konsideratës së mashkullit për veten. Por në afat të gjatë, nëse logjika e kapitalizmit e Adam Smithit nuk merr fund mistershëm, e ardhmja i përket androgenit.

Si myslimanë, ne refuzojmë një favoritizëm të tillë. Pashmangshmërisht, duke pasur parasysh natyrën e fitrës, duhet të ketë aspekte të Sheriatit që favorizojnë mashkullin në terma funksionalë e materialë. Kjo e jona është një fe e drejtësisë absolute. Por për shkak se ne refuzojmë çdo identifikim të vlerës njerëzore me funksionalitetin, apo pushtetin, apo statusin, apo konsumin sa për sy e faqe, ne jemi në gjendje që të këmbëngulim mbi vlerën e grave në një mënyrë që nuk është e mundur jashtë një konteksti fetar. Sepse ne nuk jemi krijuar për idhujt që adhurohen në faqet e GQ apo Loaded Magazine (revista të njohura në arealin anglo-amerikan sh.p.). Avantazhet biologjike të mashkullit, nëse një ditë nuk kryhet në çdonjërin prej nesh një operacion masiv rikonstruktiv dhe një riprogramim masiv hormonal, për ne nuk tregojnë superioritet, sikundër tregojnë për mendjen sekulare kur ajo ndjek argumentet e saj deri në fund.

Kyçi pë të kuptuar këtë ofrohet nga teologjia jonë e pasur e Nëntëdhjetë e Nëntë Emrave të Allahut. Dhe këto shpalosin atë që biologët e përshkruajnë si dimorfizëm gjinor. Domethënë, pikërisht sikundër prokrijimi jep fryte nëpërmjet formësimit që merr nga androgenët dhe estrogenët, kështu gjithashtu edhe vetë krijimi është i kredhur në androgenë dhe estrogenë. I gjithë kozmosi është i gjinorizuar; në fakt, ai vjen në qenie, dhe arrin kompleksitetin e manifestimit mbas përvojës së unitetit të padiferencuar, nëpërmjet ndërveprimit të Emrave hyjnorë, ku kategoria supreme dhe kryesore është polariteti i Xhelal dhe Xhemal (madhështisë dhe bukurisë).  Unë jam përpjekur që të japë disa refleksione të mëtejshme mbi këtë parim të një kozmosi të koduar hormonalisht në një tjetër shkrim. (www.masud.co.uk/ISLAM/ahm/gender.htm)) 

Çështja e gjinisë gjethnon masivisht në çdo fushë tjetër të fesë, dhe shumëçka tjetër mund të hidhet në letër. Ajo që unë jam përpjekur të bëj në këtë ese është të tregoj se një kundërvënie ndaj Sheriatit është një kundërvënie ndaj shkencës, meqenëse shkenca aktualisht po pohon një dallim të lindur ndërmjet sekseve, një dallim që Allahu te’ala, apo i Lartësuar, na bën qartësisht thirrje që ta kremtojmë dhe jo ta shtypim. Arkitektura sociale e Islamit është mjaft e ndryshme nga ajo e Perëndimit modern sekular: ky duhet të jetë një burim krenarie për ne. Megjithatë, ne na lejohet që të spekulojmë se problemet katastrofike sociale që po kaplojnë sot Perëndimin, dhe shtresat e perëndimizuara gjetkë, do të ndërthuren me shkencën e re për të ofruar një përkufizim të rishikuar të roleve gjinore dhe sociale të cilat, në afat të gjatë, do të bindin kritikët tanë për urtësinë dhe dhembshurinë sipërore të modelit shoqëror profetik.

ue-akhiru da‘uena ani’l-hamdu li’Lahi rabbi’l-alemin

Perktheu: Ariol Guni

LEXIME TË MËTEJSHME

  • Kingsley Browne, Divided Labours: An Evolutionary View of Women at Work. London, 1998.
  • Germaine Greer, The Whole Woman. London, 1999.
  • Anne and Bill Moir, Why Men Don’t Iron: The New Reality of Gender Differences. London, 1998.
  • N. Koertge, ‘How Feminism is now Alienating Women from Science’, Skeptical Inquirer, March/April 1995, 42-3.
  • Carol Gilligan, In a Different Voice. London, 1990.
  • Hoyenga, K, and Hoyenga, K, Gender-Related Differences. London, 1993.
  • A. Booth, ‘Testosterone and Winning and Losing Human Competition’, Hormones and Behaviour (1989), 556-72.
  • E. Maçoby, ‘Gender and Relationships’, American Psychologist (April, 1990), 513-20.
  • D. Halpern, Sex Differences in Cognitive Abilities. New York, 1992.
  • Nuh KellerEvolution Theory and Islam. London, 1999.
  • N. Mçrum, ‘The Academic Gender Deficit at Oxford and Cambridge.’ Oxford Review of Eduation (1994), 3-26.
  • Jared Diamond, Why is Sex Fun? London, 1998.
  • A. Burgess, Fatherhood Reclaimed. New York, 1997.
  • www.tylerforlife.com/Disorders/cah.htm
  • Ian Gemmell, ‘Injuries among female army recruits’. Journal of the Royal Society of Medicine, January 2002, 23-27.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *