Ovamir Anjum

Fragment i shkëputur nga: Ovamir Anjum, Editoria: Scholarship in Apocalyptic Times-Suffering Vicariously’, American Journal of Islamic Social Sciences 35/3 (2018), pp. v-ix.

A mund ta justifikojmë punën akademike në kohëra apokaliptike? “Në mbarë botën, shtete genocidale po sulmojnë myslimanët,” është titulli i një opinioni nga sociologu Arjun Appadurai, “A është vërtet Islami shënjestra e tyre”[1] “Teksa Izraeli burgos palestinezë dhe Mjanmari dëbon nga vendi popullsinë Rohinga, një refleksion mbi vuajtjen e biominoriteteve entike dhe racore,” shkruan rreshti i parë. Mirë se erdhe në klubin tonë, mendova me vete. Për dekada me radhë, kjo ka qenë pyetja që myslimanët ia kanë shtruar vetes. Artikulli përfundon me jo ndonjë depërtim të thellë, por ajo që më tërhoqi vëmendjen është banaliteti i vëzhgimit, i bërë nga një sociolog indiano-amerikan, jo nga një agjent i Al Kaedas gati për të hedhur në erë gjithçka në shenjë hakmarrje.

Palestina po shënjestrohet nga plumbat dhe po derdh gjak deri në vdekje nga një shtet fanatik etniko-fetar, nacionalist, kolonizues dhe aparteidi. Palestina jemi ne. Rohingat po digjen, përdhunohen, dhe asgjësohen nga një tjetër shtet nacionalist etniko-fetar. Nënat rohinga po sjellin masivisht në jetë fëmijët e përdhunuesve të tyre të Mjanmarit. Rohingat jemi ne. Kashmirasit dhe miliona myslimanë indianë po privohen ditë pas dite nga dinjiteti, njerëzishmëria, dhe jeta e tyre nga një tjetër nacionalizëm etnik i frymëzuar fetarisht. Kashmirasit jemi ne. Në Kinë, burrat myslimanë ujgurë po shfarosen, po mbahen në kampet e torturave dhe të shpëlarjes së trurit, ndërkohë që gratë e tyre janë të detyruara që të bashkëjetojnë me meshkuj kinezë.[2] Në të katra rastet, një fe e lashtë është rekrutuar që të ofrojë identitet, unitet, pasion, dhe madje edhe narrativë për të përligjur kasaphanën, ku një pjesë e saj shkon deri edhe në caqet e gjenocidit. Një Europë sekulare, e iluminuar po bën pluhur e hi pakicat e saj myslimane, pakica që janë atje vetëm për shkak se trojet e tyre janë pushtuar, shfrytëzuar, ndarë, dhe lënë që të kalbëzohen nën institucionet e rrënuara dhe regjimet kukulla që mbahen në këmbë nga po të njëjtët evropianë që nuk mund t’i tolerojnë dot myslimanët në mesin e tyre. Dhe tani, Kina, superfuqia në ngritje, i tejkalon të gjithë ata në shfarosjen sistematike të popullsisë apo identitetit të saj mysliman. Ne myslimanët dimë të bëjmë më mirë se sa thjesht t’ia mveshim fajin të gjithë çifutëve, të gjithë të krishterëve, të gjithë budistëve, të gjithë hindusve, dhe të gjithë konfucianistëve. E megjithatë, ky model nuk mund të kalojë pa u vlerësuar nga myslimanët, madje edhe në qoftë se ai është thjesht një kuriozitet kalimtar për të tjerët.

Sigurisht, kjo nuk është e gjitha. Burrat e vegjël që kanë trashëguar pushtetin në tokat myslimane pas kolonializmit, burrat e vegjël që kanë shitur pasuritë e popullit të tyre për të blerë jahte floriri dhe armë për të qëlluar pikërisht mbi popullin, të cilëve dobësia dhe jo-legjitimiteti u ka lënë atyre trashëgim një egërsi unike dhe të pangigjur dhe mjeshtëri në artin e torturës, represionit, dhe intrigës, janë të etur që të hyjnë në një pakt me djallin për të shpëtuar fronet e tyre të kalbura. Kasapët e Jemenit dhe Sirisë nuk janë të huaj, madje edhe në qoftë se ata mbahen në këmbë nga të huajt. Ka madje burra edhe më të vegjël që shërbejnë si klerikë të tyre dhe i japin vulën e miratimit çdo vrasjeje.

Shkurtimisht, dijetarët dhe akademikët myslimanë të cilët ia dalin që të ruajnë besimin e tyre dhe zgjuarësinë e tyre duhet të punojnë në një botë që duket se po i rrethon përherë e më tepër. Pyetja këtu është, si?

Për pjesën më të madhe, sigurisht, ky kërcënim ndihet vetëm empatike (vicariously). Disa prej nesh fshehin kryet në libra apo laptopë, të tjerë postojnë në një tweet mendimet e tyre, të tjerë akoma i spiritualizojnë problemet e Umetit (bashkësisë globale myslimane) ndërkohë që e shndërrojnë në çështje materiale problemin e tyre, e të tjerë akoma përsosin artin e të mos pasurit ndjenja për asgjë, e të mos perjetuarit dhe madje edhe e të mos identifikuarit si myslimanë. Si besimtari i Popullit të Faraonit i cili e fshehu besimin e tij në thirrjen monoteiste të Musait (Moisiut), ndoshta një pjesë prej nesh po presin që një Musa të vijë e të ngrejë flamurin. E megjithatë, të tjerë akoma gjejnë kauza të pjesshme dhe lokale të miratuara nga sekulariteti liberal që të shfrejnë pasionin e tyre për drejtësi. Madje edhe gjuha në të cilën flasim për dhimbjen tonë shpesh është e huazuar, e modeluar për të qenë në përputhje me CNN, e denjë për t’u pëlqyer nga miqtë tanë të të mjatës (amerikane dhe evropiane, jo asaj shqiptare sh.p.). Kauzat tona janë lokale dhe përçarëse.

Të tilla janë kushtet në të cilat ne, si akademikë, duhet të mesojmë, të mbajmë shënim, të mendojmë, të vëmë në pikëpyetje, të lexojmë e të rilexojmë, si dhe të shkruajmë. Për shumë zëdhënës, komentatorë, studiues, dhe intelektualë, vuajtja, sikundër kam vërejtur më sipër, ka natyre empatike. Një vuajtje e tillë është ajo që na bën ne njerëz, dhe që na bën ne pjesë të një komuniteti global. E megjithatë, empatia përmban gjithashtu rrezik. Një shkatërrim i madh po përhapet në botë në emër të vuajtjes së ndjerë në mënyrë empatike (vicarious suffering). Ideologët i ndërtojnë programet e tyre mbi bazën e saj. Ekzistenca ose mëshira e Zotit mohohet në mënyrë rutinë nga humanistët ulur majë kolltukut që ndjejnë dhimbjen e të tjerëve. Kapaciteti që na bën njerëz na mashtron pafundësisht, dhe ndoshta kurrë më shumë se sa në epokën e mediave sociale. Rinia e ushqyer mirë, e mërzitur zgjedh gjithçka që varion që nga ateizmi e deri te ndonjë ideologji radikale (ISIS më e fundit) në emër të vuajtjes së ndjerë në emër të tjetrit (vicarious suffering) që ata e kanë parë në mediat sociale. Vuajtja empatike është njerëzore, e megjithatë ajo thjeshton tej mase dhe, prandaj, shtrembëron vuajtjen njerëzore. Ne, në fakt, nuk jemi në të vërtetë Palestina. Ne mund të përjetojmë një pjesë të sensit palestinez të privimit, vuajtjes, dhe zemërimit kur ata qëllohen me plumba dum-dum që janë projektuar për të shpartalluar gjithçka që prekin, kur impianti i tyre i fundit i ujit shënjestrohet nga një shtet që më pas kthen shpinën dhe i akuzon ata thjesht për ekzistencën e tyre, për gjuajtjen me gurë ndaj ushtarëve gallofë të armatosur deri në dhëmbë. Por, pak prej nesh në të vërtetë e njohin botën e dhimbjes që zbret mbi ata të cilët (apo fëmijët e të cilëve) paturpësisht qëllohen për akuzën se gjuajnë me gurë, apo mësymjen e dëshpërimit kur ata mësojnë se ata që duhet t’u vinin në ndihmë, u kanë kthyer shpinën. Për më tepër, pak prej nesh kanë idenë e vagët të burimeve të shpresës, pathyeshmërisë, besimit, dhe frymës së solidaritetit dhe sakrifikimit të vetes, dhe të burimeve më të thella të besimit dhe rezistencës besnike, që palestinezët, rohingat, kashmirasit dhe ujgurët përdorin si burime të tyre. Empatia prodhon vetëm mëshirë njëdimensionale; të tepruar dhe artificiale në disa mënyra. Ajo për të cilën ne kemi nevojë është solidariteti i vërtetë, afatgjatë, gadishmëria për të ngjitur bashkë fatet tona, dhe gadishmëria për të zotëruar organet që pikojnë gjak të Umetit dhe ta marrim përsipër atë detyrë si pjesë e një axhende intelektuale të përhershme për të luftuar, dhe për t’u bërë qëndresë tiranëve. Them e përhershme jo sepse pres që ndonjëra prej këtyre plagëve të hapura do të jetë e përhershme, por për shkak se pjesë e të qenit një komunitet global – sidomos një komunitet që aspiron të jetë “komuniteti i ekuilibruar i spikatur për mbarë njerëzimin, që urdhëroni në të mirë dhe ndaloni nga e keqja” –  do të thotë të pranosh se në njëfarë mënyre plagët janë pjesë e jetës. Ky angazhim ngërthehet përsosmërisht në fjalët e Pejgamberit të dashur të Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, të përcjellura nga Nu’man bin Bashiri, rregjistruar nga Buhariu dhe Muslimi:

Besimtarët në mirësënë, dhembshurinë, dhe keqardhjen e tyre të ndërsjellë janë si një trup i vetëm. Kur njëra prej gjymtyrëve vuan, i gjithë trupi i përgjigjet asaj me pagjumësi dhe ethe. 

Çfarë mund të thuhet në lidhje me solidaritetin në kohëra të zakonshme me ata që nuk e kanë kaq të spikatur vuajtjen? Dhe çfarë mund të thuhet për tiranët e brendshëm? Nuk lypset që të përmend këtu se solidariteti me këta të fundit kërkon, sipas transmetimeve të famshme profetike, që ne t’i pengojmë ata nga tirania e tyre, dhe ta bëjmë këtë me dorën tonë, me gjuhën tonë, ose së paku në zemrën tonë. Lloji më sfidues, e megjithatë më i rëndësishëm, i solidaritetit është ai që jepet për vuajtjen si edhe për gëzimet që nuk bien në sy, që nuk mund të ndërmjetësohen dhe të bëhen share në klipe të shkurtra videosh. Të jesh një trup i vetëm do të thotë të jesh një trup i vetëm edhe kur dikë nuk po e qëllojnë dhe nuk po e dhunojnë. Por, a është i mundur solidariteti kuptimplotë në distanca kaq të mëdha dhe me kaq pak interesa të njëjta ndërmjet myslimanëve në pjesë të ndryshme të globit?

Përgjigja nuk është e lehtë dhe madje, për shumë prej nesh, nuk është as e imagjinueshme, por kërkimi për një solidaritet të tillë, në gjykimin tim, është prioriteti më i lartë si nga feja ashtu dhe arsyeja. Detyra e parë, në çdo rast, është që të dihet dhe të mos harrohet, të dihet se ne jemi bashkë në gjithë këtë, dhe se ne jemi në gjithë këtë për një rrugë të gjatë.

Puna akademike është njëra përgjigje, dhe një përgjigje e domosdoshme (sado e pjesshme). Kujtesa është e paqëndrueshme dhe e hapur ndaj manipulimit në qoftë se ajo nuk ruhet dhe perjetësohet me përgjegjshmëri dhe integritet. Ne nuk duhet të harrojmë Palestinën, Rohingat, Kashmirin, Jemenin, Sirinë, dhe të tjerët; por jo sepse hesapet duhen mbajtur shënim dhe haku duhet marrë. Besimtari duhet ta dijë se drejtësia përfundimtare vihet në vend nga Zoti – në këtë botë, ne duhet të jemi po aq të përgatitur për të falur sa ç’duhet të jemi edhe për t’iu përgjigjur luftës, dhe për t’u rezistuar tiranëve si të brendshëm ashtu dhe të jashtëm. Por kurrë të mos harrojmë!

Puna akademike, në rastin e saj më të mirë, u lejon grupeve që të ruhen nga fshirja dhe shtrembërimi i plotë nga ana e armikut, ose në duart e tij. Rrjetet akademike të shtrira nëpër tokat e Islamit kanë qenë gjithnjë sistemi nevralgjik i Islamit që ka ruajtur atë kujtesë; kjo sipërmarrje nuk ka qenë kurrë e përsosur, dhe në vartësi të masës që myslimanët kanë dështuar në ruajtjen e një kujtese të tillë, përshkrimet e rreme dhe sajimet e pafunda sektare kanë marrë dhenë. Lindja e nacionalizmit në botën myslimane është një rast që flet vetë si i tillë. Kush mund të kishte dyshim në Irakun e Sadamit se udhëheqësi i tyre ishte një pozitë më lart se Saladini, çliruesi i Palestinës? Kush mund të kishte dyshim në Egjiptin e Naserit se Profeti Muhamed ishte një hero i madh kombëtar i arabëve? Kush mund të ketë dyshim në Iranin e sotëm se arabët kanë qenë një tufë pushtuesish të mallkuar e të uritur kundër një qytetërimi iranian të pakohë që shpëtoi Islamin prej duarve të tyre? Kush mund të ketë dyshime sot në Arabinë Saudite se Shiitët janë më të këqinj se Sionistët dhe Kryqëtarët në armiqësinë e tyre ndaj Islamit? Maja e ajsbergut të falsiteteve e bën të pamundur që, për njerëzit e thjeshtë, të ndahet fakti nga trillimi; atë që amerikanët kanë kuptuar vetëm së fundmi si triumfi i “të vërtetës” mbi “faktin”, si një dukuri virulente në kulturën e tyre, popullsitë e botës myslimane e kanë praktikuar prej kohësh si një mekanizëm në përballimin e dallgëve. 

Sot, mbërthimi i shteteve-kombe që kanë copëtuar rajonet myslimane dhe i kanë vënë ata kundër njëri tjetrit po venitet në favor të neoliberalizmit, një forcë kjo jo më pak e helmatisur në atë që josh shoqëritë drejtëpërdrejt dhe nuk merret me elitat e tyre të pushtetshme. Në qoftë se korniza e vjetër zhvillimore e mjedisit të Luftës së Ftohtë fuqizoi autokratët si kukulla të fuqive të mëdha, korniza e re neoliberale e pas viteve 70 fuqizon elitën e biznesit, dhe mobilizon, si kundërpërgjigje, protesta si ato të kryengritjeve arabe të vitit 2011. Çdo tranzicionon imponon tirani të reja, por gjithashtu ekspozon plasaritje të reja në pretendimet totalitariste të fuqive botërore, dhe ofron mundësi të reja veprimi për myslimanët. Rrjetet islame të diturisë dhe besimit kanë edhe një herë një shans për të lulëzuar dhe për të ofruar hapësira të rezistencës.

Një filozof politik ka nxjerrë në pah se pjesa më e madhe mendimit origjinal lind gjatë kohërave të trazirave të mëdha kur shkatërrimi institucional lë hapësirë për (në mos lips) imagjinatë të re. Për akademikët dhe mendimtarët myslimanë, kjo mund të jetë pikërisht ajo kohë.

Përktheu: Arjol Guni

Referenca

[1] Arjun Appadurai, “Across the World, Genocidal States Are Attacking Muslims. Is Islam Really Their Target?,” Scroll.in, 22 Maj 2018, https://scroll.in/article/879591/from-israel-to-myanmar-genocidal-projects-are-less-aboutreligion-and-more-about-predatory-states (parë më 29 May 2018).

[2] Tom Phillips, “China ‘Holding at Least 120,000 Uighurs in Re-education Camps,’” The Guardian, 25 Janar 2018, https://www.theguardian.com/world/2018/jan/25/at-least-120000-muslim-uighurs-held-in-chinese-re-education- camps-report (parë më 29 Maj 2018).

Tags: , , , , , , , , Last modified: 03/12/2018
Close