TwitterFacebookPinterestGoogle+

Orientalizmi, keqinformimi dhe Islami

Robert Squires

 Çdo njeri me gjykim të shëndoshë që i ka vënë vetes detyrë të mësoj rreth Islamit, sidomos nëse për këtë qëllim shfrytëzon libra në gjuhët europiane, duhet të jetë i vetëdijshëm për shtrembërimet dhe keqinformimet që ekzistojnë në shkrimet e jo-muslimanëve mbi Islamin. Të paktën që në Mesjetë, Islami është paraqitur si i rrezikshëm dhe ka qenë subjekt i keqinterpretimeve në Perëndim. Në vitet e fundit të shekulli XX, kjo gjendje nuk duket se ka ndryshuar shumë – edhe pse shumica e muslimanëve janë të mendimit se po bëhen shumë përparime në këtë fushë.

ARGUMENTE TË DISKUTUESHËM DHE INJORANCË E PËRGJITSHME

Një përmbledhje elegante e paditurisë së Perëndimit në lidhje me Islamin dhe arsyet e Orientalizmit mund të shihet në fjalët e gazetarit dhe shkrimtarit Roger Du Pasquier:

“Perëndimi, si ai i krishterë dhe ai i çkrishtëruar, nuk e ka njohur kurrë në të vërtetë Islamin. Sapo e panë të shfaqej në skenën botërore, të krishterët nuk reshtën kurrë së fyeri dhe shpifuri ndaj kësaj feje, në mënyrë që të gjejnë një justifikim për të shpallur luftë kundër saj. Islami ka qenë subjekt i shtrembërimeve groteske, gjurmët e të cilave gjenden ende në mendjen e europianëve. Edhe sot ka shumë perëndimorë, për të cilët Islami mund të katandiset në tri ide: fanatizëm, fatalizëm dhe poligami. Sigurisht, ka njerëz më të kulturuar, idetë e të cilëve mbi Islamin janë më pak të deformuara; e madje ka edhe një pakicë, të cilët e dinë se fjala Islam nuk do të thotë gjë tjetër veçse “nënshtrim ndaj Zotit”. Një simptomë e kësaj injorance është edhe fakti se në imagjinatën e shumicës së europianëve, Allahu është hyjnia e muslimanëve dhe jo Zoti i të krishterëve dhe çifutëve; ata të gjithë habiten kur dëgjojnë, kur dikush merr mundimin t’ua shpjegojë, se ‘Allah’ do të thotë ‘Zot’ dhe se edhe arabët e krishterë e njohin atë vetëm me këtë emër.

Sigurisht, Islami ka qenë objekt studimi për orientalistët perëndimorë, të cilët, gjatë dy shekujve të fundit, kanë botuar një literaturë të gjerë dhe të hollësishme mbi këtë temë. Megjithatë, sado të dobishme të kenë qenë veprat e tyre, veçanërisht në fushat e historisë dhe filologjisë, ata kanë dhënë një ndihmesë shumë të pakët në informimin e qarqeve të krishtera apo post-krishtera, thjesht për faktin se ata nuk kanë mundur të zgjojnë interesin e njerëzve jashtë qarqeve të tyre të specializuara akademike.

Jemi të detyruar të pranojmë se studimet orientaliste në Perëndim nuk janë frymëzuar gjithmonë nga fryma e paanshmërisë që e karakterizon dijetarin dhe është e vështirë të mohohet fakti se disa islamicistë dhe arabistë kanë punuar me qëllimin e caktuar që të ulin vlerat e Islamit dhe ndjekësit e tij. Kjo prirje u vu re, veçanërisht – për arsye që dihen – në kulmin e pushtimeve kolonialiste, por do të ishte i tepruar pretendimi se ajo ka humbur pa lënë asnjë gjurmë.

            Këto janë disa nga arsyet pse, edhe sot, Islami paragjykohet aq shumë në Perëndim, ku, për çudi, besime aziatike si Budizmi dhe Induizmi, për më shumë se një shekull, kanë fituar simpati dhe interest ë madh, edhe pse Islami është shumë më afër me Judaizmin dhe Krishtërimin, meqenëse rrjedhin nga i njëjti burim abrahamik. Megjithatë, pavarësisht nga kjo, për shumë vjet duket se kushtet e jashtme, sidomos rritja e rëndësisë së vendeve arabo-islamike në çështjet politike e ekonomike botërore, kanë sjellë një shtim të interesit të Perëndimit për Islamin, duke çuar – për disa – në zbulimin e horizonteve të reja dhe deri atëherë të panjohura. (Marrë nga Zbulimi i IslamitRober Pasquier). Mendimin se ekziston një injorancë e përgjithshme ndaj Islamit në Perëndim e mbështet edhe Maurice Bucaille, një mjek francez, i cili shkruan:

“Kur i përmendet Islami një ateisti materialist, ky buzëqesh i vetëkënaqur, gjë që tregon padijen e tij mbi këtë temë. Me shumicën e intelektualëve perëndimorë, të çfarëdo lloj besimi fetar, ky individ ka të përbashkët një koleksion të mahnitshëm nocionesh të gabuara mbi Islamin. Prandaj, në këtë rast, këtij njeriu duhet t’i lejohen dy justifikime. Së pari, pavarësisht nga sjelljet e modës që mbizotërojnë në gjirin e autoriteteve më të larta të krishtera, në Perëndim Islami ka qenë gjithmonë subjekt i të ashtuquajturave ‘shpifje laike’. Kushdo në Perëndim, që ka marrë dije të gjera mbi Islamin, e di se deri në çfarë mase janë shtrembëruar historia, dogma dhe qëllimet e tij. Duhet marrë gjithashtu parasysh fakti se dokumentet e botuara në gjuhët europiane mbi këtë temë (duke lënë mënjanë studimet shumë të specializuara) nuk ia lehtësojnë shumë punën një personi që ka dëshirë të mësojë.”  (Marrë nga “BiblaKurani dhe Shkenca” nga Maurice Bucaille)

ORIENTALIZMI:  NJË PËRKUFIZIM I GJERË

Dukuria, që përgjithësisht njihet me emrin Orientalizëm është vetëm një aspekt i keqinterpretimeve perëndimore të Islamit. Sot, shumica e muslimanëve në Perëndim do të ishte dakord me faktin se pjesa më e madhe e informacionit të shtrembëruar mbi Islamin vjen nga mediat, si ato të shkruara, ashtu edhe ato elektronike. Duke patur parasysh numrin e madh të njerëzve tek të cilët arrin ky lloj informacioni, është e qartë që mas mediat kanë një ndikim shumë më të madh në pikëpamjet e Perëndimit mbi Islamin, nga ç’kanë botimet akademike të “orientalistëve”, “arabistëve” apo “islamistëve”. Përsa i përket emërtimeve, vitet e fundit, në shumicën e kolegjeve dhe universiteteve në Perëndim, fusha akademike, që dikur quhej “Orientalizëm”, tani është riemërtuar si “Studime Zonale” apo “Studime Rajonale”. Këto terma politikisht të saktë kanë zëvendësuar tashmë fjalën “Orientalizëm” në qarqet akademike, meqenëse kjo e fundit ka marrë në një masë të madhe një ngjyrim imperialist negativ dhe e gjithë kjo falë orientalistëve. Megithatë, edhe pse punimet e studiuesve në këto fusha nuk arrijnë në dorën e publikut të gjerë, ato shpesh bien në duart e studentëve dhe atyre që janë personalisht të interesuar të mësojnë më shumë mbi Islamin. Në këto kushte, çdo student që mëson mbi Islamin – e veçanërisht ata në Perëndim – duhet të jenë të ndërgjegjshëm për dukurinë historike të Orientalizmit, qoftë si studim akademik, ashtu edhe si mjet shfrytëzimi kulturor. Kur përdoret nga muslimanët, fjala “Orientalist” i referohet, përgjithësisht, çdo studiuesi perëndimor që studion Islamin – pavarësisht nga qëllimet që e shtyjnë ta bëjnë këtë – dhe kështu, në mënyrë të pashmangshme, jep një pasqyrim të shtrembër të tij. Megjithatë, siç do të shohim, dukuria e Orientalizmit është shumë më tepër se një studim akademik. Edward Said, një studiues i njohur arabo-kristian dhe autor i disa librave që pasqyrojnë të meta në qasjen akademike, e përkufizon “Orientalizmin” në këtë mënyrë:

“… me Orientalizëm unë kuptoj shumë gjëra, që sipas mendimit tim janë të gjitha të ndërvarura. Emërtimi që pranohet më me dëshirë në lidhje me Orientalizmin është një emërtim akademik që përdoret ende në shumë institucione akademike. Kushdo që jep mësim mbi Orientin, shkruan për të apo zhvillon kërkime në lidhje me të – dhe kjo vlen për antropologët, sociologët, historianët, si dhe për filologët – qoftë në aspektin e përgjithshëm, ashtu edhe në atë të veçantë, quhet Orientalist dhe ajo që bën është Orientalizëm.” (Marrë ngaOrientalism, nga Edward W. Said)

Pra, të flasësh për Orientalizmin do të thotë të flasësh kryesisht, megjithëse jo ekskluzivisht, për një nismë kulturore britanike dhe francaze, një projekt, përmasat e të cilit arrijnë një shtrirje aq të larmishme, që ia kalojnë edhe imagjinatës, duke përfshirë të gjithë Indinë dhe lindjen e largët, tekstet dhe tokat biblike, tregëtinë e erëzave, ushtritë kolonialiste dhe një traditë të gjatë të administratorëve kolonialistë, një përmbledhje e shkëlqyer studimesh, “ekspertë” dhe “duar” të panumërta orientale, një profesorat orientalist, një koleksion i ndërlikuar idesh “orientale” (despotizmi oriental, shkëlqimi, mizoria dhe ndjeshmëria orientale), shumë sekte, filozofi dhe dituri lindore, përshtatur për përdorim lokal europian – lista mund të vazhdojë në pafundësi.” (Marrë nga Orientalismnga Edward W. Said)

Ashtu si për shumë gjëra, vetëdija për ekzistencën e një problemi është baraz me gjysmën e zgjidhjes së tij. Sapo një kërkues i sinqertë i së Vërtetës bëhet i ndërgjegjshëm për keqkuptimet dhe armiqësinë mes Islamit dhe Perëndimit – dhe mëson që të mos besojë çdo gjë të botuar – ai do të mund t’i arrijë shumë më shpejt dijen dhe njohuritë e mirëfillta. Sigurisht që jo të gjithë shkrimet perëndimore mbi Islamin kanë të njëjtin nivel paragjykimesh – këto variojnë nga shtrembërimi i qëllimshëm, deri në padije të thjeshtë – madje disa mund të klasifikohen edhe si përpjekje të sinqerta të jo-muslimanëve për të portretizuar Islamin nën një dritë pozitive. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre punimeve janë të sakatuara nga gabime të paqëllimshme, sado të vogla qofshin, gjë që i detyrohet mungesës së informacionit të autorit mbi Islamin. Për hir të drejtësisë, duhet thënë se edhe disa libra bashkëkohorë mbi Islamin nga autorë muslimanë vuajnë nga të njëjtat të meta, zakonisht për shkak të njohurive, ideve heretike dhe/ose mbështetjes në burime jo musliamane.

Duke patur parasysh sa u tha më sipër, nuk është çudi që informimi mbi Islamin në Perëndim – sidomos duke u bazuar në studimet në gjuhët europiane – nuk ka qenë kurrë diçka e lehtë. Vetëm disa dekada më parë, një person anglisht-folës, i cili ishte i interesuar për të njohur Islamin dhe kishte dëshirë të kufizohej vetëm në leximin e librave dhe punimeve të autorëve muslimanë, mund të jetë kufizuar me leximin e një përkthimi të Kur’anit, disa librave të pakët me hadithe, si dhe disa ese. Megjithatë, vitet e kaluar, shtimi i numrit të librave islamikë në dispozicion – të shkruar nga besimtarë dhe ideologë muslimanë – si dhe ardhja e Internetit e ka bërë shumë më të lehtë gjetjen e informacioneve të mirëfillta mbi, pothuajse, çdo aspekt të Islamit. Sot, nuk kalon javë e të mos lajmërohet mbi përkthimin e një vepre klasike islame. Prandaj, do t’i rekomandoja lexuesit që kërkon të mësojë mbi Islamin që të marrë për bazë libra të shkruar nga autorë muslimanë. Ekziston një numër shumë i madh shpërndarësisht të librave islamikë, që mund të gjenden nëpërmjet Internetit.

QËLLIME IMPERIALISTE DHE MISIONARË TË URITUR

Duke i hedhur një vështrim më të hollësishëm pikëpamjeve të shtrembëruara të Perëndimit mbi Islamin në përgjithësi dhe Orientalizmin në veçanti… Edward Said, autori arabo-kristian i veprës monumentale Orientalism, me të drejtë, i referohet Orientalizmit me fjalën “nismë kulturore”. Padyshim që ky nuk është shtrembërim, meqenëse studimet akademike të Lindjes Orientale nga Perëndimi Oksidental janë motivuar shpesh – dhe shpesh kanë bashkëpunuar ngushtë – me qëllimet imperialiste të fuqive europiane kolonialiste. Dhe padyshim, bazat e Orientalizmit gjenden në maksimën “Njih armikun tënd.” Kur “Kombet e Krishtera” të Europës nisën fushatën e tyre të gjatë për kolonizimin dhe pushtimin e pjesës tjetër të botës për interesat e tyre, ata sollën burimet e tyre akademike dhe misionare për të lehtësuar realizimin  e qëllimit të tyre. Orientalistët dhe misionarët – që, shpesh, mishëroheshin në një person – ishin rëndom shërbëtorë të një qeverie imperialiste, që përdorte shërbimet e tyre si mjet për të nënshtruar dhe dobësuar një armik, paçka se me finesë:

“Përsa i përket Islamit dhe territoreve islame, për shembull, Britania pretendonte që, si fuqi e krishterë, ishte e drejtë e saj e ligjshme t’i merrte nën mbrojtje. Dhe për të realizuar këto interesa u përpunua një aparat i ndërlikuar. Organizata të hershme si Shoqëria për Përhapjen e Dijes së Krishterë (1698) dhe Shoqëria për Përhapjen e Ungjillit në Vende të Huaja (1701) u pasuan dhe më vonë u nxitën nga Shoqëria Misionare Baptiste (1792), Shoqëria e Kishës Misionare  (1799), Shoqëria e Biblike Britanike dhe e Huaj(1804), Shoqëria Londineze për Përhapjen e Krishtërimit tek Çifutët (1808).  Këto misione u bashkuan hapur në fushatën ekspansioniste të Europës.”  (Marrë nga Orientalism, nga Edward W. Said)

Kushdo që ka studiuar mbi këtë temë e di që misionarët e krishterë ishin pjesëmarrës vullnetarë në imperializmin europian, pavarësisht nga motivet e pastra apo naiviteti i disa individëve misionarë. Në të vërtetë, vetëm një numër i vogël orientalistësh ishin misionarë të krishterë. Një shembull njohur është Sir William Muir, ka qenë një misionar aktiv dhe autor i shumë librave mbi Islamin. Librat e tij përmbanin studime shumë të njëanshme dhe dritëshkurtra, e megjithatë ato vazhdojnë edhe sot të përdoren si referenca nga ata që duan të sulmojnë Islamin. Nuk është e vështirë të konstatosh që të krishterët kanë qenë burimi i shumë prej gënjeshtrave dhe shtrembërimeve më të këqija mbi Islamin, për vetë faktin se Islami ishte “konkurenti” i saj kryesor në skenën e Feve Botërore. Duke mos respektuar një nga dhjetë urdhëresat, atë që ndalon dëshminë e rreme ndaj fqinjit, të krishterët praktikuan shtrembërimet dhe shpifjet mbi Islamin dhe kjo vihet re më poshtë:

“Është vështirë të pranohet që historia e Orientalizmit të jetë karakterizuar nga studimi i paanshëm i burimeve të Islamit, sidomos nën ndikimin e fanatizmit të Krishtërimit. Që nga shtrembërimet fanatike të Gjonit nga  Damasku e deri tek shkrimet shfajësuese (apologjetike) të mëvonshme kundër Islamit, të cilat u mësonin publikut të tyre se muslimanët adhurojnë tre idhuj!  Pjetri i  Respektuari (1084-1156) “ka përkthyer” Kur’anin që është përdorur më pas gjatë gjithë Mesjetës, i cili përmbante nëntë kapituj shtesë. Shembulli i tij u ndoq në përkthimin famëkeq të shtrembëruar të Sale, i cili, së bashku me Rodwell, Muir dhe shumë të tjerë sulmuan karakterin dhe personalitetin e Muhammedit. Shpesh, ata përdornin histori apo tregime të sajuara, të cilat vetë muslimanët i quanin të shpikura apo të dobëta, si dhe shtrembëronin faktet duke pretenduar se muslimanët mbanin një pozicion që në fakt nuk e kishin, apo duke përdorur zakonet e vjetra jo islame të muslimanëve dhe duke i përshkruar ato si tabloja e vërtetë e Islamit. Siç shkruan Norman Daniel në veprën e tij Islami dhe PerëndimiFakti që u përdor dëshmia e rreme për të sulmuar Islamin ishte diçka që nuk i kishte aspak hije katoliçizmit… ”  (Marrë nga An Authoritative Exposition – Part 1, nga ‘Abdur-Rahim Green)

Kjo pikëpamje vërtetohet nga historiani i mirënjohur i Lindjes së Mesme, Bernard Lewis, kur shkruan:

“Megjithatë, bota e krishterë mesjetare e ka studiuar Islamin me qëllimin e dyfishtë për të mbrojtur të krishterët nga lajkat e muslimaneve dhe për të kthyer muslimanët në të krishterë dhe për këtë, studiues të krishterë, shumica e të cilëve ishin priftërinj apo murgj, krijuan një literaturë mbi besimin, Profetin e tij dhe librin e këtij të fundit, literaturë polemizuese dhe, shpesh, gojështhurur, qëllimet e së cilës ishin më tepër mbrojtëse dhe shkurajuese, sesa informuese….” (Marrë nga Islami dhe Perëndiminga Bernard Lewis)

Ekzistojnë shumë fakte që dëshmojnë se, kur ishte fjala për të sulmuar Islamin, edhe Kisha Katolike Romake tregohej e gatshme për të pranuar pothuajse çdo gjë të pavërtetë. Dhe ja një shembull:

“Në një periudhë të caktuar të historisë, armiqësia ndaj Islamit, në çfarëdolloj forme, madje edhe ajo që shprehej nga armiq të deklaruar të kishës, pritej me miratimin më të përzemërt nga autoritetet e lartë të Kishës Katolike. Kështu, Papa Benedikti XIV, që konsiderohet si papa më i madh i shekullit XVIII, i dërgoi pa ngurruar bekimet e tij Volterit, në shenjë falenderimi për faktin që ky i fundit i kishte dedikuar atij tragjedinë “Muhammedi ose fanatizmi” (Mahomet ou le Fanatisme) 1741, një satirë e ashpër që çdo kalemxhi i zgjuar do të dinte ta shkruante, mbi çfarëdolloj teme. Pavarësisht nga mossuksesi i fillimit, komedia në fjalë fitoi famë të mjaftueshme për të hyrë në repertorin e Comédie-Française.”  (Marrë nga Bibla, Kurani dhe Shkencanga Maurice Bucaille)

GËNJESHTRAT E PËRHAPURA DHE KULTURA POPULLORE

Filozofi francez Volter, që u përmend më lart, ishte armik i betuar i kishës. Për të parë se çfarë mendonte ai për të paktën një nga doktrinat kristiane, lexoni pamfletin e tij Anti-Trinitarians. Po kështu, paragrafi i mësipërm paraqet diçka për të cilën duhet të jemi të ndërgjegjshëm: shtrembërimet dhe gënjeshtrat mbi Islamin për shekuj me radhë në Europë nuk janë kufizuar në një numër të vogël studiuesish dhe klerikësh. Përkundrazi, ato ishin pjesë e kulturës popullore në atë kohë:

“Imagjinata europiane ushqehej gjerësisht nga ky repertor [i imazheve orientale]: ndërmjet Mesjetës dhe shekullit XVIII, autorë të mëdhenj si: Ariosto, Milton, Marlowe, Tasso, Shekspir, Servantes dhe autorët e Këngëve të Rolandit dhe Poemës së Sidit morën nga thesaret e Orientit për t’i përdorur në veprat e tyre, në mënyra që theksuan konturet e imagjinatës, ideve dhe figurave që ishin pjesë e kësaj pasurie. Për më tepërnjë pjesë e madhe e asaj që konsiderohej elitë orientaliste në Europë shfrytëzuan mitet ideologjike, edhe pse dukej se dija po përparonte vërtet.” (Marrë nga Orientalizminga Edward Said)

“Prirja e pandryshueshme për të shpërfillur atë që nënkupton Kur’ani, apo atë që muslimanët mendojnë për kuptimin e Kur’anit, apo atë që muslimanët bëjnë apo mendojnë në rrethana të caktuara, nënkupton domosdoshmërisht që doktrinat kur’anore dhe doktrina të tjera islamike paraqiteshin në një formë sa më bindëse për të krishterët; dhe sa e sa forma ekstravagante patën fatin të pranoheshin me largimin gjithnjë e më tepër të shkrimtarëve e publikut nga kufiri islamik. Dhe hezitimi i publikut ishte i madh kur ishte puna të besonin atë që muslimanët thonin se besonin në të vërtetë. Ishte krijuar një tablo e krishterë, në të cilën detajet (madje edhe nën dritën e fakteve) braktiseshin sa më pak që të jetë e mundur dhe në të cilën, skema e përgjithshme nuk braktisej kurrë. Kishte hije ndryshimi, por vetëm brenda një kornize të përbashkët. Të gjitha korigjimet që u bënë për të rritur saktësinë qenë vetëm një mbrojtje e asaj që sapo kishte rezultuar e cënueshme, një mbështetje e një strukture të dobët. Mendimi i krishterë ishte një fortesë që nuk mund të shembej, as me qëllim që të rindërtohej.” (Marrë nga ‘Islami, Perëndimi dhe krijimi i një imazhi, nga Norman Daniel)

Edward Said, në veprën e tij klasike Orientalizmi, duke iu referuar pasazhit të mësipërm nga Norman Daniel, thotë

:

Kjo tablo e ashpër kristiane mbi Islamin u pasqyrua në mënyra të shumta, duke përfshirë – gjatë Mesjetës dhe Rilindjes së hershme – një shumëllojshmëri të madhe poezish, polemikash dhe paragjykimesh popullore. Në këtë kohë, Lindja e Afërme nuk ishte përfshirë në tablonë botërore të Krishtërimit Latin – ashtu si në Këngët e Rolandit, Saraceni pasqyrohej si adhurues i Muhammedit dhe Apollonit. Nga mesi i shekullit XV, siç tregohet në mënyrë të shkëlqyer nga R. W. Southern, për mendimtarët seriozë europianë u bë e qartë “se duhej bërë diçka në lidhje me Islamin,” që e kishte përmbysur në një farë mënyrë situatën, duke ardhur ushtarakisht në Europën Lindore.” (Marrë nga Orientalizminga Edward W. Said)

Gjëja më e spikatur është paaftësia e këtyre sistemeve të mendimit [kristiano-europiane] për të dhënë një shpjegim të kënaqshëm të dukurisë që kanë marrë përsipër të shpjegojnë [Islamit]. Në nivel praktik, ngjarjet asnjëherë nuk shkuan as aq mirë, as aq keq sa ç’kishin parashikuar vëzhguesit më inteligjentë: dhe, ia vlen mbase të nënvizohet se ngjarjet nuk shkuan kurrë më mirë se kur gjykatësit më të mirë prisnin një fund të lumtur. A pati ndonjë përparim [në dijet e të krishterëve mbi Islamin]? Për mendimin tim, po. Edhe psee zgjidhjet e problemeve u mbajtën të fshehta, përkufizimi i problemit u bë edhe më i ndërlikuar, më racional dhe më i lidhur me përvojën.” (Marrë nga Pikëpamjet perëndimore mbi Islamin gjatë mesjetës, nga R. W. Southern)

Pavarësisht nga qasjet e njëanshme, të çala – e madje edhe dinake – të disa orientalistëve, edhe këta mund të kenë patur momentet e tyre të çiltërsisë, siç shkruan Roger Du Pasquier:

“Në përgjithësi, fatkeqësisht duhet të pajtohemi me mendimin e një orientalisti si Montgomery Watt, i cili shkruan që ‘nga të gjithë njerëzit e mëdhenj, asnjëri nuk është sulmuar nga aq shumë shpifje sa Muhammedi.’ Pasi ka kryer për një kohë të gjatë studime mbi jetën dhe veprën e Profetit Muhammed, arabisti britanik shton se ‘është e vështirë të kuptohet arsyeja e këtij fakti’, duke gjetur të vetmin shpjegim bindës në faktin se, për shumë shekuj, Krishtërimi e ka trajtuar Islamin si armikun e tij më të madh. Dhe, edhe pse europianët sot e shohin Islamin dhe themeluesin e tij nën një dritë pak më objektive, ‘kanë mbetur ende shumë paragjykime të vjetra.’” (Marrë nga Zbulimi i Islamitnga Roger Du Pasquier, – citate nga e Muhamedi në Medina, W. M. Watt, Oxford University Press)

KËSHILLA TË VLEFSHME DHE VËREJTJE PËRMBYLLËSE

Në përfundim, do desha t’i rikthehesha përshkrimit të Orientalizmit nga një amerikan i konvertuar në Islam. Ajo çka thotë ai në lidhje me synimet dhe metodat e Orientalizmit, e sidomos mbi faktin se sa të shtrembëruara duken nga këndvështrimi islam, është shumë sqaruese. Duke përmbledhur pikëpamjet e tij mbi librin e një autori orientalist, ai shkruan:

“… në këtë libër janë paraqitur në mënyrë të saktë emrat dhe datat e ngjarjeve që shqyrton, megjithëse shpjegimet e figurave muslimane, qëllimet dhe vendi i tyre brenda botës islame janë vëzhguar përmes xhamit të mosbesimit (kufr), duke dhënë një imazh të kundërt të shumë prej realiteteve që ai paraqet dhe, mbase duke kërkuar një fjalë që në literaturë është pagëzuar me termin Orientalizëm, apo në mënyrën bashkëkohore, “Studime Zonale”.

Kjo është një pikëpamje ka për qëllim kryesor përshkrimin shkencor të diçkaje të tillë si “Islam Afrikan”. Ky objektivitet përputhet shkëlqyeshëm me përvojën e ndjerë dhe të jetuar të një traditë post-fetare, intelektuale perëndimore në të kuptuarit e fesë; kjo do të thotë që, krahasimi i sistemeve dhe shoqërive kulturore njerëzore në rrjedhën dhe larminë e tyre historike e çon një vëzhgues pa paragjykime në relativizëm moral, meqenëse asnjë vlerë morale nuk mund të zbulohet, gjë që është e vlefshme edhe në nivel ndërkulturor. Këtu, qytetërimet njerëzore, me format e tyre kulturore,fetare, shpresat, synimet, besimet, profetët, shkrimet e shenjta dhe hyjnitë, janë në thelb bimë që rriten nga toka, duke mbirë nga farëra dhe dhera të ndryshme, duke lulëzuar dhe pastaj duke u vyshkur. Puna e studiuesit është t’i dokumentojë këto elementë dhe të propozojë një lidhje të besueshme mes tyre.

            Një qasje e tillë, nëse ia vlen të merret parasysh në një punim serioz akademik… është, padyshim jo-islame dhe anti-islame. Duke treguar një moskuptim themelor të Islamit, ajo shtrembëron natyrshëm atë që kërkon të shpjegojë. Në lidhje me çështje qendrore, si Allahu, Profeti (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), Kur’ani apo hadithi, këto pikëpamje janë shumë larg të vërtetës; ndërkohë që, sa më thellë që përparohet për në periferi, si detaje historike të koncesioneve tregtare, emra sovranësh, pesha monedhash, etj. aq më të pakta janë shtrembërimet. Sidoqoftë, është më mirë që muslimanët të mbështeten tek muslimanët kur janë të disponueshëm burime islame mbi një çështje të caktuar… qoftë edhe për të shmangur shtrembërimet e vogla e të mëdha të veprave jo-islame mbi Islamin. Nuk mund të mos mendojmë që nuk ka asgjë të keqe nëse do të braktisnim zakonin që kanë shumë shkrimtarë muslimanë bashkëkohorë për të shoqëruar veprat e tyre me citate të themeluesve të Orientalizmit, sepse kush fle me qentë gdhihet me pleshta.” (Marrë nga Siguria e Udhëtarit, Redaktuar dhe përkthyer nga Noah Ha Mim Keller)

Çdokush që ka studiuar Orientalizëm e di se, si metodologjia, ashtu edhe qëllimet e tyre janë larg ideales. Vërejtjet e mëposhtme shërbejnë si një përshkrim i mprehtë i qasjes së studiuesve orientalistë perëndimorë ndaj Kur’anit në veçanti dhe Islamit në përgjithësi:

“Nisma orientaliste për studimin e Kur’anit, cilatdo qofshin meritat dhe shërbimet e saj të tjera, ishte pjellë e zemërimit, dështimit dhe ushqehej nga hakmarrja: urrejtja e të fuqishmit ndaj të dobëtit, dështimi i ‘racionales’ ndaj ‘supersticiozes’ dhe hakmarrja e ‘fanatikes’ ndaj ‘jo-konformistes’. Në kulmin e shkëlqimit të famës së tij, njeriu perëndimor, duke bashkërenduar fuqitë e Shtetit, Kishës dhe Akademive, nisi sulmin e tij më të guximshëm ndaj fortesës së besimit musliman. Të gjitha tiparet jo normale të personalitetit të tij arrogant – racionalizmi i tij moskokëçarës, fantasitë për dominimin e botës dhe fanatizmi i tij sektar – u bashkuan në një komplot mëkatar për të çrrënjosur shkrimet e shenjta muslimane nga pozicioni i tyre i ngulitur thellë, si mishërim i origjinalitetit historik dhe moralit të pakundërshtueshëm.  Trofeja finale që njeriu perëndimor kërkonte të fitonte në këtë aventurë të tij djallëzore ishte vetë mendja muslimane. Në mënyrë që ta shpëtojë Perëndimin njëherë e përgjithmonë nga ‘problemi’ i Islamit, ai mendoi që ndërgjegja muslimane duhej manipuluar në mënyrë që të humbasë sigurinë e njohjes së mesazhit hyjnor që iu shpall Profetit. Vetëm një musliman i pasigurtë për origjinalitetin historik apo pavarësinë e doktrinës së Shpalljes kur’anore mund të heqë dorë nga misioni i tij i përbotshëm, duke mos përbërë më një sfidë ndaj dominimit global të Perëndimit. Dhe kjo është dhe logjika e fshehtë e sulmit orientalist ndaj Kur’anit.” (Marrë nga: “Method Against Truth: Orientalism and Qur’anic Studies”, by S. Parvez Manzoor, Muslim World Book Review, Vol. 7, No. 4, Summer 1987, pp. 33-49.)

Ka nevojë të shtojmë gjë tjetër?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *