John Gray*

Ngritja e ISIS-it është duke turbulluar Perëndimin liberal, dhe jo vetëm pse grupet xhihadiste kanë demonstruar aftësinë për të lëshuar sulme terroriste me shumë të vrarë e të plagosur në një qytet të madh evropian. Përparimi i këtyre grupeve e ngatërron këndvështrimin mbizotërues perëndimor për botën. Për mendimtarët liberalë të këtij brezi historia moderne është një histori e marshimit të civilizimit. Ka pasur momente regresi, disa prej tyre mizore, porse këto janë vetëm rikthim në barbarizëm, të cilat ndërpresin rrugën e një zhvillimi, që në thelb është beninj. Për këdo që mendon në këtë mënyrë, ISIS mund të jetë vetëm një anomali shkatërrimtare dhe e mistershme.

Për ata që habiten me ISIS, gjithsesi nuk mund të jetë vetëm ISIS, që është misterioz. Kështu mund të jetë gjithashtu një pjesë e madhe e historisë moderne. ISIS na e solli në vëmendje me sulmet e tij mizore ndaj vlerave civilizuese: skllavërimi seksual i grave dhe fëmijëve; vrasja e burrave homoseksual; vrasja e shënjestruar e shkrimtarëve, karrikaturistëve dhe hebrenjve; kasaphana pa dallim në një koncert rroku;  dhe një përpjekje gjenocidi ndaj Jezidive. Të gjitha këto akte barbarizmi kanë precedentë moderne, shumë prej tyre në shekullin e kaluar. Përdorimi i dhunës seksuale si një tipar i strategjisë ushtarake në spastrimin etnik në Bosnje më 1990; gjatë luftës për pavarësi të Bangladeshit në 1971; në Nepal, Kolumbi, Sudan, në Republikën Demokratike të Kongos, dhe në shumë zona të tjera konflikti. Shkatërrimi i ndërtesave dhe punimeve të artit, që kreu ISIS në vendbanimin antik të Palmirës ndërmjet disa të tillash, ka precedentë të ndryshme në shek. XX. Bolshevikët e Vladimir Iliç Leninit rrafshuan kisha dhe sinagoga në Rusi. Mao Ce Duni shkatërroi pjesë të mëdha të trashëgimisë arkitekturore të Kinës dhe Tibetit, ndërsa regjimi i Pol Potit përmbyti pagoda dhe tempuj dhe synoi të shkatërrojë qytetet e vendit. Qëllimi i  këtyre akteve shekullare ikonoklaste ishte shfuqizimi i të kaluarës dhe të krijimi i një shoqëri të re nga “viti zero”- një ide që shkon pas tek “viti një” i kalendarit të paraqitur në Francë më 1793, që sinjalizon erën e re të inauguruar nga Revolucioni Francez. Duke shkatërruar sistematikisht jo vetëm reliktet para-islame, por gjithashtu edhe vende të vjetra arkeologjike islame qëllimi i ISIS nuk është thelbësisht i ndryshëm. As ISIS nuk është i ndryshëm në përdorimin e tij metodik të terrorit, si një mjet për të konsoliduar fuqinë e tij. Në telegramin e tij “Urdhër Varje” të 11 gushtit 1918 Lenini i udhëzonte komunistët t’i ekzekutonin fshatarët e pabindur me varje publike: “Kjo duhet të përmbushet në atë mënyrë që njerëzit për qindra milje rreth e rrotull të shohin, të dridhen, ta dijnë dhe të piskatin.” Që nga fillimi dhe përgjatë pjesës më të madhe të ekzistencës së vet, Shteti Sovjetik u mbështet te frika për të qëndruar në fuqi. Gjyqet shou të viteve 1930 vazhduan një pedagogji bolshevike, që rrënjosi bindjen nëpërmjet spektaklit të terrorit. Megjithëse sistemi zgjati për gati tre-çerek shekulli pjesën më të madhe të kohës u komandua nga një pasim domethënës të Perëndimit. Pa dyshim regjimi ka patur të meta, disa të fshehura, por këto shiheshin si një trashëgimi nga despotizmi carist dhe aziatik. Një këndvështrim shumë më bindës mund të jetë se krimet sovjetike vijnë kryesisht nga zbatimi i një tradite moderne evropiane e përdorimit të terrorit për të rimodeluar shoqërinë, të cilat shfaqen me Jakobinët, si rrjedhojë e Revolucionit Francez, të cilin Lenini e ndoqi botërisht. Por ky këndvështrim rrallë merret në konsideratë.

Për ata që e shohin si të habitshme ngritjen e ISIS-it, pjesa më e madhe e shekullit të kaluar mund të shihet si një regresion nga jeta moderne. Edhe pse regjimi që mund të ketë kryer një krim të paprecedent në histori duhet të shihet si një shembull atavizmi: Shteti Nazist shpesh është përshkruar, se e ka kthyer mbrapa Evropën në Shekujt e Errësirës. Pa dyshim që Nazistët shfrytëzuan një demonologji mesjetare të Krishterë në persekutimin e tyre ndaj Hebrejve, por Nazizmi gjithashtu iu apelua pseudo-shkencës moderne të racave për të legjitimuar ato mizori. Duke iu apeluar një tipi të rremë Darvinizmi, racizmi nazist mund të lindte vetëm në një kohë të modeluar nga shkenca. Nazizmi ishte modern jo vetëm në metodat e veta të vrasjeve, por gjithashtu edhe në mënyrën e vet të të menduarit.

Kjo nuk është për të përsëritur apelin e bërë nga teoricienët marksistë të Shkollës së Frankfurtit, që mendimi shkencor modern të çon pashmangshmërisht në disa itinerare të mbyllura drejt Nazizmit dhe Holokaustit. Por për të sugjeruar, se kur mendimi shkencor thirret në politikën moderne ai është një trillim. Rritja e diturisë në shekujt e fundit është mjaft reale, ashtu si në zmadhimin e fuqisë njerëzore nëpërmjet teknologjisë. Këto përparime janë grumbulluese dhe përshpejtuese, dhe në një skenar të mundshëm realist praktikisht të pakthyeshëm. Por ka pasur disa, nëse ka pasur disa, përparime të ngjashme në politikë. Përparimi i shpejtë i shkencës dhe i teknologjisë në këto pak shekujt e fundit nuk ka ecur me të njëjtin përparim të krahasueshëm të civilizimit dhe të arsyes njerëzore. Në vend të kësaj rritja e diturisë në mënyrë të përsëritur ka ndërvepruar me konfliktet dhe pasionet njerëzore për të prodhuar lloje të reja barbarizmi.

Duke përdorur teknologjitë më të përparuara për të demonstruar shkeljen e vet të normave të civilizuara ISIS është një formë e çuditshme moderne barbarizmi. Natyrisht që grupi shfaq tipare të dallueshme. Sulmi i Parisit e tregon këtë, më tepër se sa çdolloj grupi tjetër xhihadist ISIS-i e ka aftësinë ta shkrijë terrorizmin urban dhe luftën guerile në një strategji të unifikuar. Çdolloj pengese që vuan ISIS në fushë betejën e Sirisë dhe Irakut ka të ngjarë të shkaktoj sulme të mëtejshme në popullsinë civile të qyteteve perëndimore. ISIS e dallon vetveten nga grupet e tjera xhihadiste në publicizimin e mizorive të veta nëpërmjet përdorimit të sofistikuar të medies elektronike. Duke aplikuar teknika të prezantuara në një guidë të publikuar on line: Menaxhimi i barbarisë; këto mizori zbatojnë një strategji të planifikuar me kujdes (një e tillë ka provokuar kriticizmin nga Al-Kaeda, nga e cila doli ISIS si një spin-off). Përsëri ISIS ndryshon nga grupet e tjera xhihadiste me mungesën e vet të kërkesave specifike. Ndërsa Al Kaeda synonte, që ta detyronte SHBA-në të tërhiqej nga Lindja e Mesme; ISIS i është përkushtuar shkatërrimit të të gjithë Rregullit Botëror ekzistues- një synim që sugjeron, se grupi në këndvështrimin e tij për botën është më eskatologjik sesa rivalët e tij të tanishëm xhihadistë. Asnjë nga këto tipare nuk shkon aq larg sa të na tregojë, se ISIS është ndonjë gjë tjetër veç modernes. Një kartel krimi transnacional, një lëvizje kulti apokaliptike me përhapje të shpejtë dhe një rrjet mbarëbotëror terrori, ISIS do të mundej të shfaqej vetëm në kushtet moderne të globalizimit.

Teoritë e modernizimit kanë një formë të përbashkët: vetëm një tip shoqërie mundet me të vërtetë t’i vijë ndesh nevojave të një shoqërie të bazuar në inovacionet shkencore dhe teknologjike. Vështirësia qëndron se këto teori specifikojnë tipa inkompatibël të rendit politik apo social. Herbert Spenser, sociolog i shek. XIX besonte se vetëm kapitalizmi laissez-faire mund t’i përshtatej kornizës. Në të kundërt mendonte nxënësja e një herë e një kohe e Spenserit sociologia Beatris Ueb, e cila besonte, se një tip kolektivizmi i parakonfiguruar në Rusinë e Stalinit do të ishte faza tjetër e zhvillimit modern. Në ditët tona, të dyja palët neokonservatorë dhe progresistë kanë pranuar këndvështrimin e parashtruar nga Frensis Fukujama, që vetëm “kapitalizmi demokratik” mund t’i kënaqë nevojat moderne- një prognozë që ka të ngjarë të provohet se nuk ka një tjetër më të mirë. Moderniteti në politikë është një lloj fantazme vazhdimisht bishtnuese, sepse është në ndryshim të vazhdueshëm.

Një kërkim i kësaj fantazme ka formuar “luftën e terrorit” shkatërrimtare.

Kursi i luftës në Irak na ilustron disa nga pasojat. Efektet në Perëndim, të cilat përfshijnë humbjet kolosale të burimeve dhe rehabilitimin nga administrata e Bushit e praktikave barbare të torturave tashmë janë të mirënjohura. Më pak i kuptuar mirë është fakti, se nga katastrofa në Irak rrodhën jo vetëm nga gabimet në politikë (ku disa prej tyre edhe groteske), por gjithashtu nga përpjekja për të ribërë vendin një demokraci. Shteti i Irakut u ndërtua nga Britanikët prej provincave të Perandorisë Osmane, duke zbatuar një strategji përça e sundo, që nënkuptonte se qeverimi i Irakut nuk do të mund të ishte demokratik.

Një nga arkitektët kryesorë të shtetit, oficeri britanik kolonial, arkeolog dhe shkollar Gertrud Bell shkroi: “Unë nuk kam dyshuar për asnjë moment që autoriteti përfundimtar duhet të jetë në duart e Sunitëve, me gjithë inferioritetin e tyre numerik. Përndryshe do të kishim një shtet teokratik muxhtehid, i cili do të ishte shumë djallëzor.” Formuluar rreth 80 vite më herët se sulmi ushtarak i udhëhequr nga Amerikanët analiza e Bellit u konfirmua mjaftueshëm nga ngjarjet.

Pushtimi që përmbysi Sadam Hysenin në prill 2003 shkatërroi shtetin e Irakut. Pjesërisht për këtë u bënë shkak politikat e fuqisë pushtuese, si ajo e shpërbërjes së ushtrisë irakene në maj 2003, një ushtrim i çuditshëm që pati pasoja me ndikim të gjerë. Një arsye themelore ishte fakti që integriteti i shtetit mbahej nën hegjemoninë sunite, të cilën pushtimi e zhbëri. Iraku ishte një shtet multi-etnik dhe multi-sektar i mbajtur së bashku kryesisht me forcë. Vetëqeverisja për “popullin irakian” ishte e pamundur dhe asgjë e tillë nuk kishte ekzistuar. Rezultati i vetëm realist i imagjinueshëm i regjimit ishte shpërbërja e dhunshme e shtetit.

Qysh nga pushtimi i udhëhequr Amerikan tre shtete të rinj janë shfaqur në Irak: Shteti Islamik (siç është quajtur disa herë njësia territoriale e ISIS), i cili sundohet sipas interpretimit ekstrem të Islamit Sunit të ISIS; një shtet kurd de facto në veri të vendit, dhe një shtet Shia me seli në Bagdad, që vepron në një zonë të zgjeruar me ndikim iranian në atë çka mbetet nga shteti historik irakian. Nga këta të tre vetëm ai Kurd mund të pretendojë të jetë diçka e ngjashme me demokracinë shekullare moderne, që ndryshimi i regjimit presupozoi të instalonte. Në pjesën më të madhe të Irakut rezultati i përpjekjes për të instaluar demokracinë ka qenë fuqizimi i teokracisë- ashtu siç parashikoi Belli.

Iraku i Sadamit u sundua sipas ideologjisë Baathiste, një kredo modernizuese dhe shekullare në të cilën një vanguardë revolucionare e përdor shtetin për të sjellë përparim në shoqëri. Lidhje të qarta mund të gjurmohen ndërmjet shkatërrimit të Irakut Baathist dhe ngritjes së ISIS-it. Duke shpërbërë ushtrinë ISIS u pajis me një burim rekrutimi për të pasur komandantë, ndërsa ndarja pasuese e shtetit krijoi zona anarkie në të cilat ISIS mund të zgjerohej. Pa pushtimin e udhëhequr nga Amerikanët të Irakut ISIS ka shumë të ngjarë të mos ekzistonte. Efekti i ndryshimit të regjimit në Irak ishte të shkatërronte një despotizëm shekullar modern dhe të fuqizonte një tip teokracie, që është gjithashtu moderne. Ideologjia e ISIS është një version i Vehabizmit, një tip shumë i lartë represiv i fundamentalizmit sunit, që u zhvillua gjatë shek. XVIII në atë rajon që është sot Arabia Saudite. Fundamentalizmi vështron në humbjen e pastërtisë të një të shkuare imagjinare; por në atë që lulëzojnë në shoqëritë, ku traditat janë në rrëmujë për shkak të përplasjeve me teknologjitë e reja dhe forcat ekonomike, lëvizjet fundamentaliste janë në vetvete esencialisht moderne. E adoptuar si fe zyrtare, kur u themelua shteti saudit më 1932 dhe e promovuar anembanë botës në dekadat e fundit duke përdorur pasuritë e naftës të mbretërisë, idetë vehabite kanë qenë një mjet i fuqishëm për rekrutimin në grupet xhidadiste në shoqëri, ku modelet e trashëguara të jetesës janë ndërprerë.

Duke u skicuar në traditat apokaliptike të Islamit mesjetar ISIS shfaq shumë afinitete me lëvizjet milenariane, që rrënuan Evropën në Mesjetën e vonë. Kjo nuk e bën ISIS një rishfaqje të besimeve dhe të vlerave mesjetare, sepse historia moderne gëlon nga lëvizjet të drejtuara nga mitet apokaliptike. Ashtu siç ka argumentuar Norman Kohn në studimin e tij bazik Në kërkim të Mileniumit lëvizjet totalitare të shek. XX u nxitën nga versionet shekullare të miteve të kohëve të fundit. Kohn e zbatoi analizën e tij kryesisht te Komunizmi dhe Nazizmi, por ngjarjet e mëvonshme sugjeruan se ajo mund të aplikohet edhe më gjerë. Nga kulti amerikan i disqeve fluturuese deri tek kulti bioterrorist i Aum Shinrikyo në Japoni, ka shumë shembuj lëvizjesh, që i kanë ridhënë formë besimeve apokaliptike në terma surrogatesh shkencore. Megjithëse besimet e veta eskatologjike janë qartësisht fetare ISIS është shembulli më i fundëm i një fenomeni periodik modern.

Ndërsa pjesa më e madhe mbetet e panjohur, nuk ka asgjë misterioze në ngritjen e ISIS. Është e çuditshme vetëm për ata që besojnë, pavarësisht çdo gjëje që u shfaq në shek. XX, se modernizimi dhe civilizimi përparojnë dora-dorës. Në fakt sot si edhe në të kaluarën disa nga lëvizjet më moderne janë ndërmjet atyre më barbare. Por që të pranosh këtë do të thotë t’i dorëzohesh sundimit të besimit politik, një forme të kalbur liberalizmi pa të cilën liderët dhe opinion-bërësit perëndimorë do të ishin të humbur dhe të çorientuar. Të pranosh që shoqëritë liberale mund të mos jenë “në anën e drejtë të historisë” do ta linte ekzistencën e tyre pa asnjë lloj domethënie, ndërsa një përgjigje stoike –e cila është e gatshme të luftojë kur je në dyshim i fitores përfundimtare- duket të jetë përtej fuqive të tyre. Me një huti në rritje dhe dëshpërim ata kapen pas besimit, se kursi normal i historisë në një farë mënyre ka dalë jashtë shinave përkohësisht.

Kryesisht është ky besim, që ka shtyrë ndërhyrjet e Perëndimit në vende të tilla si Iraku, Libia dhe Siria. Vendimi për ta përmbysur Muhamer Gadafin më 2011 e ka lënë Libinë në një shesh anarkie ku përplasen grupe rivale xhihadistësh, duke nxitur flukse migrantësh për në Evropë- disa prej të cilëve me siguri që janë vetë xhihadistë. Sidoqoftë, Perëndimi ka vazhduar përpjekjet e veta për të sajuar rënien e Beshar el-Asadit në Siri- një projekt që mund të krijojë anarki në një shkallë edhe më të madhe. Vetëm në agimin e sulmeve të Parisit qeveritë perëndimore kanë nisur të pranojnë, se që të merresh me ISIS mund të kërkojë një koalicion forcash, që përfshin ushtrinë e Asadit dhe fuqinë ajrore të Rusisë. Edhe tashti ata vazhdojnë të këmbëngulin, se Siria mund të rikthehet në gjendjen e vet historike, ndërsa rikonstituohet një qeveri demokratike nën sundimin “e forcave të moderuara”. Megjithatë për aq sa forca të tilla aktualisht ekzistojnë ato janë të vogla në numër, të ndara ndërmjet tyre dhe të paafta për ta luftuar ISIS dhe Asadin njëkohësisht. Ashtu si në Irak dhe në Libi ndryshimi i regjimit në Siri do të prodhojë pashmangshmërisht shembjen e shtetit, me ISIS përfituesin nga anarkia e rezultuar.  E vlerësuar nga referenca të çdo lloj arsyetimi strategjik Perëndimi ka treguar një budallallëk të padepërtueshëm. Të pushtosh një vend, t’i shpërbësh institucionet e tij, të krijosh një shtet të dështuar, të dalësh nga kaosi që pasoi, dhe më pas t’i kthehesh fushatave pambarim të bombardimeve është budallallëk i një shkalle, që ka shumë pak paralele historike. Të këmbëngulësh në këtë mënyrë të sjelluri pas kaq shumë katastrofash tradhton diçka tjetër se sa një budallallëk të thjeshtë, megjithatë ekstreme. Sjellja e këtij lloji ngjan më tepër si një version ekstrem i një disonance kognitive- një përpjekje për të dëbuar fakte shkatërrimtare nga mendja. Në një përpjekje obsesive për të ribërë botën sipas një imazhi të idealizuar të vetë shoqërive të tyre liderët perëndimorë hoqën dorë nga sensi i realitetit. Çdo përpjekje vetëm sa e përforcon faktin e impotencës së tyre. Duke iu bindur një lloj përsëritje të detyruar ata e gjenin veten duke iu kthyer vazhdimisht realitetit të vështirë, për të cilin ata janë të shqetësuar për ta shmangur. Mënyra mbizotëruese e të menduarit liberal filtron çdo fakt që mund të shqetësojë vetë qetësinë e mendjes. Një fakt i tillë është, se rrëzimi i despotëve në vetvete nuk e rrit lirinë. Nëse je një grua, homoseksual, anëtar i një minoriteti fetar, apo dikush që nuk pretendon ndonjë fe, a je më i lirë tashti në Irak, Libi, apo në pjesën më të madhe të Sirisë, se sa mund të keni qenë nën diktaturën e Sadamit, Gadafit ose Asadit? Kthjellët, ju jeni shumë më pak i lirë. Një fakt tjetër i parehatshëm është se tiranët janë shpesh popullorë. Sipas liberalëve të sotëm, kur një numër i madh njerëzish grumbullohen të mbështesin tiraninë, kjo nuk mund të jetë për shkak se nuk duan të jenë të lirë. Ata duhet të jenë tjetërsuar nga natyra e tyre e vërtetë si qenie njerëzore. Të lindur liberalë qeniet njerëzore bëhen diçka tjetër si rezultat i kondicionimit social. Vetëm represioni politik dhe kulturor qëndron në rrugën e vlerave liberale, duke u bërë një mënyrë jetese universale.

Këto gënjeshtra janë të zbukuruara metafizikisht pas teorisë tërheqëse, që kur njerëzit largohen nga vendet e përparuara për t’u bashkuar me ISIS ata veprojnë kështu, sepse ata kanë pësuar një proces “radikalizimi”. Po kush i radikalizoi ato dhjetëra miliona evropianë, që u grumbulluan rreth nazizmit e fashizmit në periudhën ndërmjet dy luftërave? Katastrofat që pasuan nuk ishin rezultat i një propagande të zgjuar, ndonëse ajo padyshim që luajti pjesë. Periudha ndërmjet dy luftërave na demonstron se sa shpejt dhe lehtë jeta e qytetëruar mund të ndërpritet dhe shkatërrohet nga impakti i krizës ekonomike dhe të luftës.

Qytetërimi nuk është pika fundore e historisë moderne, por një varg ndërprerjesh kohore spazmash barbarizmi. Qytetërimi liberal që ka mbizotëruar në disa vende perëndimore në këta pak shekujt e fundit u shfaq ngadalë dhe me vështirësi kundër një mjedisi të përzier traditash dhe institucionesh. I pasigurt kudo që ai ka ekzistuar ai është një mënyrë jetese, që nuk ka ndonjë kala njerëzore. Për një brez të vjetër mendimtarësh liberalë të tillë si, Aleksis de Tokëvil dhe Isaia Berlin këto janë gjëra të zakonshme. Sot këto të vërteta të rëndomta janë të vërteta të ndaluara, për të cilat nuk mund të flitet më gjatë ose në shumë raste nuk mund të kuptohen.

Qytetërimi liberal nuk është kuptimi që lind prej botës moderne, por një veçori historike që në thelb është e brishtë. Kjo është arsyeja pse ia vlen të ruhet. Duke mbrojtur këtë formë jetese kundër ISIS kërkon një perceptim të kthjellët, që grupi xhihadist nuk është një forcë atavike, që me pak asistencë nga bombardime të intensifikuara do të fashiteshin me përparimin e modernizimit. Nëse duhet të zhduket kërcënimi ISIS duhet të mundet e të shkatërrohet.

Arsyetimi i thjeshtëzuar që hedh poshtë çdolloj aksioni ushtarak të Perëndimit me bazën, që ndërhyrje më të hershme kanë qenë kundër-produktive bëjnë që të dështojnë masat për sfidat që paraqet tashti ISIS. Sulmet e Parisit, të cilat me sa duket kanë qenë një përgjigje e humbjeve në terren, na tregojnë se shteti që ka krijuar ISIS thjesht nuk mund të kontrollohet. As kontrollimi nuk mund të jetë i mjaftueshëm në terma etikë, qysh kur ISIS ka demonstruar kapacitetin për gjenocid. Por qëllimi nuk duhet të jetë të zëvendësohet totalitarizmi teokratik i ISIS me një riprodhim të demokracisë liberale- një projekt delirant, që na ndërseu forcat nga të cilat jemi tashti të rrethuara. Një shtet funksional që gëzon në një masë të arsyeshme mbështetjen lokale dhe që mund ta ruajë paqen mund të jetë objektivi i një sfide të mjaftueshme për politikën perëndimore.

Nëse Perëndimi është i gatshëm për këtë detyrë është e paqartë. Vështirësitë praktike janë të frikshme. Pas fiaskos në Irak të vendosësh numra të mëdhenj trupash në terren duket se janë shumë të vështira mundësitë për këdo nga qeveritë e Perëndimit, ndërsa fuqitë rajonale të nevojshme për të qenë pjesë e çdolloj aksioni ushtarak të orkestruar – Turqia, Kurdët, Sauditët dhe Irani- janë duke ndjekur synimet dhe rivalitetet e tyre. Gjithashtu edhe vetë Rusia ka agjendën e saj. Cilido është i kërcënuar nga ISIS, por askush deri tashti nuk e ka bërë luftimin e tij prioritetin e vet.

Vështirësitë intelektuale janë më të mëdha dhe mundësisht të pakalueshme. Për shumë në Perëndim kërcënimi që iu paraqet atyre për këndvështrimin ndaj botës duket si një fatkeqësi e madhe se sa mizoritë e bëra nga ISIS dhe që kërcënon t’i përsërisë. Çudia me të cilën Perëndimi i qaset grupit është një simptomë e plakjes së mendimit liberal, një gjendje për të cilën nuk ka shërim të natyrshëm. Ndoshta ajo që i mungon kulturës tonë, në fund të fundit është aftësia për të kuptuar veten.

* John Grey, “The Anomaly of Barbarism: The brutality of Islamist terrorism has many precedents”. John Grey është një filozof i politikës dhe autor i 26 librave të përkthyer në më shumë se 20 gjuhë. Ai është profesor emeritus i Mendimit Evropian në London School of Economics. Libri i tij më i fundit është Shpirti i Marionetës: Një Hetim i shkurtër në Lirinë Njerëzore.

Përktheu Roald A. HYSA

Tags: , , , , Last modified: 15/07/2016
Close