Frithjof Schuon

Artet jofigurative apo abstrakte të Hebraizmit dhe Islamit nuk duhet të anashkalohen. Arti i parë është shpallur në Torah dhe është përjashtimisht priftëror. Arti Islam është i ngjashëm me artin Hebre prej përjashtimit që ai i bën paraqitjeve njerëzore dhe shtazore. Në zanafillën e tij, arti Islam buroi nga forma ndijore e Librit të shpallur; nga ndërthurja e gërmave dhe ajeteve të Kuranit, dhe gjithashtu, sado kundërthënëse mund të duket, buroi, nga ndalimi i imazhit. Ky frenim në artin Islam, pra me eliminimin e mundësive krijuese të caktuara, përforcoi të tjerat, aq më tepër që ajo u shoqërua me lejimin e shprehur për të paraqitur bimët; dhe prej kësaj, rëndësia kapitale e arabeskës, dhe e motiveve dekorative gjeometrike e botanike. Ndërsa arkitektura Islame, temat e së cilës u huazuan nga qytetërimet fqinje, u shndërrua nga gjenialiteti i tij i posaçëm, i cili u prir në të njëjtën kohë si në thjeshtësi ashtu edhe në ornament. Shprehja më e pastër e këtij gjenialiteti është ndoshta arti i Magribit (Perëndimit Islam), në të cilin asnjë formalizëm paraekzistues s’ka bërë lëshime.

Në Islam, dashuria për bukurinë kundërpeshon prirjen për thjeshtësi të rreptë. Ajo e shpie formën elegante në thjeshtësi dhe e vesh atë pjesërisht me një larmi qendisjesh të cmuara e abstrakte. “Allahu është i Bukur,” tha Profeti, “dhe Ai e do të bukurën”.

Arti Islam bën bashkë larminë e hareshme të bimësisë bashkë me ashpërsinë e kulluar dhe abstrakte të kristaleve. Një kamare faljeje e stolisur me arabeska i huazon dicka bahçes dhe flokëve të dëborës. Kjo përzierje cilësishë haset drejtë në Kuran, ku gjeometria e ideve është sikur të jetë e fshehur pas madhështisë e formave. Islami, i pushtuar nga ideja e Unitetit (teuhid), nëse mund ta themi kështu, përmban gjithëaq edhe një aspekt të thjeshtesisë së shkretëtirës, të bardhësisë dhe rreptësisë, i cili, në artin e tij, alternohet me harenë e kristaltë të ornamentit. Djepi Arabëve është një peizazh shkretëtirash dhe oazesh. Dhe le të kujtojmë tani teofaninë verbale, i cili është recitimi melodioz i tekstit të shpallur,[1] ku kaligrafia është forma e tij pamore,[2] ose përsëri, në Islam, kemi faljen kanonike (namazin), ku lëvizjet madhështore të së cilës e shprehin të shenjtën në një mënyrë të atillë që nga pikëpamja në fjalë nuk është pa asnjë lidhje me mudrat e Indisë.

Krishtërimi i përket një vendimi të vullnetshëm ndërmjet kësobote dhe asaj të pwrjetshme. Islami në anën tjetër është një zgjedhje urtie ndaj të Vërtetës, ku nën dritën e kësaj të Vërtete, duhet të njihet dhe të vlerësohet gjithcka. Në të vërtetën metafizike, s’ka as kësobotë dhe as ajo e përtejme. Çdo gjë përfshihet në të, dhe kjo mund të shikohet në artin Islam. Çdo gjë e natyrshme për qenien njerëzore e gjen vendin e vet në këtë të vërtetë. Bota shikohet në(përmjet) Zot(it) dhe kështu asaj i jepet kuptimi dhe efektshmëria  shpirtërore.

Është e kuptueshme që hiri buzeqeshës i arkitekturës Islame do i jetë dukur shumë të Krishterëve si dicka ‘tokësore’ dhe ‘pagane’; perspektiva e ‘vullnetshmërisë’ i shikon “të poshtmen” dhe “të përtejmen” vetëm si nivele ekzistence që shënjojnë ndarje dhe kundërshti, dhe jo si esenca universale që bashkojnë dhe i bëjnë gjerat identike. Në artin e Rilindjes, virtyti bëhet ndrydhës, i zymtë, dhe i lodhshëm; përbri Alhambrës, pallati i Karlit të V në granada mëton me qenë solemn dhe i rreptë, por vetëm sa arrin një rëndesë dhe trashësi, të cilat syrgjynosin larg inteligjencën, meditimin, dhe qetësinë.

Pasi e shikova Alhambrën me orë të tëra, mu bë më e qartë se kurrë se arti Islam është sodites, ndërsa arti Gotik është vullnetshmëri (volitional), pa folur për Rilindjen, në të cilën e vullnetshmja bëhet tokësore, e shtirur, epshore, dhe e kapardisur. Për Karlin e V Alhamra ishte ‘tokësore’ sepse ajo është e bukur dhe e hareshme, dhe kësaj tokësoreje të gjasshme, ai i kundërvuri plogëtinë, shtypjen, dhe kapardisjen plotësisht joshpirtërore të pallatit të tij. Këtu, shëmtia dhe marrëzia duan ta heqin veten për virtyte: domethënë për, seriozitet, fortësi, dhe tjetërbotshmëri. Tjetërbotësia shikohet plotësisht në modë “vullnetshmërie”, si dicka negavite dhe jo si diçka shpirtërore që e dëfton veten në krijim.

KURAN I NDRIÇUAR, PERSI, AFSHARID, E KOPJUAR NGA HUSSEIN TEUFIK, ISFAHAN, A.H 1162 (A.D.1748)

Pas Alhamrës dhe Alka’zarit të Sevilies, s’kam parë kurrë dicka tjetër që ma ka qetësuar shpirtin më shumë se sa Xhamia në Kordobë, dhe rrallë kam parë diçka që aq shumë të ma këtë ndezuar zemërimin se sa shtesa e Krishterë që i është bërë kësaj xhamie. Krishtërimi i Rilindjes e tregon veten këtu në formën e tij më të tmerrshme, një dëshmi që tregon se ekzoterizmi është i vetëdijshëm për vetëm një copëz të fuqisë së djallit, dhe vërtetë përtej kufizimeve të caktuara i lejon atij lojë të lirë: dhe me qenë i përpiktë, pikerisht në ato sfera që prekin Intelektin. Atje gjendet vetëm një Madonë e lashtë e bukur, dhe gjithashtu një pikturë tjetër e mirë dhe e vjetër. Por mjaft me këtë.

Arti Islam tregon në mënyrë shumë transparente sesi arti duhet ta përsërisë natyrën—e kuptuar kjo në formën më të gjerë të mundshme—në mënyrën e saj krijuese dhe pa e imituar atë në përfundimet e saj. Ai është abstrakt, por gjithashtu poetik dhe i hirshëm. Ai është i thurur nga kthjelltësia dhe madhështia. Stili i Magribit (Spanja Islame dhe Afrika e Jugut) është ndoshta më i fuqishëm sesa stilet e Turqisë dhe të Persisë; por këto—dhe kryesisht të mëvonshmet— për nga kundërpeshimi janë më të larmishme.[3]

Synimi shpirtëror i Islamit vjen qartësisht në pamje tek arti e tij. Ashtu siç arti i tij kap gjithë-përshkuesen dhe gjithë-përfshirësen, dhe shmang ngushtësinë e çfarëdo lloji, po kështu vetë Islami mëton që të shmangë çdo gjë që është e shëmtuar dhe ta mbajë parasysh atë i cili është “gjithëandej Qendër”. Për këtë arsye, ai e ndërron, ta themi kështu, “kryqin” për “thurjen”. Një qendër është qender vetëm tek një pikë e përcaktuar, ajo e flak tej kryqin si “shoqërim” (shirk). Ai dëshiron që të shpërbëjë a priori çdo ngatërrim individualist. Ai njeh vetëm një Qënder: Zotin. Çdo “qendër” tjetër, si për shembull Profeti Muhamed, ose vetë Islami, çlirohet e shthuret si në një ritëm ose në një “thurje”. Qabja gjithashtu është në qendrën e saj një rrjetë botë-mbajtëse.

Përktheu: Olsi Aluku

SHËNIME

[1] Për shembull, këndimi i Kuranit, i cili mund të jetë në stile të ndryshme, është art. Mund të zgjidhet ndërmjet një stili apo një tjetri, por asgjë nuk mund t’u shtohet atyre. Dikush mund ta këndojë Kuranin në

[2] Jashtë Lindjes së Largët, vështirë se gjendet ndonjë përveç Muslimanëve të cilët të zotërojnë kaligrafi të barasvlefshme me ideogramat Kineze, kjo falë jo vetëm pasurisë dhe plastikës së shkronjave Arabe, por gjithashtu edhe përqëndrimit—për arsye fetare—të instiktit pikturues në vetë të shkruajturit.

 [3] Miniaturat Perse i fusin gjërat në një rrafsh pa perspektivë, dhe kështu në një kuptim të caktuar pa kufizime, si një copë thurjeje; dhe është kjo ajo që i bën ato të përputhshme—tek çdo vlerësim si objekte “tokësore”—me perspetivën Islame. Në përgjithësi, Muslimanët nuk i besojnë asnjë “materializimi” të subjekteve fetare, sikur nga frika se realitetet shpirtërore mund të bëhen të shterueshme përmes një teprimi në kristalizimin shqisor. Imazheria e skulpturuar dhe dramatike e Kishës Romake me të vërtetë ka provuar se ka qenë thikë me dy presa; në vend që ta bënte më “shqisore” dhe popullore, Kisha duhej të ruante në të abstragimin hieratik të statujave Romaneske. Detyra e artit nuk është vetëm që të zbresë poshtë tek njerëzit e thjeshtë; ai duhet gjithashtu t’i qëndrojë besnik të vërtetës së tij të brendshme në mënyrë që t’i krijojë mundësi njerëzve të ngjiten drejtë asaj të vërtete.

[*] Marrë nga: http://www.en.islamic-sources.com/download/E-Books/religion_&_sects/Voices-of-Islam.pdf faqe pdf: 931-933 Ky kapitull do të shfaqet gjithashtu në vëllimin e ardhshëm, Frithjof Schuon onUniversal Art: Principles and Criteria,edited by Catherine Schuon (Bloomington,Indiana: World Wisdom, 2007).

Tags: , , , , Last modified: 10/01/2021
Close